ARMO SH.A, (Albania Refining and Marketing of Oil) lindi në vitin 1999, nga skizma e Albpetrolit. ARMO, që nga kjo kohë, ishte e vetmja kompani që kryente përpunimin e naftës së nëntokës shqiptare. ARMO SH.A përfshinte dy uzina, të ndërtuara nga miqtë kinezë, aleatët e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Në fillim, kinezët, në vitin 1968 , ndërtuan rafinerinë e Fierit dhe më pas kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, në vitin 1975. Furnitori i ARMO-s ishte Albpetrol dhe më pas kompani të tjera koncesionare, të krijuara rishtaz, ku shquhej Bankers Petroleum. Nga viti i krijimit 1999 deri në vitin 2008, ARMO ishte kompani shtetërore, që përpunonte 500 mijë ton naftë në vit dhe kishte mbi 2100 naftëtarë të punësuar. Fitimet vjetore të uzinës, përllogariteshin rreth 30-35 milionë dollarë amerikanë, nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit. Këto fitime vjetore, tregonin që ARMO ishte një kompani serioze dhe premtuese. Në maj të vitit 2008, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e drejtuar nga Sali Berisha, shpalli garën për shitjen e 85 % të aksioneve të ARMO-s. 20 kompani u interesuan për këtë proces privatizimi, por në fund vetëm 4 prej tyre paraqitën oferta. Në krye të listës, me një superofertë, prej 128 milionë eurosh dhe me premtimin për 240 milionë euro investime, në 4 vitet e ardhshme, qëndronte konsorciumi “Amra Oil” i përbërë nga “Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe “Refinery Associates of Teksas”. Pas konsorciumit me këtë përzierje të çuditshme emrash, në fakt si fitues qëndronte Rezart Taçi, një biznesmen kontrovers, i cili kishte shërbyer në Itali si kamarier dhe befas ishte kthyer në Shqipëri, si një biznesmen i rëndësishëm. Nuk dihet saktësisht sesi Taçi u bë mik i familjes Berisha, por dihet që kjo miqësi është shkaku që kamarieri i zbritur nga Italia, u bë pronar i një nga pasurive më të rëndësishme kombëtare të vendit.
I cuditshëm ishte fakti, që ato kohë u përfol shumë, se Taçit nuk iu përllogaritën në cmimin e shitjes, 40 milionë euro naftë rezervë. E vërteta është se biznesmeni Taçi, në të gjithë këtë proces privatizimi, paraqiti vetëm letra qindra milionëshe pa patur asnjë lek në xhep. Pas kësaj dhurate si të rënë nga qielli, Taçi u vu në lëvizje për të gjetur paratë. Duke mos patur asnjë mundësi për ta zhvilluar këtë biznes, ai krijoi për herë të parë në historinë e koncesioneve në Shqipëri, një skemë të mirëfilltë mashtrimi dhe grabitjeje nëpërmjet taksave.
Sapo fitoi koncesionin e ARMO-s, Taçi, mori një kredi prej 75 milionë euro, nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, IBA, një institucion financiar, 50.2 % e të cilës ishte në pronësi të shtetit azer. Në atë kohë, Azerbaixhanin e vizitoi edhe Kryeministri Berisha, i cili mori pjesë në një forum, ku takoi edhe presidentin azer, Aliev, takim mjaft i përfolur ky, në atë kohë. Taçi dhe Banka azere përdorën për transfertën e 75 milionë eurove, Bankën Shqiptare,CREDINS. Një vit pas transfertave dhe blerjes së ARMO-s nga Rezart Taçi, banka azere i kërkoi kthimin e shumës mbrapsht Bankës Credins. Në fillim Credins hezitoi të pranonte se kishte marrë shumën prej 75 milion eurosh, por më pas ktheu vetëm 1.5 milion euro. Raporti mes azerëve, Taçit, Bankës Credins, por dhe qeverisë shqiptare, është pjesa më e errët e kësaj afere. Azerët u përpoqën të merrnin paratë e tyre deri dhe me kërcënime. Në ato kohë u plagos edhe një shtetas azer në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, një nga pistat e hetimit për vrasjen e presidentit të Bankës CREDINS, janë azerët. Edhe sot e kësaj dite, Banka IBA nuk i ka marrë paratë për kredinë e ARMO-s, ndërsa paratë që kjo bankë transferoi në Shqipëri nuk dihet ku përfunduan. Gjithsesi, kjo është vetëm maja e ajsbergut! Në të njëjtën kohë, pra në vitin 2009, biznesmeni Rezart Taçi, nisi sagën e shmangies së taksave dhe mospagimin e detyrimeve të tjera. Drejtoria e Tatimeve dhe Doganat, cuditërisht gjatë gjithë kohës mbyllën sytë, duke vendosur gjoba qesharake ndaj ARMO-s edhe pse kjo kompani nuk kishte dorëzuar asnjë bilanc, nga viti 2010 deri në vitin 2013. Asnjë institucion nuk morri masë për bllokimin e llogarive bankare të Taçit. Dukej që lepuri flinte më lart.
