Historia e rezistencës Amerikane dhe fillimi i luftës revolucionare në Massachusetts më 19 Prill 1775
Pika e vlimit të rezistencës Amerikane kundër regjimit Britanik filloi me rebelimin e Bostonianëve më 16 Dhjetor 1773. Këtë ditë pesëdhjetë anëtarë të Djemve të Lirisë (Sons of Liberty) të frymëzuar nga Samuel Adams hipën në tre anije Britanike të ankoruara në portin e Boston dhe hodhën në oqean 342 ngarkesa me çaj në shenjë proteste për rregullat e reja për çajin.
Në përgjigje të kësaj proteste të quajtur Boston Tea Party parlamenti Britanik votoi Boston Port Bill duke mbyllur kështu portin e Boston për të mos lejuar të hyjë asnjë anije, qoftë dhe anijet private si dhe asnjë varkë me lopata nuk do të lundronte më në të.
Fshatrat Amerikane jashtë Bostonit filluan të mirëorganizohen e të furnizohen edhe ushtarakisht për të bërë rezistencë të plotë karshi masave ndëshkuese që mbreti George III po zbatonte kundër kolonistëve Amerikanë.
Më shumë pas kësaj e ndezi rezistencën në provincën e Massachusetts ligji për mirërregullimin e qeverisjes së kolonisë së Masachusetts Bay më 20 Maj 1774. Sipas këtij ligji mbreti George III caktonte governatorin, këshillin, oficerët e drejtësisë dhe mbajtësit e rendit në provincën e Massachusetts, si dhe ndalonte mbledhjet e fshatrave (town meetings), përjashtuar rastin kur do të zgjidhej zyrtari i fshatit.
Për të zbatuar këtë ligj dhe normalizuar situatën në provincën e Masachusetts mbreti George III dërgoi trupa shtesë si kurrë ndonjëherë në Boston në pranverë të 1774. Pas këtyre ligjeve të miratuara kolonistët Amerikanë të Massachusetts po ndjenin përkeqësimin ekonomik dhe më shumë instalimin e regjimit ushtarak Britanik.
Massachusetts i kësaj periudhe kishte Tories, përkrahësit e mbretit Britanik dhe Whigs që nënkuptonte patriotët ose shumicën absolute të popullsisë Amerikane të kolonisë. Whigs përbënin pjesën kryesore të klasës punëtore ku përfshiheshin: litarëbërësit, anijendërtuesit, lundruesit, hekurpërpunuesit, etj të cilët u prekën nga mbyllja e portit të Boston.
Në anën e Whigs, të shumicës Amerikane ishin shumica e udhëheqësve protestantë që predikuan rezistencë për kufizimet e lirisë Amerikane. Mund të përmendim William Emerson të Concord, babai i Ralph Emerson, njeriut më me influencë në Amerikë një shekull më vonë; Clarke të Lexington, Gordon të Roxbury dhe Stiles të Newton që janë dëshmitarë dhe shkruesit e parë të historisë së luftës Revolucinare të 19 Prillit 1775. Përveç një prifti në Boston që qe përkrahës i mbretit Britanik të gjithë të tjerët ishin patriotë.
Më 13 Maj 1774 për herë të parë në Boston vjen i emëruar nga mbreti George III governatori i parë ushtarak, gjenerali Thomas Gage i mbështetur nga katër regjimente trupash Britanike.
Patritotët e Mascachusetts e quajnë periudhën Maj 1774-19 Prill 1775 periudhë pushtimi nga mbretëria Britanike.
Një nga aksionet më të vështira të governatorit ushtarak Gage ishte marrja nën mbikqyrje e depos së barutit në Boston që rezultoi me përballjen numerike të forcave Patriotike që numëroheshin deri 20 mjë. Ndërkohë, fshatrat e kishin tërhequr municionin nga disa pika që ishin më parë duke e përqëndruar kryesisht në Concord dhe në Worcester për gjithë koloninë Amerikane të Massachusetts në përgjigje të situatave që po precipitonin drejt fillimit të luftës revolucionare.
Worcester, qendra gjeografike e provincës u bë mbështetja kryesore e rezistencës Amerikane për liri deri në shkëputje nga perandoria Britanike.
Mosqeverisja e të gjithë provincës së Massachusetts nga mbreti George III pas rrebelimit të 6 Shtatorit 1774 krijoi besimin tek patriotët e qarkut të Worcester (County) se mund të përballeshin me Britanikët deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për një formë të re qeverisje pa përfshirjen e mbretërisë Britanike.
