VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

BEFASIA POETIKE E HASAN SELIMIT – Nga QAZIM SHEHU

By | May 18, 2018

Komentet

Poeti që pranon të kryqëzohet… Nga PANO HALLKO

 Në foto: Poeti Agim Doçi

Ngjarja më e madhe e jetës kulturore artistike më datën 9 maj, ishte padyshim përurimi i librit me poezi të poetit tonë të mirënjohur, Agim Doçi. Ishte përjetimi i një feste të veçantë, sepse i veçantë ishte personaliteti, i cili ftoi me qindra miq dhe kolegë të tij, më së shumti miq të letërsisë dhe të artit, miq të poezisë.
Bota e letrave shqipe dhe bota intelektuale e vendit, arti ynë më 9 maj festoi.
Ishte më së pari, festa e poezisë shqipe;-asaj i lindi edhe një djalë më shumë, një libër i ri me poezi, ndër më të arrirët e saj.
Poeti Agim Doçi, e hap sallonin e librit, duke “gjuajtur me artileri”, me poezinë me titull:-”Riti i kryqëzimit”. Katër vargje, që shpalosin një botë të tërë; botën e poetëve të mëdhenj:.. “Nëse i bëhet paqe, gjithë botës/Dhe lumturi të gjithë njerëzimit/I gjeni dërrasat dhe gozhdët/Unë pranoj ritin e kryqëzimit!”…

Hovet djaloshare të poetit
Ishte, gjithashtu, e veçantë kjo datëlindje, sepse ai që festonte, u bëri dhurata të ftuarve të shumtë, e nuk llogariti të marrë dhurata nga ata. Dhe çfarë dhurate u bëri, se! Librin me titull “Rituali i kryqëzimit”. Një tufë të madhe me 80 trëndafila, 80 poezi, të cilat mbartin hovet e Agim Doçit, tanimë 70-vjeçar!
Hove, që kurrë nuk kanë ndërmend “të zbuten”, apo të ngadalësojnë “trokthin” e tyre.
Kështu u festua edhe datëlindja e 60-të e tij, para 10 vitesh. Me tufën e poezive, që ai na dhuroi atëherë.
Kështu, e me këto hove, do të festohet edhe datëlindja e 80-të e poetit.
Sepse shpirti dhe dora e tij, vazhdojnë të shkruajnë, rregullisht.
Vjen ky libër me poezi, në një kohë të vështirë për poezinë në vendin tonë, e më gjerë.
E vërteta është që poezia historikisht, ka qenë luks për ata që e kanë ndier dhe përjetuar; një luks që nuk mund ta shijonin të gjithë. Por në realitetin shqiptar, jetojmë paradoksin në fushën e letërsisë.
Ishim një popull mik i librit, e në tranzicionin e stërzgjatur enkas, djallëzisht nga politikanët shqiptarë, u katandisëm populli armik i librit.
Shqipëria, por edhe bota, sot përjeton rrallimin dhe pakësimin e poetëve të mëdhenj.
Po ashtu, te ne, mungon kritika, ky faktor kryesor jetik në përmirësimin dhe përhapjen e poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi.
Dhe ana tjetër, që është pasojë e gjithë sa thamë më sipër, është sepse për poetët e mëdhenj, jo gjithnjë shkruajnë njerëzit e letrave dhe njohësit e mirë të poezisë.
Në gjitha këto kuptime, kjo buqetë me poezi të pikuara, dhe pjesëmarrja e madhe e njerëzve të kulturës dhe të artit, por edhe e shumë njerëzve të thjeshtë, vjen si një rreze shprese, se për poezinë nuk ka vdekje, se miqtë e saj, nuk u zhdukën me gjithsej.
Agim Doçi hyri në poezinë shqipe me forcë; duke shqyer kornizat administrative të kohës.
Askund në botë nuk ka shkollë për poezinë dhe poetët. Mbi 90% e poetëve të vendit tonë, por edhe të botës, poezisë nuk i kanë ardhur nga shkolla e Gjuhë-Letërsisë.
Ashtu siç mbi 90% e gazetarëve, kurrë nuk ndoqën, e as mbaruan mirëfilli apo si shkollë të parë gazetarinë. Ndodh kështu, sepse ligji i krijimit është i veçantë.
Është një kimi e veçantë, që ose e ka, ose nuk e ka njeriu. Poeti ynë i madh, 70- vjetorin e të cilit festuam më 9 maj, i kreu të gjitha fazat e arsimimit të tij, shkëlqyeshëm.
Madje, edhe Inxhinierinë Elektrike të asaj kohe, e kreu me Medalje Ari. Ai ka marrë shumë medalje e vlerësime në jetë, madje është dekoruar “Mjeshtër i Madh”. Por Kurorën e pavdekësisë, ia dha poezia.
Tre brezave shqiptarë, iu ushton në veshë, prezantimi i konferencierëve të Festivaleve të Këngës në Radiotelevizion, ndër vite:-Teksti, Agim Doçi! Shumë brezave shqiptarë, u kanë mbetur e do t‘iu mbeten në buzë, tekstet e Agim Doçit, muzikuar nga kompozitorët tanë të mëdhenj. Sepse muzika, mbetet në veshët e atyre që e lëvrojnë muzikën.
Kurse fjala, mbetet në buzët e njerëzve, të të gjithë njerëzve, pa përjashtim. Si atëherë kur ajo u flet njerëzve për gëzime, ashtu edhe kur fjala merret me hallet dhe me dhimbjen njerëzore.
Sepse… e para, ishte fjala! Kombi, të tillë poetë, i nxjerr një herë në kaq, në bazë të kushedi se çfarë Kodi, të pazbërthyeshëm dot.
Edhe pse ka 50 vjet që lëvron si pak të tjerë poezinë, ai me modesti qysh në faqet e para kërkon prej të gjithëve, gjënë më minimale në botë: “Më bëni pak vend”.
“Më bëni pak vend”, i drejtohet lexuesve, sepse kërkon vendin në zemrat dhe shpirtin e tyre. Vendin të cilin e ka siguruar, e që kërkon ta ruajë me fanatizëm.
Megjithatë, ai zbaton kodin e stërlashtë të ilirëve, të cilët më parë se sa të prisnin një pemë të madhe, e godisnin me fundin e sëpatës, diku mbi rrënjë; “Për t’u larguar xhindet”-thoshin ata. Ashtu edhe Agim Doçi, aty në nisje të vëllimit të tij poetik, troket me bishtin e penës e me thelbin e zemrës, duke kërkuar “pak vend”. “Më bëni pak vend mua, poetit të krisur/ Unë jam mirë, kur gjendem pranë jush!-thotë ai.
Por “pak vend”, ai e ka edhe mes më të mëdhenjve poetë tanët. Dhe ja se si shprehet ai: …”Po e vuajnë Rilindësit, në varre ku janë/ Po e vuan Dritëroi, Xhevairi, Moikomi e të tjerë/ Dashurinë për Atdhenë, këto halle s`na e vranë/Ndoshta ne dhe shteti, jemi:- Nuse dhe Vjerrë”!…
E vërteta është që Agim Doçi gjithnjë i është drejtuar shtetit të tij, në mënyrën e tij, e jo vetëm poetikisht.
Nëpunësi që kërkon shtet…
Për 12 vite rresht, ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes, në Drejtorinë e Shtypit dhe të Informacionit. Aty ai shpalosi edhe anën tjetër të tij; atë të nëpunësit dinjitoz të shtetit. Aty ai investoi gjithë personalitetin e tij të fuqishëm, në shërbim të promovimit të anës pozitive dhe të rolit të Forcave të Armatosura.
Ushtarakët e donin dhe e respektonin pa fund Agim Doçin, sepse ai i donte të gjithë ata. Madje, edhe kur jo rrallë, atyre u bëhej padrejtësi nga ‘lehës’ mediokër partiakë të të gjitha ngjyrave, Agimi ishte pika e referimit të tyre.
Trokisnin tek Agimi. Edhe sepse e njihnin gatishmërinë e tij, por edhe sepse e dinin që në zyrën e tij nuk tenderoheshin vende pune dhe grada. Dhe Agimi, me mënyrën e vet, e “pa takt” fare, e gjente mundësinë të shprehej hapur, faqe të gjithëve, për padrejtësinë e bërë.
U zgjidhte hallin, e i qeraste kafe, në klubin e ministrisë që patëm.
Ashtu siç ishte i detyruar të mbronte ata pak nëpunës civilë dinjitozë, që kishin mbetur nga llava e lukunive partiake, “të majta”, e “të djathta”. Të gjithë, tek Agim Doçi, e për të gjithë Agimi ishte i pa përtuar.
Ministrat e radhës, në mediokritetin e tyre, ndiheshin ngushtë para erudicionit të poetit. Qysh kur doli në pension Agimi, atyre njerëzve u iku mburoja. Po kush tha se ka dalë në pension? Pensioni është një akt i thjeshtë administrativ. A ka shtet në botë, të nxjerrë në pension Agim Doçin? E realizonte këtë Agimi, sepse shpirti i tij ishte rebel ndër vite, qysh në sistemin e kaluar, kurrë nuk ishte bërë peng, i askujt.
Këtu, tek-të mos qenit peng i askujt, qëndron sekreti i suksesit të tij, në të gjitha fushat, doemos edhe në poezi.
Ky libër poetik që ka në dorë lexuesi sot, në datëlindjen e 70-të të poetit, nderon çdo bibliotekë dhe shtëpi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, kudo ku ka shqiptarë. Libri e bën menjëherë vendin e vet, në çdo familje shqiptare. Sepse në libër, shkruhet për familjen e madhe të poetëve. U këndon të gjithë rilindësve, atyre që ikën tani afër, por edhe të gjallëve tanë të mëdhenj; Moikomit, Xhevahirit e të tjerëve. I këndon kombit, jo rrallë-buzëplasur.
I këndon Kosovës, që është plaga dhe melhemi i shpirtit të tij. Por aty ai shkruan edhe për familjen emërmirë të tij. Krenohet me atin, e shkruan për nënën e tij-kapedane-siç u mbiquajt ajo, në vitet kur luftonte me armë në dorë kundër nazifashistëve dhe veglave të tyre.
Flitet, shkruhet dhe i këndohet në vargje vajzës, Argitës, krijesës së shenjtë të Agimit, me të cilën ai krenohet veçanërisht.
Flitet për familjen, për bashkëshorten, të mrekullueshmen Yllka, e cila gjendet në libër, si në poezitë që mirëfilli i dedikohen asaj, ashtu edhe nëpër rreshta në poezitë e tjera. Dhe i takon asaj, pasi siç dihet e njihet tanimë në rrang vendi e kombi, është një luks i vështirë, të jetosh e të funksionosh në jetë me Agimin. Për ata që i njohin mirë të dy, është e qartë se në atë çift, janë bërë bashkë dy elementë: Realizmi femëror i jetës dhe idealizmi i kulluar i poetit. E që për fat, kanë ndërtuar e mbajnë në këmbë një peshore të pagabueshme; peshoren e jetës.
Agimi ka në themel të shpirtit Kodin e vet:… “Nëse do të lindja 12 herë/Si vemje kurrë s`do hiqem zvarrë/ Dhe nëse do vdisja pa u lerë/Prapë jam krenar, që jam shqiptar”!
Agimi ynë, është tmerrësisht i vërtetë, në një botë tmerrësisht të gënjeshtërt. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai vuan kaq shumë. Por kjo është edhe arsyeja, që ai është kaq i ri!…
Mos u mërzit, Poeti ynë. Kjo botë nuk është e talenteve, ca më pak e gjenive. Kjo është bota e pizevengëve. Ju keni dhembjet, ata kanë qejfet.
Megjithatë, historia mban shënime, të sakta, e jo ato që shkruajnë historianët partiakë…
Jetëgjatë, e të buroftë pena, poeti ynë!

