KOSTANDIN GJORDENI paska ndërruar jetë, shok nga Durrësi, më dhimbet shumë, kujtoj shëtitjet e rralla me të gjatë bregut te detit (si në oborrin e burgut brenda telave me gjemba) dhe flisnim për një det tjetër, atë vuajtjeve me dallgë tmerresh.
Kostandini tani ishte me një krah, se kishte hequr së voni plumbin që mori në revoltën e të burgosurve në Qafë Bari, – kështu më tha, u preka shumë, edhe unë isha atje, pranë tij, kur u përgjak…
Kam shkruar dhe në burgologjinë time “Ferri i çarë”. Nëpër paragrafë kërkoj emrin Kostandin Gjordeni:
REVOLTA
…edhe durimi s’durohej më…
…filloi paraditen e një dite pa emër…pse pa emër?… dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.
…U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht nuk përshëndeti, s’kishte pse.
…”Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa”.
Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak.
…Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.
Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash.
Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinozi, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës.
…kryengritje? S’dihet ku do të dalë…dhe gurë, shumë gurë… ku u gjetën gurët…
Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh…S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më pare. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!”, – dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?
…
DËNIMI I REVOLTËS
DHE DËNIMI I BURGUT
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë… Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasho, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonozi me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg,
Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë…
Pastaj dënuan dhe burgun. Si?! Të dënuar në një vend të dënuar…
…
Më vjen zëri i Kostandinit tonë… Akuza e tij do të ngrihet si Kostandini i legjendës nga varri dhe asnjëherë s’do të jetë i qetë vendi po nuk u ndeshkuan krimet dhe padrejtësitë…
Ai kthen kryet pas dhe na vështron…