“Protesta e 9 janarit” sipas analistëve politikë dëshmon se Kosova ka nevojë për zgjidhje të shpejtë të krizës politike. Sipas Beqajt, pozita dhe opozita duhet të zbusin qëndrimet e tyre
PRISHTINË – Polarizimi politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë sa shkon e rritet dhe nuk ka sinjale se tensionet do të ulen dhe kriza politike do të zgjidhet. Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë për shkak se ka nënshkruar dy marrëveshje që, sipas saj, janë të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën, kurse Qeveria thirret në legjitimitetin e votave të fituara në zgjedhjet e fundit dhe akuzon opozitën se me veprime të dhunshme në Kuvend dhe rrugë, po mundohet t’i realizoj qëllimet politike.
Duke folur për Anadolu Agency, politologu Belul Beqaj deklaroj se “protesta e 9 janarit” vjen si pasojë e humbjes së komunikimit në mes të pozitës dhe opozitës. Ai kritikon qeverinë aktuale të Kosovën, por edhe opozitën e cila çështjet e “Zajednicës dhe Demarkacionit” i përdor si shkas dhe motiv për mobilizimin e masave kundër pushtetit.
Beqaj konsideron se pozita dhe opozita duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre, përndryshe kjo është uverturë në aventurat të cilat mund të përfundojnë me kaos politik në Kosovë.
“As qeveria dhe as opozita, mjerisht nuk janë në lartësinë e përgjegjësisë së tyre politike. Vazhdimi i punës së kësaj qeverie sikurse zgjedhjet që po paralajmërohen dhe po kërkohen nga opozita, nuk e zgjidhin nyjën aktuale. Duhet të kërkohet një intermexo që do të zgjas një periudhë relativisht të mesme kohore, prej një deri në dy vite, ku do të ushtrohet pushteti përmes një Qeverie të Përkohshme të ekspertëve, ndërkaq këto parti të pushtetit dhe të opozitës do të jenë parti pa pushtet, por do të jenë bashkëpjesëmarrëse në mbështetjen e gjitha detyrimeve që i ka marr apo do t’i merr një Qeveri e Përkohshme teknike, për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare, posaçërisht për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës”, tha Beqaj.
Sipas tij, në këtë mënyrë mund të krijohen së paku disa kushte elementare që në një proces relativisht të mesëm, të krijohet një ambient i përshtatshëm për të dalë në zgjedhje, ku qytetari do ta ndjen veten të lirë për shprehjen e vullnetin të tij politik.
Ai thotë se gjatë periudhës së qeverisjes së Kosovës nga një qeveri teknike, mund të krijohet hapësirë për formimin e ndonjë subjekti të ri politik i cili nuk do t’i përngjajë as pozitës dhe as pushtetit, por do të kishte orientim të shëndosh dhe pas një periudhe një apo dyvjeçare të qeverisjes teknike, kur tensionet dhe hasmëritë politike do të zhdukeshin, qeveria e përkohshme do ta përgatiste Kosovën për zgjedhje të lira dhe demokratike, pa rrezik nga manipulimet, parregullsitë apo vjedhjet e votave.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), protestat e opozitës i sheh si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkelje të cilat ishin bërë në marrëveshjen për krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe dhe shprehje e pakënaqësisë me faktin se qeveria, përkundër resurseve të mëdha humane dhe financiare për të angazhuar ekspertë ligjor, pa konsultime të mjaftueshme me opozitën dhe ekspertët, ka nënshkruar një marrëveshje që po thuaja në secilin nen të saj është kontestuar.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes, parimet e së cilës ishin në kundërshtim me Kushtetutën, ka nevojë që kjo qeveri të ketë një legjitimim qytetar dhe demokratik, pavarësisht numrit të deputetëve të cilët i ka në Kuvend. Në këtë mënyrë, partitë politike duhet që përmes dialogut të gjejnë zgjidhje. Mund të organizohet një mocion mosbesimi ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme, apo të pajtohen për rishikim të procesit të dialogut me Serbinë, ku opozita do të kishte rol më aktiv në këtë proces, ose të merren vesh që në një datë të afërt të shkojnë në zgjedhje, diçka e ngjashme me rastin e Maqedonisë”, vlerëson Krasniqi.
