VOAL

VOAL

35 fjalët që e bëjnë Trumpin president të SHBA

Të premten, më 20 janar, është Dita e Inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Dhe në një artikull të publikuar në CNN, janë treguar 35 fjalët të cilat e bëjnë Donald Trump një president.

Këto janë ato:

“Betohem solemnisht (apo deklarohem) se me besnikëri do të udhëheq Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, dhe do të jap më të mirën e aftësisë sime për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Senati nxiton të konfirmojë të emëruarit e zotit Trump

Pak ditë përpara betimit të Presidentit të ri Donald Trump, Senati me shumicë republikane po punon me ritëm të shpejtë për të konfirmuar të emëruarit që do të jenë pjesë e rrethit të brendshëm të administratës së re.

Uashingtoni po përgatitet për t’i dhënë lamtumirën një Presidenti dhe të mirëpresë një President të ri ndërsa nuk dihet se sa prej anëtarëve të kabinetit Trump do të jenë të konfirmuar në detyrë, përpara se ai të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Ligjvënës kryesorë republikanë kanë shqetësime për lidhjet me Rusinë e të të emëruarit për Sekretar Shteti, Rex Tillerson.

“A mendoni se Vladimir Putin dhe shpura e tij janë urdhëruesit e vrasjeve të panumërta të disidentëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë?” pyeti Senatori Marco Rubio.

“Nuk disponoj informacion të mjaftueshëm për të deklaruar një gjë të tillë”, u përgjigj zoti Tillerson.

“Këto nuk janë të klasifikuara. Ata njerëz kanë vdekur”, shtoi Senatori Rubio.

Republikanët kanë një anëtar më shumë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. Ndërsa pritet që të gjithë anëtarët demokratë të kundërshtojnë zotin Tillerson, emërimi i tij mund të bllokohet nëse vetëm një republikan voton kundër.

“Nëse duam të kemi qartësi morale në politikën tonë të jashtme, atëherë duhet të jemi të qartë. Jam gati të bëj gjënë e duhur dhe jo nga pikëpamja partiake,” deklaroi Senatori republikan Marco Rubio.

Të emëruar të tjerë mund të konfirmohen në ditët në vazhdim, pas dëgjesave të trazuara. Disa demokratë kanë shpallur kundërshtitë ndaj emërimit për Prokuror të Përgjithshëm të Senatorit republikan Jeff Sessions.​

“Nëse konfirmohet Senatori Sessions, jam thellësisht e shqetësuar për fatin e njerëzve me paaftësi fizike, me origjina të ndryshme racore, apo orientime të ndryshme seksuale”, deklaroi Senatorja demokrate Tammy Duckworth.

Por, duket se zoti Sessions do të konfirmohet nëse republikanët vazhdojnë ta mbështesin.

“Ai është një njeri me nder dhe integritet, i përkushtuar ndaj zbatimit besnik dhe të drejtë të ligjit”, tha Senatori republikan Chuck Grassley.

Disa të emëruar pritet të konfirmohen me mbështetje dypartiake, si p.sh. i emëruari për Sekretar Mbrojtjeje, Gjenerali James Mattis.

“Janë duke u zvogëluar hapësirat për bashkëpunim, ndërsa po shtohen fushat ku do të na duhet të përballemi me Rusinë”, deklaroi zoti Mattis.

Po kështu edhe i emëruari për drejtor i CIA-s, Ligjvënësi Mike Pompeo.

“Është e qartë se çfarë ndodhi, se si Rusia u përpoq të vidhte informacion dhe të ndikonte në demokracinë amerikane”, tha zoti Pompeo.

Ndërsa po përgatitet për të bërë betimin, zoti Trump po rrezaton vetëbesim për ekipin e tij.

“Na duhen njerëz të suksesshëm. Këta u bënë të tillë sepse janë të mençur. Jam shumë krenar për kabinetin. Mendoj se po ja dalin shumë mirë”, tha Presidenti i zgjedhur.

Gjatë kësaj jave, Senati do të mbizotërohet nga seancat e votimit për konfirmimet, ndërsa jashtë godinës së Kapitolit po bëhen rregullimet e fundit për inaugurimin.

Biden: Bota të ngrihet kundër ‘agresionit rus’

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ngrihet kundër, siç tha, agresionit rus, ndërsa i kërkoi administratës së re amerikane të Donald Trumpit që të jetë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës.

Biden i bëri këto komente në Kiev, në vizitën e fundit si nënkryetar.

Ai tha se sanksionet amerikane kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe përfshirjes së Moskës në konfliktin në lindje të Ukrainës, duhet të mbeten në fuqi derisa Moksa të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Minskut për Paqe në Ukrainë.

Biden tha se është e vështirë mbështetja në këtë marrëveshje kur dihet se Rusia refuzon t’i përmbahet asaj.

Duke folur pranë presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, Biden tha se Ukraina duhet të vazhdojë të angazhohet për sundim të ligjiit dhe luftim të korrupsionit.

Poroshenko falënderoi Bidenin për mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe falënderoi SHBA-në për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Trumpi do marrëveshje bërthamore me Rusinë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund t’iu japë fund disa sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, në këmbim te një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për të reduktuar armët bërthamore.

Ai tha se do që arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë të “reduktohen ndjeshëm”.

Trump dha detaje për synimet e tij në politikën e jashtme në një intervistë për gazetën britanike Times dhe atë gjermane Bild.

Trump kritikoi Moskën për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile të Sirisë, duke e përshkruar atë si “një gjë shumë të keqe”, e cila ka çuar në “situatë të tmerrshme humanitare”.

Presidenti i zgjedhur po ashtu tha se NATO-ja është “vjetruar” dhe se nuk ka bërë shumë për të luftuar terrorizmin. Megjithatë, ai shtoi se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.

Trump përsëriti kritikat e tij se shumë vende anëtare të NATO-s nuk paguajnë mjaftueshëm për sigurinë e tyre.

Ai lavdëroi daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe tha se politikat liberale të bllokut ndaj emigrantëve mund të bëjnë që edhe vende të tjera të lënë BE-në.

Trump tha se britanikët nuk do ta braktisnin BE-në po të mos ishin përfshirë nga kriza me migrantë.

Trump tha se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë “gabim katastrofik” me pranimin e mbi një milion migrantëve në vend, në vitin 2015.

Ai tha se Merkel, deri më tash, ka qenë udhëheqësja më e rëndësishme e Evropës dhe se Bashkimi Evropian është bërë mjet për Gjermaninë.

Duke u ndalur te Lindja e Mesme, Trump dënoi pushtimin e Irakut më 2003 dhe tha se ai mund të ketë qenë gabimi më i keq në historinë e SHBA-së.

Trump tha se do të emërojë dhëndrrin e tij, Jared Kushner, për të ndërmjetësuar marrrëveshjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Ai po ashtu theksoi se prioritet i tij do të jetë krijimi i marrëveshjeve më të drejta tregtare për SHBA-në dhe forcimi i kufijve.

“Njerëzit nuk duan që të vijnë njerëz të tjerë dhe të shkatërrojnë vendin e tyre. Ne do t’i forcojmë kufijtë nga dita që marr detyrën”, tha Trump.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të marrë detyrën e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.

Paraardhësi i tij, Barack Obama, përfundon detyrën pas dy mandatesh katërvjeçare.

Përgatiti: Valona Tela

William Walker: Ja pse më nuk flas me Thaçin (Video)

Njeriu që alarmoi botën për atë që ndodhi në Reçak ishte ish-ambasadori William Walker.

Njeriu që e nderojnë shumë kosovarët nuk ka raporte të mira me disa nga politikanët e vendit.

Të shtunën, gjatë përurimit të shtatores së tij në Reçak, ish ambasadori u tregua që nuk e ka mik presidentin Hashim Thaqi.

Atë, asnjëherë nuk e përshëndeti.

 

Ligjëvënësit Lewis, Van Hollen flasin kundër Presidentit të zgjedhur

Disa ditë para ceremonive në Shtetet e Bashkuara për nder të udhëheqësit të Lëvizjes së të Drejtave Civile afrikano-amerikane, Martin Luther King, Jr., Donald Trumpi kritikoi ligjvënësin John Lewis, një tjetër udhëheqës për të drejtat civile.

Kritikat u bënë pasi zoti Lewis tha se ai nuk e konsideron zotin Trump “president legjitim” për shkak të asaj që Lewis beson se ishin përpjekje të Rusisë për të ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën.

Në një intervistë të premten në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, që transmetohet të dielën, zoti Lewis tha “Unë besoj se duhen bërë përpjekje për të punuar me të tjerët. Por do të jetë e vështirë. Do të jetë shumë e vështirë. Unë nuk e konsideroj presidentin e zgjedhur si president legjitim”.

Në disa postime në Twitter të shtunën në mëngjes, presidenti i zgjedhur tha se në vend që ta kritikojë atë, ligjvënësi Lewis duhet të përqëndrohet t’u shërbejë njerëzve që ai përfaqëson.

Një tjetër ligjvënës demokrat foli kundër presidentit të zgjedhur duke thënë “Ne nuk do ta lejojmë Donald Trump-in të groposë imazhin e Statujës së Lirisë”. Komenti u bë të shtunën nga senatori Chris Van Hollen i Merilendit, në një kishë historike afrikano-amerikane në qendër të Uashingtonit.

Zoti Van Hollen po fliste në një nga dhjetra tubimet dhe protestat e mbajtura në të gjithë Amerikën të shtunën, gjashtë ditë para inaugurimit të presidentit të ri.

Donald Trump u bë një figurë polarizuese gjatë fushatës së tij me komentet anti-emigrantëve, premtimet e tij për të ndërtuar një mur në kufirin me Meksikën, dhe premtimit të tij për të marrë masa të ashpra kundër myslimanëve që vijnë në vend.

Në Uashington, kleriku Al Sharpton udhëhoqi një marshim po ashtu të shtunën. “Ne kemi ardhur t’i themi demokratëve dhe republikanëve të moderuar në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve që të bëhen të guximshëm”, tha ai duke i bërë thirrje politikanëve që të mos lejojnë zotin Trump dhe përkrahësit e tij republikanë të ndërmarrin projekt-ligje që do të veprojnë kundër interesave të të varfërve dhe klasës punëtore.