“Italia që ëndërronte Enver Hoxhën dhe mbreti ynë i përbashkët”

Fatmira Nikolli  – Në mesin e viteve nëntëdhjetë, ndërsa në shkollën time fillore, në ekipin tim të futbollit dhe në jetën time të përditshme prej fëmije vinin shumë shokë të rinj shqiptarë, mësuesi, për të na afruar me të sapoardhurit, na tha se mbreti i Italisë kishte qenë edhe mbreti i Shqipërisë. Më kujtohet se kjo më goditi shumë: në qoftë se mbreti ynë kishte qenë edhe mbreti i tyre – mendova – pse unë nuk di asgjë për vendin nga i cili vjen Erindi, që është aq i mirë në futboll? Dhe përse ai flet gjuhën time? Këto pyetje fëmijësh, i mora me vete edhe në universitet”. Një kureshtje fëminore e Nicola Pedrazit është kthyer tanimë në një libër që këto ditë është paraqitur në Tiranë, ndonëse ende vetëm italisht. Në Festivalin “Ditënetët e librit” që mbahet të Muzeu Historik Kombëtar (16-20 maj), studimi i italianit Pedrazzi, nën titullin “Italia që ëndërronte Enverin”, jep pamjen e Shqipërisë, nga përtej detit. Në një intervistë për ‘GSH’, Nicola Pedrazi, rrëfen edhe se nëse në periudhën e pasluftës komunizmi italian kishte pak marrëdhënie me komunizmin shqiptar, ka të bëjë kryesisht me ndikimin e Jugosllavisë. Sipas tij, shumë personalitete të komunizmit shqiptar u formuan në Itali, shumë prej tyre në Ventotene, në burgun fashist. Por regjimi i themeluar në Shqipëri në vitin 1946, fillimisht pro-jugosllav, pastaj stalinist i ngurtë, e bëri të pamundur zhvillimin e atyre marrëdhënieve, që përvoja e përbashkët e antifashizmit do ta kishte bërë të mundur.


-Pse një libër me temë Enver Hoxhën, nga erdhi stimuli?
Libri im nuk ka si temë kryesore Enver Hoxhën, as diktaturën që instaloi ai, por marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë: që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore (që çoi shumë italianë në Shqipëri), deri në vitet shtatëdhjetë, kohë e të ashtuquajturave vite “filokineze” të Shqipërisë, shumë interesante sepse Shqipëria ishte vendi i parë evropian në të cilin Kina ka investuar ndonjëherë. Stimuli erdhi nga një vëzhgim shumë i thjeshtë për një italian të moshës sime, lindur në vitin 1986. Në mesin e viteve nëntëdhjetë, ndërsa në shkollën time fillore, në ekipin tim të futbollit dhe në jetën time të përditshme prej fëmije vinin shumë shokë të rinj shqiptarë, mësuesi, për të na afruar me të sapoardhurit, na tha se mbreti i Italisë kishte qenë edhe mbreti i Shqipërisë. Më kujtohet se kjo më goditi shumë: në qoftë se mbreti ynë kishte qenë edhe mbreti i tyre – mendova – pse unë nuk di asgjë për vendin nga i cili vjen Erindi, që është aq i mirë në futboll? Dhe përse ai flet gjuhën time? Këto pyetje fëmijësh, i mora me vete edhe në universitet. Duke e romantizuar pak, por në të njëjtën kohë edhe duke qenë i sinqertë, do të thosha se libri im ka lindur nga nevoja për të kuptuar se nga vjen nga Shqipëria që pamë të derdhej në brigjet tona kur ishim të rinj?
-Ishte vetëm kureshtja juaj?
Nuk mendoj se kjo është një nevojë vetëm e imja. Shumë italianë të brezit tim kanë si kujtesën e tyre të parë politike shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, fundin e Shqipërisë socialiste dhe luftën e Kosovës. Ky ishte konflikti evropian i fëmijërisë sonë paqësore dhe me sa duket, ndjejmë nevojën për të shkruar dhe për të vënë në pikëpyetje veten dhe marrëdhënien tonë me atë të kaluar. Duke ndjekur të njëjtën skemë, për analogji, pyes veten se me cilat pyetje, a me cilët libra po rriten në mendjen e tyre fëmijët e sotëm italianë, të cilët më shumë se brezi im janë në kontakt me imazhe të konflikteve, shkrirjes së shteteve dhe emigrimit. Siç është e qartë, se pas rënies së murit, historia e njerëzimit nuk u ndal, por për Italinë, Shqipëria nuk është më emergjencë dhe koha më në fund ka ardhur për kërkime historike. Pas më shumë se 25 vjetësh, ne kemi krijuar distancën e duhur për të bërë studime. Shpresoj që kjo distancë të përdoret nga historianë të rinj shqiptarë: për analiza, rindërtimin dhe të kuptuarit të regjimit të Enver Hoxhës. Por e përsëris: i imi nuk është një libër për regjimin, është një libër mbi marrëdhëniet italo-shqiptare në kohën e komunizmit.

– Gjatë kërkimit të librit, çfarë zbulove që të befasoi më shumë?
Në tri vite studimi, zbulimet kanë qenë të shumta. Kjo, edhe sepse isha dhe mbetem jo shumë i ditur mbi historinë shqiptare, por edhe mbi historinë e madhe që është historia e marrëdhënieve italo-shqiptare që u përpoqa të tregoja. Gjatë Luftës së Ftohtë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të polarizuara, janë të ndërthurura me kontradiktat ideologjike të një epoke në të cilën çdo marrëdhënie i atribuohej kontekstit bipolar. Përkundër kësaj, krejt në heshtje marrëdhëniet italo-shqiptare vazhduan. Jo vetëm për shkak të vlerësimit që Italia gëzonte te (tele)shikuesit shqiptarë (tifozët e deri te anija ‘Vlora’), por edhe me anë të atij interesi, tërësisht ideologjik dhe politik, me pakicën komuniste italiane, e cila, duke filluar nga lufta e përbashkët çlirimtare e kryer në Itali dhe në Shqipëri kundër pushtuesve gjermanë, kishin idealizuar përvojën e komunizmit shqiptar, në fakt duke besuar në propagandën e regjimit Enverian.
-Ishte efektive propaganda?
Një regjim që ndryshe nga sa na është thënë ka qenë gjithmonë shumë i vëmendshëm për imazhin e tij të jashtëm, si dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe pse të kryera në nivelin e “palëve vëllazërore” në vend të atyre diplomatike. Këtu, le të themi se zbulimi që më goditi ishte pikërisht “hapja” e një regjimi që përshkruhet gjithmonë si i mbyllur plotësisht. Sigurisht që ishte i mbyllur kundër shqiptarëve, sepse sundoi me grusht të hekurt, por në kohën e Luftës së Ftohtë nuk mund të shpëtoje nga kampet. Ja pse ndonëse e izoluar, Shqipëria e Enver Hoxhës shpenzonte burime të konsiderueshme për propagandën e jashtme, në përkthimin e veprave të liderit dhe në financimin e formacioneve të vogla pro-maoiste, për ta shitur në tregun kinez në këmbim të një aleance, ku me sa duket Kina kishte gjithçka për të dhënë dhe asgjë për të marrë. Nëse Mao e mbajti Shqipërinë si një aleat të vlefshëm evropian dhe në qoftë se për një kohë të gjatë e financoi regjimin, e bëri këtë jo vetëm për shkak se Hoxha kërkoi njohjen ndërkombëtare të Pekinit, por edhe për shkak se regjimi shqiptar promovoi në gjithë Europën partitë komuniste filokineze. Në Itali, bashkëbiseduesi ishte Partia Komuniste e Italisë, marksiste-leniniste e Fosco Dinuçi. Pra, po flasim për figura të vogla të komunizmit italian, të cilat përmes Tiranës mund t’i shtrëngonin duart Maos.
-Si ju dukej Shqipëria?
Për këta njerëz, Shqipëria ishte një vend i hapur, ndërkombëtar, mbështetës, një eksperiment revolucionar në qendër të botës. Kjo është arsyeja pse unë zgjodha titullin e kundërt të historisë s njohur: jo më shqiptarë që ëndërrojnë Italinë si të ishte Amerika, por italianë që ëndërrojnë Enverin si të ishte revolucioni. Me rënien e murit, zhgënjimet ishin më shumë se një.

-Si ishin marrëdhëniet e Hoxhës me komunistët italianë?
Varet nga ajo që nënkuptohet me shprehjen “komunistët italianë”. Nëse duam Partinë Komuniste italiane (PCI), janë marrëdhënie vëllazërore deri në 1956 (në vitin 1954 Hoxha fton Togliattin për të kaluar pushimet në Shqipëri), por ndërpriten papritmas, kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik. Siç u përmend, gjatë periudhës pro-kineze të tjerë “komunistë italianë” krijuan marrëdhënie të forta me Partinë e Punës: stalinistë dhe maoistë që i bashkonte me Enver Hoxhën vlerësimi për komunizmin: një parti borgjeze që kishte mohuar revolucionin. Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, Hoxha i kushtoi disa tekste atij që e quajti “revizionizmi Togliatti-an”, tekste që u përhapën dhe u lexuan edhe në Itali.
-Çfarë nuk shkoi?
Nga një perspektivë historike, tani mund të pohojmë se ajo që për diktatorin shqiptar ishte e patolerueshme ishte hapja e Togliatit dhe partisë së tij ndaj komunizmit të Titos. Në destalinizimin e nisur nga Hrushovi dhe në teorinë togliatti-ane të “rrugëve kombëtare të socializmit”, si edhe në eurokomunizmin Berlinguer, Hoxha ka parë gjithnjë rrezikun e një instalimi të modelit jugosllav. Një frikë shumë e kuptueshme, sepse ishin jugosllavët, ata që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare dhe në qoftë se në vitin 1948 Stalini dhe Tito nuk do të kishin prishur çdo marrëdhënie, ka gjasë dhe do të ishte e mundshme që Hoxha nuk do të kishte qëndruar në pushtet. Me fundin e stalinizmit dhe shpalljen e bashkëjetesës paqësore të Bashkimit Sovjetik dhe në çdo evolucion a reformë të kampit komunist, Hoxha ka parë gjithmonë një kërcënim si të gjithë diktatorët, e është e vështirë të thuhet nëse kërcënimin që ka parë, e ka parë si kërcënim për veten apo për shtetin shqiptar.
-Pse nuk qenë marrëdhënie më të afërta?
Ajo që është e sigurt, është se nëse në periudhën e pasluftës komunizmi italian kishte pak marrëdhënie me komunizmin shqiptar, ka të bëjë kryesisht me ndikimin e Jugosllavisë. Shumë personalitete të komunizmit shqiptar u formuan në Itali, shumë prej tyre në Ventotene, në burgun fashist. Por regjimi i themeluar në Shqipëri në vitin 1946, fillimisht pro-jugosllav, pastaj stalinist i ngurtë, e bëri të pamundur zhvillimin e atyre marrëdhënieve që përvoja e përbashkët e antifashizmit do ta kishte bërë të mundur. Megjithatë, duke bërë këtë lloj supozimi, gjithnjë duhet mbajtur parasysh se ndryshe nga komunistët shqiptarë, komunistët italianë morën pjesë me forca të tjera politike në hartimin e kushtetutës demokratike. Në këtë kuptim, në këtë pikëpamje, marrëdhëniet mes dy partive nga ana kushtetuese ishin të pamundura, pavarësisht nga konteksti ideologjik i Luftës së Ftohtë.

Shtëpia botuese ‘Toena’ organizon promovimin e librit “Shihemi në majë”, shkruar nga Kosta Petrov

VOAL – Shtëpia botuese ‘Toena’ organizon promovimin e librit “Shihemi në majë”, shkruar nga Kosta Petrov, themelues dhe drejtues i kompanisë P WORLD si dhe një ndër 30 personat më të fuqishëm të kësaj industrie në Europë.

 

“ Shihemi në majë” është një libër i shkruar për ata që besojnë se në jetë të gjithë janë krijuar për të bërë gjëra të mëdha.

 

22 maj 2018, ora 18:00
Në COD – Center for Openness and Dialogue, Kryeministri – Tiranë.

