VOAL

VOAL

Britani, zbulohet skandali i pastrimit të parave nga mafia ruse

March 21, 2017

Komentet

SHBA-ja sulmon objekte bërthamore të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë adresimit drejtuar kombit, kur tregoi për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Trump njoftoi për “sukses spektakolar ushtarak” më 21 qershor, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.

“Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite të tëra, teksa ata ndërtuan këtë ndërmarrje jashtëzakonisht shkatërruese”, tha Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”.

Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, tha Trump. E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”, duke shtuar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.

“Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, tha ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.

“Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, u shpreh Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, teksa prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i quajti sulmet “të turpshme” dhe paralajmëroi se ato “do të kenë pasoja të përhershme”, në një postim në X.

“Çdo shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të alarmohet nga ky veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kriminal,” tha ai, duke shtuar se Irani “i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e tij”.

Transmetuesi publik izraelit, KAN, citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se sulmet u kryen në koordinim të plotë me Uashingtonin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e uroi Trumpin për sulmet “e guximshme” të SHBA-së, duke e quajtur sulmin një moment historik që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

“Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”, tha Netanyahu përmes një video-adresimi.

“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqja vjen përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.

Senatori amerikan, republikani nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, gjithashtu e mirëpriti sulmin.

“Kjo ishte vendimi i duhur. Regjimi e meriton. Të lumtë, president Trump”, shkroi Graham në X.

Por, jo të gjithë e mirëpritën sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.

Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar me premtimin që të mbajë SHBA-në jashtë konflikteve të huaja. Disa anëtarë të koalicionit të tij, Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish, e kanë këshilluar Trumpin që të mos përfshijë drejtpërdrejt ushtrinë amerikan në sulme ndaj Iranit.

“Fordo nuk ekziston më”

Raportimet e para më 21 qershor njoftuan se bombarduesit amerikanë B-2 – të aftë për të mbajtur bomba të rënda deri në 13,500 kilogramë të ashtuquajtura “shkatërruese të bunkerëve” – ishin nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe po fluturonin mbi Oqeanin Paqësor.

Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë kishin deklaruar më herët se vetëm SHBA kishte kapacitetin për të goditur objektivat bërthamore iraniane që ndodhen thellë nëntokë.

Pas sulmit, Donald Trump publikoi në rrjetet sociale – një postim i cili më pas u shpërnda në X nga Open Source Intel – duke thënë se “Fordo nuk ekziston më”.

Një zëdhënës i provincës Qom konfirmoi se një pjesë e objektit bërthamor në Fordo ishte goditur nga “sulme ajrore të armikut”.

Duke minimizuar sulmet, televizioni shtetëror iranian raportoi se materialet bërthamore ishin larguar nga të tre objektet përpara se të goditeshin.

Mehdi Mohammadi, këshilltar i lartë i kryetarit të parlamentit iranian, tha se Irani kishte pritur prej disa netësh që Fordo të sulmohej.

“Objekti është evakuuar prej kohësh dhe nuk ka pësuar dëme të parikuperueshme nga sulmi. Dy gjëra janë të sigurta: e para, dija nuk bombardohet, dhe e dyta, aventurieri do të humbasë këtë herë”, shkroi Mohammadi në X.

Organizata iraniane për energjinë atomike konfirmoi se objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan ishin sulmuar nga “armiqtë”.

Ajo i quajti sulmet “barbare” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se nuk do të lejojë që “industria kombëtare” të ndalet.

Autoriteti iranian për mbikëqyrjen bërthamore njoftoi se nuk kishte rrezik për banorët që jetojnë përreth zonave të goditura, ndërsa autoriteti rregullator i Arabisë Saudite tha se nuk ishin zbuluar gjurmë radioaktive në Mbretëri apo në shtetet e Gjirit Arab si pasojë e sulmeve.

Që nga 13 qershori, kur Izraeli nisi një fushatë ajrore duke deklaruar se Irani ishte afër zhvillimit të një arme bërthamore, dy vendet kanë shkëmbyer valë të njëpasnjëshme sulmesh të rënda. Irani vazhdon të mohojë se programi i tij bërthamor ka për qëllim prodhimin e një bombe atomike.