Një ditë pas inaugurimit të zotit Trump, më 21 janar, rreth 200 mijë njerëz nga i gjithë vendi priten të marrin pjesë në Marshimin e Grave për të protestuar presidencën e re.

Që nga fitorja befasuese e zotit Trump në nëntor, protesta kundër presidencës së tij janë mbajtur rregullisht në të gjithë vendin.

Në ditën e sanksioneve, ndihmësi i Trumpit ka folur me ambasadorin rus

Michael Flynn, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka marrë një thirrje nga ambasadori i Rusisë, muajin e kaluar, në ditën e njejtë kur presidenti, Barack Obama, i ka shpallur sanksionet e reja kundër Rusisë, për akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.

E përditshmja, Washington Post, dhe agjencitë e lajmeve, Reuters dhe Associated Press, raportuan se një zëdhënës i Trumpit ka konfirmuar mbrëmë se këshilltari, Michael Flynn, kishte pasur së paku një thirrje telefonike me ambasadorin e Rusisë, Sergey Kislyak, në ditën e njejtë, kur ishin shpallur sanksionet dhe vendimi për dëbimin e 35 diplomatëve rusë.

Fushata e zotit Trump fillimisht tha se bisedat telefonike kanë ndodhur një ditë para shpalljes së sanksioneve më 29 nëntor, por më vonë ka pranuar se një thirrje ishte bërë në ditën e shpalles së valës më të re të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.

Agjencia Reuters i ka cituar tre zyrtarë që kanë thënë se pesë thirrje telefonike kanë ndodhur atë ditë.

Zyrtari i SHBA: Serbia dhe Kosova të angazhohen në dialog për çështjen Haradinaj

Një diplomat i lartë amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialog dhe të zbutin mosmarrëveshjet lidhur me arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzohet për krime lufte nga zyrtarët në Beograd.

Hoyt Brian Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, i tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës se është me rëndësi të mos lejohet që asnjë incident, qoftë arrestim apo tensione të tjera dypalëshe, të ndikojë në procesin e rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve fqinje.

Duke vepruar në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, policia franceze ndaloi më 4 janar ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Autoritetet serbe synojnë ta gjykojnë atë vepra penale që ata thonë se lidhen me luftën në Kosovë. Të enjten, një gjykatë franceze e apelit e liroi me kusht zotin Haradinaj, por e urdhëroi atë të qëndrojë në Francë në pritje të një rishikimi të kërkesës serbe për ekstradim. Dje, Serbia kërcënoi se do të refuzojë të ekstradojë personat e kërkuar nga Franca, nëse autoritetet franceze nuk e dorëzojnë zotin Haradinaj.

Kjo çështje kërcënon procesin e brishtë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që do t’i shtonte mundësitë e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

“Ne i nxisim udhëheqësit përgjegjës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje,” tha zoti Yee. “Ky incident, – tha ai, – mund të zgjidhet nëpërmjet institucioneve, në përputhje me ligjin në Francë, ose jashtë Francës. Këto lloj incidentesh mund të zgjidhen dhe ne jemi të sigurt se do të zgjidhen”, tha diplomati amerikan.

Trumpi: Mund të anulojmë sanksionet ndaj Rusisë

Trumpi është shprehur se nëse me Moskën zhvillohen marrëdhënie të mira sanksionet mund të hiqen

NEW YORK – Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, tha se mund të hiqen sanksionet kundrejt Moskës nëse zhvillohen marrëdhënie të mira me Rusinë.

Trump në një intervistë për gazetën Wall Street Journal ka bërë deklarata në lidhje me marrëdhëniet e SHBA-ve me Rusinë dhe Kinën.

Pasi ka vënë në dukje se pas marrjes së detyrës presidenciale më 20 janar nga Barack Obama do të vazhdojë edhe për një kohë sanksionet që SHBA zbaton ndaj Rusisë, Trump është shprehur se nëse me Moskën zhvillohen marrëdhënie të mira sanksionet mund të hiqen.

“Nëse kaloni mirë dhe nëse Rusia më të vërtetë do të na ndihmojë pse të vendosësh sanksione kundër njërit që kryen gjëra të mira”, është shprehur Trump.

Politika e SHBA-ve “një Kinë e vetme”

Duke bërë vlerësime edhe në lidhje me politikën “një Kinë e vetme” të SHBA-ve e cila e pranon Tajvanin si një pjesë të Kinës, Trump ka njoftuar se mund të negociojnë gjithçka me Kinën.

Ndër të tjera Trump ka shtuar se ndoshta nuk do ti përmbahen politikës “një Kinë e vetme” nëse nuk ka ndonjë ndryshim në zbatimet tregtare të Kinës.

Kina u shqetësua pasi Trump pas zgjedhjes së tij si president kishte kryer një bisedë telefonike me lideren e Tajvanit, Tsai Ing-wen, dhe kjo ndodhte për herë të parë që prej vitit 1979 kur SHBA-ja ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin.

Disa ligjvënës e bojkotojnë inaugurimin e Trumpit

Ligjvënësi demokrat John Lewis

Së paku tetë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se do ta bojkotojnë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ndërsa disa prej tyre si arsye e kanë cituar dëshminë se rusët mund ta kenë ndihmuar Trumpin që të zgjedhet.

“Nuk e shoh këtë president të zgjedhur si president legjitim”, tha anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, John Lewis, demokrat nga Gjeorgjia.

“Mendoj se rusët morën pjesë për ta ndihmuar këtë njeri”, i tha rrjetit NBC zoti Lewis, që është anëtar i Partisë Demokratike, duke iu refereuar raporteve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ku theksohet se rusët kishin ndërhyrë në zgjedhje nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe mënyrave të tjera, me qëllim që të ndihmohej zoti Trump.

Lewis tha se rusët “ndihmuan në shkatërrimin e kandidaturës së Hillary Clintonit”.

Mospraninë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, më 20 janar, e kanë paralajmëruar edhe ligjëvënësit e tjerë demokratë, Raul Grijalva, Nydia Velazquez, Barbara Lee, Earl Blumenauer, Katherine Clark, Jared Huffman dhe Luis Gutierrez.

Shumica prej tyre si arsye e kanë cituar atë që ata e vlerësuan si “mosrespekt” për femra, minoritete dhe persona të jashtëm.

Spicer: Pas inaugurimit, Trumpi mund të bisedojë në telefon me Putinin

Michael Flynn, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar ka biseduar në telefon me ambasadorin rus në SHBA, e raporton Reuters njoftimin e dhënë nga zëdhënësi i Trump, Sean Spicer.

Biseda është bërë me qëllim të planifikimit të një bisede telefonike në mes të presidentit të zgjedhur amerikan dhe liderin rus, Vladimir Putin.

Sipas këtij njoftimi, biseda telefonike planifikohet pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar.

Biseda telefonike e cila është bërë më 28 dhjetor ka ndodhur pas shkëbimit të disa mesazheve telefonike në mes të Flynn dhe ambasadorit rus, për Krishtlindje.

Trumpi premton raport për sulmet ruse

Në një seri komentesh që bëri sot në Twitter, presidenti i zgjedhur Donald Trump premtoi se brenda 90 ditëve do të nxjerrë një raport rreth akuzave se Rusia ka ndërmarrë sulme kibernetike.

Duke cituar pohimet ruse se ata nuk kanë ndonjë informacion, zoti Trump ua hedh fajin operativëve politikë, që i quan “të neveritshëm”, si dhe “kundërshtarëve politikë,” dhe “njerëzve të zbulimit” për sajimin, siç thotë ai, dhe publikimin e raporteve që përmbajnë informacion komprometues rreth tij.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se sulmet kibernetike ruse ndikuan në rezultatet e zgjedhjeve – pretendim që zoti Trump tha se ishte i vërtetë gjatë një konference shtypi të mërkurën.

Ai mohoi gjithashtu me forcë një raport të pakonfirmuar se Rusia zotëron informacione personale komprometuese rreth tij.

Obama nderon Bidenin me Medaljen e Lirisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka dhënë nënpresidentit Joe Biden Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është nderi më i lartë civil në SHBA.

Obama ka thënë se Biden ka pasur besim tek amerikanët, dashuri për vendin dhe se ka kaluar gjithë jetën në shërbim.

Çmimi vjen në kohën kur Obama dhe Biden po përgatiten të lënë zyrën, pasi presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të inaugurohet më 20 janar.

Biden ka thënë se “ka qenë pjesë e udhëtimit të një njeriu të shquar, i cili ka bërë gjëra të jashtëzakonshme”.

Biden ka thënë se planifikon të mbetet aktiv në politikat e Partisë Demokratike.

Të nominuarit e Trumpit duan qasje më të rreptë ndaj Rusisë

Dy të nominuar për sigurinë kombëtare në administratën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Rusia po bën përpjekje të përçajë institucionet amerikane dhe evropiane, ndërsa kanë mbështetur qasjen më agresive të inteligjencës dhe ushtrisë për t’iu kundërvënë Moskës.

Komentet e James Mattis dhe Mike Pompeo, të nominuar nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, për të udhëhequr Pentagonin, respektivisht CIA-n, janë në kundërshtim me retorikën e Trumpit gjatë fushatës parazgjedhore dhe pas zgjedhjes së tij më 8 nëntor.

Mattis dhe Pompeo i kanë bërë komentet në seanca të ndara dëgjimore në Senat. Të dy ata kanë kritikuar Rusinë, duke e cilësuar si aktor agresiv, që duhet të përballet me rezistencë të patundur të SHBA-së në skenën ndërkombëtare.

Mattis, ish-gjeneral i Korpusit të Marinës, i tha Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po bën përpjekje të prishë aleancën e NATO-s dhe se Uashingtoni duhet t’i kundërvihet sjelljes ruse.

“Ne e dimë se ai (Putin) po bën përpjekje të prishë Aleancën Veri-atlantike dhe ne duhet të marrim hapa, hapa të integruar – diplomatikë, ekonomikë, ushtarakë… duhet të punojmë me aleatët tanë për t’u mbrojtur”, tha Mattis.

