VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Anketë: 69 për qind e minoriteteve në Britani mendojnë se përballen me racizëm

By | December 3, 2018

Komentet

Agjencia britanike e përgjimit përgënjeshtron akuzat e Presidentit Trump

Satelitë të Qendrës Qeveritare të Komunikimit, Britani

Agjencia kryesore britanike e përgjimit tha të mërkurën se akuza, sipas së cilës asaj i ishte kërkuar nga administrata Obama për të spiunuar ndaj zotit Donald Trump pas zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, janë absolutisht qesharake dhe nuk duhen përfillur.

Të mërkurën, Presidenti Trump shkruante në Twitter se ish-analisti i CIA-s, Larry Johnson, ka akuzuar Britaninë për spiunazh ndaj fushatës Trump.

Presidenti Trump shkruante se “është vetëm çështje kohe para se e vërteta të dalë dhe kur kjo të ndodhë do të jetë një mrekulli!”

I pyetur për komentet e zotit Trump, një zëdhënës i Qendrës Qeveritare të Komunikimit, siç quhet agjencia britanike e përgjimeve, tha se “pohimet se Qendrës i është kërkuar të bëjë përgjime kundër presidentit të zgjedhur janë pa kuptim. Ato janë krejtësisht qesharake dhe nuk duhen përfillur”.

Skocia po punon drejt mbajtjes së referendumit për pavarësi

Votuesit skocezë kanë mbështetur zëshëm fushatën që Mbretëria e Bashkuar të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, në referendumin e vitit 2016.

Sturgeon ka thënë se vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja ka shpërfaqur një ndryshim rrënjësor për marrëdhëniet e Skocisë në të ardhmen prandaj edhe mund të arsyetohet mbajtja e një referendumi të dytë për pavarësi.

Sturgeon ka thënë se në këtë fazë nuk nevojitet leja e parlamentit britanik për të vazhduar përpara, mirëpo ajo do të jetë e domosdoshme më vonë kur të miratohet projektligji për referendumin e pavarësisë.

Hapat e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian vazhdojnë të jenë të paqartë, pasi largimi që ishte planifikuar të ndodhte në muajin mars, tani është shtyrë për 11 tetor.

Shtyrjet kanë ndodhur si pasojë e mospajtimeve për mënyrën se si duhet larguar Britania nga Bashkimi Evropian, si dhe për marrëveshjen e arritur nga kryeministrja britanike, Theresa May me negociatorët evropianë për Brexit.

Skocia ka qenë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar për më shumë se 300 vjet.

Britania mund t’ia lejojë Huaweit ndërtimin e rrjetit 5G

Qeveria britanike duket se ka miratuar kërkesën e kompanisë kineze, Huawei për të krijuar gjeneratën e re të lidhjes në internet në këtë shtet (5G), pavarësisht shqetësimeve për rrezik të sigurisë.

Konfirmimi zyrtar nuk ka ardhur ende, mirëpo Daily Telegraph ka thënë se Huawei do të ndërtojë antena në këtë territor, por nuk do të ketë qasje në identitetin e secilit kompjuter apo në të dhëna tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që aleatët e saj, Britania e Madhe, Kanadaja, Austrialia dhe Zelanda e Re të përjashtojnë këtë kompani nga tregu i tyre, pavarësisht se Huawei ka mohuar që puna e kompanisë përbën ndonjë rrezik për spiunim.

Deri tani Australia ka thënë se qëndron përkrah Uashingtonit, i cili ka përmendur “shqetësime serioze për obligimet e Huaweit ndaj Qeverisë kineze dhe rrezikut që mund të sjellë për integritetin e telekomunkimeve në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë”.

Gjenerata e re, 5G e lidhjes së klientëve me internet, premton shkarkim dhe ngarkim më të shpejtë të të dhënave dhe mbulim më të gjerë dhe stabël të lidhjeve tjera.

Po ashtu, kjo gjeneratë është thënë se është dukshëm më e mirë në të përballuarit e ngarkesave të mijëra pajisjeve, duke nisur nga telefonat mobilë dhe kamerat.

Zhvillimi i një teknologjie të tillë është vlerësuar i domosdoshëm bazuar në nivelin e digjitalizimit të shumë proceseve në jetën e përditshme.

ISIS merr përgjegjësinë për shpërthimet në Sri Lankë

Grupi i Shtetit Islamik (ISIS) tha të martën, pa dhënë prova, se ishte përgjegjës për një seri shpërthimesh në Sri Lanka që vranë më shumë se 300 vetë dhe plagosën qindra të tjerë në Pashkën e së Djelës.