Sipas tij, dhuna e një grupi të protestuesve është e papranueshme dhe njëkohësisht thekson faktin që, pas këtyre ngjarjeve, shumica e partive opozitare nuk e ka dënuar dhunën e protestuesve, duke u dhënë motiv që edhe në protestat e ardhshme të kenë sjellje të tilla të dhunshme.
Në këtë situatë, Krasniqi kritikon edhe qeverinë e Kosovës e cila, sipas tij, nuk po vepron në qetësimin e situatës, përkundrazi, me deklaratat dhe veprimet e veta po kontribuon në përshkallëzimin e situatës dhe po pamundëson zgjidhen e krizës përmes dialogut politik.
Një nga zgjidhjet e mundshme për tejkalimin e krizës, ai përmend zgjedhjet e parakohshme, mirëpo me gjithë këtë tension të madh politik ai ka drojë se konflikti politik do të mund të bartej edhe tek votuesit dhe qytetarët, që do të ishte edhe më keq.
Krasniqi nga KDI eshte i mendimit se rol shumë më praktik dhe pro-aktiv duhet të luaj presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa në pyetjen e AA se sa mund të ketë ndikim presidentja tash, në fund të mandatit të saj dhe në momentin kur po pergatitet zgjedhja e presidenti të ri që, sipas marrëveshjes PDK-LDK, duhet të jetë zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi, analisti Krasniqi u përgjigj se, presidentja duhet t’i kryej obligimet dhe përgjegjësitë e veta kushtetuese deri në ditën e fundit të mandatit të saj, ndërsa zgjedhja e Hashim Thaçit president do të jetë problem i madh për koalicionin aktual.
“Sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, kjo do të jetë një prej sfidave me të cilat do të përballet koalicioni qeverisës për shkak të deklarimeve të disa prej anëtarëve të LDK-së se do të votojnë kundër një vendimi për t’u zgjedhur Thaçi president. Në këtë mënyrë, mund të jetë një rrugë përmes të cilës vendi do t’i drejtohet kutive të votimit”, tha Krasniqi.
Ai këtë e argumenton me faktin se sipas Kushtetutës së Kosovës, gjatë votimit për zgjedhjen e presidentit, në seancë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë. Më tutje, ai shpjegon se procedurat për zgjidhjen e presidentit duhet të përfundojnë brenda 60 ditëve dhe nëse gjatë kësaj periudhe nuk arrihet zgjidhja, atëherë shpërndahet Kuvendi dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Insistimin për caktimin e seancave të reja të Kuvendit të Kosovës dhe kandidimin për president të ardhshëm të zëvendëskryeministrit Thaçi, analisti Belul Beqaj e cilëson si lojë me zjarr dhe rrezik për një luftë qytetare. “Nëse eventualisht ndodh kjo, kjo do të jetë një fazë dhe indikator shumë serioz për fillimin e një kontradikte, ndoshta edhe lufte qytetare. Prandaj, kjo duhet të evitohet nëse mendohet që të shkohet në drejtim të zgjidhjes. Nëse dikush mendon se duhet të shkohet në drejtim të komplikimit dhe të destabilizimit të vendit, ky skenar mund të jetë pjesë e realitetit të hidhur të Kosovës”, thekson Beqaj.
Aktualisht opozita kërkon dorëheqjen e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pasi Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se Marrëveshja me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është në kundërshtim me shumë pika të Kushtetutës së Kosovës, si dhe pas mbledhjes së më shumë se 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës përmes peticionit kundër Asociacionit dhe Demarkacionit.
Nga ana tjetër, qeveria mbron pozitën e vet me legjitimitetin e votave të fituara në zgjedhjet parlamentare dhe shumicën absolute në Kuvend, njëherësh duke e akuzuar opozitën që me veprimet e veta të dhunshme në Kuvend dhe rrugë, po mundohet t’i realizoj qëllimet politike.
Ndryshe, të shtunën protesta e opozitës së bashkuar që pati rrjedhë të qetë nga fillimi e gati deri në fund, përshkallëzoi me dhunë. Pas përfundimit të fjalimeve të liderëve opozitar, një grup i protestuesve të dhunshëm filluan të gjuajnë me gurë dhe koktejeve molotovi në drejtim të objektit të qeverisë dhe policisë së Kosovës. Bilanci përfundimtar i protestës ishte 28 persona të lënduar, prej tyre 24 policë dhe 4 qytetarë, 34 protestues të arrestuar për shkak të sjelljeve të dhunshme dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Komentet