Për dijeni, Z. Kryeministër që fton të rinjtë e arsimuar jashtë, që të kthehen në Atdhe
Përgjigje dy individëve drejtues të Bashkisë Shkodër: z. Benet Beci, dhe drejtoreshës së Kulturës, znj. Sara Smaja.
Sipas tabelës benetiane: Nuk ka patur EFIKASITET, EFEKTIVITET, PRODUKTIVITET DHE CILËSI NË PUNË.
Po e filloj me shpifjen dhe denigrimin që bëni me pyetjen “nuk e dimë se si jam punësuar” – unë, Vladimir Doda, në Teatrin Migjeni. Në mars të vitit 2019, pasi mbaruam xhirimet e një docufiction, prezantova CV-në (dorazi) tek personi që gjeta te Teatri Migjeni, që ishte arkivisti i teatrit. Pas asaj, kam biseduar me drejtoreshën e periudhës në fjalë, znj. Rita Gjeka, dhe me telefon me aktorin dhe Mjeshtrin e Madh, Besnik Çinari, me të cilin kam bërë shfaqjen e parë si aktor (konsideratat e tij për punën time janë me zë dhe figurë në video të ndryshme mbi shfaqjen). Nuk e hedh CV-në time këtu, z. Beci, sepse nuk kam hapësirë dhe sepse e keni të depozituar në institucion; e gjeni online ku të doni, ose mjafton të googloni në internet dhe sot gjendet çdo gjë (deri dhe hetimet e SPAK – lol). Por e them me përgjegjësi të plotë dhe pa modesti që drejtoresha juaj nuk ka as ¼ e formimit apo eksperiencës sime.
Kam bërë, pra, në 2019, katër shfaqje (katër role) si aktor: Frikacaku bëhet trim – regjia: B. Çinari; Kumarxhiu – regjia: M. Casarìn (roli Lelio në prill, roli Florindo në produksionin e nëntorit); si dhe dy role në shfaqjen e regjisorit S. Çapaliku. Pastaj kam shkruar dhe bërë regjinë e shfaqjes Princesha e Bizantit, me 10 aktorë të rinj, e shfaqur për 6 ditë për publikun e shkollave dhe atë të rritur.
Falë këtij kontributi më është propozuar të hy si aktor i brendshëm i trupës, nga ana e drejtoreshës dhe kryetares së Bashkisë sepse nuk mund të më paguanin me kontrata të jashtme.
Po të ishte për efikasitet: 5 role, aktor por edhe si regjisor dhe autor, kam bërë vetëm në vitin 2019 aq sa kanë bërë kolegët e mi në periudhën gjasmë të ekzaminuar nga ju. Por kolegët e mi janë fort të nderuar dhe nëse do t’i përmend, do e bëj vetëm për të shpjeguar rrethanat. Pra, ju më njihni dhe e dini shumë mirë se si jam punësuar, sepse keni në arkiv shfaqjet e mia.
Fakti që ju më njihni mirë është edhe “respekti” që stafi juaj, i sapokrijuar në shtator të 2023, ka treguar duke më kontaktuar për të bërë një shfaqje homazh për Estradën e Shkodrës (në screenshot-et më sipër provohet fare lehtë), si regjisor dhe dramaturg: “Ju njohim, kemi parë punët tuaja në Tiranë dhe mendojmë se do ishit njeriu i duhur” – më është thënë që në telefonatën e parë. Arkivisti i teatrit është dëshmitar, sepse më ka dorëzuar herë pas here shkrime nga arkivi i Estradës, duke u përqendruar kryesisht te ato të aktorit të mirënjohur Paulin Preka.
Të paktën nga data 12 tetor deri më 3 nëntor, edhe pse kam qenë i angazhuar si aktor në provat dhe pastaj reprizat e shfaqjes Vizita, unë kam fjetur në teatër dhe kam lexuar e përgatitur idenë për dy propozime: një për shfaqje në grup mbi estradën me materiale të P. Prekës, dhe një për shfaqje/monolog për një figurë të njohur (që thjesht nuk dua ta përmend me emër, sepse s’ka lidhje dhe nuk ka qenë në dijeni).
