Gjashtë vjet pas 21 janarit me 4 viktima në bulevard, gazetari Sokol Balla komenton vendimin e qeverisë për dëmshpërblimin e familjarëve.
Në një opinion publikuar në Javanews, Balla kritikon ashpër Ramën, pasi “duke vendosur një çmim, mbi kufomat e katër të vdekurve, nuk kreu një akt drejtësie dhe as vazhdimësie shtetërore”.
Balla nuk lë jashtë vëmendjes edhe veprimin e Metës, që sipas tij, prej 6 vitesh gjen sebepe për t’u zhdukur pikërisht në këtë ditë.
“Gjashtë vjet pas asaj ngjarjeje të pabesueshme, kur në studio përballë meje kisha pak javë më parë Sali Berishën që pranoi se do të kishte vrarë edhe më shumë se katër, për të ruajtur pushtetin e vet, kur Ilir Meta si cdo 21 janar, ka gjashtë vjet që në këtë ditë gjen sebep dhe ikën jashtë, kur Edi Rama shpërndan dëmshpërblime për 21 janar, si gjelin e detit për Vit të Ri, unë e kam të pamundur të pranoj të barazohem me vrasësit e atyre katër fatkeqëve”-shkruan Balla.
Sipas tij, “Edi Rama me vendimin e djeshëm, duke vendosur një çmim, mbi kufomat e katër të vdekurve, nuk kreu një akt drejtësie dhe as vazhdimësie shtetërore. Në fakt ai përmbushi një ekuacion fatal: duke vënë shenjën e barazimit mes një shumëe lekësh që i nxorri nga buxheti i qeverisë së vet dhe një krimi të pandëshkuar të qeverisë së Berishës, ai thjesht barazoi veten e tij me vrasësit e vërtetë”.
Balla, shkruan se drejtësia nuk është nën ndikimin e qeverisë së majtë, por kujton deklaratën e Ramës. “Siç më ka deklaruar Edi Rama në një intervistë një vit më parë “Drejtësia e munguar në 21 janar, ka qënë motivi im i shtuar për të bërë reformën në drejtësi”. Atëherë cila është arsyeja që qeveria vonoi QELLIMISHT dëmshpërblimin e gjyqit të fituar nga familjarët e katër të vrarëve vetëm tre ditë para përkujtimit të 21 janarit, kur vendimi i gjykatës administrative është dhënë muaj më parë?”- shkruan ai.
Komentet