Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se do të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme në Nju Jork. Zelensky e bëri deklaratën për gazetarët, duke shtuar se donte të diskutonte me Trump garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë.
“Ne kemi hedhur themelet për garancitë e sigurisë, të cilat Evropa është gati t’i ndjekë, duke marrë parasysh praninë e Shteteve të Bashkuara. Kemi pasur shumë diskutime, ka pasur dialog në nivele të ndryshme, përfshirë midis krerëve të ushtrive tona dhe shtabeve të përgjithshme, me evropianët dhe amerikanët. Kryeministri britanik (Keir Starmer ) u takua me Presidentin e SHBA-së dhe u ra dakord që të diskutojmë çështjet përkatëse në takimin tonë dypalësh në Nju Jork”, tha Zelensky.
Trump dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në Uashington më 18 gusht, në prani të liderëve europianë. Pas atyre negociatave, presidenti amerikan tha se faza tjetër e përpjekjes diplomatike të nisur nga Shtëpia e Bardhë duhet të jenë bisedimet e drejtpërdrejta mes Zelensky-t dhe Putinit, qoftë në format bilateral apo në prani të vetë Trump-it.
Por Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për të takuar presidentin e Ukrainës, duke e ftuar Zelensky-n në Moskë dhe duke refuzuar vendet e tjera. Kievi e refuzoi propozimin për bisedime në Moskë, ndërsa Putin më pas deklaroi se një marrëveshje për territoret e pushtuara të Ukrainës ishte “e pamundur”. bw
Shërbimi Sekret ka kaluar në gatishmëri të lartë pas arrestimit të një burri të armatosur brenda stadiumit State Farm në Arizona, ku pritet të zhvillohet të dielën ceremonia mortore e Charlie Kirk.
Ngjarja ndodhi të premten dhe ka ngritur menjëherë shqetësime serioze për sigurinë e pjesëmarrësve në ceremoni.
Sipas raportimeve të The Washington Post, burri kishte me vete një armë zjarri dhe një thikë. Ai u ndalua nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe pretendoi se ishte pjesë e forcave të zbatimit të ligjit, duke justifikuar kështu armatimin e tij.
Por zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, konfirmoi se i ndaluari nuk ishte pjesë e personelit të autorizuar për sigurinë e eventit dhe u arrestua menjëherë. Hetimet mbi motivet e tij janë ende në zhvillim. bw
Ish-presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përfshihen nga një krizë politike e paprecedent, pas vrasjes së Charlie Kirk, një figurë e njohur e së djathtës konservatore.
Duke folur gjatë një aktiviteti në Pennsylvania, Obama u shpreh se nuk e njihte personalisht Kirk dhe se kishte shumë mosmarrëveshje me pikëpamjet e tij, por e përshkroi ngjarjen si “të tmerrshme dhe tragjike”.
Obama kritikoi tonin përçarës të presidentit aktual Donald Trump dhe theksoi se ish-presidentë republikanë në të kaluarën kishin vepruar në mënyrë bashkuese në kohë tensionesh.
“Në momente të tilla, kur tensionet janë të larta, një pjesë e rolit të presidentit është të afrojë njerëzit, jo t’i ndajë”, u shpreh Obama.
Ai i bëri thirrje publikut të respektojë të drejtën e të tjerëve për të shprehur mendime ndryshe, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut civil.
Shtëpia e Bardhë reagoi ashpër, duke e cilësuar Obamën si “arkitektin e ndarjes politike moderne” në vend.
Ndërkohë, para arrestimit të Tyler Robinson, i akuzuar për vrasjen e Kirk, mbështetës të Trump kishin akuzuar aktivistë të së majtës dhe retorikën e demokratëve si përgjegjës për klimën e dhunshme politike.
Obama vuri në dukje se nuk kishte përdorur vrasjen në kishën e afrikano-amerikanëve në Karolinën e Jugut në 2015 për të sulmuar kundërshtarët politikë. Ai kujtoi gjithashtu qëndrimin bashkues të presidentit George W. Bush pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, kur deklaroi qartë se “SHBA nuk është në luftë me Islamin”.
Duke cituar retorikën e fundit të Trump dhe disa ndihmësve të tij, të cilët kanë quajtur kundërshtarët “insekte” apo “armiq që duhet të goditen”, Obama theksoi: “Ky është një problem më i thellë që ka përfshirë kulturën politike amerikane, dhe është diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi.”
Ai gjithashtu vlerësoi guvernatorin republikan të Utah, Spencer Cox, si shembull të respektit dhe civilitetit në debatin publik, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike. gsh
Një i ri nga Utah, Tyler Robinson, 22 vjeç, është vënë në pranga nga FBI, pasi dyshohet se qëndron pas atentatit me snajper ndaj aktivistit politik Charlie Kirk, ngjarje që ndodhi të mërkurën në ambientet e Universitetit të Utah. Sipas burimeve të hetimit, një nga plumbat që u përdor në atentat kishte të gdhendur shprehjen “Bella Ciao”, një detaj që ngre shumë pikëpyetje për qëllimet e autorit. Nuk është sqaruar ende nëse ky ishte plumbi që e goditi për vdekje Kirk-un.
Presidenti Donald Trump konfirmoi arrestimin gjatë një interviste televizive, duke shtuar se autori e kishte pranuar krimin përpara babait të tij. Ky i fundit më pas e bindi të birin që të dorëzohej. Hetuesit po analizojnë postime në platformën Discord, ku Robinson fliste për një plan të detajuar për të vrarë Kirk-un.
Vrasesi2
Pamjet e sigurisë tregojnë të dyshuarin duke arritur në zonën e kampusit me një makinë Dodge Challenger rreth katër orë para ngjarjes. Ai shihej me veshje të thjeshta – një bluzë kafe, pantallona të shkurtra të çelëta, një kapele të zezë me logo të bardhë dhe atlete me ngjyra. Guvernatori i Utah, Spencer Cox, tha se në momentin e arrestimit, veshja e Robinson përputhej me atë që u pa në kamerat e sigurisë. bw
Donald Trump tha të premten se është “shumë i bindur” se i dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk është arrestuar dhe po merret në pyetje. Ai tha se babai i të dyshuarit po bashkëpunonte me hetuesit për ta gjetur atë.
“Unë besoj me besim të madh se e kemi atë në paraburgim “, tha Trump gjatë një paraqitjeje në Fox News
Trump tha se dikush “shumë afër tij e dorëzoi atë” dhe se lajmi do të shpallej më vonë të premten.
“Kjo është ajo që ndodh kur ke disa fotografi të mira “, tha presidenti, duke iu referuar fotove më të qarta të të dyshuarit të publikuara të enjten nga FBI.
Trump tha se personi që dha informacionin ishte “një person që ishte i përfshirë në zbatimin e ligjit, por ai ishte gjithashtu një person besimtar. Një prift”. Babai i burrit që u arrestua po bashkëpunonte me hetuesit, shtoi ai.
Përveç Trump, katër burime të ndara i thanë CNN se një person ishte në paraburgim dhe po merrej në pyetje në lidhje me të shtënat fatale të Kirk.
Në këtë kontekst, zyrtarët shtetërorë dhe federalë do të mbajnë një konferencë për shtyp në orën 16:00 lidhur me kërkimin për autorin e vrasjes së Charlie Kirk, sipas asaj që u njoftua nga zyra e guvernatorit të Utah-ut . Ky zhvillim ka të ngjarë të lidhet me zbulimin e presidentit amerikan.
Trump vazhdoi komentet e tij duke e quajtur Kirk njeriun më të mirë ndërsa dënoi autorin e vrasjes, të cilin autoritetet ende nuk e kanë emëruar.
“Epo, shpresoj që ai do të shpallet fajtor, mendoj dhe shpresoj që të marrë dënimin me vdekje”, tha Trump.
Presidenti tha gjithashtu se nuk e kishte parë videon e vdekjes së Kirk.
“Nuk doja ta shihja, e dëgjova”, tha Trump.
Autoritetet amerikane të sigurisë kishin nisur një kërkim për burrin që vrau Charlie Kirk të mërkurën pasdite, ndërsa lëshuan gjithashtu një apel të ri për këdo që ka informacion që të paraqitet.
Menjëherë pasi u publikuan katër fotot e reja të vrasësit të Kirk , autoritetet publikuan një video të kamerës së sigurisë që kapi momentin kur personi i kërkuar iku me vrap disa sekonda pasi qëlloi me armë. bw
Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë të enjten në ceremoninë përkujtimore të 24-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, që u zhvillua në Pentagon, duke nderuar 2.977 viktimat dhe duke përsëritur zotimin se “ajo ditë nuk do të harrohet kurrë nga Amerika”.
“Përbindësha të egër sulmuan simbolet e qytetërimit tonë. Por në Virxhinia, në New York dhe në qiellin e Pensilvanisë, amerikanët nuk u tërhoqën. Ata qëndruan, treguan guxim dhe botës i thanë se nuk do të dorëzohemi kurrë”, deklaroi Trump me tone të theksuara patriotike.
Gjatë fjalimit, ai solli në vëmendje disa prej historive prekëse të viktimave, si mesazhi i fundit i pasagjerit Brian Sweeney drejtuar bashkëshortes së tij Julie nga avioni United Flight 175, telefonata e stjuardesës Renée May drejtuar nënës së saj për t’i thënë “Të dua”, apo guximi i Chuck Costello, i cili vrapoi në Qendrën Botërore të Tregtisë për të shpëtuar persona të bllokuar në ashensor.
“Në atë ditë tragjike, pamë shpirtin heroik amerikan gjithandej, te policët, zjarrfikësit, pjesëtarët e forcave të armatosura dhe në zemrat e çdo qytetari që iu përgjigj thirrjes së historisë,” u shpreh Trump.
Presidenti nuk la pa kritikuar ashpër administratën e ish-presidentit Joe Biden. Ai përsëriti deklaratën se “vendi ishte si i vdekur” nën udhëheqjen e paraardhësit të tij dhe tha me krenari se kishte propozuar që Departamenti i Mbrojtjes të riemërtohej si “Departamenti i Luftës”.
“Vitin e kaluar ishim një vend i vdekur. Tani jemi vendi më i ‘nxehtë’ në botë”, deklaroi Trump, duke iu referuar kthimit të tij në skenën politike dhe rritjes së mbështetjes në sondazhe.
