VOAL

VOAL

Dy avionë MiG-29 të blerë nga Rusia arrijnë në aeroportin ushtarak në Beograd

Dy avionët rusë të tipi MiG-29 të blerë nga Serbia, fluturojnë mbi aeroportin ushtarak në Beograd.

Serbia ka pranuar dërgesën e dy avionëve luftarakë rusë të tipit MiG-29. Kjo dërgesë është e para, pasi Beogradi ka arritur një marrëveshjen me Moskën për të blerë gjashtë avionë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ishte i pranishëm në ceremoninë e pranimit të këtyre avionëve, që u mbajtë në aeroportin ushtrak në Beograd.

Rusia i ka dhuruar Serbisë gjashtë avionë MiG të përdorur dhe dy avionët që sot erdhën në Serbi, i janë nënshtruar riparimeve nga autoritetet ruse, pasi kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes.

Në total, Beogradi do t’i paguajë Moskës për riparim dhe mirëmbajtjen e gjashtë avionëve rreth 185 milionë euro.

Të prodhuar më 1989 dhe 1991, avionët e blerë nga Rusia janë më të rinj se MiG-ët që ka aktualisht Serbia, të cilat i ka blerë më 1987.

Serbia pretendon neutralitet ushtarak dhe formalisht dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Por, po ashtu, Beogradi po negocion për blerjen e armëve shtesë nga Rusia, përfshirë këtu edhe helikopterë sulmues dhe të transportit, sistemet raketore Buk-M1 dhe Buk-M2 si dhe sistemet anti-raketore Tunguska.

Daçiç: Para demarkacionit, duhet të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë se demarkacioni i kufirit me Serbinë i cili po diskutohet në Prishtinë nuk mund të bëhet në baza të njëanshme.

Sipas tij, para demarkacionit duhet të arrihet një marrëveshje.

“Nuk ka dilemë që ne duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Dialogu do të vazhdojë në shtator”, ka thënë Daçiç, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka theksuar se ka një linjë administrative e cila ka qenë nën KFOR-in pothuajse për 20 vjet.

“Në qoftë se zyrtarët e Kosovës mendojnë të marrin Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ata nuk e kuptojnë situatën në të cilën janë vendosur. Nuk është gjithçka e kryer, ato janë fjalë boshe”, është shprehur ministri serb.

Ai ka shtuar se Serbia dëshiron një zgjidhje e cila nuk çon në dëm të saj. Ndërsa sa i përket një referendumi të mundshëm për Kosovën, Daçiç ka thënë ‘jeni vonë’.

“Jemi në fund të kapitujve të bisedimeve dhe dua kërkuar një zgjidhje kreative, ashtu siç ka thënë edhe administrata amerikane”.

Një ditë më para anëtarë të Komisionit të Qeverisë së Kosovës për shënjimin e kufirit, kanë deklaruar se janë duke mbledhur dokumentacion dhe kanë nisur përgatitjet për demarkacionin me Serbinë.

Plani Thaçi-Vuçiç: Beogradi nuk e bën dy, ja si shfaqet tani harta e Serbisë (foto)

Këto ditë televizionet e Serbisë kanë filluar që në edicionin e lajmeve të shfaqin më të zgjeruar hartën e Serbisë. Tashmë, në ekrane, Serbisë i është bashkuar Republika Serbe dhe Veriu i Kosovës. Ky duket të jetë hapi i parë i implementimit të idesë së liderëve serbë dhe presidentit Hashim Thaçi, për t’i lëvizur kufijtë.

Pjesë e hartave që shfaqen në televizionet serbe është bërë tashmë edhe Republika Srspka e Bosnjës dhe Veriu i Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Lajmet e mbrëmjes në televizionin “Prva” janë shoqëruar me hartën e një “Serbie të madhe”.

“Çfarë po shfaqet në lajmet e mbrëmjes në Serbi këto ditë: hartat që duken sikur Serbia ka aneksuar Republikën Srpska dhe Veriun e Kosovës”, ka shkruar në Twitter, Jasmin Mujanoviq, eksperti i politikës për Evropën Juglindore.

Atë çfarë po shfaqet tash në televizionet serbe, në kohën kur lëvizja e kufijve është kundërshtuar nga të gjithë fuqitë e mëdha, Mujanoviq e krahason me kohën e Millosheviqit.

“Kjo është e një vijë me atë që ka bërë RTS gjatë kohës së Millosheviqit”.

Deklaratat e fundit të Presidentit, Aleksander Vuçiq, për ‘përcaktim kufijsh’ në baza etnike, janë konkretizuar me hartat që televizionet po shfaqin.

Mujanoviq thotë se presidenti serb dhe lideri i Republika Srpskas, Millorad Dodik, po duan dhunë.

Prekja e kufijve në Ballkan është cilësuar nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian si tensionim i situatës dhe destabilizim. /Express/

Turqi, të shtëna pranë ambasadës së SHBA

Pranë ambasadës amerikane në kryeqytetin turk, Ankara, u qëllua disa herë nga një makinë sot herët në mëngjes, pa shkaktuar viktima, thanë policia turke dhe zëdhënësi i ambasadës.

Sulmi përkon me acarimin e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Uashingtonit lidhur me gjykimit të një pastori amerikan në Turqi.

Një video e transmetuar nga kanali Haberturk tregonte ekipet e policisë duke inspektuar njërën nga hyrjet e ambasadës ndërkaq në një dritare të ndërtesës mund të shiheshin dëmtimet e shkaktuara nga një armë zjarri.

Ekipet e policisë u vunë në kërkim të personave që sulmuan, të cilët u larguan me një makinë të bardhë pas sulmit. Hetimi është ende në vazhdim.

Sipas burimeve të policisë, të shtënat nga makina ndodhën rreth orës 5 të mëngjesit dhe se askush nuk u dëmtua.

Ambasada është mbyllur këtë javë me rastin e festës së Bajramit.

Ambasada amerikane në Ankara dhe konsullata në Stamboll kanë qenë objektivat e sulmeve nga militantët dhe janë përballur me kërcënime të shumta në të kaluarën.

Sheshel: Kur të largohet NATO, do ta marrim Kosovën e Shqipërinë deri në Durrës (dokument)

Shkëlqim Hysenaj

Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar me 10 vjet burg nga Tribunali i Hagës për krime lufte, vazhdon me deklarata që bëjnë thirrje për luftë në Kosovë. Madje ai shkon edhe më larg duke synuar që Serbia të marrë edhe një pjesë të Shqipërisë.

Sheshel, përmes një postimi në Twitter, ka treguar se Serbia duhet të përgatitet që me luftë sërish ta marrë Kosovën, pasi nga atje të tërhiqen forcat e NATO-s.

