VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Bastiset shtëpia e gazetares, konfiskohet pajisja që do të zbardhë sulmin mbi Selën

By | June 10, 2017

Komentet

Fillon fushata zgjedhore, BDI garon me idenë për kryeministër shqiptar

Zërijeta Hajro Jajaga

Partia shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e ka filluar në Prespë, qytet ky në jug të Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin në idenë e madhe, siç e kanë quajtur, për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post.

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, në konventën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim në Prespë, të mërkurën ka theksuar se në këtë moment “i gjithë vendi po flet, por jo vetëm vendi, po flet rajoni, po flet komuniteti ndërkombëtar për një ide e cila mund të behet realitet”.

“I thash po kandidaturës (për kryeministër shqiptar) se kjo ide është më e madhe se sa unë, kjo ide është më e madhe se vetë BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim). Unë nuk do ta kisha pranuar këtë propozim sikur të mos bindesha se ky është një projekt kombëtar. Sikur të mos bindesha se përmes kësaj ideje do ta faktorizojmë popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më tepër”.

“Këto janë arsyet se pse jam i gatshëm dhe përgjegjës të angazhohem në këtë kauzë, të kandidojë për kryeministër në emër të komunitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut“, ka theksuar Ziberi.

Por, paraprakisht, duke komentuar idenë e Bashkimit Demokratik për Integrim për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi ish-deputet i partisë për Prosperitet Demokratik e cila parti është shuar, për Radion Evropa e Lirë tha se kjo ide që është promovuar si ide e madhe që duhet mbështetur nga të gjithë shqiptarët në asnjë mënyre nuk është ide e madhe që do të bëjë kthesë për sa i përket interesave të votuesve shqiptarë.

“Unë mendoj se ide të mëdha Maqedonia nuk ka në dispozicion dhe ofertat e ideve të mëdha kanë mbaruar, siç ishin euro-integrimet, zgjedhja e kontestit të emrit. Oferta, slogani për kryeministër shqiptar nuk është ide e madhe, e dhe ajo nuk mund të jetë atraktive për të bërë ndonjë kthesë radikale në dispononim e votuesit dhe sidomos votuesit shqiptar, prandaj nuk pres ndonjë kthesë të rëndësishme në këtë drejtim”.

“Përkundrazi, një numër i madh i qytetarëve veç më e kanë të formuar bindjen e tyre, aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore nuk do të jetë në stilin e tubimeve, tribunave, mitingjeve të mëdha ku do të mund të krijohet një dispononim momental për të animuar votuesin për zgjedhje”, kishte deklaruar vetëm katër ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi.

Përderisa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nën moton “tash është koha” konventën promovuese e kanë caktuar për të enjten në Tetovë.

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë me sloganin “Shkojmë në fitore” fushatën e ka filluar duke vendosur theksin në të arriturat e kësaj partie gjatë qeverisjes 3-vjeçare, përkatësisht anëtarësimet e vendit në NATO dhe procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, pa lënë anash dhe rritjen e standardit jetësor.

Përderisa partia maqedonase VMRO DPMNE në zgjedhje futet me sloganin për “ripërtërije” pasi siç theksojnë shteti gjatë qeverisjes së socialdemokrateve ka humbur dinjitetin si në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë. VMRO-DPMNE në fokus të fushatës zgjedhore ka vendosur realizimin e ë shumë projekteve kapitale, uljen e papunësisë dhe ripërtëritjen ekonomike.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, me rastin e fillimit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mërkurën u ka bërë thirrje të gjitha palëve që janë futur në garë të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve dhe kritereve të larta, duke e pasur parasysh gjithnjë perspektivën euroatlantike të shtetit.

