Më 22 shkurt në Londër takimi i kryeministrave të vendeve të rajonit për të diskutuar mbi investimet dhe mundësitë e të bërit biznes
Kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor (Shqipërisë, Bosnjes, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë), pritet të mblidhen së bashku në Londër javën e ardhshme me 22 shkurt, për të diskutuar rreth cështjes së investimeve dhe mundësive që ato ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre. Ky është takimi i dytë i këtij lloji që organizohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, pas atij të shkurtit të vitit 2014.
Do të jetë presidenti i BERZH-it Suma Chakrabarti dhe ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond, që do të hapin konferencën, e cila do të vazhdojë më pas me panelin ku do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit. Në tre panele të tjerë, ku do të diskutohet për zhvillimin e rrjeteve të Transportit, për energjinë e rinovueshme dhe axhendën e privatizimeve në Ballkanin Perëndimor, do të marrin pjesë anëtarë të kabineteve qeveritare, sipërmarrës dhe investitorë.
Takimi i nivelit të lartë, ka si synim nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare. Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të Berzh-it, një platformë e re rajonale për quotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Sipas një njoftimi për shtyp të BERZH-it, edhe Bursa sllovene dhe serbe kanë shprehur interesin për t’ju bashkuar kësaj nisem, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.
BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar Banka ka investor afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo edhe atë finanziar në mbështetje të bujqësisë në vendet ballkanike.
Lideri serb Aleksandër Vuçiç duket se nuk i ka punët mirë. Protesta e studentëve që erdhi për arsye të aksidentit të Novi Sad ku 15 persona humbën jetën. Kjo situatë nuk po tregon shenja zbutjeje por përkundrazi po merr një shkallë më të gjerë, ku protestat po përhapen edhe në qytete të tjera në Serbi.
Vuçiç duket se është i tradhtuar nga instikti i tij politik pasi nuk i ka lexuar mirë këto protesta.
Ai sakrifikoi kryeministrin Millosh Vuçevic dhe synoi që t’ia kalonte të gjithë përgjegjësinë për tragjedinë e Novi Sad me synimin që të zbuste protestat. Por ai nuk e kuptoi se shkaku i vërtetë i protestave ishte absolutizimi, që ai ka përdorur për ushtrimin e pushtetit në 13 vite. Syri.net- Kathimerini.
Karikatura e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin “Ti nuk je në krye”, shihet në protestën e studentëve më 1 shkurt 2025.
Iva Martinoviq
Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.
Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.
Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.
“Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.
Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.
Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…
Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.
Ndryshime në raportimin e transmetuesit publik
Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.
Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.
*Pamje nga protesta e gjatë natës mes 27 dhe 28 janarit që bllokoi për 24 orë njërën prej rrugëve më të rëndësishme kryqëzuese në Beograd.
Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka reaguar me një deklaratë, ku ka akuzuar RTS-në për “shpërdorim të rëndë të profesionit të gazetarit” dhe për “anim nga politikanët që duan ta shkatërrojnë rendin kushtetues të Serbisë”.
Partia në pushtet ka thënë, gjithashtu, se do të kërkojë reagim nga institucionet që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe programore të RTS-së.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë e kritikon RTS-në, por transmetuesi publik, deri tani, ka ndjekur narrativin e autoriteteve, që protestuesit i quajnë “mercenarë të huaj”, “tradhtarë” ose “kukulla të opozitës”.
“Qartazi, RTS-ja ka reaguar ndaj presionit të studentëve dhe publikut të gjerë dhe ndoshta kjo është pasojë e një atmosfere tjetër në të gjithë shoqërinë. Përgjigjja e autoriteteve ishte e tillë që RTS-ja të mos shkonte më larg. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në disa protesta të mëparshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Burazer nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi.
Kërkesat për ndryshim të udhëheqjes
Pas disa protestave masive para ndërtesës së RTS-së, për shkak të mënyrës së raportimit, atyre u janë bashkuar edhe disa punonjës të transmetuesit publik, duke kërkuar ndryshimin e udhëheqjes.
Protesta me kërkesa të ngjashme janë duke organizuar edhe disa punonjës të Radio-Televizionit të Vojvodinës (RTV).
“Në programin e parë të televizionit nuk kemi mundur t’i dëgjojmë studentët, kërkesat e tyre, qytetarët, rrëfimet analitike…”, tha për Radion Evropa e Lirë Tamara Srijemac, gazetare në Radion Novi Sad, e cila vepron në kuadër të RTV-së.
Më 3 shkurt, derisa transmetohej edicioni qendror i lajmeve, disa punonjës të RTV-së organizuan një performancë jashtë ndërtesës, duke lexuar “ditarin e lirë”.
“Kemi dashur të tregojmë se disa punonjës distancohen nga politikat e tilla editoriale”, tha Srijemac.
Drejtuesit e RTS-së dhe të RTV-së nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë temë.
Një skenar i ngjashëm i ka përcjellë edhe protestat e viteve 1990, kur transmetuesi publik i Serbisë ka qenë në shërbim të propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Në prag të rënies së tij, që ka pasuar luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s, presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit.