“Në mënyrë që ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë, ne duhet që me forca të fuqishme ushtarake dhe policore të ndjekim të gjithë shqiptarët që nuk e njohin shtetin serb. Këtë nuk mund ta bëjmë ndersa NATO është atje. Ndërkohë, derisa presim që NATO të largohet dhe të vërsulemi atje, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë bile një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Sheshel.

Ai më pas ka edhe një mesazh tjetër rreth demarkacionit për të cilin thotë se kjo nuk duhet të ndodhë.
“Nuk duam kurrëfarë demarkacioni me shqiptarët. Ne serbët duhet të bëjmë demarkacionin në Shqipëri me grekët, diku në rripin e Durrësit. Perandoria Austro-Hungareze e krijoi Shqipërinë si një shtet artificial, për të parandaluar Serbinë të dalë në det. Në Shqipërinë e Veriut, është trashëgimia jonë. Atje gjithçka është serbe, edhe toka dhe guri”, tha Sheshel në një postim në rrjetin social.

Qeveria e Republikës Srpska anulon raportet për Srebrenicën

Në seancën e sotme është vendosur që të formohen komisione për të përcaktuar vuajtjet e të gjitha popujve në rajonin e Srebrenicës dhe të serbëve në Sarajevë

BANJA LLUKË – Qeveria e Republikës Srpska në një seancë të veçant sot shfuqizoi raportin e Komisionit për Hetime të Ngjarjeve brenda dhe rreth Srebrenicës nga 10 deri 19 korrik të vitit 1995, të përpiluar në Banja Llukë në qershor dhe 15 tetor të vitit 2004 dhe nga përfundimi i Qeverisë së RS nga seanca e 16-të e posaçme e mbajtur më 29 tetor 2004.

Gjithashtu janë shfuqizuar edhe raportet e Grupit të Punës të Qeverisë së RS të miratuar më 30 mars dhe 30 shtator të vitit 2005 për të zbatuar konkluzionet e raportit përfundimtar të komisionit të Srebrenicës me të gjitha propzimet dhe përfundimin e Qeverisë së RS nga 31 marsi i vitit 2005.

“Me qëllim të rishikimit të sakt të ngjarjeve në rajonin e Srebrenicës dhe në Srebrenicë gjatë periudhës 1992-1995, si dhe për forcimin e besimit dhe tolerancës mes popujve në BeH, pajtimit përfundimtar dhe bashkëjetesës të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, qeveria e RS formon një komision të pavarur ndërkombëtar e cila në mënyrë objektive dhe të paanshme do të përcakton vuajtjet e të gjithë popujve në rajonin e Srebrenicës në periudhën 1992-1995. Përbërja dhe detyrat e Komisionit do të përcaktohen me vendim të veçantë”, u konstatua sot në mbledhjen e Qeverisë së RS.

Përveç kësaj, qeveria e RS vendosi të formojë një komision të pavarur ndërkombëtar për të hetuar dhe për të bërë një raport mbi vuajtjet e serbëve në Sarajevë në periudhën nga viti 1991 deri 1995, përbërja dhe detyrat e të cilit do të përcaktohen me një vendim të veçantë. aa

Vuçiç: Më 9 shtator në Mitrovicë, Serbia do të dalë me qëndrim për Kosovën

Vuçiç tha se me 9 shtator do t’i adresohet popullit në Mitrovicë, kur dhe do të paraqesë direktivat dhe qëndrimin të cilin shteti i Serbisë planifikon ndaj Kosovës

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se me 9 shtator në Mitrovicë do të paraqesë direktivat dhe qëndrimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës, duke shtuar se “do të vazhdojë të luftojë aq sa mundet për të arritur ndonjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, edhe pse shumë mirë e di koston që duhet t’i paguajë popullit dhe shtetit”.

Gjatë vizitës të Qendrës Klinike të Serbisë në Beograd, Vuçiç para gazetarëve tha se me 9 shtator do t’i adresohet popullit në Mitrovicë, kur dhe do të paraqesë direktivat dhe qëndrimin të cilin shteti i Serbisë planifikon ndaj Kosovës, por jo edhe planin për zgjidhjen përfundimtare, pasi ende nuk ekziston.

Ai theksoi se “që nga nesër” do të fillojë të punojë rreth adresimit para popullit në Kosovë dhe se pas takimit në Bruksel do të dijë diçka më shumë.

“Atë që do ta them në Kosovë, shpresoj se në aspektin e vlefshmërisë të vlejë edhe për 50 dhe 100 vite, dhe jo kjo të tretet nga ca zgjedhje apo emisione televizive”, ka shtuar Vuçiç.

Vuçiç ka thënë se do të vazhdojë të luftojë aq sa mundet për të arritur ndonjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, edhe pse, siç tha ai, shum mirë e di koston që duhet t’i paguaj popillit dhe shtetit kur dikush propozon diçka “që veshët serb nuk duan të dëgjojnë, sado që kjo të jetë e vërtet”.

Me këtë rast, ai theksoi sulmet që ka përjetuar kryetari i Republikës Sërbska, Milorad Dodik, në opinion pasi kishte folur për Kosovën, edhe pse konsideron se ai shkronjë për shkronje e ka thënë të vërtetën dhe diçka që do të nënshkruajë çdo person racional.

Si motiv të vetin potencoi faktin se dëshiron të shkruhet në histroi se ka tentuar të zgjidhë këtë çështje dhe se paratë dhe pasurinë nuk i ka si motiv. aa

Markoviq dhe Merkel pajtohen se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, gjatë konferencës së përbashkët në Berlin.

Kryeministri i Malit të Zi , Dushko Markoviq, ka qëndruar në Berlin në një vizitë zyrtare me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Siç raportohet në profilin zyrtar në Twitter të Qeverisë së Malit të Zi, Markoviq dhe Merkel u pajtuan se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.

Gjithashtu, në postimin e Qeverisë së Malit të Zi në profilin e saj në Twitter, thuhet se Merkel dhe Markoviq kanë biseduar edhe për luftimin e krimit të organizuar.

”Në luftën kundër krimit të organizuar, nuk do të jetë askush i mbrojtur”, ka thënë Markoviq.

Vuçiçi: Në fillim të shtatorit me Thaçin do të shohim ku kemi ngelur

Vuçiçi tha se është pak i zemëruar nga reagimi i shoqërisë lidhur me Kosovën

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi të martën se në fillim të shtatorit do të takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të parë se ku kanë mbetur punët, për të shtuar se Kosova nuk është një çështje e cila do të jetë gati për dy-tre muaj.

“Do të takohem me Thaçin nga fillimi i shtatorit në Bruksel. Do të jetë interesante të shoh pas gjithçkaje që ndodhi, për të parë se ku kemi arritur dhe, nëse ka ndonjë mundësi, për dalje nga situata e vështirë në të cilën ndodhemi”, tha Vuçiç pas vizitës së Institutit ushtarako-teknik në Beograd.