Brett McGurk, ish-anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, deklaroi se përdorimi i bombës shkatërruese për bunkerë – e njohur zyrtarisht si “penetruese masive e municioneve” – është “hera e parë në historinë ushtarake”, duke theksuar se është armë e krijuar pikërisht për objektiva si Fordo.

Ai theksoi për CNN se misioni kishte për qëllim goditjen e tri objekteve bërthamore dhe jo ndryshimin e regjimit.

“Mesazhi për rajonin dhe për Teheranin është se kjo ka të bëjë vetëm me objektet bërthamore. Nuk është një mision i zgjeruar. Dhe mund të përfundojë këtu,” tha McGurk.

Richard Haass, ish-diplomat i lartë amerikan dhe ish-president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se do të jetë me interes të shihet pse Trump zgjodhi ta ndërmarrë sulmin pikërisht tani.

“E ka humbur besimin tek diplomacia? Apo është frikësuar se Irani po zhvendoste asete bërthamore? Apo ndoshta pauza dyjavore ishte një taktikë që në fillim? Shpresoj që kjo e fundit të mos jetë e vërtetë, sepse diskrediton diplomacinë amerikane në tërësi” shkroi Haass në X.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha më herët më 21 qershor se Irani nuk do ta ndalë programin e tij bërthamor “në asnjë rrethanë”, ndërsa ministri i jashtëm Abbas Araqchi paralajmëroi se përfshirja ushtarake e SHBA-së “do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për të gjithë”.

Araqchi, gjatë një konference anësore të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Turqi, u shpreh se Irani ishte i hapur për dialog të mëtejshëm, por theksoi se nuk ka interes të negociojë me SHBA-në ndërkohë që Izraeli vazhdon të sulmojë.

Në një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, Pezeshkian tha se Irani është “i gatshëm të diskutojë dhe të bashkëpunojë për të ndërtuar besim në fushën e aktiviteteve bërthamore paqësore”.

“Megjithatë, nuk biem dakord të reduktojmë aktivitetet bërthamore në zero në asnjë rrethanë”, shtoi ai, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA.

 

 

Analiza e BBC – ‘Mossad-in e kemi më afër se veshët tanë’- Inteligjenca izraelite ka depërtuar thellë brenda Iranit

Nga Jiyar Gol, BBC

Nëse konfirmohen, vrasjet e Saeed Izadi – komandantit përgjegjës për lidhjet me grupet palestineze brenda forcës elitare Quds të Gardës Revolucionare – dhe Behnam Shahryari – kreut të Njësisë 190, që merret me kontrabandën e armëve dhe fondeve për përfaqësuesit e Iranit – përbëjnë një goditje të rëndësishme për Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Izadi u godit në një apartament në qytetin e shenjtë shit të Qomit, ndërsa Shahryari u shënjestrua nga një sulm me dron në makinën e tij në një rrugë në Iranin Perëndimor.

Këto sulme, që pasojnë një seri atentatesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë iranianë gjatë javës së fundit, nxjerrin në pah dobësi serioze brenda shërbimeve iraniane të inteligjencës.

Ato gjithashtu theksojnë se sa thellë mund të ketë depërtuar agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad, në aparatin iranian të sigurisë.

Të shënjestrosh me sukses zyrtarë të rangut të lartë, të cilët janë të mbrojtur fort brenda territorit iranian, kërkon si inteligjencë njerëzore në terren, ashtu edhe mbikëqyrje të sofistikuar elektronike.

Vite më parë, ish-ministri i inteligjencës, Ali Younesi, zbuloi se atëherë-presidenti Hassan Rouhani i kishte thënë Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei: “Mossad është më afër nesh se veshët tanë” – një deklaratë që sot tingëllon më aktuale se kurrë. sn

Rreziqet bërthamore nga sulmet e Izraelit në Iran

Centrali bërthamor Bushehr, jashtë qytetit jugor të Bushehrit në Iran.

 

Radio Evropa e Lirë

Reuters

Ekspertët thonë se sulmet e deritashme të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit paraqesin vetëm rreziqe të kufizuara kontaminimi.

Por, ata paralajmërojnë se çdo sulm ndaj centralit bërthamor në Bushehr mund të shkaktojë katastrofë bërthamore.

Izraeli thotë se synon t’i shkatërrojë kapacitetet bërthamore të Iranit me operacionet e tij ushtarake, por se dëshiron të shmangë një katastrofë bërthamore në rajonin ku jetojnë miliona njerëz dhe prodhohet pjesa më e madhe e naftës në botë.

