VOAL

VOAL

Berisha: ‘Richard Hodges nuk duhet t’i afrohet Butrintit dhe duhet shpallur person i padëshirueshëm!’

July 25, 2022

Komentet

100 studiues ngrenë alarmin: Skënder Gjinushi nuk pyet për ligje e VKM, ka marrë peng Akademinë e Shkencave

 

Punonjësit e instituteve albanologjike kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve, duke pretenduar se nuk po zbatohen vendimet e qeverisë për kategorizimin, pagat dhe trajtimin financiar të personelit kërkimor…

Rreth 100 studiues dhe punonjës kërkimorë-shkencorë të katër instituteve albanologjike dhe të Qendrës Kërkimore të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i janë drejtuar institucioneve më të larta të shtetit, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për rivendosjen e ligjshmërisë në trajtimin financiar të personelit kërkimor.

Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Financave, Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, studiuesit pretendojnë se Akademia e Shkencave nuk po zbaton legjislacionin në fuqi që rregullon statusin, kategorizimin dhe nivelin e pagave të punonjësve kërkimorë-shkencorë.

AdChoices

WERBUNG

Sipas tyre, problematika ka nisur në muajin prill të këtij viti, kur profesorati i Institutit të Historisë iu drejtua zyrtarisht Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, duke kërkuar zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 793, datë 24 dhjetor 2025, si dhe të VKM-së nr. 175, datë 19 mars 2026, të cilat përcaktojnë kriteret e kategorizimit, nivelin e pagave dhe shpërblimin për punën kërkimore-shkencore.

Sipas studiuesve, kërkesa nuk synonte trajtim preferencial apo privilegje, por vetëm zbatimin e legjislacionit në fuqi. Ata pretendojnë se, pavarësisht kalimit të disa muajve, Akademia e Shkencave nuk ka dhënë asnjë përgjigje juridike mbi arsyet e moszbatimit të këtyre akteve.

Në vend të një përgjigjeje zyrtare, studiuesit thonë se u është përcjellë një shkresë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e hartuar rreth 40 ditë përpara se ata t’i drejtoheshin Akademisë së Shkencave dhe përpara miratimit të VKM-së nr. 175, dokument që, sipas tyre, nuk lidhet me objektin e kërkesës.

Përballë kësaj situate, ata vendosën t’u drejtohen institucioneve të tjera shtetërore, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të Akademisë së Shkencave.

Në kërkesën e tyre, studiuesit pretendojnë se nuk po zbatohen një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, mes tyre VKM-ja nr. 821 e vitit 2023 për organizimin e instituteve albanologjike, Ligji nr. 109/2024 “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”, VKM-ja nr. 793/2025 për kategorizimin e punonjësve kërkimorë-shkencorë, VKM-ja nr. 12/2026 dhe Udhëzimi nr. 2 i Ministrisë së Financave për indeksimin e pagave në sektorin publik, si dhe VKM-ja nr. 175/2026 për nivelin e pagave dhe shpërblimin e personelit kërkimor.

Sipas tyre, moszbatimi i këtyre akteve ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta financiare. Studiuesit pretendojnë se nuk kanë përfituar indeksimin e pagave për vitin 2026, nuk janë përfshirë në procedurat e reja të kategorizimit dhe nuk kanë marrë përfitimet financiare të parashikuara nga vendimet e qeverisë, duke krijuar, sipas tyre, një trajtim të pabarabartë me punonjësit e institucioneve të tjera publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e administrimit të instituteve albanologjike pas integrimit të tyre në Akademinë e Shkencave. Studiuesit pretendojnë se prej më shumë se dy vjetësh e gjysmë nuk janë zhvilluar zgjedhjet akademike të parashikuara nga legjislacioni, ndërsa drejtimi i instituteve vijon të ushtrohet nga struktura të emëruara.

Po ashtu, sipas tyre, Statuti i ri i Akademisë së Shkencave përmban dispozita që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke parashikuar procedura të ndryshme nga ato të miratuara nga Këshilli i Ministrave për kategorizimin dhe trajtimin e personelit kërkimor.

Në letrat drejtuar institucioneve shtetërore ngrihen gjithashtu pretendime edhe për trajtimin financiar brenda vetë Akademisë së Shkencave. Studiuesit shprehen se administrata qendrore dhe institutet albanologjike funksionojnë me dy skema të ndryshme pagash. Sipas tyre, administrata ka përfituar indeksimin dhe rritjen e pagave, ndërsa personeli kërkimor jo, duke bërë që në disa raste paga e punonjësve administrativë të jetë e barabartë ose më e lartë se ajo e profesorëve të instituteve.

