Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte foli sot për samitin e NATO-s në Hagë, ndërsa shprehu bindjen se “NATO do të tregojë se qëndron në skenën botërore e aftë për të mbrojtur 1 miliard qytetarët e saj duke marrë të gjitha masat e nevojshme”.
Në videomesazhin e tij nga selia e NATO-s në Bruksel, Rutte flet për rëndësinë e samitit të Hagës.
“Po shohim Rusinë duke u riformuar me shpejtësi dhe një zhvillim masiv të ushtrisë kineze. Kështu që duhet të sigurohemi. Si mund t’i mbrojmë 1 miliard banorët e NATO-s? Dhe për këtë do të flasim në këtë samit”, tha Rutte.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s bëri të ditur se “në samit do të diskutohet së pari për më shumë shpenzime për mbrojtjen, që të jemi në gjendje të mbrojmë veten”.
“Por sigurisht paratë janë një gjë, ne duhet të përgatisim stafin, mbi të gjitha ushtarët tanë. Por kur vjen puna te industria ushtarake ne duhet të bëjmë më shumë sesa po bëjmë tani. Kjo do të jetë edhe tema e dytë e madhe e samitit”, informoi ai.
Rutte theksoi po ashtu se temë e punimeve të samitit do të jetë edhe Ukraina.
“Duhet të sigurohemi që Ukraina të mbrohet tani, por gjithashtu të jetë e aftë për një marrëveshje paqeje afatgjatë, një marrëveshje që të zgjasë dhe që Putini të mos e ketë tundimin ta sulmojë sërish Ukrainën në të ardhmen”, theksoi ai.
Duke folur për partnerët e NATO-s, Rutte bëri të ditur se në Hagë do të jetë grupi i katërshes të Indo-Paqësorit, Australia, Zelanda e Re, Republika e Koresë dhe Japonia.
“Do të kemi gjithashtu Ukrainën në Hagë si dhe Bashkimin Europian, partnerin tonë afatgjatë. Do të zhvillojmë shumë diskutime me ta dhe dhe me ’32-shen’”, shtoi ai. bw