Do të tregoj historinë e Alfred Zenelit, aktorit shqiptar me sindromin e nanizmit, aktualisht i papunë, i gozhduar në një karrocë invalidësh, me 100 Euro pagesë mujore si invalid, me depresion, që kërkon ndihmë.
Në folklorin zviceran personat me sindromin e nanizmit, që njihen edhe si xhuxhë janë burra të vegjël të lidhur me kodrat dhe tokën. Të përshkruar si të lumtur e të dobishëm, ata rrisin bagëti dhe prodhojnë djathëra magjikë, që kanë veti sa herë të hash një copë ajo të plotësohet si para ngrënies, pra nuk mbaron kurrë. Ata ndonjëherë portretizohen të veshur me pelerina jeshile dhe kapele të kuqe, me mjekra të gjata të bardha. Ata jetojnë në shpella dhe miniera dhe e dinë se ku mund të gjenden thesare nëntokësore. Ata janë roje të dhisë së egër. Ata janë farkëtarë dhe armëpunues ekspertë, dhe pavarësisht natyrës së tyre të mirë, ata bëjnë shaka hakmarrëse nëse ofendohen ose keqtrajtohen. Edhe në kulturën popullore ata vlerësohen e adhurohen, duke iu atribuar aftësi të rralla mbinjerëzore.
E nisa këtë shkrim duke iu referuar Zvicrës, një shteti demokratik në Perëndim, ku përkujdesi ndaj personave me aftësi të kufizuar, përfshirë edhe sindroma e nanizmit, është i mbrojtur me ligj.
Në Zvicër, njerëzit me sindromin e nanizmit kanë të drejta dhe mbrojtje ligjore. Këto të drejta janë të sanksionuara kryesisht në Aktin Federal për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Personave me Aftësi të Kufizuar – DDA. DDA synon të sigurojë që personat me aftësi të kufizuara të mund të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, duke përfshirë ndërveprimet shoqërore dhe jetesën e pavarur.
Njerëzit me sindronim e nanizmit në Zvicër, si gjetkë në Perëndim, ndjekin një gamë të gjerë karrierash, me mundësitë e tyre të punës që nuk kufizohen ndjeshëm nga shtati i tyre. Shumë punojnë në fusha si kujdesi shëndetësor, IT, mësimdhënia dhe shërbimi ndaj klientit, ndërsa të tjerë janë sipërmarrës ose artistë. Punët specifike varen nga aftësitë individuale, arsimi dhe interesat, në vend të ndonjë kufizimi të natyrshëm të imponuar nga ky sindrom.
Këto të drejta duhet t’i garantojë edhe shteti shqiptar që aspiron të bëhet pjesë e BE më 2027.
Këto të drejta duhet t’i gëzojë edhe komuniteti me sindronim e nanizmit në Shqipëri.
Midis tyre edhe Alfred Zeneli.
Kështu do të duhet, por nuk është.
Në inbox-in e Voal.ch kishte mbërritur një mesazh nga Alfred Zeneli, aktor me aftësi të kufizuara, që vuan nga sindronimi i nanizmit, shkaktuar nga një çrregullim gjenetik, mbetur pa punë dhe pa mbrojtje ligjore.
Për të qenë sa më e përditësuar, kërkoj në google dhe gjej foto e kronika të gazetarëve shqiptarë, që shprehnin shqetësimin dhe sensibilizonin opinionin publik për gjendjen e rëndë të Alfred Zenelit. Por që mjerisht kanë rënë në vesh të shurdhër.
Alfred Zeneli për njëmbëdhjetë vjet ishte i punësuar në Teatrin e Kukllave, kohë e artë për atë që e kujton duke uruar pa fund ish drejtoreshën Elvira Diamanti. Por në vitin 2016 ai ishte pushuar nga Monika Lubonja, pa asnjë arsye.
Nga mikrofonët e gazetarëve Alfred Zeneli bën apel që ta ndihmojnë sipas ligjit, të drejtave që ia garanton Kushtetuta.
Ai jeton me një pension si invalid prej 100 mijë lekësh të vjetra, ndërsa deputetët e parlamentit të Shqipërisë me 3 milionë, përveç dietave dhe privilegjeve të tjera, dmth e kanë rrogën 30 fish më të lartë se të Alfredit. Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë harxhojnë nga 100 mijë lekë në ditë, ndërsa Alfred Zeneli vetëm 100 mijë në muaj, dmth rreth 3 Euro në ditë.
