Talentet shqiptare jo pak herë e kanë lartësuar emrin e vendit tonë në skena botërore. Të njëjtën rrugë është e vendosur të ndjekë dhe balerina Marinela Hysi. Marinela këtë vit ka shkëlqyer në spektaklin “Amici”, në Itali. Falë pasionit dhe performancës që dha para jurisë, arriti t’i bindë për të kaluar në fazën tjetër.
“Juria e Amicit nuk është juri qokash që e bind nga prejardhja apo mbiemri i famshëm. Ata u bindën nga “agresiviteti” im dhe mënyra sesi performova duke parë që nuk isha rastësisht aty dhe nuk e kisha marrë kot gjithë atë rrugë për të dalë para atyre e papërgatitur. Bindja e jurisë ka një kryefjalë, punën e përditshme që kam bërë gjithë këto vite. Balerina shqiptare është 25 vjeç, dhe përgjatë gjithë jetës ka punuar fort për të realizuar ëndrrat e saj. Ka studiuar psikologji, por që në moshën 20 vjeçare ka hapur një biznes fitnesi. Në jetë nuk do të bëhet biznesmene e suksesshme por një kërcimtare e mirë, e këtë ëndërr po e bën realitet çdo ditë.
25 vjeçarja nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Përballjen e parë me botën e spektaklit e ka bërë kur ka marrë pjesë tek “Star Akademi”, falë të cilës arriti të mësojë më shumë rreth famës, egos dhe konkurencës. Fillimin e saj Marinela e përshkruan kështu për pozitivi.org: “Atë botë që duket e bukur nga kutia e televizorit por shumë e fortë dhe e egër në vetvete. Më shërbeu ajo eksperiencë se mësova se çfarë ishte konkurenca, fama, egoja, vëmendja, elemente të cilat duhet të administrohen me shumë kujdes kur je në një moshë adoleshentësh”. Studimet i ka mbaruar për psikologji, ndërsa kërcimin e ka pasion. Këto të dyja ka mundur t’i gërshetojë mjaft bukur me njëra-tjetrën. “Kërcimi, gjëndja trupore janë të lidhura me psikologjinë, por edhe psikologjia si disiplinë shkencore në vetvete më intrigon jashtë mase”.
E ëmbël, e zgjuar, e talentuar dhe mbi të gjitha modeste. Këto janë disa veçori që e karakterizojnë Marinelën, balerinën shqiptare që mahniti jurinë e “Amici” në fazën e parë të konkurimit. Mirëpo 25 vjeçarja ka dhe një sekret që e bën edhe më të veçantë, e të suksesshme. “Marinela ka vetëm një sekret. Të qenit unik brenda një kornize të modestisë. Sot jemi në ditët që mendjemadhësia boshe nuk të çon askund. Vetëvlerësimi i tepërt është një pengesë që ia krijon vetes dhe të prish punë nëse të tjerët të shohin si person naiv”, tha Marinela për pozitivi.
Intevista me Marinela Hysa ekskluzive për pozitivi.org :
Pozitivi: Për të gjithë ata që s’ju njohin kush është Marinela Hysa, përpara se të bëheshe pjesë e Amici?
Marinela: Marinela vjen nga një familje e thjeshtë ku thjeshtësi ishte edhe themeli i edukatës që mora nga prindërit. Në moshë të herët zbulova pasionim tim të jetës, atë të kërcimit ndaj nga ai moment edhe deri sa të kem frymë do investoj dhe kontribuoj te ky lloj arti. Kam mbaruar studimet për psikologji dhe jam duke vlerësuar mundësitë e specializimeve sepse edhe kërcimi, gjendja trupore janë të lidhura me psikologjinë, por edhe psikologjia si disiplinë shkencore në vetvete më intrigon jashtë mase.
Pozitivi: Që në moshën 20 vjeçare ke investuar në një biznes fitnesi. Pse hoqe dorë papritur për t’u bërë pjesë e Amici?
Marinela: Unë nuk kam investuar te biznesi për të qënë biznesmene, kam investuar te kërcimi për ta bërë atë viral dhe biznesi ishte pasoja e këtij shkaku. Në jetë dua të jem një kercimtare e mirë jo biznesmene e suksesshme. Për t’u bërë pjese e amicit nuk kam hequr dorë nga asgjë, përkundrazi, investoj akoma më shumë në kurset që kam aktualisht.
Pozitivi: Ke kaluar fazën e parë të konkurimit, si e binde jurinë?