P.s: bashkëngjitur do të gjeni:

  • Ftesën
  • Rreth librit
  •      Rreth autorit

 

Botimet Toena

Rruga “M. Gjollesha”

K.P. 1420

Tirane – Albania

Tel. ++355 422 40 116

 

Mbi librin

 

“Shihemi në majë” është libri më i shitur në Maqedoni, me mbi 12 000 kopje, në pesë vitet e fundit, ndërsa autori është një nga autorët më të lexuar modern maqedonas të kohës.

“Shihemi në majë”, shkruar nga Kosta Petrov, themeluesi 29-vjeçar i kompanisë P World, ju fton për udhëtim nëpër përrallën e tij jetësore të mbushur me momente të jashtëzakonshme, me ngjitje dhe rënie, përvoja të këndshme dhe të pakëndshme, të cilat janë pjesë e pandashme e “rrugës në të cilën rrallë kalohet”.

Ai që zgjedh këtë rrugë dhe e përballon, në fund e pret shpërblimi i merituar. Gjatë rrugëtimit të tij mbresëlënës, Kosta Petrov ballafaqohet me mundësitë e mëdha në Amerikë, skenat e hidhura në Pragë, me qendrën e luksit në Dubai, por edhe me realitetin e krijimit të një brendi global në rajonin tonë. 

“Shihemi në majë” është një libër për ata që besojnë se në jetë të gjithë janë krijuar për të bërë gjëra të mëdha. Hyni në botën ku gjithçka është e mundur!

 

Rreth autorit

 

Kosta Petrov është themelues dhe drejtues i P World – agjenci kreative ndërkombëtare, e cila organizon disa nga ngjarjet më të mëdha globale të biznesit në 30 shtete të ndryshme, duke përfshirë Amerikën, Kanadanë, Norvegjinë, Islandën, Turqinë, Azerbajxhanin, Gruzinë, Katarin, Bahrejnin dhe Iranin. Për gjithë kontributin që ai jep në industrinë e marrëdhënieve me publikun, në vitet 2014 dhe 2015, Petrov u zgjodh si njëri nga 30 personat më të fuqishëm të kësaj industrie në Europë.

Kosta është bloger i Huffington Post-it të famshëm në Amerikë, si dhe i Digital Boom-it në Afrikën e Veriut.

“Shihemi në majë” është libri i tij i parë.

 

Rrëfimet e vërteta mbesin të përjetëshme, kur shkruhen në vepra – Nga ABAS FEJZULLAHI

Sot me rastin e përurimit të librit “Lufta e ndyrë e Shërbimit sekret” shkruar nga autori Bajram Mehmeti, kamë shkruar një vështrim të shkurtër lidhur me përmbajtjen e librit me titull :

 

»Rrëfimet e vërteta, mbesin të përjetëshme, kur shkruhen në vepra »

Autori i librit “Lufta e ndyrë e Shërbimit sekret” Bajram Mehmeti, qysh në fillim të librit ngacmon interesimin e lexuesit për ta lexuar librin sepse fillimisht shkruan : (Të gjitha ngjarjet në këtë libër janë të vërteta).

 

          Çfarë jep me kuptuar se, autori mjeshtrisht përdor rolin dhe rëndësinë e psikologjisë për ndikim tek lexuesi, për ta nxitur për lexim, për t’ i lexuar se cilatë janë ato ngjarje të vërteta..? 

 

          Autori gjatë hetuesisë, si kadet i gjinisë ushtarake për këmbsori në Beograd, në vazhdimsi është ballafaquar në forma dhe mënyra të ndryshme me hetues me grada oficerësh të ushtrisë Serbo-Jugosllave, në kohë dhe hapësirë, të cilët kanë përdorur ngacmime, kërcënime, dhunë psikologjike, pa e përjashtuar edhe vitaminen D (Dajakun e Drunin) si ushqim i veçantë, që ka qenë i siguruar përherë nëpër vendet e specializuara ku janë zier e përzier, nuhatje, vëzhgime, hulumtime, analiza, eksperimente dhe përgatitur plane dhe programe, sipas udhëzimeve dhe recetave të KOS, ASHAS, AU,DBS apo SSHS  pa i lënë anash edhe vitaminat shtesë K F P dhe V (Keqtrajtime Fizike, Plagosje dhe Vrasje)  në veçanti për shqiptarët..!

 

Përveç titullit të librit që është tërheqës për lexuesë, fillimisht të bie në sy shkrimi i autorit »Këtë libër ia kushtoj babait tim, guximit, sakrificës dhe atdhedashurisë së tij të pakufishme si dhe nënës sime, dashuria e së cilës më mungoi gjatë gjithë jetës » 

 

Ky përkushtim dhe nderim ndaj prindërve, në veçanti ndaj babës Rrustem e ka arsyeshmërinë e fortë sepse, Rrustemi, mësues, arsimdashës, atdhetar e largpamës, ka vërejtur me kohë, se atdheut i duhen edhe oficer të përgatitur.

 

Këtë nevojë dhe dëshirë, Rrustemi e jetësoj fillimisht me dërgimin e Agimit në Akademi Ushtarake pastaj edhe Bajramin, të cilët kur atdheu kishte nevojë, ata Ju përgjegjen dhe vepruan në mënyrë institucionale në bazë të Kushtetutes së Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, që nga viti 1991 shërbyen me përkushtim, përgjegjësi e ndershmëri, në MMRK dhe në FARK.

 

 

Është mjaft interesant përshkrimi në hollëesi e thellësi i jetës si fëmijë që nga mosha pesë vjeçare, ku sipas mbamendjesë së autorit, jo vetëm që paraqet rrethin familjarë të gjërë, përditshmërin jetësore me gëzime dhe pikëllime që janë pjesë e jetës. Ja si e përshkruan autori  gëzimin e tij si fëmijë në moshën pesë vjeçare kur i lajmërojnë se do të shkon në bjeshkë:

 

 

« – Bajrami po shkon në Bjeshkë! – thanë fëmijët e tjerë.

Ndërsa unë, si gjeli maje plehut, krekosesha se po shkoja në Bjeshkë.

Besimi, vëllai im më i vogël se unë, më vinte pas dhe më pyeste se a mund ta merrja edhe atë. E unë, si një burrë i rritur, me zë urdhërues, i thosha:

– Ti duhet të rrish në shtëpi! »

 

Përmes kujtimeve nga mosha fëminore, paraqet rreziqet e pranishme nga pushtuesi dhe këshillat e babës për të pasur kudes e ruajtur gjithnjë.

“Kur këndonte Dervish Shaqa këngën e Bajram Currit shkrihesha fare për faktin se edhe unë e kisha emrin Bajram. Babai shpesh na tërhiqte vërejtjen se duhet të ishim shumë të kujdesshëm kur ta dëgjojmë Shqipërinë, t’ia ulim zërin radios se është rrezik.”

 

Kujtimet nga koha si nxënës, janë gjithëpërfshirëse me ngjarje dhe përjetime të ndryshme me të dhëna e dëshmi për rrethanat ekzistuese nën pushtim, dëshira e madhe për lexim, ballafaqimet me padrejtësitë dhe reagimet si nxënës etj.

 

Pas regjistrimit në Gjimnazin Ushtarak në Beograd, autori ballafaqohet në vazhdimsi me situata të ndryshme nxitëse nga ligjëratat e mësimëdhënësve e në veçanti nga pofesori i historisë, i cili haptas urrente e fyente Shqipërinë dhe shqiptarët… Skënderbeu thoshte se ka qenë Princ Serb etj.. Të gjitha këto ia rrëfen babës gjatë pushimeve dhe për pakënaqësit e shumta …!

 

          Rustem Mehmeti,  si prind e mësues me përvojë e këshillon Bajramin:

„Shiko mirë biri im. Serbët gjithmonë e kanë shtrembëruar historinë. Dije një gjë, ky shtet është i ndërtuar me rrena e mashtrime. Dhe me rrena e mashtrime e faqe të zezë do të përfundojë një ditë. Merr shembull nga historia e Skënderbeut, edhe ai ka shkuar në Turqi, është shkolluar dhe në një moment të caktuar i ka dalë në mbrojtje atdheut dhe popullit të vet“.

 Eu seç m`u pat bërë zemra mal kur i pata dëgjuar këto fjalë të babait dhe fillova të mendoj se a mos na kishte dërguar në shkolla ushtarake Agimin dhe mua me qëllime të caktuara. Pas nja dy ditëve, kur e takova ish Profesorin tim të Gjuhës shqipe, Hajdar Salihun, në mesin e të tjerave kur më pyeti se si po kaloja në Beograd, unë iu përgjigja se po kaloj keq dhe i tregova për episodin me profesorin e historisë. Ai më tha: „Mos u habit, shovinistët serbë këtë punë bëjnë“.

 

Edhe humori i lehtë i përdorur, freskon lexuesin si në vijim:

Nga vizita e bërë Jashar Salihut:

„Në bisedë e sipër mësova se Jashari ishte përgjegjës për togun e oficerëve afrikanë të Zimbabvesë të cilët shkolloheshin në Akademinë Ushtarake në Beograd. Në një moment kur Jashari i kruante dhëmbët me një kashtë e pyeta: „A të janë prishur dhëmbët a“? E ai në stilin e vet origjinal më tha: „Po, m`u kanë prishur duke ju qeshur Titos me zor“. E t’ia plasëm një gazi të çiltër.“

 

Pas burgosjes së Jashar Salihut si pjesëtar i organizatës së fsheht të Deçanit  gjatë shërbimit ushtarak dhe të Sokol Metës burgosur në Gjakovë, tradhtuar nga një familje në Morinë të Gjakovës në vitin 1981, fillojnë ngjarjet e përshkruara në librin e autorit, për një pjesë nga jetëshkrimi i paraqitur me ngjarje dhe përjetime  para, gjat dhe pas vuajtjesë së dënimit me burg nga gjykata ushtarake.

          Lexuesi do të ket rastin për t‘u njohur, me rrjedhën e ngjarjeve të vërteta ku ndërlidhen emëra shqiptarë dhe jo shqiptarë si:

 

Majori Grahovac, kolonel Petar Knezheviq Shefi i Shërbimit Sekret për të gjitha shkollat ushtarake të gjitha niveleve të Jugosllavisë, Gjorgje Gjorgjeviq, Maksim Sekuliq, Bilall Hadergjonaj, Gani Lipaj, Jashar Salihu, Muhamet Rugov, Sokol Metaj, Musë Bajgora, Izet Zabeli, Misret Sahiti, major Ratko Keleqeviq, kadeti Ibrahim Hoxha, Osman Rexha, Selmon Popaj, Burhan Esati, Sadri Hoti, Musa Hoti, Iso Omeragiq  dhe shumë iqa e viça të tjerë si përcjellës të porositur nga sigurimi, për çdo lëvizje dhe veprim të shqiptarëve etj.

 

         Gjatë hetuesisë nga shumë hetues nga shumë pyetje dhe kërkesa që i bënin për pranim të fajsisë apo bashkëpunimit siç kërkonin, në vazhdimsi përcillnin ndikimin e sasisë së ndonjë lloj bari (supstance) që ja kishin hedhur në pije dhe autori i përshkruan mes tjerash edhe këto momente të gjendjes psiko fizike:

 

»…por në një moment kur nuk e ndieja veten mirë, kur edhe fjalitë nuk mund t’i lidhja mirë, filluan me rrebesh pyetjesh për Agimin. Unë nuk kisha frikë nga ata, përkundrazi. Ndjenja shpirtërore e kënaqësisë dhe trullosja nuk më hiqeshin vetëm se shtoheshin. Në një moment, njëri prej oficerëve që më merrnin në pyetje, iu drejtua oficerit Radojqiq me fjalët: „i ke hedhur tepër, e sheh se nuk është i vetëdijshëm se ku gjendet!“. Përgjigjja e Radojqiqit qe: „Është shumë kokëfortë ky!“ dhe u zgërdhi. Këto epizoda i përjetoja si një gjysmë ëndërr. Në atë moment kam mbyllur shkurt sytë dhe i thashë vetes: “E sheh se të kanë hedhur diçka në pije në restorantin e stadiumit Rad“. Dhe aty e kuptova pse e kisha ndjenjën e kënaqësisë dhe të  trullosjes. »

          E siç thot një fjalë e urtë popullore;” Kur të djeg tamli i frynë edhe kosit!”