Vuçiq ka zbatuar një ligj famëkeq që është përdorur nga pushteti i atëhershëm për të goditur mediat e pavarura dhe gazetarët.
Ai ka vënë kontroll mbi mediat edhe pasi është kthyer në pushtet në vitin 2012.
Komisioni Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare e përmendin këtë gjë në të gjitha raportet e përvitshme për Serbinë.
Mossukses në diskreditimin e protestave
Përveç transmetuesve publikë, pushteti në Serbi kontrollon edhe stacionet televizive private me mbulim kombëtar.
Tabloidët proqeveritarë janë, gjithashtu, një armë e fuqishme mediatike në përpjekjet për diskreditimin e protestave aktuale dhe të mëparshme.
“… por, pushteti, deri më tani, ka dështuar t’i arrijë efektet që mund t’i kishte arritur më herët. Vuçiq, shumë më lehtë, ka mundur t’i diskreditojë liderët e opozitës ose disa liderë të tjerë të protestave. Tani nuk mund ta bëjë”, thotë Burazer.
Gjatë fjalimeve të tij, Vuçiq i përshkruan protestat si “përpjekje nga jashtë dhe nga brenda për të përmbysur shtetin”.
“Regjimi i Vuçiqit korrespondon me atë që disa autorë e quajnë ‘spin diktaturë’, e cila, ndryshe nga diktatura e frikës, nuk bazohet në dhunë, arrestime masive, mbyllje mediash, por në manipulimin e opinionit publik, përdorimin e presionit ekonomik etj.”, thotë Burazer.
Edhe pse protestat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit serb – njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Vuçiqit – ky i fundit nuk është duke sinjalizuar ndonjë tërheqje të mundshme.
Partia e tij dhe aleatët e saj kanë shumicë bindëse në Kuvendin e Serbisë.
Ai është i bindur, sikurse edhe më herët, se mund të sigurojë sërish fitore në zgjedhje.
“Dorëheqja [e kryeministrit] është pjesë e një strategjie të llogaritur për ta zhvendosur gjithë këtë krizë në planin politik dhe, nëse është e mundur, për të dalë nga kjo krizë përmes zgjedhjeve. Studentët i kanë vazhduar protestat e tyre pavarësisht dorëheqjes. Ndaj, aktualisht, duket se kjo manovër nuk ka funksionuar”, vlerëson Burazer.
Opozita i refuzon zgjedhjet, për shkak të, siç thotë, kushteve të pabarabarta, të cilat i ka vënë në dukje edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Sipas tyre, bëhet fjalë për presion ndaj votuesve, blerje të votave, raportim të njëanshëm të mediave në favor të pushtetit dhe keqpërdorim të burimeve publike.
Si reagon bashkësia ndërkombëtare?
Edhe pse i akuzon “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje, Vuçiq nuk është duke u përballur me ndonjë reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjet në Serbi.
Bashkimi Evropian nuk ka sqaruar ende nëse i mbështet kërkesat e protestuesve.
Më 4 shkurt, Zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai ka folur në telefon me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratë nuk janë përmendur protestat, por është thënë se është biseduar për “rrugën evropiane dhe proceset reformuese që po i zbaton Serbia”.
Pamje nga protesta e 1 shkurtit në Novi Sad.
Nga Brukseli, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë deklaratë për detajet e bisedimeve.
Shkak për heshtjen e Bashkimit Evropian, sipas analistit të politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, është pritja që presidenti serb ta zgjidhë çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.
“Por, nëse një politikë e tillë e tolerancës vazhdon, Bashkimi Evropian do të jetë i vetmi fajtor për rënien e popullaritetit të idesë dhe vlerave të BE-së në publikun serb”, thekson Jakshiq.
Rusia, në anën tjetër, i ka dhënë mbështetje të plotë Vuçiqit, duke i miratuar edhe mesazhet e tij se Serbia është viktimë e një komploti perëndimor dhe se shërbimet e huaja të inteligjencës janë duke i financuar protestat.
Reagimi i parë nga administrata e re amerikane ka ardhur nga i dërguari i presidentit Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, të cilit Vuçiq i ka dhënë medalje në vitin 2023 për “merita të shquara në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore”.
Grenell ka shpërndarë një video të protestave të studentëve në rrjetin X më 26 janar dhe ka shkruar, mes tjerash, se “nuk ka mbështetje për ata që minojnë shtetin ligjor dhe pushtojnë me forcë institucionet shtetërore”.
Në protestat masive të organizuara nga studentët në Serbi nuk ka pasur incidente apo dhunë. Për sigurinë, në vend të policisë, kujdesen rojet studentore.
Mediat botërore, si The New York Times, i përshkruajnë ato si “shpërthimi më i madh i pakënaqësisë që nga demonstratat kundër regjimit të Millosheviqit në vitet 1990”.
Santorini dhe ishujt përreth janë goditur nga një seri tërmetesh, duke detyruar autoritetet greke të marrin masa emergjente, përfshirë mbylljen e shkollave.
