VOAL

VOAL

‘Air Albania’ hap krahët për herë të parë drejt Bazelit!

April 11, 2022

Komentet

Kryeministri Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Hamza: Për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë

 

 

Prishtinë, 10 korrik 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

 

Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret.

 

“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, ka thënë ai.

 

Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit.

Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./Zyra e Kryeministrit

 

“Qytetarët po ngrihen kundër arrogancës dhe zhvatjes”, Lubonja: Rama shkeli Kushtetutën me 4 mln euro për koncertin! Drejtësia duhet ta frenojë

Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në studion e lajmeve në News24, ka komentuar situatën politike dhe tensionet sociale në vend, ndërsa sot shënohet dita e 41-të radhazi e protestave masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Lubonja u shpreh se revolta qytetare buron nga keqmenaxhimi dhe vendimmarrjet arbitrare të pushtetit, duke u ndalur specifikisht te alokimi i fondit prej 4 milionë eurosh për organizimin e një koncerti. Sipas tij, ky akt përbën shkelje të Kushtetutës dhe dëshmon se vendi po drejtohet nga një pushtet autokratik.

“Qytetarët protestojnë kundër arrogancës e zhvatjes. Nuk jemi për instalimin e një diktature revolucionare, nuk jemi për përdorimin e dhunës. Jemi në një situatë ku kërkojmë zgjedhje të lira. Por kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, sepse Marx thotë për revolucionet se arma e kritikës nuk e zëvendëson dot kritikën me armë. Rama ka shkelur Kushtetutën duke dhënë 4 milionë euro për një koncert, nuk ka mësuar asgjë nga kjo protestë,” deklaroi Lubonja.

Më tej, analisti lëshoi kritika të ashpra ndaj deputetëve dhe ministrave të maxhorancës, duke vënë në dyshim integritetin e tyre dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

“Çfarë deputetësh janë ata, çfarë ministrash janë ata? Pse, me ligj do shkojmë ne apo me kode nderi e turpi që shpikin? Shqipëria turpërohet nga ky akt sepse tregon se nuk është një demokraci ku vendos populli, por vendos një autokrat që i jep 4 milionë euro një kompanie private. Ky duhet te frenohet nga parlamenti, opozita dhe drejtësia,” përfundoi Fatos Lubonja në analizën e tij.

Qeveria i dha 4 mln euro Kanye West, Adriatik Lapaj çon në “Kushtetuese” Aktin Normativ: Të shfuqizohet dhe të pezullohet çdo veprim për të bërë pagesat

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave, përmes të cilit është miratuar një fond prej 4 milionë eurosh për kompaninë organizatore të koncertit të këngëtarit Kanye West në Shqipëri.

 

Lapaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e çdo veprimi që lidhet me kryerjen e pagesave, ndërsa ka deklaruar se dyshon që fondet mund të jenë kaluar tashmë.

“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë çdo veprim për të bërë pagesat, edhe pse kam përshtypjen se këta i kanë bërë pagesat. Së dyti, kemi kërkuar shfuqizimin e këtij akti si në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh Lapaj. gsh

Një grup deputetësh të PS kapen “mat” duke luajtur letra dhe pirë birra në Strasburg! Qytetarët i shkojnë te tavolina dhe i kërkojnë llogari: Rama n’burg, Balla n’burg

Një grup deputetësh të Partisë Socialiste janë kapur “mat” nga disa qytetarë në Strasburg, duke luajtur me letra dhe duke pirë birra.

Siç shihet edhe në video të publikuar nga aktivisti Gent Progni në tavolinë ndodheshin kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deputetët Arbjan Mazniku, Pirro Vengu dhe Evis Kushi.

Qytetarët i afrohen duke i përshëndetur, por kur ligjvënësit e kuptuan se po filmoheshin sjellja ndryshoi, madje Balla tenton të fshehë edhe letrat që mbante në duar.

Ndërsa qytetarët po i kërkojnë llogari dhe po i flasin për protestën, Balla nis bisedën me një person tjetër në tavolinë.

