Jo sall në Republikën e Kosovës, edhe në Republikën e Shqipërisë, në këto ditë të para të vitit 2015, është bërë i zëshëm shqetësimi i tregut shqiptar se ai tashmë është kapluar, është ngulfatur krejt nga Serbia.“Serbia, pos tregut në Kosovë po dominon edhe atë në Shqipëri” – është tashti një ndër më kryelajmet e mediave tona. Vetë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, tërhoqi vëmendjen se
“Serbia po dominon me produktet e saj në tregjet shqiptare, dhe kjo nuk duhet lejuar në përmasa të pakontrollueshme nga qeveritë e dy vendeve, pavarësisht nismave rajonale për bashkëpunim tregtar, apo marrëveshjes CEFTA”.
Të njëjtin shqetësim, në të njëjtën ditë e ngriti edhe vetë ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë Qemal Minxhozi. Ai tha se marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve tona vazhdojnë të jenë të pakënaqshme.
Jaka në Kosovapres u shpreh gjithashtu se për thellimin e kësaj dukurie veprojnë klane të caktuara që janë afër qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë. E panevojshme t’i kërkoheshin Jakës emra të këtyre klaneve, sepse ato dihen nga të gjithë. Sa herë që iu janë cënuar interesat, ato kanë demonstruar fuqinë e tyre, madje ato i kanë vënë në lëvizje menjëherë dhe në mënyrë tejet arrogante, tejet agresive segmentet e caktuara të pushtetit politik në të dyja kryeqytetet tona.
Falë pushtetit të tillë ekonomik, këto klane kanë pushtet politik, pra i bllokojnë që në embrion nismat e caktuara parlamentare apo vendimet qeveritare që mund t’ua cënojnë ose kufizojnë veprimin; këto klane kanë pushtet mediatik, nëpërmjet të cilit ndërmarrin fushata agresive sa të vrazhda edhe të stërholluara për të mbytur çdo përshpërimë kundër tyre.
Eksperti ynë ekonomik, Jaka, ka shpjeguar se Serbia i shikon Kosovën dhe Shqipërinë, si një treg të përbashkët – pra, fqinja e shqiptarëve ka një këndvështrim shumë më realist ndaj realitetit shqiptar se vetë shqiptarët. Jaka ka kërkuar që qeveritë tona të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të pasur kontroll mbi prirjet e tregjeve në vendet tona.
Konkluzioni i Jakës, edhe pse në sens të kundërt, është konfirmuar nga ambasadori Minxhozi në TopChannel, kur ka pohuar se ndërmjet nesh nuk ka një njohje të plotë të të dy tregjeve. Kështu, pra, Republika e Kosovës nuk ka njohje për tregun e Shqipërisë, prirjet, kërkesat, ofertat e tij, ashtu edhe Republika e Shqipërisë nuk ka njohje për këto realitete të tregut në Republikën e Kosovës.
Minxhozi ka cekur, në mënyrën e tij, edhe pengesën që krijon dogana mes dy vendeve tona, çka, për ironinë e ironive, nuk ekziston me Serbinë.
Në Ballkanin Perëndimor, Serbia paraqitet kështu faktori me ekspansionin më të madh. Edhe vendet e tjera në rajon, sipas mundësive të tyre, kanë të njëjtën politikë. Viktimë e saj bie realiteti i vendeve tona.
Shumë më herët këto vite unë kam dhënë konstatimin se fqinjët tanë janë në ekspansion të gjithanshëm, ndërsa ne jemi në restriksion të gjithanshëm. Nuk mund të ketë politikën e tij, të brendshme as të jashtme, ai vend që nuk e ka politikën e tij ekonomike. Nuk mund të mëtojë se po ushtron ndikim politik apo kulturor ai vend që është nën vartësi të plotë ekonomike ndaj një vendi tjetër. Aq më tepër kur ky i fundit është i zhytur për vete në krizë dhe e mban frymën të gjallë vetëm falë terrenit bosh që gjen në të dyja vendet tona.
Dhe kjo shkon kundër logjikës së realitetit të vërtetë. Sepse shqiptarët, pavarësisht gjithçkaje, përbëjnë prirjen më vitale në rajon. Këtë e pranojnë të gjithë njohësit e rajonit. Këto do ta kishin parasysh qeveritë tona në Tiranë dhe në Prishtinë, nëse vërtet do të ekzistonin.
Tregu shqiptar e ka mbajtur sa e ka mbajtur veten, tashmë ka dhënë klithmat e para, më vonë do të japë piskamat dhe kukamat.