Benet Beci “kyç” gojën para gazetarëveRreth dy orë në ambientet e prokurorisë, kryebashkiaku i Shkodres Benet Beci del nga SPAK

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka dalë nga ambientet e SPAK pas rreth dy orësh.

Beci është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, së bashku me shtatë vartës të tij. Më herët, ai është thirrur nga prokurorët, ku ka dhënë shpjegime në lidhje me çështjen nën hetim.

Benet Beci ka ushtruar më parë funksionin e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe, për disa vite, atë të drejtorit të KESH-it. Ai u largua nga ky post në vitin 2021, kur kandidoi për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Benet Beci u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Beci është përballur me gazetarët, por ka “kyçur” gojën para tyre, duke mos bërë asnjë prononcim mbi arsyet e paraqitjes së tij në SPAK.

Kujtojmë që kryebashkiaku socialist është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Ndaj Becit u regjistrua procedim penal për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim më 23.10.2024.

Ndërkohë më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi e mori të pandehur kryebashkiakun socialist.

Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjitik (projekt kërkimor).

Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.