Me emërimin e drejtorit të ri, dhe pasi kisha diskutuar idetë me përfaqësuesen e stafit tuaj, e kam diskutuar me z. Arian Çuliqi çështjen. Me mirësjellje dhe me argumentimet e tij, drejtori i ri më bëri të kuptoj se nuk ishte e rastit të vazhdoja me ato propozime, por mund të mendoja më vonë për një shfaqje me të rinjtë – dhe këtë e keni të shprehur në screenshot-et e përgjigjes që i jap znj. M. Ll. të stafit tuaj, z. Beci. Arsyeja tjetër se pse kam hequr dorë është se më sugjeroheshin si aktorë, emra personazhesh dhe të rinjsh pa ekperiencë, që kanë ndjekshmëri të lartë në rrjete sociale dhe mbase punojnë hera herës në programe dhe kontekste varieteje, por që nuk kanë lidhje me disiplinën dhe formimin që kërkon skena.
Për sa i përket bilancit tim të punës, me tabelë të vlerësuar nga stafi juaj, nuk është siç deklraoni ju, por duhet të jetë të paktën kështu:
Nga janari i vitit 2023 dhe deri më 18 qershor 2025 – pra, jo për tre vite, por 2vite e gjysëm – është ky:
–1 rol në shfaqjen Vizita, me regji të Davide Iodice, që vazhdon të shfaqet (dhe, siç e dini, ka turne të planifikuar edhe gjatë vitit në vazhdim), ku janë rreth më shumë se dy muaj e gjysmë punë mes provash dhe reprizave, vetëm në 2023. – Nga data 12 tetor dhe të paktën deri me 3 nëntor, hulumtim mbi arkivin e aktorit Paulin Preka për shkrim dhe përshtatje dramturgjie. – Shfaqja Riedukimi i Apolonit me Shkollën “Jordan Misja”, fituese në Festivalin e Shkollave dhe me reprizë për rastin e 8 marsit; 2 muaj punë, duke filluar nga 6 janari e deri më 8 mars.
Në 2024:
– Puna për shfaqjen Sokaku i të Marrëve me Shkollën “Hamdi Bushati”, (18 jana – 20 mars) – Prova dhe lexim poetik për Muzeun Historik dhe Vendin e dëshmisë dhe kujtesës (25-26 Prill)
– Provat dhe shfaqja Vizita për Festivalin e Prizrenit, 17–20 korrik.
– Prova dhe shfaqje për Festivalin MESS të Sarajevës, 6–10 tetor.
– Takim për foto me Kryetarin Benet Beci me rastin e çmimit të shfaqjes Vizita në Sarajevë.
– Prova dhe shfaqje (29–30 dhjetor) për Mede(a)t!!! – shfaqje e Qendrës “Sebastia” dhe me kontribut të AWEN, jo produksion i “Migjenit” – me dramaturgji dhe regji timen, që është dhënë falas për publikun shkodran. Në 6 muajt e vitit 2025:
– Prova dhe shfaqja Vizita në Lecce (8–14 janar).
– Prova dhe repriza të shfaqjes Vizita në Milano (22 shkurt – 3 mars).
– Prova dhe shfaqja Vizita në Budapest (14–18 maj).
– Prova dhe shfaqja Swing Mood me Shkollën “Oso Kuka” (7 prill – 16 qershor).
Pra në 2024 dhe 2025 vetëm shfaqja Vizita ka pasur më shumë repriza se sa zakonist ka një shfaqje në teatrot e Tiranës, Shkodrës dhe gjithë vendit, të cilat pas 3-4 shfaqjeve vdesin dhe nuk justifikojnë shpenzimin e buxhetit as për bileta dhe as për prestigj. Shfaqja dhe puna e një aktori, e pranoj, nuk mund të mbarojnë me ato 4–5 muaj prova dhe shfaqje në vit. Por këtu nuk numërohen mbledhje takime etj. Unë, kam prova, mund të dëshmoj se kam qenë i angazhuar gjatë 2 viteve e gjysmë. Kush graviton rreth teatrit e di se unë kam bërë edhe shfaqje të tjera me ente të tjera dhe organizata, dhe që kam sugjeruar t’i sjell në Teatrin Migjeni, por nuk më është dhënë mundësia, për shembull për shfaqjen Muratorët. Nga ana e drejt. Arian Çuliqi më është thën të flisja me arkivistin sepse është më në kontakt me Bashkinë. Ç’lidhje ka arkivisti me programin e teatrit? Drejtori është ligjërisht ndër ata (apo kryesori) që vendos programin. I kam propozuar mundësi bashkëpunimi me jashtë vendit drejtoreshës aktuale për një projekt ambicioz, por më ka zvarritur. (emaili më poshtë). E vetmja shfaqje që më është lejuar të sjell është Mede(a)t!!!
