VOAL

VOAL

Besnik Aliaj Bashës: Boll 27 vjet me të njëjtat fytyra, të vjetrit të ikin…!

May 26, 2017
blank

Komentet

blank

Plani franko-gjerman/ Albin Kurti: Në shtator s’kisha dokument, e lexova në iPad-in e Lajçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se beson që propozimi europian është bazë e mirë për marrëveshjen me Serbinë dhe se është i gatshëm të bisedojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Ai ka treguar se edhe se kur e ka parë planin franko-gjerman dhe përshtypjen e tij të parë për të.

“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, ka thënë Kurti për RTK 2.

I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.

Ai ka shtuar që ata që e kërkojnë ta argumentojnë arsyen. syri.net

blank

Kurti për REL: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 27 janar, 2022.

Doruntina Baliu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai, megjithatë, shprehu bindjen se Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive në këtë proces.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?

Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.

Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada.

“Vërejtja për planin evropian ka të bëjë me njohjen universale”

Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet se ky plan është një draft-marrëveshje, një kornizë e marrëveshjes, apo përmban parime, mbi të cilat mund të bëhet një marrëveshje e përgjithshme?

Albin Kurti: I ka pesë fjali në preambulë dhe i ka dhjetë nene gjithsejt. Unë i kam dërguar edhe komentet e mia, meqenëse asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë. Andaj, edhe kemi thënë që, në parim, e konsiderojmë bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, për të cilat angazhohemi sa herë që të na ftojnë në Bruksel.

Natyrisht, shumëçka duhet të sqarohet aty, meqenëse një marrëveshje është e qëndrueshme kur hiqen dykuptimësitë. Dhe, vetëm kur është e qëndrueshme asisoj, bëhet edhe e zbatueshme përnjëmend.

Tash, në takimin e fundit që kishim më 20 janar, unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Pra, vërejtja ime – ka edhe të tjera – por ajo kryesorja që e kam përmendur në takimin e fundit, sigurisht që ka të bëjë me njohjen universale që na nevojitet brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi.

“Pranimi i planit nga Serbia, trysni mbi Kosovën”

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim edhe për vërejtjet e tjera që po i përmendni? Ju po thoni se është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, por për cilat pika jeni skeptik?

Albin Kurti: Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta.

Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi.

Ndërkaq, vërejtjet që i kam bërë unë, janë vërejtje që pikërisht na e afrojnë edhe më shumë marrëveshjen drejt normalizimit. Ju e dini që presidenti [amerikan, Joe] Biden, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz e thonë se kemi nevojë për marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ka kundërshtuar pala tjetër?

Albin Kurti: Unë, sërish, nuk mund t’i them këto në emër të palës tjetër, por e di që ata i kanë dërguar komentet dhe vërejtjet e tyre dhe nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht propozimin. Ndërkohë, mos të harrojmë që me datën 27 tetor në fakt, zyrtarisht, me votim në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, në Beograd është hedhur poshtë propozimi në mënyrë unanime.

Pra, të gjithë që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, ku ka qenë edhe presidenti i Serbisë, edhe kryeministrja, edhe ministri i Jashtëm, edhe shumë institucione shtetërore, në mënyrë unanime, pra njëzëri, e kanë hedhur poshtë propozimin e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, tash kanë qenë më pozitivë – më 20 janar – mirëpo nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht, meqenëse i kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat janë – për bindjen time të fuqishme – vërejtje abnormalizuese.

Kurti kundër diplomacisë fluturuese

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur ndryshime substanciale të propozimit nga ajo kohë deri tani?

Albin Kurti: Besoj që themeli është ai i 9 shtatorit i vitit të kaluar i cili erdhi pas tri javësh që ne ishim takuar në Bruksel, në takimin e 18 gushtit që ka qenë tejet i rëndësishëm, për shkak se agjenda ishte e qartë, me një rend logjik: pika e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë – çështjet aktuale. Pra, në funksion të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes edhe emisarët [Mirosllav] Lajçak, [Jens Ploetner] dhe [Emmanuel] Bonne e patën sjellë më 9 shtator.

Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne. Por është gabim që takimi i 20 janarit ka ndodhur më 20 shtator dhe në të njëjtën kohë, nuk mendoj që është mënyrë e duhur zëvendësimi i takimeve direkte në Bruksel me ndërmjetësit me diplomacinë fluturuese Prishtinë e në Beograd.

“Nuk mund të përzgjidhet marrëveshja që preferohet nga dikush”

Radio Evropa e Lirë: Emisarët ndërkombëtarë, pas takimit të javës së kaluar, kanë thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim nga ana juaj. Për çfarë e kanë pasur fjalën, në cilat pjesë nuk keni treguar mirëkuptim?

Albin Kurti: Unë nuk kam thënë diçka që ata nuk e kanë pritur, duke pasur parasysh komentet që ua kam dërguar dhe deklarimet e mia, gjithmonë publike. Tash, nëse kanë pritur diçka më shumë, do të duhej të tregojnë ata. Nga pikëpamja ime gjithçka ka qenë korrekte, në rregull dhe takimi ka qenë shumë përmbajtjesor.

Por, së pari unë nuk jam dakord që 33 marrëveshjet e Brukselit të dekadës para se unë të vij në qeverisje, të krijohet hierarki e tyre, sepse nuk është e drejtë. Ato kanë kronologji, por nuk kanë hierarki. I përkasin një rrafshi horizontal që të 33 marrëveshjet e Brukselit dhe nuk mund të bësh zgjedhje duke ndarë marrëveshjet e preferuara për dikë. Dhe, në anën tjetër, nga ato 10 nene të marrëveshjes së synuar nëpërmjet propozimit të Bashkimit Evropian, pra ato 10 nene gjithashtu nuk mund të kenë ndryshim të renditjes në kundërshti me numrat që i kanë fjalitë dhe paragrafët në fillim.