Autori nga përvoja para se me hy në sallën e gjykatës, byrekun dhe kosin vetem se i përzien  me thikë e piru, sa me pas dëshmi se i ka ngrënë dhe i hedhë në WC…Në sallën e gjykatës shkon i kthjelltë autori, zagarët e shërbimit sekret pritnin kot ndikimin që dëshironin..!

 

»…Në një moment të lodhjes ekstreme filluan të më bënin pyetje se kush ka insistuar te Agimi dhe unë të studionim shkollat ushtarake dhe se a është babai i ynë, i cili nga Knezheviqi cilësohej si ballist i kulluar, që na kishte dërguar me qëllime tinëzare në Akademi.”

Dhe më kujtohej babai im dhe këshilla e tij: «Mos e pi duhanin dhe ruaje psiqikën!»

Pa kaluar as një vit, pas daljes nga burgu i mbajtur, Shërbimi sekret ushtark jetëson qëllimin e tyre të ndyerë, burgosin dhe dënojn AGIMIN vëllain e madh, oficer dhe ligjërues në Akademinë Ushtarke për Kadetë në Sarajevë…

 

Si përfundim:

          Bajram Mehmeti, me librin e tij: ”Lufta e ndyrë e Shërbimit sekret”pasuron kulturën shqiptare me një vepër që mund të mirret edhe si jetëshkrim i një periudhe të caktuar, por edhe si një dëshmi me të dhëna e dokumente për rrjedhen e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë njëherit nderon prindërit e tij, familjarët e farefisin miqë e bashkëveprimtarë, për të mos harruar të kaluarën, pasi që:

»Rrëfimet e vërteta, mbesin të përjetëshme, kur shkruhen në vepra »

Abas  Fejzullahi

2018-02-10

Fribourg

DOLI NGA SHTYPI LIBRI ME POEZI “PEIZAZH I JETËS SIME” I AUTORIT SEJDI BERISHA – Nga Ryzhdi Baloku

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i krijuesit Sejdi Berisha me titull “Peizazh i jetës sime”, i cili është i tridhjetenënti me radhë, ndërsa i tetëmbëdhjeti me poezi.

Në këtë vëllim poetik prej 148 faqesh, autori i ka radhitur 93 poezi të përzgjedhura, të cilat i ka sistemuar në një njësi sipas renditjes tematike të një kronologjie që i përgjigjet edhe përmbajtjes së tyre.

Pas leximit të vëmendshëm të vargjeve nga kjo vepër me poezi, mund të themi se titulli i librit korrespondon bukur si një binjak edhe me jetën e këtij poeti, i cili në muajin qershor do ta festojë ditëlindjen e tij të radhës.

Këtë vepër poetike autori e fillon me një shkrim të titulluar “Në vend të parathënies”, në të cilin shkruan: Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëj jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e sodit nga një lartësi që askush nuk e sheh,….

Për të na bërë sa më të qartë mesazhin e kësaj vepre, më tutje po në këtë shkrim autori vazhdon mendimin e tij dhe thekson: …duke qenë i vetëdijshëm dhe i etur tej mase, në këtë formë vendosa t’i shtroj dhe t’i radhis në vargje disa nga ndijimet e mia për botën e njeriun, por edhe për respektin që kam ndaj njeriut…

Ndoshta, do t’u pëlqejë, ndoshta do t’u provokojë shumëçka brenda këtij libri. Sido që të jetë, në këtë mënyrë m’u duk se e laj edhe një borxh që kam ndaj procesit të lezetshëm, të përgjegjshëm dhe të ngrohtë, por ndoshta edhe të çuditshëm, që quhet jetë! Megjithatë, unë prapë, njerëzve u kam shumë borxh, sepse, etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë, që ta bëj ashtu si duhet bile asnjë sy gjumë…!

Këtu e mbështes edhe madhështinë dhe qëndresën e jetës sime, të krijimtarisë sime….

Autori Sejdi Berisha, këtë vepër poetike e nis me poezinë  “Unë dhe Zef Serembe në Brazil… “, për ta përmbyllur këtë rrugëtim poetik me poezinë me titull “Amanet pasardhësit tim”.

Me tematikën e pasur dhe të larmishme, me gjuhën e zgjedhur poetike, me semantikën shumështresore, dhe me mesazhin që e përçojnë, këto poezi i prezantojnë lexuesit një botë të pasur artistike, por edhe meditative për njeriun, për jetën dhe botën që na rrethon.

 

Bijtë e Adamit, mes dashurisë dhe mallkimit – Nga Josif Papagjoni

…Dhe rrjedh koha thuajse tinëzisht, vitet i këput vjeshta e artë si gjethet, borë e zheg jeta të falë, dhe shumë zhgënjime, dhe shumë dëshpërim e trishtim, por diku një shkëndijëz zjarri nuk shuhet. S’do! Është shkëndija e tërëkohshme e jetës dhe njeriut: Dashuria. Përtej apo bri saj syri sheh relieve të shpirtit që thërrmohen, shkretohen, bëhen gri, pa ngjyrë, teksa pesha e viteve të ka falur përvojën, pra arsye më shumë, kthjelltësi më shumë, por dhe mpakjen dhe plakjen, pra trishtim më shumë, kotësi e absurd më shumë. Në këtë rrokapjekthi vërtitet një shumicë poetësh me pallton e rëndë të mërzive, dëshpërimeve e zhgënjimeve përsipër vargjeve të tyre. Është një ndjeshmëri e natyrshme që as Besnik Mustafai s’ka se si t’i shpëtonte kësaj gracke. Kur e mbarova librin e tij poetik “Biri i Adamit”, pash dhe veten time atje. Sepse dhe unë, si shumëkush lexues, jam një sivëllai i ndjeshmërive të poetit. Poezia i ikën “fluturës”, “hënës”, “qiellit”, bëhet më e zymtë, graviteti i plagëve rritet, përsiatja dhe meditimi kthehen në qenësi për të shpjeguar a riparo se ç’ke hequr e ç‘ke bërë në këtë jetë sa të shkurtër, aq dhe të gjatë. E megjithatë, për dreq a për fat, ajo “shkëndijëza” që thamë pak më sipër, rri ndezur atje, në vatrën poetike, në tru e në zemër.

Vëllimi poetik “Biri i Adamit” përbëhet nga tri cikle: Zbulimi i burrit me 24 poezi, Jashtë orbitës me 23 poezi dhe Plagë në përfytyrim me 17 poezi. Ka shumë tema që u pranëvihen vargjeve: Dashuria e para, kujtesat e vrara si trupa të kapitur të një kohe pa ton e ngjyrë, më tutje atdheu, kombi dhe bota (të lodhur e të tjetërsuar), dhe pas tyre njerëz të fshehur në akte martirësh apo fisnikësh të pabëzajtë. Shkojnë e vijnë imazhe, dje dhe sot, ndërsa koha shndërrohet në apokrif të vetvetes, diç që përsëritet dhe gëlltit po aq vetveten. Dhe mendja e poetit rreket drejt metaforave biblike, zgjedh aty Adamin dhe brinjën e tij, Evën: njëjtësim dhe ndryshim, bashkim dhe tjetërsim, dashuri dhe mallkim, ëmbëlsi dhe hidhërim. Adami është kudo, si dhe Eva. Janë të Njëjtët tanë. Dhe ndërsa koha rrjedh dhe njeriu (mendja e tij) sfidon kozmosin, vetë Zotin, qenia habitshëm ka mbetur po ajo, në kurthin e dikotomive dhe antinomive të saj të përjetshme, një simbiozë në shenja, ndjeshmëri dhe qenësi të kundërta. Edeni, Eva, Adami, rrëfenja ku ftillëzohet njëherazi dashuria, e papritura, lumturia dhe ankthi, poeti i risjellë nëpër vargje herë pas here. Pikërisht në trajtesa të tilla lind te të menduarit poetik të Mustafait, filozofia.

Qysh në vjershën hyrëse Zbulimi i burrit poeti vrapon në zanafillën biblike, për të zbuluar të pazbuluarën, dashurinë, përmes heshtjes prej “guri të kuq”, ku gjaku ngrihet përpjetë nga zemra te gjuha, në një puthje… Jo vetëm te kjo vjershë, por në disa syresh poeti ndjek njëjtësimin me metaforat biblike, për të rindërtuar ciklet e përjetshme të qenies, e përmbi to dashurinë, ku fjala është e pamjaftueshme, pra, pa puthjen, pa buzët, pa lagështinë, të cilat, të tria së bashku, hedhin dritë mbi misterin e dashurisë që buis mbi e nën lëkurë dhe i jep ngjyrë e kuptim fjalës. Prandaj dhe ulërima e ndrydhur poetizohet si një aht shpirti, ose në një lot, në një psherëtimë malli. Sepse “dhimbja do zërin tonë prej njeriu për pohimin e vet”, atje te bota e madhe, heshtane, e kthyer në kufomë nga pamundësia e solidaritetit njerëzor dhe përtypja e mundimshme e vetmisë sonë, aq trishtuese e plot pezëm…

Poezia bëhet ironike, si e veshur me gjemba lëkurës së saj, prej nga pikon një helm vetëvrasës e një shpoti që të zhvesh lakuriq, kur dashuritë e dikurshme, le t’i quajmë “komuniste”, u thanë nga diejt e rremë të moralitetit puritan, të “detyrimeve familjare”, të radhëve nëpër dyqane, të aksioneve e zboreve, si dhe gjithë idiotësive të kohës që e kalbnin dhe e vrisnin aventurën e bukur të saj. Dhe dashuria kthehej kësodore në një rit thuajse social, në stërmundim mbijetese, teksa të lodhur nga përbindëshi i ditës burrat shtriheshin natën bri grave të tyre të rrudhosura e mishravarur që të ngroheshin disi në atë rrokapjekth absurd, kur aventura e bukur vdiste e vdiste pambarim (poezia Kush tha se vdiqën ëndërrimtarët e dashurisë së marrë). Ose kur në monotoninë e ditëve, të stinëve që këmbehen pa gjurmë, në thellësi të ankesës, diçka e madhe pritej të lindëte, paçka se adresë të qartë ajo nuk kish (Ars Poetika). Dhe dashuritë plaken e rrudhen dëshpërimisht, dashuritë e pakallura si kufomat e braktisura, ky vrer i gjelbëremë në buzët mavi të kafshuara nga djalli (Poemë politike). Filozofia e vdekjes, iluzioni i prekjes së qiellit pa skaj, shpalosen butësisht te vjersha Poemë e shkruar në avion në lartësinë 10 mijë metra, e ndarë në pesë pjesë, ku varka e Noes si një cak, shpresë dhe ardhmëri sfidohet nga teknologjia e re e fluturimeve, ku Dante, Mozarti, letrat e Don Kishotit drejtuar Dylqinjës dhe Bethoveni janë mbytur nga të tjera zhurma e tinguj dhe ku malli për të dashurën, këtë grimëz të ngrohtë, ashtu sikundër edhe zogjtë, edhe fëmijëria, dhe shtëpia ku u shkrua alfabeti i shqipes në Manastir, gjer tek ajo grimëza tjetër e tokës që quhet Atdhe, habitshëm kanë gravitetin kozmik më të madh në mallin e poetit.
Dashuria, në optikën e Mustafait, është edhe prania e bukurisë që frymëzon e tundon. Por kur ajo mbetet thjesht dhe vetëm te bukuria dhe tundimi, humbet përmasën e papërsëritshme të shpirtit, atë mistikë që e mban gjallë, ngrohtë e të bukur, humbet “aventurën e Don Kishotit” (Si lind dhe si mund të vdesë një poezi!). Ajo, dashuria, shpesh është e fshehtë, ashtu edhe padurimi i saj ngjan si rrahja e zemrës, si kërmilli nën shi. Mundimi i Sizifit është një lodër para mundimit të zemrës, kur dashuria s’është veçse një pëllëmbë larg e ti s’e prek dot!… Dashuria është dhe si përgjumja e pemës dhe frytit që flenë dimrit dhe presin të zgjohen e të harlisen, kur toka ngrohet dhe ujërat vërshojnë. Dhe Besnik Mustafai luan me alogjizmat dhe kontrapunktet, kur thotë se “Dashuria është e bukur vetëm kur nuk dashuron”, duke nënkuptuar se ajo ta plagos zemrën e të bën të vuash, të presësh.