Frika nga një katastrofë e tillë u përhap në Gjirin Persik të enjten, kur ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur një vend në Bushehr, në bregun e Gjirit – ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit – por më pas sqaroi se ky njoftim ishte gabim.

Ku ka sulmuar Izraeli deri tash?

Izraeli njoftoi se ka sulmuar lokacione bërthamore në Natanz, Isfahan, Arak dhe Teheran.

Izraeli thotë se synon ta pengojë Iranin nga krijimi i bombës bërthamore, por Irani mohon se bën përpjekje të tilla.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) raportoi se ka pasur dëmtime në fabrikën e pasurimit të uraniumit në Natanz, në kompleksin bërthamor në Isfahan, përfshirë edhe Fabrikën e Konvertimit të Uraniumit, dhe në objektet për prodhimin e centrifugave në Karaj dhe Teheran.

Izraeli e sulmoi edhe Arakun, i njohur edhe si Khondab.

IAEA tha se sulmet ushtarake izraelite goditën edhe Reaktorin e Ujit të Rëndë – Khondab, i cili ishte ende në ndërtim dhe nuk kishte filluar të funksiononte, dhe dëmtuan fabrikën pranë që prodhon ujë të rëndë.

IAEA theksoi se reaktori nuk ishte operativ dhe nuk përmbante material bërthamor, ndaj nuk kishte as efekte radiologjike.

Në përditësimin e vlerësimit të saj të premten, IAEA tha se ndërtesat kryesore në këtë lokacion janë dëmtuar.

Reaktorët me ujë të rëndë mund të përdoren për prodhimin e plutonit, i cili, ashtu sikurse uraniumi i pasuruar, mund të përdoret për krijimin e bombës bërthamore.

Çfarë rreziqesh sjellin këto sulme?

Peter Bryant, profesor në Universitetin e Liverpulit në Angli, i specializuar në shkencën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe politikën e energjisë bërthamore, thotë se, tash për tash, nuk është shumë i shqetësuar për rreziqet e pasojave nga sulmet.

Ai thekson se objekti në Arak nuk ishte funksional, ndërsa ai në Natanz ishte nëntokësor dhe nuk u raportua për ndonjë rrezatim.

Konfliktet në Lindjen e Mesme

këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, infografika, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, luftës në Gazë dhe tensioneve të tjera rajonale.

“Çështja është te kontrollimi i asaj që ndodh brenda atij objekti, por objektet bërthamore janë të projektuara për gjëra të tilla”, thotë ai.

“Uraniumi është i rrezikshëm vetëm nëse thithet fizikisht, gëlltitet ose futet në trup, në pasurime të ulëta”, shpjegon Bryant.

Darya Dolzikova, hulumtuese e lartë në Institutin Kërkimor, RUSI, në Londër, thotë se sulmet ndaj objekteve në fazat fillestare të ciklit të karburantit bërthamor – faza kur ura­niumi përgatitet për përdorim në reaktor – paraqesin kryesisht rreziqe kimike, jo radiologjike.

Në objektet e pasurimit të uraniumit, shqetësim është UF6, ose heksafluoridi i uraniumit.

“Kur UF6 bashkëvepron me avujt e ujit në ajër, ai prodhon kimikate të dëmshme”, thotë Dolzikova.

Shkalla në të cilën shpërndahet materiali, varet nga disa faktorë, përfshirë motin, sipas saj.

Në erëra të dobëta, shumica e materialit pritet të depozitohet pranë objektit; ndërsa në erëra të forta, materiali përhapet më larg, por gjithashtu shpërndahet në një zonë më të gjerë”, thotë ajo.

Rreziku i përhapjes është më i ulët nga objektet nëntokësore.

Simon Bennett, i cili udhëheq njësinë për sigurinë dhe mbrojtjen civile në Universitetin Leicester në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se rreziqet për mjedisin janë minimale nëse Izraeli godet objekte nëntokësore, sepse në atë rast “materiali bërthamor do të varroset nën mijëra tonë betoni, dheu dhe shkëmbi”.

Çka ndodh me reaktorët bërthamorë?

Rreziku më i madh do të vinte nga një sulm ndaj reaktorit bërthamor të Iranit në Bushehr.

