Vladimir Putin thotë se Rusia do të përmbushë ‘të gjitha synimet e vendosura’ në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka publikuar një video-mesazh me rastin e përvjetorit të dytë të asaj që Rusia e quan “Dita e Ribashkimit” – dy vjet që nga koha kur Moska pretendoi zyrtarisht rajonet e Donetsk, Luhansk , Zaporizhzhia dhe Kherson si të vetin.
Pasi mbajti referendume – të cilësuara gjerësisht si falsifikime – në të katër rajonet më 30 shtator 2022, Putin nënshkroi një dokument me udhëheqësit e instaluar nga Rusia të rajoneve të pushtuara për t’i inkorporuar ato në mënyrë të njëanshme në Federatën Ruse, pavarësisht se Rusia nuk i kontrollon plotësisht territoret.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Kievi ka rritur përpjekjet e tij për anëtarësimin në NATO dhe BE, hapa që i konsideron si jetike për vetëmbrojtjen dhe pavarësinë e saj nga Rusia, por kundërshtohen nga Moska.
Putin tha se kur filloi luftën qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” Ukrainën – një deklaratë e hedhur poshtë nga Kievi dhe perëndimi si një pretekst për një konflikt ekspansioni të stilit perandorak.
“E vërteta është në anën tonë. Të gjitha objektivat e vendosura do të arrihen”, tha Putin në video-mesazhin e tij të hënën.
Ai vazhdoi të kritikonte “elitat perëndimore” të cilat ai pretendon se “e kthyen Ukrainën në koloninë e tyre, një bazë ushtarake që synonte Rusinë” dhe që nxiste “urrejtje, nacionalizëm radikal … armiqësi ndaj gjithçkaje ruse”.
“Sot ne po luftojmë për një të ardhme të sigurt dhe të begatë për fëmijët dhe nipërit tanë”, tha Putin.bw