Në pranverën e vitit 1775 dukej qartë që Worcester ishte një kështjellë e pathyeshme për forcat Britanike të vendosura në Boston. Akoma më shumë Worcester i lirë dhe i pavarur u bë shembull i një demokracie të shumicës absolute të popullsisë jashtë Boston dhe themeli i Revolucionit Çlirimtar Amerikan me Rrebelimin Paqësor të 6 Shtatorit 1774.
Kjo e detyroi governatorin Gage të kërkojë përforcime Britanike nga New York deri edhe me kërkesën zyrtare në Londër për 20 mijë trupa shtesë për të normalizuar situatën në provincën tashmë të lirë, sepse Boston ku qe vendosur governatori dhe trupat e ardhura rishtas (gjeografikisht në lindje dhe në breg të oqeanit Atlantik) ishte i rrethuar nga forcat Patriotike që u bë fakt pas 19 Prillit 1775.
Në fund të pranverës së 1775 governatori Gage kishte nën komandë pak më shumë se katër mijë trupa ose 11 regjimente, një numër i vogël krahasuar me numrin disa herë më të madh të forcave patriotike të organizuara në bazë fshati të të gjithë provincës. Vetëm qarku i Worcester kishte mbi 4600 trupa vullnetare të gatshme (Minute Man) në gatishmëri ose gati gjysmën e popullsisë së asaj kohe.
Në vijimësi të zbatimit të ligjit për të nënshtruar patriotët e Massachusetts governatori ushtarak Gage shpërndau asamblenë e provincës në fillim të Tetorit 1774.
Patriotët, nga ana tjetër, përkundër urdhrit të governatorit u organizuan të mbanin Kongresin e parë të provincës së Massachusetts po këtë muaj më 7 Tetor dhe zgjodhën John Hancock president. Për gjithë dimrin 1774-1775 Massachusetts (përjashtuar Boston) nuk kishte governator dhe gjykata, sepse governatori Gage i caktuar nga mbreti George III nuk e kontrollonte më provincën pas të parit Revolucion Paqësor Amerikan në Worcester më 6 Shtator 1774. Bllokimi i gjykatës së qarkut Worcester me administratë pro mbretit Britanik me 4622 forca patriotike ardhur nga 37 fshatra i dha fund regjimit mbretëror dhe hapi një faqe të re të vetëqeverisjes Amerikane në Massachusetts me përfaqësuesit e zgjedhur nga vetë fshatrat.
Strukturat vetëqeverisëse gëzonin autoritet në të gjithë Massachusetts, por edhe në popullatën e Boston të pushtuar tashmë nga forcat e ardhura Britanike. Kongresi i provincës i Massachusetts kreu funksionet e Qeverisë së Përkohshme në shërbim të ruajtjes së rendit dhe mbrojtjes nga trupat Britanike të popullatës jashtë Boston. Gjithashtu, stukturat e ngritura të komiteteve të korrespodencës vepronin në bazë fshati e qarku për gjithçka që vendosej në mbledhjet e Kongresit, të qarqeve dhe të fshatrave.
Kongresi i provincës i mbledhur më 26 Tetor 1774 në Concord zgjodhi komitetin e Sigurisë që u urdhërua të blinte 20 mijë pound armatime dhe municione dhe të riorganizonte milicinë ose trupat e gatshme (Minute Man), emër që u përdor zyrtarisht më 24 Nëntor 1774. Çdo fshat kishte kompaninë e tij ushtarake dhe sipas qarqeve u organizuan regjimentet që kryenin stërvitje të programuara për të mësuar përdorimin e armëve të zjarrit dhe taktikat e luftës.
Kongresi patriotik i 30 Marsit 1775 vendosi se çdo dalje për ekspeditë e trupave Britanike në numër më të madh se 500 forca do të kundërshtohet nga trupat patriotike të cilat duhet të mblidhen dhe me statusin e vëzhguesit të veprojnë njëherazi e të justifikojnë për arsyen e lirisë dhe mbrojtjes dhe më gjatë.
Në Worcester, që shërbeu si qendra e revolucionit të parë Amerikan u vendos nga takimi i 37 komuniteteve që nëpërmjet përfaqësuesit të tyre Timothy Begalow ti kërkohej Kongresit të provincës një formë e re e vetëqeverisjes deri në Pavarësi të plotë nga mbretëria Britanike. Kjo e nxiti doktor Joseph Warren, një nga udhëheqësit Patriotë të Kongresit të Massachusetts të shkruante më 1775 se “Amerika duhet dhe do të jetë e lirë…”.
Concord u bë në vjeshtën e vitit 1774 kryeqyteti i provincës Massachusetts me selinë e Kongresit dhe të komitetit të Sigurisë nën mbështetjen e regjimentit të komanduar nga majori James Barret.