Sipas auditit të kryer nga kompania audituese “Deloitte”, borxhet e ARMO-s, gjatë kohës që ishte në pronësi të biznesmenit Taçi, nga viti 2008 deri në gusht 2013, e kaluan shifrën 300 milion euro. Taçi njëkohësisht kishte marrë 2 kredi të mëdha në bankat shqiptare, me vlerë 47.5 milionë euro, duke vënë si garanci asetet e ARMO-s, duke e mbivendosur këtë garanci, kudo kur merrte para. Por këtu nuk janë vetëm bankat viktimë. E keqja më e madhe është, se ARMO e asaj kohe, rezulton të jetë debitore ndaj palëve të treta, konkretisht ndaj 10 kompanive naftë-nxjerrëse, me një vlerë që i kalon 100 milion euro. ARMO e Taçit, kishte gjithashtu mbi 40 milionë euro detyrime ndaj Albpetrol, si dhe 41 milionë dollarë ndaj një kompanie panameze, Uallis Trading Inc, ku i kishte mashtruar duke i lënë një kolateral inekzistent të ARMO-s. E sikur të mos mjaftonte degradimi që po i bënte ARMO-s, duke e fundosur me borxhe, qeveria Berisha, i jep në vitin 2012, biznesmenit Rezart Taçi, kompaninë naftë-nxjerrëse, Albpetrol. Njësoj si me ARMO-n, edhe tek Albpetrol, shfaqën interes 4 kompani, por Vetro Silk Road Equity Ltd e regjistruar në Singapor, u rendit fituesi me ofertën e majme prej 850 milionë euro. Po ngjallej ëndrra e madhe e piramidave dhe sigurisht mbrapa kuptohej që ishte… Dhe njëlloj siç ndodhi me privatizimin e ARMO-s, edhe Vetro dështoi të siguronte paratë për privatizimin e Albpetrol. Qeveria u tërhoq duke e anulluar tenderin në janar të vitit 2013. Edhe në këtë rast, kompania nën kontrollin e Taçit, kishte ofruar një garanci prej 85 milion euro nga American Chartered Bank në Çikago, e cila më vonë, sic pritej, u zbulua se ishte falso.
I gjendur në prag falimenti, me një mal me borxhe tek Tatimet, doganat, bankat, Bankers Petroleum, Albpetrol e shumë kompani të tjera, në gusht të vitit 2013, Taçi vendos të shesë ARMO-n, për 50 milionë euro, tek një kompani tjetër azere e quajtur Heaney Assets Corporation dhe e regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Britanikë Virxhin. Me ardhjen e qeverisë së majtë në pushtet në vitin 2013, shpresat se më në fund ARMO do të vihej nën kontroll, u zgjuan. Por shpresa nuk zgjati më shumë se një ëndërr. Siç do të shohim më poshtë, Edi Rama, mori të gatshme dhe përdori të njëjtën skemë që kishte përdorur parardhësi i tij, Sali Berisha. Kompania azere, Heaney Assets Corporation, pasi morri në dorëzim ARMO-n, u gjend e tmerruar nga borxhet e mëdha që kishte lënë Rezart Taçi. Me metodat që dinte ti përdorte vetëm ai, Taci i kishte fshehur të gjitha borxhet me fatura fiktive, pak para se ta shiste. Kulmi i mashtrimit arriti kur edhe gjatë shitjes së ARMO-s, Taçi përdori sërish uzinën, për të marrë një borxh prej 69 milion euro, të cilën ua transferoi kompanive të tij “Taçi Oil” dhe “KUID Sh.a”. Këtë shumë gjigande e përfitoi në momentin e ndërrimit të aksionerëve. Të shokuar nga ky bilanc tronditës i ARMO-s, azerët ndërprenë punën deri në gusht të vitit 2014, ku ata lidhën dy marrëveshje kontraktuale me kompaninë Deveron Oil, e krijuar në zonë off shore dhe kompaninë tjetër, Trading Petrol and Drilling, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit. Kontratat që u lidhën me këto dy kompani ishin të çuditshme, pasi ARMO merrte përsipër të gjitha detyrimet tatimore, doganore, vendore, energjinë elektrike dhe çdo taksë apo sanksion. Por kjo lehtësi ndaj këtyre dy kompanive, nuk ishte rastësi. Pikërisht këtu fillon i njëjti skenar grabitjeje si ai i kohës së Berishës, por me aktorë dhe regjisorë të rinj. Në kompaninë Trading Petrol and Drilling, më herët kishte qënë administrator Mitat Sulaj, vëllai i biznesmenit Besnik Sulaj, pronarit të kompleksit Taivan, një nga miqtë e njohur të kryeministrit Rama. Ndërkohë, përfaqësuesi aktual i Trading Petrol and Drilling, është Pajtim Braçaj, vëllai i Avni Braçajt, i cili zotëron 10 % të aksioneve të kompleksit ‘Taivan’.
