Ish-kryeministri Sali Berisha më 22 maj garon për kryetar të PD ndërsa pasditen e sotme ka takuar demokratët e Kukësit teksa shpalosi platformën e tij për të marrë drejtimin e selisë blu.
Berisha deklaroi se Rruga e Kombit ka kushtuar 1.2 miliardë euro ndërsa shtoi se qeveria e Ramës me pllaka guri në të gjithë Shqipërinë thotë se ka shpenzuar 2 miliardë euro.
Sipas Berishës qeveria e Ramës ka vjedhur më së paku 1.3 miliardë euro.
“Borxhi që ka rritur me 107% është një borxh të cilin i varet në qafë foshnjës, atyre që kanë lindur dhe atyre që do të lindin dhe gradualisht çdo shqiptar do detyrohet të paguajë me interesat, me këtë borxh aktual, 23 mijë euro.
Pse gjithë ky borxh, vjedhje dhe vetëm vjedhje. E dini ju që Rruga e Kombit ka pagur vëllime dhe punime të paktën minimumi 3-fishi i të gjithë Kaskadës së Drinit, ka kushtuar rreth 1.2 miliardë euro.
Sa kanë kushtuar pllakat e gurit nëpër sheshet në të gjithë Shqipërinë, e dini që kanë kushtuar 2 miliardë euro.
Si kushtuan 2 miliardë euro? U vodhën së paku 1.3 miliardë euro, minimumi. Me rrasa guri. Shkoja në Peshkopi, na i kanë prurë nga Berati, thanë, por këto çahen nga ngricat. Ju dhashë një projekt, por kështu është çdo projekt tjetër.”-tha Berisha.
Berisha: Më 22 maj të votojmë të lirë drejt fitoreve të tjera të mëdha
Berisha deklaroi se me Kuvendin e 30 prillit mbyllën një fazë historike ndërsa shtoi se më 22 maj, datë kur mbahen dhe zgjedhjet për kryetar të PD, të votojnë të lirë drejt fitoreve të tjera të mëdha.
“Ne mbyllëm një fazë historike me Kuvendin e 30 prillit. 40 mijë anëtarë dhe anëtare të PD morën pjesë në procesin e votimit të zgjedhjes së kryetarëve të degëve.
Një proces i bazuar për herë të parë tërësisht në vullnetin tuaj. Asnjë kandidat nga Tropoja në Sarandë, nuk ka qenë kandidat i komisionit të Rithemelimit, që të gjithë kanë qenë tuajët ose të vetëdeklaruar siç parashikon statuti.
E përmbysëm ne përfaqësimin. Admir Sinamati nuk përfaqëson këtu Sali Berishën, përfaqëson para së gjithash ju, aq sa përfaqëson ju, përfaqëson edhe PD-në kudo.
Kjo ushtri e 40 mijë anëtarëve dhe anëtarëve, idealistë të vërtetë, njerëz të lirë, njerëz që çliruan veten e tyre nga të gjitha presionet, është një ushtri misionarësh që nuk mund ta ndalë asgjë.
Le të ecim të sigurt përpara duke marrë përpara çdo shqiptar në një lëvizje të pathyeshme, në një lëvizje që do të çojë Shqipërinë në fitore dhe do të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju ftoj në datën 22 maj, të votojmë të gjithë sipas ndërgjegjes sonë, por të ushtrojmë votën e lirë, ta shndërrojmë atë në udhërrëfyesin tonë drejt fitoreve të tjera të mëdha”.-deklaroi Berisha.
syri.net
Komentet