Fjalimi i Trump për 11 Shtatorin erdhi në një moment të rëndësishëm për garën presidenciale të vitit 2024, ku ai është kandidati kryesor republikan, pavarësisht sfidave ligjore që po përballet. gsh
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook ka reaguar për 24-vjetorin e sulmeve të 11-shtatorit në Nju Jork.
Në postim thuhet se nderohen jetët e humbura dhe qëndrueshmëria e një kombi.
Postimi i Ambasadës Amerikane:
[🇦🇱] Kujtojmë 11 Shtatorin: sot nderojmë jetët e humbura, heronjtë që reaguan dhe qëndrueshmërinë e një kombi. Nuk do të harrojmë kurrë. [🇺🇸] Remembering 9/11: today we honor the lives lost, the heroes who responded, and the resilience of a nation. We will never forget.
Charlie Kirk, aktivist konservator, u vra më 10 shtator në Utah.
Radio Evropa e Lirë
Associated Press
Charlie Kirk, shefi dhe bashkëthemelues i organizatës rinore konservatore, Turning Point USA, u vra me armë zjarri të mërkurën mbrëma gjatë një tubimi në një kolegj në Utah.
Kirk njihej gjithandej për podkastet e tij, ishte luftëtar kulture dhe aleat i presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai e udhëhoqi një përpjekje për ta rindërtuar strategjinë e Partisë Republikane për nxjerrjen e votuesve në zgjedhjet e vitit 2024, duke u bazuar në idenë se kishte mijëra mbështetës të Trumpit që rrallë votonin, por që mund të bindeshin të votonin.
Vrasja e tij është shembulli më i fundit i dhunës politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prek një gamë të gjerë ideologjish politike dhe të dy partitë kryesore.
Më poshtë mund të lexoni krejt çfarë duhet të dini për vrasjen e Kirkut:
Një plumb nga çatia
Kirk po fliste në një debat të organizuar nga Turning Point USA në Universitetin “Valley” në Utah, kur autoritetet thanë se dorasi hapi zjarr nga një çati aty pranë.
Video të postuara në rrjetet sociale e shfaqin Kirkun duke folur me mikrofon dore nën një tendë të bardhë. Një e shtënë dëgjohet dhe Kirku e çon dorën e djathtë në qafë, ndërsa gjaku i rrjedh nga ana e majtë e saj.
Universiteti i “Valley” në Utah është universiteti publik më i madh i këtij shteti, me 47.000 studentë, dhe ndodhet rreth 64 kilometra në jug të kryeqytetit Salt Lake City.
Autoritetet besojnë se dorasi veproi i vetëm
Dorasi e kishte vënë në shënjestër një njeri të vetëm, tha Beau Mason, komisionar i Departamentit të Sigurisë Publike të shtetit.
Guvernatori i Utah, Spencer Cox, e quajti vrasjen “vrasje politike”.
Një “person me interes” u ndalua të mërkurën në mbrëmje, tha Cox, megjithëse nuk u bë e ditur për cfarë akuzash. Zyrtarët nuk kanë të dhëna që tregojnë se ndonjë person tjetër është i përfshirë në vrasjen, shtoi guvernatori.
Oficerët u panë duke e shikuar një fotografi në telefonat e tyre dhe duke ua shfaqur atë njerëzve për t’i pyetur nëse e njihnin personin e interesit. Autoritetet thanë se dorasi kishte veshur rroba të errëta.
Charlie Kirk duke folur në kampusin e Universitetit “Valley” në Utah, pak para se të vritej me armë zjarri, më 10 shtator.
Dy persona u ndaluan të mërkurën, megjithatë ata u liruan menjëherë pasi u përcaktuar se nuk kishin lidhje me ngjarjen, sipas zyrtarëve të sigurisë publike në Utah.
Universiteti tha se kampusi u zbraz menjëherë dhe mbetet i mbyllur. Mësimet u anuluan deri në një njoftim të ardhshëm. Ata që ishin ende në kampus u urdhëruan të qëndronin në vend deri sa policia t’i nxirrte jashtë në mënyrë të sigurt.
Rritja e Kirkut lidhej me Trumpin
Kirk ishte vetëm 18 vjeç kur e bashkëthemeloi Turning Point-in në periferi të Çikagos në vitin 2012 me aktivistin William Montgomeryn. Ata synonin të luftonin për taksa të ulëta dhe qeverisje të kufizuar në kampuset universitare.
Turning Point mbështeti me entuziazëm Trumpin pasi ai siguroi nominimin republikan për president në vitin 2016. Kirk shërbeu si ndihmës personal i djalit të madh të Trumpit, Donald Trump Jr., gjatë fushatës së përgjithshme.
Lidhja me Trump ndihmoi në rritjen e shpejtë të Turning Point. Së shpejti, Kirk u bë figurë e zakonshme në televizionet kabllore, ku ai futej në betejat kulturore dhe lavdëronte presidentin.
Kontributet për grupin u dyfishuan dhe më pas u trefishuan, duke arritur në 79.2 milionë dollarë në vitin 2022, sipas të dhënave tatimore publike. Grupi thotë se tashmë ka prani në pothuajse 4.000 shkolla të mesme dhe kampuse universitare, duke vepruar si një markë konservatore që promovon qindra influencerë online.
Charlie Kirk flet në skenë me presidentin Donald Trump gjatë America Fest 2024 në Arizona, më 22 dhjetor 2024.
Kirk ishte i njohur për deklaratat provokuese mbi çështjet racore që ai përdorte për të tërhequr gjeneratën Z.
“Më vjen keq. Nëse shoh një pilot me ngjyrë, do të mendoj: ‘Shpresoj shumë që të jetë i kualifikuar’”, tha Kirk gjatë një episodi të podkastit në vitin 2024 me aktivistin tjetër të djathtë, Jack Posobeic.
Ai shprehej kundër shpalljes së Juneteenth si festë federale, duke e quajtur atë lëvizje “antiamerikane” që promovonte “një vizion neo-segregacionist” që, sipas tij, kërkonte të zëvendësonte Ditën e Pavarësisë.
Vrasja e Kirkut u dënua nga të dyja partitë
Si republikanët, ashtu edhe demokratët e dënuan menjëherë vrasjen e Kirkut.
Trump urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtizë dhe nxori një proklamatë presidenciale. Presidenti, i cili vetë u plagos lehtë në vesh kur u qëllua gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, tha se kishte marrëdhënie të ngushta me Kirkun.
Ai e përshkroi Kirkun në Truth Social si një “djalë të mrekullueshëm nga koka deri te këmbët. Zoti e bekoftë!”
Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili në mars kishte ftuar Kirkun në podkastin e tij, shkroi në X: “Sulmi ndaj Charlie Kirk është i neveritshëm, i poshtër dhe i papranueshëm”.
Charlie Kirk, një aktivist konservator 31-vjeçar, po fliste hapur për dhunën me armë pak çaste përpara se të qëllohej për vdekje gjatë një eventi në Universitetin Valley në Orem, Utah, të mërkurën pasdite. Kirk, i cili ishte ulur nën një tendë dhe po u përgjigjej pyetjeve të publikut i veshur me një bluzë të thjeshtë të bardhë me fjalën ” Liri ” dhe pantallona të errëta, u sulmua kur një anëtar i publikut mori mikrofonin për ta sfiduar duke diskutuar për të shtënat masive në Shtetet e Bashkuara. “A e dini se sa amerikanë transgjinorë kanë qenë autorë të të shtënave masive në 10 vitet e fundit?” pyeti anëtari i publikut, duke sfiduar aktivistin.
BREAKING: This was Charlie Kirk’s last interaction with the audience before being shot in the neck in Utah:
Audience member: “Do you know how many transgender Americans have been mass shooters over the last 10 years?”
Përgjigja e tij ishte ” shumë “, mes brohoritjeve të forta të turmës. I njëjti burrë i tha më pas Kirkut se numri ishte ” pesë “, duke e pyetur nëse e dinte sa persona me vrasje masive kishin ndodhur në Amerikë në 10 vitet e fundit.
“A po i numërojmë bandat apo jo?” pyeti Kirk . Këto ishin fjalët e tij të fundit përpara se plumbi ta godiste dhe ta rrëzonte nga karrigia, me gjak që i rridhte nga qafa. U dëgjuan britma të pushtuara nga paniku. Influencuesi 31-vjeçar u plagos rëndë dhe u largua me nxitim nga truprojat e tij.
🚨 VIEWER DISCRETION🚨
ACTUAL FOOTAGE OF CHARLIE KIRK SHOOTING.
This footage is insane, truly sick
They tried to assassinate trump and now Charlie Kirk.
Presidenti Donald Trump njoftoi vdekjen e Kirkut menjëherë pas kësaj. “I Madhi dhe madje Legjendari Charlie Kirk ka vdekur. Askush nuk e kuptoi ose nuk e kishte zemrën e të rinjve të Shteteve të Bashkuara më mirë se Charlie”, shkroi presidenti në Truth Social.
Ndërkohë, hetimi ndaj personit të armatosur është ende duke vazhduar . Autoritetet e kanë përshkruar incidentin tragjik si një “vrasje politike” dhe besojnë se i dyshuari ka vepruar i vetëm.
Sipas zyrtarëve, plumbi fatal “erdhi” nga maja e Qendrës Losee, rreth 60 metra larg vendit ku po fliste Kirk .
Siç mund ta shihni në foton më poshtë, personi i armatosur ishte në ndërtesën në të majtë, ndërsa Kirk po fliste në zonën e treguar nga shigjeta e bardhë në të djathtë.
Në fakt, pamjet që qarkullojnë në mediat sociale lidhin një figurë të zezë në çatinë e ndërtesës, përballë vendit ku ndodhej Kirk, me vrasësin e aktivistit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar uljen e flamujve në të gjithë vendin në gjysmështizë, në shenjë respekti për kujtimin e aktivistit politik amerikan, Charlie Kirk, i cili u vra.
“Në nder të Charlie Kirk, një Patriot të Madh Amerikan, po urdhëroj që të gjithë flamujt amerikanë në të gjithë Shtetet e Bashkuara të ulen në gjysmështizë deri të dielën në mbrëmje në orën 6 pasdite”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump e ka cilësuar Kirkun si një figurë të rëndësishme në shoqërinë amerikane, duke theksuar se kontributet e tij kanë qenë vendimtare në mbështetje të vlerave konservatore dhe në forcimin e dialogut politik në SHBA.