Rreth 555 tërmete nënujore janë regjistruar në zonë gjatë tre ditëve të fundit, duke alarmuar banorët dhe turistët në ishujt e njohur të Detit Egje.
“Këto masa janë paraprake dhe autoritetet do të mbeten vigjilente,” deklaroi Ministri i Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, pas një takimi urgjent të qeverisë në Athinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin rreptësisht rekomandimet e sigurisë për të minimizuar rrezikun.
Paniku rritet, turistët largohen nga ishulli
Mijëra banorë, punëtorë sezonalë dhe turistë janë larguar nga Ishujt Cikladikë, pasi tërmete me magnitudë deri në 5 ballë kanë goditur zonën që nga e premtja. Operatorët e trageteve dhe fluturimeve kanë shtuar shërbime për të akomoduar nisjet masive.
Zyrtarët qeveritarë dhe shkencëtarët janë mbledhur për të analizuar situatën, ndërsa shkollat u mbyllën në Santorini, Amorgos, Anafi dhe Ios.
Masa të reja sigurie për turistët dhe hotelet
Banorët dhe vizitorët janë këshilluar të shmangin grumbullimet e mëdha të brendshme, ndërtesat e vjetra dhe zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e shkëmbinjve.
Hotelet janë udhëzuar të thajnë pishinat, pasi lëkundjet mund të shkaktojnë përmbysjen e ujit dhe të dëmtojnë strukturat përreth.
Ministria Greke e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar njerëzit që të shmangin portet e Amudi, Armeni, Korfos dhe Portin e Vjetër të Firës për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut.
Ekspertët paralajmërojnë: Rreziku mbetet i lartë
Sizmologu i njohur Gerasimos Papadopoulos ka deklaruar se situata po përshkallëzohet dhe një tërmet më i madh mbetet një mundësi reale.
“Të gjithë skenarët mbeten të hapur,” tha ai, duke theksuar se numri dhe magnituda e tërmeteve po rriten, ndërsa epiqendrat janë zhvendosur më në verilindje.
Megjithatë, Kryebashkiaku i Santorinit, Nikos Zorzos, u përpoq të qetësonte qytetarët, duke theksuar se masat janë parandaluese dhe nuk ka arsye për panik të menjëhershëm.
Santorini, një nga destinacionet më të njohura turistike në botë, përballet me sfida të mëdha për shkak të peizazhit të tij vullkanik dhe shkëmbinjve të thepisur, të cilët rrisin rrezikun në rast të një tërmeti të madh.
Autoritetet do të vazhdojnë të monitorojnë situatën, ndërsa banorët dhe turistët janë këshilluar të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë. sn
Tërmeti i fundit i fuqishëm që ka ndodhur në orën 13:55 të së dielës pasdite në Santorini, me magnitudë 4.6 ballë të shkallës Rihter ka ngjallur frikë dhe pasiguri. Epiqendra e tërmetit është regjistruar 19 kilometra në jug jugperëndim të Arkesinit, Amorgos, ndërsa thellësia fokale është 14.1 kilometra.
Skenari më i keq që shkencëtarët po shqyrtojnë është një tërmet me magnitudë 6 ballë. Siç thekson studiuesi me përvojë, z. Vougiouklakis, aktiviteti sizmik në zonë është vullkanotektonik dhe lidhet me thyerjen aktive që shtrihet nga Amorgos në Christiana. Llogaritjet tregojnë se një tërmet nuk duhet të kalojë 6 ballë të shkallës Rihter, ku gjasat për të shkaktuar dëme të mëdha janë të kufizuara.
Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është evakuimi i pishinave në Caldera, siç shpjegoi z. Vougiouklakis, lëvizja e ujit në rast të një tërmeti të fortë mund të shkaktojë dëmtime në struktura dhe të rrisë rrezikun e shembjes.
Masat për Qytetarët:
– të shmangin grumbullimet e mëdha brenda objekteve.
– shmangni afrimin e ndërtesave të braktisura.
– shmangni hyrjen dhe qëndrimin në portet e Ammoudi, Armeni, Korfou dhe Porti i Vjetër i Firës.
– të vijojnë me heqjen e elementeve të rrezikshëm të cenueshmërisë jo strukturore në ndërtesat e tyre dhe zbrazjen e ujit në pishina.
– të zgjedhin rrugë të sigurta gjatë lëvizjes brenda strukturës urbane dhe rrjetit rrugor krahinor, veçanërisht në vendet ku ka pjerrësi të mprehtë morfologjike dhe ka gjasa të ndodhin rrëshqitje dherash.
– Duhet të ketë evakuim të menjëhershëm nga zonat bregdetare në rast të lëkundjeve të forta sizmike.bw
Udhëheqësi i fuqishëm populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përballej ende me sfidën e tij më të madhe, ndërsa demonstratat e udhëhequra nga studentët u intensifikuan në fundjavë, në atë që quhej lëvizja më e madhe protestuese e vendit ballkanik.
Tre muaj pas ditës, pasi një tendë betoni u shemb në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qytetin verior, duke bllokuar tre urat e tij në përkujtim të 15 personave të vrarë në aksident. Për tragjedinë është fajësuar drejtpërdrejt qeveria, për paaftësinë dhe korrupsionin që e ka përfshirë.
