VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Autoritetet ruse kërkojnë arrestimin e gazetarit investigativ

By | October 8, 2021
blank

Komentet

blank

Navalny fiton Çmimin Sakharov

RFE/RL

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, fitoi Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit.

Çmimi vjetor i Parlamentit Evropian iu nda atij për, siç u tha, ekspozimin e korrupsionit në Rusi dhe të përpjekjeve për frenimin e lirive në këtë vend.

Navalny ishte në listë të ngushtë me një grup të grave afgane dhe me një politikan opozitar të Bolivisë.

Ai u shpall fitues nga ligjvënësit evropianë, njoftoi Partia Popullore Evropiane, e cila është subjekti më i madh politik në Parlamentin Evropian.

Navalny, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në një aeroport të Moskës në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij.

Navalny, 45 vjeç, është dënuar pastaj me 2 vjet e gjysmë burgim për, siç është thënë, shkelje të lirimit me kusht.

Ai ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Vitin e kaluar, Çmimi Sakharov i është dhënë opozitës demokratike të Bjellorusisë, e cila ka organizuar disa protesta kundër udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë: ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, opozitën demokratike të Venezuelës dhe aktivisten pakistaneze të arsimit, Malala Yousafzai.

blank

Moska njofton pezullimin e misionit rus në NATO

VOA

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov njoftoi të hënën se vendi i tij do të pezullonte misionin rus në NATO.

Zoti Lavrov tha se masa ishte në përgjigje ndaj vendimit të javës së kaluar të NATO-s, për të dëbuar tetë anëtarë të misionit rus në aleancën ushtarake.

Pas njoftimit se Rusia do të mbyllte misionin e saj diplomatik në aleancës ushtarake perëndimore, NATO tha të hënën se i ka mbajtur shënim komentet e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, por shtoi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për çështjet e ngritura.

“Ne dëgjuam komentet e ministrit Lavrov për mediat, megjithatë nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar mbi çështjet që ai ngriti”, tha një zëdhënës i NATO -s.

Një javë më parë NATO akuzoi zyrtarët e misionit rus se po punonin në fshehtësi si oficerë zbulimi dhe mori vendim të përgjysmojë numrin e ekipit të Moskës në selinë e saj.

Zoti Lavrov njoftoi gjithashtu se do të mbyllen edhe se zyrat ndërlidhëse ushtarake dhe ato informacionet të NATO-s, të cilat ndodhen në Moskë.

blank

Policia britanike – ‘Vrasja e deputetit britanik Sir David Amess ishte terrorizëm’

Vrasja e deputetit konservator Sir David Amess po trajtohet si një incident terrorist nga policia britanike, njofton BBC. Sir David u godit me thikë disa herë në takimine tij elektoral në Leigh-on-Sea në Essex të premten.

Policia Metropolitane tha se ekziston një lidhje domethënëse me ekstremizmin islamik.

Një 25-vjeçar britanik u arrestua në vendin e ngjarjes nën dyshimin për vrasje dhe policia tha se nuk po kërkonte askënd tjetër për vdekjen.

Si pjesë e hetimit, oficerët po kryejnë kërkime në dy adresa në zonën e Londrës.

Forcat besojnë se vrasësi ka vepruar vetëm, por hetimet për rrethanat e incidentit po vazhdojnë.

Vrasësi është në paraburgim në Essex, shtoi policia.

Burimet qeveritare i kanë thënë BBC -së se ai është një shtetas britanik i cili, nga hetimet fillestare, duket se është me origjinë somaleze.

Sir David, 69 vjeç, i cili përfaqësonte Southend Ëest, po mbante një takim elektoral – ku votuesit mund të takojnë deputetin e tyre dhe të diskutojnë shqetësimet – në Kishën Metodiste Belfairs të premten kur ai u sulmua në orën 12:05 BST.

Shefi i policisë së Essex, polici BJ Harrington tha se Sir David “thjesht po kryente detyrat e tij kur jeta e tij u ndërpre në mes tmerrësisht”.

Oficerët kundër terrorizmit po punojnë me Policinë Essex dhe Njësinë e Operacioneve të Specializuara të Rajonit Lindor.