“Pres të gjitha partitë politike të organizojnë fushatë në të cilën pjesëmarrja do të jetë e sigurt për të gjithë, edhe për kandidatët, edhe për qytetarët. Pres nga të gjitha partitë politike fushatë dinjitoze, me nivel të lartë të kulturës politike, pa diskreditime”, ka theksuar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Dënohet me 7 vite burg ish-kryeprokurorja speciale Janeva

Shkup

Gjykata në Maqedoninë e Veriut sot i shpalli fajtorë të akuzuarit në rastin “Zhvatja” Bojan Jovanovski dhe ish prokuroren speciale Katica Janeva, transmeton Anadolu Agency (AA).

I akuzuari i parë Jovanovski u dënua me burg prej 9 vitesh ndërsa Janeva u dënua me 7 vite burg.

Gjykata e shpalli fajtor Bojan Jovanovskin për veprat e kryera penale “marrje të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm” dhe për “larje parash”, ndërsa Katica Janeva për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”. Janeva nuk ishte e pranishme në leximin e dënimit. Ajo dorëzoi njoftim se nuk mund të marrë pjesë për arsye familjare.

Në përshkrimin e aktit të aktakuzës të ngritur nga Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhej se i akuzuari Jovanovski, ka ndikuar tek e akuzuara Janeva, që ajo të sjellë masa më të buta kundër një biznesmeni, i akuzuar në rastin “Perandoria”, i filluar nga ish-Prokuroria Speciale Publike.

Janeva dhe Jovanovski në fjalitë e tyre përmbyllëse para gjykatës mohuan akuzat dhe theksuan se nuk e kanë kryer veprën. Prokuroria, sipas tyre, “nuk ka dhënë dëshmi për veprën për të cilën i ngarkoi dhe tërë aktakuza është e bazuar në rrëfimin e një dëshmitari, që është i dëmtuar në rastin”.

Gjykimi për rastin “Zhvatja” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte për tre persona. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin dhe u dënua me 3 vite burg.

Kujtojmë se Prokuroria speciale është themeluar si institucion në bazë të marrëveshjes politike të arritur në vitin 2015 mes katër partive politike dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Kompetencë e kësaj Prokurorie është hetimi bisedave të përgjuara, në bazë të cilave ka indikacione se funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në më shumë afera korruptive dhe keqpërdorim të proceseve zgjedhore.

Grupi i Kumanovës nga burgu: Ambasada e Kosovës nuk na vizitoi kurrë (video)

N’Kosovë Show në emisionin e kësaj jave sjell bisedën me të burgosurit e rastit të Kumanovës.

Biseda është zhvilluar me Genti Sefaj, Muhamet Krasniqi, Fatmir Reçica, Mirsad Qerimi, Sylemjan Osmani, Betim Kabashi, Naser Bardhaliu, Fejzullah Rushiti, Fadil Fejzullahu dhe Bajram Elshani.

Sefaj ka treguar se ata i mban uniteti derisa të gjithë të burgosurit të këtij grupi në burg janë të ndarë në tre sektorë të ndryshëm.

“Jemi bërë si familje këtu”, thotë Sefaj.

“Ne gatuajmë me rend, nuk pranojmë ushqimin e burgut”, theksoi ai.

Ata ankohen se nuk kanë përkrahje nga institucionet e Kosovës. Ata kërkojnë unitet politik në Kosovë.

“Ambasada e Kosovës këtu gjatë gjithë kohës për pesë vjet, me kërkesat tona e prapë nuk vjen me na vizitu. Nuk na shërbejnë me dokumente pasi disa kanë nevojë për letërnjoftime, që u ka dalë afati dhe u duhet për martesë ose diçka tjetër. Nuk kujdeset ambasada e shtetit të Kosovës. Nuk e di pse kanë frikë”, thonë ata.

“Do të donim që shqiptarët të ishin më solidarë, jo vetëm në ditët e Bajramit, në veçanti për ata në nevojë. Shqiptarët të jenë më shumë në harmoni me njëri-tjetrin”, theksojnë të burgosurit.

Gjykata Themelore e Shkupit më 2017 ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Ndryshe, në përleshjet dyditëshe më 9 dhe 10maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut: Prekja e kufijve është e rrezikshme, dëmton gjithçka që është arritur

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vërë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vjetët e fundit. Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit.