I pyetur nëse do të heqë dorë nga demarkacioni i territorit me shqiptarët, Vuçiq tha se tashmë kanë marrë përgjigjen e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila “për të njëmijtën herë tha se demarkacioni është përfundimtar dhe se Kosova është e pavarur”.

“A keni marrë një përgjigje nga Angela Merkel se demarkacioni ka mbaruar? A kemi marrë ndonjë përgjigje të tillë? Për të njëmijtën herë, gruaja tha se demarkacioni ka marrë fund dhe se Kosova është e pavarur”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se është pak i zemëruar nga reagimi i shoqërisë lidhur me Kosovën, gjë e cila ishte pak e çuditshme për të, veçanërisht, siç tha, reagimi në deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel. aa

Dodik mohon se në Srebrenicë është kryer gjenocid

Milorad Dodik gjatë fjalimit para Asamblesë Kombëtare në Republikën Serbe

Lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik ka kundërshtuar, rreth asaj nëse masakra e vitit 1995 në Srebrenicë është gjenocid i kryer nga myslimanëve boshnjakë dhe ka bërë thirrje për nisjen e një hetimi “të paanshëm” ndërkombëtar për këtë tragjedi.

“Krimi në Srebrenicë është një tragjedi e inskenuar me qëllim të satanizimit të serbëve”, tha Dodik, para Asamblesë Kombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës, në Republikën Serbe.

Dodik kërkoi që legjislativi të revokojë raportin e vitit 2004, të hartuar nga qeveria e mëparshme dhe bëri thirrje për një hetim të ri mbi ngjarjet që kanë ndodhur në rajonin Podrinje, ku gjendet Srebrenica, gjatë luftës së Bosnjës të vitit 1992-1995.

Këto thirrje të Dodikut janë parë si përpjekje që të sigurojë mbështetjen e serbëve të Bosnjës, përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në tetor.

Sehida Abdurahmanoviq, anëtare e grupit “Nënat e Srebrenicës”, i ka cilësuar deklaratat e Dodikut si “të turpshme dhe jonjerëzore karshi viktimave”.

Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë ishin vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në dhe përreth qytetit të Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Kjo ngjarje konsiderohet si akti më i keq i gjenocidit në Evropë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, tha se vrasjet në Srebrenicë janë gjenocid.

Por, Dodik ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke argumentuar se është manipuluar me numrin e personave të ekzekutuar.

“Shumica e të varrosurve janë vrarë gjatë luftimeve dhe në këtë listë (listën e viktimave të varrosura), ka njërëz që janë ende gjallë”, është shprehur Dodik.

Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi, ka dënuar liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe komandantin e ushtrisë, Ratko Mlladiq për rolin e tyre në masakrën e Srebrenicës dhe për mizori të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje.

Turqia përgatit “plan veprimi” për të ulur shqetësimet në tregje

Ministri turk i Financave, Berat Albayrak ka thënë se Qeveria ka përgatitur “planin e veprimit” për të ulur shqetësimet në tregje, teksa valuta kombëtare vazhdon të zhvlerësohet edhe si pasojë e sanksioneve

amerikane.

“Nga 13 gushti, institucionet tona do të marrin hapat e nevojshëm dhe do të bëjnë publike njoftimet e duhura për tregjet”, është cituar të ketë thënë Albayrak sipas gazetës turke, The Hurriyet.

“Planet tona të veprimet janë të gatshme”, ka shtuar ai, pa dhënë më shumë detaje.

Një ditë më parë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka përsëritur thirrjet ndaj turqve që të shesin dollarin dhe euron në mbështetje të lirës, vlera e së cilës ka rënë dukshëm, duke shtuar shqetësimet për ekonomi dhe përkeqësim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Lira ka prekur rënie rekorde prej 6.97 ndaj dollarit më 13 gusht, që nënkupton humbje të vlerës së kësaj valute në këtë vit për 46 përqind.

Në deklaratat e bëra një ditë më parë, Erdogan ka thënë se është fatkeqësi që Shtetet e Bashkuara po zgjedhin pastorin amerikan, Andrew Bruson që aktualisht po gjykohet në Turqi ndaj aleatit të tyre të NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar lirim të pastorit dhe ka njoftuar për dyfishim të tarifave në importet turke të çelikut dhe aluminit.

Brunson, i cili është burgosur nga viti 2016, mund të përballet me 35 vjet burgim pas akuzave se u ka ndihmuar separatistëve kurdë, të cilët Erdogan i fajëson për tentimet e dështuara për puç më 2016. rel

‘Ndryshimi i kufijve’, ish-ministri serb paralajmëron brenda pak muajsh ‘Shqipërinë e Madhe’

Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiç deklaroi se nëse ndryshohen kufijtë, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë. Në një prononcim për mediat serbe ish-ministri i Jashtëm serb tha se përcaktimi i vijës kufitare me Kosovën, për të cilin po angazhohet presidenti serb, Aleksandër Vuçic, paraqet një ridefinim të kufijve.

“Kjo parqet një tjetërsim të përhershëm dhe me paramendim të një pjese të territorit të Serbisë. Përcaktimi i kufijve paraqet Kosovën si anëtare e OKB-së brenda gjashtë muajve, kurse brenda pak vitesh – ‘Shqipërinë e Madhe’. Një nënshkrim ndryshon gjithçka”, tha ai.

Po ashtu Jeremiç komentoi edhe deklaratën e Vuçiç se për demarkacionin e kufirit me Kosovën, ndërsa tha para gazetarëve se “demarkacioni është jo kushtetues dhe thellësisht i dëmshëm dhe përbën një diktaturë të përshpejtuar, e cila vjen nga fashizmi në Serbi”.
(BalkanWeb)

Gjuriç: Marrëveshje vetëm në dobi të Serbisë

Gjuriç tha se serbët me një marrëveshje të tillë do të kishin më shumë territor, pronë, fuqi institucionale dhe ndihmë financiare

 

BEOGRAD – Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, sot tha se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës do t’u sillte serbëve të Kosovës pozitë më të mirë.

Ai tha se Beogradi dhe Prishtina “me milje janë larg nga marrëveshja”.

“Mos lejoni t’ju gënjejë askush se me marrëveshjen, prej së cilës jemi me milje larg, do të keni më pak se që keni. Serbia me atë marrëveshje, ndërsa të mëdha janë gjasat të mos vjen deri te ajo, por nëse vjen, serbët e Kosovës me të mund të kenë vetëm më shumë”, tha Gjuriç në konferencën për gazetarët në Qeverinë e Serbisë.

Ai shtoi se serbët me një marrëveshje të tillë do të kishin më shumë territor, pronë, fuqi institucionale dhe ndihmë financiare.