“Sulmi fatal me thikë  në Leigh-on-Sea është deklaruar si një incident terrorist, me hetimin e udhëhequr nga Policia kundër Terrorizmit,” tha policia metropolitane.

“Hetimit e para kanë zbuluar një motiv të mundshëm të lidhur me ekstremizmin islamik.”

Oficerët po bëjnë apel për këdo që ka ndonjë informacion ose pamje nga kamerat e sigurisë, kamerë ose video, të kontaktojë me ta.

blank

SHBA, Australia, Japonia dhe India nisin stërvitjen “Malabar 2021”

Tokio

Ka filluar stërvitja e përbashkët e marinës së SHBA-së, Japonisë, Australisë dhe Indisë në Gjirin e Bengalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e lajmeve Kyodo në lajmin e bazuar në burimet e Forcës Detare të Vetë-Mbrojtjes Japoneze (MSDF) njoftoi se ka filluar stërvitja “Malabar 2021” e aleancës Quad të formuar nga 4 vendet.

Sipas MSDF, në stërvitje po marrin pjesë transportuesi i avionëve të marinës bërthamore të SHBA-së, Carl Vinson, një fregatë australiane, një shkatërrues indian dhe dy anije japoneze.

Zëvendës sekretari i Kabinetit në Japoni, Kihara Seiji në një konferencë për media tha se ata shpresojnë se stërvitja do të forconte marrëdhëniet e 4 vendeve në mënyrë që të realizohet vizioni “Indo-Paqësor i lirë dhe i hapur”.

Stërvitja e përbashkët në Gjirin e Bengalit në verilindje të Oqeanit Indian do të vazhdojë deri nesër. “Malabar” shihet si një përpjekje për të kundërshtuar aktivitetet e shtuara të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Japonia mori pjesë në stërvitjet “Malabar” në vitin 2015, të cilat u mbajtën për herë të parë në vitin 1992 nga marinat indiane dhe amerikane.

blank

Marrëveshja për taksën globale që tenton të zhdukë parajsat tatimore

RFE/RL

Mbi 130 shtete kanë arritur një marrëveshje për ndryshime gjithëpërfshirëse të tatimit të kompanive të mëdha botërore.

Qëllimi: të pengohen kompanitë shumëkombëshe që të grumbullojnë fitime në vendet ku ata paguajnë pak taksa ose aspak –që njihen ndryshe si parajsa tatimore.

Marrëveshja u arrit midis 136 shteteve pas bisedimeve që u mbikëqyrën nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Kjo marrëveshje pritet të përditësojë rregullat e taksimit ndërkombëtar që janë të vjetra plot një shekull, me qëllim që shtetet të mund të përballen me ndryshimin që kanë sjellë digjitalizimi dhe globalizmi, shkruan Associated Press.

Komponenti kryesor i marrëveshjes është: taksë minimale globale prej të paktën 15 për qind, një iniciativë kyçe që është shtyrë nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Yellen tha se taksa minimale do t’i japë fund një gare prej dekadash që ka pasur rënie të normave të taksave për korporatat teksa parajsat tatimore kërkonin që të tërhiqnin korporatat që të përfitonin norma të ulëta – por, në fakt bëjnë pak biznes në ato vende.

Këto janë aspektet kyçe të marrëveshjes:

Çfarë problemi adreson?

Në ekonominë e sotme, kompanitë shumëkombëshe kanë më shumë gjasa të kenë më shumë fitime nga gjëra të paprekshme siç janë markat tregtare dhe nga pronësia intelektuale. Ato mund të zhvendosen lehtë dhe kompanitë globale mund të caktojnë të ardhurat që gjenerojnë në një degë të tyre në një shtet ku normat e taksave janë shumë të ulëta.

Disa shtete konkurrojnë që të fitojnë të ardhura duke vendosur norma shumë të ulëta të taksave me qëllim që të tërheqin kompanitë, duke tërhequr baza të mëdha tatimore që gjenerojnë përfitime të mëdha edhe kur normat e taksave janë pak mbi zero. Ndërmjet vitit 1985 dhe 2018, niveli mesatar global i taksave për korporatat ra nga 49 për qind në 24 për qind. Më 2016, mbi gjysma e përfitimeve të të gjitha korporatave amerikane ishin zhvendosur në shtatë parajsa tatimore: Bermude, Ishujt Kajman, Irlandë, Luksemburg, Holandë, Singapor dhe Zvicër. Sipas një vlerësimi, kjo i ka kushtuar Thesarit amerikan 100 miliardë dollarë në vit.