Mattis tha se Rusia ka zgjedhur një “konkurrent strategjik”. Ai tha se nuk e kundërshton bashkëpunimin me Moskën, porse SHBA duhet të jetë syhapur ndaj veprimeve dhe qëllimeve të saj.

I pyetur për kërcënimet kryesore ndaj interesave të SHBA-së, Mattis tha se ato nisin nga Rusia.

“Unë jam për bashkëpunim, por po ashtu duhet të pranojmë realitetin dhe atë që është e gatshme ta bëjë Rusia”, tha Mattis, i cili ka udhëhequr divizione të Marinës në pushtimin e Afganistanit më 2001 dhe në pushtimin e Irakut më 2003.

Pompeo, në anën tjetër, i tha Komitetit të Inteligjencës të Senatit se Rusia “ka riafirmuar veten duke pushtuar në mënyrë agresive Ukrainën, duke kërcënuar Evropën dhe duke mos bërë asgjë për të ndihmuar në shkatërrimin dhe mposhtjen e militantëve të Shtetit Islamik”.

“Një fushë ku duhet të ketë fokus në rritje, është kibernetika. Kundërshtarë të sofistikuar, si Kina dhe Rusia, dhe kundërshtarë më pak të sofistikuar, si Irani dhe Koreja e Veriut, grupet terroriste, organizatat kriminale dhe hakerët po përfitojnë nga ky mjedis i ri pa kufij. CIA duhet të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj çështjeje”, tha Pompeo.

Komiteti i inteligjencës i SHBA-së ka akuzuar Putinin për urdhërimin e sulmeve kibernetike gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, të cilat thuhet se kanë dëmtuar rivalen demokrate të Trumpit, Hillary Clinton, në zgjedhje.

Trump, i cili thotë se do që të përmirësojë lidhjet me Moskën, ka hedhur dyshime mbi gjetjet e inteligjencës, edhe pse, më 11 janar, ka pranuar se Rusia mund të qëndrojë pas sulmeve kibernetike. Trump insiston se sulmet e tilla nuk kanë pasur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.

Rusia, në anën tjetër, ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në sulmet kibernetike.

Përgatiti: Valona Tela

Drejtori i FBI-së hetohet për letrën kontroverse rreth hetimeve ndaj Clintonit

Zyra e inspektorit të përgjithshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë ka njoftuar të enjten se do të hapë një hetim rreth vendimit të marrë në tetor të 2016’s nga James Comey, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), për të informuar Kongresin për një hetim të ri ndaj Hillary Clintonit për përdorim të postës elektronike private për punë zyrtare – vendim ky që Clinton ka thënë se i ka kushtuar asaj me humbje në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Zyra e inspektorit të përgjithshëm ka thënë se hetimi vjen pas ankesave nga anëtarët e Kongresit dhe nga publiku për veprimet e FBI’së dhe të Departamentit të Drejtësisë gjatë fushatës, që mund të kenë qenë të motivuara politikisht, raporton The New York Times.

Kryesori, në mesin e këtyre veprimeve, ka qenë vendimi i Comeyt për t’i shkruar dy letra në lidhje me çështjen e emailave 11 ditë para zgjedhjeve, duke krijuar një valë të lajmeve të dëmshme për skandalin në fund të fushatës zgjedhore, transmeton Gazeta Express.

Në fund, emailat e rinj që FBI kishte hetuar – që ishin zbuluar gjatë një hetimi të pavarur ndaj Anthony Weinerit, burrit të këshilltares kryesore të Clintonit, Huma Abedin – kishin rezultuar të parëndësishëm.

Por, inspektori i përgjithshëm, Michael Horowitz, ka thënë se ai do të hetojë edhe çështje të tjera, përfshirë atë nëse zëvendësdrejtori i FBI’së, gruaja e të cilit ka kandiduar si demokrate për Senatin e Virxhinias, është dashur të distancohej nga hetimi ndaj Clintonit. Një çështje tjetër është ajo nëse një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i ka dhënë informata ekipit zgjedhor të Clintonit. /Express/

Mattis: SHBA përballet me faktin që Rusia ka zgjedhur të bëhet “konkurrent strategjik”

Ish- gjenerali i Marinës amerikane i nominuar për postin e Sekretarit të ri të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, James Mattis ka thënë se Rusia ka zgjedhur të bëhet “konkurrent strategjik” dhe se Uashingtoni duhet të përballet me këtë sjellje të Moskës.

James Mattis i ka bërë këto komente në një dëshmi në formë të shkruar para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, ku është mbajtur seanca e parë dëgjimore për këtë nominim të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Mattis, 66 vjeç, e ka udhëhequr okupimin e Afganistanit në vitin 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe më pas edhe okupimin e Irakut për largimin e Sadam Hyseinit nga pushteti në vitin 2003.

Më vonë ai udhëhoqi trupat amerikane për rimarrjen e qytetit të Falluxhës në një nga betejat më të përgjakshme në vitin 2004.

Më vonë ai e ka udhëhequr komandën qendrore amerikane në vitin 2010, duke mbikëqyrur operacionet ushtarake në Lindje të Mesme deri në pensionimin e tij në vitin 2013.

Trump: Rusia, sulm kibernetik për të ndikuar në zgjedhje

Presidenti i zgjedhur Donald Trump pranoi për herë të parë se Rusia depërtoi në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat në një përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Në një konferencë për shtyp dje, presidenti i ardhshëm amerikan mohoi gjithashtu me forcë një njoftim të pakonfirmuar se Rusia kishte informacion personal komprometues për të. Ai përsëri kritikoi ashpër agjencitë amerikane të zbulimit.

Në konferencën e pare për shtyp që kur fitoi zgjjedhjet, Donald Trump e pranoi se beson se Russia depërtoi në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit:

“Përsa i takon sulmit kibernetik, mendoj se ishte Rusia. Por ne sulmohemi edhe nga vende dhe persona të tjerë.”

Në një qëndrim që duket se e minimizon incidentin, ai përmendi sulmet kibernetike të Kinës ndaj Shteteteve të Bashkuara dhe paaftësinë e Partisë Demokrate për të mbrojtur kompjuterat:

“Komiteti Kombëtar Demokrat, ishte krejtësisht i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve. Ata bënë një punë shumë të dobët. Mund të kishin pasur masa mbrojtëse, si ne”.

Zoti Trump denoncoi gjithashtu me force një njoftim të pakonfirmuar se Rusia kishte informacion të papërshtatshëm dhe komprometues për të.

“Është lajm i rremë. Është shpifje. Nuk ka ndodhur”.

Zoti Trump vlerësoi Presidentin rus, Vladimir Putin që tha se raporti ishte i pavërtetë dhe falenderoi organizatat e medias që vendosën të mos ta botojnë atë, si dhe sulmoi agjencitë e zbulimit:

“Ata e panë se sa i pakuptimtë ishte njoftimi që u bë publik ndoshta nga agjencitë e zbulimit që nëse është e vërtetë do të ishte një një njollë në reputacionin e tyre”.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër CNN-in që transmetoi njoftimin për këto akuza.

Me një numër të madh dosjesh me dokumenta financiare dhe ligjore me vete, zoti Trump njoftoi se nuk do të heqë dorë nga pronësia e bizneseve të tij, ose ti vërë ato nën kontrollin e njerëzve të panjohur gjatë presidencës.

Zoti Trump tha se djemtë e tij do ta menaxhojnë biznesin dhe nuk do ta diskutojnë me të.

Por disa, si analisti Larry Sabato, thonë se kjo nuk është e mjaftueshme:

“Asnjë zyrë ose ekspert etike i pavarur në vend, beson se kjo është e mjaftueshme. Por është e qartë që vetëm kaq do të mund të marrim”.

Por zoti Trump këmbëngul që hapat që ai ka marrë, do të jenë të mjaftueshme për të shmangur çdo konflikt interesi ndërsa është president.

Clapper: Inteligjenca amerikane nuk ua dha mediave dokumentin për Trumpin

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper

Një zyrtar i lartë i inteligjencës i ka thënë presidentit të zgjedhur, Donald Trump se agjencitë amerikane të inteligjencës nuk e kanë shkruar e as rrjedhur në media një dokument ku hidhen dyshime se operativët rusë kanë mbledhur “informacione komprometuese” për Trumpin.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper, ka thënë se ai ka biseduar me Trump më 11 janar, pasi është publikuar lajmi se Trump, derisa është informuar për sulmet kibernetike ruse, i është thënë se dyshohet që operativët e inteligjencës ruse kanë mbledhur informacione komprometuese personale dhe financiare rreth Trumpit.

“E nënvizova se ky dokument nuk është prodhim i komunitetit të inteligjencës amerikane dhe se nuk besoj që rrjedhja në media është bërë nga dikush brenda komunitetit”, ka thënë Clapper, duke shtuar se rrjedhjet e “dëmtojnë sigurinë kombëtare”.

Para së gjithash, ka thënë ai, agjencitë e inteligjencës nuk e kanë vlerësuar burimin e këtyre informacioneve si “të besueshëm”.

Sipas Associated Press, dosja përmban informacione të paverifikuara rreth bashkëpunimit të afërt të rrethit të brendshëm të Trumpit me rusët sa i përket sulmeve kibernetike ndaj llogarive të demokratëve. Aty, duke u mbështetur në burime anonime, raportohet se ka edhe pretendime të paverifikuara për aktivitete seksuale të Trumpit.

Trump është zemëruar shumë nga raportimet e mediave rreth dosjes duke e quajtur “lajm të rremë”. Ai gjithashtu ka akuzuar agjencitë e inteligjencës se e kanë rrjedhur dokumentin në media.

McCain deklaratë me shkrim: Rusia posedon “informacione konfidenciale” për Trumpin

WASHINGTON – Senatori në Arizona të SHBA-ve republikani John McCain ka njoftuar se në fund të vitit të kaluar ai i ka dhënë Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) një dosje e cila tregon se Rusia posedon “informacione konfidenciale” në lidhje me presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Në SHBA nuk po rreshtin debatet në opinionin publik në lidhje me atë se Rusia posedon informacione konfidenciale në lidhje me jetën private të Donald Trumpit i cili më 20 janar do të marrë postin e presidencës në Shtëpinë e Bardhë.

