VOAL

VOAL

Berlusconi rikthehet në politikën italiane

November 8, 2017

Komentet

Zyrtari i NATO-s bisedon me Bislimin për urën në Mitrovicë në margjinat e dialogut në Bruksel

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, i tha kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret “përmes dialogut dhe në bashkërendim” me bashkësinë ndërkombëtare, njoftoi NATO-ja të martën vonë.

NATO-ja njoftoi në uebsajtin e vet se Goffus, së bashku me komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat, pati takime të ndara me Bislimin dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në margjinat e rundit të ri të bisedimeve mes dy vendeve të martën në Bruksel.

“Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione bisedoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe shpalosi shqetësimet e sigurisë në rast të hapjes së mundshme për trafik të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Goffus theksoi nevojën për një “zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Ai nënvizoi se vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në kohë të duhur e në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe në një mënyrë që nuk e vë në rrezik komunitetin lokal apo trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim.

Ai tha se KFOR-i ka prani mbi urë dhe po vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përrreth.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Hapja e urës – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe – u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe nga vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, të cilët thanë se ajo nuk duhet të hapet “në këtë kohë”.

Serbët lokalë protestuan kundër hapjes së urës gjithashtu.

Prej atëherë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës.

Goffus ishte për një vizitë në Prishtinë në fund të gushtit, ku u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe tha se shtimi i trupave të KFOR-it nuk ishte zgjidhja.

Ndërkohë, Bislimi dhe Petkoviq zhvilluan nga dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.

Ata e akuzuan njëri-tjetrit për dështimin e takimit trepalësh. Bislimi tha se Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Por, Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi trepalësh për shkak të insistimit të palës serbe në tema si, Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Bislimi tha pas takimit se me Lajçakun kishte biseduar edhe për çështjen e urës, por nuk përmendi se kishte takim edhe me zyrtarin e lartë të NATO-s.

Ai tha se u pajtua me Lajçakun që Kosova dhe Brukseli të diskutojnë në të ardhmen edhe për mënyrën se si të veprohet me hapjen e urës mbi lumin Ibër, pa dhënë më shumë hollësi. REL

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë paralajmëron: Nëse Ukraina humb luftën, Moldavia do të jetë shteti i radhës që do pushtohet

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka paralajmëruar se në rast se Ukraina do ta humbte luftën me Rusinë, “Moldavia do të ishte shteti i radhës”.

 

Ajo ka thënë të martën para gazetarëve se vetëm përkrahja për Ukrainën e garanton mbijetesën e Moldavisë, shtet fqinj me Ukrainën dhe Rusinë, ka raportuar Reuters.

Sipas saj, gjithçka që duhet bërë nënkupton edhe për stabilitetin e Moldavisë.

“Është e qartë se cili është shqetësimi kryesor i njerëzve; nëse Ukraina bie, Moldavia është shteti i radhës”, ka thënë Baerbock.

Ministrja gjermane ka vizituar kryeqytetin moldav Kishinau, për Platformën e Partneritetit me aleatë nga Franca dhe Rumania.

Gjatë vizitës, Baerbock ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte i vendosur ta destabilizonte Moldavinë, “por e arriti të kundërtën pasi Moldavia tash është në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Moldavia ka qenë kandidate serioze që nga 2022-a për anëtarësim në BE.

Mbyllet raundi i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, s’ka takim trepalësh

Kanë përfunduar takimet e ndara të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, ndërsa pala evropiane nuk ia doli që t’i bindë ata për një takim të përbashkët.

Faktin se nuk do të ketë takim trepalësh, këtë e konfirmoi Besnik Bislimi, i cili dy herë është takuar me Lajçakun gjatë ditës. Kryenegocitorët kanë zhvilluar takime të ndara me Lajçak gjatë kësaj të marte.

Është ky një nga tentimet e palës evropiane që të organizojë një raund dialogu në nivel te kryenegociatorëve, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të vijë deri tek takimi i përbashkët.