Si do të funksiononte taksa minimale globale?

Ideja është e thjeshtë: Shtetet do të miratonin një normë të taksës minimale globale të korporatave prej të paktën 15 për qind për kompanitë shumë të mëdha, që kanë të ardhur vjetore mbi 750 miliardë euro (864 miliardë dollarë).

Më pas, nëse kompanitë kanë të ardhura që nuk tatohen apo tatohen pak në një prej parajsave tatimore të botës, shteti i tyre i origjinës do të vendosë një taksë që do ta sillte nivelin e tatimit në 15 për qind.

Kjo do të bënte të pakuptimtë për kompanitë që të përdorin parajsat tatimore, pasi që shmangia e taksave në vendet që ofrojnë norma të ulëta, do të mblidheshin në shtetet e origjinës. Për të njëjtën arsye, kjo nënkupton se taksa minimale do të kishte efekt edhe nëse parajsat tatimore individuale nuk do të merrnin pjesë.

Si do ta adresonte plani për taksa ekonominë e digjitalizuar?

Plani do të lejonte po ashtu shtetet të tatojnë pjesë të fitimeve nga 100 ose më shumë kompanitë shumëkombëshe kur ato bëjnë biznes në vende ku nuk kanë prezencë fizike. Kjo mund të bëhet përmes shitjes me pakicë në internet ose reklamave. Taksa do të aplikohej vetëm për një pjesë të përfitimeve mbi një diferencë fitimi prej 10 për qind.

Në këmbim, shtetet e tjera do të hiqnin taksat e tyre të njëanshme për shërbimet digjitale që kanë ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë, siç është Google, Facebook dhe Amazon. Një gjë e tillë do të shmangte edhe konfliktet tregtare me SHBA-në që argumenton se taksa të tilla padrejtësisht kanë në cak kompanitë amerikane dhe Uashingtoni ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet me tarifa të reja.

A ju pëlqen të gjithëve kjo marrëveshje?

Disa shtete në zhvillim dhe grupe avokuese siç është Oxfam dhe Rrjeti për Drejtësi Tatimore, organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, thonë se norma prej 15 për qind është shumë e ulët dhe lë hapësirë që shumë të ardhura të mos tatohen. Edhe pse taksa minimale globale do të mundësonte që qeveritë të inkasonin rreth 150 milionë dollarë të ardhura, shumica e këtyre parave do të shkonin te vendet e pasura pasi në to janë shumica e selive të kompanive shumëkombëshe.

Një taksë minimale prej 20 deri në 30 për qind u rekomandua nga paneli i lartë i OKB-së për Llogaridhënie Financiare, Transparencë dhe Integritet Ndërkombëtar. Në një raport të publikuar në fillim të këtij viti, paneli tha se një normë shumë e ulët e tatimit do të stimulojë shtetet që të ulin normat e tyre me qëllim që të mbesin konkurruese.

Shtetet që morën pjesë në bisedime, por që nuk nënshkruan marrëveshjen janë Kenia, Nigeria, Pakistani dhe Shri Lanka.

Cili është roli i SHBA-së në këtë marrëveshje?

Agjenda e Bidenit për taksat ka ngecur në negociatat midis ligjvënësve demokratë, pasi shpenzimet dhe propozimet për rritjen e normave janë ende në diskutim. Por, administrata amerikane ka pretenduar se në SHBA duhet të zgjerohet taksa minimale globale në mënyrë që edhe shtetet e tjera të binden që të veprojnë njësojë.

Biden ka tërhequr disa nga propozimet e tij fillestare pasi Kongresi dha mendimet e tij. Plani i fundit nga Komiteti për Mënyra dhe Mjete do të ngrehë taksën minimale globale në rreth 16.5 për qind nga 10.5 për qind sa është tashmë. Të ardhurat e kompanive vendore do të taksohen me 26.5 për qind nga 21 për qind sa është taksa aktualisht.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar që të rritet taksa minimale ndaj korporatave.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar që të rritet taksa minimale ndaj korporatave.