Pra, 10 nene kanë numra dhe nuk mund të përzgjedhësh një nen që të preferohet nga ndonjë palë dhe as nuk mund të përzgjidhet ndonjëra prej marrëveshjeve që të preferohet e të imponohet nga njëra palë.

Plani evropian “nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, para se të dalim te marrëveshjet e kaluara, zoti Lajçak ka thënë në intervistën e tij të fundit se me planin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humb asgjë. A e ndani këtë mendim me të?

Albin Kurti: Kosova nuk mund të humbë sepse ne jemi këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës për ta mbrojtur dhe lartësuar Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Po flasim për propozimin si të tillë…

Albin Kurti: Por nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne. Pra, nuk është se Kosova humbet, por Kosova nuk e arrin atë që besojmë se është e drejtë, jo vetëm se e dëshirueshme. Por, kur të fillojmë bisedimet dhe të hapet çështja e marrëveshjes, bazuar në propozimin evropian, atëherë ne do të mund të diskutojmë hollësitë e tilla. Por kjo nuk do të thotë që jo vetëm me palën serbe, por edhe me ndërmjetësit nuk e kemi leximin identik.

Plani evropian, “platformë” jo version “merre ose lëre”

Radio Evropa e Lirë: Deri tani, në versionet që janë publikuar të këtij plani nuk përmendet njohja e ndërsjellë. A është kjo pika, në të cilën ju keni më së shumti problem?

Albin Kurti: Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’.

As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk i është thënë kësisoj.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, sipas emisarëve, ekziston një kohë e përshtatshme që ata e konsiderojnë se duhet të ketë lëvizje përpara. Marsi është përmendur si një kohë në të cilën duhet të dihet se si do të vazhdohet tutje. A mendoni ju se do të ketë lëvizje domethënëse në atë drejtim deri në mars?

Albin Kurti: Me datën 18 nëntor të vitit të kaluar unë kam qenë në Talin të Estonisë në një vizitë zyrtare atje dhe atje më erdhi ftesa që me datën 21 të marrë pjesë në takimin e Brukselit dhe aty e kam parë për herë të parë marsin e vitit 2023, si afat të fundit kur do të duhej të arrinim marrëveshje. Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, gjithashtu, ka thënë se deri në mars do të dihet edhe se cila palë mund të jetë jobashkëpunuese në proces. Madje, ka përmendur edhe sanksione ndaj Kosovës ose Serbisë, varësisht se cili shtet do të jetë jobashkëpunues. A ju janë përmendur juve sanksione të mundshme nëse nuk do të ketë sukses në këto negociata?

Albin Kurti: Kosova është rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa u përket sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe agresionit të invazionit të tyre në Ukrainë. Serbia nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe mbase do të duhej të mendohej njëherë për sanksionet që duhet t’i ketë Serbia pse s’po i vë sanksione Rusisë.

Natyrisht që procese të caktuara do të mund të na i vonojnë, mirëpo unë besoj që garancia më e fuqishme që ka Republika e Kosovës është Raporti i fundit i Progresit nga tetori i vitit të kaluar, i cili është raporti më i mirë që kemi marrë ndonjëherë si vlerësim për shtetin tonë. Me këtë rast duhet theksuar që nuk ekziston asnjë fushë, në të cilën kemi ose regres ose stagnim. Bëhet fjalë vetëm për lloje të ndryshme të progresit, prandaj vlerësimi për Kosovën duhet të bazohet ekskluzivisht në atë çfarë ne bëjmë në vendin tonë sa u përket vlerave evropiane dhe rritjes ekonomike e jo për nga dëgjueshmëria, le të themi politike, ndaj cilitdo zyrtar.

“Serbia do një Republikë Serbe brenda Kosovës”

Radio Evropa e Lirë: Po e përsëris pyetjen. A ju është thënë që Kosova mund të ketë sanksione si humbja e mbështetjes ose zvogëlimi i mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk ka progres?

Albin Kurti: Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë.

Radio Evropa e Lirë: Faktori ndërkombëtar së fundi e ka rritur edhe presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ju keni thënë që nuk doni të ketë një Republika Sërpska brenda Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja insiston se nuk do ta lejonte një Republikë Sërpska brenda Kosovës. Pse nuk po i besoni garancisë së SHBA-së për këtë?

Albin Kurti: Natyrisht që Beogradi e dëshiron një Republikë Serbe brenda Kosovës, siç e ka në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Ju e dini që Serbia de jure e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën, por de facto nuk e njeh. Dhe ata nuk e fshehin qëllimin e tyre për ta krijuar një Republikë Serbe [brenda Kosovës]. Ne konsiderojmë që një rrezik i tillë ekziston, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë atë. Por, pa harruar edhe faktin që nëse diçka është pak më mirë se Republika Serbe, jo domosdo është mirë. Pra, edhe nëse themi që nuk do të jetë Republikë Serbe bash tamam qysh është Republika Serbe, kjo nuk është ndonjë garanci që nëse nuk qenka Republikë Serbe, atëherë na qenka shumë mirë puna.

Unë e kam theksuar disa herë që ne nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë gabime të mëdha dhe na e kanë lënë trashëgimi gjendjen me të cilën përballemi ne. Mirëpo, në anën tjetër, duhet ta ritheksojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe përderisa është Asociacion njëetnik, nuk e duron Kushtetutshmëria e Kosovës, e cila është bazuar në propozimin e ish-presidentit [Marti] Ahtisaari.

Pastaj, nuk ka mundësi që Serbia thotë që shteti i Kosovës është i rrejshëm e ma jepni Asociacionin e vërtetë, pra nuk ka kurrfarë logjike ai insistim. Dhe, gjithashtu, Serbia kur kërkon diçka për serbët në Kosovë, do të duhej ta mendojë e paramendojë shumë seriozisht që nuk mund të anashkalohet parimi i reciprocitetit.

