Koka në Stamboll, trupi në Janinë,
Të vranë, Ali Pasha, të grinë.
Një varr i vetëm s’e nxinte dot lavdinë,
Lavdinë bashkë me mizorinë.
.
Midis dy kontinentesh gjerë e gjatë i shtrirë,
Si një mal ku era fryn e ulërin stuhia.
Zbardh mjekër e rrallë si bora në brinjë,
Si mjegull te koka të rri Vasiliqia.
.
Trupi në Evropë, koka ne Azi.
Gjymtyrët po shqyejnë të shekujve jorganë.
Dalin diku këmbët, dorë e ftohtë qiri.
Në të çara vitesh nxjerr tym llullë e gjatë.
.
Koka në Stamboll, trupi në Janinë,
Të shtrinë Ali Pasha, të shtrinë.