Pjesëmarrja e SHBA-së në këtë marrëveshje për taksa është thelbësore, thjesht sepse shumë korporata shumëkombëshe kanë selitë atje. Refuzimi i tërësishëm i propozimit të Bidenit për taksën minimale globale do të përbënte minim serioz për marrëveshjen ndërkombëtare.

Manal Corwin, drejtoreshë e taksave në kompaninë KPMG dhe ish-zyrtare në Departamentin amerikan të Thesarit në administratën e Barack Obamas, tha se heqja e taksave të njëanshme digjitale apo DST, do të ofronte një “motiv shumë të fortë” për SHBA-në që të marrë pjesë në këtë marrëveshje. Sipas saj, kjo është për faktin që marrëveshja do të ndalonte mosmarrëveshjet shkatërruese tregtare, që do të mund të përhapeshin në mesin e kompanive të tjera në sektorin e ekonomisë.

“Kur futeni në një luftë kërcënimesh me tarifa, tarifat jo domosdoshmërish vendosen për kompanitë që janë në qendër të diskutimit të çështjes”, tha ajo.

“Mund të jenë DST-të në fuqi sot dhe nesër të vendosen masa të tjera të njëanshme”, tha ajo, duke shtuar që tatimi ndërkombëtar ka nevojë për stabilitet dhe konsensus “që të inkurajohen investimet dhe rritja… nëse arrihet konsensus global, duke filluar me DST-të, mund të zgjerohet në gjëra të tjera”.

Si do të hynte në fuqi marrëveshja?

Marrëveshja do të dërgohet te liderët e Grupit të 20 vendeve më të industrializuara, pasi të gjitha këto shtete janë nënshkruese të këtij pakti. Më pas, zbatimi i marrëveshjes do të duhej të bëhej individualisht nga shtetet.

Taksa për të ardhurat në vendet ku kompanitë nuk kanë prezencë fizike, do të kërkonte nga shtetet që të nënshkruanin një marrëveshje ndërqeveritare gjatë vitit 2022, që do të duhej të zbatohej më 2023. Taksa minimale globale mund të aplikohet nga shtetet individuale, të cilat mund të përdorin rregulla të vendosura nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Nëse SHBA-ja dhe shtetet evropiane, ku shumica e korporatave shumëkombëshe kanë selitë miratojnë një taksë të tillë minimale, marrëveshja do ta kishte efektin e synuar.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Vullkani në La Palma krijon sipërfaqe të madhe toke në oqean

VOA

Rrjedhja e lavës nga një vullkan aktiv në ishullin spanjoll La Palma, në brigjet veriperëndimore të Afrikës, po vazhdon pa asnjë shenjë ndërprerjeje, që nga shpërthimi me 19 shtator të muajit të kaluar.

Autoritetet spanjolle thanë të dielën se një rrjedhje e re shkëmbinjsh të shkrirë nga vargmali Cumbre Vieja ka shtuar shkatërrimet e më shumë se 1,100 shtëpive dhe ndërtesave industriale, si dhe fermave në zonën kryesisht bujqësore.

Burimet qeveritare thonë se rrjedha e lavës ka shkuar deri në 1.5 kilometra në pikën e saj më të gjerë dhe ka krijuar një sipërfaqe prej afro 34 hektarë në zonën ku lava derdhet në oqeanin Atlantik.

Shpërthimi fillestar detyroi evakuimin e më shumë se 6,000 personave nga afro 85 mijë banorë që ka La Palma. Banorët po qëndrojnë brenda perimetrit të sigurisë të krijuar nga autoritetet.

Vullkani në La Palma shpërtheu për herë të fundit 50 vite më parë dhe zgjati pak më shumë se tre javë. Ishulli është pjesë e arkipelagut të ishujve Kanarie në brigjet veriperëndimore të Afrikës.

blank

Tre shkencëtarë në SHBA fitojnë çmimin Nobel për ekonominë

VOA

Tre ekonomistë me qendër në Shtetet e Bashkuara fituan të hënën çmimin Nobel 2021 në ekonomi për studimet e tyre mbi ndikimet e pagës minimale, emigracionit dhe arsimit në tregun e punës dhe për krijimin e kuadrit shkencor për të lejuar nxjerrjen e përfundimeve nga studime të tilla kur metodologjia tradicionale nuk mund të përdoret.