Qasjet poetike janë të larme, veçse aty, sipas meje, ka gjithmonë një njeri të zhgënjyer ose të dëshpëruar. Dhe lexuesi sheh e ndjen se si rrjedha e viteve sjell ndryshimin e relievit të shpirtit, kur dyshimi, arsyeja dhe mosha zhvlerësojnë utopitë e djeshme, vetë pafajësinë e poezisë, gjithçka të ngritur mbi një pirg gënjeshtrash të “bukura” (Fotografitë e vjetra), apo kur fjala, atje ku buis zanafilla, mbytet nga llafazanët a llapaqenët, qofshin politikanë a qofshin policë, dhe të duhet ta rigjesh atë në tisin e kohës, sepse “fundi vjen kur harrohet fillimi” (Fjala). Poeti vuan labirintin e të vërtetës së fshehur, kur gojë statujash mbirë dikur shesheve nuk mundnin dot që të tregonin se ku ishte rruga dhe drita, kur mitet e njëhershme politike nuk e shpjegonin ferrin e kohës, atje ku e shkuara dhe e ardhmja plekseshin në stërmundim, si kuaj ecur në terr dhe ku poeti-njeri gjendej në mes: Atij që e kishin gënjyer dhe atij që kishte gënjyer (Në kërkim të kohës së humbur).
Heroi poetik vjen si natyrë e butë, pa poza. Nëpër përqafime të dashurash ai ndjehet i mbrojtur, i lirë, ndjehet vetvetja. Dashurinë nuk e kthen në rit, në zakon, por frikën e ka përherë aty pranë si kërcënim, si mungesë, si pamundësi, si vdekje. Ky Njeri jam edhe unë, edhe ti, të gjithë ne. Sepse ai është i vërtetë. Ai rreket që në botën e mbushur me kërcënimin atomik, “në zemrën e njerëzimit të zgjojë një gëzim të brishtë”. Dashuria e superon kozmosin, yjet e zjarrtë që digjen hapësirës, të paasgjësueshmen dhe të pariciklueshmen gjithësi, sepse dashuria është vetë gjithësia, zjarri që djeg dhe ngroh shpirtrat, trupat njerëzorë. Vetëm në dy vargje “Veten nuk e shoh dot ndryshe veçse me përbuzje/ si një imoral” në vjershën “Një ditë si shumë të tjera”, zvogëlimi dhe shpërfillja gjer në përbuzje e vetes krijon lartësinë dhe madhështinë e tjetrit si kontraste, në rastin tonë figurën e papërlyer, fisnike e të madhërishme të Ibrahim Rugovës. Kam ndjerë trishtim në vargjet e shkëputura nga vjersha Vij të të shoh, ku ti s’i bishtnon dot këtij kontrapunkti: “qerpikë përcëlluar e shkrepëtima rrufesh si qershi. Por më shumë, vetë poezia është një sfidë ndaj rrokullimës njerëzore, në kërkim të vetvetes:

Midis nesh s’ka bosh. S’ka pushim midis nesh.
Jashtë s’bie shi. S’ka as diell. S’ka hënë.
As qiell thjesht s’ka.
Në botën e pabanueshme të ëndrrës endemi,
pa një pikënisje, pa një pikëmbërritje.

Në libër shquan pa vështirësi figura që të godasin, të befta, më një paradoks kredhur përbrenda, çka kësisoj e krijon letërsia e guximit, si p.sh. “kam një plagë në përfytyrim”… Poezitë e shkruara në letra të zgjyrta Made in Albania, rikthehen si kujtesa të shtypura në kërkim të një kohe tjetër që rrjedh, e cila diku në harresë është zhytur, por fjalën e nënës e mbajnë si shkëndijë kraharorit. Diku poeti të huton me imazhin e përzhitur të fluturës që shkon verbërisht drejt dritës, pra drejt vdekjes, çka i ngjan epimit të gruas drejt burrit dhe anasjelltas, domethënë dashurisë. Në vjershën Në Athinë ka një demitizim ironik të kohëve heroike të Greqisë së lashtë, kontrasti mes burrit të hershëm që rrëmbente shpatën, shalonte kalin dhe bënte luftëra për një grua të bukur (Helenën), tanimë tkurret e bjerret te burri modern, gjysmë i hutuar, që vrapon në hotel të komunikojë virtualisht në facebuk. E gjitha kjo është shndërruar në një farë requiemi. Dhe përtej ironisë, ti shquan rëndomtësinë e njeriut dhe të vetë dashurisë. Përmasa e heroikes dhe të madhërishmes ka rënë. Rëndomtësia dhe përditshmëria kanë triumfuar. E një kahu tjetër, në kontrovers, është poezia për malësorët si përralltarë të shkëlqyer, ushqyer nga mitet, epet dhe baladat, por që i kënduan mashtrimit të shtatoreve të bronzta (nënkupto heronjve të mitizuar të komunizmit), duke ua vrarë njerëzve ëndrrën e vjetër të Lirisë. Tramundanën e kohës si një ijë e ligur tej mase, e mbushur me shqota lufte të pritshme dhe ankthesh, e bëjnë poetin të klith nga nevoja për tjetrin, të tejkalojë vetminë, qiellin e ftohtë e të mbarsur me cinizëm, dhe si shpëtim të kërkojë një puthje, një psherëtimë: I dashur, e dashur – ky kod i pandryshueshëm që mban jetën dhe njeriun gjallë e ngrohtë. (Nevojë për pak dashuri).
Ka shumë sinqeritet vjersha Tri motive me një fillesë. Fantoma dhe hiri i vdekjes e çon poetin në meditime e përmbysje mitesh të lashta, nga djegia e Trojës gjer te klithma e Odisesë kur ia vranë dinakërinë, e më pas poeti sikur bën një meaculpa, ikën nga përgjërimi i gruas në situatën e vështirë të sëmundjes dhe e dimensionon atë me vetë jetën që pjell “fëmijë”, që krijon jetë, gëzimi i gëzimit, ani pse faji a mëkati mbeten përherë të largët. Dhe ai e sheh në bebëz të syrit gjithë kohën e rrejshme mbushur me mite të rrejshme. Mustafai këndellet kështu nëpër metaforat e tij, prandaj dhe gruan e humbet nën sqetull me gishtat që prekin erërat dhe horizontet, tokën, qiejt dhe zogjtë, sikundër martirët e shekujve kanë sfiduar dikur vdekjen e tmerrshme. Mirëpo ai nuk është assesi martiri i djeshëm. Përkundrazi, është njeriu i thjeshtë. Edhe ai, si të gjithë, ia mbathin vrapit duke u strukur në dashuritë e grave dhe të dashurave të tyre të ëmbla. Ja, ky është dallimi, kjo është pikërisht njerëzorja, është ajo që e kemi përditë, e zakonshmja jonë, e cila krijon tërësinë dhe arsyen pse jetojmë. Dhe duhet thënë se kjo vjershë është shkruar në vitin 1987, diçka pra kundër mitologjive dhe asaj se si shkruhej asohere.

Fati në të menduarit poetik është një tjetër temë e hasur rëndom vargjeve, herë kryejashtë e herë kredhur në nënkuptime. Ai shfaqet si grua e hollë “qëndisur në ajër prej armikut tim” (figurë brilante), si lepuri i zënë në kurth, me epimin për të vrapuar diku, por mbetur aty, i ngërthyer fatalisht. Kështu luan në fakt fati me ne të gjithë, duam të vrapojmë për diku, kah një ëndrre, një drite, një horizonti, por mbetemi këmbëmbërthyer nga kurthet e jetës. Ka trishtim pafund në këto dy vargje: “Ti je hija ime,/ Trupi im i shtrirë përdhe që s’e ngre askush”. Dhe kjo brengë e hershme kur jeta kishte shumë blerim, kur klorofila e saj nis e ikën trupit e shpirtit, mendoni se sa rritet përmasa e trishtimit! Është “ikja në jerm” dhe “rrugë pa rrugë që s’më çojnë kurrkund!” (S’kam më kohë për harrim). Poeti ecejaket mes dyshimesh, një surrealiteti a jermi, le ta quajmë të bukur e pikëllues, kur nuk e di e as e rrok dot të vërtetën e ngatërruar të dashurisë: është apo s’është e tilla?! Sepse ajo vetë, njeriu dhe jeta janë e tëra një kontradiktë e pazgjidhshme shoqëruar nga pasiguria, ankthi, e panjohura. “Ku jam?/ Kush jam?/ Pa ty dhe me ty./ Pezull si një qiell vjeshte në muzg./ Edhe mbrëmja ka rënë, edhe dita nuk ka perënduar.” Udhëkryqet e fatit të lodhin, të kapitin, janë si Najadat apo Gorgonat që të ngrijnë me sy, sikurse e ndjen këtë në poezinë e vitit 1987. Vjen këtu një përjetim tjetërfarë, ka një zhgënjim nga tam-tamet e Revolucionit Botëror, nga utopitë komuniste, duke e kërkuar strehën te njerëzorja, tek e thjeshtën, ku ka një diell të freskët (Jashtë orbitës). Fati vjen nga larg apo lart, nga diku e diçka përtej teje, e parrokshme dhe e pakomanduar prej teje. Diku poeti e koncepton atë si një Eol, Perëndia e erërave që shkulmon fate, njerëz, jetë, përherë në dilemën e madhe a ishte vallë dashuria tek ai forcë apo dobësi?! Më tutje misteri i dashurisë sërish kërkon të mbështillet nën lëkurën e mitit biblik të zanafillës, ku e ëmbla e mollës së kafshuar dhe e hidhura e kafshimit të gjarprit krijojnë koreografinë e ndërlikuar e përplot hare-vuajtje të vetë jetës (Një histori romantike për shekullin XXI). Më në fund, poeti tundohet nga filozofia dhe misteret që jeta, sidomos dashuria, ndryn në bulën e saj duke shkrirë kohërat, tipologjitë, zakonet.

KOMUNIKIMI METAFORIK – Esé nga LULZIM LOGU

Të komunikosh në mënyrë metaforike dhe simbolike,të japësh mesazh përmes meseleve dhe anekdotave , të shpalosësh karaktere të veçantë njerëzore dhe sjellje të ndryshme në kohra dhe hapësira diverse të arealit etnologjik dhe folklorik, të sendërtosh kujtesën për pasuri të shtrenjta kulturore të trevave shqiptare, përkatësisht e Rekës së Keqe, ka qënë pjesë e mundimit mbledhës dhe përpunues të autorit Tahir Bezhani në dy librat e tij me titullin përmbledhës ”Urtësi nga Reka e Keqe”

Humori i popullit, përpunimi i tij në periudha të ndryshme historike, por sadopak edhe në laboratorin krijues të autorit, i cili këmbëkryq në oda dhe ndeja gjurmon në çdo qelizë evolimin permbajtësor dhe tehun kuptimor të materialit rrefimtar dhe më së tepërmi pasqyrues të moralit të shoqërisë në epoka të rëndësishme të zhvillimit,vjen thjeshtë, por qartë. Përthithet menjëherë dhe lë shije të ndryshme tek lexuesi,herë krenari, herë trishtim dhe dhimbje, herë qeshje marrëmendëse, por edhe kredhje në trillet e tregimit popullor, për të nxjerrë prej andej pikërisht mesazhin kohor , i cili mbart në vetvete shpeshherë të vertetën e madhe dhe domethënëse, të “fshehur” bukur poshtë trillit të fjalëve.