Tema e korrigjimit të kufijve dhe e shkëmbimit të territoreve është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes pas një interviste të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, i cili shfaqi qëndrimin e tij jokundërshtues ndaj një ideje të tillë. Sipas tij, janë Kosova dhe Serbia ato që vendosin se për çfarë merren vesh dhe jo Brukseli.

Në Kosovë në mënyrë konstante i gjithë faktori politik e ka kundërshtuar një nismë që do të çonte në ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundër prekjes së kufijve janë edhe udhëheqësit në shtetet fqinje. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se një ide e tillë mund të ketë efekt të dëmshëm dhe të minojë gjithë përpjekjet që janë bërë për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor dhe për krijimin e shoqërive shumetnike në rajon.

Kështu kanë thënë ekskluzivisht për Gazetën Express nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut.

“Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë për Gazetën Express, Biljana Radeva.

Radeva ka thënë se presidenti Pendarovski ndjek në vazhdimësi zhvillimet lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se mbështet plotësisht përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rinisjen e dialogut në të ardhmen.

Gjithashtu kreu i shtetit maqedonas thotë se është në interes ta rajonit dhe të Evropës në përgjithësi që të gjendet një zgjidhje që do të ishte në të mirën e Kosovës dhe Serbisë.

“ Presidenti Pendarovski beson fuqimisht se është në interes të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe kontinentit Evropian në tërësi që çështja midis fqinjëve tanë veriorë zgjidhet në interesin më të mirë të dy palëve. Prandaj, ne do të jemi mbështetës për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka garanci të forta ndërkombëtare dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, kështu, duke i hapur rrugën bashkëpunimit të zgjeruar rajonal”, ka thënë Radeva për Gazetën Express.

Në fund, nga zyra për media e presidencës maqedonase thonë se Pendarovski e kupton faktin se mund të ketë pikëpamje të ndryshme rreth asaj se si duhet të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë, dhe fton palët e përfshira në proces që të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të ulin tensionet në mënyrë që të ecet përpara drejt një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërsa kuptojmë se mund të ketë pikëpamje të ndryshme për të zgjidhur këtë çështje afatgjatë dhe komplekse, besojmë se palët e përfshira në proces duhet të përqendrohen në ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe uljen e tensionit si një parakusht esencial drejt hapjes së diskutimeve thelbësore që përfundimisht do të çojnë tek kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Kundër idesë së korrigjimit të kufijve është deklaruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass. Në një debat të mbajtur në Bungestag gjatë së mërkurës, Mass ka thënë se një ide e tillë prolongon edhe më tej gjetjen e një zgjidhje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij lëvizja e kufijve apo shkëmbimi i territoreve çon në një rrugë qorre.

Se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit edhe ka thënë edhe emisari i BE’së, Miroslav Lajçak. Gjithashtu njohës të rajonit dhe ekspert të huaj kanë ngritur shqetësimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme se një ide e tillë është e rrezikshme dhe se mund të krijojë një efekt zinxhir të destabilitetit në të gjithë rajonin.

Publikisht për idenë e korrigjimit të kufijve për herë të parë kishin folur në vitin 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq, gjatë një forumi në Alpabach të Austrisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e kishte kundërshtuar ashpër një ide të tillë, derisa kishte organizuar edhe një Samit në Berlin, që thuhej se ishte bërë për të bindur edhe presidentin francez, Emannuel Macron për të pasur qëndrim të ngjashëm për një ide të tillë.

Ekspertë të ndryshëm kishin thënë se një ide e tillë ishte varrosur në atë Samit, megjithatë zhvillimet aktuale vërtetojnë deklaratën e ekspertit amerikan, Daniel Serwer, të dhënë për Gazetën Express kohë më parë se “ideja e korrigjimit të kufijve s’ka vdekur dhe se është si një kufomë që po vazhdon të endet vërdallë”.