David Card i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i lindur në Kanada, do të marrë gjysmën e shpërblimit që vjen me çmimin, ndërsa gjysma tjetër do të ndahet mes Joshua Angristit i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets dhe Guido Imbensit, me origjinë holandeze, 58 vjeç, i Universitetit Stanford.

Akademia Mbretërore Shkencave të Suedisë tha se të tre kanë “reformuar plotësisht punën e shembujve konkret në shkencat ekonomike”.

“Studimet e Cardit mbi çështje parësore për shoqërinë dhe kontributet në metodologji të Angristit dhe Imbensit kanë treguar se eksperimentet natyrore janë një burim i pasur dijeje,” tha Peter Fredriksson, kryetar i Komisionit të Nobelit për Shkencat Ekonomike.

“Hulumtimi i tyre ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për t’iu përgjigjur pyetjeve të rëndësishme, gjë që ka qenë me përfitim të madh për shoqërinë.”

Në kërkimet e tij, zoti Card përdori përvojën e restoranteve në Nju Xhersi dhe Pensilvani për të matur efektet e rritjes së pagës minimale. Ai dhe partneri i studimeve Alan Krueger, që ka vdekur, zbuluan se një rritje në pagë minimale për orë pune nuk ndikon tek punësimi, duke sfiduar idenë se një rritje e pagës minimale do të ulte shkallën e punësimit.

Puna e akademikut Card sfidoi gjithashtu një ide tjetër mjaft të përhapur, sipas së cilës punësimi i emigrantëve ul pagat për punonjësit vendas. Ai arriti në përfundimin se të ardhurat e punonjësve vendas mund të përfitojnë nga emigracioni i ri dhe janë emigrantët më të hershëm ata që rrezikohen të preken negativisht.

Angrist dhe Imbens fituan për kontributin e tyre për zgjidhjen e çështjeve të metodologjisë që u mundësojnë ekonomistëve të nxjerrin përfundime të qëndrueshme për shkaqen dhe efektet, edhe kur është e pamundur të kryejnë studime sipas metodave rigoroze shkencore.

Duke folur me telefon nga shtëpia e tij në Masaçusets, Imbens u tha gazetarëve se kishte qenë në gjumë kur e kishi telefonuar.

“Kishim një fundjavë të ngarkuar.” tha Imbens. “Isha absolutisht i emocionuar kur dëgjova lajmet.”

Ai tha se ishte veçanërisht i emocionuar për Angristin, mik i tij i ngushtë që kishte qenë në dasmën e tij.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel, çmimi i ekonomisë nuk ishte parashikuar në testamentin e Alfred Nobelit, por banka qendrore suedeze e shpalli atë në vitin 1968, dhe fituesi i parë u zgjodh një vit më pas.

Javën e kaluar, Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2021 iu dha gazetarëve Maria Ressa nga Filipine dhe Dmitry Muratov nga Rusia për luftën e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes në vende ku gazetarët janë përballur me sulme të vazhdueshme, ngacmime dhe madje edhe vrasje.

Ressa ishte gruaja e vetme e nderuar këtë vit në të gjitha kategoritë.

Çmimi Nobel për letërsinë iu dha shkrimtarit tanzanian i vendosur në Britani, Abdulrazak Gurnah, i cili u vlerësua për “përshkrimin pa kompromis dhe të ndjerë të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatëve”.

Çmimi për mjekësi iu dha amerikanëve David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre në mënyrën sesi trupi i njeriut e percepton temperaturën dhe prekjen.

Tre shkencëtarë fituan çmimin e fizikës për studime që gjetën rregull në sisteme që dukeshin pa rregull, duke ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, përfshirë zgjerimin e të kuptuarit tonë për ndryshimet klimatike.