Ndryshe nga Trading Petrol and Drilling, pronësia e Deveron Oil nuk është e qartë. Megjithatë, ka dyshime se mbas saj mund të fshihet biznesmeni Rezart Taçi, duke qenë se është e njëjta skemë grabitjeje. Të dy kompanitë, Deveron Oil dhe Trading Petrol and Drilling, nëpërmjet lehtësive që u krijoi kompania azere Heaney Assets Corporation, dyfishuan borxhet ndaj shtetit Shqiptar. Sipas Ministrisë së Energjisë, në Janar 2016 kompania Deveron Oil krijoi një borxh prej 81.2 milionë dollarë, ndërsa TP&D Oil 55.2 milionë dollarë. Një raport tronditës i Ministrisë së Energjisë, i Shkurtit 2016, tregon që deri në Janar 2016, ARMO, duhet ti paguante shtetit një shumë prej 595 milionë dollarë detyrime, që nga koha e privatizimit në vitin 2008. Ndërsa ARMO kishte arritur kulmin e borxheve, bankat lëshuan dhëmbët e zyrave përmbarimore, për të marrë kolateralin, në këtë rast astetet e Uzinës së Ballshit dhe asaj të Fierit. Edhe pse kokoshi ishte katandisur një thelë, lufta ishte e madhe.
Banka e nivelit të dytë, CREDINS, aktivizoi në prill 2016, zyrën e saj përmbarimore, TMA, për të sekuestruar 54 asete të ARMO-s. Kjo shoqëri përmbarimore e Bankës CREDINS, i vlerësoi 54 asetet e ARMO Sh.a, 31,2 milionë dollarë dhe në muajin tetor nxori në shitje 80 % të tyre, ose afro 25 milion euro. Çuditërisht në mënyrë të paprecedent, fituese e ankandit rezulton Banka CREDINS. Pra, kjo bankë që po shiste kolateralin e vet, po e blinte po vetë?! Por, kjo skemë e përdorur nga CREDINS ishte e mirëmenduar, pasi banka zgjodhi të mos e paguajë vlerën e aseteve prej 25 milion eurosh, të nxjerrë në ankand, duke e shkëmbyer me detyrimin kreditor, që ARMO kishte kundrejt saj, që në kohën e Rezart Taçit, në vlerën prej 20 milion eurosh. Blerja nga Banka CREDINS e aseteve të ARMO-s, ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë, që ngrihet në këmbë dhe të urdhërojë një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave. Sipas kodit të procedurës civile përcaktohet qartë radha e kreditorëve preferencialë, të cilët kanë të parët të drejtën për të marrë paratë për ekzekutimin e mallit: punonjësit, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e më pas palët e treat, të lidhura me kompaninë. Por kodi i procedurës civile, në rastin e ARMO-s, jo vetëm që nuk është respektuar, por 54 asetet e kompanisë i janë dhënë kreditorit të 4-rtë në radhë. Ngjarja më qesharake, është se i vetmi person përgjegjës u shpall kryeregjistruesi i ZVRPP Mallakastër, i cili u pushua nga puna dhe pas një padie penale në Prokurori, u arrestua. Me marrjen e aseteve në mënyrë të dyshimtë nga Banka CREDINS, azerët e Heaney Assets Corporation u larguan nga Shqipëria, duke lënë sërish borxhe me kompanitë që kishte kontraktuar.