Një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet ne fjalë kë thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara.

Bislimi 2 orë takim me Lajçak
Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës ka përfunduar takimin e ndarë më Lajçak i cili kishte filluar në orën 9 dhe ka zgjatur gati 2 orë. Një takim të ngjashëm, me pas ai e ka zhvilluar edhe me homologun e Bislimit nga Beogradi, Petar Petkoviç, kryenegociatori serb.

Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në raundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.

Se kishte keqkuptime rreth agjendës, këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk u dakorduan me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane./ RTK

Gjuriq hesht pasi homologu i tij estonez tha se është e papranueshme t’i shtrëngosh duart me kriminel lufte

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka qëndruar dje për një vizitë zyrtare në Estoni, vizita e parë e një ministri serb në Talin pas plotë 14 vitesh, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë dekonstruktiviteti serb dhe afërsia me Rusinë e Vladimir Putinit s’ka kaluar pa u përmendur dhe kritikuar nga kryediplomati estonez, Margus Tsahkna.

“Është e papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte që është duke provuar të rrezikojë sigurinë e Evropës dhe sovranitetin e Ukrainës”, ka shkruar kryediplomati estonez në njoftimin e tij pasi kishte pritur Gjuriqin në takim zyrtar.

Gjuriq ndërkohë në njoftimin e tij për takimin s’e ka pasur asnjë fjalë për kritikën e fortë të kryediplomatit estonez për takimet që zv.kryeministri i Serbisë, Aleksander Vulin, ka zhvilluar me Vladimir Putinin.

Diplomati serb ndërkohë ka parur kohë që të ankohet për Veriun e Kosovës dhe për veprimet e “një anshme dhe të pa koordinuara të regjimit të Kurtit”./Express/

Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos komisionare të Zgjerimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti të martën përbërjen e re të Komisionit Evropian, e cila do të ketë mandat pesëvjeçar.

Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos.

Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.

Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj.

“Çdo anëtar i ekipit tim do të sjellë përvojën dhe perspektivat e veta për Evropën”, shkroi von der Leyen në platformën X.

Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit.

Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar.

Autoritetet sllovene kanë ndërruar në momentin e fundit kandidatin e tyre, për t’i ndihmuar von der Leyenit të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta.

Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, ka refuzuar ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kosit.

Për pasojë, von der Leyen nuk ka mundur ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ka qenë e planifikuar, por e ka shtyrë për 17 shtator.

Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjet që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.

Opozita në Slloveni ka akuzuar Kosin se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.

Kos ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe në Zvicër.

Më herët ka punuar edhe në Qeverinë e Sllovenisë si drejtore për raportet me mediat.

Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar. Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare, përkatësisht 27.

Von der Leyen ka përsëritur disa herë se, gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar, do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së. REL

Një makinë përfundon mes publikut në Sallonin e Autove në Torino

VOAL-  Shoferi i një makine rally humbi kontrollin e makinës gjatë paradës në Motor Show në Torino, duke u përplasur me barrierat pas të cilave ndodhej publiku. Dymbëdhjetë persona ishin të përfshirë. Disa u dërguan në spital, ndërsa të tjerët u trajtuan në vendngjarje. Aksidenti ka ndodhur në Piazza San Carlo. Policia ka nisur hetimet me drejtuesin e mjetit dhe organizatorët e ngjarjes. Sipas një rikonstruksioni fillestar, drejtuesi i Lancia Delta ka bërë manovër të gabuar. Makina po udhëtonte me shpejtësi të ulët. Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje me dy ekipe nga Kryqi i Gjelbër i Torinos dhe dy nga Kryqi i Kuq i Moncalieri.ANSA/RSI

Presidentja e KE takim me liderët e rajonit, Von der Leyen pret krerët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel të enjten

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, më 19 shtator do të zhvillojë një takim me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha zëdhënësi Eric Mamer.

Sipas zëdhënësit të KE-së, takimi i së enjtes do të mbahet në ndërtesën e Komisionit Evropian në Bruksel.