Richard Wakeford, profesor nderi i epidemiologjisë në Universitetin e Mançesterit, thotë se sulmet ndaj objekteve ku pasurohet uraniumi, shkaktojnë kryesisht probleme kimike në zonat përreth, por nëse dëmtohen rëndë reaktorët e mëdhenj bërthamorë, situata është shumë më serioze.

Në atë rast, sipas tij, do të liroheshin elemente radioaktive – ose përmes një shtrese materiali të avullueshëm në ajër, ose drejtpërdrejt në det.

James Acton, bashkudhëheqës i Programit për Politikën Bërthamore në Institutin Carnegie, thotë se sulmi në Bushehr “mund të shkaktojë një katastrofë absolute radiologjike”, ndërsa sulmet ndaj objekteve të pasurimit të uraniumit, “është e pamundur të shkaktojnë pasoja të mëdha jashtë vendit”.

Ai shpjegon se uraniumi, para se të futet në reaktor bërthamor, ka një nivel shumë të ulët rrezatimi.

“Forma kimike e heksafluoridit të uraniumit është toksike… por, në fakt, nuk ka tendencë të udhëtojë në distanca të mëdha dhe është pak radioaktive. Deri më tani, pasojat radiologjike të sulmeve të Izraelit kanë qenë praktikisht zero”, thotë Acton, duke shprehur edhe kundërshtimin e tij ndaj fushatës së Izraelit.

Bennett thotë se do të ishte “marrëzi” për izraelitët që të sulmonin Bushehrin, sepse mund të shpojnë reaktorin dhe, në këtë mënyrë, materiali radioaktiv të lirohet në atmosferë.

Pse shtetet e Gjirit janë më të shqetësuara?

Për shtetet e Gjirit, çdo sulm ndaj Bushehrit mund të shkaktojë ndotje të ujërave të Gjirit dhe, në këtë mënyrë, të kërcënojë furnizimin e tyre me ujë të pijshëm të pastër.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, uji i kripëzuar nga deti përbën më shumë se 80% të ujit të pijshëm, ndërsa Bahrejni u bë plotësisht i varur nga ky ujë i kripëzuar në vitin 2016.

Katari është, po ashtu, 100% i varur nga uji i kripëzuar.

Në Arabinë Saudite – një vend shumë më i madh, me rezervat më të mëdha të ujit nëntokësor – rreth 50% e furnizimit me ujë vjen nga uji i kripëzuar, sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Statistikave për vitin 2023.

Disa vende të Gjirit, si Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë dalje në më shumë se një det për furnizim me ujë, ndërsa vende të tjera, si Katari, Bahrejni dhe Kuvajti, janë të përqendruara vetëm në bregun e Gjirit – pa qasje në ndonjë vijë tjetër bregdetare.

“Nëse një fatkeqësi natyrore, rrjedhje nafte apo edhe një sulm i qëllimshëm do të dëmtonte një uzinë për përpunimin e ujit të detit, qindra mijëra njerëz do të humbnin qasjen në ujë të pijshëm – thuajse menjëherë”, thotë Nidal Hilal, profesor i inxhinierisë dhe drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Ujin në Universitetin e Nju Jorkut, Abu Dabi.

“Uzinat bregdetare për përpunimin e ujit të detit janë veçanërisht të ndjeshme ndaj rreziqeve rajonale, si rrjedhjet e naftës dhe mundësia e kontaminimit bërthamor”, thotë Hilal.

Përgatiti: Valona Tela

Konflikti me Izraelin- Irani pranon bisedime me vendet e BE, negociatat do të ndiqen nga administrata Trump

Teksa kanë kaluar 7 ditë nga nisja e sulmeve të drejtpërdrejta me raketa mes Izraelit dhe Iranit, raportohet se ditën e nesërme do të ketë një tentativë për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

Sipas CNN, një raund bisedimesh mes Iranit, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Bashkimit Evropian është planifikuar për t’u mbajtur në Zvicër.

Këto bisedime po ashtu do të zhvillohen në konsultim me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, sipas një diplomati nga një vend i Evropës Perëndimore, raporton CNN.