Pas largimit të azerëve, biznesmeni i kompleksit Taivan, Sulaj vijoi ta shfrytëzonte ARMO-n, por tashmë nëpërmjet Bankës CREDINS. Një kompani e quajtur IRTC, Ioninan Refining and Trading CO, u shfaq nga hiçi në 1 shtator të vitit 2016. E regjistuar në ishujt Virxhin, IRTC kishte për administrator Mitat Sulaj, vëllain e Besnik Sulaj si dhe anëtarë të Këshillit Avni Braçaj, aksioner i komplektit Taivan bashkë me Sulajn. Në 24 nëntor 2016, Banka CREDINS lidhi një kontratë kalimi pronësie me rezervë me IRTC. Sipas kontratës që ne disponojmë, IRTC duhet të paguante dy këste shpërblimi tek CREDINS përpara se ta merrte në pronësi. Sot e kësaj dite nuk dihet nëse këto këste janë paguar. Vëllëzërit Sulaj, krijuan borxhe njësoj si paraardhësi Taçi. Mbi 50 milionë euro detyrime u krijuan ndaj tatimeve, doganave dhe OSHEE-së, edhe pse kjo kompani arkëtoi plot 220 milionë euro. E ndërsa një qytetar i thjeshtë pas disa ditësh do të shkojë në burg, nëse nuk paguan detyrimet e ujit, në rastin e paprecedent ARMO, shteti shqiptar mbylli sytë përballë kësaj mega grabitjeje. Aktualisht borxhi i ARMO-s, që nga viti 2008, deri sot, përllogaritet në 700 milion euro. Janë Sali Berisha dhe Edi Rama, ata që duhet t’ju tregojnë shqiptarëve, ku kanë shkuar këto para. Ata duhet t’ju përgjigjen edhe 1300 punëtorëve të hedhur në rrugë.
*Dokumentari i plotë u transmetua në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Top Channel
Ambasada Amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale njofton se ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Eric Wendt ka takuar kreun e SPAK, Klodian Braho.
Ky është takimi i parë i Wendt me numrin një të Strukturës së Posaçme, Klodian Braho.
Wendt bëri me dije se prioritetet e presidentit amerikan Donald Trump janë të qarta. Ai vuri theksin tek lufta kundër krimit ndërkombëtar, trafiku i narkotikëve dhe migracioni i paligjshëm.
Takimi vjen në një moment kritik për Shqipërinë, ku ka mjaft akuza për keqqeverisje dhe korrupsion.
Postimi i Ambasadës Amerikane:
Lufta kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit Donald Trump.
Ambasadori Eric Ëendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rëndësinë e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrën se si partneriteti ynë kontribuon në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet.bw
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e ka cilësuar vitin e ri akademik si “vitin e revolucionit studentor”, duke u bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve t’i bashkohen protestës së 13 tetorit.
Në reagimin e saj në Facebook, Zhupa edhe si pedagoge vec politikanes, rendit ndër problematikat e universiteteve tarifat e larta, kushtet në konvikte, boshatisjen e degëve, mungesën e laboratorëve dhe investimeve, infrastrukturën e amortizuar, kërkimin shkencor të cunguar dhe ndërhyrjet politike në autonominë universitare.
Ajo shprehet se studentët nuk duhet të mbeten thjesht numra në statistikat e regjistrimeve, por të jenë një brez që kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Postimi i plotë:
Uroj studentët, pedagogët dhe stafet universitare për një vit të mbarë akademik ku universiteti të kthehet në vendin ku fitohet dija, jo vendi ku humbet shpresa.
Një brez i ri kërkon të drejtat e veta, kërkon universitetin që meriton, kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.
Me 13 tetor, ora 12:00, bashkojuni protestës që kanë thirr studentët, bashkojuni pa dallim, sepse ju mund ta ndryshoni gjendjen. Si pedagoge i bëj thirrje kolegëve të mbështesim studentët dhe t’i bashkohemi thirrjes së tyre. Boll pamë klasat që zvogëlohen nga viti në vit, me të rinj të zhgënjyer që vetëm presin rastin të largohen.
Pakti që ju ofrua nga protestat e para në 2018 nuk ka realizuar asgjë. Studentët janë të harruar, tarifat janë të larta, kushtet e papërshtatshme në konvikte, boshatisja e degëve, kërkimi shkencor i cunguar, pedagogët e pavlerësuar financiarisht, ndërhyrjet politike vazhdojnë në dëm të autonomisë universitare.
Studentët përballen me kosto e papërballueshme e jetesës, mungesë laboratorësh dhe investimesh, infrastrukturë e amortizuar dhe një universitet gjithnjë e më larg tregut të punës.
Ndaj ky viti do jetë VITI I REVOLUCIONIT STUDENTOR sepse studentët janë baza e revolucionit Flamingo dhe ata nuk i ndal askush!
Këta student nuk do jenë thjesht numra në statistikat e regjistrimeve.
Do jetë brezi që do të sjellë ndryshimin. Një brez që kërkon të ardhmen këtu, jo jashtë Shqipërisë.
Dhe pa parë përreth, kuptoi menjëherë pse ishte thirrur përsëri.