“Nëse vjen deri te marrëveshja, ajo doemos duhet të jetë zgjidhje e cila do të zgjidh çështjen e pronës sonë, pozitës së kishës sonë, të drejtave tona. Ndryshe, zgjidhje nuk do të ketë. E njëjta vlen për Gazivodën, Valaçin dhe Trepçën. Por, të mos gënjehemi se kemi diçka, që nuk i kemi me dekada”, tha Gjuriç.

Ai u bëri thirrje serbëve që askush të mos i gënjejë se me nënshkrimin e marrëveshjes për ta do thotë më pak ndihma ose “Serbi më të vogël” dhe përsëriti se asnjë vendim nuk do të merret pa to.

Gjuriç tha se Serbia tani për tani asgjë nuk ka ofruar dhe se publikisht do të bisedojë kur do të ketë ndonjë propozim.

“Do të dalim t’ju përgjigjemi konkretisht kur të kemi diçka të pranueshme”, tha Gjuriç.

Ai shtoi se do të jetë e vështirë të arrihet deri te përgjigjja dhe se ka shumë mundësi që të mos ketë, ndërsa kjo është një lajm i keq për Serbinë. aa

Zakharova: Moska mbetet pranë qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës

Maria Vladimirovna Zakharova gjatë takimit me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiç — Beograd, 10 gusht 2018.

Serbia dhe Rusia janë partnerë strategjik dhe qëndrimi i Moskës karshi Kosovës mbetet i pandryshueshëm, ka thënë Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së jashtme të Rusisë.

Zakharova është duke qëndruar sot në Beograd.

Pas takimit me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, ajo ka thënë se Kosova është edhe çështje ndërkombëtare…

“Është çështje e brendshme, por ka kohë që është shndërruar në problem ndërkombëtar”, ka thënë Zakharova, duke shtuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është ende në fuqi dhe se “Rusia angazhohet për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”.

“Gjithmonë i kemi respektuar ato vendime që janë të dobishme për popullin e Serbisë”, ka thënë ajo.

E pyetur për idetë e fundit mbi ndryshimin e kufijve në Kosovë, Zakharova ka thënë se për këtë çështje “duhet të përgjigjen shtetasit serb”.

Daçiçi: Kundërshtimet hipokrite ndaj ndarjes së Kosovës

Propozimi për ndarjen e territorit të Kosovës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është shprehje e vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën dhe nuk duhet interpretuar si dobësi, ka thënë sot në Beograd shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.

“Si nuk kanë turp ata që flasin se nuk duhet të ketë tash ndryshim kufijsh, ata që na kanë bombarduar ne, për të rrënuar kufijtë tanë? Si nuk keni turp, hipokritë? Kjo vlen edhe për Maqedoninë, e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe tash thotë se nuk ka ndryshim kufijsh”, ka thënë Daçiq gjatë një takimi me gazetarë në Beograd.

Ai gjithashtu ka thënë se gjithmonë ka folur hapur për ndarjen si zgjidhjen e vetme për Kosovën.

Këto komente Daçiq i bëri pasi takoi zëdhënësen e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharovan. Sipas tij, për Rusinë është e pranueshme çdo gjë që është e pranueshme për Serbinë.

Vuçiçi sqaron deklaratat: Duam kufij të qartë, jo provizorë. Kosova, gjithmonë burim konflikti

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ka për qëllim që Serbia të bëhet me kufij të qartë e jo të mbetet provizorium siç është tani gjendja, e cila, tha ai, krejtësisht ndryshe përshkruhet, ndërsa krejtësisht ndryshe është në terren, raporton Koha.net, duke cituar median serbe “Novosti”.

 

Duke shpjeguar qëndrimin e tij mbi “lajmin” e caktimit të kufijve me Kosovën, presidenti serb tha se nuk ka thene asgjë të re dhe se ai mbron opsionin e demarkacionit qe ka shprehur për vite me rradhë.

Vucic nder te tjera ka theksuar se Kosova është territori që nuk dihet kush si e trajton, kujt çfarë i takon në të dhe si e tillë gjithmonë burim i konflikteve të mundshme, transmeton Koha.net.

“Kam folur për një demarkacion me shqiptarët dhe kjo është politika që unë përfaqësoj dhe nëse do të kemi sukses në këtë, nuk varet nga ne. Tango ka nevojë për dy persona. Zgjidhja për Kosovën dhe Metohinë, nëse vjen, duhet të jetë gjithëpërfshirëse, jo e thjeshtuar, siç e imagjinojnë disa”, ka thene Vucic.

“Duam shtetin kufijtë e të cilit i dimë, shtetin e përcaktuar që e ruajmë dhe e mbrojmë. Kam folur shumë herë për këtë, kjo nuk është ndonjë gjë e re, e që dikush në mendjen e vet e sheh këtë si habi me imagjinatën e vet të prishur, këtë s’e kuptoj”, citon “Novosti” të ketë thënë Vuçic.

“Se a do ta ketë përkrahjen e popullit kjo politikë, nuk e di por unë përpiqem për kufij me shqiptarët”, ka thënë Vuçic.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron të flasë për detajet e bisedimeve rreth kësaj çështjeje.

“Unë nuk jam i papërgjegjshëm dhe nuk do të dal me “deklarata madhështore patriotike”. E njoh punën time dhe e bëj atë në interesin më të mirë të Serbisë dhe pa dyshim do të them atë që mendoj kur vjen puna afër një zgjidhjeje të prekshme”, tha Vucic.

Vuçiçi pozicionohet: Ridefinim të kufijve me shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi sot se angazhohet për ridefinim të kufijve me shqiptarët.

“Unë angazhohem dhe kjo është politika ime, për ridefinimin e kufijve me shqiptarët. Kështu që ne ta kemi territorin për të cilën nuk dihet se kush si e trajton dhe çfarë i takon dikujt dhe ky është gjithmonë potencial për trazira”, tha Vuçiç, shkruan Telegraf.

Ai ka shtuar se nuk mund të flasë se për çfarë po bisedon me shqiptarët e Kosovës, por ka sqaruar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një pako gjithëpërfshirëse, e cila nuk është e lehtë sa disa e mendojnë.

Çavushoglu bisedë telefonike me homologun amerikan Pompeo

ANKARA – Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavushoglu ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Mike Pompeo, njoftuan burimet diplomatike.

Sipas burimeve, në bisedën telefonike Çavuşoğlu dhe Pompeo kanë diskutuar për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Turqisë dhe për zgjidhjen e problemeve aktuale mes dy vendeve.

Ministri Çavuşoğlu më 3 gusht ishte takuar kokë më kokë me homologun e tij amerikan në kuadër të takimit të 51-të të ministrave të Punëve të Jashtme të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Në një deklaratë pas takimit, Çavuşoğlu ishte shprehur se palët kanë rënë dakord për të bashkëpunuar dhe zhvilluar dialog në të ardhmen për zgjidhjen e problemeve.

