Dhe para se të largohet dita e sotme, dua të shkruaj disa fjalë për kanarinën e qytetit të Korçës, muzën e qytetit tim, të madhen Aferdita Zonja, ose siç e themi zakonisht ne Korçarët, “Laçkën” tonë të dashur. E cila në fakt ishte një nga zonjat e para të këngës shqiptare që e njoha nga afër.
E njohur për ngjyrën e zërit që kishte, qysh në moshë të re spikati në aktivitetet e Pallatit të kulturës “Ali Kelmendi” në Korçë. Atje muzikantët përgjegjës e motivuan të merrte pjesë në fundvitet 1975-1976 tek konkurset e zërave të bukur që organizonte Radiotelevizioni Shqiptar.
Në vitin 1976, Afërdita Laçi (kështu quhej atëherë) u shpall fituese e atij konkursi, ku shumë profesionistë me emër në fushën e muzikës e konsideruan zërin e saj të ngjashëm më zërin e artistes së madhe Tefta Tashko Koço.
Rruga e saj drejt suksesit do të fillojë në moshën 15 vjeçare, pasi në nëntor 1975 do të marrë pjesë në anketat e radio Tiranës për herë të parë me këngën “ Gruri si flori” të kompozitorit Josif Minga. Stacion i dytë i suksesit të saj do të qendronte festivali i 5-të i këngës në qytetin e Korçës (29 prill 1976) aty ku ajo arriti të pamendueshmen, pasi kompozitori kolosal Kristo Kono i beson këngën e tij “Ky liqen i malit” (ndoshta një nga këngët e tij të fundit) me tekst të Aleko Skalit por edhe natën e dytë do të interpretonte këngën e Tish Daisë “Vullnetarja nga qyteti” në një duet me Zhulieta Demçe, tekstin kishte shkruar Mira Zaimasi. Për atë kohë ishte e pazakontë të interpretonte një vajze në moshë të re dy këngë nga kompozitorët kryesorë shqiptarë. Megjithatë ia doli dhe kjo e ngriti në panteonin e artistëve të mëdhenj.
Në maj 1976 do të vijë sërish në anketat e radio Tiranës me një këngë të Agim Krajkës që titullohej “letër kufitarit” ndërsa në dhjetor do të këndojë në skenën e madhe të Festivalit 15-të të Këngës në RTSH këngën “Shokë Jete”, të kompozuar nga Aleksandër Lalo me tekst nga Agim Isaku, të cilën dubloi trioja Elmazi-Hoxha-Mici. Thuhej se kur u kthye në Korçë, pas Festivalit të 15-të, atëhere nxënëse në shkollën e mesme, shokët dhe shoqet e klasës i kishin përgatitur një të papritur. Kur Afërdita hyri në klasë, ata filluan të këndojnë këngën e saj, pjesëmarrëse në festival.
Viti 1977 do të jetë një vit po aq i rëndësishëm për të, pasi në janar do të shënojë një sukses të madh në Anketat e Radio Tiranës me këngën “Shiko mëmëdhenë” me muzike nga Limoz Dizdari dhe tekst nga Robert Shvarc. Do të pasojnë dy çmime të rëndësishme tek festivali i 6-të i këngës në qytetin e Korçës në prill, çmimi i tretë me këngën e kompozitorit Agron Xhunga dhe me tekst të Hamza Koçiut me titullin “ Unë e ti jemi ushtarë” duet me Dhimiter Disho si dhe çmimi i dytë me këngën e kompozitorit Thoma Gaqi “Shqipëri e bukura në male”. Do të shfaqjet në gusht serisht tek anketat e Radio Tiranës me këngën e Tonin Çobanit “luftëtarët e lirisë” dhe në dhjetor 1977, Afërdita merr pjesë në Festivalin e 16-të në RTSH me këngën “O Moj Shami Shpalosura”, të kompozuar nga Alfons Balliçi me tekst të Koçi Petritit, e dubluar nga Pellumb Elmazi e cila u vlerësua me çmimin e tretë. Në të njëjtin festival do të interpretojë edhe “Grurë dhe gëzim” nga Flamur Shehu dhe Betim Muço, të dubluar nga Liri Rasha.