“Charlie Kirk ishte një lider i guximshëm dhe një zë i fuqishëm për brezat e rinj që besojnë në liritë dhe principet e këtij kombi. Angazhimi i tij për të mbrojtur liritë e individëve dhe për të forcuar frymën e demokracisë amerikane do të mbetet i paharruar,” ka deklaruar Trump.
Kirk ishte 31 vjeç. Ai lë pas gruan dhe dy fëmijë.
I dyshuari për të shtënat nuk është në paraburgim për momentin. bw
Aktivisti konservator amerikan Charlie Kirk, 31 vjeç, një nga figurat më të njohura të së djathtës amerikane dhe aleat i ngushtë i Presidentit Donald Trump, u vra të mërkurën gjatë një eventi në Utah Valley University, ku po zhvillonte turin e debatit publik “Prove Me Wrong”.
Sipas autoriteteve amerikane, Kirk u qëllua me armë në qafë nga një person ende i paidentifikuar plotësisht edhe pse i dyshuari është arrestuar. Politikani 31-vjeçar u transportua me urgjencë në spital, por plagët rezultuan fatale. Ai mori një plumb në qafë. FBI dhe ATF janë përfshirë në hetim, ndërsa një person është marrë në paraburgim si i dyshuar. Pamjet e sulmit qarkulluan shpejt në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të mëdha.
Kush ishte Charlie Kirk?
Lindur më 1993, Kirk themeloi në moshën 18-vjeçare Turning Point USA (TPUSA), një organizatë që u kthye në lëvizjen më të madhe konservatore në kampuset universitare amerikane.
Ai shërbeu gjithashtu si CEO i Turning Point Action dhe organizatave të tjera simotra, duke u bërë një figurë kyçe në mobilizimin e votuesve të rinj konservatorë.
Moderator i podcast-it The Charlie Kirk Show, ai ishte një nga zërat më të dëgjuar të së djathtës, shpesh duke ngritur debate mbi teorinë kritike të racës, ndryshimet klimatike dhe çështje sociale.
Marrëdhënia me Donald Trump
Charlie Kirk u konsiderua një nga arkitektët e lidhjes mes gjeneratës së re konservatore dhe Donald Trump.
Në vitin 2016, TPUSA dhe vetë Kirk u rreshtuan hapur në mbështetje të kandidaturës së Trump, duke ndihmuar në mobilizimin e votuesve të rinj në shtetet vendimtare.
Kirk shpesh quhej “zëri i rinisë së MAGA” dhe Trump e kishte ftuar disa herë në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së tij.
Në vitet e mëvonshme, Kirk e mbështeti fuqishëm narrativën e Trump rreth zgjedhjeve të vitit 2020, duke u bërë një figurë e rëndësishme në rrjetin e influencës së tij.
Trump reagoi pas lajmit të vrasjes, duke e quajtur atë “një patriot të madh dhe mik besnik” dhe duke shtuar se “Amerika humbi një luftëtar të pakompromis për vlerat konservatore.”
Një figurë kontraverse
Kirk ishte njëkohësisht i adhuruar dhe i kritikuar. Mbështetësit e shihnin si mbrojtës të fortë të lirisë së fjalës dhe vlerave tradicionale, ndërsa kritikët e akuzonin për shpërndarje dezinformatash rreth COVID-19 dhe për retorikë polarizuese. Iniciativat e tij si Professor Watchlist kishin ngritur debate të ashpra mbi lirinë akademike.
Impakti i vrasjes së tij në SHBA
Vrasja e Charlie Kirk pritet të ketë ndikim të madh në politikën konservatore amerikane. Ai ishte vetëm 31 vjeç dhe i konsideruar si një nga figurat që mund të drejtonte brezin e ardhshëm të liderëve republikanë.
Ngjarja tronditi botën politike amerikane, duke hapur diskutime mbi sigurinë e figurave publike dhe polarizimin e thellë në shoqërinë amerikane. bw
Presidenti Donald Trump ka bërë me dije se disa udhëheqës evropianë pritet të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të hënën ose të martën për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump shtoi se planifikon të flasë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa paralajmëroi një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Moskës. Kjo nismë vjen pas një vale të re dhe intensive bombardimesh nga Rusia, ku u përdorën mbi 800 dronë dhe dhjetëra raketa, përfshirë një sulm që goditi ndërtesën qeveritare kryesore në Kiev, duke shkaktuar katër viktima.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti përpjekjet për sanksione të reja, duke i quajtur ato “ideja e duhur”. Ai i bëri thirrje vendeve evropiane që të ndalojnë blerjen e energjisë ruse, duke thënë se “nuk mund të kemi asnjë marrëveshje me Rusinë nëse duam t’i ndalojmë ato”.
Zelensky gjithashtu mbështeti propozimin e Trump për vendosjen e tarifave dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë tregtinë me Rusinë, si një mënyrë për të ndalur financimin e luftës nga Moska.
Sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, Rusia ka gjeneruar rreth 985 miliardë dollarë nga eksporti i naftës dhe gazit që nga marsi i vitit 2022. Kina dhe India mbeten blerësit më të mëdhenj, ndërsa BE ka shpallur objektivin për të ndaluar të gjitha blerjet deri në vitin 2027.
SHBA-të kanë vendosur tashmë tarifa prej 50% ndaj mallrave nga India për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse. Nga ana tjetër, Rusia ka intensifikuar bashkëpunimin energjetik me Kinën dhe ka rënë dakord me OPEC+ për të rritur prodhimin e naftës, duke ulur çmimet në tregjet globale.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se rritja e sanksioneve dhe tarifave dytësore nga vendet evropiane do të çonte ekonominë ruse në “kolaps total”, duke detyruar presidentin Putin të rikthehet në tryezën e negociatave.
“Ne jemi në një garë tani – sa gjatë mund të rezistojë ushtria ukrainase dhe sa gjatë mund të mbijetojë ekonomia ruse”, tha Bessent. bw
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të dielën nga Shtëpia e Bardhë se është i gatshëm të kalojë në fazën e dytë të sanksioneve kundër Rusisë, në kuadër të konfliktit në Ukrainë.
“Jemi të përgatitur për një raund të ri masash ndaj Rusisë, nëse situata në Ukrainë nuk ndryshon,” u shpreh Trump në deklaratën e tij, pa dhënë më shumë detaje mbi natyrën e sanksioneve të reja.
Ky paralajmërim vjen në një moment të tensionuar, sidomos ditën e sotme, kur mbi 800 dronë rusë goditën Ukrainën dhe kur diplomacia ndërkombëtare përpiqet të gjejë një rrugëdalje për konfliktin që vijon prej gati katër vitesh. bw
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e kryerjes së sulmeve kundër karteleve të drogës në Venezuelë, raportoi CNN të premten, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Diskutimet e raportuara vijnë ndërsa Pentagoni ka vendosur të paktën tetë anije luftarake dhe një nëndetëse në Karaibet lindore.
Sipas CNN, sulmi me raketa i së martës ndaj një anijeje që dyshohet se kontrabandonte drogë nga Venezuela ishte vetëm hapi i parë në përpjekjet e Trump për të neutralizuar trafikun e drogës në rajon dhe potencialisht për të rrëzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
SHBA-të vendosën sanksione të gjera ndaj qarkut të Amerikës së Jugut të sunduar nga socialistët gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë, duke synuar tregtinë e naftës dhe sektorin financiar. Muajin e kaluar, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dyfishoi shpërblimin për informacionin që çoi në arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë.
Edhe pse Trump mohoi planet për ndryshim regjimi të premten, ai i përshkroi zgjedhjet presidenciale të Venezuelës në vitin 2024 si “shumë të çuditshme”. Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi më parë këtë javë se SHBA-të do të “luftojnë kundër karteleve të drogës kudo që janë”.
Maduro i ka mohuar akuzat për përfshirje në trafikun e drogës dhe është zotuar se do ta shpallë Venezuelën një “republikë të armatosur” nëse sulmohet nga SHBA-të.
“Ashtu siç nuk ishte e vërtetë që Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, as ajo që po thonë për Venezuelën nuk është e vërtetë”, tha Maduro të premten, duke iu referuar logjikës pas pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003. bw
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që e riemërton Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, duke u rikthyer në emrin që kishte deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria amerikane kërkoi të theksonte rolin e Pentagonit në parandalimin e konflikteve.
Trump e firmosi urdhrin në një ceremoni në Zyrën Ovale. Ky është ndryshimi i fundit i emrit në ushtrinë amerikane, i cili ka përfshirë vendimin e tij për të mbajtur një paradë ushtarake në qendër të Uashingtonit dhe për të rivendosur emrat e bazave ushtarake që u ndryshuan pas protestave kundër racizmit në vitin 2020.
Urdhri i lejon Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe vartësve të tij të përdorin tituj të tillë si “Sekretar i Luftës” dhe “Zëvendës Sekretar i Luftës” në korrespondencën zyrtare dhe njoftimet për shtyp. Hegseth udhëzohet të rekomandojë veprime legjislative dhe ekzekutive për ta bërë ndryshimin të përhershëm.
Ndryshimet e emrave të departamenteve janë të rralla dhe kërkojnë miratimin e Kongresit, ku republikanët kanë shumicën dhe nuk kanë treguar ndonjë qëllim për të kundërshtuar iniciativat e Trump.
Departamenti i Mbrojtjes quhej Departamenti i Luftës deri në vitin 1949. Historianët thonë se u riemërua pjesërisht për t’i treguar Uashingtonit se, në epokën bërthamore, SHBA-të ishin të përqendruara në parandalimin e konfliktit.
Riemërtimi do të ishte i kushtueshëm, duke kërkuar ndryshime në tabelat dhe shkronjat e përdorura jo vetëm në Pentagon, por në të gjitha instalimet ushtarake në të gjithë botën. Përpjekja e ish-presidentit Joe Biden për të riemërtuar nëntë baza ushtarake që nderonin udhëheqësit e Konfederatës do t’i kishte kushtuar ushtrisë 39 milionë dollarë. Hegseth e ndryshoi vendimin këtë vit. bw
Grupet e strukturuara kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainë në nga Amerika Latine në BE mesa duket janë kthyer në një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këtë shqetësim zyrtarët e departamentit amerikan të shtetit ia kanë komunikuar vetëm kreut të SPAK Altin Dumani në takimin e zhvilluar pak ditë më parë në Washington.