Ndërkaq, Popmeo kishte deklaruar se SHBA dhe Turqia janë partnerë të vlefshëm pavarësisht tensioneve të shkaktuara rreth çështjes së pastorit amerikan Andrew Craig Brunson i cili ndodhet nën arrest me akuzat se ka kryer krim në emër të organizatave terroriste PKK dhe FETO.

Ndërkohë, është njoftuar se një delegacion nga Turqia nën kryesimin e zv/ministrit të Jashtëm turk, Sedat Önal, do të niset së shpejti drejt SHBA-ve për bisedime. aa

Vuçiçi: Beogradi dhe Prishtina janë larg zgjidhjes

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Beogradi dhe Prishtina janë larg nga zgjidhja, dhe se nuk do të ketë marrëveshje sekrete, por nëse arrihet, do të informojnë qytetarët.

Në një konferencë për mediat mbi bisedimet me Kosovën, ai tha se Beogradin zyrtar e presin ditë të vështira në shtator, për kur është caktuar raundi i ri i bisedimeve me Prishtinën zyrtare.

“Është vështirë të arrihet një zgjidhja e kompromisit, është pothuajse e pamundur”, tha Vuçiç.

Ai tha se nevojitet një zgjidhje sa më e shpejtë rreth çështjes së Kosovës, pasi siç u shpreh, nevojitet një paqe afatgjate mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Patjetër të gjejmë zgjidhje e cila do të nënkuptonte njëfarë sigurie për qytetarët tanë”, tha Vuçiç, për të shtuar se vendi i tij do të këmbëngul për zgjidhjen e raporteve me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, dhe zgjidhjen e pronës së serbëve atje.

Për sa i përket KOS-it, Vuçiç tha se nevojitet formimi i zonave të mbrojtura, dhe se prona e kishës duhet ti mbesë KOS-it, selia e së cilës është në Beograd.

Lidhur me pronat e serbëve në Kosovë, presidenti serb kërkoi zgjidhjen e pronave private, pronën e KOS-it, dhe të subjekteve afariste të cilat janë të regjistruara në Serbinë qendrore, përfshirë edhe pronën shtetërore dhe shoqërore të Serbisë në Kosovë.

“Deri në vitin 1999, asetet kanë figuruar në kadastrën e tokës në Kosovë. Posedojmë pikat dhe të dhënat e detajuara dhe të sakta”, tha presidenti serb.

Vuçiç tha se tashmë për 1.930 ditë, Prishtina nuk po përmbush detyrimin për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe (BKS), për çka sipas tij serbët janë privuar nga shumë të drejta që duhet t’i gëzojnë.

“Sipas Marrëveshjes së Brukselit, BKS, është subjekti i cili propozon komandantin e policisë rajonale në veri. BKS propozon katër kandidatë, njërin prej të cilëve Prishtina e përzgjedh. Këtë nuk mund ta bëjmë sepse nuk ka një BKS, për çka komandantin e zgjedh Prishtina”, tha ai.

Ai tha se serbët mund të formojnë vetë Bashkësinë, mirëpo siç tha, kjo do të përdorej nga Prishtina e cila me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare do të hynte në Veri, për të marrë resurset vitale, prandaj Serbia do të ndjekë zhvillimet për të gjetur momentin e duhur për veprim.

Numri një i shtetit serb, tha se do të donte të merrte barrën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por se kjo nuk është e mundur sipas Kushtetutës, prandaj vendimi duhet të jetë i qytetarëve.

“Populli do të mund qartë dhe të saktë të shprehet për një marrëveshje të mundshme një ditë”, tha Vuçiç, duke shtuar se çështja e referendumit nuk do të konceptohet në atë mënyrë që anëtarësimi në BE të ndërlidhet me marrëveshjen me Kosovën. aa

Vuçiçi: As serbët e as shqiptarët nuk do të festojnë për marrëveshjen

President i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se tash është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje me Kosovën dhe se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe jo te ketë vrasje për territor.

“Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt, si dhe serbët e shqiptarët duhet të deklarohen a kemi nevojë për paqe apo të vazhdojmë të vritemi për territor?”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Beograd.

Vuçiq u shpreh se marrëveshja, për të cilën ai ka dyshime se do të arrihet, nuk do t’i bëjë serbët të festojnë, por as shqiptarët nuk do të festojnë.

“Ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, zgjidhje kjo, që do të krijonte njëfarë sigurie për qytetarët tanë”, deklaroi Vuçiq.

“A mundet Serbia të marrë më shumë se sa që ka sot? Pozicioni im si president është i qartë: zgjidhja e problemit është e domosdoshme, sa më parë. Ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme në mes të serbëve dhe shqiptarëve, është e rëndësishme që të krijojmë siguri për qytetarët tanë, sa më parë. Por është e rëndësishme gjithashtu që kur të arrijmë një paqe të tillë, t’i kushtojmë vetes rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe të mos lejojmë faktorë të tjerë të dalin në rrugën tonë”, tha tutje presidenti serb.

Presidenti serb, gjithashtu tha se serbët nga Kosova nuk do të jenë të vetëm në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Do të punoj nga afër për të përcjellë dhe monitoruar zhvillimet në bashkësinë ndërkombëtare dhe do të insistoj për të drejtat tona”, tha Vuçiq, duke theksuar se kanë kaluar 1930 ditë nga dita kur ishte dashur të formohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq po ashtu tha se politika e Beogradit ka bërë shumë gabime dhe se një nga gabimet më të mëdha ka qenë edhe kërkesa ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse Kosova kishte të drejtë ta shpallë pavarësinë. Vendimi ishte se Pristina kishte të drejtë ta shpallte pavarësinë, dhe sipas Vuçiqit, ky vendim e ka bërë shumë të vështirë për atë që t’i bindë të tjerët se Kosova është pjesë e Serbisë.

Serbia kritikon Izraelin

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka kritikuar Izraelin, pasi avionët luftarakë të tij kanë marrë pjesë në manifestimet tradicionale në Kroacinë përvjetorin e 23-të të operacionit ushtarak Stuhia (Oluja).

“Është e dhimbshme që flamuri i Izraelit dje valoi gjatë festimeve për një aksion kriminal”, tha Daçiq për televizionin serb, Pink TV.

Tre avion të tipit F-16 të Izraelit, morën pjesë në shënimin e përvjetorit të 23-të të operacionit “Stuhia”.

Gjatë operacionit “Stuhia”, i cili ka zgjatur katër ditë, forcat e armatosura kroate kanë kthyer kontrollin e pjesëve të Kroacisë, të marra nga serbët në fillim të vitit 1991.