Një prej emrave të njohur të Partisë Republikane McCain në një deklaratë me shkrim ka theksuar se në fund të vitit të kaluar ai i ka dhënë FBI-së një dosje e cila tregon se Moska posedon informacione konfidenciale në lidhje me jetën private të Trump.

McCain është shprehur se ka menduar se mënyra më e drejtë ka qenë t’i përcillte këtë dosje FBI-së pasi ai nuk kishte mundësi të vërtetonte saktësinë e informacionit në dosje.

Ditë më parë në lajmet e medias amerikane ishte njoftuar se shërbimet inteligjente amerikane i kanë paraqitur një raport presidentit amerikan Barack Obama dhe Trump-it se “Rusia ka informacione konfidenciale në lidhje me jetën private të Trump-it”.

Në rapot vihej në dukje se njësitë e shërbimeve inteligjente të Rusisë kanë mbledhur informacione për kandidatin republikan Trump dhe për kandidaten demokrate Hillary Clinton ku ata kanë shpalosur vetëm informacionet për të ndikuar negativisht ndaj fushatës zgjedhore të Clintonit.

Ndërsa Trump lidhur me informacionet e paraqitura për të në raport tha se këto informacione janë të pasakta. “Këto janë lajme të rreme. Kjo është plotësisht gjueti shtrigash”, tha ai. aa

Mesazhi i Obamës, më popullori në Twitter

Barack Obama është presidenti i parë amerikan që përdor gjerësisht mediat sociale dhe në përfundim të fjalimit të tij të martën mbrëma, ai dërgoi mesazhin më popullor në Twitter përmes llogarisë së tij presidenciale në këtë media.

“Faleminderit për gjithçka. Kërkesa ime e fundit është sikurse ajo e para. Ju kërkoj që të keni besim, jo tek aftësia për të krijuar ndryshim, por tek e juaja”, – shkruante Presidenti tel llogaria e tij në Twitter @POTUS.

Deri të mërkurën në mesditë ky mesazh i Presidentit ishte ridërguar 500 mijë herë në Twitter, një shifër kjo që ja kalon mesazhit të tij më popullor, mbi vendimin e Gjykatës së Lartë për të shfuqizuar vendimet e disa shteteve që ndalonin martesën mes homoseksualëve.

Llogaria në Twitter e Presidentit, @POTUS, ka mbi 13 milionë pasues, ndërsa ajo personale @BarackObama ka mbi 80 milionë pasues.
Llogaria presidenciale në Twitter @POTUS do t’i kalojë Presidentit të zgjedhur Donald Trump, sapo ai të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar.

Llogaria në Twitter e zotit Trump, @RealDonaldTrump ka aktualisht 19.5 milionë pasues.

Trumpi hedh poshtë pretendimet për të dhëna komprometuese ndaj tij

Presidenti i zgjedhur Donald Trump hodhi poshtë me indinjatë pretendimet se Rusia kishte informacion që mund ta komprometonte atë.

Pasi e shprehu reagimin ndaj njoftimeve të së martës, ai e përsëriti mohimin e tij në konferencën e parë për shtyp si president i zgjedhur të mërkurën.

“Mendoj se është e paturpshme që informacioni u bë publik. Unë e lexova informacionin jashtë atij takimi. Janë lajme të rreme. Nuk është vërtetë”. tha ai.

Shtypi amerikan shkruante se dyshimi që Rusia mund të ketë patur fakte kompromentuese, dihej që në muajt e fundit të vitit të kaluar nga disa gazetarë dhe politikanë në Uashington.

Informacioni, sipas shtypit amerikan që po raporton për të, nuk është i konfirmuar.

Njoftimi për ekzistencën e fakteve kompromentuese ndaj zotit Trump, është hartuar në bazë të raporteve të një ish agjenti të zbulimit britanik, që ka kontakte të shumta në Rusi, puna e të cilit në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara është konsideruar e besueshme, gjithmonë sipas njoftimeve të shtypit amerikan.

CNN-i, tha se FBI-ja ishte njoftuar që në gusht të vitit të kaluar, disa muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.

“Ajo që ka ndryshuar është fakti që agjencitë amerikane të zbulimit i kanë kontrolluar raportet e ish agjentit britanik dhe rrjetin e tij të gjerë të kontakteve në Evropë dhe kanë arritur në përfundimin se ai dhe burimet e tij janë të besueshme për t’u përfshirë në informacionin që i dhanë presidentit të zgjedhur Trump”, sipas raportimit të CNN-it.

Avokati i zotit Trump, Michael Cohen u tha gazetarëve se akuzat janë të rreme dhe ishin shpikur për të hedhur dritë negative ndaj zotit Trump.
Në Moskë, zëdhënësi i Presidentit rus, Dmitry Peskov that ë mërkurën se pretendimet kanë si synimtë dëmtojnë marrëdhëniet amerikano-ruse.

Trump: Putini nuk duhet të sulmojë më institucionet amerikane

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka pranuar se Rusia ka kryer sulme kibernetike në institucione, duke shtuar se Vladimir Putin është përgjegjës.

Trump i ka bërë këto deklarata gjatë konferencës me gazetarë më 11 janar, të parën prej muajit korrik dhe me gjasë e fundit derisa të nis detyrën zyrtarisht si president, më 20 janar.

Fitorja zgjedhore e Trumpit në nëntor është përcjellur me konkludimet e agjencive amerikane të inteligjencës që thonë se qeveria ruse ka përkrahur hakerët që kanë ndërhyrë në serverët e partive politike amerikane.

Trump e ka pranuar se disa sulme kibernetike kanë ndodhur, por ai e ka hedhur poshtë mundësinë që kjo të ketë ndikuar në votim.

Gjatë konferencës me gazetarë që është mbajtur në zyret e tij në Manhatan të qytetit të New Yorkut, Trump është munduar të zbusë rëndësinë e të gjeturave të inteligjencës, duke thënë se Rusia është vetëm një nga shumë shtetet që “na kanë hakuar”.

Mirëpo, ai gjithashtu i ka bërë jehonë konkludimeve të inteligjencës që thonë se Putini personalisht i ka urdhëruar hakerët që të ndërhyjnë në partitë politike amerikane dhe të vjedhin emailat e tyre.

“Ai nuk duhet ta bëjë këtë. Ai nuk do e bëjë më. Rusia do të ketë më shumë respekt kur unë të udhëheqë se sa kur të tjerët e udhëheqin vendin”, ka thënë ai.

Trump: Marrëdhëniet e mira me Putinin janë pasuri

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë se ai nuk e di nëse do të ketë marrëdhënie të mira me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por tha se një marrëdhënie e mirë do të ishte një “pasuri”.

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit ka rënë në hije nga konkludimet e agjencive amerikane të inteligjencës që thonë se qeveria ruse ka përkrahur hakerë të cilët kanë ndërhyrë në serverët e partive politike amerikane.

Trump e ka pranuar se disa prej sulmeve kibernetike kanë ndodhur, por e ka hedhur poshtë mundësinë se kjo të ketë ndikuar në votim.

Gjatë konferencës me gazetarë, ai ka shprehur besim se do të jetë në gjendje të përmirësojë marrëdhëniet e dëmtuara me Kremlinin.

“Nuk e di nëse do t’ia kalojë mirë me Vladimir Putinin”, ka thënë Trump.

Ai ka shtuar: “Nëse Putini e pëlqen Donald Trumpin, unë këtë e konsiderojë si pasuri, jo pengesë sepse ne kemi marrëdhënie tejet të këqija me Rusinë”.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, raportin që thuhet se përmbanë informacione komprometuese të mbledhura nga Rusia e ka quajtur “lajm të rremë” i hartuar nga “njerëz të sëmurë”.

Trump e tha këtë gjatë konferencës me gazetarë në zyret e tij në Manhatan të qytetit të New Yorkut dhe pas raportimeve të shumta që fokusohen në rolin që Rusia mund ta ketë luajtur në përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Këto ngjarje kanë arritur kulmin më 10 janar kur media të ndryshime raportuan për një dosje me informacione sekrete që i është dorëzuar presidentit Barack Obama javën e kaluar në përmbajtjen e të cilës thuhet se ka material komprometues personal dhe financiar për Trumpin.

Trump, i cili është zotuar se do të punojë për marrëdhënie më të mira me Moskën, edhe para konferencës e ka hedhur poshtë raportin përmes disa postimeve në Tëitter.

“LAJME TË RREME – GJUETI TOTALE POLITIKE E SHTRIGAVE!”, ka shkruar ai në njërin prej cicërimave.

“Rusia asnjëherë nuk bërë përpjekje të më shantazhojë. NUK KA FARE TË BËJË ME RUSINË – S’KA MARRËVESHJE, S’KA KREDI, NUK KA ASGJË!”, ka thënë ai në postimin e dytë.

Konferenca e sotme me gazetarë është e para e Trumpit prej korrikut dhe me gjasë e fundit derisa ai formalisht të nis mandatin presidencial më 20 janar. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Presidenti i Zgjedhur Trump flet për Rusinë dhe bizneset e tij

Në konferencën e tij të parë për shtyp që prej thuajse gjashtë muajsh, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, u përball me pyetje për përfundimet e agjencive të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e nëntorit.

“Mendoj se Rusia ishte përgjegjëse”, tha zoti Trump.

Ai foli gjithashtu për konflikte të mundshme interesash lidhur me bizneset e tij globale.

Një avokate e Presidentit të zgjedhur tha se nuk ka pse të pretendoher që ai “të shkatërrojë kompaninë që ndërtoi”.

Zoti Trump tha do t’ia kalonte plotësisht kontrollin e bizneseve të tij djemve të tij dhe se ata nuk do të diskutojnë për këto biznese me të.

Konferencën e fundit për shtyp në korrik të vitit të kaluar, ai e filloi me kritika të forta ndaj kundërshtarit demokrat, zonjës Hillary Clinton për mungesë të konferencave për shtyp me gazetarët.

“Kanë kaluar 235 ditë që kur mashtruesja Hillary Clinton ka dhënë një konferencë për shtyp,” tha zoti Trump në atë kohë.