Duke shkoqitur dukuri dhe karaktere sociale, libri shpërfaq filozofinë popullore të emërtimit të tyre sipas kushteve dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar , shpeshherë duke kaluar caqet e humorit, duke marrë persipër vlera kritike që shenjojnë periudha të uljengritjeve tona historike.Shpotitëse dhe alegorike, me vlera pergjithësuese, duke vë në një peshojë loje aspekte negative dhe devijacione shoqërore, ato krijojnë një komunikim të këndshem me realitete të shkuara dhe të sotme, perqasje paralele dhe dukshëm krahsuese , në ndihmë të evokimit pë ndryshime mentalitetesh dhe qendrimesh të brezave dhe kulturës tonë të jetesës.

Tërësia e anekdotës si lojë, si rrotull, si thumbim, gershetimi me pleqninë, kangën epike dhe lirike, perfshirja sadopak e frymës së legjendave dhe gojëdhanëve të vjetra, vjen në këtë liber të dytë si pasuri, si vazhdim logjik, si kujtesë krenare. Dhe si garanci se pavarësisht humbjes gjithnjë e më të shpejtë të odave popullore, ndejave të dikurshme, të kufizimeve në zakone tradicionale dhe reformimin e detyrueshëm kah sjellje me moderne, fjala dhe mendimi i mençur popullor mbetet një bibliotekë e pazëvëndësueshme, një arkiv ku ruhet shumçka e duhur perjetë për qasjen tonë historike dhe jo vetëm.

Meritë e Bezhanit, respektimi ndaj fjalës origjinale burimore, percjellja e ngrohtë tek lexuesi, duke respektuar kësisoj edhe bardët e gjallë të këtij burimi, apeli tij për gjurmë dhe gjurmime të vazhdueshme ,që ky burim të mos shterrë, të mos thahet, që të freskoje me perlat e veta edhe brezat e ardhshëm, si pjesë e identitetit kombëtar.

Mustafaj: Politika më rrëmbeu kohë, por njoha së brendshmi pushtetin

ALMA MILE/ Takimi me poezinë është si rigjetja e dashurisë së parë, si kthim në origjinë, te vetja, si bir i Adamit. Poeti Besnik Mustafaj zhvilloi dje një takim me studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të “Ditënetëve të librit”. Dhe për poezinë mund të flasë vet poezia. Mustafaj kishte zgjedhur të ndante me të rinjtë pikërisht poezitë e vëllimit të tij më të fundit me poezi, “Biri i Adamit”.

 

Një përmbledhje e botuar disa muaj më parë dhe që shënoi edhe rikthimin e Mustafajt si poet, pas 20 vjetësh. Një përmbledhje që përshkruante rrugëtimin e tij poetik. Një rrugëtim shpirtëror, plot dashuri për jetën, për gruan, për tjetrin. “Poezia vjen realisht shumë rrallë, vjen herë pas here, sepse është shumë naziqe, është pretencioze. Unë ndihem mirë, si në dashurinë e parë, sepse e kam filluar letërsinë, të shkruarit, me poezi. Krijimet e mia të para janë poezi dhe botimi i parë është me to. Unë ndihem shumë mirë, ndihem “i pangopur” sepse nuk vjen shpesh.

Proza është edhe disiplinë në masën 90 për qind. Romani do disiplinë, që të ulesh edhe të shkruash. Ndërsa, poezia nuk e kërkon këtë disiplinë, por kërkon një energji suplementare brenda vetes, që është si shkreptimat dhe rrallë ndizet”, do të thoshte Mustafaj pas takimit, i cili u përqendrua më së shumti te leximi i poezive.

POLITIKA

I ndodhur mes poezisë dhe prozës dhe për një periudhë jo të shkurtër edhe mes letërsisë dhe politikës, Mustafaj është përpjekur gjithnjë ta gjejë një të mesme. Edhe kur politika dukej sikur ishte primare, letërsia ishte gjithnjë aty. Thotë se politika e ka ndihmuar po aq sa e ka penguar, duke i ngrënë kohë. “Politika më ka ndihmuar, përveçse më ka dëmtuar shumë, duke më marrë kohën. Ka lënë gjurmë. Ka një rivalitet të madh, sepse janë dy pushtete të ndryshme. Pushteti i politikanit është një pushtet i përkohshëm, ndërsa i të shkruarit letërsi është një pushtet etern, i përjetshëm.

Por, përveçse më ka marrë kohën, që është një padrejtësi e madhe, që ia ka bërë letërsisë edhe më ka dhënë një përfytyrim, që nuk mundet ta merrja kurrë nga jashtë, lidhur me rolin e pushtetit në deformimin e njeriut, në shkatërrimin e disa vlerave, që një poet do të donte që të zgjateshin në jetën e një individi. Pra unë besoj, se eksperienca në politikë më ka lejuar që ta njoh pushtetin nga brenda. Edhe njohja e pushtetit nga brenda i shërben shumë shkrimtarit”, tha ai.

POEZIA

Takimi i djeshëm ishte një ftesë prej poetit, drejt poezisë, të cilën ai e konsideron si pjesën më të mirë të letërsisë shqipe. “Unë besoj se poezinë shqipe e kemi shumë më të zgjeruar, sesa prozën shqipe. Unë besoj se në mesataren e përgjithshme, jo individualitete të veçanta, ne sot kemi një poezi shumë më moderne edhe më cilësore, sesa një prozë. Flas gjithnjë për një mesatare. Kjo nuk mendoj se është shprehje e mungesës së talenteve për të shkruar prozë, por mungesës së vullnetit edhe të mundësive, që kanë këta individë për të shkruar, sepse të shkruash prozë kërkon përkushtim shumë të madh, kohë fizike edhe një minimum kushtesh jetësore.

Që të shkruash një roman duhet ta bësh për përreth 5 deri në tetë orë në ditë. Këtë mundësi nuk e kanë njerëzit që duan të fitojnë bukën e gojës, ata nuk kanë këtë kohë, se duhet që të bëjnë një punë tjetër. Përveç kësaj, mendoj unë, është edhe problemi i një mungese përqendrimi, që e ka gjenerata e re, e njerëzve të letrave. Intelektualisht ka mungesë përqëndrimi, sepse merret me shumë gjëra, ndërkaq që të shkruash romane të mira, duhet që të punosh vetëm me romane”, tha Mustafaj.

I ndodhur përpara një auditori të ri, që profesionin e kanë të lidhur domosdoshmërisht me letërsinë dhe përkthimin, poeti u shpreh se është shumë e vështirë për një të ri të mbijetojë me anë të të shkruarit. “Nuk arrin që të jetosh. Prandaj, duke bërë shumë punë, duhet që të fitosh bukën e gojës. Babai duhet që t’u lërë një pasuri ose shteti duhet që të ndërhyjë për të ndihmuar talentet e vërteta.

Një letërsi e madhe, që të jetë edhe të shfaqet e madhe, edhe përpara botës edhe shqiptarëve, duhet që të shkruajë shumë romane”, tha Mustafaj. Personalisht, edhe pse ia njeh primatin poezisë, është duke shkruar një roman, të cilin shpreson ta ketë gati përpara panairit të nëntorit. “Po shkruaj një roman. Ndërsa, poezia vjen herë pas here, nuk është një burim që rrjedh, por është si një vullkan që shpërthen herë pas here. Besoj se para panairit të nëntorit do të jetë gati”, tha Mustafaj

RECETA PA KOMB – Libër i autorit SAIMIR LOLJA

 

Ky është titulli i librit me brendi të papritur botuar në Shqip dhe Anglisht këtë vit.

 

Autori: Saimir A. Lolja

Titulli: RECETA PA KOMB

Nëntitulli: Lufta e sllavo-komunistëve për “çlirim”

Shtëpia Botuese: Helga’s Secrets, Tiranë

Kur: Shkurt 2018

Ku gjendet: Biblioteka Kombëtare, libraritë në Tiranë, Prishtinë, Elbasan, etj.

Internet: www.bukinist.al

Autori: Saimir A. Lolja

Titulli: THE NATION-FREE RECIPE

Shtëpia Botuese: Tellwell Talent, Vancouver

Kur: Prill 2018

Ku gjendet: Bookstores in the West

Internet: www.amazon.com, www.bookdepository.com, etc.

 

Libri RECETA PA KOMB ka përmbajtje ndryshe nga një hartë mendore e zakonshme. Libri e përparon historinë shqiptare duke e ndriçuar atë më mirë. Aty lexohet ajo që nuk ishte menduar më parë. Libri nuk është opinion personal. Libri është si një bibël shqiptare: aty janë të gjitha. Brendia e tij përshkruan njerëz dhe përmban analiza ushtarake, psikologji, histori shoqërore, gjuhë, politikë, spiunazh, Holokaust dhe Holodomor, dhe matematikë.

Libri ka në themel shqipërimin dhe prandaj që në fillim bëhet dallimi midis fjalëve jo-shqipe, atyre të albanizuara dhe atyre në shqip. Libri ka mënyrën e të shkruarit ndryshe ku nuk mungojnë themelet e domosdoshme çfarë-kur-ku-kush-pse-si. Libri nevojitet të lexohet dhe kuptohet i tëri, përndryshe një fjali e vetme do dukej si thashethem. Në këtë libër ai që di shumë gjen vetveten dhe ai që di më pak do dijë më shumë. Prandaj të lexosh këtë libër domethënë të mos ngelesh mbrapa.

Libri thur historinë shqiptare që nga fillimi i shekullit XX e deri tani si pjesë e historisë rajonale dhe evropianë. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri e përreth ka qenë e porositur. Me këtë brendi shqiptare kuptohet edhe rrjedha e ngjarjeve evropianë dhe botërore. Dhe se çfarë ka ndodhur me trojet shqiptare dhe në to nuk ka qenë dhe nuk është rastësi.

Shteti shqiptar u krijua në fund të Korrikut 1913 për shkak të përplasjeve ndërmjet vendeve të Lidhjes Entente (d.m.th. perandorive britanike, ruse, franceze) dhe vendeve të Boshtit Qëndror në Evropë (d.m.th. perandorive gjermane, austro-hungareze, italiane). Nëse Lidhja Entente do kishte patur autoritet të plotë, atëherë nuk do ishte krijuar shteti shqiptar. Vendimmarrësit nuk llogaritën përpjekjet dhe veprimet shqiptare për pavarësi. Ato as nuk llogaritën që shumicën e popullsisë dhe trojeve shqiptare po i linin jashtë kufijve të shtetit të cunguar shqiptar. Sa për kureshtje, disa pyetje që marrin përgjigje janë:

 

  • Nëpërmjet kujt ideje u përhap lufta e shenjtë sllave (Svyashchennaya Voyna ose Slavic Jihad)?
  • Pse në hartën e Evropës Juglindore gjatë shekullit XX u krijuan tre Jugosllavitë mutante dhe prej kujt?
  • Pse edhe ai shtet shqiptar i cunguar i njohur në fund të Korrikut 1913 është sulmuar pa ndërprerje edhe tani?
  • Çfarë ishte Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore?
  • Cilët i financuan, stërvitën, furnizuan, mbathën dhe i ndihmuan ushtarakisht forcat sllavo-komuniste në Jugosllavinë Nr. 2, në Shqipëri dhe forcat e krishtera ortodokse në Greqinë veriperëndimore; dhe pse?
  • Masakra e Borovës më 6 Korrik 1943, pse dhe nga ku erdhi urdhëri për të?
  • Pse numri i 28’000 “dëshmorëve”?
  • Incidenti me minat në Kanalin e Korfuzit më 22 Tetor 1946, pse e si?
  • Kur e nga kush u piratuan qindra ton ar nga Shqipëria më 1946?
  • “Diversanët” e futur në Shqipëri 1949-1954, pse ai emër dhe pse u dërguan?
  • Historia politike e mbretit Ahmet Zog, pse ajo?
  • Çfarë ishte Titizmi?
  • Çfarë ishin në të vërtetë të ashtuquajturit pesë spiunët britanikë të Kembrixhit që i shërbyen BRSS?
  • Çfarë ishte e ashtuquajtura Perdja e Hekurt e Luftës së Ftohtë dhe zgjatim i kujt ishte?
  • Pse Shqipëria e krasitur u mbyll në kafaz për 45 vjet dhe vitet pas 1991 kanë qenë ato që kanë qenë?