Në Concord u magazinua një sasi e konsiderueshme municioni dhe ushqimesh për 15 mijë vetë, sipas urdhrave të Kongresit të Provincës për të përballuar mësymjen e trupave Britanike. Midis Concord dhe Lexington zhvillonin vepimtarinë drejtuese John Hancock dhe Samuel Adams, kurse vetë Joseph Warren qëndroi në Boston dhe kontakti me Kongresin mbahej me korierin legjendar Paul Revere. Kjo periudhë Shtator 1774 – Prill 1775 ishte periudhë pritje që Londra të reflektonte paqësisht duke kthyer gjëndjen e mëparshme, por situata po shkonte në favor të Lirisë dhe Pavarësisë Amerikane prej muajsh që nga 6 Shtator 1774.
Worcester u bë i pamundur të sulmohej për arsye të përgatitjes së lartë ushtarake të forcave Patriotike, të sasisë numerike që kishin më shumë se ato të governatorit në Boston, përqëndrimit të amatim-municionit dhe distancës së madhe me Boston që paraqiste rrezik për dështimin fatal të ekspeditave Britanike.
Kështu, që mbetej të sulmohej Concordi si përqëndrim i udhëheqësve të Kongresit dhe i armatim-municoneve të kolonisë së Massachusetts, rreth 19 milje larg nga Boston.
Governatori Gage nuk kishte qëllim fillimin e luftës me kolonistët Amerikanë. Ai thjesht donte të mblidhte furnizimet ushtarake të tyre dhe të arrestonte udhëheqësit e rezistencës për ti dhënë mesazh kolonisë së Massachusetts se Britania ishte fuqi e madhe dhe e pakundërshtueshme. Përfundimisht, Gage donte ti vinte nën kontroll kolonistët kryengritës dhe të rivendoste regjimin e mbretit George në Massachusetts.
Joseph Warren, udhëheqës i Kongresit mori informacione të sigurta ( është shkruar se kishte shumë mundësi të merrte mesazhe nga gruaja e governatorit Gage) se një ekspeditë Britanike do të nisej nga Bostoni në Concord në mesnatën e 18-19 Prillit 1775 që të arrestonte udhëheqësit e Kongresit John Hancock dhe Samuel Adams si dhe do të kontrollonte shtëpi më shtëpi dhe asgjësonte armatim-municionet. Disa ditë përpara ekspeditës 800 trupa Britanike ishin shkëputur nga vendpërqëndrimi kryesor në Boston me pretekstin e stërvitjeve, por kjo lëvizje e tyre tërhoqi vëmëndjen e doktor Joseph Warren.
Në pasditen e 18 Prillit 1775 grupe të vogla oficerësh Britanikë të armatosur mirë inspektuan fshatrat Roxbury dhe Charlestown për të verifikuar lëvizjet e patriotëve që mund të dekonspironin po atë mbrëmje aksionin e ekspeditës Britanike për arrestimin e udhëheqësve të Kongresit. Lëvizja e oficerëve Britanikë ra në sy të patriotëve dhe u kuptua edhe qëllimi i inspektimit të tyre në parapërgatitjen e terrenit në atë zonë të Boston ku do të dilnin trupat e ekspeditës Britanike për të shkuar në Concord.
Warren nisi në mbrëmjen e 18 Prillit 1775 dy korierët William Dawes dhe Paul Revere për të lajmëruar udhëheqësit Adams dhe Hancock dhe popullatën derë më derë për rrezikun që u kanosej nga ekspedita Britanike.
I frymëzuar nga akti trimëror i kalorësit të mesnatës, korierit të Kongresit Paul Revere, poeti i shquar Amerikan Henry Longfellow shkroi poemën historike “Paul Revere’s ride”.
Vargjet e Longfellow “One by the land, two by the sea”,- u bënë histori rrëfyese për shenjën me fener që do të jepej në kishën e Vjetër të Veriut në Boston për korierin Paul Revere. Feneri që u përdor si shenjë lajmëruese është bërë simbol i muzeut të Concord. Ky objekt është edhe sot në një nga dhomat e muzeut si objekt historik i fillimit të luftës revolucionare. Edhe për korierin tjetër guximtar William Dawes u shkrua një poezi. Të dy këta korierë bashkë edhe me doktorin Samuel Preskot që ju bashkëngjit atyre në Lexington erdhën e lajmëruan John Hancock, Samuel Adams dhe popullatën në Lexington e Concord pak pas mesit të natës, në orët e para të datës 19 Prill 1775.