Sara Smaja duhet të nxjerrë tabelën e vërtet sa aktor janë pagaur dhe sa paguhen aktualisht në Teatrin Migjeni? Sepse mungojnë emrat në tabelë. Benet Beci duhet të nxjerri tabelën benetiane edhe për Pandi Laçon që merr rrogë si drejtor i përgjithshëm; sa here në javë vjen në Shkodër? Sa ditë punë bën? Sa efikas, efektiv, produktiv dhe cilësor është? Mund të jap një listë shembujsh por këtu nuk kam hapësirë.
Tani të hyjmë te sqarimet mbi arsyet dhe metodat e përjashtimit të aktorëve: Në këto dy vite e gjysmë janë bërë vetëm 2 audicione, përkatësisht me 2 regjisorë të huaj, ku në të dy rastet kam fituar rol si aktor. Përse nuk më keni dhën mundësi për të marrë rol në shfaqje të tjera?
Përveç Vizitës, Bashkia konsideron si produksione edhe shfaqjet e Big Brother VIP 2, ku vetëm një aktor i trupës ka marrë pjesë, sepse vetë regjisori (dhe drejtor i teatrit asokohe) ka konsideruar të ndajë aktorët që mendonte se mund të përdorte për ringritjen e një “Estrade të re” dhe ka përdorur kryesisht të rinj joprofesionistë (përveç 2–3 emrave të Estradës së vjetër që vijnë me pagesë si të jashtëm). Këtë ide e ka përsëritur disa herë edhe në media.
Ndërsa shfaqjet e Teatrit të Kukullave u janë dhënë gjithmonë aktoreve në pension Dana Xhaj dhe Merita Smaja, ashtu si edhe A. F. me profesion arkivist, dhe aktorit Fritz Selmani. Kështu që viti 2023 nuk ka pasur hapësirë për role të tjera për aktorët e trupës.
Po kështu, për vitin 2024, në shfaqjen Mretëresha e Borës, gjithmonë për Teatrin e Kukullave dhe me regji të Merita Smajës, nënës së drejtoreshës Sara Smaja, përveç të sipërpërmendurve ka marrë pjesë edhe Gj. K., aktor joprofesionist. Personalisht, nuk më është propozuar kurrë të kontribuoj në shfaqjet e Teatrit të Kukullave.
Në shfaqjen Krimi është vetëm i imi, bashkëprodhim me regji të D. Dervishit, nga 11 aktorët e shfaqjes janë përdorur vetëm 4 nga trupa e Shkodrës. Të gjithë të tjerët janë aktorë me pagesë. Nga 2 aktorë të Shkodrës, njëra është Merita Smaja, e ëma e drejtoreshës Sara Smaja. Mund të mos gjykoj përzgjedhjen e aktorëve, por nuk mund të lë pa përmendur që nuk është bërë audicion.
Vazhdojmë me Opera për 3 grosh, shfaqje ku është bërë audicion dhe unë kam marrë pjesë dhe jam përzgjedhur. Si ka mundësi që vetëm regjisorët shqiptarë nuk bëjnë audicion me aktorët e trupës Migjeni dhe i përdorin shumë pak, ndërsa të huajt punojnë me aktorët e trupës?