 

 

 

Përgatiti Saimir Lolja, autori

BEFASIA POETIKE E HASAN SELIMIT – Nga QAZIM SHEHU

 

Rreth vëllimit “UNË DHE FJALA”

 

Hasan Selimi i lindur në një trevë poetike (Kasaj –Tropojë) ku fjala është mençuruar që herët,vjen, kohëve të fundit, me një numër librash cilësorë ku shpalos botën e vet,kërkime dhe një rritje cliësore të fjalës drejt niveleve të reja të shprehjes. Nuk është nevoja t`i kujtojmë lexuesit dobitë e fjalës, as çfarë është thënë për të nga mendimtarë të ndryshëm, sepse lexuesi i di,por vetëm të theksojmë se Hasan Selimi është nga ata poetë që fjalën e respekton dhe e ngre në kuotat estetike të shprehjes. Kjo, se ai e di mirë peshën e shprehjes së saj,se fjala ndjehet më e bukur,më jetësore, më e paqtë vetëm në organizime të thurjes së vargut.

Studiuesi Ramiz Lushaj e ka quajtur penën e Hasan Selimit penë alpine, se me të drejtë, pikërisht duke qenë nga një mjedis i bukurive të bjeshkëve ,këtu fjala zihet ngushtë para madhështisë së tyre,po njëherit merr më shpejt flatra. Fjala për poetin bëhet shtëpi e qenies,domosdo e shprehjes,thurje e qëllimit dhe mundësi e transfigurimit të ndjesive dhe perceptimeve të ndryshme në ravijëzimet e holla të qiellit bjeshkor ku malet e larta, më së shumti ,duket se banojnë në qiell.

Kur lexon një vëllim poetik kërkon të kapësh shqetësimin e poetit,çfarë e ka frymëzuar atë.Vëllimet poetike janë të ndryshme dhe kanë secili larminë e vet në pangjashmëri me njëri tjetrin.Edhe vëllimet poetike të një poeti nuk i ngjajnë njëri tjetrit, sepse shkruhen në gjendje të ndryshme shpirtërore.Kjo është e kuptueshme.Hasan Selimi në këtë vëllim sjell dashurinë e vet për fjalën,e vendos unin e vet në trazim intelektual për të kapur finesën e saj,fjala vjen si çerdhësi që duhet të strehojë sa e sa kuptime.Në këtë kontekst, shpërfaqet një botë e tërë ndiesore dhe mendimore që tregon jo vetëm shqetësimet intelektualiste të tij, po edhe mençuron një qasje të veçantë sesi mund ta kuptosh modernitetin e këtij poeti i cili shfaqet me një verb të thjeshtë e strukturë solide në poezi dhe me një triblim kuptimi që qartëson dilemat e hpirtit njerëzor.”Poeti i vjetër sa dy epoka/dridhet i tëri…”, kumton poeti si parahyrje, sepse :”Në gurin e nisa të numëroj/me kohë t`i mësoj oratorinë…” dhe :E gjeta varur/në një degë mali/gur/se me lotin tim pastrova tel lahutën”.Poeti e krijon substratin dhe e shpall si moto poetike.Metafora shtrihet dhe përtërihet në të gjitha rrafshet e saj dhe Selimi e mbart atë si nevojë të shprehjes, pa synuar ta thërrasë me ngut.Fjala ngre peshën e vet aty ku e ngre dhe shenjon gjithë kuptimet që mundet.Kështu, poeti, lexueshëm infiltron në këto kuptime me mençurinë e tij,pa harruar të japë veten e vet dhe të shënjojë përmes kujtesës gjithë ç`ka përjetuar.Përjetimi tek ai tregohet dhe fjala zgjerohet përmes tij.Dhe kështu ai të befason sepse është një poet që sjell zërin e vet,e ky zë ngrihet në disa pika që gjallojnë përmes jetësimit autentik dhe identifikimit motivor.Ai rendën dhe e hap zemrën dhe kapakët e mendimit drejt motiveve të vendlindjes,drejt gurit,lahutës, drejt kujtesës;hipën në shkallët e qiellit,malit,lumit,duke u bërë një poet që e mjafton lëvizjen në forcën që jep të shprehurit e fjalës,po nuk e ndal aty,përkundrazi, këtë lëvizje nuk mund ta shpërfillë, as ta verë në gjumë,sepse fjala kërkon energinë e mendjes shpirtërore që mbetet perla në guackën e saj.Të gjitha këto mesazhe jepen në poezinë e tij ,herë drejtpërdrejt, kur ai fjalën e përmend për të mos e harruar atë,po edhe kur vihet në kontekste të ndryshme të përballjes dhe të ftesës që bën hija e saj madhore.

Vëllimi “Unë dhe fjala”shpreh në dukje një akordancë,marrëveshje që në pamje të parë , duket e çtipizuar ,si e shkëputur nga një bisedë,kurse në vetvete kemi të bëjmë me një pozicionim të vështirë, sidomos për një poet.

Poeti e kërkon fjalën përmes heshtjes,mallit,brengës,kontaktit me sendet,fjala vjen dhe i vë këmbë flatra fantazisë,ajo ngrihet herë si një pupël në ajër e herë zhduket e merr fluturime të largëta ku nuk e rrok syri, e herë vjen pranë pa treguar se ku ndodhet.Loja me të mbetet një lojë e përjetshme një ngacmim gjenerues,një dritëhije,një përmallim.Hasan Selimi është krijues që e vlerëson atë dhe i jep liri në krijimet e veta,kështu,poezia e tij organizhet si një bisedë e këndshme,si një nevojë për vetëshprehje dhe siguron dëgjueshmërinë e munguar që shpalos kumte të gjalla.Është një poezi e ndjenjave të sinqerta e pambingarkuar me figura dhe e gjendur në bërthamën e vet aktive,sepse poeti shprehet:”veten time vras për pak fjalë”. E në kërkim të saj vijon:”Midis kohësh baj llogari/si në valën e Drinit travitun”.Duke kapur kuintesencën e kësaj shprehje na duhet të mendojmë se fjalët janë si njerëzit, se në shtresat e kohës mbulohen dhe disa humbasin,po nuk humbet kurrë kujtimi për to,sepse fjalët kanë shpirt,ato transformohen,transfigurohen,kalojnë kuptimet e vetvetes dhe mbesin brenda kuptimit.”Ato ngrihen të gjitha të festojnë/ndezin qirinjtë të vallëzojnë shpirtrat”;është gjithmonë misteri i tyre që ndjell edhe pse shpesh ky mister,si çdo emërtesë e tij, me ndjelljen lodh .”Fshehtë më shikon/dalun nga zgavra e një lëvozhgë lisi”,një citim që mund të sillet në përfytyrimin e fjalës,duke kuptuar se nga del ajo.Kështu natyra e vendlindjes bëhet një ravijëzim që sillet ndërkëmbyeshëm në pamjet që jep në poezinë e Hasan Selimit,po njwherit objektet e tij poetike kufizohen pikërisht aty,gjithnjë nëpër trininë e unit,vendit dhe kohës dhe fjala si gjenerim i mendimit.

Lumenjtë zogjtë,guri,malet,bëhen shenja që përcaktojnë piketa të shpirtit e në këtë shëtitje të imagjinatës poeti i bën thirrje vargut:”Çohu o varg e ty të shitoftë zana/mblidh rrathët e lidhu si ke qenë”;e këtu,në kërkim të fjalës, poeti ndjen nevojën e ringritjes, e ndihmës së fjalës,si një mbështetje e fortë udhëtuese për të kapur pamje dhe imazhe, për të mos u ndjerë i qetë përpara bukurive të kësaj jete po edhe të sa pamjeve të tjera që jep ajo.

Poeti Hasan Selimi në krijimtarinë e vet,ai merret me publicistikë njëherit,me tregime,arrin të sjellë një botë shpirtërore që pasurohet dita ditës me kërkime të tij poetike,po edhe me nevojën për t`u thelluar në raporte të caktuara të mendimeve dhe ndjenjave;poet me ndjenjë ,po ndjenja vjen në poezinë e tij e kultivuar,ajo nuk është e hapët,përkundrazi kemi një ndjenjë që përcillet në thellësinë e mendimeve e të këndvështrimeve përmes filozofisë së të gjeturit të kuptimeve ekzistenciale,përtej të dukshmes dhe misterit.Dhe shpesh ai bën një dialog me kohën,me gjërat që s`janë dhe janë, dhe shtrin kështu vështrimin e vet në sa e sa kuptime dhe sendërtime të imagjinatëssë tij.Ky monolog me veten e nënkupton shqetësimin e tij poetik dhe shqetësimi kërkon fronëzimin e fjalës.Ai është një poet me varg të qetë,të pakufizuar nga metri,rima,brenda strukturës që përcaktohet në kufijtë e thënies , sa të mos prishet masa e saj.Shqetësimi për fjalën është shqetësimi më njerëzor,më i bukur,sepse fjala për poetin mbetet arma e vetme e luftës së tij në identifikimin e shpirtit,e kjo të kujton vargjet e Naimit:”Pse s`ka fjalë të dëftejë/dashurinë e bukurinë/nuk e them dot atë ndjenjë/nuk e them dot perëndinë.”

Fjala mbetet e pamjaftueshme,por ajo nuk ka tjetër ndihmëse që ta mbartë misionin e kumtimit, përveç saj.E kjo t`i kujton vargjet e Oktavio Paz:”Midis asaj që them dhe nuk them/poezia…”Në këtë derivat estetik qëndron edhe poezia e Hasan Selimit,një poezi që, në vëllimin në fjalë, konturon pamje dhe imazhe të brishta e të bukura,sjell dëshmi të një shpirti në trazim,po edhe të një mendje e cila gjithnjë lodhet të ndreqë poetikisht e të shpalosë.Një pjesë e madhe e poezive i drejtohen fjalës duke sjellë kësisoj boshtin tematik të vëllimit,e duke na krijuar sa e sa hamendësime dhe qëndrme tonat që e bën tekstin poetik të Selimit një tekst të hapur,përfshirës dhe ku lexuesi mund të angazhohet emocionalisht e mendërisht.Hasan Selimi është i vetëdijshëm për vështirësitë e fjalës si çdo poet i mirë,por prapë si çdo poet i mirë,këtë vetëdije nuk e shuan në vetëkënaqësi,por e ruan nga ajo,sepse misioni i fjalës është i vështirë dhe kërkon mundim të madh.Fjala është nazelie,por joshëse…dhe, kur e arrin, ajo e transferon veten në një joshje tjetër që duhet ta arrish ,e kështu pambarim…

17 maj 2018 – Takim me fituesin “Balkanika” Bashkim Shehu dhe përkthyesen Maria Roces

VOAL – Shtëpia botuese ‘Toena’ organizon takimin me shkrimtarin Bashkim Shehu dhe përkthyesen e romaneve të tij në spanjisht Maria Roces, mbi librin “Loja, shembja e qiellit” fitues i Çmimit Letrar “Balkanika 2015” dhe krijimtarisë së tij në tërësi.

E enjte, 17 maj 2018, ora 18:15 Muzeu Historik Kombëtar Skena Multimediale – Atrium MHK.

Takimi paraprihet nga një seancë autografesh nga autori në stendën “Botimet Toena” E enjte, 17 maj 2018, ora 18:00.

Gjurmë zërash, “rrëfime në mikrofon” … – Nga Xhahid Bushati

-Shënime për librin “Gjurmë zërash” të gazetarit Adrian Hoti, -Intervista në Shkodër – për BBC në Shqip, Botimet Fishta; Shkodër, 2018.

1.

