Në vend të një portreti për Ismet Krasniqi-Lala në 75- vjetorin e tij të lindjes!
“Nëse punon për të tjerët, punon edhe për vedi….”
Ka qënë përherë moto e tij, qëkur ishte fëmijë!
Ti ndihmonte të tjerët me çdo mënyrë, sidomos me buzëqeshjen aq optimiste që si ndahet asnjeherë nga fytyra e këndshme , me timbrin e veçantë të zërit, me duart e hapura gjithmonë në mirësinë njerëzore të përqafimit…
Tashmë është i kudonjohur në botën shqiptare Ismet Krasniqi-Lala, artisti i skenave dhe odave malsore, i tubimeve patriotike dhe manifestimeve letrare dhe folklorike,i festave dhe gazmendeve, i ekraneve të shumta shqiptare.Gjithmonë bashkë me artistët më të njohur, modest dhe i kudogjendur në shërbim të arritjeve dhe sukseseve të artit dhe kulturës mbarëshqiptare.
Në kulmin e moshës dhe të krijimtarisë, në suksese të pandalshme në skena, duke merituar vazhdimisht kurora lavdie dhe duke korrur duartrokitje të pafundme të ithtarëve të shumtë, ai shfaqet edhe si një veprimtar dhe ideator i organizimeve origjinale dhe me mesazhe fisnike siç është “Dita e plisit” , e cila tashmë vazhdon dinjitetshëm pa u ndalur, me focus krejt trojet shqiptare.

“Kultura ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve!”
Eshtë ky lajtmotivi jetësor i ditëve të Lalës, kësisoj “Dita e plisit” s’ka ardhur krejt rastësisht, mendoj se është vepër e kahershme në vetëdijen e tij atdhetare dhe intelektuale, një prodhim origjinal i pareklamë dhe i pa zhurmë, përveçse aromës së këndshme që ka zgjuar në mbarë trojet shqiptare për përcaktimin e plisit si kult shpirtëror dhe etnik i shqiptarëve, si produkt që duhet pranuar, njohur dhe mbrojtur nga Unesko, por ndoshta edhe si një Ditë Kombëtare, si një festë në krejt trevat shqiptare dhe diasporë…Shqiptarët trashëgojnë nga Pellazgo-Ilirët një numër të madh simbolesh si shenjë e nje vazhdimsie natyrale e të njejtit popull dhe gjaku. Nje nga këto simbole eshte dhe Plisi ,që do te shoqërojë Pellazgo-Ilirët dhe me pas shqiptarët e sotëm në festat, martesat dhe në ditët e përditshme duke u kthyer në një pjesë e pandarë e folklorit tonë.

Një shenjë dalluese e trashëgimisë kulturore antike pellagjike, që shqiptarët e kanë ruajtur më besnikëri. Sa me tepër te studjohet dhe te flitet çeshtja e plisit, aq me shume fillon te marre hapësirën e dialogut dhe komunikimit kulturor.Kësisoj ndërgjegjësimi i kulturës shqiptare është mënyra më e mirë për të ruajtur traditat tona e të stërgjyshëve te lashtëve.Sidomos në kohën e sotme kur globalizmi përpiqet t’ju japë vetëm karakter simbolik…
Këtë e ka mjaft të qartë Ismet Krasniqi-Lala, edhe në rolin e veprimtarit shoqëror, edhe si aktor i skenës, edhe si krijues, edhe si studjues!
Ndaj ka investuar kohë dhe energji, me dhjetra ditë në diskutime dhe dialogje me shokët, miqtë dhe intelektualë, përpjekje kordinuese në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, për të realizuar një aktivitet kompleks.
Për nga nxitja e ndërveprimi kulturor, sikurse dhe shndrrimi i kësaj dite në një tryezë jetëgjatë, ku përcillen teza dhe vlerësime të ndryshme, ku luhet tradita dhe ringrihet e gjallë dhe e freskët atmosfera historike, e cila ka shoqëruar në shekuj rrugëtimin e plisit shqiptar.

Ismet Krasniqi është sot ndoshta një ndër veprimtarët dhe krijuesit më fisnik, i cili nuk vuan egon dhe posedimin e sëmurë të ideve të pronësuara veç për vete dhe për hir të një “curricula vitae” që rëndom vendoset e mbushur nga krijues mediokër në faqe portalesh dhe ballina librash…
Ai mendon dhe vepron me kolegët, bashkëqytetarët, pushtetarët, fëmijë dhe të rritur, shpalos mendimet e tij direkt në skenë dhe në rrugë, në kafe dhe në autobusin e udhetimit aq të shpeshtë në qytetet shqiptare, në takimet tradicionale të folkut, në dhjetra faqe të studimeve të tij për figura dhe ikona të njohura të kulturës.
Ndonjëherë, paturpësisht, ja vjedhin idetë dhe më pas i shpallin ato si të tyret , por ai kurrë nuk zëmërohet, e pranon aktin si pjesë e natyrshme e segmentit jetësor, bile i fton”vjedhësit” në aktivitetet e tij dhe i respekton, me një dashamirësi dhe zemërgjerësi të paparë…
E duan të gjithë, e respektojnë dhe e ftojnë ngado, jeta e tij është një udhëtim i pandalshëm artistik, të japë mesazhe të thjeshta dhe konkrete mikpritje dhe miqësie, mbetet hobi dhe mjeshtri e rrallë e tij.
Organizator i shkëlqyer, adaptues perfekt i mjediseve kulturore, si një ambasador veçanërisht i folkur shqiptar, të cilin e konsideron një vlerë universale të kombit shqiptar.

Mënyra sesi e vesh kostumin kombëtar, sesi vihet në rolin e të zotit të kullës(shtëpisë) sesi ju sherben mysafirëve kulturor , sesi vihet dhe luan rolin e moderatorit dhe më pas shndrrohet në objektin dhe subjektin e një manifestimi, sesi interpreton dhe apelon, janë padyshim pjesë e personalitetit të tij të gjithanshëm kulturor.Pjesëmarrja e tij në shumë projekte filmike, si në filmin “Kukumi”, “Etjet e Kosovës”, “Gomarët e kufirit” “Azem Galica”, veprat e botuara si: “Qesh e qaj jetën tonë”, “Folklori-art i pavdekshëm” kronikë festivalesh , “Lindja e luftëtarit”, “Shpirti ma do aktrimin”,numrat e shumtë të humorit në shfaqjet dhe videokasetat, pjesmarrjet në takimet periodike letrare dhe ato me karakter bashkëpunues në zona të ndryshme kulturore janë sfondi shoqërues i projekteve madhore si “Dita e plisit”.

Që do të duhet të kthehet në një tribunë periodike e ballafaqimit kulturor, por dhe e festimit popullor, duke rindjerë kthimin autentik të identitetit kombëtar, duke evokuar ndjesi krenare historike, duke ruajtur dhe konservuar vlerat e verteta, të cilat dallojnë shqiptarët në detin e trazuar të globalizmit kulturor.
Ismet Krasniqi-Lala thjesht ka guxuar në modestinë dhe fisnikërinë e qellimit të vet, ka ndërtuar një platformë rreth një ideje aktuale tashmë dhe ka hapur oreksin e fashitur moteve, duke cytur bashkëkombasit e vet për të mos harruar!
Mjafton kjo për ta respektuar dhe pranuar si një vlerë e pamohueshme e mjedisit tonë kulturor, të cilit duhet ti falemi për ndjesitë që na ka zgjuar!