Mbrojtësit e tezës se Hashim Thaçi e meriton Çmimin Nobel për Paqe kinse harrojnë se kryeministri aktual i Kosovës mund ta marrë këtë çmim vetëm nëse e marrin edhe Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë dhe Katerinë Eshton, shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Unë nuk dua të trajtoj nëse Thaçi i vetëm apo treshja e tërë, e meritojnë ose jo Çmimin Nobel për Paqe. Vetëm dua të mbështes deklaratën e kryeministrit të Kosovës se “Çmimin Nobel nuk e meritoj unë, por qytetarët e Kosovës”, natyrisht, duke u përpjekur ta nxjerr këtë deklaratë nga amballazhi i politesës, shqip – i mirësjelljes -, së rastit.
Saktësoj – në fakt, vërtet Çmimin Nobel për Paqe e meriton populli shqiptar i Kosovës, i cili përbën edhe shumicën absolute të qytetarëve të Republikës së Kosovës, diku mbi 95% të tyre.
Pa shkuar më larg në shekuj, në të vërtetë, në gjithë historinë moderne, populli shqiptar i Kosovës jo vetëm nuk i reshti përpjekjet për liri kombëtare, por gjithnjë ia ka dhënë shansin e nevojshëm paqes, mirëkuptimit, bashkëjetesës mes vendeve dhe kombeve të rajonit.
Dihet se Kosova, prej vitit 1878, ia dha absolutisht tonin lëvizjes kombëtare shqiptare për liri dhe pavarësi. Dihet se padrejtësia ndaj saj, shkëputja nga Shqipëria dhe lënia nën pushtimin e Serbisë, u bë shkak themelor i tronditjeve të panumërta tektonike në rajon, çka nuk e ka lënë të qetë as kontinentin, as krejt këtë anë të botës të quajtur Perëndim.
Edhe në fund të Shekullit XX, Kosova ishte e para që e dha qartë sinjalin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ishte e vetmja që, deri në fund, deri në vitin 1998, ia dha një shans të madh paqes. Ishin vërtet rrethanat e veçanta, ato që ndikuan në vendimin e Kosovës për të mos u përfshirë në luftërat e ish Jugosllavisë, ishte vërtet imponimi nga ana e makinerisë millosheviçiane, faktori që e detyroi të përfshihej në luftë, por, mbi të gjitha, Kosova u përfshi në luftë e fundit vetëm sepse donte t’ia jepte një shans ndërgjegjes së Evropës, ndërgjegjes së Perëndimit, ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Edhe gjatë luftës së viteve 1998-1999 Kosova, krejt ndryshe nga Serbia, ishte absolutisht bashkëpunuese me faktorët vendimmarrës botërorë, në radhë të parë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e mbajtur gjithnjë të fortë dimensionin e paqes. Paqja në Kosovë dështoi gjatë gjithë këtyre viteve, edhe sot e kësaj dite, sepse bashkësia ndërkombëtare dështoi në imponimet e saj ndaj Serbisë.
Sakrificën sublime për lirinë, për paqen, për Kosovën e pavarur sovrane dhe demokratike perëndimore, në vitet 1998-1999, e bëri pikërisht qytetari i thjeshtë shqiptar i Kosovës, e bëri pikërisht familja e thjeshtë shqiptare e Kosovës, e bëri pikërisht popullsia civile shqiptare e Kosovës, pikërisht në emër të së cilës u ngrit në këmbë, në mbrojtje të saj, Presidenti Bill Klinton, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO.
Popullsia e pafajshme, e paarmatosur, e pambrojtur ishte viktima më e madhe e tërbimit të makinerisë millosheviçiane të luftës. Një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre. Qindra mijëra të tjerë u detyruan të strehohen nëpër pyjet e Kosovës. Mijëra viktima civile mbushën varrezat masive të cilat Serbia i ndërtoi anembanë Kosovës dhe anembanë Serbisë. Rreth dy mijëve prej tyre as sot e kësaj dite nuk iu janë gjetur eshtrat.
Procesi i pasluftës në Kosovë ka ecur në mënyrë tejet të ngadaltë, në mënyrë tejet kundërthënëse. Vuajtjet e këtij procesi kanë rënë tërësisht mbi popullin shqiptar të Kosovës. Për hir të realizimit të shtetit të vet të pavarur e sovran, demokratik perëndimor, populli shqiptar i Kosovës, me vetëdijë, i ka duruar të gjitha këto vuajtje. Prandaj asnjë kolektivitet tjetër nuk mund ta meritojë më shumë se populli shqiptar i Kosovës dhënien e Çmimit Nobel për Paqe.