A mund të jetojë njeri me 3 Euro!
Alfred Zeneli vuan nga probleme shëndetësore. Po si i përballon?!
Ka lindur për të vuajtur Alfred Zeneli.
Bisedova me Alfred Zenelin dhe ai më tregoi oqeanin e halleve të tij.
Vuan nga depresioni, mbetur në karrocën e invalidit, i ngujuar në katin e tretë, pasi pallati ku banon nuk ka ashensor dhe ai nuk ka mundësi as të lëvizë dhe as të ndjekë kurimin e duhur.
A është kujtuar ndonjë punonjës social për Aktorin Alfred Zeneli të ngjitet ta shohë aty ku banon! Përse paguhen punonjësit socialë?
Kur Alfred Zeneli nisi të më tregonte kalvarin e tij për fajin e vetëm se kishte lindur me sindomën që nuk i lë njerëzit të hedhin shtat, u lotova.
Alfred Zeneli është i datëlindjes 1967. Diskriminimet ndaj Alfred Zenelit kishte nisur që kur ishte fëmijë në qytetin e tij të lindjes Peshkopi, kur nuk i lejohej të dilte në skenë e të recitonte bashkë me shokët e shoqet e tjerë. Bullizmi ka qenë një armik i përhershëm i Alfred Zenelit.
Në krahë ai kishte patur gjithnjë nënën e tij me të cilën kishte përballuar këtë dramë të jetës, por ajo prej disa muajsh është larguar nga kjo jetë. E papërballueshme për Alfredin.
Nëna është krenaria e tij, ajo që ishte kujdesur për djalin e saj deri në frymën e fundit, zonja Lutfie Balla, tre herë kampione e Shqipërisë në qitje, dy herë me pistoletë dhe një herë me karabinë Simonova 56. Tani ajo prehet në Sharrë dhe Alfredi kërkon t`i hapet një varr i vogël pranë saj 130 cm, se jeta për të nuk ka më kuptim.
Indiferenca e shoqërisë shqiptare ia ka hapur varrin Alfred Zenelit që për së gjalli.
********
Por ka patur një kohë kur Alfred Zeneli ëndërronte, kishte ëndrrat e tij. Kur ishte djalosh, i frymëzuar nga filmat si Borëbardha dhe shtatë xhuxhët apo Magjistari OZ, duke patur si shembuj të madhin Peter Dinklage, personazh i Game of Thrones apo Warwick Davis, i paharruar tek Star Wars dhe Harry Potter.
Ai më tregon një fotografi të Alen Delonit, me dedikasë Alfredit. Kjo fotografi datonte vitin 1989, kur Delon kishte mbushur 55 vjeç. Si munde? e pyes. “Lexoja gjithmonë revistën Skena dhe Ekrani”, tregon, “dhe aty mësova se Delon kishte një ditëlindje jubilare. Asaj kohe ishte vetëm telefonia fikse dhe unë, përmes numratorit telefonik, gjeta numrin e telefonit të të ndjerit Pirro Milkani. Pirro më priti me shumë dashamirësi, më mësoi se si ta uroja Delonin në frëngjisht dhe se si t’ia adresoja letrën. Funksionoi. Deloni e kishe marrë urimin tim dhe më ktheu përgjigje.”
Sikur e vura re që në krye, Alfred Zeneli është i vetmi aktor shqiptar me sindromin e nanizmit dhe ventrilok. Por arritja e tij në Akademinë e Arteve ka qenë një tjetër vuajtje e madhe. Nuk e pranonin për atë që ai ishte lindur, kur shteti në letër dhe dokumenta është garantuesi i një jete të sigurt dhe me dinjitet, sidomos për shtresën vulnerabël.
Alfred Zeneli shkoi të konkuronte në Akademinë e Arteve në vitin 1998, 1999, por aty i krijonin mure të pakalueshme. Shkak aftësia e tij e kufizuar.
Alfred Zeneli kujton me dashuri pedagogët e Akademisë së Artit Dramatik që ia jepnin votën. Kujton Mario Ashikun, Drita Pelinkun, Anton Çesarin. Dhe midis atyre që votonin kundër përmend Petrit Malajn, ish dekanin e asaj kohe.