E njëjta metodë përzgjedhjeje, pa audicion, vazhdon me shfaqjen e vitit 2025 Kërkohet një tenor. Regjisori duhet të ketë liri absolute, për tekstin që propozon (pra projektin) dhe për aktorët që përzgjedh, por rastësisht, nga 2 bashkëprodhime me Teatrin Kombëtar, teksti parashikon një personazh me moshë, karakteristika dhe phisique du rôle të ngjashëm me nënën e drejtoreshës – edhe pse 3 aktore të tjera të ngjashme i gjen në Shkodër dhe njëra, fare mirë, brenda trupës dhe pa shpenzime për buxhetin e Migjenit. Kujdes! Nuk po vë në dyshim aftësitë e Merita Smajës, por, thjeshtë, hedh dyshimin për “shpërthimin” e çuditshëm në moshën e freskët 67 vjeçare të nënës së drejtoreshës, si aktore, regjisore për shfaqje fëmijësh, kukullash dhe së fundmi edhe regjisore e pedagoge për fëmijë dhe persona me aftësi ndryshe etj.
Bukur fort!
Në audicionin me regjisorin e Opera për 3 grosh, limiti i moshës ishte 40 vjeç. Kur pyeta drejtorin Arian Çuliqi nëse mund të merrja pjesë, meqë po mbushja 41, më tha: “Nuk e di…”. Aktori Simon Shkreli mund të kishte marrë pjesë po ashtu (pastaj do kishte qenë në dorën e regjisorit), sepse role të përshtatshëm për të ka patur, por mosha e cilësuar në lajmërimin e audicionit e ka penalizuar. Arsyeja pse e theksoj, është sepse e njëjta gjë më kishte ndodhur me workshopin e audicioneve që do zhvilloheshin për Faust në TK. Informacioni më kishte ardhur nga kanale të tjera dhe drejtori Çuliqi nuk ma kishte kaluar. Ma dërgoi një muaj më vonë, pasi kishte harruar. E besoj gjithsesi. E besoja edhe kur ankohej për Bashkinë, se nuk i jepnin hapësirë, dhe që na thoshte: “Nuk kam nevojë të bëj mbledhje shpesh” – sepse nuk donte të bënte dëme apo të mbante njerëzit me shkop. Po të kishte pasur arsye për të më shkarkuar, duhej të më kishte bërë të paktën një vrejte.
Mirëpo dëmin na e paska bërë neve aktorëve. Edhe “i miri” apo ai që rri në gjumë, bën dëme me joprofesionalizmin e tij. Për shembull: me Festivalin e Humorit dhe “music hall-in” Matilda, që figurojnë në programin artistik si produksione të Teatrit Migjeni me regji të Arian Çuliqit. Për skeçe në formë intermezzo janë përdorur, nga regjisori Çuliqi, vetëm 3 kolegë të trupës: Nikolin Fërketa, Fritz Selmani dhe Aleksandër Prenga. Ndërsa 3 aktorë të tjerë janë joprofesionistë. Por veçoria është: në festival të gjithë performuesit janë të ftuar nga qytetet dhe Kosova apo Maqedonia e Veriut. Duhet të theksoj se regjisori dhe drejtori i Teatrit, Arian Çuliqi, në asnjë moment nuk më ka kërkuar të angazhohem.
Po ku është dëmi?
Music hall-i “Matilda”, shfaqje për fëmijë – unë nuk e di sa ka kushtuar (do kërkoj tabelat), për cilësinë nuk flas, por për origjinalitetin po, sepse nuk varet nga aktorët por nga regjia. Kjo mund të jetë një ndër arsyet se pse jam larguar nga puna. Më është propozuar të bëja asistent-regjisorin për shfaqjen Matilda, të punoja me fëmijë të moshave të vogla. Edhe pse nuk kisha punuar, pranova fillimisht dhe, në pritje të tekstit në shqip, e lexova në italisht. Mirëpo, më vonë m’u tha që për regjinë duhej të ndiqja videon e një shfaqjeje në YouTube – gjë që nuk e kam bërë kurrë – dhe hoqa dorë. Shfaqja rezulton me regjisor tjetër, pavarësisht se trupën e ka drejtuar z. Çuliqi, dhe regjia është marrë nga versioni i Royal Albert Hall, London. I them këto en passant (edhe pse me përgjegjësi të plotë, sepse kam prova për t’u përgjigjur edhe në rrugë ligjore), sepse thelbi i asaj që dua të them është tjetër, dhe nuk e kam me ish drejtorin, por duke qenë pjesë e joprofesionalizmit të Bashkisë, është pjesë e fajit. Pastaj mund të diskutohet edhe për ‘mirësinë’ e dikujt që shkel ligjin.