Benjamin List dhe David W.C. MacMillan fituan çmimin e kimisë për gjetjen e një mënyre më të lehtë dhe më të pastër për mjedisin për të ndërtuar molekula që mund të përdoren për të bërë përzierje, përfshirë ilaçe dhe pesticide.

blank

Merkel në Izrael: Gjermania ende mban përgjegjësi për holokaustin

Kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania ende mban përgjegjësi për Izraelin ndërsa foli me kryeministrin Naphtali Bennett gjatë vizitës së saj të fundit zyrtar atje, transmeton Gazeta Express.

“Holokausti është, natyrisht, një ngjarje unike për të cilën ne vazhdojmë të mbajmë përgjegjësi. Në çdo fazë të së kaluarës dhe të së ardhmes”, u tha Merkel gazetarëve të dielën.

Bennett, në anën tjetër, tha se Merkel, e cila do të tërhiqet nga politika pasi të përfundojnë bisedimet për koalicionin e ri qeveritar në Gjermani pas zgjedhjeve të shtatorit, është “busulla morale e të gjithë kontinentit evropian”.

Ai vlerësoi rolin e politikanes 67-vjeçare në konsolidimin e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve bazuar në “plagën e thellë historike” të shkaktuar nga Gjermania naziste ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

Merkel u takua gjithashtu me qeverinë izraelite.

Koalicioni qeverisës përbëhet nga gjithsej tetë parti të djathta dhe të majta të spektrit, dhe për herë të parë përfshin një parti arabe. Konservatori i krahut të djathtë, Benjamin Netanyahu u largua nga posti i kryeministrit në qershor pasi ishte në pushtet që nga viti 2008.

Kancelarja gjithashtu planifikon të zhvillojë bisedime me presidentin Isaac Herzog dhe ministrin e Jashtëm, Yair Lapid për herë të parë që kur qeveria dhe presidenti filluan mandatet e tyre në qershor dhe korrik.

Fokusi i bisedimeve pritet të jetë në programin bërthamor të Iranit, çështjen e pavarësisë së shtetit palestinez dhe çështjet bilaterale, mes shumë temave të tjera.

Angela Merkel planifikoi një vizitë në Izrael në fund të gushtit, por ajo u shty për shkak të zhvillimit dramatik të situatës në Afganistan.

Kancelarja, në prani të Bennett planifikon të vendosë një kurorë në Qendrën Përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem.

Në ceremoninë e dytë, Merkel do të marrë një doktoratë nderi nga Instituti Izraelit i Teknologjisë, Technion në Haifa në Izraelin verior. Merkel dhe Bennett më pas do të takohen së bashku me përfaqësuesit e kompanisë.

Kancelarja do të udhëtojë për në Gjermani të hënën.

blank

Autoritetet ruse kërkojnë arrestimin e gazetarit investigativ

Ksenia Turkova

Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) ka lëshuar një urdhër-arresti për gazetarin investigativ Roman Dobrokhotov, themelues dhe kryeredaktor i medias në internt “The Insider”. Gazetari akuzohet se ka kaluar ilegalisht kufirin me Ukrainën në muajin gusht dhe mund të dënohet me dy vjet burg.

Gazetari investigativ rus Roman Dobrokhotov është në kërkim nga autoritetet ruse, i dyshuar se ka kaluar kufirin me Ukrainën në mënyrë të paligjshme.

Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) njoftoi në fund të muajit korrik se “gazetari Roman Dobrokhotov kaloi ilegalisht kufirin me Ukrainën në këmbë, duke mënjanuar pikat e kontrollit të vendosura në kufi”.

Dobrokhotov është themeluesi dhe kryeredaktori i “The Insider”, një media kryesisht në internet dhe që është e njohur për bashkëpunimin me agjencinë e lajmeve “Bellingcat”, ku kanë hetuar disa çështje të nxehta, përfshirë helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny.

Gazetari Dobrokhotov thotë për Zërin e Amerikës se akuzat janë një përpjekje e Moskës për të frikësuar median e lirë.

“Çështja penale për kalimin ilegal të kufirit me Ukrainën është një çështje krejtësisht e fabrikuar politike”, tha ai për Zërin e Amerikës.

“The Insider”, është regjistruar si media intestigative në Letoni, ndaj Moska e ka etiketuar si “agjent të huaj” sipas një ligji të miratuar në vitin 2012.