Liderët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë janë të ftuar në takimin e von der Leyen, por emrat se cilët do të përfaqësojnë secilin shtet ende nuk janë bërë të ditur ende.

Më 27 qershor të këtij viti, Këshilli Evropian emëroi von der Leyen për një mandat të dytë si presidente të Komisionit Evropian. Më 18 korrik, ajo u rizgjodh për një mandat pesë-vjeçar pas një votimi të fshehtë në Parlamentin Evropian. bw

Përmbytjet historike në Evropën Qendrore rritin evakuimet

Një digë në Poloninë Jugperëndimore shpërtheu dje në mbrëmje vonë, pas reshjeve të dendura, ndërsa ekipet e emergjencës në Poloni, Çeki dhe pjesë të Austrisë vazhdojnë të përballen me përmbytje të mëdha, të konsideruara historike, për shkak të reshjeve që nuk kanë të pushuar në të gjithë Evropën Qendrore.

Komuna e Silezisë së Poshtme, Bystrzyca Klodzka, në Poloni tha se diga në Miedzygorze ishte tejmbushur, pavarësisht përpjekjeve për të larguar ujin dhe për të parandaluar përmbytjen.

Autoriteti Rajonal i Menaxhimit të Ujit në Wrocław e quajti situatën ”kritike” duke nxitur evakuime nga fshatrat.

Diga, e ndërtuar në fillim të shekullit XX në luginën Klodzko, në kufirin e Polonisë me Çekinë, është 29 metra e lartë.

Rezervuari i saj i kontrollit të përmbytjeve mund të mbajë pothuajse një milion metra kub ujë.

Që nga mëngjesi i së premtes, më shumë shi ka rënë në Poloninë Jugperëndimore sesa gjatë të ashtuquajturës përmbytje të mijëvjeçarit, të vitit 1997, dhe niveli i alarmit është tejkaluar në 47 stacione matëse në të gjithë vendin.

Reshjet e dendura në rajonin e lumenjve Elba dhe Vltava në Çeki shkaktuan rritjen e nivelit të ujit të Elbës.

”Autoritetet kanë lëshuar nivelin e tretë të alarmit për përmbytjet për rreth 20 lumenj dhe përrenj. Më shumë se 60 000 familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive të forta”, njoftoi agjencia çeke e lajmeve CTK.

Zona e Mikulovices, pranë kufirit polak, u përmbyt në mëngjes herët, siç shihet në pamjet e publikuara nga televizioni çek në platformën e mediave sociale X.

Në qytetin jugor të Ceske Budejovice, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse dhe Vltava që nga mbrëmja e së premtes.

Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltava ishin të plota, me barriera përmbytëse që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit.

Trafiku i transportit është pezulluar.

Nivelet e ujit në lumenjtë në Çeki pritet të rriten më tej gjatë fundjavës, sipas meteorologëve.

Disa zona kanë parë nga 50 deri në 110 litra reshje për metër katror që nga e premtja.

Ndërkohë, në Austri, 42 komuna janë shpallur zona katastrofash pasi nivelet e përmbytjeve në vend vazhduan të rriteshin.

Situata është veçanërisht e tensionuar përgjatë lumenjve Kamp dhe Kremps, të cilët derdhen në Danub.

Stephan Pernkopf, zëvendësguvernator i Austrisë së Poshtme, tha se mbrojtja e rajonit nga përmbytjet – e forcuar pas përmbytjeve të rënda në 2002 – ishin krijuar për t’i bërë ballë përmbytjeve që ndodhin statistikisht një herë në 100 vjet.

Megjithatë, me reshjet e dendura të shiut që pritet të vazhdojnë, meteorologët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet.

Ata thonë se Danubi mund të arrijë nivelet që shihen një herë në 30 vjet në rajonet Weinviertel dhe Mostviertel të Austrisë.

