Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama për udhëtimet e tij, duke theksuar se nuk ka lejuar ngritjen e një Komisioni Hetimor, për të hetuar akuzat e ngritura kundër tij.
Në një prononcim për gazetarët, pas daljes nga SPAK, kryedemokrati theksoi se kryeministri ka transportuar sasi të mëdha parash me avion. Ai bëri edhe një paralelizëm teksa tha se presidenti i SHBA, në dy vite, ka udhëtuar 70 herë, ndërkohë që kryeministri ynë ka udhëtuar 140 herë dhe ka shpenzuar 21 milionë euro.
“E kanë transformuar Agjencinë shtetërore në një shpellë mafiesh shumë të rrezikshme. A mund të thoni se ku nuk është i implikuar Rama? Pse nuk lejoi Edi Rama të ngrihet komisioni hetimor për udhëtimet e tij, për 140 udhëtime me avion brenda dy viteve, 21 mln euro, në të cilat të dhëna të shumta flasin se janë transportuar sasi të mëdha parash, i ka transportuar me avion.
Kam kërkuar të hetohet. Ka të tjerë që thonë edhe drogë, por unë nuk kam të dhëna për drogë. Ka transportuar para, drogë, çfarë ka transportuar. Si mundet? Presidenti i SHBA kishte udhëtuar në dy vite 70 herë, ndërsa Rama 140 herë. Këto janë gjëra që ai i mbylli këtu. Ua vuri, jeni organizatë e partisë time.”, tha Berisha. gsh