“Ajo që po shohim janë protestat më të mëdha në rrugë në historinë e Serbisë,” tha Dejan Bagariç, një student i masterit, duke folur nga qyteti. “Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, njerëzit janë me të vërtetë të animuar, sepse të gjithë janë ngopur nga korrupsioni dhe kjo qeveri është shumë e korruptuar.”
Shpërthimi i mospajtimit të së shtunës – kulmi i protestave dhe atyre që filluan në nëntor – janë përqendruar në atë që demonstruesit e kanë përshkruar, si mosgatishmëri goditëse e qeverisë për të pranuar ndonjë përgjegjësi për tragjedinë. Rindërtimi i stacionit u krye në bashkëpunim me një konsorcium shtetëror kinez, si pjesë e një projekti të madh infrastrukturor, që kritikët pretendojnë se i kushtoi pak ose aspak vëmendje rregulloreve të sigurisë.
“Nuk kishte transparencë, nuk kishte tendera publikë për kontratën dhe më pas kur ndodhi aksidenti, nuk kishte dëshirë për drejtësi,” tha Çedomir Stojkoviç, një avokat kryesor për të drejtat e njeriut, i cili paraqiti një ankesë penale që përfundimisht nxiti prokurorët të nisnin një hetim. “Në vend të kësaj, qeveria bëri atë që bën gjithmonë, ajo vazhdoi me një mbulim në shkallë të plotë. Ka shumë solidaritet, shumë ndjeshmëri për studentët, gjithnjë e më shumë njerëz po dalin në mbështetje të tyre, profesorë, fermerë, të gjithë.”
Deri në javën e kaluar tubimet anti-qeveritare ishin përhapur në më shumë se 100 qytete dhe fshatra provinciale në mbarë vendin.
Shkalla e protestave, tha Stojkoviç, kishte dëshmuar “përtej çdo dyshimi”, se demonstratat jo vetëm ishin nxitur nga neveria për korrupsionin, një sëmundje që është identifikuar me gjithçka që është e gabuar me vendin kandidat për në BE, por ishin një mënyrë që qytetarët të shprehin pakënaqësinë e tyre, me sundimin gjithnjë e më autoritar të presidentit të tyre nacionalist.
Për një brez të rritur në internet, njohuria për botën përtej Serbisë së varfër është lehtësisht e disponueshme. Gjithashtu e paprecedentë është aftësia për të organizuar me shpejtësi protesta, duke anashkaluar mediat e kontrolluara nga shteti – dhjetëra mijëra studentë grevistë morën pjesë në një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi të madh në Beograd, javën e kaluar.
Vuçiç ishte përballur me protesta të ngjashme vitin e kaluar pas akuzave për zgjedhje të manipuluara, të ndihmuara, thonë kundërshtarët, nga një peizazh mediatik që mbetet një nga më të censuruarat në Evropë. Ndryshe nga këto demonstrata, megjithatë, ishin partitë opozitare, vetë shpesh të diskredituara, ato që udhëhoqën reagimin.
“Njerëzit duan që qeveria dhe Vuçiqi të largohen më në fund,” tha Stojkoviç, i cili mori pjesë si student në protestat masive mbi 25 vjet më parë kundër Sllobodan Millosheviçit, të fortit të ndjerë jugosllav dhe ish-presidentit të Serbisë, politikat e të cilit shkaktuan zbritjen e rajonit në gjenocid gjakatar. Protestat i hapën rrugën përmbysjes së Millosheviqit, në vitin 2000.
“Këta studentë ishin fëmijë kur Vuçiq u bë president tetë vjet më parë dhe ata duan demokraci. Është duke u ngritur … ky është momenti pak para se tullumbacja të shpohet nga gjilpëra. E ka zënë [qeverinë] të pavetëdijshme.”
Të premten, ndërsa qindra studentë arritën në Novi Sad në këmbë pas një udhëtimi dyditor, 80 km nga Beogradi, Vuçiç, duke iu drejtuar protestave, i tha kombit: “Vendi ynë është nën sulm, nga jashtë dhe nga brenda”, duke i bërë jehonë pretendimeve të mëparshme, se protestuesit po punonin për fuqi të huaja të paspecifikuara për të rrëzuar qeverinë.
Partia Progresive Serbe në pushtet është përpjekur të qetësojë situatën, duke nxjerrë dokumente të klasifikuara për shembjen e stacionit hekurudhor dhe madje ka shkuar aq larg sa ka thënë se do të përmbushë të gjitha kërkesat e studentëve. Këtë javë, në atë që u pa si një fitore e parë, aleati i ngushtë i Vuçiçit, kryeministri Milos Vuçeviç, dha dorëheqjen, por pak njerëz besojnë se protestat do të shuhen.
Me papunësinë e të rinjve në nivele rekord dhe të diplomuarve të detyruar në një numër gjithnjë në rritje të shpërngulen jashtë vendit në kërkim të punës, ekziston një ndjenjë në rritje në mesin e të rinjve serbë, se ka pak për të humbur.
