Gazetari Artan Hoxha i është përgjigjur ditën e sotme intervistës së kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho te “Gazeta Shqiptare”, i cili e cilësoi gazetarin si mashtrues për deklaratat se ai ka takuar në burg Kastriot Ismailajn dhe Dritan Dajtin.
Hoxha tha se ky ka qenë një keqkuptim i gazetares që ka bërë intervistën, pasi ai në studion “Opinion” të “News24” nuk e ka përmendur emrin e Brahos.
Hoxha tha se ai ka përmendur vetëm që personi që ka zhvilluar vizitën ka qenë deputet. Gjithashtu, Hoxha tha se Braho e pranoi vetë që ka qenë ai deputeti që ka shkuar në burg për të takuar Iljaz Labin, ish-zyrtarin e burgjeve të arrestuar për korrupsion.
Në lidhje me paralajmërimin e Brahos se çanta e tij e zezë kishte gjashtë ndarje dhe se pas kësaj njëra prej tyre do të ishte për Hoxhën, ky i fundit ka thënë se nuk e trembte kjo gjë pasi është me origjinë malore nga e njëjta krahinë si Braho.
REAGIMI
“E lexova intervistën e Brahos me vëmendje sepse ka folur kryetari i Komisionit të Sigurisë, që është figurë e rëndësishme.
Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që gazetarja nuk ishte në brendësi të çështjes. Unë thashë që ka hyrë një deputet i rëndësishëm. Mund të ishte Piro Lutaj ose Qefalia. Ai e ka pranuar vetë që ka hyrë në institucion dhe nuk e kam thënë unë. Ai e ka pranuar vetë, unë s’përmenda emër të deputetit.
Ai e pranoi vetë që hyri në burg. Unë jam në një proces me Krimet e Rënda dhe nuk i kam marrë telefonat, i kam ende atje në mënyrë të paligjshme.
Aty është përmendur edhe Kastriot Ismailaj, por unë nuk e kam thënë këtë gjë. U habita që më ka kushtuar kaq shumë rëndësi. Ai tha që kishte një çantë të zezë me gjashtë ndarje dhe njëra nga ato ndarje ishte për mua.
Në rastin konkret mendoj që ka një keqkuptim”.














Komentet