Lidhun me “qortimin” e ak. A. Fuga ndaj Dom Gjergj Metës ia nisa nji shkrim timin nji gazete e cila deshi me e botue. Meqë vendosën mos me e botue, e sjell këtu në Fb.
Zotnia ak. Artan Fuga, profesor universitar i filozofisë dhe sociologjisë, e qortoi priftin katolik Dom Gjergj Metën, gja që ka për pasojë se nji besimtar katolik (puna ime) tash ia tërhjek vëmendjen prof. Fugës për disa vështrime të këtij besimi.
Për shuemjen në amshim të Dritëro Agollit u banë llafe boll, në të shumtën e herëve madje të tepërta. Sulmet post mortem, polemikat dhe debatet rreth personit të Agollit dhe pozitës së tij në sistemin e diktaturës stalinistë kanë kenë të panevojshme meqë faktet për kryetarin e LSHASH-it, deputetin, anëtarin e KQ-së të Nanës Parti kanë kenë të njohuna në të gjallët e Agollit. S’ka kenë me vend me i nxjerrë nga dheu mu tash kur ato e prishin qetësinë e të vdekunve. Me sa e mora vesh drejt shkrimin e Dom Gjergj Metës, ai kishte me thanë pikërisht këtë kur tha: “… mendoj se Dritëroi meriton një rekviem; një pushoftë në paqe!”. Kjo asht trajta katolike e thanies latine “Mortuis ni(hi)l nisi benë” – për të vdekunit mos me folë përveçse me folë mirë për ata. Jeta tokësore e Agollit mori fund, gjykimi për të – sipas besimit të kërshtenë – i takon Zotit i cili ka me gjykue nëse Dritëroi jetoi apo jo nji jetë etike. Zoti ka me peshue të gjitha të mirat e të këqijat e Dritëroit dhe ka me thanë fjalën e fundit për jetën e tij. Puna jo e jona por e Zotit, gjuha e të cilit simbas besimit të kërshtenë asht dashuni dhe mëshirë. Ajo që mundemi me diskutue ne, simbas meje, asht vepra letrare e D. Agollit, vlera letrare e saj, pozita e saj në letërsinë shqiptare.
Thanie të ndryshme të ditëve të fundit glorifikuese si, fjala vjen, “Dritëro Agolli tashmë është klasik i letërsisë shqipe” (Rexhep Qosja) etj. mund dhe duhen hulumtue.
Zotnia Fuga thotë se Dom Meta ka ba “një gabim të rëndë” tue u lutë për ateistin Agolli. Unë në gjithë shkrimin e Dom Metës nuk shoh as ndonji lutje të tij për Agollin dhe as mbajtjen e nji meshe për të, siç thotë profesori. Prifti i nderuem thotë se simbas tij Agolli meriton nji rekviem dhe një pushoftë në paqe. Në fund të shkrimit, Dom Meta shkruen “pusho në paqe Dritëro dhe paç Dritë”, gja që nuk asht as lutje dhe as meshë por nji zakon me urue të vdekunit paqe të amshueshme dmth. “R.I.P. dhe dritë pastë” që mund të lexohet kudo dhe kurdo me rastin e vdekjes së dikujt.
Anëtari i Akademisë, prof. Fuga, e qorton Dom Metën edhe se ky i paska shkelë “rregullat e lojës” tue u lutë për Agollin (familia e të cilit duket se i takonte traditës myslimane a bektashiane) në emën të Zotit të kërshten. Z. Fuga në këtë mes ban tri pyetje: “Që kur një bektashi, mysliman, hindu a i një feje tjetër, do të dalë para të njëjtit Zot, sikurse ai i Gjergj Metës…? Mos nuk është paksa si një totalitet pa dashur, që cenon diferencat fetare, kur të gjithë duhet të dalin para një Zoti që është juaji, njeriu i Zotit Gjergj Meta? Ku keni të drejtën ta bëni lutjen edhe në emër të feve të tjera?”
Hajt, ta zëmë që Dom Meta në të vërtetë paska përdorë lutjen në shkrimin e tij. Në radhë të parë: nuk ekziston “Zoti i Gjergj Metës”. Zoti asht i të gjithëve, Zoti asht nji për të gjithë – së paku në të tri fetet abrahamite. Asht absurde me pretendue se ekzistueka nga nji Zot për të kërshtenët, për myslimanët, për hebrenjtë, apo se paska në qiell nji repart për hebrenjtë, nji tjetër për myslimanët etj. Zoti asht nji, vetëm fanatikët fetarë thonë se secila fe ka nji Zot për vedin. Fetë dallohen jo për Zotat, por për imazhin, për përfytyrimin e tyne për Zotin. Nji teolog jezuit ka thanë se Zoti disi i ngjan majës së nji mali: mund të ketë disa, madje shumë rruga deri te maja, ama maja asht dhe mbet nji dhe e njejtë.
Përveç kësaj, teologjia e sotme ndryshon shumë nga ajo para 50-60 e ma shumë vjetësh. Sot nuk theksohen ma ndryshimet mes feve, por elementet e shumta të përbashkëta. Duket se ekumena e madhe, ajo ndërfetare, përparon ma shumë dhe ma shpejt nga ajo e vogël, ndërkonfesionale. Ma e randësishmja nuk janë ritet, tekstet e lutjeve etj. por besimi te Zoti, dashunia për të dhe për njerëzit.
Zoti nuk shikon në je i kërshten, katolik a ortodoks, hebré, mysliman, budhist, Baha’i apo i ndonji feje tjetër. Nuk i intereson. Përkatësinë fetare e këqyrin vetëm njerëzit, prej shekujve dhe mijëvjeçarëve.
Prof. Fuga ban edhe nji pyetje: “Do të fillojnë hoxhallarët tani të bëjnë lutje për të ndjerët katolikë, priftërinjtë ortodoksë për të ndjerët myslimanë dhe priftërinjte katolikë për të ndjerët ortodoksë, duke ngatërruar Zotat, lutjet, ritet?” Thamë se nuk ka Zota të ndryshëm. Dhe përgjigjja në pyetjen e profesorit asht e thjeshtë: po të banin kështu priftënt, rabbitë dhe hoxhallarët, tue sendërtue kështu thelbin e të gjitha feve (dashuninë, faljen, mëshirën e ndërsjelltë) – Toka jonë do të kishte të mirën supreme: paqen.
Hans-Joachim Lanksch
Komentet