16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre. Për herë të fundit u panë më 21 prill 1999, me duart e lidhura pas shpine, gjersa nën kërcenime e dhunë, ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit.
Familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite. Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës).
Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre.
Bëjmë thirrje edhe njëherë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, për të sjellur drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Lavdi për martirët e Nakaradës!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!