Kulmi i saj vjen në vitin 1978. Më konkretisht do të fitojë çmimin e parë tek Anketa e muajit Mars me këngën “ Jeta tonë është pranverë” nga Osman Mula dhe Maksim Treska ndërsa do të bëjë bujë edhe në festivalin e 17-të me dy këngët që do të këndojë, “Vatër bujare” nga Spartak Tili dhe Foto Malo, duet me Petrit Lulon dubluar nga Emirieta Çela dhe Agim Duro si dhe “E dua unë një shok” serisht nga Alfons Balliçi dhe Koçi Petriti, të dubluar ende nga Pëllumb Elmazi.
Viti 1979 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë pasi tërmetet shkatërruese kishin goditur tashmë vendin. Dyshja Agim Prodani dhe Zhuliana Jorganxhikishte shkruar një këngë për Festivalin e 19-të të Këngës kushtuar tërmeteve me titull “Festë ka sot Shqipëria” që e këndoi në një variant dueti Zeliha Sina dhe Liliana Kondakçi dhe e përsëriti dueti Zeliha Sina dhe Afërdita Laçi, kënga fitoi çmimin e parë dhe hyri në histori si e vetmja këngë që kanë interpretuan në natën finale tre këngëtarë së bashku nga performanca të ndryshme, Sina, Kondakçi dhe Laçi. Poashtu në të njëjtin festival Afërdita këndoi edhe “Moj e mirë e nënës” nga Agron Xhunga dhe Vasil Dede, dubluar nga Klotilda Daliu.
Dekada e re e rendit atë ndër këngëtaret e mëdha të vendit, me pjesëmarrje në të gjitha aktivitetet e kohës por edhe profesore në liceun artistik të Korçës “Tefta Tashko”. Do të kthehet dinamikisht pas një vit mungese në Festivalin e 20-të në RTSH me këngën “Trëndafili I Jetës” nga Alfons Balliçi dhe Petraq Risto, dubluar nga Fatma Zyberi. Një vit më vonë, në festivalin e 21-të do të fitojë çmimin e tretë me këngën “Prehri yt o nënë” nga Alfons Balliçi dhe Zhuliana Jorganxhi, të dubluar nga Kozma Dushi.
Një vit shumë i rëndësishëm ishte 1983 pasi perveç festivaleve, ajo vlerësohet me çmimin e parë në festivalin e Interpretuesve me këngën “Fëmija I Parë” ndërsa në Dhjetor 1983, merr pjesë në Festivali i 22-të në RTSH me këngën “Me Ty Bashkë Gjithmonë të Rinj” muzika Apostol Simoni, teksti Eglantina Lame, dubluar nga Liliana Kondakçi që fiton çmimin e dytë.
Në Dhjetor 1984, Afërdita merr pjesë në Festivalin e 23-të në RTSH me këngët “Fjala E Ngrohtë” me muzike nga I madhi Feim Ibrahimi dhe Gjokë Beci, dubluar bga Ema Qazimi si dhe me këngën “Me Të Kuq Të Mollës, Faqja Jote shkruar” nga Josif Minga, me tekst Popullor, dubluar nga Petrit Lulo.
Pas heqjes së Dublimit nga festivali, ajo merr pjesë në Festivalin e 24-të në RTSH me këngën “Viti I Ri” nga Ferdinand Deda dhe Kudret Isai si dhe me këngën “Mirënjohje” nga Spartak Tili dhe Foto Malo. Në të njëjtën kohë, filluan edhe Koncertet e Pranverës, që Ishin gjithmonë vetëm një natë, ku votohej nga dëgjuesit e shikuesit dhe, mbas disa ditësh shpallej në radio-televizion kënga fituese. Afërdita merr pjesë me dy këngë “Kënga e bukur e lirisë” nga A. Buda dhe Gjokë Beci si dhe me këngën “Nëna Të Përkund” nga Kolec Gajtani dhe Alfred çapaliku.