Të paktën pesë persona u vranë në Rumaninë Lindore të shtunën pasi vendi u godit nga shirat e dendur dhe përmbytjet.

Ukraina, më afër marrjes së lejes për sulme me armë me rreze të gjatë brenda Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për muaj të tërë po u lutet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë që t’i japin të drejtë që të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar thellë brenda Rusisë.

Ai, më në fund duket se është afër arritjes së këtij qëllimi.

Javëve të fundit ka pasur një momentum lidhur me heqjen e këtyre kufizimeve, para se të mbahej një takim kyç mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer, në Uashington më 13 shtator. Dy liderët pritej të diskutonin mbi mbështetjen për Ukrainë, por jo edhe që zyrtarisht të njoftonin për ndryshim të kësaj politike.

Por, vetë takimi dhe informacionet e tjera të raportuara gjatë javës dhanë pamjen se diçka po ndodhte. I pyetur më 11 shtator nëse ai do të hiqte kufizimin për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, Biden tha “ne po punojmë për këtë”, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e tij. Deklarata erdhi pasi shumë anëtarë të Kongresit amerikan, përfshirë edhe nga Partia e tij Demokratike, i bënë thirrje presidentit që të zbuste politikën e tij.

“Pres që së shpejti të shohim një njoftim për lehtësimin e kufizimeve. Ka pasur një intensifikim të jashtëzakonshëm drejt kësaj dhe do të ishte shumë e vështirë që të ketë një tërheqje”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Institucionale.

“Dyshoj se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar po përcaktojnë kushtet, veçmas sa i përket caqeve, sepse ata do të duan të kufizojnë sulmet vetëm në caqe ushtarake, në mënyrë që të shmangen viktimat civile”.

Caqet e mundshme të lejuara për sulme me rreze të gjatë veprimi do të përfshinin bazat ajrore, qendrat logjistike, depotë dhe selitë, tha ai.

Që nga fillimi i këtij viti, Ukraina vazhdimisht ka goditur asetet energjetike të Rusisë, në veçanti rafineritë e naftës dhe objektet e magazinimit, me dronët e saj që i ka prodhuar vetë, që kanë rreze të gjatë veprimi. Edhe pse ato janë caqe legjitime ushtarake brenda Rusisë, administrata Biden nuk ka shprehur mbështetje për sulme të tilla.

Gazeta britanike, Guardian, raportoi më 12 shtator se Londra veçse i ka dhënë dritën e gjelbër Ukrainës që të përdorë raketat e saj lundruese, Storm Shadow – të cilat mund të udhëtojnë deri në 250 kilometra – për sulme me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus. Londrës i duhet të marrë leje nga Uashingtoni për këtë, pasi raketat kanë pjesë amerikane.

Duke i dhënë leje Ukrainës për përdorimin e Sistemit Raketor Taktik Ushtarak (ATACMS) – një raketë e fuqishme hipersonike, balistike, që mund të udhëtojë deri në 300 kilometra – për të shkatërruar asetet e ushtrisë ruse larg nga vija e frontit, do të ishte në linjë me modelin e vendosur nga administrata Biden që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Administrata Biden fillimisht kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për tanket Abrams, për avionët luftarakë F-16 ,për Sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe ATACMS, pjesërisht për shkak të shqetësimit se Rusia mund t’i shihte si provokim. Biden përfundimisht u dorëzua para këtyre kërkesave, pas rritjes së presionit nga Ukraina, aleatët dhe nga presioni brenda SHBA-së.

Më herët gjatë këtij viti, teksa forcat ruse u përqendruan pranë kufirit me qëllim që të ripushtonin Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, administrata Biden zbuti politikën e saj dhe i lejoi Ukrainës që të përdorte raketat ATACMS për të sulmuar në zonat kufitare në Rusi, por jo thellë brenda territorit rus.