Në të u vranë qindra civilë dhe vlerësohet se rreth 200 mijë serbë u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ambasada e Izraelit në Beograd tha se pjesëmarrja e avionëve izraelitë në këtë ceremoni, është e lidhur vetëm me blerjen e avionëve izraelitë F-16 nga Kroacia, raporton AP.

“Kjo nuk ka asnjë element politik apo lidhje me marrëdhëniet historike mes Serbisë dhe Kroacisë”, citon të ketë thënë ambasada izraelite në një deklaratë për agjencinë AP.

Miqësia “në mes të Izraelit dhe Serbisë”, thuhet tutje në deklaratë, “nuk do të rrezikohet asnjëherë, në asnjë formë”.

Por, Daçiq tha se është e “pamoralshme” që Izraeli të marrë pjesë në këtë ceremoni, pasi dhjetëra mijëra persona – shumica hebrenj, serbë, romë dhe kroatë anti-fashist – u zhdukën në kampet e përqendrimit të udhëhequra nga regjimi kroat gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka krahasuar operacionin “Stuhia”, me ofensivën politike të Gjermanisë Naziste.

“[Adolf] Hitler dëshironte një botë pa hebrenj. Kroacia dhe politikat e saj, duan një Kroaci pa serbë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ambasadori amerikan në Beograd: SHBA s’ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott deklaroi se Washingtoni është gati të ndihmojë Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje. Ambasadori amerikan tha se nuk pret që administrata e presidentit Donald Trump të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Washingtonit lidhur me statusin e Kosovës.

Në një intervistë për Radio Beograd, Scott theksoi se interesat amerikane nuk ndryshojnë nga presidenti në president dhe se qëllimi i SHBA-së mbetet paqja dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe transformimi drejt demokracisë dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se pa normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes afatgjatë midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka stabilitet dhe përparim në Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu thekson se zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon udhëheqës të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje kreative./Telegrafi

Ushtria e Serbisë ka ngritur gatishmërinë luftarake në gjithë territorin

Mediat serbe raportojnë se Ushtria e Serbisë ka ngritur gatishmërinë luftarake në të gjithë territorin e saj, për shkak të të ashtuquajturave, tensione në Kosovë.

Pasi takimit të së shtunës, Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, gazeta serbe “Novosti”, shkruan se organet e sigurisë kanë rritur aktivitetet e tyre për të parandaluar “planet e autoriteteve në Prishtinë që të shkaktojnë trazira në Kosovë, por edhe veprimtarinë e qarqeve të caktuara në Serbi, të cilat me lajme të rreme po shkaktojnë shqetësim në mesin e popullatës serbe në veri të Kosovës dhe në jug të Ibrit”, përcjell Telegrafi.

Në të njëjtën kohë, duke cituar “burime të mirë-informuara”, gazeta serbe shkruan se “kreu shtetëror serb po shqyrton masat që do të merren për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit dhe refuzimit tash e pesë vite të shqiptarëve për të obligimin për të krijuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

Gazeta shkruan se “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mblodh të shtunën paradite për gati dy orë, kurse konsultimet erdhën për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe informatave nga shërbimet e zbulimit, sipas të cilave shqiptarët po planifikonin të ndërhynin në veri të Kosovës, si pasojë e paralajmërimeve të rreme se serbët në mënyrë të njëanshme do të shpallnin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Vuçiç: Janë miratuar disa masa për ngritjen e gatishmërisë luftarake

Vuçiç tha se ka patur aktivitete nga qendra të ndryshme nga Prishtina, Beogradi dhe qendra tjera të fuqisë për të krijuar përshtypjen se “diçka e tmerrshme po gatuhet”

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaroi sot se në Këshillin për Siguri Nacionale janë marrë disa masa që kanë të bëjnë për Qeverinë e Serbisë, ushtrinë dhe forcat tjera të sigurisë me qëllim të rritjes së gatishmërisë luftarake.

Vuçiçi tha se ka patur aktivitete nga qendra të ndryshme nga Prishtina, Beogradi dhe qendra tjera të fuqisë për të krijuar përshtypjen se “diçka e tmerrshme po gatuhet”.

“Me veprime shumështresore dhe të larmishme të agjenturave, jemi vënë në një pozicion për të mbrojtur veten nga thashethemet dhe sot jemi të lumtur që nuk ka ndodhur asgjë, që jemi gjallë, që nuk na kanë vrarë sot”, tha Vuçiçi për mediat pas takimit me kreun e Kishës Ortodokse Serb patriarkun Irinej.

Ai tha se për shkak të “thashethemeve” të tilla mbi konflikte të dakorduara, Serbia sot nuk mund të flasë për atë se 1930 ditë Prishtina nuk ka përmbushur obligimin e saj mbi formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Vuçiçi tha se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për të ruajtur paqen “gati për çdo çmim”, po asnjëherë dëbimin e popullatës serbe.

I pyetur se çfarë pret nga bashkësia ndërkombëtare, Vuçiç tha se nuk pret asgjë.

“Çfarë të prisni prej njerëzve që Kosovën e përjetojnë si shtet të pavarur”, tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se u ka bërë thirrje serbëve nga Kosova që të heshtin edhe disa ditë.

Ai gjithashtu u përqendrua edhe në takimin me Patriarkun Irinej, duke thënë se folën për serbët në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kroaci, për pasojat e operacionit “Stuhia” të vitit 1995 në Kroaci dhe mbi demografinë. aa

Vuçiçi u drejton letër të hapur serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi u është drejtuar me një letër të hapur qytetarëve serbë të Kosovës, përmes së cilës u ka thënë se përderisa ai të jetë në krye të shtetit të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe shenjtërit e tyre, as përndjekjen e tyre.

Këtë letër, Vuçiq ua ka drejtuar serbëve një ditë para kalimit të afatit për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se “as kësaj here Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për të formuar Asociacionin e komunave serbe”.

Ai ka lutur qytetarët serbë që të mos ndërmarrin asgjë, ngase sipas tij, këtë do të mund ta shfrytëzonin shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre.

Ai ka thënë se ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e NATO-s prej të cilës pret dhe kërkon që “ta ruajnë paqen në atë mënyrë që të pengojnë çfarëdo tentimi eventual të kujtdo dhe me çfarëdo preteksti që ta marrin dhe ta grabisin hidro-elektranën ‘Gazivoda’ (Ujman) dhe trafo-stacionin ‘Vallaç’ ose cilindo objekt kyç infrastrukturor prej të cilit varet mbijetesa e serbëve”.

Vuçiq është shprehur po ashtu se për hir të paqes e stabilitetit do të angazhohet për zgjidhje paqësore dhe kompromisi të marrëdhënieve në Kosovë dhe nuk do të ndalet derisa serbëve të mos u sigurohen të drejta më shumë sesa që kanë sot.

Turqia dhe SHBA-ja zotohen se “do t’i zgjidhin çështjet”

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo – foto arkivi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ranë dakord të punojnë nga afër për të zgjidhur çështjet midis tyre, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Ai i bëri këto komente pas një, siç e cilësoi, takimi konstruktiv me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në margjina të një samiti të ministrave rajonalë në Singapor.

Bisedimet midis tyre u zhvilluan pasi Uashingtoni vendosi këtë javë sanksione kundër dy ministrave turq, për shkak të mbajtjes në burg të një pastori amerikan në Turqi, nën akuzat për terrorizëm.

Turqia tha se sanksionet janë të papranueshme.

Dy vendet, aleate të NATO-s, nuk pajtohen as me politikat rreth Sirisë.

Pastori i krishterë, Andrew Brunson, 50 vjeç, është arrestuar qysh në vitin 2016.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar disa herë Turqinë me sanksione, nëse nuk e liron pastorin, të cilin ai e ka cilësuar si “njeri të pafajshëm”.

Sanksionet amerikane goditën ministrin turk të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, dhe ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu. rel

Brnabiç: SHBA, e gatshme të dëgjojë qëndrimin e Serbisë për Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se administrata e tanishme amerikane “është e gatshme të dëgjojë qëndrimin e Serbisë në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Shumë herë kam pasur përshtypjen se kam para vetes një bashkëbisedues që nuk është i gatshëm të dëgjojë – sikur të flasësh me murin. Tani kemi bashkëbisedues që është i gatshëm të dëgjojë”, tha Brnabiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Duke komentuar synimin e Briatnisë së Madhe që të mos e fusë Kosovën në planin e punës gjatë kryesimit të këtij vendi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në gusht, Brnabiq tha se fjala është për “qëllim të pasinqertë politik”.

“Realisht nuk ekzistojnë shumë gjëra që mund t’i bëjmë direkt, por do të vazhdojmë luftën diplomatike. Kombet e Bashkuara do të duhet të diskutojnë për situatën në Kosovë, siç kanë bërë deri tash”, tha Brnabiq.

Emigracioni në konferencën e përbashkët për shtyp Trump-Conte

Emigracioni ishte një ndër fjalët më të lakuara në konferncën për shtyp të Presidentit Trump me kryeministrin italian të hënën pasdite.

Pas një takimi kokë-më-kokë, Presidenti Trump dhe Kryeministri italian Giuseppe Conti bënë komente për gazetarët ku diskutuan tema të interesit të përbashkët, por ku spikatën edhe çështje të nxehta në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump përshëndeti punën që po bën qeveria aktuale e Italisë për të vënë nën kontroll dyndjen e refugjatëve drejt Evropës. Presidenti Trump tha se është shumë i vendosur të tregohet aktiv për ta zgjidhur këtë problem në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur një mur në kufirin me Meksikën:

“Po tallet bota me Amerikën,” tha presidenti duke folur për gjendjen aktuale të imigracionit dhe kalimin e paligjshëm të kufirit. Presidenti tha se do të përdorë çdo mjet për të siguruar miratimin e fondeve për ngritjen e murit. Zoti Trump tha se është i gatshëm të mbyllë qeverinë kur të skadojnë fondet për operimin e institucioneve federale, për t’i bërë presion Kongresit që të miratojë fondet federale për ngritjen e murit.

Presidenti përsëriti qëndrimin e tij kundër imigracionit zinxhir dhe lotarisë si mënyra për të sjellë shtetas të huaj në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ky sistem duhet zëvendësuar me një aplikim që përzgjedh në bazë të meritave të aplikantit.

Presidenti Trump foli për presionin që ka ushtruar që vendet e tjera të NATO-s të paguajnë detyrimet vjetore. Presidenti Trump tha se është i gatshëm të takohet me udhëheqësin iranian pa parakushte, për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta.

Ai kritikoi marrëveshjet shumëpalëshe tregtare duke thënë se si rezultat Amerika është shfrytëzuar nga të tjerët. Ai përmendi se Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar me Italinë që ai e kishte diskutuar me zotin Conte.

Kryeministri Conte tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump Tubacionin Trans-Adriatik si një projekt strategjik për furnizimin e Italisë dhe Evropës jugore me energji. Ai tha se e konsideron këtë projekt si faktor për të eliminuar përdorimin e qymyrgurit. Kryeministri tha se projekti ka hasur në rezistencë në disa komunitete lokale, ku parashikohet të kalojë tubacioni dhe se ai ka në plan të takojë personalisht kryebashkiakët e këtyre lokaliteteve për ta mundësuar zbatimin e projektit.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, është një ndër udhëheqësit evropianë që ka më shumë të përbashkëta me Presidentin Trump. Ai erdhi në post pas zgjedhjeve ku mbisundoi retorika populiste. Qeveria aktuale italiane ka marrë një numër masash për t’u shkëputur nga praktikat e qeverisë së mëparshme që po dëshmojnë qëndrimin e saj më izolacionist dhe më nacionalist.

Gjuriç: Vizitat e zyrtarëve kosovarë vetëm në përputhje me rregulloret ndërkombëtare

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se zyrtarët kosovarë mund të vizitojnë Serbinë qendrore nëse thirren në marrëveshjet për vizita dhe me kusht që funksioni i tyre ekziston sipas rregulloreve ndërkombëtare.

“Të gjithë zyrtarët që ekzistojnë sipas normave ndërkombëtare mund të thirren lirisht në marrëveshjet për vizita dhe të lëvizin në territorin e vendit të tyre. Por të tillë nuk janë i ashtuquajturi ministër i Jashtëm i Kosovës apo i ashtuquajturi ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sepse krahina e jugut nuk ka funksione të tilla”, tha Gjuriq duke iu refereuar Kosovës.

Ai i bëri këto komente për gazetën serbe Veçernje Novosti.

Autoritetet në Serbi, së voni, nuk i kanë lejuar hyrjen ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, i cili ka kërkuar të vizitojë Novi Pazarin, me ftesë të Këshillit Kombëtar Boshnjak.

Orbani sulmon shtetet ‘jodemokratike’ të Evropës Perëndimore

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka sulmuar ato që ai i quajti shtete “jodemokratike” të Evropës Perëndimore dhe sërish ka shprehur qëndrimin e tij për një Evropë të krishterë dhe “joliberale”.

“Ka liberalizëm në Perëndim, por nuk ka demokraci”, tha Orban gjatë një tubimi me hungarezët etnikë në Rumaninë fqinje.

Ai tha se censura është “bërë e zakonshme” në Evropën Perëndomore dhe se vendet atje kanë imponuar “kufizime në lirinë e shprehjes”.

Orban, që është nacionalist i krahut të djathtë, në mënyrë specifike ka sulmuar Komisionin Evropian, të cilin e ka cilësuar si “simbol të dështimit”.