Nga marrja e mesazhit në Lexington prej Revere e Dawes për ekspeditën Britanike udhëheqësit e Kongesit vendosën menjëherë të thirreshin forcat e gatshme patriotike dhe nisën korierë të tjerë për ti lajmëruar në fshatrat përreth.
Alarmi ngriti më këmbë patriotët në Lexington menjëherë dhe në ora 2 të mëngjesit kompania e patriotëve ishte gati. Gjatë gjithë rrugës Boston-Lexington trupat Britanike kapën e mbajtën të arrestuar këdo që takuan përpara për të mbajtur të fshehtë misionin e ekspeditës. Kompania patritotëve e Lexington dërgoi disa nga luftëtarët e saj të vëzhgonin nëse po afroheshin trupat Britanike. Një nga korierët krijoi konfuzion në Lexington kur lajmëroi se trupat Britanike nuk dukeshin gjëkundi, kështu kapiteni Parker e shpërndau kompaninë dhe pothuaj 70 nga 130 forca u vendosën tek dhoma e takimit në qëndër të fshatit. Më pas patrioti Bowman njoftoi kapitenin Parker se trupat Britanike ishin afër tyre në Lexington. Kompania u urdhërua të lëvizte në ecje rreshtore me daulle nga dhoma e takimit në drejtim të trupave Britanike. Beteja u zhvillua në qëndër të fshatit Lexington.
Ishte pak përpara orës 5 të mëngjesit kur beteja e Lexington do të fillonte duke shënuar kështu fillimin e luftës revolucionare në raportin e forcave pothuaj 1 me 10 (77:800) në favor të trupave Britanike. Kompaninë e Lexington e komandonte kapiteni Parker.Trupat patriotike të Lexington, të vogla në numër, pas humbjeve të para në të vrarë e të plagosur u shpërndanë me urdhër ti shpëtonin masakrës. Nga kjo përballje e armatosur u vranë shtatë patriotë, kurse nga Britanikët vetëm disa të plagosur. Pikërisht, këtu në Lexington filloi lufta Revolucionare. Pasi u njohën me situatën e krijuar udhëheqësit e Kongresit Hancock dhe Adams u nisën për në Filadelfia për të vazhduar punën udhëheqëse pranë Kongresit Kontinental në përkrahje të Revolucionit Amerikan.
Trupat Britanike gjatë rrugës për në në Concord arrestuan korierin Paul Revere, kurse William Dawes mundi tu shpëtonte atyre.
Ekspedita Britanike vazhdoi pa asnjë përballje nga patritotët deri në fshatin fqinj Concord ku dogjën kryesisht materiale në shërbim të luftës. Duke parë tymin e madh u krijua përshtypja ndër forcat patriotike që ishin vendosur në mbrojtje afër urës së Veriut në Concord se trupat Britanike po digjnin shtëpitë e fshatit. Trupat patriotike të vendosura afër urës së Veriut u komanduan të hapnin zjarr kundër rojeve Britanike të urës që ishin vendosur të zotëronin këtë nyje kalimi në të dy anët e fshatit.
Ralph Waldo Emerson, filozof dhe poet Amerikan shkroi himnin e Concord ku përjetësoi fillimin e luftës revolucionare me fjalët: e shtëna që u dëgjua përreth botës. Tek ura e Veriut në Concord filloi zmbrapsja e forcave Britanike deri në Boston e shoqëruar me goditje të njëpasnjëshme përgjatë rrugës nga forcat patriotike të fshatrave që tashmë ishin në ndjekje të tyre.
Në përfundim të këtyre betejave të datës 19 Prill 1775 nga trupat Britanike u vranë 250, kurse nga Patriotët 49 të vrarë, 42 të plagosur dhe 5 të humbur. Trupat Britanike angazhuan 1800 forca nga këto 800 u nisën për ekspeditë dhe 1000 të tjera erdhën përforcime më pas të mirëorganizuara dhe të armatosura.
Luftuan 3333 forca patriotike pa një komandë qëndrore, thjesht bazuar në komandën e kompanive të fshatrave.
Kjo ditë që shërbeu si pikënisje e luftës revolucionare tregoi se edhe një ushtri popullore mund të përballojë ushtrinë më të përgatitur të Mbretërisë Britanike dhe një nga ushtritë e fuqishme të botës. Filloi pra, më 19 Prill 1775 me betejat në Lexington e Concord revolucioni Amerikan për Çlirimin dhe Pavarësinë e Amerikës. 19 Prilli është quajtur dita e Patriotit dhe festohet çdo vit veçanërisht në Massachusetts për të edukuar brezat me historinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë Amerikane.

Komentet