Në Mars 1986, Afërdita Zonja merr pjesë në festivalin Kur Vjen Pranvera 1986 me këngët “Të Desha Ty” muzika Spartak Tili dhe teksti Ndoc Gjetja si dhe me këngën “Mirësevjen ditë e re” – muzika David Tukiçi, teksti Gjokë Beci me të cilën do të kurorëzohej fituese e festivalit. Në Festivalin e 25-të në RTSH merr pjesë me këngët “Në Dashurinë E Kësaj Toke” nga Hajg Zaharian dhe Skënder Rusi si dhe “Jemi përkrah” nga Demokrat Shahini dhe Agim Doçi .
Megjithatë, në të njëjtin vit ajo do të shënojë kulmin e karrierës së saj, kur do të luajë rolin protagonistik në Operan e Josif Mingës “Liceistët” (libreti Fatmir Gjata) në qytetin e Korçës së bashku me emra të mëdhenj të muzikës lirike të vendit Gjergj Sulioti, Shqipe Zani, Shpresa Spaho, Petrika Rëmbeci etj.
Në Dhjetor 1987, Afërdita Zonja merr pjesë në Festivalin e 26-të në RTSH me këngën “Eja Me Ne” nga Gazmend Mullahi dhe Koçi Petriti. Në Mars 1988, Afërdita Zonja merr pjesë në festivalin “Kur Vjen Pranvera 1988” me këngën “Buzë Detit Jemi Rritur” nga Maksim Shehu dhe Gjokë Beci, duet me Engjëllushe Lazon, por në dhjetor do abstenojë nga Festivali i 27-të i Këngës në RTSH, duke u bërë i vetmi festival që do të mungojë pas 12 edicioneve radhazi.
Në Prill 1989, Afërdita Zonja merr pjesë serisht në festivali Kur Vjen Pranvera 1989 me këngën “Mes Jush Dua Të Jetoj” nga Aleksandër Peçi dhe Betim Muço dhe në dhjetor të atij viti do të lërë gjurmë të pashlyeshme në Festivalin e 28-të në RTSH me këngën “Mora Shoqëzën Për Krahu” e cila do japë betejën e çmimit të parë, por do të përfundojë në vendin e tretë , nga Josif Minga dhe Lasgush Poradeci.
Dy daljet e saj të fundit para se të tërhiqej nga festivalet, ishin në Prill 1990, në festivali Kur Vjen Pranvera 1990 me këngën “Stinët E Mendimeve” nga Spartak Tili dhe Elvana Hysaj si dhe në Dhjetor 1990, në Festivalin e 29-të në RTSH me këngën “Këndom Djalë” serisht nga Josif Minga me tekst të Asdrenit. Pas rënies së regjimit dhe shembjes së festivaleve live ajo refuzoi të merrte sërish pjesë.
Vazhdon aktivitetin e pasur artistik edhe sot e kësaj dite, duke mbetur e begatë dhe e freskët. Vlen të përmendet se që nga viti 1989 është vlerësuar si “Artiste e Merituar” duke thyer rekordin historik të gruas më të re në histori (për sa i përket këngës), si edhe këngëtarja që ka rikthyer e para këngët e legjendares Tefta Tashko. Ajo ka qenë solistja e parë grua e korit legjendar “Lyra” që mban titullin “Nderi i Kombit” (madje ka bashkëpunuar edhe me brezin e vjetër), ka marrë pjesë në dhjetëra koncerte dhe shfaqje televizive dhe ka qënë solistë e disa ansambleve të ndryshme që kanë dalë jashtë vendit duke përfaqësuar Shqipërinë dhe ka qenë pioniere në rivendosjen e serenatës në jetën muzikore të vendit pas renjes së regjimit.
Gëzuar ditëlindjen teta Afërdita
Qofsh plot shëndet, gëzime, buzëqeshje dhe shumë fat!
Gëzuar ditëlindjen me njerëzit e tu të dashur, publikun që të adhuroi dhe të ndoqi me besnikëri në çdo hap dhe qytetin tonë të bukur që ende të mban në pjedestalet e ikonave.
Të përqafoj….
Hulumtimi dhe përgatitja:
Aleksandër Ikonomidhi Sulioti
Komentet