Shumica e presidentëve të Amerikës kanë dhënë konferenca për shtyp brenda pak ditësh pas fitimit të zgjedhjeve. Ndërsa Trump ka qenë aktiv në rrjetin social Twitter dhe ka bërë deklarata të shkurtra gjatë procesit të përgatitjeve të tij për të marrë detyrën më 20 janar, ai zyrtarisht nuk ka dhënë konferencë shtypi me pyetje dhe përgjigje për gazetarët.

Ai fillimisht kishte planifikuar të mbante një konferencë shtypi në mes të dhjetorit, ku do të diskutonte mbi hapat për të hequr dorë nga bizneset e tij në përpjekje për të shmangur konfliktin e interesit, por më vonë vendosi ta shtynte konferencën. Trump ka një portofol të gjerë biznesi në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit që ka ngritur pyetje mbi mënyrën se si ai do t’i menaxhojë bizneset e tij pasi të fillojë detyrën si president i vendit.

Zoti Trump pritet të përballet me pyetje rreth pretendimeve se Rusia ka mbledhur informacione mbi të që në të ardhmen mund të përdoren kundër tij dhe njoftimet se anëtarë të personelit të fushatës së tij kanë bashkëpunuar me shërbimet ruse të zbulimit për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet. Donald Trump, avokati i tij dhe një zëdhënës i presidentit rus i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i quajtur ato të rreme.

Joe DioGuardi: Nëse Ali Ahmeti bën marrëveshje me Gruevskin do kuptojmë se ai nuk bën për çështjen kombëtare

Ish-Kongresmeni Joe Dioguardi flet në emisionin 7pa5 në lidhje me situatën në Maqedoni.Si njohës i mirë i situatës, Joe DioGuardi thotë se “që kur është nënshkruar marrëveshja e Ohrit 15 vite më parë, asgjë nuk ka ndodhur, sepse ajo nuk është implementuar. Sot për herë të parë sllavët janë të përçarë, dhe është hera e parë që shqiptarët mund të bashkëpunojnë dhe të marrin atë që u takonte 15 vite më parë. Pra shqiptarët e Maqedonisë duhet të qendrojnë të bashkuar dhe ta mbajnë gjallë këtë koalicion.

Asnjë parti shqiptare nuk duhet ta shkelë këtë marrëveshje deri sa të arrijnë një pakt në rrang shtetëror që u garanton atyre të drejtat që u takojnë nga Marrëveshje e Ohrit. Me fjalë të tjera, të drejta të plota për përdorimin e gjuhës, të drejta të plota për mundësitë ekonomike rajonale etj”, nënvizon Joe DioGuardi.

Joe DioGuardi thotë se “shqiptarët në Maqedoni duhet të kërkojnë të drejtat e tyre që u takojnë. Janë të paktën 40% e popullësisë të Maqedonisë shqiptare. Nuk janë 25 % shqiptarët në Maqedoni. Disa thonë se janë 50% e popullësisë.Sllavët nuk dinë të numërojnë. Sllavët numërojnë si komunistët.”

Më tutje DioGuardi vijon: “Është gjë e mirë që shqiptarët bashkohen me ta, mbase edhe ta riemërojnë Maqedoninë. Por Maqedonia mund edhe të mos ekzistojë më si shtet nëse shqiptarët nuk do të kenë të drejtat e tyre të plota.  Kështu partitë shqiptare duhet të rrinë të bashkuara. Mos e dhëntë Zoti që Ali Ahmeti të bëjë marrëveshje me Gruevskin. Nëse e bën ne do ta kuptojmë se ai nuk është për çështjen kombëtare…. Ali Ahmeti ka 15 që është në koalicion me maqedonët dhe nuk e kanë përmbushur Marrëveshjen e Ohrit”

“Nëse Marrëveshja nuk funksionon, nëse nuk ndodh kjo, do të thotë se nuk ka vend për shqiptarët në Maqedoni”, nënvizon DioGuardi

Shikojeni intervistën e plotë.

Shirley DioGuardi: Nëse Haradinaj do të ekstradohet në Serbi, kjo do të çojë në kryengritje të shqiptarëve

Në emisionin 7 pa 5 ish-Kongresmeni Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi folën rreth situatës pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë.

“Eshtë e trishtueshme”, tha Shirley Cloyes DioGuardi “që çdo anëtar i parlamentit të Kosovës me pasaportë diplomatike mund arrestohet dhe ekstradohet në Beograd. Unë jam shumë e shqetësuar për këtë.

Po flasim për dikë që ka qenë dy herë në Tribunalin e Hagës dhe prej andej ka dalë dy herë  i pafajshëm. Mendoj se gjendemi në një kohë shumë të vështirë. Nëse Haradinaj do të ekstradohet vërtetë në Serbi kjo do të çojë në kryengritje të shqiptarëve”.

Mendoj se është shumë e rëndësishme në Europën Juglindore që të thuhet “mjaft”, “është mjaft”.

Shqiptarët e Kosovës i mbijetuan genocidit të Milosheviçit, thotë Shirley.

Shirley DioGuardi mban qendrim kritik ndaj bisedimeve midis prishtinës dhe Beogradit që kanë nisur që në vitin 2013. Zonja DioGuardi kritikon politikanët që kanë përfaqësuar Kosovën në tryezën e bisedimeve. Janë nënshkruar 18 marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe vetëm 5 janë plotësuar pjesërisht.”

“Nuk është rasti i vetëm ramush Haradinajt. Edita Tahiri dhe shqiptarët e tjerë që ka përfaqësuar shqiptarët në tryezën e bisedimeve duhej të kishin thënë me  kohë që këto mandate arresti duhet të hiqen”.

Dëgjoni më tej intervistën.

Tillerson: ‘Rusia paraqet rrezik’

Rex Tillerson, në seancën dëgjimore në Senat

I nominuari i presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump, për sekretar të shtetit, tha se Rusia “paraqet rrezik’ dhe ka injoruar interesat e SHBA-së, deklarata këto që vijnë përkundër kritikave për lidhjet e tij me qeverinë ruse.

Ish kryesuesi i ExxonMobil, Rex Tillerson tha në një seancë dëgjimore të konfirmimit përpara komitetit për marrëdhënie me jashtë të Senatit se SHBA-ja përballet me “kërcënime të konsiderueshme” në mbarë botën, përfshirë edhe nga Rusia.

“Derisa Rusia kërkon respekt dhe peshë në skenën ndërkombëtare, aktivitetet e saj të fundit kanë injoruar interesat e Amerikës” ju tha Tillerson ligjvënësve në një dëshmi të përgatitur.

Ai tha se Moska “paraqet rrezik’ dhe se aleatët e SHBA-së kanë të drejtë që të alarmohen për “Rusinë e ringjallur”.

Por ai la të kuptohet se të dyja vendet duhet të kërkojnë bashkëpunim kudo që është e mundur, përfshirë edhe përpjekjet në luftën kundër terrorizmit.

Tillerson, ka udhëhequr më parë aktivitetet afariste të Exxon-it në Rusi, përfshirë edhe një marrëveshje zhvillimore në Arktik me gjigantin shtetëror të naftës Rosneft që u ndalua pasi Washingtoni vendosi sanksione ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë më 2014.

Tillerson, që publikisht ka kundërshtuar sanksionet, ka marrë një çmim miqësie nga Presidenti I Rusisë Vladimir Putin për aktivitetet e tij afariste në vend.

Seanca dëgjimore e konfirmimit zhvillohet në kohën kur inteligjenca e SHBA-së ka akuzuar Putinin për urdhërimin e një fushatë ndikuese që përfshinte edhe sulmet kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 8 Nëntorit, të cilat i ka fituar Trump.

Kremlini i ka kundërshtuar akuzat dhe Trump ka hedhur dyshime mbi vlerësimet.

Tillerson përballet me pyetjet rreth Rusisë në Senatin amerikan

Rex Tillerson, njeriu të cilin presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, e do për diplomatin kryesor të tij pritet të përballet me pyetje të ashpra për lidhjet e tij me Vladimir Putinin dhe për qëndrimet e tij ndaj sanksioneve ndaj Rusisë në një seancë dëgjimore që ka nisur në Senat.

Ish kryesuesit të ExxonMobil, Rex Tillerson-it, i duhet gjithashtu të bindë anëtarët e komitetit për marrëdhënie me jashtë të Senatit amerikan se mund të tejkalojë mungesën e përvojës në qeverisje dhe të jetë një sekretar efektiv i shtetit.

Seanca dëgjimore po bëhet në kohën kur janë shtuar shqetësimet e demokratëve dhe republikanëve për veprimet dhe qëllimete presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të cilin agjencitë amerikane të inteligjencës thonë se ka urdhëruar një fushatë të hakerimit dhe rrjedhjes së informacioneve me qëllim të minimit të besimit në procesin demokratik në SHBA, ndihmojë Trumpin dhe të diskreditojë rivalen e tij në zgjedhje Hillary Clinton.

Tillerson ka arritur marrëveshje me kompaninë ruse të naftës Rosneft dhe ka takuart disa herë Putinin, i cili e ka dekoruar me çmimin Urdhri i Miqësisë në vitin 2013.

Ai ka kundërshtuar sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë.

Por, Rex Tillerson, të cilin presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka propozuar për sekretar të shtetit, do të shpreh gjatë seancës dëgjimore në Senat shqetësimin për shkak të veprimeve të Rusisë në mbarë botën dhe do të kërkojë që vendet anëtare të NATO-s duhet të jenë të alarmuara për shkak të sjelljeve gjithnjë e më agresive të Rusisë.

Kështu thuhet në një tekst të një fjalimi të Tillerson, që ekipi i presidentit të zgjedhur Trump iu ka dërguar mediave më 10 janar

Por komentet e tij që shprehin shqetësimet për Rusinë duket se bien ndesh me pikëpamjet e shprehura nga Trump mbi nevojën për lidhje më të mira me atë vend.

“Aleatët tanë të NATO-s kanë të drejtë të jenë të shqetësuar me një Rusi të rigjallëruar” do të thotë Tillerson duke goditur edhe adminsitratën Obama.

“Në mungesë të një lidershipi amerikan kjo derë ka mbetur e hapur dhe sinjale të gabueshme”

“Derisa Rusia kërkon respekt dhe të tregohet e rëndësishme në skenën globale, aktivitetet e saj kanë treguar mospërfillje ndaj interesit amerikan” thuhet në këtë tekst.

