Analisti Fatos Lubonja ishte mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë” ku foli për protestën e 10 shkurtit të opozitës dhe atë që pritet të ndodhë me protestën e radhës më 20 shkurt.
Lubonja është i mendimit se PD dhe opozita duhet të jenë më të ashpër me protestat, ashtu siç do ishte një popull perëndimor në raste korrupsioni masiv.
Më tej, ai shton se Balluku për të cilën protestën opozita, është thjesht një kukull që ha kumbulla prapa. Qëllimi duhet të jetë Rama, që sipas tij nuk kapet dot kollaj pasi pas tij është krimi i organizuar.
Lubonja: Ka një krizë sistemore. Edi Rama është njësoj si Sali Berisha. Këta kanë bashkëpunuar të gjithë me oligarkët dhe prandaj thuhet se nuk ngrihet populli. Unë nuk jam me këtë tezë. Teza ime është se sistemi ka qenë ky për të cilin po flasim.
Kemi kërkuar forca të reja dhe i kemi mbështetur ato. Por sistemi ka pësuar mutacion: nga dy parti oligarkësh është kthyer në një bandë që kontrollon gjithçka. Është ndërtuar një projekt që të mos ketë rotacion. Dhe nëse e gjithë ekonomia është kriminalizuar, atëherë ky është sistemi që është ngritur: një narkoshtet që nuk lejon më rotacion. Sipas meje, këto protesta bëhen më shumë sa për efekt simbolik, si fishekzjarrë që pasqyrohen në mediat e huaja.
Normalisht, më parë sistemi kishte edhe një faktor tjetër: ndërkombëtarët, të cilët detyronin ndryshime. Tani Europa po bëhet më autoritare dhe i mbështet këto qeveri. Shqiptarët nuk e kanë atë kulturë politike; presin që të vijnë të huajt. Edhe këta vetë presin t’i shpëtojë Trump. Të huajt thjesht duan të ruajnë fytyrën.
Edhe Trump duket si një njeri që synon të bëhet autoritar dhe nuk kam pikë dyshimi që nesër mund të takojë Ramën e të thotë se “ky është djalë i mirë”. Nëse nuk kapet Rama, Balluku është thjesht një kukull. Prapa Ramës, sipas meje, qëndron krimi i organizuar. Dhe kjo nuk kapet lehtë.