Deklarata erdhi përmes agjencisë së lajmeve Amaq të grupit terrorist.

Gjithashtu të martën, ministri i mbrojtjes i Sri Lankës i tha parlamentit se ata që kryen sulmet synonin të hakmerreshin për sulmet në dy xhami në Zelandën e Re muajin e kaluar.

Ministri i Mbrojtjes Ruwan Wijewardene nuk dha hollësi se si një hetim fillestar arriti në këtë përfundim.

Një zëdhënës i policisë tha të martën se 40 persona janë marrë në paraburgim në lidhje me masakrën, e cila shënon dhunën më vdekjeprurëse në këtë vend ishull të Azisë Jugore që prej përfundimit të luftës civile prej dy dekadash në vitin 2009. Zëdhënësi tha gjithashtu se numri i të vdekurve është rritur në 310.

Qeveria tha se po heton nëse grupi kishte lidhje me organizatat e huaja terroriste. Kryeministri Ranil Wickremesinghe konfirmoi se Sri Lanka kishte marrë paralajmërim për sulmet nga një agjenci e huaj zbulimi.

Planifikimi i sofistikuar i tetë shpërthimeve, që synonin kishat dhe hotelet, shkatërroi një qetësi dhjetëvjeçare në Sri Lankë.

“Ne nuk besojmë se këto sulme janë kryer nga një grup njerëzish brenda vendit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i kabinetit Rajitha Senaratne. “Duhet të ketë një rrjet ndërkombëtar më të gjerë.”

Presidenti Maithripala Sirisena pritet të takojë diplomatë në Kolombo të martën për të kërkuar ndihmë në gjetjen e lidhjeve të mundshme të sulmuesve me grupet terroriste jashtë vendit.

Zyrtarët amerikanë thanë të hënën se ata që qëndrojnë pas sulmeve të Sri Lankës mund të jenë frymëzuar nga Shteti Islamik, por paralajmëruan se nuk është arritur asnjë përcaktim përfundimtar.

Zyrtarët thanë se besojnë se shtatë sulmues vetëvrasës që i përkisnin grupit Kombëtar Jamaath (NTJ) kryen sulmet e koordinuara në katër hotele dhe tre kisha. Nuk dihet shumë për këtë organizatë, e cila erdhi në vëmendjen e autoriteteve vitin e kaluar kur anëtarët e grupit u fajësuan për prishjen e disa statujave budiste.

Rrugët në kryeqytetit ishin kryesisht të braktisura, dhe shumë biznese mbetën të mbyllura, ndërsa në vend vazhdon dislokimi i forcave të policisë. Ushtarët e armatosur dhe qentë me erë kishin kishin zëvendësuar turistët që zakonisht mbushin plazhin përballë zonës së hoteleve.

Gjashtë shpërthime ndodhën të dielën, ditën e Pashkëve, kur kishat ishin të mbushura me besimtarë dhe turistët ishin duke ngrënë mëngjes në hotelet luksoze.

Sipas policisë, një nga autorët vetëvrasës kishte marrë përsipër ta shpërthente bombën në një restorant të hotelit. Dy shpërthime të tjera ndodhën pasdite.

Kryeqyteti, Kolombo, mori goditjen më të rëndë.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump i telefonoi kryeministrit të Sri Lankës. Wickremesinghe për të shprehur ngushëllimet e tij mbi shpërthimet.

Policia gjithashtu tha se do të hetojë nëse paralajmërimet që sulmues vetëvrasës kishin planifikuar sulme ndaj kishave, hoteleve dhe Komisionit të Lartë Indian ishin injoruar.

Raportet e medias në Indi thanë se paralajmërimi kishte ardhur nga agjencitë e zbulimit indian.

“Duhet të shqyrtojmë pse nuk u morën masa paraprake të mjaftueshme, as unë dhe as ministrat nuk u informuan”, tha kryeministri Wickremesinghe.

Autoritetet thanë se objektivat – hotelet dhe kishat – u përzgjodhën për të tërhequr vëmendjen maksimale ndërkombëtare.

Mes qindra viktimave, 39 janë shtetas të huaj.

1,5 milionë të krishterët në vendin kruesisht budist, përbëjnë rreth 7% të 21 milionë banorëve sri-lankezë.