Sipas këtij të fundit, bisedimet do të mbahen me qëllim për të shqyrtuar situatën rreth një zgjidhjeje të mundshme në tryezë të konfliktit në Lindjen e Mesme.bw

Netanyahu zotohet për hakmarrje pasi Irani sulmon një spital në Izrael

Një shtëllungë tymi duke dalë nga Qendra Shëndetësore Soroka në Izrael. 19 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane të enjten, teksa zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha” në këtë spital.

Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona.Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.

Një tjetër raketë goditi një ndërtesë të lartë dhe disa ndërtesa banimi në Tel Aviv. Të paktën 40 persona u plagosën nga këto sulme, tha Shërbimi i Shpëtimit i Izraelit.

Irani ka lëshuar rreth 400 raketa balistike dhe qindra dronë në drejtim të Izraelit, teksa afro 35 predha kanë depërtuar mburojën mbrojtëse të Izraelit, kanë thënë zyrtarët izraelitë. (Përgatiti: Trim Haliti)

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e dënoi sulmi ndaj spitalit dhe u zotua se do të kundërpërgjigjet.

“Tiranët në Teheran do të paguajnë çmim të lartë”, tha ai.

Më vonë gjatë së enjtes, Irani tha se caku kryesor i sulmeve me raketa, ku u godit spitali, ishte një bazë ushtarake izraelite dhe një e inteligjencës, e jo objekti shëndetësor.

“Caku kryesor ishte Komanda e Ushtrisë izraelite dhe baza e inteligjencës [C4I e ushtrisë izraelite], kampi i inteligjencës ushtarake, që gjenden në afërsi të spitalit Soroka”, tha agjencia shtetërore e lajmeve Irna.

Sipas kësaj agjencie, sulmet direkte ishin ndaj ndërtesave ushtarake dhe se spitali u godit “nga vala shpërthyese”.

Edhe Garda Revolucionare Islamike tha se ishin goditur qendra komanduese të ushtrisë dhe inteligjencës së Izraelit, që gjendeshin pranë spitalit.

Spitali i goditur ka mbi 1.000 shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas uebfaqes së spitalit.

Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi reaktorin e ujit të rëndë [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë].

Ushtria izraelite tha se sulmin ndaj ndërtesës Arak është kryer me avionë luftarakë.

“Sulmi shënjestroi komponentët e nevojshëm për prodhimin e plutoniumit, në mënyrë që të parandalohej që reaktori të përdorej për zhvillim të armëve bërthamore”, tha ushtria.

Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i afërt Hondab, tha se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.

Mëngjesin e së enjtes, Izraeli paralajmëroi se do të godiste këtë ndërtesë dhe u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona. Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve ajrore të së enjtes ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Dita e shtatë e sulmeve mes Izraelit dhe Iranit vjen një ditë pasi udhëheqësi suprem i Iranit refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte “dëme të riparueshme për ta”. Izraeli po ashtu ka hequr disa kufizime për njerëzit, duke sugjeruar se kërcënimi nga raketat e Iranit është ulur.

Përmes fushatës ajrore, Izraeli deri më tani ka goditur ndërtesat për pasurimin e uraniumit të Iranit në Natanz, objektet për prodhimin e centrifugave përreth Teheranit dhe centralin bërthamor në Isfahan. Po ashtu ka vrarë gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë.

Irani ka thënë se deri më tani, si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë 224 persona, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 të vrarë.

Ndryshe, reaktori Arak – që ishte cak i sulmeve izraelite – gjendet 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit.

Uji i rëndë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por gjithashtu prodhon si nënprodukt plutoniumin, i cili potencialisht mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore. Kjo do t’i ofronte Iranit edhe një rrugë tjetër drejt një bombe bërthamore, përveç përmes pasurimit të uraniumit, nëse vendi dëshiron të prodhojë armë të tilla.

Më 13 qershor, Izraeli nisi fushatë ajrore duke goditur qendra ushtarake dhe bërthamore brenda Iranit, duke thënë se synon t’ia pamundësojë armikut të tij posedimin e armëve bërthamore.

Irani, që është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit, vazhdimisht ka mohuar se synon të ketë armë bërthamore, duke argumentuar se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Izraeli raporton për “dëme të mëdha” në një spital pas sulmeve iraniane

Një shtëllungë tymi duke dalë nga Qendra Shëndetësore Soroka në Izrael. 19 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane të enjten, teksa zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha” në këtë spital.

Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona dhe ka persona të plagosur nga ky sulm. Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.