Një tjetër çështje që kërkohet të verifikohet lidhet me administrimin e të ardhurave të krijuara nga aktivitetet ekonomike të instituteve albanologjike, përfshirë të ardhurat nga qiraja e ambienteve të Universitetit “Luarasi”. Studiuesit pretendojnë se këto të ardhura nuk janë përdorur në përputhje me legjislacionin për përmirësimin e trajtimit financiar të profesoratit dhe kërkojnë transparencë të plotë mbi administrimin e tyre.

Sipas studiuesve, çështja nuk lidhet vetëm me pagat, por me zbatimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e hierarkisë së akteve normative. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e situatës, të përcaktojnë përgjegjësitë për moszbatimin e legjislacionit dhe të marrin masa për rivendosjen e trajtimit të barabartë dhe kompensimin e të drejtave financiare të punonjësve kërkimorë.

Ata theksojnë se, pas disa muajsh korrespondencë me institucionet, ende nuk kanë marrë një përgjigje juridike për thelbin e kërkesave të tyre, përveç disa përgjigjeve formale, të cilat, sipas tyre, nuk adresojnë problematikat e ngritura. Për këtë arsye, presin ndërhyrjen e institucioneve kushtetuese për të garantuar zbatimin e njëjtë të ligjit në të gjitha institucionet publike të kërkimit shkencor në vend./Pamfleti

“Nesër të mos lejojmë deputetët të hyjnë në Parlament”- Ish-luftëtari i UÇK: Qëllimi është largimi me çdo kusht i Ramës, s’ka zgjidhje tjetër, nëse nuk ikën…

Nëse kryeministri Edi Rama nuk kupton të largohet në mënyrë paqësore nga protesta, atëherë do të gjendej zgjidhje dhe rrugë të tjera, deri në bllokim të institucioneve, rrugëve e të tjera.

Kështu u shpreh sot nga studio e televizionit News24 Meçan Zotaj, një nga organizatorët e protestës popullore që sot hyn në ditën e 53-të të saj dhe ish-luftëtar i UÇK-së.

Ai propozoi që kryeministri të mos ketë më shumë se dy mandate në detyrë, pasi në të kundërtën bëhet mbret, teksa vuri në dukje sjelljen arrogante të Ramës në fyerjet dhe sulmet ndaj protestuesve, ashtu siç bën edhe me bashkëpunëtorët e tij të afërt në PS.

“Kryeministri nuk duhet të ketë më shumë se dy mandate. Nëse një kryeministër i kalon më shumë se dy mandate, ai e shikon veten si mbret. Dhe një kryeministër si Edi Rama që për mendimin tim ka probleme sociopatik për mendimin tim, që nuk i vlerëson njerëzit që ka përballë, i ofendon dhe shan, e dinë më mirë ata bashkëpunëtorët e tij të partisë Socialiste se çfarë heqin prej tij”, tha ai mes të tjerash.

Më tej Zotaj u shpreh se nuk ka alternativë tjetër përveçse largimit me çdo kusht të qeverisë dhe kryeministrit dhe kjo nuk ishte e pamundur.

Teksa propozoi dhe ftoi qytetarët që nesër, (e enjte, 23 korrik), të bllokonin Parlamentin dhe të mos lejonin deputetët të hynin brenda.

“E vështirë, por jo e pamundur të hiqet. Protestuesit të mos lejojnë deputetët të hyjnë në Parlament. Ftoj qytetarët që nesër të mblidhen para Parlamentit, asnjë nga 140 deputetët, bashkëfajtorët e këtij sistemi 35-vjeçar që rëndon në shpirtin e shqiptarëve. Qëllimi është largimi pa kushte i Edi Ramës. Ata që duan atdheun të dalin atje”, vijoi ai.

Po nëse kryeministri nuk do të dëgjojë popullin? Zotaj tha se:

“Ai ka probleme të theksuara të reflektimit dhe vetëdijes, e kjo detyron njerëzit që të marrin hapa të tjerë. Ne kemi kërkuar të jemi paqësorë, por nëse Rama nuk do kuptojë mënyrën paqësore, atëherë mbeten hapa të tjerë për t’u marrë. Nesër me bllokim të institucioneve, apo me bllokim të rrugëve që mund të merret gjatë ditëve në vazhdim. Nuk ka tërheqje mbrapa, kjo rrugë ka vetëm një zgjidhje, largimin pa kushte të Ramës, pa kompromis”.