Ky fakt është konfirmuar për Syri Tv nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit pas një kërkesë për informacion.
Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta për ndalimin e trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Shefin e Prokurorisë Speciale (CSP) Dumani për të diskutuar fushat e bashkëpunimit të dobishëm reciprokisht”, thuhet ne reagimin e DASH për Syri Tv.
Prej vitesh agjencisë ligjzbatuese të vendeve partnere kanë ngritur alarmin për tonelatat e kokainës që grupet e strukturara kriminale shqiptare sjellin në Amerika Latine në Evropë.
Këto grupe kanë pasur akses të pakufizuar për të pastruar paratë në ndërtim në Shqipëri, ku Kryeministri Rama ka firmosur qindra leje ndërtimi, kryesisht për kulla dhe investime strategjike në bregdet.
Ndër rastet më flagrante janë lejet për ndërtime për Elvis Docin dhe Altin Hajrin të firmosura nga Edi Rama, teksa Hajri dhe Doçi janë dy eksponentë të krimit të organizuar që operojnë në Durrës.
Grupet e strukturara kriminale janë angazhuar dhe në fushatë zgjedhore ku kandidatët e tyre të mazhorancës kanë dalë ndër më të votuarit në zgjedhjet e 11 Majit. sn
Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, po mbështet inteligjencën artificiale të sigurt dhe ka inauguruar një grup pune për edukimin e fëmijëve në lidhje me këtë teknologji.
Të enjten në mbrëmje, elita e teknologjisë, përfshirë drejtorin ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, dhe drejtorin ekzekutiv të Meta, Mark Zuckerberg, morën pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump.
Dita ishte për të promovuar iniciativën e Presidentit për inteligjencën artificiale, por zonja e parë udhëhoqi krijimin e një grupi pune për inteligjencën artificiale dhe edukimin e fëmijëve, duke thënë “robotët janë këtu”.
Urdhri ekzekutiv i presidentit u nënshkrua në prill për të promovuar shkrim-leximin dhe aftësitë në përdorimin e inteligjencës artificiale midis të rinjve amerikanë.
Këto janë të gjitha gjërat që tha zonja e parë.
«Sot është një ngjarje e bukur», tha ajo, duke filluar takimin. «Po jetojmë në një botë mrekullish».
Më pas ajo vuri në dukje rreziqet e inteligjencës artificiale, të tilla si teknologjia që ua heq vendet e punës të sapodiplomuarve dhe rreziku i saj për shëndetin mendor. Po atë ditë me ngjarjen, Komisioni Federal i Tregtisë tha se po hetonte OpenAI dhe kompani të tjera të inteligjencës artificiale për ndikimin që kanë chatbot-et e tyre në shëndetin mendor të fëmijëve.
“Ne duhet ta menaxhojmë rritjen e inteligjencës artificiale me përgjegjësi”, tha ajo, duke shtuar se “gjatë kësaj faze primitive” ajo duhet t’i nënshtrohet “udhëzimit të kujdesshëm”.
Por ajo nuk ishte krejt e zymtë për inteligjencën artificiale, ajo tha se ajo ishte gjithashtu “motori më i madh i progresit në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Titanët e teknologjisë reaguan pozitivisht ndaj fjalimit të saj.
«Është një nder i vërtetë për mua të jem këtu», tha Pichai i Google. «Ju po i frymëzoni vërtet të rinjtë që ta përdorin teknologjinë në mënyra të jashtëzakonshme», shtoi ai.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh me tone të forta gjatë një takimi me homologun polak, duke paralajmëruar se çdo vendim i presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, nëse nuk përputhet me interesat e SHBA-së, do të ketë pasoja serioze.
“Ai do të marrë një vendim, dhe çfarëdo që të jetë, ne ose do të jemi të kënaqur ose jo. Dhe nëse nuk jemi të kënaqur, atëherë do të shihni që ndodhin gjëra,” tha Trump para gazetarëve.
I pyetur për refuzimin e Putinit për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump reagoi i irrituar:
“Si e dini këtë? Si mund të jeni kaq i sigurt? A e dini vërtet çfarë ndodh pas skene?”
Ai kujtoi se SHBA ka vendosur tashmë sanksione ndaj Indisë, të cilat sipas tij kanë kushtuar qindra miliarda dollarë, dhe shtoi se ende nuk ka aktivizuar “fazën dy” dhe “fazën tre” të sanksioneve – duke lënë të kuptohet për masa shumë më të forta nëse situata nuk ndryshon. Me tone të ashpra, Trump iu drejtua gazetarëve: “Nëse thoni se nuk ka veprim, ndoshta duhet të gjeni një punë të re.”
Sa i përket paradës ushtarake në Kinë, Trump e përshkroi atë si “shumë të bukur” dhe “tepër mbresëlënëse”. Ai shtoi se SHBA duhej të përmendej në fjalimet e liderëve kinezë për ndihmën që, sipas tij, kishte ndikuar në “fitimin e lirisë” së Kinës. “Mendoj se donin që unë ta ndiqja, dhe e ndoqa. Marrëdhëniet e mia me të gjithë janë shumë të mira. Do ta shohim se sa të mira janë javën që vjen, ose pas dy javësh,” përfundoi presidenti amerikan, duke lënë të hapur pritjen për zhvillime të rëndësishme në të ardhmen e afërt. gsh
Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.
“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker.
Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.
Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion.
Në Republikën Sërpska, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t’ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.
I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.
“Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Whitaker.
“Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjeve që i dhanë fund luftës në Bosnje në vitet ’90.
Ambasadori amerikan tha, po ashtu, se “NATO-ja është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”.
Në pyetjen nëse presidenti amerikan, Donald Trump, mund të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ose me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, Whitaker tha se për takime të tilla nuk ka asnjë paralajmërim, por se ato mund të diskutohen nëse do të kishte përfitime të qarta për paqen dhe stabilitetin.
Ai tha se presidenti Trump ka një aftësi të veçantë për të komunikuar me liderë botërorë, për të përdorur ndikimin e presidencës amerikane dhe fuqinë e shtetit, në të mirë të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Ai theksoi se, nëse Trump do të vendoste të takohej me Vuçiqin ose Dodikun, një gjë e tillë nuk do të bëhej për të forcuar pozitën e tyre politike, por vetëm nëse do të shërbente për avancimin e interesave më të gjera të paqes dhe stabilitetit.
“Sigurisht që nuk do të pranonte një takim që synon forcimin e pozicionit politik të ndonjë udhëheqësi. Kjo nuk është ajo që bën presidenti Trump”, tha ambasadori amerikan.
Ai e përshkroi Trumpin si “paqebërës”, duke theksuar se politika e tij fokusohet në rezultate dhe në krijimin e mundësive për përparim.
Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, ka komentuar për herë të parë përplasjen që ndodhi në muajin shkurt në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Edhe pse incidenti shkaktoi jehonë ndërkombëtare dhe tension mes dy vendeve, Vance e cilëson ballafaqimin si një moment të rëndësishëm, që ndihmoi në sqarimin e mospajtimeve reale mes Uashingtonit dhe Kievit.
Në një intervistë për USA Today, ai theksoi se përplasja ndihmoi në ndërtimin e një linje më të qartë komunikimi dhe në qartësimin e pozicioneve përballë një konflikti që ka hyrë në vitin e tretë. “Ndonjëherë njerëzit nuk bien dakord,” tha Vance. “A doja që kjo të ndodhte përpara kamerave? Jo domosdoshmërisht. Por ishte e dobishme për të kuptuar se ku qëndronim.”
Vance shtoi se përballja bëri që opinioni publik amerikan të kuptonte më mirë diferencat mes qeverisë së Trump dhe qëndrimeve të presidentit ukrainas. Ai kritikoi mungesën e vullnetit të Zelenskyt për të negociuar me Rusinë, si dhe e quajti zhgënjyese qasjen e administratës Biden, që sipas tij ka derdhur miliarda dollarë ndihma për Ukrainën pa një strategji të qartë për paqen.
Ndërkohë, përplasja në Zyrën Ovale nuk kaloi pa reagime në Evropë. Kryetari i CDU-së gjermane, Friedrich Merz, e cilësoi incidentin si një përshkallëzim të qëllimshëm nga SHBA, duke i dhënë ton më të fortë krizës diplomatike.
Megjithatë, Vance thekson se aktualisht administrata Trump dhe presidenti Zelensky janë më të afruar se kurrë në qëllimin e përbashkët për të arritur një marrëveshje paqësore. “Edhe pse kemi dallime, është e qartë se të dy palët duam të mbrojmë integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk duam që Rusia të pushtojë të gjithë vendin,” përfundoi ai. gsh
Presidenti i SHBA Donald Trump ka lëshuar akuza në drejtim të miliarderit George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros.
Në një reagim në rrjetet sociale, Trump i kërkoi drejtësisë amerikane që të ngrejë akuza ndaj tyre në bazë të ligjit RICO, i cili përdoret për ndjekjen penale të organizatave kriminale. “George Soros dhe djali i tij super-radikal majtist duhet të akuzohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme dhe shumë veprimeve të tjera anembanë vendit”, shkroi Trump.
Trump nuk është ndalur me kaq, duke e quajtur Sorosin dhe ekipin e tij “psikopatë”. “Kini kujdes, ju po ju vëzhgojmë!”. Ai shtoi: “Nuk do t’i lejojmë këta të çmendur të shkatërrojnë Amerikën, pa i dhënë kurrë mundësinë të ‘marrë frymë’ dhe të jetë E LIRË”, shkruan Trump.
Kujtojmë se George Soros, 95 vjeç, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të iniciativave progresiste në botë përmes Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, të cilat ai i themeloi pas dekadave të suksesit financiar në vitet ’70 dhe ’80. bw
Uashingtoni është i përgatitur të ofrojë shërbime të agjencive inteligjente dhe mbështetje ajrore për Ukrainën pas luftës, sipas një raportimi nga Financial Times.
FT ka cituar katër zyrtarë të cilët thanë se SHBA-të do të ishin të gatshme të kontribuonin me mbikëqyrje dhe zbulim, si dhe me asete të mbrojtjes ajrore.
