Dje ishte 1 shtatori dhe në Kosovë nisi viti i ri shkollor. 400 mijë nxënës janë ulur në bankat e dijes. Jemi kombi me moshën më të re në Europën e plakur, jemi të mrekulluar nga Zoti dhe të mallkuar nga një klasë politike mizerabël, që plagët e papunësisë dhe keqqeverisjes ua shkakton të rinjve. Le t’iu urojmë gjithë nxënësve të nxënë dituri, sepse vetëm dritë e diturisë, sikur na këshillonte Rilindasi ynë Naim Frashëri, Rilindasi i vërtetë dhe jo prej letre, përpara do t‘i shpjerë.
Me këtë rast, dje VOAL ribotoi Letrën që Presidenti Abraham Linkoln i kishte shkruar mësuesit të të birit, kur ky do të niste klasën e parë. Është një kryevepër e llojit të saj, jo thjesht një mrekulli e zhanrit epistolar, por ajo më e rëndësishmja se përmes në dukje këshillave didaktike bëhet portreti i njeriut, se si duhet të jetë, se si të formohet ky portret nga fëmija tek burri, apo gruaja, tek babai apo nëna, në fund të fundit tek qytetari i ardhshëm i këtij civilizimi. Them në dukje këshilla didaktike, por në theb një dekalog laik, larg dogmës, për themelin kuintesencial të shoqërisë njerëzore që është njeriu. Përveç kësaj, letra është shkruar me një dashuri të madhe, të prindit, sikur ka shumëzuar gjithë dashurinë e prindërve të botës, në të gjitha epokat dhe stadet, që nga fillimi i fillimit, të atyre që kanë shkuar dhe që do të vijnë, ndërkohë është e shkruar edhe me përgjegjshmërinë e burrit të shtetit, të Presidentit të 16-të të SHBA, të atij njeriu që shfuqizoi në Amerikë skllavërinë, përmes ndryshimit të Kushtetutës. Prandaj Linkolni është jo vetëm njëri nga Etërit e shtetit dhe demokracisë Amerikane, por edhe emancipimit e qytetërimit Perëndimor.
Letra e Presidentit Amerikan drejtuar Mësuesit të të birit duhet të futet në tekstet shkollore, që në klasën e parë, në fillim e përshtatur për t’u asimiluar sa më mirë nga fëmijët e të shkojë deri në klasën e nëntë, sepse prej kësaj Letre çdo fëmijë merr mësimin e jetës, se si duhet të jetë, në raport me shoqërinë, ndershmërinë dhe integritetin. Prej kësaj letre fëmija mëson se cila është rruga që duhet të përshkojë, që e çon drejt suksesit, sepse suksesi më i madh është të jesh njeri i ndershëm, dhe kjo është rruga e dijeve, e punës, ku gjithçka arrihet me ndershmëri dhe me një karakter të fortë.
Shoqëritë në krizë si është kjo jona, të degraduara nga korrupsioni dhe antishteti, nga shtetarët që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre e kanë emergjente një strategji kombëtare për të shpëtuar brezin e ri, që të mos kthehet edhe ky në viktimë e mënyrës të të jetuarit shtrembër dhe pa parime, ose me parime mafioze që ka krijuar sistemi deri tash, ku ngrihet në piedestal fitimi i parasë së lehtë, pa punë, pa djersë, ku kthehet në ikonë hajduti, injoranti, krimineli, servili, hipokriti, shëmtimi, shitja e trupit në dëm të njeriut dhe vletrave njerëzore.
Në këtë kontekst ishte shumë pozitive që dje gati gjithë gazetat e Kosovës, me ndonjë përjashtim të vogël e kishin ribotuar online Letrën e Linkolnit drejtuar mësuesit të të birit. Them ribotuar sepse duke hulumtuar në internet, pashë që së pari e kanë botuar vjet.
E pashë variantin e botuar dhe ribotuar dhe konstatova se ishte i njëjti kudo, tek të gjitha gazetat. Vetëm mungonte emri i përkthyeses, që në rastin konkret isha unë. E njëjta gjë është bërë edhe me një poezi të Markesit në shtypin e Tiranës kësaj here, që dyshohet nëse është apo jo krijimi i tij, por pavarësisht kësaj, e kanë botuar variantin që kam përkthyer dhe kanë hequr emrin. Ky është stil censurues. Në rastin e Letrës së Linkolnit, më ka bërë përshtypje se si nuk ka dalë asnjë editor, kryeredaktor që të pyesë se i kujt është përkthimi, sepse besoj se e kanë ditur se Linkolni letrën nuk e ka shkruar në shqip, por anglisht. Dje bëra një përpjekje dhe i dërgova mesazh ekipit drejtues të gazetës Express, që të vendosnin emrin. Ishte e kotë. Në fakt, më tepër se kujtdo, letra e Linkolnit i duhet elitës, ose pseudoelitës shqiptare, sepse ajo i shkel ligjet, ajo abuzon, ajo shitet për interesa klienteliste etj etj. Duke lexuar Letrën e Linkolnit, do të shohë se sa e shëmtuar është.