Më shumë ka joserbë në Serbi sesa që ka joshqiptarë në Kosovë dhe vetëm katër për qind janë serbë në Kosovë. Para 15 vjetëve, Kosova u shpall multietnike dhe insistimi në Asociacionin njëetnik me të vërtetë nuk është i drejtë. Unë angazhohem për të gjithë serbët për t’ua mbrojtur të drejtat, për t’ua dëgjuar kërkesat dhe për t’ua plotësuar nevojat. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në pranverën e vitit 1999.

Radio Evropa e Lirë: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?

Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.

Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.

Asociacioni “pas hapjes së çështjes së marrëveshjes finale”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, a jeni duke thënë që derisa ju jeni në krye të Qeverisë, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe?

Albin Kurti: Nuk po e them vetëm unë këtë. Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Por a ka ndonjë lloj të Asociacionit të pranueshëm për ju? Në çfarë formati ju do të pranonit një lloj bashkimi të komunave apo të komunitetit serb në Kosovë?

Albin Kurti: Ne e kemi Asociacionin e komunave të Kosovës dhe aty janë anëtare edhe komunat me shumicë serbe. Unë jam për asociacione që janë zhvillimore, demokratike, mbi vlerat evropiane e jo mbi baza etnie, jo etnia të jetë baza e Asociacionit të komunave.

Ju e dini që edhe propozimi i ish-presidentit Ahtisaari ka dhënë të drejtë vetoje për aq shumë gjëra në Kuvendin e Republikës për përfaqësuesit e pakicës serbe pikërisht që të mos lejohet territorializimi i të drejtave. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e synon rritjen e të drejtave për serbët, por territorializimin e atyre të drejtave, siç e kanë bërë në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Pra, në Bosnjë e kanë të drejtën e vetos, por në të njëjtën kohë e kanë edhe territorializimin e pranisë së tyre. Këtë gjë po e synojnë edhe në Kosovë, ndërkohë vazhdojnë të mos i pranojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe t’i mirëmbajnë raportet e mira me Kremlinin në Rusi.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 13 dhjetor ka thënë se – po e citoj – “Asociacioni do të formohet, SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit dhe aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës”, në të kundërtën, siç ka thënë ai, “mund të zhvillojmë këtë diskutim me partnerë alternativë”. Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?

Albin Kurti: Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.

Kosova nuk e ka “nevojë urgjente” krijimin e Asociacionit

Radio Evropa e Lirë: Insistimi ndërkombëtar për formimin e Asociacionit vazhdon. Vazhdon edhe insistimi juaj për të mos u formuar një Asociacion i tillë. A mund të bëhet Asociacioni shkas për dorëheqjen tuaj?

Albin Kurti: Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë.

Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë.

Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai.

blank

Polonia do t’ia dërgojë Ukrainës 60 tanke të modernizuara

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë se Polonia do të dërgojë dhjetëra tanke në Ukrainë këtë vit.

Në një intervistë për televizionin kanadez, CTV, ai ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 60 tanke të avancuara, përveç 14 tankeve të modelit gjerman, Leopard 2.

Varshava, e cila e ka pozicionuar veten si një prej vendeve më mbështetëse ndaj Ukrainës, i ka bërë presion të konsiderueshëm Gjermanisë në javët e fundit që të mundësojë dërgimin e tankeve Leopard 2 në Kiev.

Gjermania është pajtuar për të dërguar vetë këto tanke në Ukrainë, por edhe u ka dhënë dritën e gjelbër shteteve tjera që të veprojnë njëjtë.

“Tani për tani, ne jemi të gatshëm të dërgojmë 60 tanke tona të modernizuara, 30 prej tyre PT-91. Përveç tyre janë edhe 14 tanke Leopard 2, që i kemi në dispozicion”.

PT-91 është tanke luftarake polake, e cila ka nisur të përdoret për herë të parë në vitet 1990.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zekensky, e ka falënderuar Poloninë për dërgimin e më shumë tankeve.

“Së bashku, ne do të fitojmë”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.rel

blank

Skandali me McGonigal- Burimi: Ndërkohë që Kim ‘kërkonte djajtë’ në SPAK, nën fustan mbante djallin Edi Rama

Kreu i PD Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama për skandalin me McGonigal. 

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha theksoi se për demokratët largimi i Ramës është kusht i panegociueshëm, ndërsa e cilësoi atë si armik të PD, e demon të pushtetit.

I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, gazetari dhe analisti Genc Burimi, u shpreh se ky është nja skandal i madh teksa theksoi se drejtësia amerikane funksionin me dy standarte.

Gjithashtu, Burimi u shpreh se ndërkohë që ambasadorja Yuri Kim ‘kërkonte djajtë’ në koridorrin e SPAK, mbante nën fustanin e saj një djall të quajtur Edi Rama.

“Në një demokraci kemi dy shtylla dhe sidomos në Amerikë, kemi Amerikën e drejtësisë, ajo që hetoi dhe po gjykon tani McGonigal, pra një Amerikë të drejtësisë që nuk pyet as për zot në qiell dhe as për imzot në Shtëpinë e Bardhë, kemi dhe gjithashtu një Amerikë tjetër, atë të politikës së Shtëpisë së Bardhë që kur është jashtë shteti nuk është demokratike, që ndjek një agjendë gjeo-politike, të interesit të popullit amerikan. Ishte kjo agjendë gjeo-politke që e bëri amerikën për të çliruar Afganistanin pastaj e lëshoi Afganistanin. Ishte kjo agjendë gjeololitke që kjo Amerikë njëherë pështyu mbi Arabinë Saudite që copëtoi një gazetar amerian, pastaj vajti pas luftës në Ukrainë dhe i shtrëngoi dorën.

Nuk ka asnjë skrupull, këtë gjë bëri dhe me Shqipërinë prandaj ne duhet të jemi thjeshtë të ndërgjegjshëm .

Prandaj unë sot i them amerikanëve pse nuk shpallin Ramën non grata??

Mbi ç’bazë e shpallni Berishën non grata mbi atë rezolutën e Biden për të hetuar korrupsionin jashtë, sepse ky korrupsion dëmton interesat e SHBA kur kanë sot, një ballkanas, Edi Ramën, që bën korrupsion  të hapur, që shkon e korrupton një nëpunës të lartë amerikan?

Kemi dy peshore dhe nuk shpallet sot Edi Rama grata sepse vjen Amerika e politikës, e cila po të rrëzojë Edi Ramën nuk ka me kë ta mbushë këtë vakum, do të donte ta mbushte me grupin  e Lulzim Bashës por ai grup nuk ka elektorat.

I them sot Yuri Kim, që shkonte koridoreve të SPAK-ut e thoshte ‘kiapni djajtë’ nën fustanin e vet kishte djallin me D të madhe, Edi Ramën, është turp!”, u shpreh Burimi. syri.net

blank

Kamerat e grupeve kriminale në Durrës e Shijak- Nga vëllai i Rrumit, tek Avdylajt e Plarent Dervishi, dalin emrat e të akuzuarve

Dalin emrat e personave të akuzuar për vendosjen e kamerave të paligjshme në Durrës e Shijak si ndihmë për ushtrimin e aktivitetit kriminal.

Mësohet se të gjithë të akuzuarit janë persona të skeduar nga policia dhe të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale.

Burime policore për gazetarin Igli Çelmeta thanë se për vendosjen e kamerave të paligjshme në Shijak akuzohen:

Albert Muharremi vëllai Rrumit
Xhulio Vora
Astrit Balliu (Avdyli)
Jasin Kala (Avduli)
Altin Avdyli
Sajmir Gjepali

 

Ndërsa për Durrësin akuzohen:
Plarent Dervishi dhe Dejvid Karaboja

Sot në Durrës u finalizuar faza e katërt e planit operacional mbarëkombëtar. Kjo fazë u shtri në qytetet Durrës, Shijak dhe Krujë.

 

Gjatë kësaj faze, Policia çmontoi në Durrës, Shijak dhe Krujë, 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.

 

Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 8 shtetas, nga këta, 2 shtetas në Durrës dhe 6 shtetas në Shijak, të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.

blank

Vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar dhe proceduar shtetasit që kanë vendosur kamera në Nikël dhe në Krujë, si dhe për të zbardhur qëllimin e vërtetë të vendosjes së tyre.

Kamerat e paautorizuara ishin vendosur në disa lagje të qyteteve në qarkun e Durrësit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Në lagjet nr. 6 dhe nr. 17, janë çmontuar 11 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit Dejvid Karaboja dhe Plarent Dervishi (aktualisht i shpallur në kërkim për një vepër tjetër penale.

Në Shijak u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit Albert Muharremi, vëllai Rrumit
Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avduli), Altin Avdyli, Sajmir Gjepali.

Në Krujë dhe në Nikël, ku janë çmontuar dhe sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës dhe në Nikël.

blank

Pa njohjen e Kosovës, propozimi i BE-së i papranueshëm për opozitën

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, gjatë një takimi me udhëheqës opozitarë, në Prishtinë. Janar 2023.

Bekim Bislimi

Partitë politike opozitare në Kosovë mbështesin procesin e dialogut me Serbinë, por ato thonë se nuk pajtohen me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, në rast se nga ky propozim nuk rrjedh njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Qëndrimi i partive opozitare është i ngjashëm me atë të Qeverisë së Kosovës.

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson se deklaratat e Qeverisë dhe të partive opozitare, janë taktike, dhe synojnë forcimin e pozicionit të Kosovës në negociata, por janë edhe për politikë të brendshme.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

PDK: Propozimi i BE-së nuk është i prituri dhe duhet të negociohet

Partia Demokratike e Kosovës(PDK), e ka mirëpritur propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vetëm si bazë për bisedime për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve, thotë deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.

Megjithatë, siç thekson ai, qëndrimi i PDK-së është që propozimi, i cili duhet të diskutohet për një marrëveshje përfundimtare, duhet t’i përmbajë pesë elemente të domosdoshme: ruajtjen e karakterit unitar të vendit, njohjen nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur deri më tash Kosovën, integrimin në strukturat e NATO-s apo në Partneritetin për paqe, marrjen e statusit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që propozimi nuk është marrëveshja, për të cilën Kosova ka pritur për një kohë të gjatë. Marrëveshja që nuk e ka në përbërjen e saj njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është marrëveshje që nuk sjell stabilitet në Ballkan dhe vetëm e shtyn zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Qalaj.

Sipas tij, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve duhet të negociohet.

“Meqenëse e dimë se propozimi, si i tillë, nuk është final, por është bazë e mirë për bisedime, mirëpo, qëndrimi ynë është se marrëveshja gjithsesi duhet t’i ketë të pesë elementet që i përmendëm”, thekson Qalaj.

LDK: Nuk mbështesim marrëveshje që nuk e përfshin njohjen e Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i partisë së tij është se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme dhe se duhet të arrihet sa më shpejt.

Por, siç thotë ai, një marrëveshje e tillë duhet të ketë për efektnjohjen.

Mirëpo, me aq sa dihet deri më tash, njohja e Kosovës nga Serbia nuk figuron në tekstin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e cila u është dorëzuar qeverive të dy shteteve.
Siç thotë Haziri, dialogu që nuk do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, “nuk do të ketë kurrfarë kuptimi”.

“Asnjë marrëveshje, e cila nuk e ka njohjen si përfundim, nuk do të jetë e mjaftueshme dhe nuk do të jetë e mbështetur nga LDK-ja. Ky është qëndrimi ynë i rikonfirmuar tash, në 10 ditët e fundit, përkundër që ne kemi mbështetur dialogun dhe e mbështesim Qeverinë si mandatar kushtetues”, thotë Haziri.