Kjo do t’i vinte në ndihmë çdo ekipi të udhëhequr nga evropianët në terren, shtoi raporti i zbuluar.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk e kishte përjashtuar vendosjen e trupave amerikane në tokë në Ukrainë, por tha se ato mund të ofrojnë mbështetje ajrore si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
“Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata me gjëra të ndryshme, veçanërisht, ndoshta… nga ajri”, tha Trump për Fox News, megjithëse nuk dha detaje të tjera. bw
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sërish e ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë takimi së shpejti mes udhëheqësve rusë dhe ukrainas, si dhe ka folur për mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Moskës, megjithëse tha se edhe pala ukrainase është në faj.
“Unë dua që ajo [lufta] të përfundojë”, u tha Trump gazetarëve të martën në Shtëpinë e Bardhë.
“Ajo që e kam në mendje është shumë, shumë serioze, nëse më duhet ta bëj. Por, dua ta shoh [luftën] duke përfunduar”, theksoi ai.
“Ne duam përfundimin e saj. Ne kemi sanksione ekonomike”, paralajmëroi ai.
Trump shtoi: “Nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike. Një luftë ekonomike do të jetë e keqe, dhe do të jetë e keqe për Rusinë, dhe unë nuk e dua këtë”.
Ka kohë që Trump e përdor kërcënimin me sanksione ekonomike apo tarifa të larta kundër vendeve të tjera në çështje ndërkombëtare.
Ai ka paralajmëruar por ende nuk ka vendosur masa ekonomike kundër Moskës, megjithëse SHBA-ja dhe Perëndimi kanë vendosur një sërë sanksionesh të rënda ndaj Rusisë prej se ajo e filloi pushtimi e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Mendoj se, në shumë mënyra, ai [presidenti rus Vladimir Putin] është aty. Ndonjëherë ai është aty dhe [presidenti ukrainas Volodymyr] Zelensky nuk është aty”, nënvizoi ai.
“Duhet t’i kem të dy njëkohësisht”, shtoi Trump pas një mbledhjeje të transmetuar në televizion të kabinetit, që zgjati tri orë e 16 minuta.
“As Zelensky nuk është plotësisht i pafajshëm. Unë kaloj shumë mirë me të tani, por kemi marrëdhënie shumë më ndryshme sepse tani nuk po ia japim asnjë qindarkë Ukrainës”, tha Trump, duke iu referuar një marrëveshjeje ku anëtarët e NATO-s blejnë armë amerikane për t’u përdorur nga Kievi.
Trump gjithashtu la të kuptohej për mundësinë e masave kundër Kievit, por nuk dha hollësi.
“Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Putinin. Nëse mund t’i shpëtoj mijëra njerëz nga vdekja përmes sanksioneve ndaj Rusisë ose Ukrainës ose kujtdo tjetër, është mirë”, shtoi ai.
Kur u pyet për refuzimin e Putinit për t’u takuar ballë për ballë me Zelenskyn dhe për dyshimet e Kremlinit mbi “legjitimitetin” e udhëheqësit ukrainas, Trump tha: “Nuk ka rëndësi çfarë thonë [rusët]. Të gjithë po bëjnë shfaqje. Janë broçkulla”.
Rusia ka vazhduar me pushtimin e plotë të Ukrainës pa ndërprerje pas takimeve të Trumpit me Putinin në Alaskë, më 15 gusht, dhe me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë tri ditë më vonë.
Trump, i cili që prej se e mori detyrën në janar ka kërkuar ta ndërmjetësojë përfundimin e luftës, i përdori ato takime për ta organizuar një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt, të cilët nuk janë takuar që nga viti 2019.
Zelensky – i cili ka kërkuar një takim të tillë me Putinin – më 26 gusht tha se Turqia, vendet e Gjirit ose shtetet evropiane mund të shërbejnë si mikpritës të çdo takimi që ai mund të mbajë me Putinin.
Megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i tha javën e kaluar televizionit NBC se “agjenda e një takimi të tillë nuk është gati aspak”.
I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, më pas tha se së shpejti do të takohet me përfaqësuesit ukrainas në Nju Jork.
“Po takohem me ukrainasit këtë javë… dhe ky është një sinjal i madh”, i tha ai Fox News. “Ne flasim me rusët çdo ditë”.
Ndërkohë, udhëheqësit ushtarakë ukrainas njoftuan Zelenskyn mbi zhvillimet në lindje të vendit, ku Rusia ka shënuar fitore në fushëbetejë muajt e fundit kundër ushtrisë së dërrmuar dhe pajisur dobët ukrainase.
“Vëmendja jonë kryesore tani është e përqendruar kryesisht në Pokrovsk, Dobropillia, Novopavlivsk, Kupiansk, si dhe në drejtimet e Zaporizhjas”, shkroi në Telegram komandanti i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy.
Syrskiy raportoi se “kemi prirje pozitive në zonat kufitare të rajoneve Sumi dhe Harkiv”, megjithëse pretendimet nga fushëbeteja nuk mund të verifikohen gjithmonë menjëherë.
Kievi ka kërkuar me urgjencë më shumë armë nga Perëndimi mes shqetësimeve se, edhe pas dy samiteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, Rusia “nuk është e interesuar” për paqe, tha një këshilltar i lartë i Zelenskyt për Current Time, më 25 gusht.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane i kanë dhënë Ukrainës ndihmë dhe pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë, megjithatë Trump i ka bërë trysni Evropës ta marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish dëshirën për të rikthyer emrin historik të Pentagonit, duke e quajtur atë “Ministria e Luftës” në vend të “Ministrisë së Mbrojtjes”.
Gjatë një takimi të mbajtur të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, Trump deklaroi:
“E quajmë Ministria e Mbrojtjes, por mes nesh, mendoj se do ta ndryshojmë emrin.”
Në një tjetër ngjarje të po së njëjtës dite, Trump e argumentoi propozimin e tij me fjalët:
“Duam mbrojtje, por duam edhe sulm.”
Ai ka përdorur më parë këtë retorikë, duke iu referuar ministrit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si “ministri i Luftës” dhe ka akuzuar “korrigjimin politik” si arsye për ndryshimin e emrit dekada më parë.
Megjithatë, sipas historianëve dhe dokumenteve zyrtare të qeverisë amerikane, ky pretendim i Trump nuk mbështetet në fakte.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1949, presidenti Harry Truman riorganizoi strukturat ushtarake të SHBA-së, duke krijuar Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit mes forcave tokësore dhe detare, të cilat deri atëherë funksiononin në ministri të veçanta.
“Qëllimi ishte që pushteti ushtarak të përqendrohej në një strukturë të përbashkët për të siguruar mbrojtjen kombëtare, jo luftën agresive”, tha profesori i historisë Krister Knapp nga Universiteti i Uashingtonit në St. Louis.
Sipas The Washington Post, një ndryshim zyrtar i emrit do të kërkonte miratim nga Kongresi amerikan, pasi Ministria e Mbrojtjes është krijuar me ligj. Deri tani, nuk ka të dhëna konkrete nëse Trump, në rast se rikthehet në pushtet, do ta ndjekë zyrtarisht këtë iniciativë.
Ministria e Luftës u krijua në vitin 1789 nën udhëheqjen e George Washington dhe mbikëqyrte vetëm ushtrinë tokësore. Më vonë, në vitin 1798, u formua edhe Ministria e Marinës për flotën detare dhe trupat detare.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Truman shtyu për një reformë të thellë: në vitin 1947 u krijua Fondacioni Kombëtar i Mbrojtjes, që bashkoi forcat tokësore, detare dhe Forcat Ajrore të sapokrijuara, dhe në vitin 1949, ky institucion u shndërrua në Ministrinë e Mbrojtjes.
Reforma e Truman përfshinte gjithashtu krijimin e CIA-s dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke formësuar arkitekturën moderne të sigurisë në SHBA gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas Knapp, “fokusi kaloi nga lufta në strategjinë e parandalimit”, veçanërisht ndaj Bashkimit Sovjetik. gsh
Donald Trumpi ka deklaruar se shumë amerikanë, sipas tij, do të dëshironin të kishin një diktator, gjatë një konference të gjatë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutuan çështje të ndryshme, përfshirë sigurinë publike dhe kritikat e tij ndaj kundërshtarëve politikë.
“Shumë njerëz thonë ‘ndoshta do të na pëlqente të kishim një diktator’. Unë nuk pëlqej diktatorët. Nuk jam diktator. Jam dikush me shumë shëndet të mirë të mendjes dhe inteligjencë,” tha presidenti republikan, i cili akuzohet nga kundërshtarët e tij për tendencë autoritare për shkak të politikave të tij lidhur me migracionin dhe sigurinë publike.
“Ti dërgon ushtrinë dhe, në vend që të të falenderojnë, të akuzojnë për sulm ndaj demokracisë,” shtoi ai, duke iu referuar reagimeve pas vendimit të tij për të dërguar Gardën Kombëtare në rrugët e Washingtonit për të mbajtur rendin.
Trump gjithashtu nënshkroi një dekret për të parashikuar dënime me burg për çdo person që digjet flamurin amerikan, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 1989, e cila kishte shpallur se protesta të tilla janë të mbrojtura nga e drejta e lirisë së shprehjes, një e drejtë themelore në Kushtetutën amerikane.
“Po të diegësh flamurin, do të shkosh në burg për një vit, pa mundësi për t’u liruar para se të kryesh dënimin tënd të plotë,” tha Trump. Panorama
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar të hënën një urdhër ekzekutiv duke urdhëruar sistemin gjyqësor që t’i ndëshkojë ata që djegin apo përdhosin flamurin amerikan.
“Nëse digjni një flamur, ju do të burgoseni për një vit, pa mundësi për të dalë më herët”, ka thënë Trump teksa e ka nënshkruar urdhrin në Zyrën Ovale.
Urdhri udhëzon gjyqtarët që t’i ndëshkojnë njerëzit që shkelin ligjet për përdhosjen e flamurit dhe të ngrejnë padi për të sqaruar fushëveprimin e Amendamentit të Parë lidhur me këtë çështje.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar që shkelësve t’iu pezullohen vizat, lejet e qëndrimit dhe procedurat e naturalizimit.
“Flamuri amerikan është simbol i jetës tonë kombëtare, i cili duhet t’i bashkojë dhe përfaqësojë të gjithë amerikanët”, është thënë në urdhër.
“Përdhosja është vepër shumë ofenduese dhe provokative. Është deklaratë përbuzjeje, armiqësie dhe dhune kundër kombit tonë”, është thënë mes tjerash në dokument.
Administrata Trump ka thënë se në vendimin e Gjykatës Supreme për Amendamentin e Parë nuk mbrohen veprimet sikurse përdhosja e flamurit amerikan.