Por në vitin 2000 duket sikur lindi dielli për Alfred Zenelin dhe ai me urdhër të kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit pranohet në Akademinë e Artit Dramatik.
Dhe nisën ditë të bardha për Alfred Zenelin. Që ai përpiqet të m’i ilustrojë me foto dhe me lotët që i bien pa rreshtur.
Më tregon një foto ku ka dalë me Aktorin e shquar Gulielm Radoja dhe regjisorin e mirënjohur Saimir Kumbaro. “Gulielmin që e kam patur pedagogun tim në vitin 2002-2003. Falë tij kam mundur të interpretoj në Teatrin Kombëtar. Në 1999 kam interpretuar tek filmi “Unë, Ti dhe Kasandra”, me regjisoren Ermira Gjatën, e cila më është gjendur shumë pranë. Ndërsa miku im Saimir Kumbaro prej vitit 1991, ka qenë regjisori i filmit “Ne dhe Lenini” i shfaqur në vitin 2007 ku kam lujtur, bashkë me ikonat Margarita Xhepa, Lutfi Hoxha, Tinka Kurti, Hajrie Rondo.”
Alfredi kujton gjithçka. Në vitin 2003 ai ka aktruar në Teatrin Kombëtar pjesën teatrale Cilindri me regji të Kastriot Çipit, krahas aktorëve të shquar Edi Luarasi, Gulielm Radoja.
Ai i kujton të gjithë emër për emer ata që e kanë mbështetur dhe ata që e kanë penguar.
“Të lutem mos më harro regjisorin Kastrit Çipi” më thotë, “edhe ai i pushuar nga puna nga Teatrin Kombëtar me 2015, Kastrioti vjen e më sheh dhe nuk më ka braktisur kurrë.”
Nëse doni të mësoni se si shkelet ligji, shihni Alfred Zenelin. Merrni në analizë jetën e tij dhe reagoni. Bëni diçka. Thoni se ka faj, thoni se është i pafajshëm, thoni se kush e ka fajin, kush është përgjegjës që jeta e Alfred Zenelit ka shkuar në zgrip dhe ai kërkon një varr të vogël 130 cm pranë Nënës, Engjëllit të tij Mbrojtës.
Po shteti ku është, po shtetasit ku janë!
Aktori Alfred Zeneli ka qenë gjithmonë aktiv, luftëtar. Ai është një nga mbrojtësit e kauzës së Teatrit Kombëtar. Për çudi, të gjithë ata që kanë mbrojtur Teatrin Kombëtar pushohen nga puna. Më të fundit Simon Shkreli dhe Vladimir Doda. …
Nga ana ime përpiqem me një lëmsh në fyt, që t’i them Fredit fjalë ngushëlluese, se në fund të fundit, ai është një luftëtar, që shpreson se do t’i dalë dikush në krahë.
Ai po kalon një periudhë të zezë të jetës. Për fajin tonë. Që nuk i mbrojmë të drejtat e tij. Spanjolli Jose Ortega y Gasset, një nga sociologët më të shquar të njerëzimit thotë se “Një jetë ‘pa punë’ është një mohim më i keq i jetës sesa vetë vdekja.”
Ta lësh një njeri pa punë, ta pushosh nga puna, është një lloj torture për ta depersonalizuar, për ta degraduar, për ta eleminuar.
Historia e trishtë e Alfred Zenelit duhet të jetë një provë për ndërgjegjen tonë. Kemi apo nuk kemi ndërgjegje.
Shfletoj shtypin shqiptar dhe shoh se bilioneri francez i firmave ikonë të modës së lartë Bernard Arnault me jahtin e tij kishte zbarkuar në gjirin e Vlorës dhe më pas me njerëzit e tij kishte eksploruar ishullin e Sazanit, ku flitet se do të kthehet një parajsë lluksi për miliarderët sikur këta të jenë i vetmi komunitet që gëzon të drejtën e jetës vendosur nga Zoti i parasë.
Rroga prej 100 Eurosh e Alfred Zenelit kushton sa një palë lidhëse këpucësh firmato nga perandoria që drejton Bernard Arnault, dhe ky është fakti që përbën lajmin.
Të tjerat i takojnë kronikave rozë.
Por jeta e Alfred Zenelit nuk është një la vie en rose, përkundrazi e tija është një la vie en noire!