Ai shton se këtë qëndrim politik do ta konfirmojnë edhe në takimet që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë pritet të organizojë me partitë politike dhe shoqërinë civile, që nga 31 janari.

“Askush nuk ka pritur, asnjëherë, që në dokumente bazë të palëve të jetë e shkruar ose e pritur në mënyrë eksplicite pavarësia e Kosovës, sepse Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë nga ana e saj çdo lloj pranimi të Kosovës dhe do të mundohet ta gjejë një derë që të ikë dhe të blejë kohë sërish me mosnjohje. Por, ne duhet t’i bindim dhe duhet të argumentojmë para ndërmjetësve ndërkombëtarë, para faktorit ndërkombëtar e në veçanti zotit (përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell dhe Qeverisë amerikane, se njohja është zgjidhja e problemeve, ndërkaq me mosnjohjen e pavarësisë (së Kosovës nga Serbia), Kosova mbetet problem i hapur në mes Serbisë dhe saj”, thekson Haziri.

AAK: Propozimi e zgjidh nyjën e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por ata nuk ishin të qasshëm.

Megjithatë, në dhjetor të vitit të kaluar, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte shprehur mendimin se propozimi i BE-së, ofron një bazë të pranueshme për bisedime të mëtejshme me Serbinë dhe se me këtë propozim “marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rregullohen në bazë të kapitujve të Kartës së OKB-së për marrëdhëniet mes shteteve”.

“Unë besoj se baza është e qëndrueshme dhe kjo marrëveshje [propozim] është e qëndrueshme, dhe [në fund] e zgjidh çështjen e mbetur pezull – pra të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi. Nuk shoh se do të duhet prapë në të ardhmen të bisedohet për njohjen e ndërsjellë, për shkak se [ky propozim] e zgjidh nyjën e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, tha Haradinaj.

Maliqi: Deklarata taktike të pushtetit dhe opozitës

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson se deklaratat – qoftë të kryeministrit Kurti, por edhe të partive opozitare – lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund të kenë natyrë taktike.

Në këtë mënyrë, sipas tij, Qeveria e Kosovës dërgon sinjalin se pozicioni i saj në negociata është arritja e njohjes nga Serbia dhe se nga ky synim nuk mund të heqë dorë. Ndërkaq, deklaratat e opozitës, siç thotë Maliqi, mund të jenë taktike dhe për politikën e brendshme, në mënyrë që në rast se në fund të negociatave nuk do të ketë njohje të drejtpërdrejtë të Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë kjo të prezantohet si dështim i Qeverisë.

“Kosova e kërkon njohjen reciproke, jo detyrimisht se ka qejf që ta njohë Serbia, por për shkak se mungesa e kësaj njohjeje nga Serbia po shkakton probleme. Një prej këtyre problemeve është çështja e njohjes nga [pesë] vendet e BE-së apo anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Në qoftë se marrëveshja, përmes njohjes së tërthortë, e arrin këtë rezultat – pra, të ketë garanci që Kosova futet në organizata ndërkombëtare, përjashto mbase OKB-në – apo e siguron njohjen prej pesë shteteve të BE-së, atëherë mendoj që edhe Kosova do të mund ta shohë të dobishme marrëveshjen”, vlerëson Maliqi.

Ai shton se deklaratat dhe qëndrimet, pothuajse të ngjashme, të pushtetit dhe partive opozitare lidhur me propozimin e BE-së, mund të ndikojnë në forcimin e përpjekjeve të aleatëve për t’i adresuar disa prej shqetësimeve të Kosovës.

“Mendoj që këto janë më shumë përpjekje për të marrë garanci prej partnerëve ndërkombëtarë se Kosovën e presin përfitimet që do të kishin ardhur prej njohjes dhe jo mbase detyrimisht njohja. Këto më shumë duken, thjesht, si lloj qëndrimi retorik dhe taktik”, thekson Maliqi.

Të enjten, më 26 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

Këtë propozim, ai e konsideron si bazë të mirë për diskutime dhe si “kornizë që na mundëson të ecim përpara”.

Së fundmi, më 25 janar, në Prishtinë ka qëndruar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është takuar në një darkë pune me kryeministrin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për të diskutuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.

Ndërkaq, më 24 janar, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Më 20 janar, në Prishtinë dhe Beograd kanë qëndruar Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Ata kanë biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.

blank

Armatimet për Ukrainën, Donfried: Duam që të mbrojë sa më mirë sovranitetin e saj (intervista)

Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë

VOA/Intervistoi: Armand Mero

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Karen Donfried thotë se armatimet që Shtete e Bashkuara dhe shumë vende të tjera po i ofrojnë në vijimësi Ukrainës synojnë që t’i sigurojnë asaj, një pozitë sa më të mirë për të mbrojtur veten dhe territorin e saj Sovran nga agresioni i Rusisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zonjë Donfried, ndërsa flet për shtrirjen e pasojave të luftës dhe në Ballkan, shprehet se se SHBA dhe Bashkimi europian nuk po përpiqen t’ë imponojnë një zgjidhje për situatën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por për t’i ndihmuar këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë dhe të vështira

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, çfarë ka mësuar bota ndërkohë që po i afrohemi përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës?

Karen Donfried: Është e dhimbshme të mendosh se jemi, më pak se një muaj larg një vjetorit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe do të theksoja tre mësime të nxjerra.

Së pari, ne kemi mësuar shumë për Ukrainën dhe mendoj se të gjithë jemi frymëzuar nga guximi dhe qëndresa e ukrainasve, teksa ata i rezistojnë këtij pushtimi të paprovokuar dhe brutal nga Rusia. Ata na kanë frymëzuar të gjithëve.