Gjithashtu ish-luftëtari i UÇK-së vuri në dukje edhe sjelljen dhe veprimet antishqiptare të kryeministrit, për të cilin theksoi se |çon gjithmonë ujë në mullirin e Serbisë dhe Vuçiç”, pasi edhe deklaratat separatiste për spastrim etnik të ministres serbe Paunoviç nuk i ka dënuar ende publikisht.

“Protesta 53-ditore një mrekulli, do të studiohet nga psikologët dhe politikanët në të ardhmen” Anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë: Investimet e huaja do të rriten me largimin e Ramës

Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë, Silvana Xhaferi Hoxha, e cilësoi protestën 53-ditore një ngjarje të jashtëzakonshme, e cila sipas saj do të mbetet objekt studimi në të ardhmen nga psikologë dhe politologë. Në një intervistë në studio, Hoxha tha se pjesëmarrja masive në protestë tregon një reagim të fortë qytetar ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes. “Është një mrekulli që në 53 ditë kemi një pjesëmarrje kaq masive. Kombi këto vite ka parë se klasa politike e ka tradhtuar dhe njerëzit e kanë parë ngritjen në shesh si mekanizmin e vetëm për të ngritur zërin. Kjo është gjëja më e bukur dhe do të studiohet nga psikologët dhe politikanët e ardhshëm”, u shpreh ajo.

 

Duke folur për investimet e huaja, Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është kundër investimeve, por kundër mënyrës sesi ato miratohen dhe zbatohen.

“Çdo vend në botë i pret dhe i kërkon investimet, por kjo varet nga ligji, dëshira e popullit, ambienti dhe bizneset. Nëse bëjmë një krahasim me rajonin, në Maqedoninë e Veriut ka zona specifike për investimet, me lehtësi fiskale dhe infrastrukturore të mirëstudiuara”, tha ajo.

Sipas saj, në Shqipëri modeli i investimeve strategjike ka dështuar disa herë, pasi vendimmarrja nuk është bazuar gjithmonë në interesin publik.

“Qeveria e vendos si strategjik një investim në bazë të votave që ka marrë. Për një investim strategjik duhet të ketë dakordësi më të gjerë politike, me ¾ e Parlamentit ose edhe përmes një referendumi”, deklaroi Hoxha.

Ajo u ndal edhe te ndikimi i protestës në imazhin e vendit, duke kundërshtuar statistikat e prezantuara nga qeveria.

“Protesta e ka bërë Shqipërinë shumë atraktive. Njerëzit vijnë dhe shohin sesi protestohet në mënyrë paqësore. Nëse flasim për turizmin, ne e kemi fituar nga protesta. Kompanive serioze iu është treguar hapur se ka problematika, por kjo nuk do të thotë se ato largohen”, tha Hoxha.

Sipas saj, pas një ndryshimi politik në vend, Shqipëria mund të përjetojë rritje të investimeve të huaja.

“Statistikat do të tregojnë se do të kemi investime të mëdha pasi kjo qeveri të jetë larguar dhe të ketë ndodhur revolucioni politik. Unë besoj se kjo do të ndodhë, për aq kohë sa jam në shesh”, përfundoi Silvana Hoxha.

Pjesë nga intervista:

Çdo vend në botë i pret dhe i kërkon investimet, por kjo varet nga ligji dhe dëshira e popullit, ambientit dhe bizneseve. Nëse bëjmë një krahasim me rajonin, në RMV ka zona specifike për investimet dhe vetëm vitin e kaluar korrik 2024-korrik 2025, 190 milionë euro kontrata dhe 33 mijë vende pune. Kanë hequr taksat për 10 vite, lehtësi në infrastrukturë, por janë të mirëstudiuara.

Në Shqipëri është provuar disa herë, por ka dështuar. Nuk jemi kundër investimeve, por jemi kundër mënyrës sesi bëhen.

Qeveria e vendos si strategjik një investim në bazë të votave që ka marrë, për një investim strategjik duhet ¾ e Parlamentit të jenë dakord ose edhe me Referendum.

Është mrekulli që në 53 ditë kemi një pjesëmarrje kaq masive, Kombi gjithë këto vite ka parë se klasa politike i tradhtuar dhe e kanë parë ngritjen në shesh si mekanizmin e vetëm ngitjen e zërit dhe kjo është gjëja më e bukur,, kjo do të studiohet nga psikologët dhe politikanët e ardhshëm.