Marinela: Juria e Amicit nuk është juri qokash që e bind nga prejardhja apo mbiemri i famshëm. Ata u bindën nga “agresiviteti” im dhe mënyra sesi performova duke parë që nuk isha rastësisht aty dhe nuk e kisha marrë kot gjithë atë rrugë për të dalë para atyre e papërgatitur. Bindja e jurisë ka një kryefjalë, punën e përditshme që kam bërë gjithë këto vite.
Pozitivi: Çfarë mendimi ke për Klaudia Pepan e cila ka qenë pjesë e Amici edicionin që shkoi?
Marinela: Klaudian e komplimentoj për çdo arritje në jetën e saj profesionale, e njoh në jetën reale dhe nuk dua ta komentoj për jetën personale.
Pozitivi: Çfarë të motivon në këtë garë?
Marinela: Motivimin në këtë zanat e marr nga energjia ime. Unë do punoj akoma më fort për të bërë krenar vendin dhe familjen time. Nëse do arrij apo jo në finale këtë preferoj t’ja lëmë kohës se nuk vlen të bëj parashikime pa ditur si do marrë gara. E rëndësishme është që jam optimiste dhe nuk kam ardhur këtu sa për të kaluar rradhën.
Pozitivi: Prej sa vitesh merresh me balet dhe me çfarë je angazhuar gjatë kësaj kohe?
Marinela: Me balet merrem që kur kam formuar ndërgjegjen time dhe përveç baletit jam e fokusuar te shkolla si e vetmja derë e cila i jep vlerë mendore famës dhuntisë sime për kërcim.
Pozitivi: Në moshën 16 vjeçare ke marrë pjesë tek Akademia Yjeve 5, ma përshkruaj pak si ekperiencë?
Marinela: Pjesëmarrja te star akademi ishte përballja ime e parë me botën e spektaklit. Atë botë që duket e bukur nga kutia e televizorit por shumë e fortë dhe e egër në vetvete. Më shërbeu ajo eksperiencë se mësova se çfarë ishte konkurenca, fama, egoja, vëmëndja, elemente të cilat duhet të administrohen me shumë kujdes kur je në një moshë adoleshentësh.
Pozitivi: Çfarë qëllimesh ka pasur Marinela që në fëmijëri dhe sa ke mundur t’i realizosh deri tani?
Marinela: Qëllimet e fëmijërisë sime nuk janë një start 100 metërsh që i nis dhe mbarojnë, ato janë një maratonë e gjatë për të cilat duhet të lodhesh përditë që ti afrohesh. Gjithsesi jam optimiste se një gjë është e sigurt, dritën në fund të tunelit e shoh shumë të qartë.
Pozitivi: Si fillon dhe mbaron një ditë e Marinelës?
Marinela: Një ditë e imja fillon me një analizë të së shkuarës dhe të ardhmes. Dhe pastaj rend për të shijuar dhe jetuar të tashmen me punë, miqësi dhe familje.
Pozitivi: Ke menduar të zhvendosesh në Itali prej spektaklit, si të duket jeta atje krahasur me rutinën tënde në Shqipëri?
Marinela: Nuk është momenti që të mendoj se si spektakli Amici do ndryshojë jetën time por është momenti të mendoj se si unë duhet të punoj që të jem e suksesshme te ky spektakël.
Pozitivi: Ti ke lënë pas dore në një farë mënyre jetën personale për të çuar deri në fund pasionin? Sa ia ka vlejtur deri tani dhe nga e gjen vullnetin, apo inspirimin për të qenë kaq e përkushtuar?
Marinela: Unë jam shumë krenare që sa më shumë avancoj në profesion aq më pranë familjes sime gjendem. Ata janë këshilltarët e mi më të mirë dhe gjjthashtu personat që përjetojnë sukseset e mia më shume se unë. Gjithashtu edhe shoqet dhe miqtë e mi janë njerëz që nuk “vuajnë” nga mungesa ime se jam prezent me gjithë mundësitë që kam. Ndaj mendoj se nuk jam larguar nga askush pavarësisht angazhimeve që më vjedhin shumë orë të ditës.
Pozitivi: Një “look” i thjeshtë por në formë shumë të mirë, cilat janë sekretet e Marinelës?
Marinela: Marinela ka vetëm një sekret. Të qënit unik brenda një kornize të modestisë. Sot jemi në ditët që mendjemadhësia boshe nuk të çon askund. Vetëvlerësimi i tepërt është një pengesë që ia krijon vetes dhe të prish punë nëse të tjerët të shohin si person naiv. Ndaj librat e psikologjisë që lexoj më ndihmojnë që lukun tim ta fus në shinat e sjelljes normale dhe pa eksese.
Pozitivi: Kush janë planet e së ardhmes?
Planet e mia të momentit janë të jem sa më e saktë në përgjigjet që duhet të jap në intervistën tuaj (qesh).
Komentet