Deputeti demokrat, Saimir Korreshi, akuzoi mazhorancën socialiste që tani “kanë hallin e bakllavasë”, ndaj i nënshtrohen urdhrave të kryeministrit, i cili nga ana tjetër po bën gjithçka që të mbajë pushtetin, duke mbrojtur edhe zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion dhe e pandehur nga SPAK.
Ligjvënësi opozitar u shpreh për “News 24” ditën e sotme, se denoncimet dhe protestat e opozitës po bëjnë jehonë dhe po japin rezultate, kurse mazhoranca tani ka hallin vetëm si të mbajë pushtetin, se si të vjedhë zgjedhjet e ardhshme, si të sulmojë drejtësinë, pas “ujit nën rrogoz” që ka marrë.
“Unë lëvizjet e Ramës i shoh si pasojë e situatës. Rama ka mbledhur të tijtë, kanë hallin e bakllavasë, u thotë të qëndrojnë bashkë të gjithë që të mos humbasin bakllavanë. Ata mendojnë se si të ruajnë pushtetin, se si të vjedhin zgjedhjet. Por kanë marrë ujë nën rrogoz…”, tha ai mes të tjerash, duke përshkruar situatën politike mes socialistëve dhe demokratëve.
Por Korreshi nënvizoi edhe punën e drejtësisë që ka hetuar zyrtarët e korruptuar, përfshi edhe Belinda Ballukun, por shtoi se pavarësisht këtyre akuzave, mazhoranca i kundërvihet drejtësisë duke stepur qytetarët tek besimi dhe shpresa për të ardhmen. Madje nënvizoi se edhe pse e akuzuar për abuzime, jo vetëm që Balluku del rrugëve të pazarit, por i jepet edhe post politik në Fier.
“Njerëzit janë të stepur pasi shohin se si kjo qeveri po del mbi gjykatën duke mbrojtur me forcën e kartonit zyrtarët e korruptuar. Provat e SPAK ndaj Ballukut tregojnë për nivelin e lartë të korrupsionit në qeverinë socialiste duke nisur nga niveli lokal deri tek ai qendror. Por Rama e rikonfirmoi sërish të deleguar politike për qarkun e Fierit. Ju si keni parë ato prova që kemi parë ne, dhe nëse nuk i nxjerrim do përbënte vepër penale dhe ne kemi firmosur një letër, që ne do të ishim nesër në vend të saj nëse do t’i nxirrnim. Dhe pesha e këtyre provave nuk e zhbën dot, i jepet përparësi një njeriu që del ngrehur në pazar kur është i zhytur në korrupsion dhe kjo është më për të qarë”, tha ligjvënësi demokrat.

Ai akuzoi pushtetin aktual si të zhytur të paktën 60% në korrupsion dhe afera, nga niveli më i ulët, deri te zyrtarët e lartë. Dhe pavarësisht skandaleve, Korreshi tha se “kryeministri mbron me kartonë këta zyrtarë”, duke nënkuptuar Ballukun.
“Të gjithë këta të korruptuar, 60 % e bashkive, ministra dhe ish-ministra dhe tani zv/kryeministrja në një korrupsion kaq madhor dhe ti e çon të deleguar prapë si do të mësojë brezat një njeri që pritet ta fusin në burg por e mban jashtë forca e kartonëve”, vijoi ai.
Por sipas tij, opozita ka mundësi të bëjë edhe më shumë me protestat e saj, si ajo e 22 marsit, pasi situata politike ka ndryshuar shumë dhe PS është në krizë fal denoncimeve të tyre, punës së drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar.
“Opozita ka kapacitet për të bërë shumë më shumë, por në situatën ku ndodhemi nuk mund të presim që kjo qeveri të bjerë vetëm përmes protestave. Njerëzit stepen se shohin kur kjo qeveri del mbi gjykatën me forcën e kartonave, dhe po mbahet gjallë. Ju si keni parë ato prova që kemi parë ne, dhe nëse nuk i nxjerrim do përbënte vepër penale dhe ne kemi firmosur një letër, që ne do të ishim nesër në vend të saj nëse do ti nxirrnim”, deklaroi ligjvënësi demokrat.