Voal.ch e huazoi nga Top Channel intervistën e Ambasadorit Cristopher Hill, në një rrëfim për “Exclusive”, program i drejtuar nga gazetarja Kristi Gongo. Ambasadori Hill tregon kohën kur mbërriti për herë të parë në vendin tonë në verën e vitit ’91, vendosjen në Hotel Dajti deri në hapjen e Ambasadës së SHBA me 1 tetor 1991 pas mbylljes në 1946, takimet dhe kontaktet e para, figurat e politikës të asaj kohe. Gazetarja i bëri edhe pyetjen në lidhje me arrestimin e Fatos Nanos. “Pas mbylljes, Shqipëria u shndërrua në Korenë e Veriut të Europës, ishte një diktaturë staliniste, thotë Ambasadori Hill. Ndërsa rreth arrestimit të Fatos Nanos, ai thotë se pretendime të tilla janë deklarata antiamerikane”.
Një nga pyetjet që i drejtoi gazetarja ishte :
-Pas fitores së PD ne zgjedhjet e ’92, një vit me vonë, lideri i opozitës, Fatos Nano u burgos dhe ekziston një narrativë që kjo u bë me lejen e SHBA-së?
Hill: Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993, dhe ju tregoj personalisht se kjo është 100% gënjeshtër. E kam fjalën, unë isha këtu. Dhe kurrë nuk kam dëgjuar për një rast në Europë, sigurisht jo, por askund, që ambasadori amerikan të thotë: ‘oh, vendoseni në burg.’ Nuk kam dëgjuar kurrë diçka të tillë. Dhe e di që është njëfarë legjende këtu, por thjesht nuk e pranoj që ka ndodhur ndonjëherë.
-Pra ju nuk autorizuat arrestimin e Nanos?
Hill: Jo, jo, nuk ka asgjë të bëjë me ne. Sigurisht që jo. Edhe pse pas largimit tim nga Shqipëria nuk mund të them nëse dikush ishte i përfshirë, por dyshoj. Me të vërtetë dyshoj. Mendoj se ishte e përshtatshme për disa njerëz të thonin: ‘oh, ai është në burg për shkak të amerikanëve,’ por kjo është më shumë një deklaratë anti-amerikane sesa diçka tjetër.