Na kishit varrosur. Gabim. Na kishit harruar. Edhe më keq. Sepse ndërsa Hosteni rrinte nën dhe, absurditeti mbi dhe bëri karrierë. U bë drejtor. U bë deputet. U bë analist. U bë ekspert. U bë këshilltar. U bë zëdhënës. Madje herë pas here u bë edhe reformë. Dhe më në fund dikush duhej të ringjallej. Ja ku jemi.
NUK U KTHYEM PËR NOSTALGJI
Mos na vendosni në muze. Mos na vini në vitrinë. Mos thoni: “Ah, Hosteni! Çfarë kohe!” Ne nuk kemi ardhur të kujtojmë kohët e vjetra. Kemi ardhur të merremi me të rejat.
Dhe, për fatin tonë editorial, koha e re duket se është shkruar nga një satirist që nuk njeh masë. Realiteti po na bën konkurrencë të pandershme. Ne shkruajmë një shaka. Ai nxjerr konferencë shtypi. Ne shpikim një titull absurd. Ai e bën vendim zyrtar. Ne imagjinojmë një skenë qesharake. Ai e transmeton drejtpërdrejt. Në këtë pikë, nuk dimë më kush po kopjon kë.
NE KTHEHEMI PËR TË NGJESHUR
Hosteni nuk është kthyer për të bërë miq. Ka plot faqe të tjera për këtë. Nuk është kthyer për të marrë “like”. As për t’u ftuar në studio. As për të kërkuar leje.
Hosteni kthehet për të ngjeshur. Me humor. Me ironi. Me karikaturë. Me pyetjen që askush nuk dëshiron ta dëgjojë. Me atë titull që zëdhënësi do të donte të mos ishte shkruar. Me atë fjali që e bën një fjalim dyorësh të duket pikërisht aq qesharak sa ishte.
DO TË QESHIM ME TË GJITHË
Me pushtetin. Me opozitën. Me administratën. Me median. Me analistët. Me ekspertët. Me patriotët me tender. Me moralistët me shofer. Me revolucionarët me rezervim restoranti. Me reformatorët që reformojnë të njëjtën reformë për herë të pestë. Dhe, kur ta meritojmë: edhe me veten.
Sepse satira që kursen miqtë nuk është satirë. Është departament marrëdhëniesh me publikun.
NJË PARALAJMËRIM PËR NJERËZIT SHUMË SERIOZË
Nëse e merrni veten shumë seriozisht, kemi një problem. Jo ne. Ju. Nëse mendoni se posti juaj është tepër i rëndësishëm për humor, na jepni pak kohë. Nëse mendoni se emri juaj nuk duhet prekur, mos bëni gjëra qesharake. Nëse mendoni se çdo kritikë është sulm, bëhuni gati për një periudhë të vështirë.
Sepse Hosteni nuk pyet sa yje ka zyra juaj. Satira ka një zakon të keq: u heq gradat njerëzve. U heq kollaret. U heq podiumin. Dhe pastaj pyet: “Mirë, tani çfarë the?”
POLITIKANË, JU LUTEM MOS NDRYSHONI
Na duheni kështu. Natyralë. Mos merrni këshilltarë humori. Do të na prishni punë. Vazhdoni me premtimet. Vazhdoni me inaugurimet. Vazhdoni me deklaratat historike çdo të martë. Vazhdoni të shpallni fitore para se të fillojë beteja. Vazhdoni të na siguroni se “gjithçka është nën kontroll”. Ne do të jemi aty. Me laps. Duke shënuar orën kur humbi kontrolli.
ANALISTË, EDHE JU JENI TË SIGURT
Ju lutem mos u shqetësoni. Do t’ju trajtojmë me respektin që meriton një njeri që ka dhënë mendim për drejtësinë, ekonominë, luftën, bujqësinë, futbollin, inteligjencën artificiale, Kushtetutën, dhe çmimin e domateve brenda së njëjtës javë. Ky nivel ekspertize nuk duhet të humbasë. Duhet arkivuar.
MEDIA, FALEMINDERIT
Pa ju puna do të ishte shumë më e vështirë. Por ju na sillni materialin vetë. Në HD. Me titull të kuq. Me “BREAKING NEWS”. Me tre pikëçuditëse. Dhe me një person në studio që thotë: “Kam informacion ekskluziv, por nuk mund ta them.” Satira nuk mund ta shpikë këtë. Edhe sikur të përpiqej.
HOSTENI I RI NUK KA ORAR
Dikur revista priste të dilte nga shtypshkronja. Sot marrëzia nuk pret. Prandaj as ne. Një deklaratë del në mëngjes. Në drekë mund të jetë karikaturë. Në darkë mund të jetë histori kombëtare.
Hosteni i ri nuk pret numrin tjetër. Ai thumbon kur hekuri është i nxehtë. Dhe, nga sa shohim, hekuri në Shqipëri është vazhdimisht i nxehtë.