Në fund në shenjë revolte dhe proteste, qytetarët i këndojnë refrenin e protestës “Rama në burg, Balla në burg”.

Qytetarja: Mirëmbrëma, përshëndetje si jeni mirë?

Balla: Po na filmon?

Balla: Po na filmon?

Qytetarja: Po patjetër, ne na ka marrë malli t’ju shikojmë, t’ju pyesim si jeni, çfarë po bëni në Shqipëri.

Qytetari: Po losni me letra po kënaqeni

Qytetarja: Çfarë po bëni për Shqipërinë, ku jetoni? Sa po ju shkon nata, duam ta dimë dhe ne

Qytetari: A keni dëgjuar ndonjëherë që bëhet një protestë në Shqipëri apo…?!

Qytetarja: Po si nuk ju vjen trup, se këtu jeni përballë (dikush dëgjohet që i thotë t’ju vijë zor)

Qytetarja: Të më vijë mua zor?!

Qytetari: Paguani ju me taksat tona

Qytetarja: Tja këndojmë atë këngën, Rama në burg, Balla në burg.

 

 

Jetesa bëhet më e shtrenjtë- Inflacioni në nivelin më të lartë nga janari 2024. Ushqimet e qiratë rëndojnë xhepat e qytetarëve

Norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin Qershor 2026 ishte 3,2 për qind, nga 2,4 për qind në Qershor 2025, raportoi INSTAT. Ky është niveli më i lartë që nga janari 2024.

Ndikimin kryesor në këtë tendencë e kanë dhënë çmimet e ushqimeve, të qirasë dhe të transportit.

 

 

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,02 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,96 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Transporti” me +0,21 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me + 0,19 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me +0,18 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me -0,03 pikë përqindje.

Inflacioni e ka kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, që është instrumenti i bankës për të kontrolluar inflacionin, në nivelin 2.5%.

Guvernatori, Gent Sejko në mbledhjen e fundit, tha se parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare edhe të mos lenë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit.

Sipas INSTAT, Krahasuar me muajin Qershor 2025 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6,1%, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 5,1%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,8%, Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 3,3%, “Transporti” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,2% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,9%./Monitor

“Emigrimi dhe plakja e popullsisë”- Raporti: Shqipëria po humbet fuqinë punëtore, 67% e popullsisë në moshë pune do të emigrojë

Emigrimi, plakja e popullsisë dhe pjesëmarrja e ulët në trajnim po tkurrin forcën e punës së Shqipërisë, ndërsa numri i vendeve të lira po rritet shpejt.

Popullsia e vendit ra me rreth 430,000 banorë ndërmjet viteve 2011 dhe 2023. Tkurrja prej afro 14% e çoi popullsinë rezidente në rreth 2.4 milionë banorë, një rënie që raporti i OECD-së, “Indeksi i Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, e lidh me emigrimin e vazhdueshëm dhe normat e ulëta të lindshmërisë.

 

 

Raporti, i cili vlerëson politikat dhe kushtet për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, nënvizon se presioni mbi tregun e punës shkon përtej numrit të banorëve që janë larguar.

Numri i shqiptarëve që jetonin jashtë vendit vlerësohej në më shumë se 1.2 milionë në vitin 2024, ose mbi 230,000 persona më shumë se në vitin 2015. Norma e emigrimit arriti në 31.1%, e dyta më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Prirja mund të vazhdojë. Një anketë e vitit 2023 tregoi se pothuajse dy të tretat e popullsisë në moshë pune (rreth 67%) do ta konsideronin emigrimin nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa rreth 13% deklaruan se kishte gjasa të largoheshin në vitet e ardhshme.

Largimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te punonjësit me kualifikime të larta, duke rritur presionin mbi kompanitë që kërkojnë staf të specializuar. Rreth 95% e bizneseve të anketuara kërkuan veprime më të forta nga qeveria për të mbajtur talentet në vend dhe për të trajtuar boshllëqet në tregun e punës.

Në të njëjtën kohë, popullsia që mbetet në Shqipëri po plaket me shpejtësi. Mosha mediane u rrit nga 35.5 vjeç në vitin 2011 në 44.3 vjeç në vitin 2024.