Për të sfiduar goditjet e qeverisë, studentët kanë shmangur qëllimisht shoqërimin me një lidership të çdo lloji, duke siguruar që vendimet të merren së bashku në seancat plenare.
“Ne nuk po zgjedhim dhunën dhe tani për tani as qeveria nuk po zgjedh dhunën”, tha Bagariç në protestat në Novi Sad.
Ndërsa protestat u rritën, Srđan Milivojević, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës, tha se ishte e qartë se demonstruesit e rinj të Serbisë, tani po diktonin ngjarjet.
“Është e parëndësishme se si reagon qeveria,” tha ai ndërsa po ecte përgjatë autostradës së mbytur nga makina, që lidh Beogradin me Novi Sadin. “Studentët po diktojnë tempin e protestave, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë derisa të bjerë Vuçiç”./ The Guardian. sn
“Revolucioni studentor po rrëzon nga “froni” regjimin e Aleksandar Vuçiç”. Kështu shkruan e përditshmja e Beogradit, Danas. “Dorëzohuni me gjithë zemër. Lini menjanë këtë herë cinizmin dhe pesimizmin sepse ne meritojmë të jemi një komb njerëzish të mirë dhe të drejtë”, është apeli në një artikull nga gazetarja Jasmina Lukac. Protestat në Beograd dhe Novi Sad të cilat u shndërruan në tubime masive, sollën shkarkimin e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Ndërsa presidenti Vuçiç ka premtuar se do të shkarkojë gjysmën e kabinetit qeveritar, duke pranuar një nga kërkesat e studentëve.
“Çdo revolucion ka ndërhyrje të huaja, por ky është aq shumë i yni sa gjëja që mund të bëjnë shërbimet e tjera është të regjistrojnë këtë përvojë, të vëzhgojnë dhe të presin se kush dhe çfarë do të mbizotërojë në fund”.
“Është e vërtetë, plenumi studentor i ngjan më shumë një stili sovjetik komunist, ose më mirë një këshilli punëtorësh, se sa një Parlamenti britanik. Por gjithashtu është e vërtetë se parlamentarizmi, si një shpikje fillimisht britanike, është shprehja empirike e negociimit dhe tregtimit të parave nga monarkët, zotërit dhe njerëzit. Këtu është ndryshe, fjala jonë është Kuvend, rrënja është mbledhja, grumbullimi, pikërisht gatishmëria e vazhdueshme për të qëndruar me të tjerët, për të qenë bashkë për të mbrojtur veten si njerëz të lirë dhe të barabartë”, shkruan Danas.
Danas
“Tani ne mund të shohim qartë tablonë, pa shtresa propagandistike, se pse dhe si pati sukses revolucioni partizan 80 vjet më parë. Mos u besoni atyre që gënjejnë se ne nuk jemi një popull revolucionar, duke ia atribuar atë që ndodhi atëherë një ndërthurje të pastër rrethanash dhe ngjarjesh historike jashtë kontrollit tonë. Ne, përkundrazi jemi një popull për revolucion, i kuptuar jo si teknikë për ndryshimin e sistemit politik, por si bëma jonë e përbashkët e luftës dhe e fitores mbi forcën dhe padrejtësinë.
Protestat Ne Serbi2
Prandaj, tani le t’i dorëzohemi momentit revolucionar, le të marrim pjesë në historinë tonë, por edhe në emocionin tonë kolektiv, të cilin mund ta ndajnë me ne të gjithë njerëzit e tjerë të ndjeshëm ndaj lirisë dhe drejtësisë. Siç na thotë grupi slloven Lajbach, “la ta bëjmë Serbinë sërish të madhe””, përfundon artikulli i Danas.
Serbia u përfshi nga protestat masive kundër korrupsionit, pas shembjes së çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona. bw
Studentët protestues në Ingjije të Serbisë më 31 janar 2025.
Radio Evropa e Lirë
Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet për të bllokuar urat më 1 shkurt.
Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.
Studentët që po protestojnë në Serbi duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.
Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.
Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.
Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.
Studentët e nisur nga Beogradi kaluan natën në Ingjije.
Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.
Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.
Studentët duke marshuar nga Beogradi drejt Novi Sadit. Stara Pazova, 30 janar 2025.
Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.
Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.
Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat.
Studentët serbë janë nisur këmbë nga Beogradi për në Novi Sad me sloganin “Një hap larg drejtësisë”. Ata do të ndalojnë në disa pika përpara se të arrijnë në Novi Sad.
Studentët do të përshkojnë 80 kilometra në marshin dyditor, raportoi Danas. Një grup i dytë i studentëve do të nisen po ashtu nga Beogradi të premten, por me biçikleta.
Synimi është që të bllokojnë tri ura në Novi Sad më 1 shkurt, që shënon tre muaj nga shembja e strehës së një stacioni treni ku humbën jetën 15 persona.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, ka thënë se ministria do të sigurojë rrugën për ecjen e studentëve. Trafiku gjatë rrugës së tyre do të jetë i ndalur, policë, ambulanca e cisterna me ujë do të vendosen përpara dhe prapa kolonës së studentëve.