MOS NA THONI “E KENI TEPRUAR”
Ne nuk kemi fuqi ta teprojmë më shumë se realiteti. Kjo garë ka përfunduar. Realiteti fitoi. Ne vetëm raportojmë humbjen.
Kur një ngjarje duket si satirë, mos na fajësoni që e trajtojmë si të tillë. Kur një deklaratë tingëllon si parodi, mos na kërkoni ta bëjmë solemne. Kur absurditeti vishet me kostum dhe del në podium, Hosteni do ta njohë. Edhe nëse të tjerët ngrihen në këmbë.
KJO REVISTË KA VETËM NJË PROGRAM
Jo majtas. Jo djathtas. Jo lart. Jo poshtë. Drejt absurdit. Atje ku ndodhet, aty do të shkojmë. Nëse sot e bën njëri, qeshim me të. Nëse nesër e bën tjetri, radha është e tij.
Ne nuk kemi nevojë për baraspeshë artificiale. Kemi nevojë për material. Dhe materiali, falë Zotit dhe politikës shqiptare, shpërndahet gjerësisht.
PSE U RINGJALL HOSTENI?
Sepse dikush duhej të thoshte: “Po, edhe ne e pamë.” Sepse dikush duhej të pyeste: “Vërtet po e thoni këtë me fytyrë serioze?” Sepse dikush duhej të kujtonte se një kostum i shtrenjtë nuk e bën marrëzinë më pak qesharake.
Dhe sepse një vend ku pushteti nuk përballon dot të qeshurën është një vend që ka shumë nevojë për të.
NGA SOT, ASGJË NUK ËSHTË SHUMË SOLEMNE PËR T’U THUMBUAR
As posti. As titulli. As podiumi. As studioja. As konferenca. As slogani. As fjalimi. As “burimet pranë qeverisë”. As “burimet pranë opozitës”. As burimet pranë burimeve.
Nëse ka hipokrizi, ka Hosten. Nëse ka absurditet, ka Hosten. Nëse ka madhështi të rreme, ka Hosten. Nëse dikush përpiqet të na bindë se dy plus dy bëjnë pesë — ka shumë mundësi që të jetë kopertina.
KËSHTU QË, TË DASHUR LEXUES TË VJETËR:
Mirë se u gjetëm. Dhe ju të rinj: mirë se erdhët. Mbajeni mend emrin. HOSTENI.
Na varrosën si revistë. Po kthehemi si zakon. Na lanë në arkiv. Po dalim në kohë reale. Na menduan të vdekur. Por, për fatin tonë — marrëzia është e pavdekshme. Dhe sa kohë që ajo jeton, do të ketë punë edhe Hosteni.
Në përfundim të protestës së 127-të kundër qeverisë, qytetarët kanë lënë një mesazh në bulevardin përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Në Bulevard është shkruar mesazhi “Rama = Krimi”, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe protestuesve.
Mesazhi u vendos në kuadër të protestës së zhvilluar kundër qeverisë, e cila prej 127 ditësh vijon me thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e qeverisjes.
Protestuesit kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. GSH
Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2026-2027, ku mbi 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në auditore.
Edhe këtë vit peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike, ku 70% e të rinjve kanë zgjedhur univeristetet publike dhe 30% universitetet private.
Për vitin e ri akademik edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë Mjekësi e Përgjithshme, Sromatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit.
Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z në portalin e-Albania për kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë në raundin e tretë të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Aplikimet do të kryhen deri nesër, 6 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, përmes portalit “e-Albania”.
Ndërkohë, raundi i tretë i aplikimeve për maturantët do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026. Pas përmbylljes së procesit të regjistrimit më 21 tetor parashikohet që ky numër të arrijë mbi 21 mijë studentë. bw
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion, i kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do ta shqyrtojë atë.
Qorrolli ka njoftuar se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.
Projektligji fillimisht shqyrtohet në parim nga komisioni përgjegjës dhe më pas votohet në lexim të parë në seancë plenare.
Nëse miratohet, ai kthehet në komision për shqyrtim nen për nen dhe për shqyrtimin e amendamenteve. Pas kësaj, projektligji shkon në lexim të dytë, ku Kuvendi voton amendamentet dhe më pas tekstin e projektligjit me ndryshimet e miratuara.
Në raste të caktuara, nëse nuk merr votat e nevojshme në leximin e dytë, projektligji mund të shqyrtohet edhe në lexim të tretë.