Një në pesë banorë është tashmë 65 vjeç ose më i moshuar. Vetëm ndërmjet viteve 2024 dhe 2025, numri i banorëve mbi 65 vjeç u shtua me më shumë se 21,000 persona. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i të rinjve të moshës 15-29 vjeç ra me më shumë se 18,000. Kombinimi i emigrimit dhe plakjes ka bërë që popullsia në moshë pune të tkurret me 18.3% që nga viti 2011, duke ngushtuar bazën nga e cila bizneset mund të rekrutojnë punonjës.

Rikualifikimi i punonjësve

Nga ana tjetër, ritmi i rikualifikimit të fuqisë punëtore mbetet i ulët. Vetëm 1.6% e personave të moshës 25-64 vjeç morën pjesë në arsim ose trajnim gjatë vitit 2024.

Kjo përqindje ishte vetëm 12% e mesatares së Bashkimit Europian, ku pjesëmarrja arriti në 13.3%. Hendeku me BE-në po zgjerohet. Pjesëmarrja në arsimin e të rriturve në Shqipëri është rritur me vetëm 0.5 pikë përqindjeje që nga viti 2016, ndërsa në Bashkimin Europian treguesi është rritur me më shumë se tri pikë përqindjeje gjatë së njëjtës periudhë.

Pjesëmarrja e ulët në trajnim po bëhet më problematike ndërsa kërkesa për punonjës rritet. Shqipëria regjistroi më shumë se 61,000 vende të lira pune në vitin 2023, një rritje prej 54% krahasuar me një vit më parë. Rreth 75% e tyre ishin pozicione të sapokrijuara.

Rritja e vendeve të lira nuk u shoqërua me një ulje të ngjashme të papunësisë. Norma e papunësisë mbeti në 9.4% në vitin 2024, ndërsa papunësia afatgjatë ishte 6.6%, kundrejt 1.9% në Bashkimin Europian. Industria përbënte 33.8% të vendeve të lira, tregtia 14.6%, ndërsa akomodimi dhe shërbimet ushqimore 14.2%.

Sipas OECD-së, kombinimi i një numri të lartë vendesh të lira me papunësi të vazhdueshme tregon se problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e punëkërkuesve. Ai pasqyron një mospërputhje strukturore ndërmjet aftësive që kërkojnë punëdhënësit dhe atyre që ofron forca ekzistuese e punës.

Pa zgjerimin e programeve të rikualifikimit dhe trajnimit, veçanërisht në sektorët që po krijojnë më shumë vende pune, raporti paralajmëron se ky hendek mund të vazhdojë ose të zgjerohet, duke kufizuar si rritjen ekonomike, ashtu edhe rezultatet e punësimit./ Monitor

Pas Reuters edhe media amerikane reagon për koncertin e Kaney West: Rama justifikon financimin, protestat shtohen! Kërkohet dorëheqja e kryeministrit

Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar me 4.56 milionë dollarë koncertin e reperit amerikan Kanye West ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Pas Reuters, edhe NBC News i ka kushtuar një artikull çështjes, duke raportuar mbi debatet që ka shkaktuar përdorimi i fondeve publike për organizimin e eventit.

Sipas NBC News, kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin për të akorduar 4 milionë euro, duke argumentuar se fondet u përdorën për të shmangur anulimin e koncertit dhe dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta”, citohet Rama nga NBC Neës.

Sipas kryeministrit, koncerti i planifikuar më 11 korrik pranë Tiranës pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, falë rritjes së rezervimeve në sektorin e turizmit.

NBC News kujton gjithashtu se Kanye West, i njohur edhe si Ye, është përballur me polemika ndërkombëtare pas deklaratave të mëparshme që u konsideruan si lavdërime për Adolf Hitler dhe përdorimit të simboleve naziste. Sipas artikullit, artisti ka kërkuar më vonë falje për disa prej këtyre deklaratave.

Artikulli thekson se vendimi i qeverisë shqiptare ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e komentuesve kanë kundërshtuar përdorimin e parave publike për organizimin e koncertit.