Bombat rrëshqitëse

Thirrja për lehtësimin e kufizimeve sa i përket sulmeve me rreze të gjatë veprimi është rritur gjatë këtij viti, përderisa Rusia po vazhdon të terrorizojë trupat ukrainase dhe qytetet përmes sulmeve me bombat e fuqishme rrëshqitëse, që vështirë detektohen nga radarët. Në qershor, Zelensky tha se Rusia po gjuante në Ukrainë deri në 3.000 bomba rrëshqitëse në muaj.

Sulmet nga ajri i pozicioneve ukrainase u ka mundësuar trupave tokësore ruse – megjithëse me kosto të madhe me jetë dhe pajisje – të fitojnë territor, duke kërcënuar qytetet kyçe logjistike, sikurse Pokrovsku.

Mbrojtja më e mirë kundër bombave rrëshqitëse është duke i shkatërruar avionët që i lëshojnë ato dhe duke i larguar këta avionë nga vijat e frontit, diçka që mund të arrihet duke sulmuar bazat ajrore, thanë ekspertët.

Por, Cancian pajtohet me deklaratën që bëri javën e kaluar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili tha se lehtësimi i kufizimeve nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës në favor të Ukrainës.

Cancian vuri në pah ndikimin e kufizuar që kanë pasur deri më tani armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi në Krimenë e kontrolluar nga Rusia. Ukraina ka goditur me këto armë bazat ajrore dhe asete të tjera ushtarake të Rusisë në këtë gadishull. Përderisa, sulmet kanë dobësuar aftësitë e Moskës, ato nuk kanë qenë vendimtare për luftën, tha ai.

Ai shtoi se përdorimi i raketave precize me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë do ta bënte më të vështirë për Moskën që të kryejë sulme me bomba rrëshqitëse dhe do ta detyronte që të shpërndante selitë ushtarake dhe qendrat logjistike, duke bërë që operacioni i saj ushtarak të ishte më pak efikas.

“Nuk do ta ndryshonte lojën, por do të ndihmonte”, tha ai.

Kërcënimet e Putinit

Teksa u rrit momentumi gjatë kësaj jave lidhur me lehtësimin e kufizimeve, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri paralajmërimin e tij të fundit ndaj Perëndimit lidhur me mbështetjen e Ukrainës. Ai tha se do ta shihte ndryshimin e një politike të tillë si “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” të shteteve të NATO-s në luftën në Ukrainë. Megjithatë, ai nuk tregoi se si do të reagonte.

Më 2022, Putin kishte lënë të kuptohej se do të përdorte armë taktike bërthamore, deklaratë që nxiti një përgjigje të menjëhershme negative në mbarë botën, përfshirë edhe nga vendet mike, sikurse India. Më herët gjatë këtij viti, pas ndryshimit të fundit të politikës së SHBA-së, Putin tha se Rusia mund të furnizojë me armë vdekjeprurëse kundërshtarët perëndimorë.

Deklarata të tilla të Putinit kanë ndikuar që administrata Biden të ketë një qasje të kujdesshme sa i përket furnizimit të Ukrainës me armë gjithnjë e më të sofistikuara, sikurse janë avionët luftarakë F-16, me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe sa i përket lejimit të kryerjes së sulmeve brenda Rusisë. Disa ekspertë argumentojnë se kërcënimet e Putinit janë boshe, duke thënë se ai asnjëherë deri më tani nuk e ka çuar deri në fund ndonjë kërcënim dhe SHBA-ja nuk duhet t’i marrë parasysh këto kërcënime.

David Kramer, i cili ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut nga 2008 deri më 2009, gjatë një konference më 12 shtator deklaroi se Putini po e përdor kërcënimin bërthamor për të minuar vendosmërinë e Perëndimit, shkruan REL.