Thelbi qëndron te numrat që përdor Sara Smaja dhe Benet Beci. Mund të pretendojnë që amatorët, të cilët kanë shkelur për herë të parë në skenë nën drejtimin tim dhe të kolegëve të mi në shfaqje me gjimnazet – maksimumi 4–5 vite më parë – të angazhuar nga drejtori Arian Çuliqi, rezultojnë më efikas, më efektiv dhe më cilësor… më mirë jo vetëm se unë, por edhe se kolegët më me shumë karrierë si Pjerin Vlashi.
Atëherë në TK u dashkan hequr shumica e aktorëve? Gazment Gjoka që angazhohet rallë këto vitet e fundit nuk na qenka efikas, efektiv, produktiv apo cilësor? Trebicka ndoshta kishte shpëtuar mbase dhe një vit në vendin tim dhe pastaj e kishin percjell? Si u bëka matja duke krahasuar “shfaqje kasetash” (të kopjuara nga YouTube – për ata që nuk janë të fushës) pa origjinalitet, me shfaqje si Vizita, për shembull?
Me çfarë parametrash më gjykon Sara Smaja, kur shfaqjet që kam bërë unë vetëm në vitin 2019 ajo nuk i ka as në CV? I bie që unë, i sapoardhur atë vit në Teatrin “Migjeni”, do kisha arritur të zbrisja në fund të tabelës benetiane, për një rol më pak, vetë nënën e saj, Merita Smaja. Znj, Rita Gjeka, drejtoresha e mëparshme, po të kishte ndjekur të njëjtin etalon matjeje, nuk do e kishte shtyrë kurrsesi me dy… vite pensionin nënës së drejtoreshës aktuale të Kulturës, Sara Smaja. Unë mendoj, se drejtoresha e mëparshme e ka bërë sepse nuk ka ndjekur tabelën e Excel-it benetian, edhe ndoshta për mirësinë ndaj një aktoreje që del në pension me 30 mijë lekë të vjetra dhe që mund të angazhohej. A na paska qenë Merita Smaja aktore partie, e përkëdhelur nga PD-ja që nuk i ka dhën shkelmin e merituar sipas tabelave benetiane? Mendoj se jo. Teatri është politik sepse duhe të jetë pararojë sinjalesh që demaskojnë rreziqet që i kanosen shoqërisë, por nuk ka lidhje me politikën e administrimit. Një arsye tjetër se pse Rita Gjeka nuk e ka nxjerrë në pension Merita Smajën, mund të jetë se; ndryshe nga Sara Smaja, e cila pretendonte të merrte rrogën ndërsa punonte edhe në Vizion Plus, pa u angazhuar në teatër e pa pasur shfaqje në repertor me data, festivale etj., e ëma ka pasur shfaqje në repertorin e Migjenit dhe, si e jashtme, mund t’i kishte kushtuar asokohe buxhetit të teatrit më shumë se një rrogë e brendshme. Unë po kështu kam shfaqje në repertor dhe arsyeja nuk është vetëm kjo, ndërkohë nuk jam konsideruar për role që i kanë bërë aktor me kontratë të jashtme me ngjashmëri, moshë, physique du role dhe aftësi të njëjta.
Mundësia e audicioneve është e vetmja formë meritokracie në teatër. Nëse mua nuk më është dhënë mundësia për të qenë te ato1-2 shfaqje që kolegët e mi kanë më shumë në tabelë, nuk kam si të kem numra shfaqjesh. Ashtu si 2 kolegë të mi, të angazhuar në dy shfaqjet, nuk janë marrë kët vit me shfaqjet e festivalit të të rinjve që merr 1 muaj e gjysëm kohë. Aktorët, ashtu si çdo profesionist i fushave të tjera, në qoftë se u jepen mundësitë, punojnë.