NBC Neës raporton gjithashtu se Shqipëria po përballet prej më shumë se një muaji me protesta të përditshme në Tiranë. Sipas medias amerikane, demonstratat nisën pas kundërshtimeve ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe më pas u zgjeruan me akuza për korrupsion ndaj qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama, akuza të cilat ai i ka mohuar. bw

“S’mund të preket fondi i emergjencës për një koncert!” – 4 milionë eurot për koncertin e Kanye West, analisti: Aventurë personale e Ramës, sfidë ndaj protestuesve

Analisti Edvin Kulluri komentoi vendimin e qeverisë së Edi Ramës për të financuar koncertin e reperit Kanye West me 4 milionë euro.

Në një intervistë për News24, ai deklaroi se fondi i emergjencës nuk mund të preket për një koncert, por vetëm për gjëra jetike për vendin.

“Besoj që nëse është prekur fondi rezervë i qeverisë preket çështje krejt të tjera, për çështje shumë më serioze se një koncert. Kryeministri nuk mund të prekë fondin e emergjencës për këtë çështje por për gjëra që janë realisht emergjente për shoqërinë, si emergjencat civile, mund të jetë rritja e papritur e interesave të borxhit publik, ose një vepër infrastrukturore kritike.

Ne sot kemi diku te 10 milionë turistë. Impakti ekonomik i një koncerti në turizëm nuk është kaq sa e shet kryeministri. Ti nuk heq plehrat pas hoteleve me 5 yje në Dhërmi dhe ti do të investosh te koncerti. Ka mbetur po i njëjti Edi Rama kryetari i bashkisë. Punët serioze të shtetit i ka kthyer në qesharake. Që nga siguria kombëtare e deri te gjëra të tjera. Nuk ka koncepte menaxhimi të interesave të përbashkëta qytetare.”, theksoi ai.

Sipas tij, kjo është një aventurë personale e kryeministrit, ndërsa shtoi se me këtë sfidoi protestuesit të cilët dalin çdo ditë në shesh kundër padrejtësive.

“Pas fasadës ka realitete të vështira që kanë nxjerrë këta njerëz në shesh. Nuk besoj se këto 4 milionë euro  do t’u zgjidhin problemet, por në këtë situatë kjo është një sfidë që Rama iu bën atyre njerëzve në shesh se disa janë ish pronarë që nuk janë dëmshpërblyer, disa iu janë marrë pronat për interesa publike dhe nuk janë dëmshpërblyer, disa mendojnë se me këto lekë duhen bërë shumë gjëra bazike. Kur kujton se sa miliarda janë shpërdoruar për shkak të korrupsionit nga kjo qeveri, irritohesh edhe më shumë. Nuk është treguar i mençur me këtë ndërhyrje, këto janë aventura personale se dikujt i pëlqen Kanye West, dikujt Scorpions.”, tha ai.

Duke komentuar deklaratën e Ramës se dhanë financimin në minutën e fundit për të mos turpëruar Shqipërinë, analisti deklaroi se vendi turpërohet nga veprimet e qeverisë që po e shkatërron atë me vendimet e saj.

“Turpërohet ky jo Shqipëria. Shqipëria turpërohet për shkak të standardit të ulët demokratik, se shkatërrohet natyra me firmën e qeverisë, se është bërë mal betoni, krimin e organizuar që ky e mban mbi shpatulla. Nuk është ky modeli i zhvillimit. Këto dështime të mëdha nuk i mbulon dot me një koncert apo me penelat që hedh ky poshtë e lartë. “, shtoi Kulluri.

Tregu shqiptar i punës “pushtohet” nga filipinasit dhe indianët, lejet e punës për të huajt rriten 43%

Mungesa e fuqisë punëtore vendase po shtyn gjithnjë e më shumë bizneset shqiptare të kërkojnë staf jashtë vendit. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm prania e punonjësve të huaj, veçanërisht nga vendet aziatike, në sektorë si shërbimet (baret dhe restorantet), industria dhe bujqësia.