Lexuesi, pra, e ka kuptuar se burim i kësaj teme është lajmi i dhënë më 23 dhjetor, i komentuar jo pak gjatë këtyre ditëve, sipas të cilit një grup ligjvenësish amerikanë emëruan kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton si kandidatë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014.
Ligjevënësit Eliot Engel dhe Robert Aderholt, si bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin Amerikan, si dhe ligjvënësit Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të grupit të çështjeve serbe, në njoftimin e përbashkët thonin se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin Nobel për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Marrëveshja e prillit e këtij viti, mes dy kryeministrave, sipas tyre, shënon një pikë-kthese dramatike për Serbinë dhe Kosovën dhe për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit.
Mediat sqaronin se “emërimet për çmimin Nobel mund të bëhen nga çdo individ ose organizatë e pranueshme për komitetin Nobel, ku përfshihen edhe ligjvenësit. Komisioni prej 5 anëtarësh që përzgjedh fituesin emërohet nga parlamenti norvegjez. Afati i emërimit është deri në muajin shkurt dhe fituesit shpallen në tetor.”
Në mjediset shqiptare është ngulmuar kryesisht se çmimin e meriton Thaçi dhe jo Daçiçi, në ato serbe është ngulmuar se e meriton Daçiçi dhe nuk e meriton Thaçi.
Kolegu shqiptaroamerikan Frank Shkreli, në shkrimin e tij të atyre ditëve “U ngutët, të nderuar kongresmenë, duke iu referuar edhe analistëve të tjerë të shumë, reagonte ndër të tjera: “rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqë, kryeministrin serb, më duket si një masë e ngutëshme dhe e pa menduar mirë. Janë mbajtur bisedime dhe janë nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por sipas analistëve në realitet, shumë pak ose hiç gjë nuk është arritur midis dy shteteve. Vazhdon “status quo ante” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë. Për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me një ”shtet” që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto. Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre marrveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që mund të dalin nga këto marrveshje, për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy palëve — mbeten për t’u parë. E vërteta është se nga këto marrveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj drejtë integrimit europian. Qëllimi i BE-ës është që marrëdhënjet midis Serbisë dhe Kosovës të “normalizohen”, por Beogradit nuk i kërkohet si kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës. Kaq e tha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti. Ai theksoi se “Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”. Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të mbyllë gojën dhe të mos pengojë antarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Serbisë as nuk i kërkohet si kusht antarësimi, njohja e shtetit të Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një “srpska” në Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë.”
Thjesht, pra, është një proces pa ndonjë rezultat konkret pozitiv dhe ende pa ndonjë perspektivë të qartë pozitive.
Në reagimin e tij të nesërmen kryeministri Hashim Thaçi thotë se është ndier shumë mirë kur ka mësuar se është nominuar për çmimin “Nobel” për Paqe nga Kongresmenët Amerikanë dhe ka pohuar se ky çmim nuk i takon veç atij, por mësuesve, mjekëve dhe krejt qytetarëve të Kosovës të cilët i quan heronj. Dhe unë pikërisht këtë qëndrim të Thaçit e mbështes. Çmimin Nobel për Paqe e meriton populli shqiptar i Kosovës.
Në historinë e dhënies së Çmimeve Nobel për Paqe ka kryesisht emra individësh të shquar, por ka edhe emra organizatash dhe institucionesh, pra emra kolektivitetesh, të cilët e kanë marrë këtë çmim. Dhënia e këtij çmimi, më shumë se e çdo tjetri, e inkurajon dukurinë përkatëse, pra e inkurajon paqen, sidomos atje ku ajo ndjehet e pasigurt. Në rastin konkret, ky çmim do t’i inkurajonte të gjithë ata popuj që, duke mos kursyer asgjë për lirinë kombëtare, nuk reshtin së dhëni paqes një shans.
Kur e shtroj këtë tezë, jam i sigurtë se instancat e ndryshme tek ne, në kontinent apo kudo në Perëndim, do të gjenin mënyrën e duhur për ta argumentuar simbolikën e re që do të merrte, sidomos në aspektin e zgjerimit të konceptit dhe të përmbajtjes, Çmimi Nobel për Paqe.