Pra mundësitë me anë konkursi (audicion për aktorët) janë e vetmja meritokraci për profesionistët. Për shembull: kush njeh teatrin e di se deri me tekstet e ʼ900-tës, dramaturgjia ka pak role femërore (për vetë rolin e dobët që i rezervohej gruas deri me fillimin e shek. XX). Nëse tekstet e shfaqjeve që përzgjidhen për sezonin artistik, nuk marrin në konsideratë (përveç tematikës që nevojitet për emancipimin e publikut dhe lidhjen me realitetin shqiptar) organikën e trupës, do përjashtoheshin me siguri ndonjë aktore grua sepse s’do gjente hapësirë. Ashtu siç nëse një regjisor∕e, merr miratimin e një projekti me vetëm personazhe femërore (bie fjala Top Girls të Caryl Churchill), është evidente që të gjithë aktorët meshkuj të trupës do zbresin në fund të tabelës benetiane dhe, bie fjala, aktorja Merita Smaja, edhe pse në pension, do merrte rol nga e bija dhe do kishte numrin 5 apo 8 në ‘fletë lavdërimi’. Ja pra që kleçkat duken të koklavitura por nuk janë dhe aq.
Po sikur Bashkia, tani që do hapë thirrje për aktorë, ta mbushë teatrin me aktorë/e të rekomanduar e të padiplomuar, ose me diploma juridiku, cikël të ulët, shkencash sociale etj.? Këta do bëjnë shfaqje variete dhe pseudoestradë (e cilësoj unë kam admirim dhe respekt për Estradën e vërtetë), duke bërë numra me role dhe do nxjerrin në fund të tabelës benetiane aktorë profesionistë me eksperiencë. Ore rrimë shtrembër e flasim drejt: vetë mjeshtrat e Estradës janë të vetëdijshëm që, nëse nuk drejtohen si duhet, dhe kur nuk kanë cilësi edhe te aktorët e rinj që i shoqërojnë në skenë, shfaqet nuk funksionojnë.
Duhen pra profesionistë, të shkolluar dhe me eskperiencë, dhe puna e tyre nuk matet me shifra.
Ja pra që nuk matet arti ashtu si thoni ju, as me bileta homazh apo me detyrim nga administrate, dhe jo e jo me tabela exceli benetian.
E fundit, por jo e parëndësishme, në takimin ‘përcjellës’ me znj. Sara Smaja, mʼu tha se dera është e hapur, dhe se mund të aplikoja për projekte si regjisor apo për shfaqje me fëmijë si i jshtëm, dhe përgjigjja ime ishte: “Atëherë pse po më largoni? Më bëni një kontratë 1 vjeçare si regjisor, dhe nëse s’përmbush “objektivat” mun të gjeni shkak.”. Në fakt idenë e aktorëve me kontrata të shkurtra, Sara Smaja e pati propozuar në paraqitjen e platformës si kandidate për drejtor, gjë që jo vetëm u kundërshtua haptazi nga regjisori Altin Basha që ishte në komision dëgjues, por u përqesh. Dhe unë mendoj se znj. Smaja i qëndron të njëjtit plan.
Por znj. Sara Smaja, që u skualifikua si drejtor teatri, u emërua drejtoreshë Kulture. Praktikisht znj. Sara skartohet si e papërshtatshme për drejtoreshë teatri, por bëhet drejtoresha e Arian Çuliqit dhe e drejtorëve të bibliotekave dhe institucioneve të tjera të kulturës. Po të ishim në mjekësi, do ishte: një kirurg që skartohet si e papërshtatshëm për shef pavioni apo shërbimesh, ta bënin drejtoreshë spitali rajonal.
E sa për sukseset e sezonit të ardhshëm artistik (apo gjyqësor) z. Benet, po t’i angazhonit për ndonjë punë të qytetit ata 20-30 persona që fshijnë komentet dhe bëjnë bllok në rrjete, do ishit shumë më i respektuar nga qytetarët ne komente, edhe pse jeni nën hetim nga SPAK,
të tjerat janë heshtje…
P.S. (si post scriptum dhe jo sigël partie) Po ua përsëris sërish; të qenurit komisioner në zgjedhjet e fundit, ma lejon ligji.