Protesta e ka bërë Shqipërinë shumë atraktive, na figuron ndryshe nga statistikat. Njerëzit vijnë dhe shohin sesi protestohet në mënyrë paqësore. Nëse do të flasim për turizmin e kemi të fituar nga protesta, nëse do të flasim për investimet, kompanive serioze nuk iu është thënë kaq hapur se ka problematika. Statistikat do të tregojnë se do të kemi investime të mëdha pasi kjo qeveri të jetë larguar dhe të këtë ndodhur revolucioni politik.

Unë besoj se do të ndodhë për aq kohë sa jam në shesh”.

Deklarata e ministres serbe për “spastrimin etnik”, ish-luftëtari i UÇK-së shpërthen ndaj Ramës: Heshti! Po minimizon krimet ndaj shqiptarëve

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Meçan Zotaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila është shprehur se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”. I ftuar në “Programin e drekës” në News24 me Ola Bruko, Zotaj tha se deklarata ka tronditur shqiptarët, duke theksuar se plagët e luftës në Kosovë janë ende të freskëta.

 

Zotaj kritikoi edhe reagimet e autoriteteve shqiptare, duke thënë se deklarata nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur. Duke folur për përvojën e tij gjatë luftës, ish-luftëtari i UÇK-së u shpreh se pjesëmarrja në luftë mbetet një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së tij. Ai tha se deklarata e ministres serbe e ka rikthyer te periudha e viteve 1998-1999 dhe ngriti shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, ide të tilla vazhdojnë të kultivohen në shoqërinë serbe. Zotaj, i cili jeton ende në Kosovë, tha se vijon të ndjekë nga afër zhvillimet dhe përmendi edhe sulmin në Banjskë si një shembull të tensioneve të vazhdueshme.

Sipas Zotajt, deklarata të tilla nuk sjellin rikthim të tensioneve, por rikujtojnë shqiptarët për të kaluarën dhe vështirësitë e procesit të pajtimit.

“Nuk ka një shqiptar që nuk do t’i kushtonte vëmendje deklaratës së saj shoviniste. Ne i kemi ende të freskëta plagët e asaj lufte. Fakti që Serbia nuk ka reflektuar asnjëherë, na bën të ndihemi të tmerruar me pushtetarët e Shqipërisë madje i quajnë dhe vëllezër ata që kanë bërë reagim. Reagimi ka qenë i grupit kondinativ të protestës. Të gjithë jemi të shqetësuar, jo vetëm ne që jemi në protestë përditë, por edhe shqiptarë të të gjitha trojeve, se si ka mundësi që një eurodeputet ngre zërin, madje dhe Marta Kos, ndërsa një kryeministër, e kalon me butësi një deklaratë gjenocidiale. Kam pasur fatin që të jem pjesë e UÇK-së. Jam plagosur në luftë, jam shëruar dhe kam shkuar sërish në luftë. Është pjesa ime më e lavdishme. I kam parë nga afër masakrat që i janë bërë popullit të Dardanisë. Edhe një serb që tentoi që të bënte homazhe në Prekaz, u gjymtua. Deklarata e ministres më ka kthyer në vitet 98-99. Deklarata e saj, mentalitet, kultivohet në shkolla, në familje, nëpër kishat ortodokse serbe. Unë jetoj akoma në Kosovë. Vazhdoj jetoj në një jetë civile. I shikoj nga afër. Në çdo tentativë që bëjnë. Siç ishte dhe sulmi në Banjskë. Që u përgatit nga ushtria serbe. Nuk ndryshojnë serbët. Ata që mendojnë se serbët kanë ndryshuar, ose është i shitur, ose i verbër. Nuk rikthehen tensionet, por i rifreskon shqiptarët, ata që mundohen të jenë paqësorë, por Serbia nuk ndryshon pasi ka në krye të shtetit njeri të Millosheviçit.”, tha Zotaj.

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar ndarjen nga jeta të akademik Emin Riza, në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

Emin Riza lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, ç’ka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një vlerësim i rëndësishëm i autoritetit të tij shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore.

Homazhet do të mbahen sot në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 16:00, në varrezat e Tufinës. Panorama

“Balluku duhej arrestuar nga SPAK”- Biznesmeni flet për skenarët e revoltës: Nuk ka pushime! Forume, vetëfiltrim të intelektualëve. Më 23 korrik para Parlamentit nga veriu e jugu

Biznesmeni Erlind Xhindi, i ftuar në “News24”, deklaroi se protesta që ka hyrë në ditën e 52-të ka kaluar tashmë fazën e një tubimi qytetar, duke u shndërruar, sipas tij, në një lëvizje që përfaqëson pakënaqësinë e shtresave të ndryshme të shoqërisë ndaj klasës politike.