Mirëpo, Gjykata Supreme ka thënë më 1989 se djegia, apo shkatërrimi i flamurit kombëtar, mbrohet si e drejtë e shprehjes së lirë./rel
Gjenerali i lartë, Jeffery Kruse, nuk do të jetë më në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA). Sipas burimeve, edhe dy komandantë të tjerë të lartë ushtarakë janë larguar nga postet e tyre nga Pentagoni.
Departamenti i Mbrojtjes nuk ka dhënë ende asnjë sqarim zyrtar për këto shkarkime.
Në muajin qershor, presidenti Donald Trump kishte kundërshtuar fort një raport të DIA-së që ishte publikuar në media, në të cilin thuhej se sulmet ndaj Iranit kishin arritur vetëm të vononin përkohësisht programin bërthamor iranian, për disa muaj. Shtëpia e Bardhë e kishte quajtur raportin “plotësisht të gabuar”.
Trump kishte deklaruar se objektet bërthamore në Iran ishin “shkatërruar plotësisht” dhe kishte akuzuar mediat për përpjekje për të njollosur një nga goditjet ushtarake më të suksesshme në histori. Panorama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shpreh i pakënaqur për faktin që Rusia goditi një fabrikë amerikane në Ukrainë, duke theksuar më gjerë se nuk është “i lumtur” për vazhdimin e luftës mes dy vendeve.
“Nuk jam i lumtur për këtë dhe nuk jam aspak i lumtur për gjithçka që lidhet me luftën,” deklaroi ai përpara gazetarëve, i pyetur për sulmin që shkaktoi dëme të mëdha natën mes të mërkurës dhe të enjtes në një kompani amerikane në qytetin Mukachevo, në Ukrainën perëndimore.
Trump përsëriti se ka vendosur një afat “dy javë” përpara se të marrë vendime mbi këtë konflikt, për të cilin pretendon se po bën përpjekje personale që të marrë fund.
“Do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm dhe ose do të ketë sanksione, ose tarifa doganore të mëdha, ose të dyja bashkë, ose nuk do të bëjmë asgjë dhe do të themi: ‘ky është lufta juaj’,” tha ai.
Presidenti kujtoi takimet e fundit që zhvilloi, fillimisht të premten e kaluar në Alaskë me homologun rus, Vladimir Putin, dhe më pas të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai theksoi se dëshiron që dy liderët të organizojnë një takim dhe të ulen në të njëjtën tryezë për të mbyllur luftën, megjithëse një takim i tillë duket gjithnjë e më pak i mundshëm të ndodhë së shpejti. Panorama
Bethesda, Maryland – Agjentët e FBI-së kanë bastisur në mëngjesin e së premtes banesën e John Bolton, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të presidentit Donald Trump, në kuadër të një hetimi të ndjeshëm për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Bastisja u krye rreth orës 7:00 të mëngjesit në rezidencën e Bolton në periferi të Uashingtonit dhe është urdhëruar nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili në një postim në rrjetin social X deklaroi: “Askush nuk është mbi ligjin… @FBI agjentë në mision.” Postimi u shpërnda edhe nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila shtoi: “Siguria e Amerikës nuk negociohet. Drejtësia do të ndiqet. Gjithmonë.”
Një burim i njohur me hetimin konfirmoi për Associated Press se bastisja është pjesë e një hetimi të FBI-së lidhur me trajtimin e materialeve të ndjeshme nga Bolton. I njëjti burim theksoi se Bolton nuk është arrestuar dhe nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale. Deri më tani, as Bolton, as përfaqësuesit e tij ligjorë dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar publikisht ngjarjen.
Sipas burimeve të mëparshme, hetimi ndaj Bolton kishte nisur vite më parë, por ishte pezulluar gjatë administratës Biden për arsye politike. Tashmë, duket se çështja është rikthyer në vëmendje me intensitet të shtuar.
Ndërkohë që agjentët ndodheshin brenda banesës së tij, në orën 7:32 të mëngjesit, në llogarinë zyrtare të Bolton në X u publikua një mesazh kritik ndaj qëndrimit të Donald Trump për luftën në Ukrainë. Nuk është e qartë nëse postimi ishte programuar më herët apo nëse kishte lidhje direkte me ngjarjen.
Bolton, një figurë e fortë në çështjet e politikës së jashtme amerikane, ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Trump pas largimit nga administrata. Në librin e tij të vitit 2020, ai përshkruante tensione të thella me presidentin dhe mënyrën e tij të udhëheqjes.
Hetimi aktual e vendos Bolton sërish në qendër të vëmendjes politike dhe ligjore në SHBA, në një kohë kur trajtimi i dokumenteve të klasifikuara mbetet një çështje shumë e ndjeshme për autoritetet federale. bw
Vëllezërit Bogolub dhe Dragomir Kariq në takim me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, në Minsk (22 qershor 2015).
Radio Evropa e Lirë
Departamenti amerikan i Thesarit ka hequr nga lista e sanksioneve kompaninë Dana Holdings Limited (Dana Holdings), të regjistruar në Qipro dhe e lidhur me familjen serbe Kariq, e njohur për mbështetjen e saj ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90.
Nga lista është hequr gjithashtu edhe Nebojsha Kariq, shtetas serb dhe qipriot, djali i biznesmenit serb Bogolub Kariq, i cili sipas autoriteteve amerikane kishte rol kyç në kompaninë në fjalë.
Perandoria ndërtimore e familjes Kariq ishte futur në listën e zezë në vitin 2021, si pjesë e zgjerimit të sanksioneve kundër Bjellorusisë, duke përfshirë entitete dhe persona që, sipas SHBA-së, përfitonin ose mbanin gjallë regjimin e Aleksandar Lukashenkos në dëm të popullit bjellorus.
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit amerikan të Thesarit kishte vënë në shënjestër kompaninë duke theksuar se ajo kishte marrë përfitime të shumta përmes dekreteve presidenciale të Lukashenkos – nga dhurimi i tokave shtetërore në Minsk me vlerë afër 800 milionë dollarë për një projekt të vetëm, e deri te lehtësitë fiskale, përjashtimet nga tatimet, përdorimi i resurseve publike për punime infrastrukturore dhe kushte të tjera privilegjuese.
Në atë kohë u theksua se familja Kariq kishte marrëdhënie të ngushta me Lukashenkon. Dana Holdings, sipas njoftimit, u kishte ofruar punonjësve një ditë pushimi për të marrë pjesë në një miting pro Lukashenkos pas zgjedhjeve të 9 gushtit të vitit 2020 – që Perëndimi konsideron se ishin manipuluar – kishte shfaqur mesazhe mbështetjeje në fletushka proregjimit dhe madje kishte hapur një galeri arti të menaxhuar nga nusja e Lukashenkos në një qendër tregtare në Minsk.
Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se gjatë dekadave të fundit familja Kariq kishte arritur të ngjitej në majat e industrisë së pasurive të paluajtshme në Bjellorusi, duke siguruar përfitime të mëdha financiare falë lidhjeve të tyre të ngushta me Lukashenkon – udhëheqësin që sundon vendin me “dorë të hekurt” prej vitit 1994.
Pas protestave masive të vitit 2020, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, regjimi i tij reagoi me shtypje brutale: mbi 32 mijë persona u arrestuan, mijëra u rrahën nga policia dhe opozitarët kryesorë u burgosën ose u detyruan të largoheshin nga Bjellorusia.
Në dhjetor 2020, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Dana Holdings dhe një prej degëve të saj, duke e akuzuar për përfitime dhe mbështetje ndaj regjimit të Lukashenkos.
Më pas, më 9 gusht 2021, SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja vendosën një valë të re sanksionesh tregtare e financiare kundër Bjellorusisë, në përvjetorin e parë të zgjedhjeve që i siguruan Lukashenkos një mandat tjetër dhe ndezën një valë të paparë protestash.
Si kundërpërgjigje, Lukashenko kërkoi nga SHBA-ja që deri më 1 shtator 2021 të zvogëlonte stafin e Ambasadës amerikane në Minsk në vetëm pesë persona.
Pas shtypjes së protestave dhe izolimit ndërkombëtar, regjimi i tij ka mbetur i mbështetur pothuajse vetëm nga Rusia.
Administrata amerikane më 22 gusht njoftoi se po kontrollon mbi 55 milionë persona që posedojnë viza të vlefshme të SHBA-së, për çdo shkelje që mund të çojë në dëbim.
Kjo është pjesë e masave gjithnjë e më të ashpra kundër të huajve që kanë leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara.
Në një përgjigje me shkrim për Associated Press, Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se të gjithë personat me viza – përfshirë turistët e huaj – i nënshtrohen kontrollit të vazhdueshëm për të parë nëse kanë bërë diçka që i bën të papërshtatshëm për hyrje ose qëndrim në SHBA.
Nëse gjenden të dhëna të tilla, viza do t’u hiqet, ndërsa nëse mbajtësi i vizës ndodhet brenda territorit amerikan, ai ose ajo do të dëbohet, tha DASH-i.
Që kur presidenti amerikan, Donald Trump mori detyrën, administrata e tij është përqendruar në dëbimin e migrantëve që qëndrojnë ilegalisht në SHBA, por edhe të atyre me viza studentore apo me viza për programe shkëmbimi të studentëve.
Mesazhet nga Departamenti i Shtetit tregojnë se procesi i vazhdueshëm i kontrollit – i cili, sipas zyrtarëve, kërkon shumë kohë – është intensifikuar ndjeshëm. Kjo do të thotë se edhe ata që tashmë kanë leje qëndrimi në SHBA, kjo leje mund t’u hiqet papritur.
Sipas të dhënave të Departamentit për Siguri të Brendshme, vitin e kaluar në SHBA kanë qenë 12.8 milionë persona me “green card” dhe 3.6 milionë me viza të përkohshme.
Shifra prej 55 milionësh sugjeron se një pjesë e personave nën kontroll mund të ndodhen jashtë SHBA-së me viza turistike, tha Julia Gelatt nga Instituti për Politika të Migracionit. Ajo vuri në dyshim vlerën e shpenzimit të resurseve për persona që ndoshta nuk do të kthehen më kurrë në SHBA.
DASH-i theksoi se përqendrohet në indikatorë të papërshtatshmërisë, përfshirë qëndrimin përtej afatit të vizës, aktivitetet kriminale, rrezikun për rendin publik, përfshirjen në aktivitete terroriste apo mbështetjen e organizatave terroriste.
“Ne rishikojmë çdo informacion të disponueshëm gjatë procesit të kontrollit, përfshirë të dhëna nga policia, agjencitë e emigracionit ose çdo informacion tjetër që mund të dalë pas lëshimit të vizës dhe që mund të tregojë papërshtatshmëri”, tha Departamenti i Shtetit.
Po ashtu, SHBA-ja do të ndalojë lëshimin e vizave të punës për shoferët e kamionëve komercialë, njoftoi më 21 gusht sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në rrjetin X.
“Shtimi i numrit të shoferëve të huaj që drejtojnë kamionë të mëdhenj me rimorkio në autostradat amerikane po rrezikon jetët e qytetarëve amerikanë dhe po dëmton mundësitë e fitimit për kamionistët amerikanë”, shkroi Rubio.
Dy kongresmenë republikanë amerikanë, Andy Ogles dhe Marlin Stutzman, propozojnë presidentin e SHBA-së Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes 2025. Në letrën e tyre drejtuar sot Komitetit të Nobelit, ata e cilësojnë Trump si një udhëheqës që ka ulur konfliktet globale, ka ndërmjetësuar marrëveshje paqeje dhe ka hapur rrugë dialogu mes palëve në konflikt.
Nomimi thekson takimin e Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska dhe takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ku ai premtoi mbështetje për sigurinë e Ukrainës dhe ndërmjetësim për një takim të ardhshëm mes Putinit dhe Zelenskyt.
“Me respekt paraqesim këtë nominim të Presidentit Donald J. Trump për Çmimin Nobel të Paqes, në vlerësim të kontributit të tij konkret për vëllazërinë ndërkombëtare, udhëheqjes së tij në uljen e konflikteve dhe rrezikut të luftës, si dhe përkushtimit për të nxitur dialogun si rrugë drejt pajtimit,” shkruajnë Ogles dhe Stutzman.
“Udhëheqja e tij vendimtare në arritjen e marrëveshjeve historike diplomatike, në uljen e konflikteve globale dhe në ndjekjen aktive të zgjidhjeve paqësore për disa nga mosmarrëveshjet më të vjetra të botës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë një botë më paqësore.”
Në letrën e tyre drejtuar Komitetit të Nobelit, republikanët nënvizuan rolin e Trump në organizimin e samitit me Presidentin Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht 2025, të fokusuar në gjetjen e një rruge drejt armëpushimit në Ukrainë, shkëmbimit të të burgosurve, hapjes së korridoreve humanitare dhe marrëveshjeve të ardhshme të sigurisë – një hap i rëndësishëm drejt rihapjes së dialogut të drejtpërdrejtë e konstruktiv.”
Ata gjithashtu vlerësojnë takimin e zhvilluar më 18 gusht 2025 me Presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe një numër liderësh evropianë për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe për të lehtësuar një dialog mes Zelenskyt dhe Putinit me synim paqen e qëndrueshme në rajon.
Përveç përpjekjeve për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, letra e Ogles dhe Stutzman e vlerëson Trump edhe për arritjen e një marrëveshjeje historike paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, për angazhimin e tij direkt me liderët rajonalë për konfliktin në Gaza.
Duke e cilësuar Trump si “presidentin e paqes” kongresmeni Stutzman shton:“Nuk është askush tjetër në botë që e meriton këtë vit Çmimin Nobel më shumë se ai, dhe këtë e kanë njohur tashmë disa liderë botërorë.”
Nëse i jap fund luftës Rusi-Ukrainë, mund të shkoj në parajsë
. Në një intervistë me Fox, ai deklaroi se fundi i luftës midis dy vendeve do ta ndihmonte atë të shkonte në parajsë.
“Dua t’i jap fund. E dini, nuk po humbasim jetë amerikane, nuk po humbasim ushtarë amerikanë. Po humbasim rusë dhe ukrainas, kryesisht ushtarë. Njerëz, pasi raketat godasin vendet e gabuara ose qytetet. Nëse mund të shpëtoj 7,000 njerëz në javë nga vrasja, mendoj se kjo është e mjaftueshme – dua të përpiqem të shkoj në parajsë, nëse është e mundurt”, tha Trump.
Presidenti Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u panë të angazhuar në diskutim pranë një harte të Ukrainës, ku territoret lindore të pushtuara aktualisht nga Rusia ishin të hijezuara me të kuqe, sipas një imazhi të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Harta mund të ketë shërbyer si pikë referimi për Trumpin dhe Zelenskyn për të diskutuar lëshimet territoriale që ka të ngjarë të përfshihen në një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Zelenskyy tha se i tregoi Trumpit “detajet” e fushëbetejës në hartë. “Patëm një takim konstruktiv dhe specifik”, tha ai.
Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit që Ukraina pretendon për vete, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhisë. sn
Të mërkurën, kongresistja Anna Paulina Luna (R-Fla.) ishte e ftuar në podcast-in e Joe Roganit për të kërkuar që qeveria të jetë më transparente për alienët.
Republikania nga Florida, e cila drejton Grupin e Punës për Deklasifikimin e Sekreteve Federale, një nënkomitet i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, tha se perceptimi ynë i zakonshëm për alienët jeshilë me sy të mëdhenj është krejtësisht i gabuar.
Luna shpjegoi se, edhe pse “kjo mund të duket çmenduri,” ajo ka parë prova të teknologjive të krijuara nga “gjëra energjie” ose “qenie ndërdimensionale” që sfidojnë kuptimin aktual të njerëzimit për fizikën.
Ajo e krahasoi teknologjinë që këto “qenie ndërdimensionale” mund të krijojnë me një person modern që “hedh një telefon … në kohën e njerëzve të shpellave.”
Luna shtoi se këto “qenie ndërdimensionale” mund të lëvizin “përtej kohës dhe hapësirës,” dhe tha se “në Bibël që janë hequr tekste që shpjegojnë dhe prekin këto tema.”
“A kam parë një portal të hapet? Jo. A kam parë personalisht një anije kozmike? Jo. A kam parë prova për këtë? Po” tha Luna. “A kam parë dokumentacione fotografike të avionëve që besoj se nuk janë krijuar nga njerëzit? Po.”
Luna tha se grupi i saj i punës u krijua pasi ajo, kongresisti Tim Burchett (R-Tenn.) dhe ish-republikani i Floridës Matt Gaetz, që u akuzua për marrëdhënie seksuale me të mitur, hetuan një incident në bazën ajrore Eglin. Luna tha se shumë pilotë atje raportuan se panë UAP, ose fenomene ajrore të pazbuluara, dhe pretendoi se ushtria “po e fshihte këtë.”
Ajo tregoi një incident tjetër në bazën Vandenberg Space Force, ku shumë persona, përfshirë një pilot, panë një kub të kuq në qiell që ishte më i madh se një fushë futbolli.
Po ashtu, Luna ndau një përvojë personale me një UAP gjatë shërbimit të saj në Forcat Ajrore, kur ishte e stacionuar në bazën Portland Air National Guard në Oregon si specialiste e menaxhimit të fushës ajrore.
“Ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore kur unë isha ende në Gardë, dhe më kujtohet që bisedova me disa pilotë për këtë dhe pyeta, ‘Çfarë ishte kjo?'” tha ajo.
Luna tha se kur kërkoi shpjegime nga kolegët e saj për incidentin, ata vepronin sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
“Ata thanë, ‘Nuk mund të flasim për këtë.’ Askush nuk donte ta trajtonte si temë,” tha Luna, duke shtuar se mendon se ata kishin frikë se “do të hiqeshin nga statusi i fluturimit.”
Luna tha se njerëzit i kanë thënë se do t’i dëmtojë karrierën politike duke folur për këto fenomene të pretenduara, por ajo ndien se duhet ta bëjë.
“Transparenca është ajo që krijon besimin,” tha Luna për fshehjen e sekreteve për alienët nga qeveria. “Qeveri të tjera kanë zbuluar disa informacione për këtë. Të mendosh se ne jemi forma e vetme e jetës në këtë planet, në këtë galaktikë, është paksa çmenduri.” / Huffpost – Syri.net
Gjatë konferencës për shtyp në Alaskë, ku nuk u pranuan pyetje nga gazetarët, presidenti i SHBA-ve falenderoi Putinin për qasjen dhe i tha se duhet të vijojmë të flasim shumë shpejt, kërkese të cilës Putin iu përgjigj me ftesë, “herën tjetër në Moskë”.
“Do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do të shihemi përsëri shumë shpejt”, i thotë ai presidentit rus.
“Herën tjetër në Moskë”, përgjigjet Putin.
Trump thotë “kjo është interesante” dhe shton “Do të kritikohem pak për këtë, por mund ta shoh të mundshme që të ndodhë”. sn
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, në nisje të konferencës së përbashkët për media në Alaskë.
Radio Evropa e Lirë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por ka çështje ende për të cilat nuk janë pajtuar.
Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.
“Kanë mbetur edhe disa pika, disa nuk janë të rëndësishme, por një është më e rëndësishmja”, tha ai pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Para samitit, ai deklaroi se shpresonte të arrihej një armëpushim në Ukrainë.
“Por, ka shumë gjasa që të arrijmë deri te pajtimi. Nuk arritëm, por ka gjasa që ta bëjmë këtë”, shtoi presidenti amerikan.
Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin me Trumpin si “konstruktiv”.
“Rusia është e interesuar që t’i jepet fund krizës ukrainase. Ne shpresojmë që mirëkuptimi që arritëm me presidentin Trump do të hapë rrugë për paqe në Ukrainë”, tha Putin.
Udhëheqësi rus tha po ashtu se pajtohet me Trumpin se siguria e Ukrainës duhet të garantohet.
Ai po ashtu insistoi në adresimin e atyre që i cilësoi si “shkaqe rrënjësore” të konfliktit – që në retorikën e Kremlinit nënkupton t’i jepet fund aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe marrja e hapave për çarmatosjen e ushtrisë ukrainase.
Gjatë konferencës për media, Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës evropianë, për t’i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.
“Do të zhvilloj disa biseda telefonike dhe do t’i informoj se çfarë ndodhi, por ne patëm një takim shumë produktiv dhe për shumë pika u pajtuam”, tha ai.
Në fund të konferencës, Trump theksoi se beson që do ta takojë Putinin sërish shumë shpejt, dhe lideri rus iu përgjigj në anglisht: “Herën tjetër, në Moskë”.