Së dyti, kemi mësuar më shumë për Rusinë dhe i kemi parë lojërat e Rusisë më parë në Gjeorgji, në Ukrainë në vitin 2014. Por të shohësh se çfarë po i bën Rusia fqinjit të saj, jo vetëm në fushën e betejës, por me këto bombardime kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, infrastrukturës energjetike duke u përpjekur të zhysë një vend prej 44 milionë banorësh në errësirë dhe dimër të ftohtë dhe të hidhur, është thjesht një tmerr i papërshkrueshëm.

Dhe gjëja e tretë që kemi mësuar është për veten dhe për unitetin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërsa përballemi me këtë sfidë. Dhe mendoj se kjo është gjithashtu dallimi i kësaj reje shumë të errët që ne amerikanët, shqiptarët, anëtarët e tjerë të NATO-s, BE-ja, Japonia, Koreja e Jugut, dhe vende të tjera me radhë, janë ngritur dhe kanë thënë, kjo është gabim. Dhe ne do të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit brutal të Rusisë.

Zëri i Amerikës: A e ktheu ky pushtim botën në epokën e Luftës së Ftohtë?

Karen Donfried: Kjo nuk është Lufta e Ftohtë. Nuk është një konkurrencë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Presidenti Biden ka qenë i qartë për këtë dhe gjithashtu kur është shprehur se kjo nuk është një garë apo luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Mendoj se duhet të jemi shumë të qartë për atë që ndodhi në Ukrainë.

Më 24 shkurt, Putini mori një vendim për të nisur një pushtim në shkallë të gjerë të fqinjit të tij më të dobët sovran dhe u përpoq të pushtonte të gjithë vendin. Për shkak të trimërisë së ukrainasve dhe përdorimit shumë efektiv të armëve, prej tyre, që shumë prej nesh iu siguruam, ata ishin në gjendje t’i bënin ballë atij agresioni rus, ta sprapsnin Rusinë dhe ne kemi parë që luftimet tani përqendrohen në juglindje të vendit.

Por në të vërtetë, kjo luftë ka të bëjë me mbrojtjen e ekzistencës nga Ukraina dhe ne të tjerët që mbështesim Ukrainën në këtë kauzë dhe mbrojmë vlerat tek të cilat besojmë, vlerat që mishërohen në Kartën e OKB-së për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Një njeri e filloi këtë luftë dhe ai njeri, Vladimir Putini, mund të vendosë t’i japë fund nesër. Por le të kujtojmë, nëse Rusia pushon së luftuari, lufta përfundon. Dhe kjo është diçka që shefi im, Sekretari Blinken e thotë shpesh. Nëse Ukraina pushon së luftuari, Ukraina përfundon së ekzistuari.

Zëri i Amerikës: Pothuajse të gjitha luftërat përfundojnë me negociata. A mendoni se negociatat janë një mundësi në këtë moment? Apo në cilin moment duhet të jenë?

Karen Donfried: Unë do të argumentoja se, nuk ka asnjë vend në botë që është më i interesuar për paqen në Ukrainë sesa vetë Ukraina. Dhe ne kemi parë presidentin ukrainas Zelenskyy që ka paraqitur një plan paqeje.

Nga ana tjetër, ajo që kemi dëgjuar nga presidenti Putin është se ai mund të jetë i interesuar për negociata, pasi Ukraina të njohë realitetet territoriale. Nuk kemi asnjë tregues se presidenti Putin është i interesuar për negociata, në mirëbesim.

Presidenti Zelenskyy flet me shumë elokuencë për nevojën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Ajo që ne kemi thënë është se nuk ka asnjë negociatë pa Ukrainën.

Pra, ne ndajmë dëshirën e Ukrainës për atë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe po përpiqemi të sigurojmë, nëpërmjet ndihmës sonë të sigurisë, që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur të arrijmë në atë tryezë bisedimesh.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët ukrainas thonë se janë shumë mirënjohës për zhvillimet e reja në lidhje me tanket gjermane dhe amerikane që do t’i dorëzohen Ukrainës. Ata vlerësojnë se për një operacion të rëndësishëm sulmues, atyre u duhen mbi 200 tanke. A janë SHBA dhe partnerët e saj në gjendje t’i japin Ukrainës këtë numër tankesh? Dhe kur do mund të jenë atje, në terren?

Karen Donfried: Faleminderit për këtë pyetje. Mendoj se nënvizon faktin se janë kaq shumë vende që po ndihmojnë Ukrainën të mbrohet e tani kemi dhe njoftimin nga Gjermania për tanket Leopard. Kjo është shumë e rëndësishme sepse në vend që të dëgjojmë nga Moska interes për negociatat e paqes, kemi dëgjuar se Rusia po planifikon një ofensivë të re.

Ka një përpjekje, mes 50 vendeve të paktën, për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe ajo që kemi parë gjatë vitit të kaluar është se si ndihma e sigurisë ka ndryshuar për të ndihmuar Ukrainën të përballojë sfidat përpara saj. Kështu, kur patë që në vjeshtë Rusia nisi ato bombardime kundër infrastrukturës civile, ne u përpoqëm të shtojmë furnizimet tona të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Unë gjithashtu mendoj se ka një angazhim afatgjatë ndaj Ukrainës në drejtim të ndihmës për sigurinë. Vendimi i SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës raketa Patriot në dhjetor është një tregues i kësaj, sepse kur mendojmë për atë paqe të qëndrueshme në Ukrainë, ne duam gjithashtu të sigurojmë që Ukraina të ketë aftësinë për të mbrojtur veten me kalimin e kohës.

Kështu që unë mendoj se harku i ndihmës për sigurinë është vërtet i rëndësishëm sepse tregon se si po ndryshon lufta. Dhe do të vazhdoni të shihni se ka pasur një përpjekje reale për të çuar pajisje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ka qenë e vërtetë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe është e vërtetë dhe tani, pasi Rusia po planifikon ofensivën e radhës. Kështu që mendoj se ju keni parë një angazhim të qëndrueshëm gjatë vitit të kaluar dhe ai do të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Kievi thotë se ka përparim në bisedat në lidhje me furnizimin e avionëve F-16 në Ukrainë. A mund të konfirmoni se SHBA po e vlerëson këtë mundësi?