Spitali i goditur ka mbi 1.000 shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas uebfaqes së spitalit.

Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi reaktorin e ujit të rëndë [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë], raportoi televizioni shtetëror iranian më 19 qershor.

Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i afërt Khondab, tha se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.

Mëngjesin e së enjtes, Izraeli paralajmëroi se do të godiste këtë ndërtesë dhe u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona. Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve ajrore të së enjtes ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Dita e shtatë e sulmeve mes Izraelit dhe Iranit vjen një ditë pasi udhëheqësi suprem i Iranit refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte “dëme të riparueshme për ta”. Izraeli po ashtu ka hequr disa kufizime për njerëzit, duke sugjeruar se kërcënimi nga raketat e Iranit është ulur.

Përmes fushatës ajrore, Izraeli deri më tani ka goditur ndërtesat për pasurimin e uraniumit të Iranit në Natanz, objektet për prodhimin e centrifugave përreth Teheranit dhe centralin bërthamor në Isfahan. Po ashtu ka vrarë gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë.

Irani ka thënë se deri më tani, si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë 224 persona, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 të vrarë.

Ndryshe, reaktori Arak – që ishte cak i sulmeve izraelite – gjendet 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit.

Uji i rëndë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por gjithashtu prodhon si nënprodukt plutoniumin, i cili potencialisht mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore. Kjo do t’i ofronte Iranit edhe një rrugë tjetër drejt një bombe bërthamore, përveç përmes pasurimit të uraniumit, nëse vendi dëshiron të prodhojë armë të tilla.

Më 13 qershor, Izraeli nisi fushatë ajrore duke goditur qendra ushtarake dhe bërthamore brenda Iranit, duke thënë se synon t’ia pamundësojë armikut të tij posedimin e armëve bërthamore.

Irani, që është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit, vazhdimisht ka mohuar se synon të ketë armë bërthamore, duke argumentuar se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Konflikti – Aeroplanmbajtësja e tretë amerikane pranë Izraelit

Grupi i Sulmit i Anijes Aeroplanmbajtëse USS Ford pritet të vendoset në Evropë javën e ardhshme, pranë Lindjes së Mesme, duke e vendosur një aeroplanmbajtëse të tretë në afërsi të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, thanë një zyrtar amerikan dhe dy persona të tjerë të njohur me çështjen.

Vendosja e planifikuar e anijes Ford në teatrin e Komandës Evropiane ka qenë e planifikuar që nga fundi i vitit të kaluar. Por ka të ngjarë që ajo të zhvendoset në Detin Mesdhe lindor, pranë Izraelit, duke pasur parasysh konfliktin e vazhdueshëm me Iranin.

Në të njëjtën kohë, një tjetër aeroplanmbajtëse është në rrugë drejt Lindjes së Mesme, ku ose do t’i bashkohet ose do ta zëvendësojë USS Carl Vinson, raportoi CNN.

Ushtria amerikane përdor transportues aeroplanësh për të projektuar fuqi kudo në botë dhe ato janë ndër të parat që vendosen në kohë krizash.

Ato mund të mbajnë dhjetëra avionë luftarakë të aftë për të kryer sulme dhe mund të kapin raketa dhe dronë, dhe shoqërohen nga anije luftarake që mund të mbrohen kundër kërcënimeve ajrore, sipërfaqësore dhe nëndetëse.sn

Mund të ndërtohen 10 koka bërthamore- OKB: Nuk dihet vendndodhja e 409 kg uranium i pasuruar që zotëron Irani

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi se aktualisht nuk mund të verifikojë vendndodhjen e 409 kilogramëve të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë që ka Irani, një sasi e mjaftueshme për të ndërtuar dhjetë koka bërthamore.

Kjo rezervë teorikisht duhet të jetë e mbyllur në një strukturë nëntokësore në Isfahan, por Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se vendndodhja e tij tani është e paqartë, pasi Teherani kishte paralajmëruar se mund ta zhvendoste atë në rast të një sulmi izraelit, raporton Bloomberg.

Ndërkohë, sulmet ushtarake izraelite goditën dy objekte në Iran që prodhonin pjesë për makineritë që pasurojnë uraniumin, tha të mërkurën organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, duke i identifikuar ato si laboratorin TESA Karaj dhe Qendrën Kërkimore të Teheranit.