Në kushtet ku ndodhemi, ku paratë i ka në dorë vetëm politika, oligarkia e prodhuar prej saj dhe mafia, natyrisht që ne gazetarët profesionistë marrim e japim me gazetat dhe kolegët, bashkpunojmë, edhe në mënyrë të heshtur, shkëmbejmë kolumnat, opinionet e njëri tjetrit, kronikat, sepse s’kemi kushte për të paguar, por e gjithë kjo brenda etikës profesionale. S’kemi as mecenatë që kanë interesa kombëtare. Siç bëri Konica, që e fali gjithë pasurinë për ta bërë Shqipërinë, ndërsa shqiptarët e bënë që t’i plasë zemra sepse kur u largua Zogu, pagesat e selisë dhe rezidencës të Ambasadorit të Shqipërinë në Washington D.C. që duhej t’i paguante qeveria shqiptare, ia vunë në ngarkim dhe detyrim atij. Dhe kur e lanë në baltë, dolën ca historianë të diktaturës, si Arben Puto, që e etiketoi edhe si “tradhtar”! Vaj me det për ne shqiptarët!
Por, ne duhet të na vijnë mëntë dikur, kush është profesionist, ne duhet të mbrojmë njeri-tjetrin, si kolegë, sepse askush nuk na mbron, nuk e mbron as të drejtën e autorit dhe as të drejtat e gazetarëve.
Do të thoni me të drejtë se gazetarët janë viktimat e para, sepse nëse nuk i binden si puthadorë pronarëve apo politikanëve, ata mbeten pa punë. Por kjo nuk e lejon absolutizmin e padrejtësive. Kjo situatë është e patolerushme. Asnjë arritje nuk vjen në tabaka, arritjet fitohen me punë e djersë dhe duke mos iu bindur përbindshave, sikur janë transformuar sot pronarët e gazetave, që na shohin ne gazetarëve si skllevër. Ata janë skllevër të parasë. Ne kemi ideale ! Prandaj duhen institucionet, jo shoqata gazetarësh vetëm për emër. Ku janë institucionet? Ku është Urdhëri Profesional i Gazetarëve, në të cilin përfshihen rigorozisht vetëm gazetarët profesionistë, organizëm që i merr në mbrojtje gazetarët, dhe nuk toleron që nëpër gazeta e portale të punojnë jo profesionistët apo pa aftësitë e kompetencat e duhura, siç ndodh rëndom në 90 % në gazetat dhe portalet shqiptare, ku çdokujt me formim për t’u bërë gomar, meqë e ka mirë me partinë apo me pronarin, i hypë qejfi ta shpallë veten gazetar! Jo, kjo është e pamundur! Sepse gomerët i japin të hajë shoqërisë vetëm bar.
Të më falni për këtë shprehje jo të denjë, por kaq dramatike është situata ku ndodhemi. Gjithçka është jashtë rregullave dhe ligjit.
PS
Më poshtë po ju sjell përkthimin tim të Letrës të Linkolnit në botimin që ka bërë Voal, duke vijuar me linqet e gazetave dhe portaleve që e kanë ribotuar, por pa e shënuar emrin e përkthyeses. U duhet ta shtojnë. Etika minimale dhe rregullat ua diktojnë. Jo unë.
Sot më 1 Shtator – IM BIR FILLON SHKOLLËN SOT – LETRA E ABRAHAM LINCOLN PËR MËSUESIN E DJALIT TË TIJ Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ
http://fax.al/news/1106618/letra-e-abraham-linkoln-derguar-nje-mesuesi
Ylli Press : http://www.yllpress.com/124880/letra-e-abraham-linkoln-derguar-nje-mesuesi-.html
RTK : http://www.rtklive.com/?id=6&r=41101
Lajm : http://lajmpress.com/lajme/kulture/72013-letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator.html
Telegrafi : http://www.telegrafi.com/lajme/rikujtim-letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator-2-69694.html
Gazeta Express : http://www.gazetaexpress.com/lajme/letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator-126763/
Gazeta Zëri : http://www.zeri.info/kuriozitete/49065/letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator/
GazetaBlic : http://gazetablic.com/letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator/
shqip.Republika : http://shqip.republika.mk/?p=266401
Drini.mk : http://drini.mk/letra-qe-duhet-lexuar-cdo-1-shtator-2/
Almakos : http://almakos.com/permalink/84658.html
Komentet