Karen Donfried: Sikurse e përmenda, Ukraina është furnizuar me armatime që i përshtaten situatës aktuale në fushën e betejës. Në fillim të konfliktit dërguam shumë sisteme antitank Javelin dhe armatime të tjera. Kjo pa dyshim ka evoluar me kalimin e kohës. Ndaj vëmendja tani është përqendruar tek armatimet e rënda, tanket e lehta, artileria dhe municionet.

Po të shikosh me vëmendje, armatimet e premtuara në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës që u zhvillua para një jave, (në bazën ajrore Ramstein në Gjermani) këto donacione janë një pasqyrë e qartë e armatimeve që Ukraina u ka kërkuar vendeve partnere, për të ndihmuar që Ukraina të jetë e përgatitur më së miri për këtë kapitull në fushën e betejës.

Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar se me ardhjen e pranverës, Rusia do të intensifikojë fushatën e saj ushtarake?

Karen Donfried: Po. Jam e shqetësuar lidhur me këtë dhe bazuar në atë që ka thënë Rusia, ne parashikojmë një ofensivë ruse. Kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë se pse e kemi përqendruar vëmendjen që Ukraina të ketë sa më parë të jetë e mundur në fushën e betejës këto armatime që ne po i dërgojmë tani. Ne duam të sigurohemi që Ukraina të jetë në pozitë sa më të mirë për të mbrojtur veten dhe territorin e saj sovran.

Pra kjo përbën shqetësim dhe mendoj se do të ndodhë. Gjatë vitit të kaluar u pa se Ukraina i përdori me efektshmëri të lartë armatimet që i kemi ofruar. Siç dihet po vazhdon trajnimi (i trupave ukrainase). Pra, përveç furnizimit të Kievit me armë po trajnojmë edhe ushtarët ukrainas dhe ky kombinim po jep një rezultat të paçmuar. Shto këtu trimërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve.

I them Rusisë, kujdes. Ky është një vend që po lufton për të mbrojtur ekzistencën e tij. Morali që ekziston mes çdo ushtari dhe popullit ukrainas në tërësi përbën një forcë të madhe që nuk mendoj se Rusia e ka llogaritur mirë.

Zëri i Amerikës: Pushtimi rus i Ukrainës është në krye të prioriteteve të SHBA-së që prej nje viti tanimë, por ka konflikte të tjera që kërkojnë vëmendjen amerikane, si marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Me dëshirën për të mos patur nëpër këmbë konflikte të tjera, a po ushtrojnë SHtetet e Bashkuara, një trysni shumë të madhe duke u përpjekur të “imponojnë” një zgjidhje Kosovë-Serbi?

Karen Donfried: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka efekte edhe në Ballkanin Perëndimor edhe në Shqipëri dhe këto janë të lidhura. Një mësim nga kjo luftë, do të thosha unë, është ndjenja e urgjencës. Ndonjëherë mendojmë se koha është në anën tonë dhe mund të ketë vendime të vështira që ne duhet të marrim, por nuk duam t’i marrim sot, dhe i lëmë për nesër. Në disa raste ndodhin gjëra që ne nuk i kemi para shikuar.

Nëse do të isha pyetur përpara se të merrja këtë detyrë, se a mendoja se Rusia do të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë, përgjigja ime do të ishte jo, nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Do të kisha gabuar. Ndaj është e vështirë të parashikosh të ardhmen.

Ndaj për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit Euro-Atlantik. Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira.

Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të Euro-Atlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit Euro-Atlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër.

Ne e dimë që edhe Shqipëria do të jetë aty për t’i ndihmuar këto vende të marrin këto vendime të vështira. Por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre. Ato duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan. Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë.

blank

Kurti: Propozimi evropian – bazë e mirë për diskutime, asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka përparësi

VOA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi të enjten se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera.

Kryeministri Albin Kurti u takua mbrëmë në një darkë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar hapat e radhës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale.

Kryeministri Kurti tha se diplomatët po këmbëngulin që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të theksohet më shumë.

“Por, ajo marrëveshje tashmë është e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese pra në një mënyrë përnjëmend mund të themi se ajo marrëveshje është e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të paraqesë propozimet e saj për asociacionin, ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar në një takim në fund të këtij muaji përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.

Kryeministri Kurti tha se asociacionet e komunave që janë njësi territoriale dhe jo vetëm administrative, mbi baza etnike bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Andaj le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt BE-së për paqe afatgjate e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjë njeri nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as Asociacioni parakusht por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë Kancelari Scholz dhe unë po ua përsëris këtu njëjtë”, tha ai.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të premten e kaluar zoti Lajçak qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë për diskutime rreth propozimit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se Serbia do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk do ta pranonte propozimin që sipas tij është shndërruar në kuadër të ri negociues të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

“Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje”, tha kryeministri Kurti.

Ai ritheksoi se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë në qendër sepse vetëm asisoj ndodhë normalizimi i plotë marrëdhënieve.