Ai foli edhe për hapat e ardhshëm, duke bërë të ditur se gjatë verës nuk do të ketë ndërprerje të aktivitetit, por do të zhvillohen forume dhe takime për të zgjeruar bazën e lëvizjes.

Gjithashtu theksoi se kjo protestë mori një mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët, të cilët i dhanë një shuplakë qeverisë, sipas tij personalisht kryeministrit Rama që deri dje ka gënjyer duke nxjerrë në rresht të parë deputetë injorantë e kriminelë.

Ne nuk do bëjmë pushime, do krijojmë forume, do kanalizojmë mendimet e secilit, do krijojmë vetëfiltrim të pjesës intelektuale e papërfshirë në politikë. Dhe në shtator do të jetë një trysni tjetër. Atë që prisnim nga ndërkombëtarët e morëm. I dhanë një shuplakë qeverisjes dhe personalisht Ramës që deri dje ka gënjyer duke nxjerrë në rresht të parë deputetë injorantë, kriminelë që janë arrestuar, kush në zyra, disa në Parlament. Si në pjesën ndërkombëtare dhe brenda vendit, arriti një çmontim i kësaj kaste politike. SPAK Ballukun duhet ta arrestonte, me të gjithë provat e faktet që janë…Duke parë gjithë këtë revoltë dhe duke pasur gjithë këtë mbështetje nga jashtë shteti dhe brenda duhet të reagonte. Në datën 23, nga jugu veriu, me vezë qumësht, produkte bimore…mos të shqetësohen , se një njeri që vjedh nuk ka turp nga vezët…”, tha ai.

Marjana Koçeku tregon si mori vendimin për tu larguar nga PS: Një sërë ngjarjesh më kanë bërë të mendoj se s’i përkas këtij grupi politik! Protesta më motivoi

Deputetja tashmë e pavarur, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja” tregoi se si vendosi që të largohet nga Grupi Parlamentar i PS-së.

Në një intervistë për News24, deputetja nga Shkodra tha se ka pasur një sërë ngjarjesh që kanë bërë të mendojë se nuk i përket këtij grupimi politik dhe se e ka menduar edhe më herër largimin, por ishte protesta masive e qytetarëve që e nxiti atë ta merrte këtë vendim pikërisht tani.

Koçeku deklaroi se në mbledhjet e zgjeruara te Grupit Parlamentar ka adresuar problematikat e zonës që ajo përfaqëson, por që nuk u morën parasysh.

“Ka marrë kohën time që ta mendoj dhe si do ta realizojë dhe kur do të ishte momenti i duhur. Ka pasur momente të herëpashershme por ka qenë protesta ajo që më ka bindur për kohën dhe e ka përforcuar edhe më tej se duhet ta ndërmarr këtë hap. Protesta më ka motivuar për këtë vendim dhe për shumë gjëra të tjerë, se diçka shumë frymëzuese dhe aq më tepër që vjen nga brezi jem. Ka pasur një sërë ngjarjesh që më kanë shtyrë me menduar se nuk i përkas këtij grupi politik.

Nga ana ime, ka pasur reagimesh dhe kritikash që i kam ngritur si çështje dhe problematika të zonës që përfaqësoj por jo vetëm. Kam folur për çështjen e Drinit si urgjencë kombëtare jo vetëm estetike por dhe problematikë ekonomike. Iu kam bërë thirrje ministrive përkatëse dhe kam tentuar t’i jap zgjidhje. Nuk është trajtuar me seriozitetin e nevojshëm si çështje.

E konsideroj mjedisin si diçka tejet të rëndësishme. Mjedisi është shumë më tepër sesa thjesht ajo që të sheh syri dhe duhet të ketë angazhim të rritur publik. Kam diskutuar në mbledhjet e grupit të PS për problematikën e hipotekave dhe dokumentacionit të tokave. Vij vetë nga zonat malore të Shkodrës dhe e kam jetu vetë se sa e vështirë është të zhvillohesh kur nuk e zotëron atë çka me të përket me të drejtë natyrore dhe trashëgimie.“, tha ajo.

Ajo tha se nuk ka dashur kurrë që të bëhet politikane, por shtoi se synoi që të bëhej zë i fortë për zonën që ajo përfaqëson.