“Në objektin e Teheranit, u godit një ndërtesë ku prodhoheshin dhe testoheshin makina të përparuara centrifuge. Në objektin e dytë, u shkatërruan dy ndërtesa ku prodhoheshin komponentë centrifuge”, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në X. bw

 

Përshkallëzohet konflikti Izrael-Iran/ Papa Leo XIV citon Papa Françeskun: Lufta është gjithmonë një disfatë

Papa Leo XIV ka përcjellës sërish mesazhe paqeje teksa lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e gjashtë. Ati i Shenjtë ka cituar Papa Françeskun duke theksuar se “lufta është gjithmonë një disfatë”, ndërsa inkurajon palët e përfshira në konflikt që të ulin armët.

“Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare, u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: “Lufta është gjithmonë një disfatë”. Dhe Piun XII: “Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën”.

Ati i Shenjtë, Papa Leo XIV e përcolli këtë mesazh në fund të audiencës së përgjithshme në Vatikan.

Papa Leo XIV kërkoi gjithashtu ndalimin e konfliktit në Gaza dhe në Ukrainë.

“Zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që vijnë nga vendet e luftës, në veçanti nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza. Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara”.bw

 

Nga frika e sulmeve izraelite, iranianët kërkojnë strehim në Armeni

Robert Zargarian

Me sulmet ajrore izraelite që nuk po shfaqin asnjë shenjë ngadalësimi edhe pas gjashtë ditësh, mijëra njerëz po ikin nga Teherani, duke shkaktuar kolona të gjata në trafik dhe mungesë të karburanteve, teksa ata po drejtohen nga veriu në kërkim të strehimit në pjesë të vendit që shpresojnë se janë të sigurta. Për shumë prej tyre, zhvendosja brenda Iranit nuk është e mjaftueshme.

Pikat kufitare në veri – Irani ndan kufij në këtë rajon me Turqinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë – po vërshohen nga ata që po kërkojnë të largohen nga Irani nga frika se asnjë vend brenda Republikës Islamike më nuk është i sigurt.

Në Agarak, në pjesën armene të kufirit me Iranit, banorët lokalë thanë se ky pikëkalim tashmë është vërshuar me njerëz.

“Asnjë qytet nuk është i sigurt”, tha Amir Nikki për Shërbimin Armen të Radios Evropa e Lirë, “sepse ka [instalime] të ushtrisë dhe Gardës Revolucionare si dhe armë kudo”.

 

Nikki jeton në Mbretërinë e Bashkuar, por familja e tij jeton në Isfahan, në pjesën qendrore të Iranit, që gjendet afër ndërtesave bërthamore të cilat Izraeli po i sulmon në përpjekje për të neutralizuar programin bërthamor të Iranit.

Izraeli dhe shumë aleatë të tij perëndimorë e akuzojnë Iranin se po synon të prodhojë armë bërthamore. Teherani vazhdimisht ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.

Sidoqoftë, familja e Nikkit është në mes të zjarrit.

“Ata janë shumë të shqetësuar. Ata gjenden në një situatë shumë stresuese. Nuk mund të marrin frymë, nuk mund të hanë, nuk mund të pinë. Janë të tronditur. Nuk mund të flenë”, tha ai pasi kaloi kufirin dhe hyri në Armeni, mbi 1.100 kilometra nga Isfahani.

Që kur Izraeli nisi sulme ajrore drejt caqeve në mbarë Iranin më 13 qershor, të dyja palët kanë këmbyer valë sulmesh që kanë goditur ndërtesat ushtarake dhe joushtarake në të dy shtetet, duke shkaktuar viktima.

Por, situata në Iran është dukshëm më e rëndë, duke pasur parasysh përparësinë ushtarake që ka Izraeli.

Dhuna e ka shtyrë mbarë Lindjen e Mesme – që veçse ka qenë e paqëndrueshme për shkak të luftës 20-mujore të Izraelit në Gazë – në prag të një lufte në shkallë të plotë.

Shumica e iranianëve që po ikin për në Armeni – gra dhe burra – shmangin prononcimet për media për shkak të frikës nga ndëshkimi nga regjimi islamik.

Shumica e atyre që po ikin nga Irani duket se janë gra dhe të moshuar.