Sipas këtij ligji, të gjitha Organizatat Joqeveritare që marrin ndihmë ose financim nga jashtë dhe që Moska i konsideron se janë të angazhuara në aktivitete politike, duhet të regjistrohen dhe identifikohen si “agjentë të huaj”.

Po ashtu përcaktimi si “agjent i huaj” i detyron këto media që të botojnë një shënim, ku të thonë se artikujt e tyre shpërndahen nga një organizatë mediatike “që përmbush funksionin e një agjenti të huaj”.

Avokatja e gazetarit Yulia Kuznetsova thotë se autoritetet kontrolluan apartamentin e tij, po ashtu dhe apartamentin e prindërve të tij në muajin shtator, duke marrë kompjutera, celularë dhe sende të tjera. Përpara kontrolleve, gjatë muajit korrik, autoritetet e thirrën gazetarin për ta marrë në pyetje.

“Unë mendoj se çështja penale ishte vetëm një pretekst për të hyrë përsëri në shtëpinë time, gjatë natës. Ata tmerruan prindërit dhe të afërmit e mi, si dhe morën të gjithë kompjuterat dhe telefonat. Ata thjesht kishin nevojë për një pretekst ligjor për këto veprime, njësoj si herën e kaluar”, tha gazetari për Zërin e Amerikës.

Ai arriti të largohej nga Rusia dhe aktualisht është jashtë vendit, megjithëse vendndodhja e tij e saktë nuk dihet. Bashkëshortja dhe fëmijët e tij janë ende Moskë.

“Nuk është e sigurt të punosh në Rusi, kështu që nuk kisha një zgjidhje tjetër. Unë doja të vazhdoja të jetoja në Rusi, dhe e bëra deri në fund. Ata që më njohin e dinë, që unë i kam injoruar lutjet për t’u larguar, ndoshta që nga viti 2018. Shumë njerëz u përpoqën të më bindnin se qëndrimi në Rusi ishte shumë i rrezikshëm, por unë qëndrova në anijen që po mbytej, derisa u bë e qartë, se shumë njerëz nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë po më ndiqnin hap pas hapi”

Media që ai drejton po vijon punën, por shumë ndryshime kanë ndodhur.

“Më parë 70% e ekipit tonë ishte nga Rusia, tani ky numër ra në 30 %. Kur në punësojmë njerëz të rinj, mundohemi që ata të jenë nga Rusia. Ne do të punësojmë ata gazetarë, që janë pa punë, për shkak se mediat e tyre u detyruan të mbyllen”, thotë për Zërin e Amerikës, Roman Dobrokhotov, themelues i “The Insider”.

Nëse dënohet për akuzat e ngritura kundë tij, Dobrokhotov mund të vuajë dy vjet burg.

blank

Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov – fitues të çmimit Nobel për paqe

VOA

Gazetarja nga Filipinet, Maria Ressa dhe gazetari rus Dmitry Muratov, janë fitues të çmimit Nobel për paqe për vitin 2021.

Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha në një konferencë me gazetarë se “Zonja Ressa dhe zoti Muratov po marrin çmimin e Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe në Rusi. Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që angazhohen për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme”, shtoi ajo.

Çmimi i ndarë sot është i pari i ndarë për gazetarët, që kur gjermani Carl von Ossietzky e fitoi atë në vitin 1935, për zbulimin e programit të fshehtë të armatimit të pasluftës (së Parë Botërore) të vendit të tij.

Çmimi Nobel për Paqen, do të jepet më 10 dhjetor, që është përvjetori i vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmimet në testamentin e tij të vitit 1895.

Një ditë më parë, Shkrimtari me origjinë nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah fitoi çmimin Nobel në letërsi. Akademia suedeze e vlerësoi shkrimtarin për atë që e cilësoi “depërtim i pa kompromis dhe i dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit, në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve”.

Me 6 tetor, shkencëtari gjerman Benjamin List dhe ai amerikan David MacMillan fituan çmimin Nobel në kimi për vitin 2021, për krijimin e mekanizmave të rinj, që bëjnë të mundur ndërtimin e molekulave që ndihmojnë, jo vetëm në prodhimin e ilaçeve të reja, por edhe që mbrojnë mjedisin”.