Netanyahu: Një vendbanim në Rrafshnaltën e Golanit do të quhet Donald Trump

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu

Izraeli njoftoi se do të emërojë një vendbanim në Rrafshnaltën e Golanit me emrin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ky veprim, sipas autoriteteve izraelite, bëhet si shenjë mirënjohje për njohjen e sovranitetit të Izraelit në këtë rajon.

“Të gjithë izraelitët e kanë vlerësuar thellë vendimin historik të presidentit Trump”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ai tha se do ta paraqesë vendimin për miratim në qeveri pas festës së Pashkëve hebreje.

Më 25 mars, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit – rajon të cilin forcat izraelite e kanë pushtuar nga Siria në fazat e fundit të Luftës Gjashtëditëshe të vitit 1967.

Duke nënshkruar njohjen zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara është dashur ta bëjnë një hap të tillë “disa dekada më parë”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, qëndroi pranë Trumpit në Shtëpinë e Bardhë derisa ai e nënshkroi njohjen.

Netanyahu tha se kjo është një “ditë historike” që i transformon “fitoret ushtarake të Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit në fitore diplomatike”.

Rusia lëshon nëndetësen e re me kapacitet bërthamor

Rusia ka lëshuar një nëndetëse të re me kapacitet bërthamor që besohet se mund të mbajë një dron bombardues.

Nëndetësja Belgorod u nis më 23 prill në qytetin veriperëndimor të Severodvinsk.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i përcolli procedurat përmes një video-lidhje nga Shën Petersburgu.

Ndërtimi i nëndetëses filloi në vitin 1992, por u vonua disa herë për shkak të çështjeve të financimit.

Gazetarët nuk u lejuan të fotografojnë apo incizojnë lëshimin e nëndetëses. Karakteristikat e saja operacionale konsiderohen si informacion i klasifikuar në Rusi.

Në fjalimin e tij vjetor më 1 mars 2018, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin foli për një numër të armëve të reja që po kalonin fazën e testimit, duke përfshirë ato me aftësi bërthamore.

Trumpi më 3-5 qershor do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fillim të qershorit, do të zhvillojë një vizitë treditore në Britaninë e Madhe.

Presidenti Trump do të jetë mysafir i Mbretëreshës Elizabeth si dhe do të ketë bisedime me kryeministren, Theresa May.

Kryeministrja May tha se vizita do të jetë “mundësi për të fuqizuar raportet tashmë të ngushta mes dy vendeve”.

Presidenti Trump më 14 mars tha se mirëpret një marrëveshje të gjerë tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe Londrës, pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Trump ishte për vizitë në Britani edhe në vitin 2018. Gjatë kësaj vizite, ai ishte takuar me kryeministren britanike, Theresa May, Mbretëreshën Elizabeta II dhe kishte vizituar një klub golfi në Skoci.

Kjo vizitë u shënua me protesta, ku vetëm në Londër, mijëra njerëz dolën në rrugë për të shprehur shqetësimet e tyre me politikat e presidentit Trump.

Një anije e Luftës së Dytë Botërore gjendet në brigjet e Australisë

Mbetjet e një anijeje të Australisë, e fundosur nga një nëndetëse japoneze në Luftën e Dytë Botërore, u gjetën pas 77 vjetësh, thanë zyrtarët.

Anija SS Iron Crown u godit nga një torpedo jashtë shtetit të Viktorias në vitin 1942. Tridhjetetetë njerëz mbetën të vrarë, ndërsa pesë anëtarë të ekuipazhit mbijetuan.

Anija u fundos brenda 60 sekondash pas sulmit në Ngushticën Bass.

Arkeologët detarë thanë se gjetja e mbetjeve të saj është “një ngjarje me rëndësi kombëtare”.

Ekipi i kërkimeve nga Muzeu Australian Detar i gjeti mbetjet rreth 100 kilometra larg Viktorias dhe rreth 700 metra nën sipërfaqen e oqeanit.

Anija ka qenë duke transportuar minerale nga Australia e Jugut në Uellsin e Ri Jugor në kohën kur është sulmuar.

Pesë të mbijetuarit janë shpëtuar nga një anije tjetër.

Ditë zie kombëtare dhe gjendje emergjence, në Sri Lankë mbahet funerali i parë masiv

Ka shkuar në 310 numri i viktimave që humbën jetën tragjikisht në sulmet terroriste që përgjakën Pashkët në Sri Lanka.

Teksa vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si edhe ditë zie kombëtare, ka nisur edhe funerali i parë masiv për tu dhënë lamtumirën e fundit shumë prej viktimave.

Ai po zhvillohet në kishën e Shën Sebastianit në Negombo, në veri të Kolombos, e cila ishte nën shënjestrën e sulmeve të së dielës.

Gjithashtu u mbajt një moment heshtjeje rreth orës 8:30, moment që përkonte me kohën kur shpërthyen 6 bombat e para.

 

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë dhe njerëzit përkulën kokën në respekt të viktimave që humbën jetën si edhe 500 personave që mbetën të plagosur gjatë sulmeve.

Qeveria e Sri Lankës ka bërë përgjegjës për sulmin grupin islamik “National Thowheed Jamath (NTJ)”.

Ky grup nuk ka histori të sulmeve në shkallë të gjerë, por vitin e kaluar u fajësua për dëmtimin e statujave budiste.

Megjithatë, as NTJ, as ndonjë grup tjetër nuk kanë pranuar kryerjen e bombardimeve të së dielës, teksa policia ka arrestuar rreth 40 persona.

 

Gjendja e jashtëzakonshme i jep policisë dhe ushtrisë pushtetin për të kapur dhe marrë në pyetje të dyshuarit pa urdhër të gjykatës, kompetenca që janë përdorur për herë të fundit gjatë luftës civile të vendit.

Qeveria bllokoi aksesin edhe në rrjetet sociale si: Facebook, WhatsApp dhe Instagram pas shpërthimeve.

IRA e Re merr përgjegjësinë për vrasjen e gazetares

Lyra McKee

Grupi i ashtuquajtur IRA e Re e pranoi përgjegjësinë për vrasjen e gazetares Lyra McKee në Irlandën e Veriut.

Përmes një deklarate, grupi tha se kërkon “falje të sinqertë” për familjen dhe miqtë e saj.

McKee, 29 vjeçe, u qëllua në kokë të enjten e kaluar, derisa mbulonte disa trazira në qytetin Londonderi.

Grupi i disidentëve republikanë IRA e Re besohet të jetë formuar midis viteve 2011-2012.

Ai e kundërshton marrëveshjen e nënshkruar në të Premten e Madhe të vitit 1998, me të cilën grupi IRA, apo Ushtria Republikane Irlandeze, ka pranuar një zgjidhje politike, pas dhunës disavjeçare në Irlandën e Veriut.

IRA ka luftuar për fundin e sundimit britanik në Irlandën e Veriut dhe ribashkimin e Irlandës.

Marrëveshja e së Premtes së Madhe ka qenë rezultat i negociatave intensive që kanë përfshirë qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës së Veriut.

IRA e Re thuhet se lidhet me katër vrasje.

Arrin në 290 numri i të vrarëve në Sri Lankë

Shpërthimet e shumëfishta në kisha dhe hotele të dielën e pashkëve në Sri Lankë, shkaktuan 290 të vrarë dhe 500 të plagosur, duke shënuar një nga ngjarjet më të dhunshme në atë vend në dhjetë vitet e fundit.

Gjashtë shpërthimet e para, që filluan në mëngjesin e së dielës, ishin të bashkërenduara dhe shkaktuan numrin më të madh të viktimave, ndërsa dy shpërthime më të vogla ndodhën disa orë më vonë.

Në shënjestër ishin turistët dhe besimtarët që po merrnin pjesë në lutjet e Pashkëve në kishat e tre qyteteve.

Më vonë zyrtarët thanë se një mjet shpërthyes u çmontua në afërsi të aeroportit kryesor të Kolombos.

Shpërthimet tronditën ishullin që ishte në një paqe relative që nga përfundimi i luftës civile dhjetë vjet më parë.

Trembëdhjetë veta janë arrestuar në lidhje me sulmet, për të cilat ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë.

Kryeministri i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, pranoi para gazetarëve të dielën se qeveria kishte njohuri për sulme të mundshme. “Informatat ishin aty”, tha ai, por nuk ishte në gjendje të thotë, “përse nuk u morën masa të duhura parandaluese”.

Rreth 30 të huaj, përfshirë amerikanë, britanikë, indianë, turq, japonezë, kinezë dhe portugezë, janë në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve. Të shtrira në Oqeanin Indian, plazhet me rërë të bardhë të Sri Lankës, janë të njohura për turistët që vizitojnë Azinë Jugore.

Autoritetet shpallën shtetrrethimin gjatë natës së të dielës, ndërsa e hoqën atë të hënën. Sri Lanka bllokoi qasjen në rrjetet sociale përfshirë Facebook-un dhe WhatsApp-in, në një përpjekje për të penguar vërshimin e “dezinformatave dhe thashethemeve”. Shkollat janë mbyllur deri të martën dhe policia u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.