Zaev përfundon dëshminë për rastin “Monstra”

Ish-kryeministri dhe drejtuesi aktual i LSDM-së, Zoran Zaev, dëshmoi sot në gjykatë se çfarë materialesh kishte dëgjuar për çështjen “Monstra” dhe ku janë ato aktualisht.

“Të gjitha dëshmitë audio dhe transkriptimet që kisha për këtë rast, në fund të vitit 2015, ia dorëzova Prokurorisë Speciale. Unë kam pasur një milion apo më shumë biseda dhe mesazhe me tekst që nga regjistrimi, disa prej tyre kanë qenë edhe në këtë rast, këto janë ndarë me publikun, por është një pjesë e vogël. Pashë biseda në formën e transkriptimeve, të cilat ishin pjesë e materialit, dhe u identifikuan me emrin dhe mbiemrin e disa prej personave të dënuar të atëhershëm, të njohur për publikun dhe aktgjykimin, rreth 180 faqe. Verdikti ishte gjithashtu i disponueshëm për mua dhe prej andej pashë emrat e të dënuarve, gjatë seancave dëgjimore, dëshmitarëve dhe të ngjashme. Askush nuk mund të bëjë një përzgjedhje, por kur shohim një transkriptim të një bisede midis, për shembull, Z. Fejzi Aziri dhe një personi tjetër, ju e dini që ky është personi i dënuar atëherë me një aktgjykim të shkallës së parë ”, tha Zaev në sallën e gjyqit.

I pyetur nga prokurori Fatime Fetai nëse ai ishte takuar me familjet e viktimave dhe për çfarë po flisnin, ai tha se ishte takuar me prindërit disa herë me kërkesën e tyre.

“Ata donin të merrnin më shumë informacione për atë që ndodhi, duke ditur që ne kishim “bomba”, gjë që për mua është logjike të kërkoj të vërtetën. Në njërën nga ato takime, disa prindër shprehën dyshime se sistemi i drejtësisë po fsheh të dhëna të caktuara prej tyre. Konkretisht, ka pasur 4 ose 5 komunikime midis personave të dënuar në atë kohë, për të cilat njëri nga bashkëbiseduesit ishte fshehur në biseda të tilla për shkak të sekretit zyrtar ose mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo u shkaktoi atyre dyshime dhe dyshime serioze. Duke pasur parasysh që ata mund të tregojnë se kush është ky, unë i nxora ato komunikime dhe i paraqita në praninë time, pa u dhënë atyre një kopje, “dëshmoi Zaev.

Ai sqaroi se ata morën një përgjigje të menjëhershme, dhe takimet u zhvilluan në një kohë kur disa nga ato materiale ishin në dispozicion të publikut, d.m.th në vitin 2015 dhe serinë e konferencave për shtyp të LSDM-së së atëhershme opozitare./GazetaExpress/

Më 24 janar 1948 lindi politikani shqiptar Arbën Xhaferi

Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Ka vazhduar studimet në degën e Filozofisë në Beograd ku ka mbaruar me sukses.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen “Koha” me editor Veton Surroin, në “Forum” që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë.

Do të vijë viti 1993 kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie.

PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Erdhi në pushtet me një strategji krejtësisht te re. Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve, por dhe si mjet që mund të ishte efikas kundër ndarjeve territoriale që sot e kësaj dite i kanosen Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Xhaferi investohet tek faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen atje ku nuk ekzistonin, pra në Kosovë apo te animet gjenetike të shqiptarëve për rebelim, ashtu siç pretendonin faktorët maqedonas, por te koncepti i shtetit i cili nuk përputhej me realitetin.

Qasja e Xhaferit në atë kohë turbullirash u përkrah më në fund nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur legjitimimin e luftës së shqiptarëve, duke nisur kështu maratona e Ohrit, që përfundoi me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.

Në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kalon në opozitë. Ai mbajti postin e kryetarit të partisë deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga Menduh Thaçi.

