“Kur Kosova do të arrijë sukses, atëherë i gjithë rajoni do të përfitojë. Kosova është shtet i ri, por jo edhe aq i ri saqë të mos dihen nevojat e qytetarëve, atë që ato meritojnë”
PRISHTINË – Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe bashkëshortja e tij, Dr. Jill Biden, në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë, morën pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beue” Biden III, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar nga kanceri i trurit në moshën 46 vjeçare.
Joe Biden gjatë fjalimit foli edhe për ardhjen e tij në Kosovë në vitin 2001, kur bashkërisht me djalin e tij kanë vizituar bazën ushtarake në Bondsteel, ndërsa më pas njoftoi se edhe në të ardhmen do të mbetet i angazhuar në vendosjen e sistemit të drejtësisë së pasluftës në Kosovë.
Ai theksoi edhe fjalët e djalit të tij Beau Biden, i cili ka thënë se sundimi i ligjit është parim i barazisë së të gjithë njerëzve dhe se askush nuk mund të jetë mbi dhe as nën ligjin, dhe se ky reputacion vlen jo vetëm për njerëzit, por edhe për bizneset, institucionet dhe gjyqësorin.
“Kur Kosova do të arrij sukses, atëherë i gjithë rajoni do të përfitojë. Kosova është shtet i ri, por jo edhe aq i ri saqë të mos dihen nevojat e qytetarëve, atë që ato meritojnë. Vlerat themelore janë sipas meritave, e jo sipas privilegjit”, deklaroi Biden, i cili shprehu bindje se Kosova do të jetë e lirë dhe shtet i qëndrueshëm demokratik.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se si Kosovë duhet të ofrojnë zgjidhje, duhet të ofrojnë miqësi ndaj fqinjëve dhe duhet t’i mbyllin kapitujt e së kaluarës. Ai duke iu drejtuar familjes Biden deklaroi se, “Ju informoj se këtu në këtë vend me emrin e djalit tuaj të ndjerë Beau Biden, se Kosova është një histori e suksesit dhe fenomenale e mrekullisë së SHBA-ve. Do të jemi gjithmonë mirënjohës, do të tregojmë raporte speciale me SHBA-të, por mbi të gjitha ju informoj se në këtë vend fal punës suaj dhe familjes suaj jemi duke krijuar një vend të barabartë dhe një vend të mundësive. Jam i sigurt se bashkërisht do t’ia dalim.”
Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa, duke theksuar se ndjehet i nderuar për fjalën në ceremoninë për emërimin e rrugës “Joseph R. Beau Biden III”, shtoi se emri i tij do të thotë miqësi mes dy popujve të cilët ndajnë të njëjtat vlera. Mustafa u shpreh se Kosovën e kanë shpëtuar SHBA-të dhe vazhdojnë ta mbështesin, edhe pse ky vend ka ende shumë punë përpara për të arritur që të jetë një mik i denjë i SHBA-ve.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se “Beau” Biden në Kosovë la solidaritet. Ai theksoi se solidariteti i tij me gjendjen e pasluftës në Kosovë, përkushtimi për të përgatitur vendosjen e sundimit të ligjit, respektimi i të drejtave të pakicave dhe të viktimave të luftës, ishin vlerat e para që Kosova i gjeti tek ai.
Në ceremoninë e organizuar nga Qeveria e Kosovës në afërsi të kampit ushtarak të KFOR-it në Bondsteel, përveç familjes Biden morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë në vend, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues të EULEX-it, deputetë, diplomatë dhe të ftuar të shumtë.
Pas mbajtjes së fjalimeve, familja Biden vizitoi monumentin e ngritur për nder të Joseph R. “Beau” Biden III, si simbol i miqësisë së vazhdueshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Qeveria e Kosovës më 8 qershor kishte marrë vendimin që rruga nacionale Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”, djali i nënpresidentit Joe Biden, i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar nga kanceri i trurit në moshën 46 vjeçare. aa
Komentet