Në një mbledhje me dyer të mbyllura, është mësuar se një grup ish-ministrash dhe ish-funksionarësh të lartë të PD-së i kanë kërkuar kryetarit t’i mbrojë nga sulmet që vijnë në adresë të tyre. Ndofta e kanë patur fjalën për akuzat e kryetarit të PD të Lushnjes, botuar tek gazeta Sot, të cilat u mirëpritën nga opinioni publik, sepse ishte e paparë që një funksionar i partisë flet me letra të hapura, ngaqë zakonisht flasin kur humbasin pushtetin dhe privilegjet.
Rebelimi i Shqup-it në gotat e shampanjës, lidhej me faktin, se ndërsa kryetari i degës të Lushnjes dy ditë më parë kishte bombarduar me akuza ish-funksionarët e lartë, dy ditë më pas kryetari i PD-së Lulzim Basha shkonte pikërisht në Lushnje e takohet me të dhe elektoratin e bazës në këtë qytet. Dhe këtu qendron e bukura.
Një nga akuzat e kryetarit të degës të Lushnjes, ishte se ish-ministrat dhe zyrtarët e lartë të kësaj partie, të pasuruar nga pushteti, i linin gratë dhe martoheshin me dashnoret e tyre. Në fakt, nëse do t’i hidhnim një sy jetës së tyre private, gati gjysma i kanë ndarë gratë dhe janë martuar për herë të dytë. A është normale kjo për shqiptarët? Për konsitucionin e familjes shqiptare? Aq më tepër kur edhe teoritikisht, një parti e qendrës së djathtë, e ka në fokus familjen dhe vlerat e saj si qelizë e shoqërisë. Prishja e një familje, veç dramës për fëmijët shoqërohet me konsekuenca financiare, por që për parallinjtë në fjalë, paratë nuk përbëjnë asnjë problem. Ata tashmë janë kthyer në sulltanë, duke u shndërruar edhe PD-ja në një lloj sulltanati.
Prandaj akuzat e kryetarit të PD-së të Lushnjes u mirëpritën nga opinionin e sidomos nga simpatizantët e PD-së, elektorati tradicional i këtij formacioni politik, që nuk votoi për PD-në qershorin e 2013 dhe as në qershorin e 2015. Ky elektorat është gjithë sy e veshë duke pyetur nëse po reformohet dikur PD apo vijon deklinin. Që të vijojë deklinin, do të thotë të mos ketë më të ardhme.
Deri sot nuk kemi parë asnjë analizë të humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës nga PD-ja, të shkaqeve dhe shkaktarëve të saj, që janë bejlerët dhe feudalët e rinj, të cilit në vend të penalizimit, u ricikluan në listat e deputetëve të PD-së, duke e kthyer trofeun e humbjes në trofe të fitores.
E pra Lulzim Basha, e njeh këtë realitet, se është pjesë e tij, por duhet ta ndryshojë. Teoritë që thonë se atë e ka helikopteruar në politikë Berisha, nuk pinë ujë, sepse të gjithë ata që janë aty, karrierën dhe çfarë rrodhi prej saj, ia dedikojnë Berishës, sepse, pa vizën e Berishës, ata do të ishin njerëz të zakonshëm. Pra kjo nuk përbën fare arsye për Lulzim Bashën që të ndalet.
Rrezik janë klanet, grupacionet e PD-së, tentakulat e së cilës mbulojnë e mbrojnë njeri-tjetrin. Po këtë gjë Lulzim Basha duhet ta marrë parasysh, dhe të luftojë deri në fund, me mjete të ndershme, sepse PD-në e ka sjellë në pushtet elektorati dhe baza, ndërsa klanet janë si profiterë të rëndomtë dhe jo si përfaqësues të popullit.
Elektorati i PD-së tek kjo forcë politike, e themeluar 25 vjet më parë, si forca që rrëzoi një sistem kriminal, ka parë shpresën për shtet demokratik dhe drejtësi, ndërsa tani përballë vetes ka një grup njerëzish të pasuruar prej pushtetit politik që e keqpërdorën, çka është totalisht jashtë logjikës së një demokracie perëndimore.
Ne sot e kemi të freskët se kryetari i Bashkisë të Romës dha dorëheqjen për një darkë me kosto 20 mijë Euro, ndërsa për 25 vjet tranzicion, asnjë funksionar i lartë i PD-së nuk është përballur me drejtësinë, kur Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar në Europë dhe ku PD-ja e ka qeverisur këtë vend për 13 vite, pra është palë e korrupsionit.
Në këto kushte, drita dhe shkëlqimi i lluksit të tyre vë edhe më në pah dobësitë e një partie në reanimacion, në gjendje kome, që ose do të vijë në jetë me një kurë reformash të fuqishme, duke u kthyer në një parti e vlerave, ose do të vijojë tatëpjetën pa të ardhme.
Një gjë duhet ta ketë të qartë Lulzim Basha, se dështimet e Edi Ramës, nuk kthehen në triumfe për PD-në! Pra, PD nuk do të vijë në pushtet kështu si është në format sulltanati, as duke përfituar prej gabimeve apo gafave të kundërshtarit, por duke u pastruar nga ata që e kanë kthyer partinë në pronë të tyre, duke e eleminuar konkurencën e më të mirit dhe duke e transformuar tregun e lirë, në treg të pasurimit të klaneve dhe tarafeve të tyre.
Basha ndodhet përballë këtyre ujqëve të vjetër, që kanë çerek shekulli që kanë mbijetuar prova pas provash, si kampionë të intrigave, dhe megjithë humbjet e PD-së, ata janë të plotfuqishëm, nëse PD do të vijojë t’i ngjajë kënetës.
Në këto rrethana, Lulzim Bashës i duhet të luajë pastër, që elektorati të rifillojë e të besojë tek kjo forcë. Por ka shanse, sepse elektorati shqiptar është i etur ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë të vërtetë.
Dhe mos harrojë, thelbin e thelbësores, se në një vend demokratik, që të funksionojë shteti i së drejtës, është kusht sine qua non, që shtetarët dhe politikanët të jenë me integritet të pastër.
Komentet