Ndërsa me 5 tetor, tre shkencëtarë, amerikani me origjinë japoneze Syukuro Manabe, gjermani Klaus Hasselmann dhe italiani Giorgio Parisi, fituan çmimin Nobel në fushën e fizikës për “kontributin e tyre në të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike, siç është ndryshimi i klimës në tokë”.

Java e çmimeve Nobel, pritet të përmbyllet me atë për ekonominë.

blank

Afganët dëshirojnë të restaurojnë statujat e njohura të Budës në Bamiyan

Bamiyan

Afganët dëshirojnë që të përfundojë restaurimi i papërfunduar i budave gjigantë dhe turizmi në luginën Bamiyan të ringjallet, raporton Anadolu Agency (AA).

Dy statuja të Budës u gdhendën në shkëmbinjtë ranorë të luginës Bamiyan gjatë shekullit të gjashtë para se Islami të mbërrinte në Afganistanin qendror.

Ata dikur ishin budat më të mëdhenj në botë. Më e larta ishte 55 metra e lartë, ndërsa statuja tjetër është afër 38 metra e lartë.

Megjithatë, ato u shkatërruan me urdhër të udhëheqësit taleban, Mullah Omar në mars të vitit 2001. Ata u bënë copë-copë me shpërthime të mëdha.

Në vitin 2003, UNESCO regjistroi peizazhin kulturor dhe mbetjet arkeologjike të luginës së Bamiyanit si në Listën e Trashëgimisë Botërore ashtu edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Ndonëse UNESCO ka vlerësuar se nuk ka mbetje origjinale të mjaftueshme të materialeve për restaurim, Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet (Icomos) ka kërkuar që budat të restaurohen.

“Këtu ka pasur dy statuja, por u shkatërruan. Më vonë u mor një vendim për rivendosjen e tyre. Edhe pse janë ndërmarrë disa hapa, asnjë përparim nuk është arritur”, tha për AA, Abdulkadir Hakimi, një nga turistët vendas që vizitoi luginën.

Duke theksuar rëndësinë e vendeve historike dhe turistike për zhvillimin ekonomik të vendit të tij, Hakimi tha se turistët kontribuojnë në ekonominë e rajonit që vizitojnë dhe do të vijnë nga e gjithë bota nëse restaurohen skulpturat monumentale.

Edhe një nga vizitorët, Emanullah Mahmudzai tha se janë më të kënaqur të vizitojnë zonat turistike sepse siguria në Afganistan u vendos pas kthimit të kohëve të fundit të talebanëve në pushtet.

“Ne erdhëm për të parë zonën ku gjenden statujat e Bamiyan sepse është një vend historik. Ky është një vend që ia vlen të vizitohet. Nëse rinovohet, do të vijnë më shumë turistë dhe kjo do të kontribuojë për njerëzit në rajon”, tha Mahmudzai.

blank

Dy shkencëtarë ndajnë Çmimin Nobel për Kimi

Dy shkencëtarët që fituan Çmimin Nobel për Kimi, 6 tetor, 2021.

 

Dy shkencëtarë u shpërblyen të mërkurën me Çmimin Nobel për Kimi, për punën e tyre në “zhvillimin e organo-katalizës asimetrike”.

Në deklaratën e Komitetit të Nobelit thuhet se Benjamin List nga Gjermania dhe David MacMillan nga SHBA-ja fituan çmimin prestigjioz për zhvillimin e një “pajisjeje të re precize”, e cila përdoret për zbulimin e barnave të reja dhe krijimin e molekulave që mund të kapin dritën nga celulat diellore.

Teknika, e quajtur organo-kataliza asimetrike, e ka bërë shumë më të lehtë prodhimin e molekulave asimetrike – kimikate që ekzistojnë në dy versione, ku njëra është pasqyrë e tjetrës.

Fituesit e Çmimit Nobel do të marrin një medalje ari dhe do të ndajnë mbi 1.1 milion dollarë.

Ndarja e çmimeve Nobel për sivjet nisi të hënën, kur u dha çmimi për zbulimet në fushën e mjekësisë.

Të martën u dha çmimi për fizikë, ndërsa çmimet për letërsi, paqe edhe ekonomi do të ndahen në ditët në vazhdim. rel


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend