“PD ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga Prokuroria e vendit. PD do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë ‘CEZ, a.s’”
Partia Demokratike do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e aferës 600 milionë euro të qeverisë me CEZ duke parashikuar ndalimin dhe hetimin e autorëve, ndërsa nga ana tjetër shpall projektin për hetim ndërkombëtar të korrupsionit me CEZ. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi në një deklaratë për shtyp pasditen e djeshme reagoi pas publikimit të videos ku shfaqej se si dëshmitari kryesor i aferës së CEZ kërcënohej nga juristi i OSHEE dhe efektivë civilë të RENEA-s. Partia Demokratike argumenton qartë në kërkesën e saj se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit dhe kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e aferës më të madhe korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Metës. “Skandali i CEZ po merr çdo ditë përmasa tronditëse dhe provat e dëshmitë e reja po hedhin dritë për përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë skemë të korrupsionit më të madh në historinë e vendit, të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Është konfirmuar publikisht tashmë se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ, kjo aferë kriminale dhe dëmi i tmerrshëm financiar që i është bërë vendit, ka për autorë dhe përfitues, hartuesit dhe votuesit e marrëveshjes antikushtetuese në Parlament, Edi Rama dhe Ilir Meta”, tha Halimi. Ai tha se të bashkuar në krim, Rama dhe Meta po bëjnë gjithçka për të mbyllur mundësitë e hetimit dhe për të fshehur vjedhjen më të madhe të pasurisë së shqiptarëve ku janë të dy “dorëbrenda”. “Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ribashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ia ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro ‘DIA’-CEZ. Partia Demokratike e denoncoi këtë krim që ditën e parë. Ne dërguam për ndjekje penale CEZ, ‘DIA’ dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet, Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit”, tha deputeti demokrat. Ai bëri të ditur se PD do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e Ramës, i cili pengon ngritjen e padive ndaj CEZ dhe personave të përfshirë në megaaferë. “Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milionë euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milionë euro me Kastriot Ismailajn, dua t’iu informoj se në fillim të javës së ardhshme, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë ‘CEZ a.s’”, tha deputeti demokrat.
Rama-Meta po përdorin pushtetin për mbylljen e çështjes
Ditën e hënë, Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend projektligjin që mundëson një hetim të plotë ndërkombëtar të megaferës korruptive të CEZ. Deputeti demokrat, Eduart Halimi bëri të ditur dje se vetëm një hetim ndërkombëtar do të mund të zbardhë të vërtetën dhe do të kapërcejë bllokadën e Rama-Metës për të manipuluar skandalin korruptiv me përmasa qindra miliona euro.
“Po ashtu, dua t’iu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga Prokuroria e vendit.
Me pushtetin e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre. Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtarë me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro”, u shpreh deputeti demokrat, Eduard Halimi.
Ai dënoi ashpër shantazhin qeveritar të ushtruar ndaj dëshmitarit kyç të ngjarjes, i publikuar në videon e transmetuar në media, ndërsa theksoi se kjo ngjarje dëshmon se si Rama dhe Meta po përdorin pushtetin e tyre për të mos lejuar asnjë hetim të skandalit. “Vetëm pak orë më parë, përmes një videoje që u transmetua nga televizioni ‘News24’, ne pamë se si një dëshmitar kyç, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje, edhe pse nën mbrojtjen e policisë, është tërësisht vulnerabël, i sulmueshëm dhe ndaj tij bëhet shantazh. Kërcënohet pikërisht dëshmitari, i cili nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe Ilir Metën. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë djegur çdo mundësi për hetim të kësaj afere. Ndaj hetimi ndërkombëtar është e vetmja rrugëzgjidhje, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve”, tha Halimi.
Rama ndaloi me ligj ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë
Përmes një akti ligjor të paprecedent të miratuar në Parlament, Rama ka ndaluar çdo lloj padie civile ndaj CEZ, një përpjekje kjo për të penguar hetimet dhe për të mbuluar me çdo kusht aferën qindra milionëshe. Ky skandal është denoncuar nga ish-Kryeministri Berisha vetëm pak ditë më parë në Parlament, ku ai kërkoi me urgjencë miratimin e një ligji që anulon ndalimin e ngritjes së padive penale ndaj CEZ
Partia Demokratike dërgoi për ndjekje penale CEZ, “DIA” dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet, Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit. Përmes një akti ligjor të paprecedent të miratuar në Parlament, Rama ka ndaluar çdo lloj padie civile ndaj CEZ, një përpjekje kjo për të penguar hetimet dhe për të mbuluar me çdo kusht aferën qindra milionëshe. Ky skandal është denoncuar nga ish-Kryeministri Berisha vetëm pak ditë më parë në Parlament, ku ai kërkoi me urgjencë miratimin e një ligji që anulon ndalimin e ngritjes së padive penale ndaj CEZ. “Qeveria e Sali Berishës dhe agjencitë e saj bënë hetime dhe i nxorën palarë siç ishin, i çoi të gjitha të thënat në Prokurori. Erdhët në pushtet, erdhi Edi Rama dhe ndërpreu hetimet. Si i ndërpreu hetimet? Po bëri ligjin ai! Vuri ligjin që ndërpritet çdo lloj padie penale civile ndaj CEZ. A keni zgjuar ndonjëherë në botë ndonjë nen të tillë, ndonjë marrëveshje? Kurrë! Nuk ka të drejtë Parlamenti të bëjë një gjë të tillë. Parlamenti amniston dhe amniston, por jo të verë nenin që unë ndërpres çdo ndjekje. Që në këtë moment Parlamenti merr përsipër funksione prokurorie, funksione gjyqësore, funksione të tjera që nuk mund t’i ketë kurrë. Nuk i the këto. Nuk i the se i ka ndërprerë Edi Rama, por the një gjë që unë e mbështes, the se hetimi duhet të jetë i gjithanshëm. Plotësisht dakord. Ndaj hajde këtu, dilni po të doni ajrosuni pak të votojmë ligjin, të anulojmë nenin që votuam në Parlament për të hequr çdo ndjekje penale dhe civile. Ta anulojmë atë dhe të jeni të sigurt që çdonjëri që ka minimumin e integritetit njerëzor dhe të dhembshurisë për këta njerëz të varfër do të gjejë që ky është korrupsioni më i madh që mund të ndodhë në historinë e një vendi. Do të gjejë se dosjet i mbyllët ju sipas kompanive më serioze botërore. Njëra është 1 miliard dollarë detyrime, kurse tjetra shkon deri në 3.2 miliardë. Nuk ka diskutim që edhe ndërmarrjet tona kishin detyrim ndaj CEZ, nuk e mohoj, por klejmet e tij ishin gjithsej 200-300 milionë, kurse faturat tona ishin mbi një miliard. Më duhet të lexoj edhe diçka këtu. Kjo ishte për CEZ, ne do e vazhdojmë doni apo nuk doni ju, ne nuk e lemë. Sepse të tërhiqesh para kësaj bën një krim kombëtar. Unë kam respektin më të madh për Çekinë, për qeverinë çeke, por kurrë nuk pranoja të bëja një marrëveshje të tillë siç bëri Edi Rama dhe mund ta pengonte 20 herë statusin, e pranoja dënimin në emër të moralit, të xhepave, të së drejtës së qytetarëve shqiptarë dhe në mënyrë absolute e zgjidhja problemin. Ka mekanizma ndërkombëtarë që aktivizohen në këto raste nëse ti i ndjek rregullat si duhet dhe që hetojnë në mënyrë të shkëlqyer. Ju nuk latë, i futët në xhep dhe i bëtë një krim të shëmtuar qytetarëve shqiptarë, hajdutë që erdhën dhe vodhët në mënyrën më të shpërfytyruar ndërpretë padinë, ndërpretë proceset. Kush e bëri këtë? Ju e bëtë. Si e shpjegoni këtë? Si mund të ndërpritet një proces?”, tha Berisha. rd