Nga kamerierë e punonjës mirëmbajtjeje deri te inxhinierë dhe kujdestarë fëmijësh dhe të moshuarish, të huajt po bëhen një pjesë gjithnjë e më e dukshme e tregut shqiptar të punës.

Sipas të dhënave të Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në total për vitin 2025 janë miratuar online 18,156 kërkesa punësimi për shtetas të huaj. Krahasuar me vitin paraardhës numri i tyre u rrit me 43.4%. AKPA pohoi se 14 mijë leje pune për shtetasit e huaj u dhanë për herë të parë në 2025-n, duke treguar fluksin e lartë të të huajve që po vijnë të punojnë në vend.

Për vitin 2025 shtimi më i lartë i kërkesave ishte për të punësuarit nga Filipinet dhe India.

18% e kërkesave për punësime të miratuara online nga AKPA ishin nga Filipinet. Edhe punësimet nga India zunë 18% të totalit të kërkesave të miratuara online.

Kërkesat e miratuara të lejeve të punës për shtetasit nga Egjipti zunë 15% të totalit, ndërsa nga Turqia 9%, Kosova 4% dhe Italia 3%.

Në vitin 2025, u dhanë 3,251 leje pune për shtetas indianë, gati dy herë më shumë se një vit më parë dhe 3279 leje për shtetasin nga Filipinet.

Shtetasit e huaj për t’u punësuar në Shqipëri, sipas ligjit “Për të huajt”, duhet të pajisen me Leje Unike, që përfshin miratimin e lejes për punësim + dhënie vizë + leje qëndrimi.

Nga AKPA miratohen online vetëm lejet e punësimit, ndërsa dhënia e vizës dhe e lejes së qëndrimit miratohen nga institucionet përkatëse. Pra pajisja e të huajve me Leje Unike (qëndrimi në Shqipëri me motiv punësimi) finalizohet nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.

Shtetasit nga Kosova dhe Italia ndjekin procedura të lehtësuara për punësimin

Në 2025 sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi në vend arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 32%.

Ndryshe nga shtetasit e tjera, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 2022, shtetasit e Kosovës mund të pajisen me Leje Qëndrimi biometrike 5-vjeçare, e cila shërben njëkohësisht edhe si Leje Pune. Dokumenti merret përmes një procedure të thjeshtuar online dhe eliminon nevojën për aplikime të veçanta ose rinovime të shpeshta të lejes së punës.

Për këtë arsye, një pjesë e punësimeve të shtetasve të Kosovës nuk kalojnë më në të njëjtën procedurë të miratimit të lejeve të punës nga AKPA si shtetasit e vendeve të treta, duke ndikuar edhe në uljen e numrit të kërkesave të regjistruara nga agjencia. Po ashtu pjesa e madhe e shtetasve nga Kosova dhe Italia operojnë me bizneset e tyre në vend, për këtë arsye nuk kanë nevojë të aplikojnë për leje punësimi online.

Pas Kosovës numrit më të lartë të shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi në 2025 ishte nga Italia me 3,776 persona që përbëjnë 14% të totalit të të huajave. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 75%.

Po ashtu edhe italianët, si shtetas të BE-së nuk kanë nevojë për miratim punësimi nga AKPA. Punëdhënësi ose vetë personi bën vetëm deklarimin e punësimit, dhe ligji u njeh të drejtën e punësimit në të njëjtat kushte si shtetasve shqiptarë, përveç vendeve të punës që kërkojnë shprehimisht shtetësi shqiptare.

Sipas legjislacionit “Për të huajt” pas 5 vitesh qëndrimi të ligjshëm dhe të vazhdueshëm, një i huaj mund të plotësojë kushtet për leje të përhershme; dokumenti i kësaj lejeje zëvendësohet çdo 10 vjet me procedurë automatike. Statusi i banorit afatgjatë nuk humbet vetëm sepse skadon karta 10-vjeçare.

Pra, praktikisht një shtetas italian nuk aplikon çdo vit për kërkesë punësimi, si shtetasit e vendeve që i nënshtrohen kontrollit të tregut të punës. Por mund t’i duhet të rinovojë lejen e qëndrimit sipas afatit të kontratës, derisa të fitojë leje të përhershme. /Monitor

“Ushtri virtuale patronazhistësh e profilesh të rreme më kërkojnë të lë mandatin”- Marjana Koçeku: Bashkitë janë kthyer në garnizone mercenarësh

Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thotë se prej disa ditësh është objekt i një fushate sulmesh nga profile të rreme dhe patronazhistë, të cilët, sipas saj, i kërkojnë të heqë dorë nga mandati.


Koçeku deklaron se sulmet lidhen me vendimin e saj për t’u shkëputur nga radhët e Partisë Socialiste dhe me mbështetjen që i ka dhënë protestës. Ajo akuzon funksionarë të shtetit për organizimin e këtyre fushatave denigruese në rrjetet sociale.

Mit’hat Havari: Protesta qytetare po vijon misionin e papërmbushur të ‘90-ës. Të heqim kastën e vjetër, sundohemi nga fëmijët e bolshevikëve

Sot protesta ka hyrë në ditën e 38 të saj dhe gjatë gjithë ksaj periudhe protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përmbysjen e kastës së vjetëer politike.

I ftuar në programin e drekës në News 24, përballë Ola Brukos, ish-drejtuesi i Policisë, Mithat Havari deklaroi se ai po proteston sepse misioni i protestave në vitn 1990 nuk është përmbushur. Ai tha se ende sundojnë bolshevikët dhe nëse vendet e tjera i kanë hequr figurat e vjetra në vendin tonë kanë ngelur drejtues që për pushtet janë gati të vrasin.

“Protesta mision i pambyllur nga ‘90, misioni nuk u përmbush. Mendova se do të ndryshonte ndonjë gjë, por nuk ndidhi. Keta për pushtet të vrasin, kujtojmë Berishën e 97 ku rrahu gazetarët, pastaj firmat Piramidale, bahskëpunimi me Ilir Metën, 21 janari dhe tai “Mbreti Lakuriq” i braktisi protestuesit dhe u fsheh.

Rama është i etur për pushtet.

Lubonja pak ditë më parë tha se i ka thënë të mos futet në politikë se Rama është person i rrezikshëm për popullin, nuk ka gabuar në optikën e tij.
Unë në protestë jam për fëmijët e mi, duhet të shporret kjo kastë sepse ka 82 vjet, tani po na sundojnë fëmijët e bolshevikëve”, tha Havari.

“Kuvendi duhet të shpallë vetëshpërndarjen”- Akademiku Artan Fuga: Në Komisione kam vënë duart në kokë nga kotësia dhe budallallëku i ndonjë deputeti! Historia i ka hedhur në kosh

Në një kohë kur prej 38 ditësh mijëra qytetarë shqiptarë dalin çdo ditë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, akademiku Artan Fuga thotë se parlamenti duhet të shpallë afatet e vetëshpërndarjes.


“E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale”, shkruan akademiku.

Me anë të një postimi në Facebook, Fuga shpreh kritika për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, ndërsa shprehet i zhgënjyer nga përvoja e tij në komisionet parlamentare.

Sipas tij, mbledhjet karakterizoheshin nga mungesa e përgjegjësisë, rreshtimi partiak, mungesa e kompetencave profesionale dhe, në disa raste, edhe nga sjellje që ai i cilësoi si “budallallëk” nga ana e disa deputetëve.

“Për sa më përket, kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arsimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak, nga mungesa e kompetencave profesionale, përse jo edhe nga budallallëku i ndonjë deputeti apo deputeteje. Por, nuk rikthehem më me emra se historia i ka hedhur në kosh! Kjo më ka bërë disa vite më parë të deklaroj se refuzoj nga ai çast e tutje të marr pjesë në ndonjë mbledhje komisioni kuvendor. Ishte e kotë, dukej sikur merrje pjesë në një mbledhje kukullash me mekanizma të prishur brenda barkut prej kashte”, mbyll reagimin e tij Artan Fuga.


Send this to a friend