Por propozimi nuk parasheh njohje të ndërsjellë por përkushtimin e të dyja palëve që të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Diplomatët kërkojnë që të punohet shpejt për të arritur një marrëveshje Kosovë – Serbi, situata e pazgjidhur ndërmjet të cilave shihet si një burim paqëndrueshmërie në Ballkan në një periudhë të ndjeshme në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Zoti Lajçak tha mbrëmë se propozimi mbështetet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën. Gjatë ditëve të kaluara zoti Lajçak ka takuar përfaqësuesit e vendeve mosnjohëse për t’i njohur me procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Ai na tregoi edhe neve për takimet që i ka pasur dhe në këto takime ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me atë që është e rëndësishme për neve pra që është njohja, mirëpo nuk ka hapa konkret. Unë besoj që duhet angazhim shumë më i madh që të kemi hapa konkret. Pesë shtetet të cilat ende nuk e njohin Kosovën nëpërmjet njohjes së tyre do të na hapnin plotësisht rrugën për integrim në NATO dhe BE dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve. Natyrisht që po të kishim ne mundësi për ulëse në OKB gjithçka do të ishte më kollaj mirëpo duke pasur parasysh se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën ajo minimumi çka qytetarët e Republikës së Kosovës presin është që pesë shtetet demokratike evropiane t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe ta njohim pavarësinë e Kosovës”.

Zoti Lajçak tha mbrëmë në një intervistë për Klan Kosova në Prishtinë se deri në muajin mars do të dihet nëse do të ketë përparim lidhur me propozimin dhe kush do të jetë përgjegjës, nëse kjo nuk ndodhë.

blank

Kurti: Marrëveshja për Asociacionin, e vetmja që s’e ka kaluar testin e Kushtetueses

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e asociacionit.

Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë që Kosova të zbatojë marrëveshjen e arritur për asociacionin.

SHBA-ja ka paralajmëruar se do të kërkojë “partnerë alternativë” për formimin e asociacionit, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e gjen një mënyrë për ta themeluar atë, dhe i kanë kërkuar kësaj të fundit që të prezantojë propozimet e veta në këtë temë.

Kurti ka folur para gazetarëve edhe për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ai duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Diplomacia fluturuese u është bashkëngjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë, dhe 10 nene gjithsej”.

Diplomacia fluturuese (shuttle) nënkupton takimet e shpeshta të diplomatëve të huaj, në përpjekje për të përafruar qëndrimet e palëve.

Kurti ka përsëritur se propozimin evropian, që në publik njihet edhe si plani franko-gjerman, e konsideron bazë të mirë për diskutime dhe si “kornizë që na mundëson të ecim përpara”.

Lidhur me dialogun, Kurti është takuar në mbrëmjen e 25 janarit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak për të diskutuar hapat e ardhshëm rreth dialogut.

Vetë Lajçak ka thënë se në darkën e punës, në të cilën ka qenë prezent edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, palët janë pajtuar që duhet zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet që janë arritur në dialog.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në një adresim para kombit, më 23 janar, se ekipi diplomatik evropiano-amerikan, i ka thënë atij se nëse ai nuk e pranon planin evropian për Kosovën, Serbia do të përballet me bllokim të investimeve dhe procesit të integrimit.

Ai ka thënë se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, është kornizë e re negociuese për Serbinë.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Radio Evropa ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

blank

Britania e Madhe: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Europës

Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës.

Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale.

Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë.

“Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell. / REL

blank

Odesa shpallet zonë e rrezikuar e Trashëgimisë Botërore

RFE/RL

Qendra historike e qytetit ukrainas të Odesas, është shpallur zonë e rrezikuar e Trashëgimisë Botërore nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNECSO)

Agjencia ka thënë se vendimi i saj e njeh “vlerën e jashtëzakonshme” të kësaj zone.

Mirëpo Rusia e ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se është “i motivuar politikisht”.

E njohur si perla e Detit të Zi, Odesa është bombarduar disa herë nga Rusia, prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Vitin e kaluar, banorët kanë tentuar të mbrojnë monumentet e qytetit dhe disa ndërtesa, duke i mbuluar me thasë.

Duke folur pas votimit, shefja e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka thënë se shpallja e qytetit si zonë e Trashëgimisë Botërore është hap i rëndësishëm.

Ajo ka thënë se vendimi nënkupton që të gjitha vendet anëtare të konventës, përfshirë Rusinë, kanë obligim “që të mos e shkatërrojnë me qëllim” këtë zonë.

Disa pjesë të Odesas janë shpallur në listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik, çka do të thotë se UNESCO i jep qytetit qasje në ndihmë teknike dhe financiare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se është “mirënjohës ndaj partnerëve që na kanë ndihmuar në mbrojtjen e kësaj perle nga sulmet e pushtuesit rus”.

Rusia, e cila ka tentuar vazhdimisht që të shtyjë votimin, e ka akuzuar Ukrainën për “shkatërrim” të monumenteve të veta.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

blank

Lezhë, goditet për shkak të detyrës gazetari Elvis Hila

Gazetari Elvis Hila, duke marrë trajtim në spital

Pellumb Sulo

Policia e Lezhës njoftoi se gazetari i Report TV, Elvis Hila, është goditur pasditen e sotme për shkak të detyrës nga dy persona në qytetin e Lezhës dhe se është dhunuar fizikisht edhe bashkëshortja e tij.

Në njoftimin e saj, policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 dhe se ka identifikuar si autorë të goditjes së gazetarit dhe bashkëshortes shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati të Lezhës, të cilët janë shpallur në kërkim policor dhe po vazhdojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Gazetari Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij kanë marrë trajtim mjekësor në spitalin e qytetit të Lezhës dhe, më pas, janë larguar dhe kanë bërë denoncim në policinë lokale.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, gazetari Elvis Hila tha se, fillimisht është telefonuar dhe kërcënuar nga një numër i paidentifikuar në lidhje me një lajm të publikuar.

Më pas, dy persona kanë kërkuar ta nxjerrin nga makina e tij, ku ishte me bashkëshorten dhe, në pamundësi, i kanë goditur të dy fizikisht.

Ky është rasti i dytë që në Lezhë kërcënohen gazetarët, të cilët raportojnë nga terreni për mediat qendrore në Tiranë.

Në tetor të vitit 2020, gazetarit Elidon Ndreka iu vendos një sasi lëndë shpërthyese në hyrje të banesës. Autorët ende nuk janë zbuluar nga policia.


Send this to a friend