Pas kësaj, Trump tha: “Mund të përballem me kritika, por e shoh si diçka që mund të ndodhë”.
Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014, tha pas konferencës në Alaskë se SHBA-ja “duket se nuk ia dorëzoi Ukrainën” Putinit.
“Asnjë marrëveshje për Ukrainën. Putini e teproi me retorikën e ricikluar për shtensionimin e situatës. Fatmirësisht, Trump nuk duket se ia dorëzoi Ukrainën. Por, përparimi që përmendi Trump nuk është i përcaktuar dhe mund të mos ekzistojë fare. Këto përshtypje të para do të ndryshojnë me daljen e më shumë informacioneve”, shkroi ai në X.
Në takimin, që u mbajt në bazën ushtarake Elmendorf mes dy udhëheqësve, morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.
Samiti historik nisi pasi avioni presidencial amerikan “Air Force One” u ul në bazën ushtarake Elmendorf, pranë Ankorixhit, rreth orës 10:20 sipas kohës lokale. Rreth 40 minuta më vonë, mbërriti edhe një aeroplan rus “Ilyushin” me Putinin në bord.
Trump dhe Putin shtrënguan duart dhe ecën krah për krah në pistë, ndërsa gazetarët u drejtuan dy liderëve me pyetje, përfshirë nëse presidenti rus do të ndalonte sulmet ndaj civilëve ose do të pranonte një armëpushim. Nuk ishte e qartë nëse ata i dëgjuan pyetjet.
Presidentët e SHBA-së dhe Rusisë së bashku me delegacionet e tyre gjatë samitit në Alaskë.
Në një veprim të papritur, Putini iu bashkua Trumpit në limuzinën presidenciale amerikane, teksa të dy u nisën drejt vendtakimit – një nder i rrallë për një udhëheqës të një shteti rival.
Më pas, dy liderët u ulën së bashku me delegacionet përkatëse në vendin e takimit, dhe në prapavijë shihej një pano ku shkruante “Në kërkim të paqes”.
“Ju faleminderit shumë. Faleminderit”, tha Trump, ndërsa gazetarët sërish u drejtuan me pyetje, të cilave dy presidentët nuk iu përgjigjën.
Ndërkaq gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump i tha Fox News se beson që takimi do të shkonte mirë.
“Do të doja të shihja një armëpushim. Nuk do të isha i lumtur nëse nuk do të ndodhte kjo, por të gjithë thonë se nuk do të arrish të marrësh një armëpushim. Kjo do të ndodhë në takimin e dytë. Takimi i dytë do të jetë i mrekullueshëm. Por, nuk do të jem i lumtur nëse ky takim nuk prodhon një armëpushim”, tha ai.
Ky ishte takimi i tyre i parë ballë për ballë që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Dy udhëheqësit, megjithatë, gjatë kësaj periudhe, kishin zhvilluar të paktën pesë biseda.
Para samitit Trump-Putin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, – shteti i të cilit është dërmuar nga lufta – tha se ukrainasit “kanë besim në SHBA-në”.
Ai tha se shpreson që ky takim të hapë “një rrugë të vërtetë drejt paqes së ndershme”, por edhe bisedimeve mes udhëheqësve në një format trepalësh: Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia.
Më herët, Trump ka propozuar që një takim i tillë trepalësh të mbahet brenda pak ditësh. Alaska mund të ishte sërish vendi për një takim të tillë.
Udhëheqësit evropianë, të cilët, së bashku me Ukrainën janë lënë jashtë bisedimeve, janë të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojnë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
Ukraina dhe Rusia kanë vija të kuqe, prandaj rruga drejt paqes nuk është e lehtë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, para samitit disa herë ka sugjeruar se çdo marrëveshje për ndaljen e luftës mund të përfshijë “shkëmbim të territoreve”.
Ai nuk ka dhënë detaje për këtë dhe mbetet e paqartë se cilat territore mund të shkëmbehen, pasi Rusia ka nën kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës, ndërsa Ukraina aktualisht nuk ka nën kontroll asnjë territor rus.
Ukraina, ndërkaq, i konsideron të papranueshme koncesionet territoriale, dhe kërkon garanci të sigurisë.
Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.
Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit.
Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria përqendrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut.
Shtetet e Bashkuara e kanë dyfishuar shpërblimin për personat që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e akuzuar se ai është “njëri nga trafikuesit më të mëdhenj të narkotikëve në botë”. Shpërblimi u çua në 50 milionë dollarë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është kritikues i vjetër i Maduros, i cili u rikthye në pushtet në janar pas zgjedhjeve të dyshimta për keqpërdorim të votave. Rezultatet e garës u hodhën poshtë gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, raporton televizioni BBC.
Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, tha se vendi i saj do ta dyfishojë shpërblimin prej 25 milionë dollarësh dhe shtoi se Maduro është drejtpërdrejt i lidhur me operacionet e trafikimit të drogës.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se lajmi për dyfishimin e shpërblimit për arrestimin e Maduros është “patetik” dhe “propagandë politike”.
“Ne nuk jemi të befasuar, kur kjo vjen nga ata që vjen” – tha kryediplomati venezuelas, duke e akuzuar zonjën Bondi se po bën përpjekje për një “shpërqendrim dëshpërues” nga kryetitujt e mediave që lidhen me reagimet për trajtimin e rastit të abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara i kishin akuzuar Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Venezuelës me një varg shkeljesh, përfshirë narko-terrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.
Në atë kohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së kishte pretenduar se Maduro kishte punuar me grupin rebel kolumbian, Farc, për ta “shfrytëzuar kokainën si armë për t’i “vërshuar” Shtetet e Bashkuara”.
Në një video të publikuar në rrjetin X të enjten, Bondi e akuzoi Maduron për bashkërendim me grupet si Tren de Aragua – bandë venezuelase të cilën administrata e Trumpit e ka shpallur organizatë terroriste – dhe Karteli Sinaloa, rrjet i fuqishëm kriminal me bazë në Meksikë.
Kryeprokurorja amerikane pretendoi se agjencia amerikane kundër drogës, DEA, kishte “konfiskuar 30 tonë kokainë të lidhur me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, me gati shtatë tonë të lidhur me vetë Maduron”.
Presidenti i Venezuelës në të kaluarën i ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se ai është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e drogës. bw
Administrata e presidentit Donald Trump synon të ndërtojë objektin më të madh federal të paraburgimit të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara në një bazë ushtarake në Teksas, tha Pentagoni të enjten, hapi i fundit për të përdorur burimet ushtarake për të realizuar axhendën e tij të imigracionit.
Trump ka shtuar arrestimet e emigrantëve ilegalë në SHBA, ka marrë masa të ashpra ndaj kalimeve të paligjshme kufitare dhe ka hequr statusin ligjor të qindra mijëra emigrantëve. Që kur mori detyrën këtë vit, Trump ka dërguar emigrantë në bazën detare të Gjirit të Guantanamos, megjithëse në numër shumë më të vogël se sa ishte planifikuar.
Pentagoni tha se plani fillestar ishte të mbaheshin 1,000 migrantë në Fort Bliss në El Paso, Teksas, deri në mesin ose fundin e gushtit dhe më pas të përfundonte ndërtimi i një objekti me 5,000 shtretër në javët dhe muajt në vijim.
“Pas përfundimit, kjo do të jetë qendra më e madhe federale e paraburgimit në histori për këtë mision kritik deportimin e të huajve të paligjshëm”, u tha gazetarëve Kingsley Wilson, një zëdhënës i Pentagonit.
Ndërsa objekti po ndërtohet në një bazë ushtarake, Departamenti i Sigurisë Kombëtare pritet të jetë përgjegjës për migrantët. Ndalimi i emigrantëve në bazat amerikane nuk është diçka e re.
Edhe nën presidencën e paraardhësit demokrat të Trump, Joe Biden, Pentagoni kishte miratuar një kërkesë për të strehuar fëmijë emigrantë të pashoqëruar në objektet ushtarake në Teksas.
Administrata e Trump po ndërton gjithashtu objekte të tjera për të mbajtur emigrantët. Një objekt me 1,000 shtretër në Indiana është gati të hapet dhe është quajtur “Speedway Slammer”.
Numri i migrantëve të ndaluar nga Zyrat e Imigracionit dhe Doganave ka arritur nivele rekord në javët e fundit, me rreth 57,000 të ndaluar që nga 27 korriku, sipas të dhënave të ICE-së. bw
Shqipëria nuk përfshihet në listën e vendeve, për shtetasit e të cilëve do të kërkohet garanci deri në 15 mijë dollarë për marrjen e një vize për në Shtetet e Bashkuara. Të paktën për momentin. Në një deklaratë për shtyp të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se projekti pilot 12-mujor, që nis të zbatohet më 20 gusht, do të aplikohet fillimisht për shtetasit nga Malaui dhe Zambia, dy vende të Afrikës Jugore dhe Juglindore.
Burime nga Ministria e Jashtme thanë se deri tani nuk ka njoftim për këtë program pilot, por me hyrjen në fuqi të programit, do të njoftohen vendet që mund t’i shtohen listës. Subjekt i kësaj mase janë aplikantët për viza turistike dhe biznesi. Projekti parashikon 3 nivele garancish: 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë dollarë, dhe do të jenë punonjësit e ambasadave që do të përcaktojnë se cilën shumë duhet të vendosin si garanci aplikantët, duke u bazuar në kriteret e rrezikshmërisë së shkeljes së vizave, një prej të cilëve është historiku i udhëtimeve.
Sipas një raporti për vitin 2023 të Departamentit për Sigurinë e Brendshme, 42% e rreth 11 milionë të huajve që jetojnë në SHBA kanë hyrë me vizë të rregullt me afat dhe nuk u larguan më. Përqindjen më të lartë të shtetasve që shkelën afatin e vizave gjatë 2023-shit e ka Çadi me 50%, Laosi me 35% dhe Haiti me 31%. Shifra e shtetasve shqiptarë që shkelën afatin gjatë 2023-shit është rreth 2.3%. Malaui dhe Zambia, ku aplikohet fillimisht projekti pilot, kanë nivele po ashtu të ulëta: 10% – 14%. Ndërsa vendet me numrin më të madh të shtetasve që shkelin afatin e vizave janë Meksika, Kolumbia, Haiti, etj../Gazeta Panorama