Në pikëkalimin në Agarak, shoferët armenë të taksive tonë se po përballen me turma të mëdha njerëzish dhe po punojnë me ndërrime gjatë gjithë ditës, duke iu ofruar shërbime transportuese personave që po hyjnë në Armeni dhe që kanë nevojë të shkojnë në drejtime të ndryshme.

Ata thonë se jo vetëm iranianët janë ata që po e kalojnë kufirit. Edhe shumë qytetarë të shteteve të tjera po ikin nga lufta.

Numri i kalimeve kufitare “me gjasë do të rritet”

Korrespondentët e Shërbimit Armen të REL-it që raportojnë nga terreni, thanë se kanë parë grupe të qytetarëve aziatikë që po shkojnë në Armeni nga Irani.

Një person parashikoi se nëse konflikti mes Izraelit dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet, numri i personave që do të hyjnë në Armeni “me gjasë do të rritet”.

Irani ka ndërmarrë një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit, në orët e hershme të së hënës së 16 qershorit, teksa të dyja vendet po vazhdojnë të bombardojnë njëri-tjetrin.

Ismaili, i cili kërkoi që të mos i publikohej mbiemri, është një iranian që jeton në Gjermani.

Ai tha se është detyruar të udhëtojë drejt Agarakut, për shkak se fluturimet nga Irani janë anuluar për arsye sigurie.

Ai ka shpresë që luftimet nuk do të shndërrohen në një luftë të plotë, duke shtuar se ka frikë se si do të mund t’i prekte kjo familjarët e tij që janë ende brenda Iranit.

“Nuk mendoj që lufta po vjen. Amerika dhe Evropa do të bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund armiqësive”, tha ai.

Deri atëherë, Ismaili tha se ajo çfarë mund të bëjë tani është të largohet nga vendi dhe të mbajë kontakte me familjarët e tij dhe të shpresojë që ata do të jenë të sigurt.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Irani publikon videon ku shfaqet një dorë duke përkëdhelur ‘bombën bërthamore’

 

Televizioni shtetëror iranian postoi një video në rrjetet sociale ku tregohet një dorë duke përkëdhelur një bombë bërthamore së bashku me fjalën “ndoshta”, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump e njofton udhëheqjen e Teheranit.

Videoja u postua në X nga Agjencia Arabe e Lajmeve Iran, transmeton Telegrafi.

 

 

Izraeli ka sulmuar centralet ushtarake dhe bërthamore iraniane për ditë të tëra.

Ai gjithashtu ka shkatërruar udhëheqjen ushtarake dhe të inteligjencës së Iranit dhe ka vrarë një numër të shkencëtarëve të tij më të mirë bërthamorë.

Izraeli thotë se ka vepruar për të ndaluar Iranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore.

E Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, por mohon se kërkon të ndërtojë një armë bërthamore dhe thotë se kërkimet e tij bërthamore janë për qëllime civile të energjisë.

Trump i ka kërkuar Iranit të bëjë një marrëveshje për çështjen bërthamore, dhe tha se nuk do ta lejojë atë të zhvillojë një armë.

Ndërsa Izraeli sulmon Iranin, Trump ka forcuar qëndrimin ushtarak të SHBA-së në Lindjen e Mesme, duke i dhënë atij mundësinë për t’u bashkuar me ta.

“Dorëzim pa kusht”, shkroi Trump në Truth Social të martën, në një mesazh drejtuar udhëheqjes iraniane.sn

Ministri i Jashtëm izraelit letër OKB-së: Irani ka një plan për të na eliminuar! Nuk do ta pranojmë rrezikun për shfarosje

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke pretenduar se Irani ka një “plan strategjik” për të eliminuar vendin e tij, duke thënë se Izraeli është i vendosur të mbrohet.

“Irani ka një plan strategjik për të eliminuar Izraelin. Izraeli nuk mund dhe nuk do ta pranojë kërcënimin e shfarosjes!” shkroi Sa’ar në X kur ndau një kopje të letrës.

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit, shkroi ai në letrën e tij, “u nis pas një zhvillimi kritik në programin e armëve bërthamore të Iranit dhe synonte gjithashtu pengimin e kërcënimit të menjëhershëm të sulmeve të tjera me raketa dhe ndërmjetësime iraniane”.

Vendimi për të sulmuar u mor “si masë e fundit”, thuhej në letër. bw


Send this to a friend