Pas miratimit nga Kuvendi, ligji nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet presidentit për shpallje, në përputhje me afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi mund të vendosë edhe shmangien nga afatet e zakonshme procedurale, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe me dy të tretat e deputetëve të pranishëm, nëse shmangia nuk bie ndesh me Kushtetutën.
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë verdiktin për akuzat për krime lufte.
Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës dha mendimin e saj për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.
Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshiu përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe çështjet juridike të përmbajtjes së projektligjit.
Trajtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
PDK-ja e ka lidhur mbështetjen e saj për zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha më 3 tetor se partia e tij është e gatshme të diskutojë për presidentin dhe të japë votat e saj menjëherë pas miratimit të ligjit.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.
Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota. Nëse asnjëri kandidat nuk i merr 80 votat, në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë, pra 61 vota, ndërsa për të tri rundet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
LVV-ja, me 53 deputetë, tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputetin Nenad Rashiq, kishte 62 vota për formim të qeverisë. Nëse kësaj shifre do t’i bashkoheshin edhe 22 deputetët e PDK-së, numri do të shkonte në 84 vota, duke kaluar pragun prej 80 votash.
Ndryshimet ligjore janë kërkuar në kohën kur në Kosovë po zhvillohen protesta të përnatshme kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit.
Protestuesit, përmes thirrjes “Jo në emrin tim”, kanë kërkuar ndër të tjera edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama përmes pankartave gjatë protestës në ditën e 125-të të saj.
Në një pankartë, ata ironizojnë për programin “Prania Besnike”, teksa shprehen se ndërsa gjatë javës kryeministri dhe qeveria i tij i vjedhin qytetarët, të premteve i “dëgjon” hallet e tyre me “besnikëri”.
“Rama të premten na dëgjon hallet me “besnikëri”, gjithë javën trupa e tij na vjedh me plot mjeshtëri”, thuhet në një pankartë.
Në një tjetër, protestuesit i referohen gjendjes së shëndetësisë.
“Shëndetësia “falas”: E paguajmë me taksa, e blejmë me rryshfet.” Panorama
Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se me urdhër të SPAK agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar aktualisht nga Ermal Nufi, ose siç e quan Arben Ahmetaj Ermal Raketa, pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre.
Kontrollet kanë pasur në fokus sekuestrimin e materialeve me vlerë për hetimin. Mësohet se SPAK iu drejtua pak kohë më parë GJKKO-së me një kërkesë për ushtrimin e kontrollit në banesën e biznesmenit izraelit Rony Yeffet, dhe Arjeta Puca administrator e TIMAK që ia shiti aksionet Ron Yeffet dhe krijuan së bashku kompaninë Timak Defense, por dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Me vendim të gjykatës janë sekuestruar praktika dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për hetimet. Pjesë e kontrolleve, me firmën e GJKKO-së ka qenë dhe kontrolli fizik, çka nënkupton se nuk përjashtohet që të jenë sekuestruar dhe telefona celularë, informon gazetari Gjinaj.
Kujtojmë se SPAK ka administruar audiopërgjimin që ish zv/kryeministri vuri në dispozicion dhe u bë publik në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv mbrëmjen e 7 shtatorit.
Pse quhet Ermal Raketa
Ermal Nufi përflitet shpesh në audiopërgjim si një nga pikat kryesore të kontaktit të Ron Yeffet në qeveri, edhe për afera të tjera.
“Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa” do të deklaronte Arben Ahmetaj tek Çim Peka live më 7 shtator 2026
Në intervistën e pestë për gazetarin ‘Çim Peka’ në Syri Tv Ahmetaj denoncoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve, nëpërmjet biznesmenit izraelit Ron YEffet, ndërsa demaskon qeverinë, e cila pretendon se vendi ynë do të prodhojë municione nëpërmjet KAYO.
Në intervistën e pestë për emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, publikoi audiopërgjimin, ku Ron Yeffet pranon se qeveria shqiptare e ka kontraktuar për të bërë punët e pista. Biseda e biznesmenit izraelit zhvillohet me dy sipërmarrës ukrainas, të cilët i fton të bëhen pjesë e trafikut të armëve. Ron Yeffet zbulon gjithashtu se armët prodhohen në vendet e afrikës, por amballazhohen në Shqipëri dhe më pas shiten pa tendera në vende të ndryshme të botës si prodhim shqiptar.
Sipas Yeffet, municionet prodhohen në vende të Afrikës, më pas sillen në Shqipëri për amballazhim dhe tregtohen pa tender edhe në vende të tjera të NATO-s.