“Rusia duhet ta dijë se ne do të jemi përgjegjës për përkushtimet tona dhe ato të aleatëve tonë dhe se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj”.

Kryeprokurori i ardhshëm Sessions thotë se nuk pajtohet me ndalesën e hyrjes së myslimanëve

Jeff Sessions gjatë dëgjimit të mbrëmshëm në një komitet të Senatit amerikan

Jeff Sessions, i nominuari i presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për prokuror të përgjithshëm, ka shprehur përkushtim që të qëndrojë kundër zotit Trump, nëse është e nevojshme, duke thënë se ai do ta kundërshtojë ndalesën e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Këto komente ai i bëri mbrëmë, gjatë dëgjimit dhe pyetjeve në një komitet të Senatit amerikan për konfirmimin e emërimit të tij, që zgjati më se 10 orë.

Zoti Sessions, që është senator republikan nga Alabama, tha se ai nuk do ta mbështesë ndalesën me të cilën dikujt nuk i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, në bazë të religjionit dhe se synimet e Trumpit ishin t’i kufizojë njerëzit nga vendet që i strehojnë terroristët, e jo të gjithë myslimanët.

Zoti Trump në një pikë të fushatës së tij, ka folur për propozimin që myslimanëve përkohësisht tu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Në postin e prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, do të shërbej si zyrtari më i lartë i agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe është pëgjegjës për dhënie të këshillave të paanshme juridike për presidentin dhe agjencitë ekzekutive.

Raportet: Trumpi është njoftuar për informacionet potenciale komprometuese

Mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar mbrëmë se agjencia FBI, po zhvillon hetime për vlefshmërinë e pretendimeve se operativët rusë kanë informacione kompromituese personale dhe financiare, për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Këto akuza ishin pjesë dyfaqëshe e bashkangjitur në raportin për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, dhe një shtesë që ishte konsideruar shumë e ndjeshme, me të cilën ishin njoftuar vetëm presidenti amerikan, Barack Obama, Donald Trumpi dhe tetë liderë të Kongresit, në takimet gjatë javës së kaluar, ka raportuar rrjeti CNN.

Informacione të tilla kanë cituar edhe e përditshmja New York Times, dhe agjencitë Reuters dhe AP, duke u mbështetur në zyrtarët amerikanë, që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zoti Trump është përgjigjur ndaj raporteve në rrjetin Twitter, duke thënë se ato janë “lajme të rrejshme, gjueti totale politike e shtrigave”.

Ekipi i tranzicionit të zotit Trump nuk u ishte përgjegjur menjëherë kërkesave për koment, kanë thënë mediat.

Pritet që sot më vonë gjatë ditës, zoti Trump do të paraqitet në konferencën e paralajmëruar për gazetarë në Nju Jork, në të cilën do të zbulohen planet për ndarjen nga interesat e tij biznesore, pasi ta filloj presidencën më 20 janar.

Uashingtoni përgatitet për inaugurimin e presidentit

Qindra mijëra vizitorë do të jenë në Uashington më 20 janar për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Përveç se do të ndjekin ceremoninë në shkallët e Kapitolit, shumë prej tyre do të marrin pjesë në paradën e inaugurimit dhe në ballo të ndryshme.

Nga dhomat e hoteleve luksoze tek dyqanet e suvenireve, të gjithë në Uashington janë duke u përgatitur për të pritur mbështetësit e presidentit të zgjedhur, të cilët vijnë nga i gjithë vendi.

Edhe pse disa hotele kanë ende vende, në hotelin më prestigjoz dhe më të shtrenjtë të Uashingtonit, “Four Seasons”, të gjitha dhomat janë shitur me çmime shumë më të larta për inaugurimin. Kjo suitë për shembull kushton 16 mijë dollarë nata. Dhe, për një qëndrim prej minimumi 4 netë, gjatë javës së inaugurimit, fatura shkon në 64 mijë dollarë.

“Duhet të kesh një stil të caktuar jetese për të përballuar minimumin prej katër netësh me një çmim që fillon nga 2 mijë dollarëshi. Do të vijnë njerëz nga partitë politike, nga biznesi, nga bankat dhe pothuajse nga çdo lloj aktiviteti tregtar”, thotë menaxheri David Bernard

Do të vihet re mungesa e shumë yjeve të Hollivudit, që ishin të pranishëm gjatë dy inaugurimeve të Presidentit Obama. Shumica e të ftuarve për inaugurimin e zotit Trump do të vijnë nga shtetet që mbështetën presidentin e zgjedhur. Do të ketë edhe vizitorë nga jashtë. Me rritjen e çmimit në hotele, janë vënë në dispozicion edhe shërbime shtesë.

“Kemi përgatitur ngrohës duarsh, kapele dhe të tjera si këto,” thotë zoti Bernand.

Hoteli ka përgatitur dhurata të përditshme për çdo dhomë, si kjo kuti ku është përdorur flori 24 karat me simbolin e vulës presidenciale. Ndërsa disa vizitorë marrin dhurata të shtrenjta, të tjerë blejnë suvenire më të lira.

Këtu, në Qendrën e Mirëseardhjes në Uashington, menaxheri i dyqanit shpreson që suveniret me zotin Trump të shiten shumë gjatë javës së inaugurimit. Ndër më të shiturat janë kapelet e bejsbollit.

“Kapelja me fjalët Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe shitet shumë. Përgjithësisht, shiten mjaft kapelet e bejsbollit.”

Disa janë blerë nga këta studentë të shtetit Xhorxhia, simpatizantë të zotit Trump.

“Mendoj se ai ka disa cilësi të mira. E di se ka edhe të këqiat e tij me të cilat shumë njerëz nuk pajtohen. Por mendoj se ai do t’i sjellë mjaft këtij vendi në aspektin ekonomik. Si biznesmen, ai mund të bëjë shumë për ekonominë”, thotë Henry Jones.

Jones nuk është i vetmi që flet për politikë në dyqan. Pas zgjedhjeve, si republikanët edhe demokratët nuk ngurrojnë të shprehin pikëpamjet e tyre.

“Republikanët, zakonisht flasin për para, ndërsa demokratët flasin më tepër për çështje të ditës, si plani shëndetësor Obamacare”, thotë Dexter Morse

Uashingtoni është një bazë e fortë e demokratëve, prandaj shumë njerëz këtu nuk janë të gëzuar që do të kenë zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, mbështetësit e presidentit të zgjedhur në aktivitetet inauguruese do të kenë rast të dërgojnë kartolina në shtëpitë e tyre me festimet për zgjedhjen e njeriut që ata simpatizojnë.

Fjalimi i lamtumirës i presidentit Obama

Në fjalimin e lamtumirës, presidenti Barack Obama theksoi besimin e tij se ndryshimi ndodh vetëm kur “njerëzit e zakonshëm angazhohen dhe bashkohen për ta kërkuar atë”. Ai e mbajti fjalimin në Çikago, në qendrën e konventave McCormick Place.

“Ju kërkoj të besoni jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim. Por në tuajën”, tha zoti Obama.

Presidenti në largim i tha mbështetësve në Çikago, qytetin ku ai nisi karrierën e tij politike, se ndryshimi është “zemra e idesë sonë amerikane – e eksperimentit tonë të guximshëm mbi vetëqeverisjen”.

Zoti Obama that se etërit themelues i dhanë amerikanëve lirinë për “t’i ndjekur ëndrrat tona individuale me djersë, punë dhe imagjinatë”.

A shop has a sign in the window reading thank you to U.S. President Barack Obama, who was making a stop nearby on his way to deliver his farewell address in Chicago, Ill., Jan. 10, 2017.

Zoti Obama iu rikthye mesazhit të fushatës së tij të parë për president në vitin 2008, parrulla e së cilës ishte “Yes, we can – Po, ne mundemi”.

Në një moment, ai u ndërpre nga njerëz që brohorisnin “Katër vjet më shumë!”

Obama u përgjigj, duke qeshur: “Unë nuk mund ta bëj këtë”.

Si pasojë e zgjedhjes së republikanit Donald Trump si presidenti i ardhshëm, Obama pranoi se përparimi i vendit ka qenë “i pabarabartë”. Ai tha se për “çdo dy hapa përpara, duket sikur kemi marrë një hap prapa”.

Por presidenti tha se vendi përpiqet të “lëvizë përpara; që të zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme besimi jonë themelues për përfshirjen e të gjithëve, dhe jo vetëm të disave”.

Zoti Obama tha se pas 10 ditësh bota do të jetë dëshmitare e një transferimi paqësor të pushtetit për një president të ri.

U.S. President Barack Obama delivers his farewell address in Chicago, Ill., Jan. 10, 2017.

Presidenti në largim tha se shpresat se ardhja e tij në pushtet do të shënonte fillimin e një Amerike pa probleme racore “nuk ishin realiste”.

Obama, i cili është 55 vjeç, tha gjatë fjalimit se ai ka jetuar kohë të mjaftueshme për të mësuar se marrëdhëniet racore janë më mirë se sa ishin 30 vjet më parë. Por ai shtoi se ai gjithashtu e di se “ne nuk jemi aty ku duhej të ishim”.

Ai tha se çdo çështje ekonomike nuk mund të portretizohet si një luftë mes të bardhëve punëtorë të shtresës së mesme dhe minoriteteve që nuk meritojnë.

Zoti Obama tha se zemrat duhet të ndryshojnë.

From left, Vice President Joe Biden, Jill Biden, first lady Michelle Obama and Malia Obama listen to President Barack Obama deliver his farewell address at McCormick Place in Chicago, Jan. 10, 2017.

Obama tha në fjalimin e tij të fundit si president se shumë familje në zonat urbane dhe vendet rurale janë lënë pas. Ai pranoi se pabarazia e skajshme dëmton parimet demokratike të vendit. Presidenti tha se shumë janë të bindur se qeveria i shërben vetëm interesave të të fuqishmve.

Presidenti e quajti këtë një “recetë për më shumë cinizëm dhe polarizim të politikës sonë.”

Ai tha se i kishte premtuar presidentit të zgjedhur Trump se administrata e tij do të “sigurojë një kalim pushteti sa më të patrazuar”, ashtu siç bëri për të paraardhësi i tij, presidenti George W. Bush.