Në atë periudhë të zymtë parazgjedhore, analistë të ndryshëm patën vlerësuar se shqiptarët do të përfshihen në një konflikt të paevitueshëm brenda tyre. Në opozitë, Xhaferi që në fillim dha sinjale se qeveria e re, po devijon nga përcaktimet e marrëveshjes së Ohrit. Madje ai i drejtoi publikisht një letër kryetarit të shtetit Boris Trajkovski, duke refuzuar pjesëmarrjen në bisedime me të.

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, “PDSH-ja jo në letër”, dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”.

Arben Xhaferi ka ndërruar jetë me 15 gusht 2012, rreth orës 16:00, si pasojë e hemorragjisë cerebrale të pësuar një javë më parë.

Angelov pyet ministrin e brendshëm: E ke ditur “Lagjen e trimave”?

 

Kryetari i partisë “Dinjiteti” dhe ish-gjenerali policor, Stojançe Angelov i ka parashtruar disa pyetje ministrit të brendshëm të Qeverisë teknike, Naqe Çulev. Ai ndër të tjera e ka pyetur se a e ka qenë i informuar për rastin e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë dhe për 27 prillin e vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, përcjell INA.

“Goshinca, Lagja e Trimave dhe 27 prilli janë ngjarje që assesi nuk kanë mundur apo nuk kanë guxuar të kalojnë të pavërejtura nga shërbimet tona të zbulimit dhe kundërzbulimit, shërbime që ti udhëhiqje në ate periudhë. Sidomos nëse merret parashysh se operativi juaj Shenasiu ka pasur rol aktiv në disa prej tyre. Megjithatë, një shpresë më jep fakti se një muaj para ngjarjes së 27 prillit ke arritur që të largohesh nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Kundërzbulim, megjithatë ke ngelur shumë afër drejtorit të ri, si ndihmës – drejtor. Një ndihmës – drejtor që më parë ka qenë drejtor për pesë vite, besoj se ka ditur më shumë se nga vetë drejtori i ri”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e tij, Stojançe Angelov./GazetaExpress/

Shkup, parlamenti miraton kabinetin e qeverisë së re teknike

Isak Ramadani

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi të premten kabinetin e Kryeministrit të ri të qeverisë teknike, Oliver Spasovski. 101 deputetë votuan pro dhe asnjë nuk pati kundër. Më herët, në mëngjes zoti Zoran Zaev dha dorëheqjen nga detyra.

Presidenti Stevo Pendarovski ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kalimtare Oliver Spasovskit, i cili deri sot ishte Ministër i Brendshëm në qeverinë e zotit Zaev.

Kjo vjen si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës sipas së cilës Kryeministri jep dorëheqjen 100 ditë para zgjedhjeve. Qeveria e re teknike, në të cilën merr pjesë edhe opozita, organizon zgjedhjet.

Në qeverinë e zotit Spasovski do të ketë dy ministra nga radhët e opozitës VMRO-DPMNE.

Zoran Zaev kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja i zhgënjyer nga Bashkimi Evropian që nuk i dha datën Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. zëri i amerikës

Arrestohet ish kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti

Me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, pesë punonjës të Komunës së Tetovës janë arrestuar sot në mëngjes, ndërsa Departamenti për krim të organizuar në MPB po e kërkon anëtarin e Këshillit gjyqësor Zoran Teofillovski, transmeton Portalb.mk.

Sipas burimeve të Portalb, është arrestuar një ish kryetar i Komunës së Tetovës dhe disa persona të tjetë të njohur për opinionin. Jo zyrtarisht janë arrestuar personat S B, I K, B N dhe S P.