Protestat në Serbi kanë nisur që pas 1 nëntorit kur vdiqën 15 personat. Që atëherë protestuesit kanë kërkuar nga autoritetet publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rinovimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për aksidentin.
Ata gjithashtu kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave pas aksidentit në Novi Sad. sn
15 vetë janë arrestuar në Turqi, pasi dyshohen se janë përfshirë në zjarrin vdekjeprurës në resortin e skive në Bolu, ku humbën jetën 78 pushues ndërsa mbetën të lënduar dhjetëra të tjerë.
Presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan, tha dje se drejtësia turke po punon për të ndëshkuar të gjithë ata që janë përgjegjës për tragjedinë.
Menaxhmenti i hotelit ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar.
Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu raportoi sot se pronari, resortit dhe 12 persona të tjerë u arrestuan si pjesë e hetimeve.
Sipas të njëjtit burim, janë duke u kryer hetime edhe për nënkryetarin e bashkisë Bolou si edhe ndaj kreut të zjarrfikësve lokalë.
Zjarri vdekjeprurës ra një javë më parë në resortin skive Kartalkaya.
Shpëtuesit dhe ekspertët që ekzaminuan vendin e tragjedisë thanë se nuk kishte sistem alarmi dhe detektorë tymi, as spërkatës uji.
Gjithashtu nuk kishte akses për zjarrfikësit në njërën anë të ndërtesës 12-katëshe.
Sipas ministrit të Brendshëm Ali Gerlikaya, 238 klientë, kryesisht familje me fëmijë, ndodheshin në resort atë natë. Panorama
Policia serbe tha se një grua përplasi makinën me një turmë protestuesish anti-qeveritare në Beograd duke plagosur një prej tyre, ndërsa një grevë e organizuar nga studentët çoi në mbylljen e bizneseve dhe tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz në demonstrata në mbarë vendin.
Protestat mbarëkombëtare u zhvilluan në të njëjtën ditë kur presidenti Aleksandar Vuçiç, mbajti një tubim të madh pasdite me mijëra mbështetës në qytetin qendror të Jagodinës, fortesë e koalicionit të tij, për të kundërshtuar protestat e vazhdueshme antiqeveritare, që për gati tre muaj janë duke sfiduar kontrollin e tij mbi pushtetin.
Ai u tha mbështetësve të tij se vendi është “sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda” me protestat antiqeveritare.
“Nuk është e rastësishme që ata e kanë sulmuar Serbinë nga jashtë”, tha Vuçiç, duke vënë në dukje marrëdhëniet miqësore të Serbisë me Rusinë dhe Kinën dhe refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
“Kjo është ajo që ata duan ta thyejnë, por ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Kjo është forca jonë”, i tha ai turmës që po brohoriste.
Vuçiç bëri thirrje gjithashtu për një dialog me studentët grevistë, të cilët kanë marrë mbështetje të gjerë nga të gjitha sferat e jetës në Serbi, duke dobësuar mbështetjen popullore për partinë e tij. Studentët i kanë refuzuar negociatat me Vuçiçin për kërkesat e tyre.
Demonstruesit kanë bllokuar trafikun çdo ditë në Serbi për të protestuar për vdekjen e 15 personave nga pasojat e shembjes së një çatie në stacionin e trenit në nëntor, për të cilin kritikët kanë fajësuar korrupsionin e qeverisë.
Policia në Beograd tha se ka arrestuar shoferen 24-vjeçare që u përplas me një turmë protestuesish në një pjesë të qytetit të quajtur Beogradi i Ri. E plagosura një 26-vjeçare është dërguar në spital dhe gjendja e saj është cilësuar si e qëndrueshme.
Një incident i ngjashëm ndodhi gjatë një bllokade javën e kaluar në Beograd, kur një makinë u përplas me studentët protestues, duke plagosur rëndë një grua të re.
Shumëkush në Serbi beson se çatia e rëndë e betonit në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, u rrëzua për shkak të punës së parregullt të rindërtimit, pasojë e korrupsionit.
Protestat në të cilat kërkohet përgjegjësi për aksidentin, janë më të mëdhatë që kur Presidenti Vuçiç mori pushtetin më shumë se një dekadë më parë. Ai është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Nuk ishte e mundur menjëherë të përcaktohej se sa njerëz dhe kompani iu përgjigjën thirrjes së studentëve për një grevë të përgjithshme njëditëshe, së cilës iu bashkuan restorante, bare, teatro, furra buke, dyqane dhe librari të ndryshme.
“Ta marrim lirinë në duart tona”, u thanë studentët qytetarëve në thirrjen e tyre për grevë.
Në tubimin e tij në Jagodinë, Vuçiç njoftoi formimin në mars të një lëvizjeje politike mbarëkombëtare në stilin e lëvizjes Rusia e Bashkuar e Presidentit rus Vladimir Putin, për të ndihmuar në sigurimin e dominimit të Partisë së tij Përparimtare Serbe të krahut të djathtë.