Presidenti në largim tha: “Është detyra e të gjithë ne të sigurohemi se qeveria jonë mund të na ndihmojë me sfidat e shumta që përballemi”.

President Barack Obama waves as he arrives to speaks at McCormick Place in Chicago, giving his presidential farewell address, Jan. 10, 2017.

Ai tha se politika e kombit duhet të reflektojnë “mirësjelljen” e popullit amerikan.

Në fund, Obama tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një test të ashpër të demokracisë së tyre, në një fjalim që ishte një lamtumirë por dhe një lutje për t’u angazhuar.

“Demokracia ka nevojë të bazohet mbi njëfarë solidariteti,” tha ai. “Pavarësisht dallimeve tona të jashtme, na bashkon një fat,” vazhdoi presidenti. “Ne ngrihemi ose biejmë si një [njësi].”

President Barack Obama wipes his tears as he speaks at McCormick Place in Chicago, giving his presidential farewell address, Jan. 10, 2017.

Zonja e parë Michelle Obama dhe vajza e tyre e madhe, Malia, e shoqëruan presidentin në Çikago, po ashtu edhe Auma Obama, motra e tij nga Kenia.

Nënpresidenti Joe Biden, gruaja e tij, Jill Biden, shumë anëtarë dhe ish-anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe ata që punuan në fushatat e tij ishin gjithashtu të pranishëm.

SHBA: Fjalimi lamtumirës i presidentit Obama

Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, është në qytetin Çikago, ku ai do ta mbajë fjalimin lamtumirës, derisa mandati i tij i dytë dhe i fundit, po mbyllet.

Në fjalimin sonte vonë (në orën 3 të mëngjesit sipas kohës së Evropës së Mesme), pritet që zoti Obama do t’i trajtoj temat nga fillimi i presidencës së tij, përfshirë idenë se amerikanët kanë më tepër gjëra që i bashkojnë, se sa që i përçajnë.

Barack Obama, 55 vjeçar, me gjasë do t’i mbrojë të arriturat e presidencës së tij, përfshirë reformën madhore të kujdesit shëndetësor, marrëveshjen ndërkombëtare, që synon ndaljen e programit atomik të Iranit, dhe përmirësimin e raporteve me Kubën.

Të gjitha këto politika janë sulmuar nga pasardhësi i tij, presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump.

Në një video të Shtëpisë së Bardhë, që i paraprinë fjalimit, presidenti Obama, thotë se e konsideron këtë paraqitje lamtumirëse si “rast të falënderohet për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm” dhe për t’i reflektuar mësimet që i ka marrë gjatë tetë viteve të fundit në këtë post.

Ai largohet nga zyra me rejting të lartë të miratimit që është afro 55%.

Presidenca Obama përfundon më 20 janar, kur në shkallët e ndërtesës në Kapitoll në Uashington, inaugurohet presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

McCain përkrahë sanksione “gjithpërfshirëse” kundër Rusisë

Një zyrtar i lartë republikan në Senat, ka thënë se ai do iu bashkohet demokratëve për të miratuar sanksione “gjithpërfshirëse” ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes së saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Rusia akuzohet nga të gjitha agjencitë e inteligjencës në SHBA se përmes sulmeve kibernetike ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane me qëllim që të ndihmohet kandidati republikan Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale.

John McCain, udhëheqësi republikan i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, ka thënë mbrëmë se ai do bëhet bashkë me senatorët demokratë, Ben Cardin, dhe Robert Menendez, në paraqitjen e legjislacionit të ri.

Senatorët nuk e kanë sqaruar se çfarë nënkupton “gjithpërfshirëse”, por ata kanë thënë se sanksionet e reja do të shkojnë përtej sanksioneve aktuale ndaj diplomatëve rusë dhe agjencive të inteligjencës që javën e kaluar janë ndërmarrë nga Shtëpia e Bardhë.

McCain, i cili sulmet kibernetike ruse ndaj zgjedhjeve i ka quajtur “një sulm i papresedan në demokracinë tonë”, derisa ishte në vizitë në disa vende të Evropës Lindore së bashku me senatorin republikan, Lindsey Graham.

Pas kësaj vizite, Graham ka thënë se ai dhe McCain “do të kërkojnë sanksione që… do godasin rusët në sektorin financiar dhe atë të energjisë, aty ku ata janë më të dobët”.

Cardin në anën tjetër, i cili është zyrtari më i lartë demokrat në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe demokratë të tjerë në Kongres, gjithashtu po bëjnë presion për themelimin e një komisioni të pavarur që do të hetonte sulmet kibernetike ruse ndaj institucioneve të demokratëve dhe lidërve të partisë gjatë garës zgjedhore në mes të demokrates, Hillary Clinton dhe republikanit, Donald Trump.

Megjithatë, asnjë republikan nuk e ka përkrahur këtë propozim. Republikanët momentalisht kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Një ligjvënës amerikan dëshiron të ndalojë shitjen e vodkas ruse

Të shijosh vodkan ruse në shtetin federal amerikan New Hampshire, nëse miratohet propozimi i një ligjvënësi demokrat, mund të bëhet problem.

Lideri i demokratëve në Senatin shtetëror, Jeff Woodburn, më 9 janar ka propozuar themelimin e një komisioni i cili do merret me mënyrat se si t’i përgjigjet asaj që ai e quan “ndërhyrja ruse në demokracinë tonë”.

Një nga sygjerimet e tij është që New Hampshire të pezullojë apo të ndalojë në tërësi shitjen e pijës alkoolike që prodhohet në Rusi, nëpër dyqanet që janë nën mbikqyrjen e Komisionit për Alkool të New Hampshire.

Ligji i ri do t’i bënte gjithashtu thirrje sistemit të pensionimit shtetëror që të mos investojë më në kompanitë ruse.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dyshojnë se Rusia ka kryer disa sulme kibernetike për të ndihmuar kandidatin republikan, Donald Trump që të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat.

Dhëndëri i Trumpit do bëhet këshilltar në Shtëpinë e Bardhë

Jared Kushner, dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, do të bëhet këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, i cili do të përqëndrohet në politikat tregtare në Lindje të Mesme, kanë thënë zyrtarë të ekipit të Donald Trump.

Kushner, i cili më 10 janar mbush 36 vjeç, do e nis punën vetëm pasi të këshillohet ligjërisht se ky emërim nuk shkel ligjet kundër nepotizmit, kanë thënë më tej zyrtarët.

Ky post nuk ka nevojë të marrë miratimin e Senatit, dhe se Kushner nuk do të paguhet.

Trump ka thënë se Kushner “është një aset i jashtëzakonshëm dhe këshilltar i besueshëm përgjatë fushatës dhe tranzicionit”.

Kushner është i martuar me vajzën e Trump, Ivanka.

Ai do heq dorë nga posti i shefit të kompanisë familjare që merret me patundshmëri, por edhe si pronar i gazetës “New York Observer”, ka thënë avokati i tij.

Ndërkohë Trump ka parashikuar se të gjitha nominimet e tij për postet e rëndësishme të administratës së ardhshme do e marrin konfirmimin e Senatit, edhe pasi demokratët kanë thënë se ekipi i tij ka injoruar procesin e verifikimit.

“Unë mendoi se të gjithë do kalojnë”, ka thënë Trump, duke shtuar se “të gjithë janë në nivelin më të lartë”.

Meryl Streep sulmon presidentin Trump me lotë në sy. Ja arsyeja!

Aktorja Meryl Streep u nderua dje në Golden Globes për kontributin dhe punën e saj gjatë të gjithë viteve në botën e kinematografisë. Në momentin e pranimit të çmimit, Streep vendosi t’i jepte nota politike fjalimit të saj duke dhënë kështu një mesazh të fortë.

Pa përmendur emra konkretë, në 6-minuta ajo theksoi rëndësinë e disa prej segmenteve më të rrezikuara aktualisht në Amerikë: shtypin dhe emigrantët.

Njëkohësisht, ajo sulmoi në mënyrë jo të drejtpërdrejtë presidentin Trump për ngacmimin që ai i bëri një personi me aftësi të kufizuara në vitin 2015.

“Hollywood-i mbahet me të huajt, kështu që nëse ne i ndjekim ata, do kemi mundësi të shohim vetëm futboll dhe arte marciale, gjëra të cilat nuk janë art.”-pohoi aktorja.

Megjithatë, ajo vijoi të tregonte se këtë vit ka patur performanca shumë të bukura, midis të cilave veçon njërën që nuk ishte “dhe aq e mirë”.

“Personi që është ulur në karrigen më të respektuar të vendit tonë, vitin e kaluar, imitoi një reporter me aftësi të kufizuara, një person që nuk kishte privilegjet, fuqinë dhe kapacitetin për t’ia kthyer mbrapsht. Më preku ajo skenë kur e pashë sepse kuptova që nuk ishte  lm, por një skenë e vërtetë. Instikti për të poshtëruar dikë tjetër, kur bëhet nga një njeri i fuqishëm dhe që konsiderohet si model, mund të  ltrohet më pas edhe nga të tjerët duke u dhënë kështu leje që të bëjnë të njëjtën gjë. Kur të fuqishmit përdorin fuqinë e tyre, për të poshtëruar më të dobëtit, ne të gjithë humbasim.”-vazhdoi ajo duke iu referuar kështu presidentit Trump.

Fjalimi i Streep mori duartrokitjet e të gjithë sallës, ndërkohë që shumë prej të pranishmëve, u përlotën nga ajo çfarë aktorja tha.

Më poshtë po ju sjellim fjalën e plotë të Meryl Streep:

Ja fjalimi i plotë i Meryl Streep:

Ju lutem uluni. Faleminderit. Ju dua të gjithëve. Duhet të më falni. Kam humbur zërin duke bërtitur dhe duke u ankuar këtë fundjavë. Dhe mendjen pak më herët këtë vit, kështu që duhet të lexoj. Faleminderit, Hollywood Foreign Press. Thjesht për të vazhduar atë që tha Hugh Laurie: Ju dhe të gjithë ne i përkasim segmentit më të sulmuar në shoqërinë amerikane sot.