“Realisht, unë paralajmëroj kundër mbivlerësimit të mundësisë së përshkallëzimit bërthamor. Kjo është ajo që Putini dëshiron që ne të mendojmë. Le të mos biem pre e këtij provokimi”, tha Kramer, ekspert për Rusinë, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit George W.Bush. REL

Rrezikon 15 vjet burg- Vonoi zbarkimin e 147 emigrantëve, nis procesi kundër Matteo Salvinit

Historia daton në gusht 2019, kur OJQ-ja spanjolle, pasi shpëtoi 147 emigrantë në ngushticën e Siçilisë, qëndroi në det për disa ditë në pritje për t’u lejuar të zbarkonte.

“Rrezikon 15 vite burg, ka të drejtë të mbrohet, por nuk ka pasur të drejtë të bëjë atë që ka bërë”. Me këto fjalë Oscar Camps, themeluesi i OJQ-së spanjolle Open Arms, komenton qëndrimin e Matteo Salvinit para se të hynte në dhomën e bunkerit të burgut Pagliarelli në Palermo, ku sot filloi aktakuza e gjyqit në të cilin përballet lideri i Lidhjes dhe ministri aktual i Infrastrukturës, i akuzuar për rrëmbim dhe refuzim të akteve zyrtare, duke vonuar zbarkimin e 147 emigrantëve nga bordi i anijes së OJQ-së Open Arms në gusht 2019, kur ishte ministër i Brendshëm.

Në përgjigje, zëvendëskryeministri ka reaguar në rrjetet sociale ku shprehet: “Mbrojtja e kufijve nga emigrantët e paligjshëm nuk është krim”.

Por pikërisht në dhomën e bunkerit të burgut Pagliarelli në Palermo, ku Salvini nuk është i pranishëm, vendoset fati i liderit të Ligës së Veriut.


Prokurori publik do të përpiqet të argumentojë se si Salvini kishte kryer një “rrëmbim” duke vepruar “në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe rregullat e brendshme në lidhje me shpëtimin në det dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” duke “abuzuar me kompetencat që i janë besuar si autoritet kombëtar i sigurisë publike”.

Një nga pikat kyçe të gjyqit, ndoshta kryesorja, është ekspozuar nga prokurori publik Gery Ferrara në aktakuzë: “Kur Salvini bëhet Ministër i Brendshëm, vendimet për menaxhimin e zbarkimeve dhe lëshimin e POS-ve (zbarkimi leje, në një vend të sigurt) zhvendosen nga Departamenti i Lirive Civile dhe Emigracionit në kabinetin e ministrit dhe në veçanti është ministri ai që vendos”.

Gjyqi në vazhdim, saktësoi prokurori publik Ferrara, “nuk është një gjyq politik”.

Sipas prokurorisë, Salvini, i cili mohoi autorizimin për zbarkimin e të humburve, nuk kreu një akt politik, por një zgjedhje personale që shkonte përtej vijës qeveritare të ekzekutivit Conte 1, lidhur me rishpërndarjen e emigrantëve në Evropë. Një linjë e mohuar edhe nga kryeministri i atëhershëm Giuseppe Conte.

Në sallën e gjyqit, zëvendësprokurorja e Palermos Marzia Sabella gjatë aktakuzës, deklaroi se rreziku që në bordin e Open Arms të kishte prani të terroristëve mes të humburve të paidentifikuar ishte i pabazuar. Kjo sepse, shpjegoi Sabella, “askush nuk kishte hyrë në bord për të kontrolluar nëse kishte dokumente dhe së dyti është diskriminues dyshimi se mund të kishte terroristë vetëm nga kombësia e migrantëve”.

Si kreu i Ministrisë së Brendshme, Salvini “kishte detyrimin të tregonte një vend të sigurt për zbarkimin e emigrantëve nga anija “Open Arms”, tha zëvendësprokurorja e Palermos Marzia Sabella, duke nënvizuar kushtet “të tmerrshme” psikofizike të migrantëve në bordin e anijes.

Në fund të kësaj pjese të aktakuzës, avokatja Giulia Bongiorno, senatorja e Lidhjes dhe gjithashtu ministre në qeverinë Conte 1, komentoi jashtë sallës së gjyqit se kishte dëgjuar një aktakuzë “kundër një linje të qeverisë, jo kundër Salvinit”.