Zoran Teofillovski
“Është e vërtetë që pesë persona nga komuna e Tetovës janë arr estuar këtë mëngjes, ndërsa policia ende nuk mund ta gjejë edhe një person. Kërkimi për personin e gjashtë për të cilin është lëshuar urdhër hetimi vazhdon. Bëhet fjalë për legalizim të paligjshëm dhe privatizim të tokës tërheqëse “, tha për SDK, Villma Ruskovska./GazetaExpress/

Maqedonia e Veriut: Gazetarët bëjnë vetërregullimin e miediave online

Isak Ramadani

Organizatat e medias në Maqedoninë e Veriut hartuan regjistrin e medias online dhe ky regjistër përfshin 72 anëtare. Përfaqësuesit e organizatave “Këshilli për Etikë në Media” dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) të cilat e kanë përpiluar atë thonë se regjistri pason debatet për nevojën e adresimit të problemit nga puna e medias online. Organizatat vlerësojnë se vetërregullimi për nxitjen e profesionalizmit në media është një zgjidhje e fuqishme dhe se regjistri është bërë sipas kritereve të aritura midis Këshillit për Etikë dhe SHGM-së në bazë të praktikave në shoqëritë e zhvilluara demokratike dhe Këshillit të Evropës dhe se është dëgjuar po ashtu edhe komuniteti i gazetarëve, medias e biznesit në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, ka shprehur mbështetjen e tij për regjistrin e vetë-rregullimit të medias online në Maqedoninë e Veriut, që u njoftua të mërkuren nga Këshilli për Etikë në Media së bashku me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Odën Ekonmike.

“Vetë-rregullimi i medias është një mekanizëm i dobishëm për promovimin e cilësisë së informimit, ruajtjen e lirisë editoriale dhe fuqizimin e bësueshmërisë së medias” është shprehur Desir.

Nisma kërkon promovimin e vetërregullimit të medias online përmes fondeve transparente, mes tjerash; zotimin e medias online për respektimin e Kodit të Gazetarëve dhe publikimin e vendimeve nga Këshilli për Etikë në Media.

“Shpresoj se kjo punë e përbashkët nga disa organizata në Maqedoninë e Veriut do të jetë e dobishme për platformat e medias online si dhe për vetë komunitetin e gjerë të medias”, thuhet në komunikatën e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir.

Shoqatat mediatike të cilat hartuan regjistrin thonë se “publiku do të ketë mundësi të shohë se kush i respekton standardet dhe kush përhapë lajme të rreme; kujt t’i besojnë dhe shkrimet e kujt duhet marrë me rezervë”.

Lista e plotë e medias online do të pubkohet në janar të vitit 2020.

Pendarovski: Ligjin për gjuhën shqipe është kushtetues

Isuf Kadriu

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka mbrojtur të mërkurën ligjin për përdorimin e gjuhëve për të cilin raporti i Komisionit të Venecias kishte vërejtje të shumta.

Në fjalimin e fundvitit të Kuvendit maqedonas, Pendarovski tha se megjithatë Komisioni i Venecias nuk ka dalë me qëndrimin se ligji është antikushtetues dhe se dispozitat e tij madje janë më të larta se ato të konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Por ai ka tërhequr vërejtjet nga vështirësitë që mund të dalin në zbatimin e tij në praktikë, në veçanti në gjyqësor, që ishte edhe një nga vërejtjet kryesore të Komisionit të Venecias.

“Juristët e lartë evropianë me të drejtë thonë se shteti ynë në këtë moment nuk ka kapacitet dhe resurse që t’i zbatojë këto standarde në proceset gjyqësore dhe drejtuese. Me fjalë të tjera, çfarë fitohet nga ligji nëse dispozitat e tij mbeten vetëm në letër”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Ai ka kritikuar edhe zhvillimet në gjyqësor duke kërkuar përgjegjësi për secilin që me pagë shtetërore ka arritur të bëhet milioner.

“Thuajse tri dekada jemi shtet i pavarur, por ende asnjë politikan i lartë apo afarist i pasuruar brenda një nate nuk ka përfunduar pas grillave, kurse aty duhej të përfundonin më shumë se një. Perceptimi te qytetarët është se vetëm të varfërit dhe njerëzit që janë në margjina pa ndonjë relacion me ndonjë pushtet mbajnë përgjegjësi madje edhe për vepra penale për asgjë”, ka theksuar Pendarovski.