Arben Ahmetaj, përmend edhe një ngarkesë me armë që është kapur pak ditë më parë në Itali. Ai publikoi gjithashtu edhe pasqyrat financiare të kompanisë së Ron Yeffet, e cila me 14 punonjës ka marrë rreth 10 milionë euro paga nga buxheti i shtetit. Në audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, flitet edhe për planin e Ron Yeffet, që të marrë fushat gazmbajtëse të Delvinës dhe termoncentralin e Vlorës, ku përsëri ndërmjetësi është Ermal Nufi. Për këto pasuri publike, Yeffet u prorpozon sipërmarrësve ukrainas që të përdorin kompani prestanome amerikane, me qëllim që t`i mbyllet goja ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ndërkohë mbrëmë po në emisionin ‘Çim Peka Live’ u publikua një pjesë e re nga audiopërgjimi i Ron Yeffet, që disponon ish-zëvendësKryeministri Arben Ahmetaj. Në pjesën e re të audiopërgjimit, Ron Yeffet flet me sipërmarrësit nga ukrainas, për ndërtimin e një fabrike armësh në Afrikë. Për të shuar skepticizmin e ukrainasve, Ron Yeffet u tregon atyre se ka udhëtuar në Sudan me Arjeta Pucën për çështjen e armëve. Armët pasi prodhohen në Sudan, sillen në Shqipëri ku paketohen dhe më pas shiten në vendet e BE apo vendet në konflikte.
SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve të nisura pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe aktivitetit të kompanive të lidhura me KAYO. Një nga kontrollet është kryer në vilën në periferi të Tiranës, që raportohet se përdorej nga biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente të tjera dhe në institucione shtetërore.
Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala raportoi se hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të audiopërgjimeve dhe administrimit të tyre nga BKH. Sipas saj, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te banesa e Yeffet, por janë shtrirë edhe në ambiente të tjera dhe në disa kompani që lidhen me çështjen.
Sipas raportimit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, kontrata private dhe materiale të tjera, ndërsa janë kontrolluar edhe ambiente të lidhura me KAYO-n. Hetimi, sipas Lalës, po mbahet me shumë rezervë nga SPAK dhe numri i kontrolleve është i lartë.
Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas burimeve të raportuara, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktika dhe kontrata. Po ashtu, në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle personale, ndërsa pritet që të merren në pyetje persona të ndryshëm, përfshirë edhe Ron Yeffet. Raportimet e sotme konfirmojnë se kontrollet janë kryer me miratim gjykate.
Lala tha se në hetim mund të përfshihen edhe zyrtarë të lartë, ndërsa burime të rezervuara kanë bërë me dije se po bashkëpunohet edhe me autoritetet e huaja për verifikimin e aktivitetit që dyshohet si i paligjshëm. Hetimi pritet të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë.
Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes. Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.
Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë kontrolleve janë marrë edhe materiale elektronike, dokumente dhe kompjuterë. Ajo raportoi gjithashtu se kontrollet vijojnë dhe se, për shkak të natyrës së hetimit, nuk përjashtohet marrja në pyetje e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen. Hetimi vijon, ndërsa priten të dalin më shumë detaje mbi objektin e kontrolleve, personat që do të pyeten dhe materialet e sekuestruara.
Pas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj se Shqipëria po bën trafik armësh, sot janë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Mësohet se kontrollet janë ushtuar në banesën në periferi të biznesmenit amerikano-izraelit. Nga përgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Yeffet dilte garant për të bërë trafik armësh, ku përdorte qeverinë shqiptare si mekanizëm. Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes. Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Në përgjimet e Ahmetajt, ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.
Edison Lika, një prej protestuesve, ka njoftuar një aksion të ri të paralajmëruar nga grupi i studentëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Në një deklaratë nga protesta, Lika tha se muaji tetor do të shënojë, sipas tij, një fazë të re të aksioneve të tyre.
Lika tregoi se së bashku me një grup studentësh kishin shkuar në QSUT, ku kryeministri Edi Rama ndodhej për të përuruar disa investime. Sipas tij, studentët i kanë bërë thirrje Ramës dhe kanë përsëritur kërkesën e tyre për arrestimin e tij.
“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.
Ai tha se protestuesit synojnë të ndjekin aktivitetet publike të kryeministrit dhe qeverisë edhe gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar protesta në takime dhe dalje të ndryshme publike.
“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, u shpreh ai.
Lika deklaroi gjithashtu se protestuesit do të vijojnë me forma simbolike proteste gjatë daljeve publike të kryeministrit.
“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.
Deklaratat e tij janë pjesë e paralajmërimeve të protestuesve për intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor. gsh
Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.
Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.
Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.
Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.
“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.
“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.
Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.
Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.
Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.
Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.
Në të kundërt, paralajmëron Preçi, “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”
Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.
“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.
Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.
Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.
Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.
Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.
Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.
Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.
Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.
“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.
Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.
Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.
Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./BIRN/
Komentet