Për gazetarët, Bongiorno u shpreh se “prokurori publik po procedon me një aktakuzë kundër dekretit të sigurisë bis që është një akt i qeverisë dhe kundër vijës politike të rishpërndarjes së pari dhe më pas zbarkimit. Ai në fakt ka shprehur një gjykim sfidues të madh për këtë linjë, e realizuar nga e gjithë qeveria”.

Për avokatin që mbron zv.kryeministrin është “një aktakuzë disi kontradiktore sepse premisa është: nuk po hedhim në gjyq qeverinë, por dekreti bis i sigurisë është në kundërshtim me Kushtetutën”.

Në mbrojtje të Salvinit është edhe Antonio Tajani, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm aktual i Italisë.

“Salvini e ka kryer detyrën e tij si ministër. Jam i bindur se ka gjithmonë një gjyqtar që njeh korrektësinë e sjelljes së një ministri, detyra e të cilit është gjithashtu për të mbrojtur ligjshmërinë, dhe unë besoj se Salvini e ka bërë këtë”, tha ai.bw

Stoltenberg: NATO mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar pushtimin e Ukrainës! Fundi i luftës do të arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve

NATO mund të kishte bërë më shumë për të armatosur Ukrainën në përpjekje për të parandaluar pushtim rus në vitin 2022, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

 

“Përderisa ne i ofrojmë mjete ushtarake teksa ndodhet në luftë, atëherë mund t’ia kishim siguruar për të parandaluar luftën”, tha kreu në largim i NATO-së për gazetën gjermane FAS.

Stoltenberg vuri në dukje hezitimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut për të ofruar armët që Kievi kishte kërkuar përpara pushtimit të plotë nga Rusia për shkak të frikës se tensionet me Moskën do të përshkallëzoheshin.

Pas fillimit të luftës, Kievi, i cili nuk është anëtar i NATO-s, mori një sistem armësh nga aleatët e tij pas hezituan fillimisht.

Stoltenberg, ish-kryeministri i Norvegjisë, do të japë dorëheqjen në tetor nga roli i tij në NATO, të cilin e mban që nga viti 2014. Ish-kryeministri holandez Mark Rutte u shpall në qershor si kreu i ardhshëm i organizatës.

Në intervistë, Stoltenberg tha se fundi i luftës në Ukrainë do të arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve.

“Për t’i dhënë fund kësaj lufte do të duhet të ketë sërish dialog me Rusinë në një fazë të caktuar. Por duhet të bazohet në forcën ukrainase,” tha ai.

Stoltenberg nuk pranoi të konfirmonte se do të merrte detyrën nga diplomati gjerman Christoph Heusgen si kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut pas largimit nga NATO. Ai tha për FAS se kishte “shumë opsione” dhe se do të banonte në Oslo. Panorama

Presidentja Osmani flet për kërcënimet e Vuçiçit: Tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, do të përballet me institucionet e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, ka folur për kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se nesër mund ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar.

Osmani tha se Vuçiçi mund të shpallë çfarë të dojë, por tha se realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.

“Shpresoj që këto fjalë të Vuçiçit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda”.

“Në fakt, është i njëjti njëri, që ka qenë ministër i Propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’i sulmojë e t’i shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë që ta shohim dhe ta pranojmë këtë realitet, edhe shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë”, tha Osmani në Edicionin Special.

Tutje, Osmani e paralajmëroi presidentin serb se çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës.

“Fytyra e vërtetë e Vuçiçit është ajo që i kërcënon shtetet fqinje me okupim. Nuk ka Vuçiç tjetër, nuk ka Vuçiç pro-paqe, por ka Vuçiç që shkakton destabilitet, që do ta kthej rajonin prapa, por assesi nuk do ta lejojmë”.

“Çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa, nuk lejojmë kthim prapa”, tha ajo.bw


Send this to a friend