Mendoni pak: Hollywood, të huaj dhe media. Por kush jemi ne dhe çfarë është Hollywood­i? Është thjesht një grup njerëzish nga vende të tjera. Unë jam lindur, rritur dhe arsimuar në shkollat publike të New Jersey­t. Viola është lindur në një kabinë në fushat e Carolina­s së Jugut, më pas erdhi në Central Falls, Rhode Island, Sarah Paulson është lindur në Florida, rritur vetëm nga mamaja në Brooklyn.

Sarah Jessica Parker është një nga shtatë ose tetë fëmijët e familjes së saj në Ohio. Amy Adams është lindur në Vicenza në Itali dhe Natalie Portman në Jerusalem. Ku janë certifikatat e tyre të lindjes? Dhe e bukura Ruth Negga është lindur në Addis Ababa, Etiopi, rritur në London, jo, në Irlandë besoj dhe është këtu e nominuar për rolin e një vajze nga qyteti i vogël Virginia.

Ryan Gosling, si të gjithë njerëzit e mirë, është kanadez dhe Dev Patel është lindur Kenya, rritur në Londër dhe po luan një Indian të rritur në Tazmani. Kështu që Hollywood është plot me të ardhur dhe të huaj. Dhe nëse ne i dëbojmë të gjithë nuk do kemi çfarë të shohim, vetëm futboll dhe arte marciale të përziera, që nuk janë arte. Më kanë dhënë tre sekonda për ta thënë këtë, kështu që: Puna e vetme e aktorit është të futet në jetët e njerëzve që janë ndryshe nga ne dhe t’i nxisë ta ndiejnë atë që duhet ndier. Dhe ka pasur shumë, shumë, shumë performance të fuqishme sivjet që e kanë arritur këtë. Një punë emocionuese sa të merret fryma.

Por ka pasur një performancë sivjet që më ka befasuar. M’i nguli çengelët në zemër. Jo sepse ishte e mirë, nuk kishte asgjë të mirë te ajo, por ishte efektive dhe e luajti rolin e saj. E bëri audiencën e synuar të qeshë dhe të tregonte dhëmbët. Ishte ai çast kur personi që i është dhënë e drejta të ulet në karrigen më të respektuar të shtetit, imitoi një reporter me aftësi të kufizuara. Më theu zemrën kur e pashë atë çast dhe ende nuk e heq dot nga mendja, sepse nuk ishte në film. Ishte në jetën reale.

Dhe ky instinkt për të fyer, kur shfaqet në një platformë publike, nga një i pushtetshëm, filtron në jetën e gjithsecilit, sepse në një farë mënyre duket sikur u jep lejen njerëzve të tjerë të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Mungesa e respektit ngjall mungesë respekti, dhuna sjell dhunë. Dhe kur të pushtetshmit përdorin pozitën e tyre për të goditur të tjerët, ne humbim të gjithë. O.K., vazhdojmë.

Edhe një gjë: Në herë, kur isha në një set filmi, duke u ankuar për diçka, sepse ju e dini si është që po punonim në kohën e darkës, apo për orët e gjata, apo diçka si këto, Tommy Lee Jones më tha, “Nuk është një privilegj i madh, Meryl, thjesht që je aktore?” Po, është dhe ne duhet t’ia kujtojmë njëri tjetrit privilegjin dhe përgjegjësinë e aktit të empatisë. Ne duhet të jemi të gjithë krenarë për punën që Hollywood­i nderon sonte këtu.

Si më ka thënë mikesha ime e shtrenjtë, e ndjera Princess Leia, merre zemrën e thyer dhe ktheje në art. Meryl Streep u prezantua si një grua e rrallë, vëzhguese kur u ftua të marrë këtë çmim dhe mediat dhe publiku sot e kanë shpërndarë masivisht fjalimin e saj./Class

 

Priebus: Trumpi e pranon raportin për sulmet kibernetike ruse

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e pranon konkluzën e komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se Rusia është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane, ka thënë mbrëmë shefi i ardhshëm i kabintetit të zotit Trump, Reince Priebus.

Trumpi e “pranon faktin se Rusia dhe entitetet e tjera ishin angazhuar në sulme kibernetike” kundër vendit, tha Reince Preibus, ish-kryesues i Komitetit Kombëtar Republikan.

Zoti Trump në mënyrë të vazhdueshme i ka hedhur poshtë pretendimet se Moska ishte përzier në zgjedhje për përfitime të Trumpit, duke thënë se këto akuza ishin produkt i kundërshtarëve të tij politikë, që po përpiqeshin ta shkatërrojnë fitoren e tij zgjedhore.

Nga ana tjetër, senatori republikan, Lindsey Graham, ka kërkuar nga Trumpi që ta ndëshkoj Rusinë për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç akuzojnë agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Këto agjenci kanë konkluduar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe për ta ndihmuar Trumpin.

Obama: E nënvlerësova ndikimin e sulmeve kibernetike ruse

Presidenti amerikan Barack Obama, pas përfundimit të agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale, thotë se “e nënvleftësoi” ndikimin e fushatës së keqinformimit dhe sulmeve kibernetike tek një vend demokratik.

Zoti Obama, që mbaron mandatin e tij pas 12 ditësh, tha në televizionin ABC se nuk mendon se e ka nënvleftësuar Presidentin rus, Vladimir Putin, që komuniteti i zbulimit vlerëson se kishte urdhëruar përpjekjen për të sabotuar sistemin amerikan të zgjedhjeve demokratike dhe kandidaturën e ish-rivales së presidentit të zgjedhur Donald Trump, Hillary Clinton. Por ai shtoi:

“Mendoj se nënvlerësova se në ç’shkallë, në këtë erë të re informacioni, është e mundur që keqinformimi, sulmet kibernetike të ndikojë tek shoqëritë tona të hapura, në sistemet tona, të depërtojnë në praktikat tona demokratike në mënyra të tilla që unë mendoj se po përshpejtohen”.

Ai tha se kishte bërë publik një version të shkurtër të raportit të zbulimit për sulmet kibernetike ruse, “që ta kuptojmë se kjo është diçka që Putin e ka bërë për një kohë të gjatë në Evropë, fillimisht në ish-vendet satelite të saj, ku ka shumë njerëz që flasin rusisht, por gjithnjë e më shumë edhe në demokracitë perëndimore”.

Agjencitë amerikane të zbulimit, arritën në përfundimin se Rusia kishte depërtuar në mijëra emaile të shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta dhe i bëri ato publike përmes faqes WikiLeaks, përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit. Raporti nuk analizon nëse rrjedhja e emaileve ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve, një fakt që zoti Trump e ka theksuar në një sërë komentesh në Twitter që kur u informua me gjetjet e agjencive të zbulimit të premten,

“Informacioni i zbulimit e thekson se nuk ka absolutisht asnjë provë se sulmi kibernetik ndikoi tek rezultatet e zgjedhjeve. Paisjet e votimit nuk janë prekur”, shprehej zoti Trump. Intelligence stated very strongly there was absolutely no evidence that hacking affected the election results,” Trump said. “Voting machines not touched!”

Presidenti Obama paralajmëroi kundër marrëdhënieve të afërta me Rusinë.

“Një nga gjërat që më shqetëson është se sa të shumta kanë qenë komentet, ku republikanë apo komentatorë dukej se kishin më shumë besim tek Vladimir Putin sesa tek amerikanët e tjerë, thjesht sepse amerikanët e tjerë ishin demokratë. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha ai.

Zoti Obama tha se ka folur disa herë pas zgjedhjeve me Presidentin e zgjedhur Trump dhe se mesazhi kryesor që është përpjekur të përcjellë është se ka ndryshim mes qeverisjes dhe fushatës dhe se sapo bën betimin “je në krye të institucionit më të madh të botë”.

Reshje bore në SHBA, anulohen mbi 3000 fluturime

Guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper tha se për shkak të reshjeve të mëdha të borës ka pasur qindra aksidente rrugore, si dhe disa rrugë janë mbyllur për qarkullim

NEW YORK – Stuhia e borës dhe moti i ftohtë në shtetet federale në verilindje të SHBA-ve në mënyrë negative kanë ndikuar në jetën normale, ndërsa janë anuluar edhe mbi tre mijë fluturime.

Nga stuhia e borës janë goditur Karolina e Veriut, Georgia, Virginia dhe Massachusetts, ndërsa pritet edhe New York-un.

Guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper tha se për shkak të reshjeve të mëdha të borës ka pasur qindra aksidente rrugore, si dhe disa rrugë janë mbyllur për qarkullim.

Për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe kushteve të vështira, shumë drejtues automjetesh kanë vendosur të presin kushte më të mira për udhëtim.

Në mbarë SHBA-të për shkak të kushteve të papërshtatshme të motit janë anuluar më shumë se 3.000 fluturime, ndërsa janë regjistruar edhe shumë vonesa.

Enti meteorologjik nacional i SHBA-ve paralajmëroi banorët se të dielën do të ketë përforcim të stuhisë së borës dhe ndikimit të motit të ftohtë. aa

Trumpi përsëri premton marrëdhënie të mira me Rusinë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëri ka shprehur përkushtim për përmirësim të raporteve me Rusinë.

Në një postim të mbrëmshëm në rrjetin Twitter, zoti Trump i ka përsëritur deklaratat e tij të mëparshme, se ai dëshiron të punoj me Moskën për zgjidhjen e problemeve globale.

“Duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump dhe ka shtuar se “vetëm budallenjtë do të mendonin se kjo është gjë e keqe”.

Kjo deklaratë u bë vetëm një ditë pasi inteligjenca e Shteteve të Bashkuara konkludoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike gjatë zgjedhjeve amerikane, për t’i ndihmuar zotit Trump.

“Ne edhe ashtu kemi mjaft probleme në gjithë botën dhe kur unë të bëhem president, Rusia do të na respektoj neve shumë më tepër se tash dhe të dy vendet, me gjasë, do të punojnë së bashku për t’i zgjidhur disa prej problemeve dhe çështjeve të mëdha në botë”, ka thënë Donald Trump.

Raporti sekret i inteligjencës amerikane, që është publikuar pardje, ka konkluduar se presidenti rus kishte urdhëruar ndërhyrje kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.


Send this to a friend