Presidenti dhe mediat pro qeveritare i kanë akuzuar studentët se punojnë nën urdhrat e shërbimeve të huaja të zbulimit për të përmbysur autoritetet, ndërsa banditë pro qeveritar kanë sulmuar vazhdimisht protestuesit.
Bllokimi 15-minutësh i trafikut të premten filloi në orën 11:52, kohën e shembjes së çatisë në Novi Sad.
Universitetet serbe janë bllokuar prej dy muajsh, së bashku me shumë shkolla. Një shoqatë avokatësh gjithashtu ka hyrë në grevë, por ishte e paqartë se sa punonjës të institucioneve shtetërore iu bashkuan grevës të premten.
Parakalime protestuese u mbajtën të premten në Beograd, Novi Sad dhe qytetin jugor të Nishit.
“Gjërat nuk mund të jenë më njësoj”, tha aktori Goran Susljik për televizionin rajonal N1. “Studentët na kanë ofruar një mundësi për një ndryshim”.
Prokurorët e Serbisë kanë ngritur akuza kundër 13 personave për shembjen e çatisë duke përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por ish-ministri i ndërtimit Goran Vesiç është liruar nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet mbi pavarësinë e hetimeve.
Stacioni kryesor hekurudhor në Novi Sad u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të punëve në infrastrukturë me kompanitë shtetërore kineze.
Në maj, Qeveria e Republikës Sërpska caktoi një grup pune, i cili supozohej të hartonte një dokument mbi “shkëputjen paqësore” të dy njësive në Bosnje dhe Hercegovinë. Fotografi nga mbledhja e Qeverisë së RS-së më 25 prill 2024.
Goran Katiq, Melisa Teletoviq
Në vitin 2024, presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, urdhëroi disa zyrtarë nga partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), të formojnë një grup pune.
Detyrë e grupit ishte të hartonte një plan për shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës.
Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar tri ditë më parë nga Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).
Si pjesë e grupit secesionist, aty përmenden edhe ministri i Punëve të Brendshme i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës Sërpska, Dallibor Paniq.
Karan dhe Paniq, të cilët u vendosën në listën e zezë të OFAC-ut më 17 janar, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në organizimin e festimit të Ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, thuhet se ishin pjesë e grupit që shkroi planin e ndarjes për Dodikun.
Deklarata e OFAC-ut nuk sqaron se cilit grup pune i referohet, ndonëse një grup me synime të ngjashme u formua në Republikën Sërpska në fund të majit të vitit të kaluar.
Atëkohë, Qeveria e Republikës Sërpska caktoi një grup pune prej tetë anëtarësh, i cili duhej të shkruante një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës – dy entitetet që përbëjnë këtë vend.
Përveç Paniqit dhe Karanit, në atë grup ishin edhe tre persona, të cilët që më parë ishin nën sanksionet e OFAC-ut: Millosh Bukejlloviq, ministër i Drejtësisë i Republikës Sërpska, Jellena Pajiq Bashtinac, sekretare e përgjithshme në Zyrën e Presidentit të Republikës Sërpska, dhe Dragan Stankoviq, drejtor i Administratës Gjeodezike të këtij entiteti.
Publiku nuk u informua nëse ky grup është takuar, ka arritur në ndonjë përfundim apo ka shkruar dokumente.
Dokumenti në lidhje me shkëputjen, pritej të ishte temë e sesionit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska më 9 korrik, me një emër tjetër, por u tërhoq nga rendi i ditës.
Më pas u tha se dokumenti ishte propozuar nga një grup deputetësh.
“Shkëputja paqësore” është e pamundur me kuadrin aktual ligjor në Bosnje e Hercegovinë, pasi do të kërkonte ndryshime në Kushtetutë dhe mbajtjen e një referendumi për këtë çështje.
“Nuk u fol për shkëputje”
Një nga të sanksionuarit është Dallibor Paniq, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës Sërpska.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka marrë pjesë kurrë në takime ku është diskutuar për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe se “nuk i është dhënë detyrë të bëjë ndonjë gjë kundër rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit”.
Dallibor Paniq.
“Unë nuk e di nëse ka ndonjë akt përmes të cilit është formuar ndonjë grup pune për të bërë ndarjen. Unë së paku nuk e di, edhe pse pretendohet se jam pjesë e atij grupi. Nuk di për takime të tilla dhe nuk kam marrë pjesë në to”, thotë Paniq.
I sanksionuari i dytë që lidhet me grupin secesionist, Sinisha Karan, njëherësh ministër i Brendshëm i Republikës Sërpska, nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për komente.
Llazar Stjepanoviq, përfaqësues ligjor i Republikës Sërpska, ishte një prej anëtarëve të grupit të punës për ndarjen paqësore të Republikës Sërpska nga Federata e Bosnje e Hercegovinës.
Stjepanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e di se cilit grup specifik i referohet OFAC-u, por supozon se “janë ata për të cilët bëhet fjalë”.
Ai thotë se pas takimeve fillestare, menjëherë pas formimit, grupi nuk është takuar më.
Llazar Stjepanoviq.