“Një zonë që i ka munguar vëmendja dhe qasja publike më motivoi që të merrja këtë “risk”, dhe këtë angazhim publik. “

20 mln euro për mirëmbajtjen e “Tigrave” të Vlorës- KESH hap procedurën e radhës edhe pse TEC-et lundruese janë kthyer në karakatinë dhe nuk prodhojnë energji

TEC-et lundruese të marra me qira në Vlorë dhe të vendosura në zonën e Triportit vijojnë të jenë një barrë e rëndë financiare për buxhetin e shtetit. Pavarësisht kostove të larta të akumuluara ndër vite, ato deri më sot kanë prodhuar pak ose aspak energji, ndërsa shpenzimet për mbajtjen e tyre në funksion rriten vazhdimisht.

Shteti shqiptar paguan qindra mijëra euro në ditë vetëm për t’i mbajtur në punë, pa përfshirë këtu kostot shtesë për karburantin, sigurimin, pagat e punonjësve dhe së fundi edhe mirëmbajtjen e tyre.

Në një kohë kur për këtë çështje do të duhej të kishte një hetim të plotë apo një proces verifikimi mbi kostot dhe përfitimet reale të këtij projekti, institucioni qiramarrës, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), vijon të shtojë shpenzimet, përmes tenderave të njëpasnjëshëm me vlera të konsiderueshme financiare.

Larg vëmendjes së opinionit publik, KESH ka hapur këto ditë procedurën e radhës, këtë herë jo për prodhimin e energjisë, por për mirëmbajtjen e dy anijeve që prej kohësh janë kthyer në simbol të një kostoje të lartë për financat publike.

KESH, tashmë i drejtuar nga Viola Haxhiademi, ka hapur një tender me vlerë rreth 20 milionë euro me objekt: “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”. Fondi limit i kësaj procedure është 1.892.000.000 lekë, ose rreth 20.2 milionë euro. Sipas dokumenteve të tenderit, kjo shumë parashikohet vetëm për operim dhe mirëmbajtje, ndërsa bëhet fjalë për një procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar.

Pra, për një aset që deri më tani nuk ka sjellë prodhim të konsiderueshëm energjie, vijojnë të angazhohen miliona euro nga paratë publike për ta mbajtur funksional.

Sipas kontratës së qirasë, KESH paguan çdo muaj qindra mijëra euro për këto TEC-e lundruese, duke shtuar kështu faturën financiare të një projekti që vijon të ngrejë pikëpyetje për eficiencën dhe koston reale për qytetarët. gsh

FOTOLAJM- Seanca e fundit e Parlamentit, protestuesit lënë shënimin gjigand në Bulevard dhe thërrasin tubimin më 23 korrik!

Në ditën kur Kuvendi zhvillon një nga seancat e fundit plenare para pushimeve, protestuesit kanë lënë një mesazh gjigand në bulevardin përpara Kryeministrisë.

Me germa të mëdha në shesh është shkruar “23 Korrik”, duke iu referuar thirrjes së radhës për qytetarët që të mblidhen në protestë në këtë datë.

Mesazhi është vendosur në hapësirën ku prej ditësh zhvillohen tubimet kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje për vijimin e rezistencës deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se qytetarët u mblodhën edhe ditën e sotme para Parlamentit teksa zhvillohej një tjetër seancë plenare. Protestuesit nuk kursyen thirrjet ndaj deputetëve, të cilët i quajnë “deputetë të krimit”, si edhe goditjet me vezë ndaj tyre.

Edhe sot ata u përballën me një kordon të gjatë dhe të fortë sigurie nga forcat e policisë, të cilët penguar afrimin e tyre drejt ligjvënësve dhe godinës së Parlamentit. GSH

Media gjermane BILD: Zhduken 350 shezlongë luksozë nga Italia, gjenden në Shqipëri! Pronari: Pas dy vitesh e dimë ku ndodhen, por s’i marrim dot

BILD- Është një histori e vërtetë që ngjan me një roman kriminal pushimesh! 350 shezlongë dielli u zhdukën pa lënë gjurmë – dhe papritur u shfaqën qindra kilometra më larg. Ajo që për drejtuesit e një pishine ekskluzive në Itali dukej prej kohësh si një vjedhje e pazgjidhur, mori një kthesë të papritur falë një pushueseje.

Sipas medias gjermane OE24, në qershor të vitit 2024, nga pishina “Onde Chiare” në Reggio Emilia (Itali), u zhdukën brenda natës mbi 350 shezlongë cilësorë, me një vlerë totale prej rreth 45 mijë eurosh. Pavarësisht hetimeve intensive, rasti mbeti i pazgjidhur.