Pas përhapjes së thashethemet për sulme të reja të mundshme, kryeministri Ranil Wickremesinghe u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të “fortë dhe të bashkuar”. Duke i dënuar “sulmet qyqare”, ai bëri thirrje që të shmangen raportimet e pavërtetuara dhe spekulimet. Qeveria po ndërmerr veprimet për të kontrolluar situatën”, shkroi ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ruwan Wijewardene, akuzoi ekstremistët për sulmet.

Presidenti, Maithripala Sirisena, tha se ka urdhëruar një forcë të posaçme të policisë dhe ushtrisë që të hetojë se kush qëndron pas sulmeve.

Të krishterët përbëjnë 7.5 për qind të popullsisë së dominuar nga budistët të kombit 21 milionësh.

Sri Lanka kishte përjetuar gati një çerek shekulli të dhunës e sulmeve terroriste gjate luftës së përgjakshme civile të udhëhequr nga guerilët që e quanin veten ‘tigrat tamilë’, një grup që luftonte për pavarësinë e atij komuniteti. Por kryengritja mori fund në vitin 2009.

Që nga ajo kohë vendi përjetoi një formë të jo qëndrueshmërisë politike, incidente sporadike të dhunës fetare e etnike, por nuk pati ndonjë akt të tillë dhune si ai që dërmoi qetësinë e vendit të dielën.

Dhuna e së dielës u dënua gjerësisht nga udhëheqës në mbarë botën. Kryeministri indian Narendra Modi, tha se “nuk ka vend për barbarizëm të tillë në rajonin tonë”.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se udhëheqësi i Kombeve të Bashkuara është “i tronditur nga sulmet terroriste” në “një ditë të shenjtë për të krishterët në mbarë botën”.

Gjatë meshës tradicionale të Pashkëve në Romë, Papa Françesku dënoi sulmet duke ngushëlluar “viktimat e një dhune mizore”.

Gjatë një interviste ne një rrjet televiziv lokal, arqipeshkvi i Kolombos, Malcolm Ranjith, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë. Ai u bëri thirrje autoriteteve që të kryejnë një hetim të paanshëm dhe të dënojnë “pa mëshirë” përgjegjësit, sepse “vetëm kafshët mund të sillen asisoj”. za

Japoni: Foshnja më e vogël në botë del nga spitali

Mediat japoneze raportojnë se djaloshi më i vogël në botë është i gatshëm të shkojë në shtëpi.

Ryusuke Sekino ka arritur në 3.37 kilogramë pasi kaloi pesë muaj në spitalin qendror të distriktit Nagano në Japoni, shkruan agjencia e lajmeve Kyodo.

Kur u lind foshnja peshonte vetëm 258 gramë.

Nëna e Ryusuke, Toshiko Sekino, tha se djali i saj dukej aq i brishtë pas lindjes saqë “ajo nuk ishte e sigurt se si ta prekte atë”.

Mjekja Takehiko Hiroma tha se kishte vështirësi në trajtimin mjekësor të “foshnjës më të vogël”.

“Sepse, menjëherë pas lindjes, enët e gjakut ishin shumë të holla për të përballuar infuzionin”, tha ajo.

Ryusuke për 10 gramë theu rekordin e foshnjës më të vogël të lindur në Tokio në muajin gusht të vitit të kaluar.

“Shkalla e mbijetesës e foshnjave të lindura që peshojnë më pak se 1 kilogram është rreth 90 për qind në Japoni, por shkalla e mbijetesës së foshnjave të lindura që peshojnë më pak se 300 gramë është e ulët, sidomos për meshkujt”, raporton Kyodo.

Agjencia e lajmeve citon regjistrin për foshnjat më të vogla të universitetit amerikan në Iowa, sipas të cilit rekordin paraprak për foshnje më të vogël e mbante një djalosh i lindur në spitalin universitar Keio i cili peshonte 268 gramë.

Foshnja Ryusuke u lëshua nga spitali në 20 shkurt.

Foshnja “më e vogël e botës” do të shkojë në shtëpi, ndërsa njëkohësisht do të evidentohet listën e faqes së internetit të Regjistrit Japonez të foshnjave më të vogla, që ka të regjistruar 25 foshnje anekënd botës që kanë peshuar më pak se 300 gramë kur kanë lindur, e që kanë mbijetuar. Në mesin e tyre, gjashtë foshnje janë djem. aa