Libri “Gjurmë zërash” (- Intervista në Shkodër – për BBC në Shqip) me autor gazetarin Adrian Hoti, më bëri të kthej kokën pas… Në këtë kthim pas të viteve të jetës sime të deritanishme, m’u shfaq një periudhë e ndritur, siç ishte ajo e 15 viteve të punës sime (1988 – 2003), në fillim si redaktor e më pas si gazetar i emisioneve artistike në Radio Shkodra. Gjatë një dekade e gjysmë në këtë institucion: njoha drejtorë, gazetarë (kolegë), folëse, inxhinierë, teknikë, bashkëpunëtorë, personazhe të ftuar në emisionet e mia dhe të kolegëve; njoha edhe plot njerëz të tjerë që punonin në administratë dhe në prapavijë, etj, etj. Janë kujtime pa pafund… Në këtë aradhë gjeneratash të ndryshme, për të cilët kam nderimin dhe respektin tim; një ditë njoha dhe ardhjen e gazetarit Adrian Hoti, të një djaloshi sa të heshtur aq dhe fjalëpak, sa këmbëngulës aq dhe zelltar.

Nuk e pata vështirë ta kuptoja se Adi si gazetar vinte si jo të tjerët e deritanishëm. Mbarte cilësitë e gazetarit kronist, të reporterit dhe publicistit. Shumë shpejt në mikrofon shpërfaqi timbrikën e zërit të tij, një zë i qartë, pa gërvishtje e plot emocion. E, sipas situatave ligjëruese e komunikuese, zëri i tij vishej me një hijeshi dhe larmi ngjyresash. Adi, me natyrën e tij të qetë, dinte kurdoherë  të plazmonte lajmin, t’i gjente fjalët-kyçe në ato pak rreshta që kumtonte. Por Adi shkonte edhe më tej. Edhe gjinitë apo zhanret e ndryshme radiofonike, në raportimet e tij ishte i sigurt, fjala shqip tingëllonte shqip, dhe me dëgjuesit “bashkëbisedonte” estetikisht bukur. Bartja e këtyre cilësive, që përfeksionoheshin profesionalisht nga viti në vit, bënë që gazetari Adrian Hoti, siç themi ne nga Shkodra, të mbetej si “ujë i pakët”. I tillë, mendoj, se është edhe sot. Por Adi mbartëte edhe cilësi të tjera. Po veçoj dy nga ajo shumësi, dy të cilat ia “përmenda” në përkushtimin që i bëra, me rastin e botimit të librit tim të ri të sapodalë. Në një faqe shkrova këto rreshta: “Adit, në shpirtin e të cilit fisnikëria bashkëjeton me mirësinë”.

2.

Kalojnë vite… Dhe, ja pikërisht sot, Adi, kësaj here si autor, më dhuron librin me titull “Gjurmë zërash” (- Intervista në Shkodër – për BBC në shqip). Ishte një befasi e këndshme dhe një emocion i veçantë. Një libër interesant me një titull interesant, ku konkretja ruan raporte harmonike me abstrakten, ku e panjohura bëhet e njohur, ku “sekretet” e personazheve kthehen në eter dhe bëhen “pronë” e të gjithëve, ku gazmon magjia e krijimit, ku dhe ku…, por ama zëri dhe gjurma bashkohen te Jeta, dhe vetë jeta frymon përmes bashkëbisedimit me 34 personazhe[1], të vizatuara përmes momenteve më të rëndësishme të ecjes së tyre dhe kontributeve fisnike, të realizuara me mjeshtëri nga Adi në këtë libër – polifoto. Sigurisht, nocioni Jetë (po flas, tani, në zbërthim të titullit të librit), te secili personazh i këtij libri, ka një raport e marrëdhënie të caktuar, me ngarkesa sprovash herë të lehta dhe herë të vështira, si edhe me një filozofi vështrimi e të jetuarit vetjak të personazhit. Për ta përligjur më tej sintagmën e titullit të librit, po sjell katër momente nga katër intervista të bëra nga Adi, ku, edhe pse personazhet vijnë nga fushat e ndryshme të jetës profesionale, konvergojnë në një vatër të përbashkët.

Ndoshta rastësi, ndonëse emri i fillon me A, dhe e kam fjalën për shkencëtarin erudit Ahmet Osja, e për intervistën e tij me të cilën fillon libri.

Osja, në përgjigje të njërës nga pyetjet, thotë kështu: “Edhe sot edhe 100 herë po të aplikojsha përsëri bujqësi do të përzgjidhja. E para, kam krijuar mundësi ta njoh mirë Shqipërinë, ta shkel atë dhe këtë ma ka ofruar pikërisht bujqësia; e dyta, është një profesion shumë njerëzor,…”[2]

Te Osja shënojmë fjalët: -ta njoh Shqipërinë, – një profesion shumë njerëzor.

Ndërsa fotografi Angjelin Nënshati shprehet: “…tek unë ishte vetë jeta dhe tuj e ditë se nëpërmjet fotografisë jeta fiksohet, pra ndalet, i thuhet një çasti ‘Ndal’, atje ku domosdo ke zgjedh pikën ma të bukur, kulmin e lëvizjes, atë që të frymëzon, …”[3]

Te Nënshati shënojmë fjalët: – ishte vetë jeta, – ke zgjedh pikën më të bukur.

Kurse aktori i mirënjohur Bep Shiroka, një pyetjeje i përgjigjet në këtë mënyrë: “Jam njeri që dishroj me ndi mirë për teatrin tem, aty ku kam kalu një pjesë të madhe të jetës teme mbi 40 vjet.[4]

Te Shiroka shënojmë fjalët: – teatër, – ku kam kalu një pjesë të madhe të jetes teme.

Ndërsa për intervistën e fundit, kam zgjedhur fjalët e bilbilit të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja, i cili thotë: “Unë mundohem, përpiqem, kam dëshirë, me ia arritë me shkru për jeten teme dhe kangët që shkrova.”[5]

Te Ndoja shënojmë fjalët: – me shkru jeten teme, – dhe… kangët që shkrova.

Në përfundim, protagonistët edhe pse ruajnë të përvetshmen e tyre, në marrëdhënie të shumëfishta me profesionin që kanë zgjedhur, të cilin e hymnizojnë, jeta është e pranishme aty, jeta jeton dhe mbart peshën e saj të gjithëjetëshme. Domosdoshmërisht, këtu, flasim edhe për përjetësinë e personazhit që rrëfen jetën e tij a momentet e jetës së tij përmes pyetjeve të mirëmenduara e të studiuara, të drejtpërdrejta të gazetarit Adrian Hoti.

3.

Ky libër i titulluar “Gjurmë zërash”, sipas autorit, gazetarit Adrian Hoti “është n

jë botim biografik, – unë mendoj se është më gjerë se kaq, – që përmban 34 intervista të realizuara në Shkodër, për radion BBC në Shqip, në vitet 2005 – 2007, me emra të njohur të fushave të ndryshme të shkencës, artit, kulturës, sportit etj. … Ky botim shoqërohet me një CD në audio, që përmban këto “rrëfime në mikrofon” të transmetuara në rubrikën e posaçme “intervista”.[6]

Pra, ky libër e ka një adresë, dhe kjo është BBC-ja. Në fakt, BBC-ja, jo vetëm përmes valëve të saj shpërndante rubrikën e posaçme “Intervista”, por e ridimensiononte atë, njëkohësisht duke ridimensionuar punën e palodhur, krijuese e gjurmëlënëse të gazetarit Adrian Hoti. Dhe duke e pasur kësaj here në fokus Adin, pozicionin e tij delikat të atij që interviston, me të drejtë ish-drejtuesja e seksionit BBC në shqip, gazetarja Julia Goga shprehet: “Janë tre gjëra që e dallojnë një intervistues mjeshtër: përgatitja e hulumtimi i thellë, kurioziteti e dëshira për t’i dhuruar dëgjuesit fakte të reja e emocion, si dhe takti që e bën të intervistuarin të ndjehet lirshëm e të hapet me ty. Ad Hoti i ka të trija këto cilësi.[7]

Dhe Adi ishte përgatitur që në laboratorin e tij krijues, për t’i sjellë këto botë, që secila prej tyre kishte pasuri dhe pajë të veçantë, kontribute, vlera, ëndrra dhe dinjitet. E, për autorin e librit, ç’ka do të thoshte kjo: hulumtim i pandërprerë materiali, përzgjedhja e tij, mënyra e ndërtimit të emisionit dhe paraqitja e të ftuarit, formulime të sakta pyetjesh, momente dhe detaje interesante, mjedis të ngrohta dhe njerëzor, etj. Më pas, pyetjet e pafund që gazetari i bën vetes: “A e realizova?, A lashë që mangut?, “Mos harrova gjë?, A mbeti i kënaqur i ftuari?, Po dëgjuesit, si e kanë pritur?…” – e pyetjet janë pafund… Dhe teksa shfletoj, lexoj dhe rilexoj kujdesshëm librin, autori, gazetari Adrian Hoti këtë misionin e ka kryer me profesionalizëm dhe dinjitet.  Ajo botë vlerash që disa vite më parë shpërndahej përmes valëve të BBC, sot udhëton si libër, dhe përmes tekstit rrëfimtar autorial të secilit, po “takohemi” përsëri për t’i përqafuar dashunisht këto vlera që Adi i shenjoi në librin e tij përmes një pune, që siç thotë gazetari i mirënjohur Hamit Boriçi: “jo pak e vështirë”.

4.

“Gjurmë zërash” ka një strukturë solide e të larmishme, larg kanoneve të përsëritjes e të njëtrajtshmërisë. “Gjurmë zërash” ka një ndërtim arkitektur plot imazhe e plot ngjyra. Aty “jetojnë”, siç thotë studiuesi Zija Vukaj “një galeri personazhesh nga të gjitha fushat e dijes dhe të kontributit njerëzor. … Në thjeshtësinë magjike të tyre spikat edhe individualiteti… Këta individë të shkëlqyer kanë jetuar e disa vazhdojnë të jetojnë mes njerëzve, mes të njohurve e të dashurve të tyre”.

“Gjurmë zërash” mbart dhe shpreh: plot filozofi, udhë, përpjekje, gjurmë, dëshira, pengje, kujtime, ëndrra, lot,… dhe… vlera të patjetërsueshme, dhe në fund: Jetë, – Jeta si dhurohet, si jetohet e si dashurohet ajo!

Një libër me plot hapësirë, që autori Adrian Hoti me përgjegjësi e frymëzim ka “qëndisur” çdo figure. I ka dashuruar! Ka përjetësuar identitetin e modelit të personazhit. Në pikëpamje ligjërimore, ky është një aspekt interesant studimi.

Libri “Gjurmë zërash” të rrëmben gjatë leximit të tij, dhe hap pas hapi njeh jetë figurash që nuk i ke njohur dhe, para syve dimensioni i këtyre modele rritet, ashtu siç rritet Shkodra jonë e dashtun dhe e shtrenjtë.

 

 

Shkodër, maj 2018

 

[1]Personazhet e intervistuar: Ahmet Osja, Ali Laçej, Angjelin Nënshati, Angjelo Masafra, At Zef Pllumi, Bep Shiroka, Bik Ndoja, Fadil Kraja, File Gjeloshi, Filip Guraziu, Florinda Gjergji (Fishta), Gëzim Kruja, Gëzim Uruçi, Gjok Vata, Jonuz Delaj, Kahreman Ulqini, Mahir Hoti, Marije Rranxi, Mark Kaftalli, Muhamed Sytari, Ndoc Kol Gurashi, Ndrek Prela, Paulin Preka, Paulin Selimi, Serafin Fanko, Skënder Drini, Tamara Gaci, Tomor Osmani, Tonin Tërshana, Ymer Striniqi, Xhahid Bushati, Zef Çoba, Zyliha Kraja, Zyliha Miloti.

[2]Hoti, Adrian: Gjurmë zërash – Intervista në Shkodër – Për BBC në Shqip, Botimet Fishta, Shkodër 2018, Ahmet Osja, specialist në fushën e bujqësisë, “Mjeshtër i Madh”, f. 19.

[3]Po aty, f. 37 – 38.

[4]Po aty, f. 61.

[5]Po aty, f. 71.

[6]Hoti, Adrian: Gjurmë zërash – Intervista në Shkodër – Për BBC në Shqip, Botimet Fishta, Shkodër 2018; Hyrje, f. 5.

[7]Po aty, shkrimi: Shkodra me pasurinë e saj kulturore e intelektuale është nje burim i pashtershëm, autore: Julia Goga Cooke, f. 7.