Vetëm një turiste solli zhvillime të reja në këtë histori. Gjatë pushimeve të saj në Kepin e Rodonit, pranë Durrësit, ajo pa në plazh shezlongë me mbishkrimin karakteristik të klubit italian të plazhit.

Betejë ligjore për shezlongët e plazhit

Turistja i njihte këta shezlongë nga një vizitë e mëparshme në Itali dhe informoi drejtuesit e “Onde Chiare” në Reggio Emilia. Sipas OE24, pronarët i identifikuan menjëherë si shezlongët e tyre.

Më pas ata angazhuan një avokat që ushtron aktivitet në Shqipëri. Megjithatë, deri tani nuk kanë arritur t’i rimarrin shezlongët. Zhgënjimi i të dëmtuarve është i madh. Enrico Cavazzoni, pronari i “Onde Chiare”, deklaroi për “Tg Reggio”: “Ne e dimë se ku ndodhen shezlongët, por edhe pas dy vitesh nuk kemi gjetur një mënyrë për t’i marrë sërish.”

Sipas raportimeve aktuale në rrjetet sociale, shezlongët vazhdojnë të ndodhen në të njëjtin plazh në Shqipëri. Pushuesit i përdorin ato, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërhyrë. Kështu, kjo histori e pazakontë vazhdon ende.

Shqipëria – një perlë e re turistike

Në fund të artikullit, OE24 shkruan se Shqipëria ndodhet në perëndim të Gadishullit Ballkanik, në brigjet e Detit Adriatik dhe Detit Jon.

Sipas medias gjermane, Durrësi është destinacioni më i njohur bregdetar i Shqipërisë, me më shumë se 10 kilometra plazh ranor, një shëtitore me palma dhe kafene komode. Edhe pse vendi konsiderohet ende një “sekret” për shumë udhëtarë dhe të apasionuar pas kulturës, gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin Shqipërinë për shkak të çmimeve më të favorshme krahasuar me rajone të tjera të Mesdheut. GSH

Opozita propozon deklaratë për dënimin e thirrjeve të ministres serbe për gjenocidin në Kosovë, PS voton kundër

Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Jashtëm kanë mbajtur një qëndrim të fortë kundër deklaratave të ministres serbe, e cila deklaroi se Kosova do të duhej të ishte spastruar etnikisht.

Albana Vokshi, teksa akuzoi mazhorancën për mungesën e një qëndrimi të qartë kundër këtyre deklaratave, e ftoi atë të rishikojë qëndrimin dhe të miratojë rezolutën që e mban pezull prej disa vitesh, ku dënohen krimet serbe.

Patriotizmi, tha nënkryetarja Albana Vokshi, nuk është retorikë politike, por qëndrime dhe akte dinjitoze në mbrojtje të qytetarëve. Në këtë frymë opozita i  propozoi Komisionit edhe daljen me një deklaratë kundër ministres serbe dhe nisjen e procedurave për dënimin ndërkombëtar të saj për shkak të evokimit të gjenocidit të Millosheviçit, propozim ky qe u rrezua nga ana e mazhorances.

Deklarata e propozuar:

DEKLARATË;

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, shqyrtoi me shqetësim dhe revoltë të thellë deklaratat e bëra publikisht nga ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë”.

Si Komisioni përgjegjës për politikën e jashtme në Kuvend, shpreh qëndrimin e mëposhtëm dhe deklaron qëllimin e tij për të ndjekur këto drejtime veprimi:

1. Komisioni dënon në mënyrë të prerë dhe ashpërsisht këto deklarata, të cilat përbëjnë lavdërim të hapur të një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, spastrimit etnik në Kosovë, dhe shpërfaqin nostalgji të neveritshme për politikat e regjimit të Millosheviçit, të dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

2. Komisioni rikujton dhe dënon vendosmërisht krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit dhe forcat paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës gjatë viteve 1998–1999, masakrat, dëbimet masive të mbi 800 mijë shqiptarëve, dhunimet sistematike, djegien e fshatrave, krime të dokumentuara nga Tribunali i Hagës dhe të regjistruara përgjithmonë nga historia dhe drejtësia ndërkombëtare si pjesë e një fushate kriminale spastrimi etnik ndaj popullit shqiptar.

3. Komisioni përkulet me nderimin më të thellë përpara kujtimit të martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës, civilë, gra, fëmijë e pleq, si dhe luftëtarë të rënë në mbrojtje të lirisë e mbijetesës së kombit, dhe shpreh mirënjohje ndaj heronjve të gjallë, ish-luftëtarëve, të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, që me sakrificën e tyre kanë ruajtur të vërtetën historike dhe kanë kontribuar pakthyeshmërisht në ndërtimin e Republikës së Kosovës si shtet i lirë e sovran.