Kreu i këtij shteti ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore por edhe faktorë të tjerë që bashkërisht të punojnë për arritjen e synimit kryesor të vendit, anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ligji për gjuhën shqipe pritet ta dominojë fushatën zgjedhore

Isuf Kadriu

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar fillimin e bisedimeve me të gjitha institucionet dhe partitë politike për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, lidhur me raportin e Komisionit të Venecias për Ligjin e gjuhëve.

Vërejtjet e ekspertëve të këtij Komisioni kanë të bëjnë, me siç thuhet, “vështirësitë që do të shkaktojnë dispozitat e tij në procedurat gjyqësore”, por edhe në komunikimin ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, duke rekomanduar që gjuha shqipe të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar.

“Deri në fund të javës do të realizoj takime mes institucioneve adekuate që të mund të harmonizojmë qëndrimet lidhur me vërejtjet e Komisionit të Venecias…Duhet të punojmë për forcimin e kapaciteteve të institucioneve që zgjidhja vërtetë të marrë formën bazuar në rekomandimet e Komisionit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar më pas edhe paralajmërimin e opozitës për dorëzimin e amendamenteve për ndryshimin e Ligjit për gjuhët në përputhje me vërejtjet e Komisionit të Venecias.

“Opozita është një korrektues i rëndësishëm i proceseve. Nëse vërejtjet e tyre janë në drejtim të avancimit të projektit ‘Një shoqëri për të gjithë’, atëherë unë konsideroj se mund të debatojmë dhe të marrim parasysh vërejtjet e sugjerimet që mund të vijnë nga ana e tyre”, është shprehur kryeministri Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fillimisht doli me qëndrimin se Ligji për gjuhët nuk mund të ndryshojë, pasi sipas kësaj partie, që është pjesë e qeverisë, Maqedonia e Veriut do të kthehej në periudhën e para Marrëveshjes së Ohrit apo para konfliktit të vitit 2001ë. Por, tani nga kjo parti beson që përmes konsensusit ta kapërcejnë edhe këtë sfidë.

“Besoj se edhe në këtë fushë ne do të ndërtojmë një konsensus të përbashkët, të pranueshëm për të gjithë, një zgjidhje kjo që do të na bëjë me të fortë dhe krenar. Me këtë ne do të bëhemi shembull për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve, kompromiseve dhe qasjeve pozitive”, ka deklaruar Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Raporti i Komisionit të Venecias ndërkohë ka nxitur reagime e opinione të ndryshme, që sipas disa njohësve të çështjeve politike, ka ardhur në kohën që ndoshta partive më së shumti i konvenon për shkak të shfrytëzimit të tij për fushatë parazgjedhore.

Analisti Petar Arsovski thotë se pavarësisht se partitë tani shprehin gatishmëri për të nisur konsultimet, kjo çështje nuk do të zgjidhet, por e gjithë periudha deri në ditën e zgjedhjeve më 12 prill do të shfrytëzohet për përplasje politike dhe rrjedhimisht për fitimin e poenëve politikë.

“Unë mendoj se nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje. Partitë nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Tensionet do të vazhdojnë me atë se secila parti do të mbrojë qëndrimin e saj. Kështu do të ndodhë deri pas zgjedhjeve, që problemi t’i lihet për zgjidhje koalicionit të ardhshëm qeveritar. Pra, raporti i Komisionit të Venecias do të shfrytëzohet deri në maksimum nga partitë tani në prag të zgjedhjeve”, thotë Arsovski.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, është miratuar më 14 mars të vitit 2018 dhe me të parashihet përdorimi i plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet i gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, si në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike, si në të folur ashtu edhe në të shkruar, që nënkupton të gjitha tabelat dhe mbishkrimet do të jenë në dy gjuhë.