“Grupi punues është mbledhur dhe pastaj nuk kemi pasur ndonjë aktivitet. Të paktën mesa di unë. Nuk kam qenë i përfshirë, ndoshta ka ndodhur diçka pa mua”, thotë Stjepanoviq.
Në anën tjetër, Darko Qullum, drejtor i Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes në Bosnje e Hercegovinë (SIPA), thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo agjenci nuk është informuar për ndonjë plan për shkëputje apo grupe pune, ndërsa Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse është duke i hetuar pretendimet në fjalë.
Nga Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, ndërkaq, thanë se për shkak të inaugurimit të presidentit amerikan më 20 janar, nuk punojnë.
Nuk kishte takime nga frika e sanksioneve?
Opozita parlamentare në Republikën Sërpska pajtohet se bëhet fjalë për një grup pune të formuar nga Qeveria e Republikës Sërpska për “ndarjen paqësore të Republikës Sërspka dhe Federatës së Bosnje e Hercgovinës”.
“Përveç nëse ata [OFAC-u] kanë ndonjë informacion tjetër, se një grup joformal është krijuar dhe se ka bërë diçka në prapaskenë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Igor Cërnadak, kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Progresit Demokratik.
Ai thekson se, sipas informacioneve të tij, grupi i punës nuk është takuar, për shkak se pjesëtarët e tij kanë pasur frikë nga sanksionet dhe kanë menduar se në atë mënyrë do t’u shmangen atyre.
“Ne e kemi kërkuar atë informacion në seanca, na tregoni se çfarë po bëhet… Ata, thjesht, kanë heshtur”, thotë Cërnadak.
Shkëputja “indirekte” e Republikës Sërpska
Autoritetet e Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Millorad Dodik, nuk kanë ndërmarrë hapa të qartë drejt shkëputjes nga Bosnje e Hercegovina, por, megjithatë, kanë zbatuar një sërë hapash që i reduktojnë fuqitë shtetërore.
Marsin e kaluar, në vlerësimin e tij vjetor, Komuniteti i Inteligjencës i SHBA-së vuri në dukje se Dodik “po ndërmerrte hapa provokues për të neutralizuar monitorimin ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.
Në verë të vitit 2023, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje që parashikojnë moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës në territorin e këtij entiteti, si dhe kërkojnë që vendimet e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, të mos botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.
Për shkak të nënshkrimit të dekretit për shpalljen e këtyre ligjeve, para Gjykatës në Bosnje e Hercegovinë është duke u zhvilluar një gjyq kundër Dodikut.
Dodik, gjithashtu, ka kërcënuar me shkëputje nëse Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë imponon një ligj për pronën shtetërore.
Dhjetëra mijëra protestues, të udhëhequr nga studentët universitarë, organizuan një protestë masive para selisë së televizionit shtetëror RTS në Beograd, duke denoncuar njëanshmërinë pro-qeveritare të transmetuesit.
Protesta ndodhi një ditë pas një incidenti të rëndë, ku një student u plagos rëndë pasi një shofer përplasi makinën e tij në një turmë protestuesish në kryeqytetin serb.
Demonstrata, një nga më të mëdhatë në vite kundër RTS-it, është pjesë e një valë të gjerë protestash që kanë përfshirë vendin pas shembjes së një tende betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit nëntorin e kaluar, ku humbën jetën 15 persona.
Protestuesit kritikojnë televizionin shtetëror për raportimin e njëanshëm dhe akuzat e presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili i ka cilësuar protestat si të nxitura nga shërbimet sekrete të huaja me qëllim destabilizimin e qeverisë së tij.
Gjatë protestës, turma heshti për 15 minuta për të nderuar secilën prej viktimave të shembjes, ndërsa brohoriti gjithashtu për një grevë të përgjithshme në mbarë vendin.
Protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, duke e fajësuar atë për punimet e parregullta të rinovimit në ndërtesën e stacionit të trenit, të realizuara në kuadër të marrëveshjeve me kompani kineze. Ky incident është kthyer në një pikë kritike për pakënaqësinë publike ndaj, sipas tyre, qeverisjes gjithnjë e më autokratike të Vuçiqit.
Protestat, që nisën më 1 nëntor, janë mbajtur çdo ditë në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera, shpesh duke përfunduar me tensione apo incidente të dhunshme.
Në një nga incidentet më të fundit, një shofer në Beograd goditi një protestuese, duke shkaktuar plagë të rënda në kokë, dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Policia arrestoi shoferin dhe e akuzoi për tentativë vrasje.
Përveç kësaj, në Novi Sad, një burrë kërcënoi protestuesit me thikë, ndërsa në Beograd, policia e trazirave dëboi politikanë të opozitës nga Bashkia e qytetit, ku ata po mbështesnin protestat studentore.
Presidenti Vuçiq ka dënuar protestat, duke i cilësuar ato si përpjekje të dhunshme për të rrëzuar qeverinë dhe ka mbajtur anën e qytetarëve që kundërshtojnë bllokimet e trafikut. Ndërkohë, opozita e akuzon atë për krijimin e një atmosfere të dhunshme në vend me retorikën e tij kundër protestave./ Euronews – Syri.Net
Komentet