4. Komisioni vlerëson se çdo deklaratë që lavdëron, minimizon apo relativizon këto krime përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të viktimave dhe nxitje të rrezikshme ringjallëse të ideologjive gjenocidale në rajon, dhe shpreh solidaritet të plotë me Republikën e Kosovës, duke përshëndetur vendimin e autoriteteve kosovare për të shpallur ministren Paunoviç persona non grata, si dhe qëndrimet e ShBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian ndaj deklaratës së saj.

4/1 Komisioni vlerëson se deklarata e ministres Paunoviç minojnë frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit ndërmjet popujve të rajonit, duke rihapur plagë historike dhe duke dëmtuar besimin e ndërtuar përmes proceseve të dialogut rajonal.

4/2 Gjithashtu kjo retorike minon rrugën e integrimit evropian të Serbisë, pasi bie ndesh me vlerat themelore mbi të cilat ngrihet Bashkimi Evropian dhe me kriteret politike të kërkuara për vendet kandidate, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të kaluarës historike

4/3 Komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e projektrezolutës së propozuar nga Partia Demokratike për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, si shprehje e unitetit përtej ndarjeve politike në mbrojtje të kujtesës kombëtare.

5. Komisioni i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të shpallë ministren Snezhana Paunoviç persona non grata, duke i ndaluar hyrjen dhe tranzitimin në territorin shqiptar.

6. Komisioni nxit qeverinë shqiptare për të eksploruar rrugët ligjore ndaj Ministres Paunoviç, dhe referimin e saj për nxitje publike të spastrimit etnik/gjenocidit, parashikuar në nenin III, pika c, të Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (1948).

7. Komisioni i bën thirrje Qeverisë së Serbisë të distancohet publikisht dhe pa mëdyshje nga këto deklarata, të marrë masa të menjëhershme institucionale ndaj çdo zyrtari që promovon ideologji të tilla, dhe të përballet sinqerisht me të kaluarën, si kusht themelor për besueshmërinë e proceseve të normalizimit rajonal dhe integrimit evropian.

8.Komisioni për Punët e Jashtme rithekson se e vërteta historike dhe kujtesa e viktimave janë të panegociueshme, se nderimi ndaj martirëve e heronjve të Kosovës mbetet detyrim moral e kombëtar i përhershëm për gjithë shqiptarët, dhe se paqja rajonale mund të ndërtohet vetëm mbi ndarjen e vërtetë e të pakthyeshme nga politikat konfliktuale e gjenocidale të së kaluarës.

9. Komisioni deklaron gatishmërinë e tij në mbrojtje të parimeve të fqinjësisë së mirë, dialogut konstruktiv dhe reciprocitetit mbi të cilat bazohet paqja, stabiliteti dhe bashkëjetesa në Ballkanin Perëndimor.

Dita e 50-të e protestave/ Ish-deputeti Maliqi: Kanë nisur dorëheqjet në administratë, ka përçarje edhe në PS. Lëvizja e Spiropalit…

Ish-deputeti Lefter Maliqi tregoi arsyet pse sipas tij protesta nuk do të dështojë teksa sot shënohet dita e 50-të e revoltës, ndërsa qytetarët kanë sfiduar edhe temperaturat e larta. Ai tha se mbështet kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

“I gjithë qëllimi është rrëzimi i qeverisë Rama, qeveri tranzitore teknike dhe zgjedhje të lira e demokratike. Protesta nuk do të dështojë, do të vazhdojë, pavarësisht temperaturave, pavarësisht se është vapë e tmerrshme. Bashkë me qytetarët, opozitën dhe diasporën do të vazhdojë”, tha Maliqi mes të tjerash.

I pyetur edhe për peticionin e deputetes Elisa Spiropali që i ka bërë Asamblesë së PS-së me platformën e Shqipërisë së Re, ish-kandidati për deputet i opozitës në zgjedhjet e 11 majit dhe në ato lokale për Bashkinë Kuçovë, tha se Rama po mundohet të bëjë presione, kurse socialistët janë përçarë.

“Ai po mundohet të bëjë presione, t’i përçajë. Tani kanë nisur edhe dorëheqjet në administratë, edhe përçarja brenda PS-së e kemi parë. Kemi parë dhe lëvizjen e Spiropalit për Shqipërinë e re”, tha ai. bw


Send this to a friend