“Komisioni Evropian po shkon, ne po vijmë”, tha Orban për këtë institucion të Bashkimit Evropian që propozon legjislacion dhe zbatimin e vendimeve dhe traktateve.

Kryeministri hungarez tha se zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Parlamentin Evropian do të dominohen nga “një temë serioze dhe e përbashkët – emigracioni”.

Orban u bëri thirrje partive të krahut të djathtë që të bashkojnë forcat dhe që të gjitha “të përqendrohen në zgjedhjet evropiane të vitit 2019” dhe që ta vënë migracionin në krye të agjendës së tyre.

“Demokracia e krishterë nuk është liberale… Është joliberale, nëse dëshironi ta quani kështu”, tha Orban, i cili në muajin prill fitoi mandatin e tretë radhazi, për të qeverisur me shtetin hungarez.

Një bilbord kundër migrantëve është vendosur nga Qeveria hungareze në rrugët e Budapestit. 4 prill, 2018.
Një bilbord kundër migrantëve është vendosur nga Qeveria hungareze në rrugët e Budapestit. 4 prill, 2018.

Kryeministri i Hungarisë tha se politikat “elite” të Bashkimit Evropian kanë dështuar që ta mbrojnë Evropën nga emigracioni mysliman. Ai tha se “demokracia e krishterë” kundërshton multi-kulturalizmin dhe emigracionin dhe se është anti-komuniste, por qëndron përkrahë vlerave të krishtera.

Orban, është njëri prej figurave qendrore që kundërshton migracionin në Bashkimin Evropian.

Hungaria ka ndërtuar një rrethojë me gjemba përgjatë kufirit të saj për të parandaluar hyrjen e migrantëve në vend dhe ka miratuar një sërë ligjesh kundër migrantëve. Ky shtet po ashtu kunëdrshton operacionet në ndihmë të migrantëve, që kryhen nga organizata të ndryshme.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Beograd: Vritet avokati që mbrojti Millosheviçin

Është qëlluar për vdekje në Beograd një avokat që dikur ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviç gjatë gjykimit të këtij të fundit për krime lufte.

Dragoslav Ognjanoviç, 57-vjeç, është vrarë jashtë ndërtesës ku jetonte në Beograd në orët e vona të 28 korrikut, ka njoftuar Ministria e Brendshme serbe.

Kjo Ministri, përmes një deklarate, ka thënë se edhe djali 26-vjeçar i avokatit Ognjanoviq, është plagosur me armë zjarri në krahë.

Policia ende është duke kërkuar për sulmuesin dhe nuk ka informacione për motivin e këtij sulmi.

Ognjanoviq kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Millosheviqit gjatë gjykimit të tij në Tribunalin për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Ish-presidenti serb ishte arrestuar më 2001 dhe ishte dërguar për gjykim në Hagë, nën akuzat për gjenocid dhe krime të tjera të kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90-ta.

Por Millosheviq vdiq përpara se të shpallej një vendim nga gjykata në Hagë.

Ognjanoviq ka qenë avokat në një numër të madh të rasteve të profilit të lartë të mafias në Serbi dhe Mal të Zi.

Disa pjesëtarë të njohur të rrjeteve kriminale serbe dhe malazeze janë vrarë në Beograd vitet e fundit.

Policia i ka përshkruar këto vrasje si pjesë e një lufte bandash mbi tregun e paligjshëm të drogës.

Në një deklaratë të përbashkët, të Shoqatës së Avokatëve të Serbisë dhe Shoqatës së Avokatëve të Beogradit, thuhet se vrasja e Ognjanoviq është “e fundit në serinë e sulmeve ndaj avokatëve”.

“Ne do të ushtrojmë presion maksimal karshi autoriteteve kompetente shtetërore për të gjetur autorët e këtij krimi sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.

Zjarret masive në Athinë, Tsipras merr të gjitha përgjegjësitë

ATHINË – 5 ditë pas zjarrit vdekjeprurës që i mori jetën 87 personave në Athinë, kryeministri grek Alexis Tsipras mori përgjegjësinë politike për katastrofën kombëtare.

Kreu i qeverisë helene u bëri thirrje edhe ministrave që tani për tani të fokusohen në zhdukjen e çdo problemi dhe kthimin e normalitetit në vend, por sapo çdo gjë të ketë përfunduar duhet të merren përgjegjësitë.

“Unë dua të marr përgjegjësinë politike përpara kabinetit e popullit për këtë ngjare të rëndë. E gjithë qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për tragjedinë. Nuk u shmangëm kur morëm as vendin e falimentuar pas zgjedhjeve, në momente të vështira. Ne po qeverisim një vend që për vite me radhë ka pasur shtrembërime. Të gjitha komplekset e banimit janë ndërtuar pa asnjë dispozitë për sigurinë e banorëve. Por ky shtet tani qeveriset nga ne,” tha Tsipras.

Rreth 87 persona humbën jetën nga flakët e mëdha në Athinë, ndërkohë që qindra të tjerë janë plagosur apo zhdukur.

Autoritetet greke po punojnë për gjetjen e trupave të shuar nga zjarri.

Zjarret në Greqi – shqiptari Viktor Seko ndërroi jetë sot

UPDATE/ Tragjedia në Greqi la pas shumë viktima, mes tyre edhe shqiptarë.

Ambasada shqiptare në Athinë ka konfirmuar se Viktor Seko, nga Narta ka ndërruar jetë ditën e sotme, duke shkuar në 87 numri i konfirmuar i viktimave deri tani.

Në morgun e Athinës, është në përfundim procesi i dhënies së kampioneve të ADN-së, ndërsa ekspertët thonë se deri pasditen e së shtunës do të kenë mbaruar identifikimin e një pjese të mirë të 86 trupave të gjetur.

 

Dy ditë më parë ishte konfirmuar vdekja e një gruaje me origjinë nga Leshnica e Sarandës, Nica Leka, e cila mësohet se ka vdekur në banesën e saj, në vendin e quajtur Mati, shtetase kjo e cila ishte larguar nga vendi jonë në vitet 40′.

Ndërkohë që tragjedia thellohet më shumë për familjen shqiptare, pasi dhe bashkëshorti i saj grek ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Episodi më i tmerrshëm qëkur zjarret u përhapën me shpejtësi, është ai i regjistruar në Mati të Atikës, ku vullnetarët e Kryqit të Kuq gjetën 26 trupa njerëzish, shumë prej të cilëve nëna me fëmijë, të përqafuar me njëri-tjetrin.

Ringjallen shpresat për binjaket e humbura pas zjarreve në Athinë

Historia e dy motrave të vogla është një prej rasteve që i ka prekur të gjithë pas zjarreve në Greqi. Prindërit deklaruan se i panë në varkë në pamjet e transmetuara në televizion por një çift tjetër reagoi dhe tha se janë vajzat e tyre.

Ndërkohë, prindërit vijojnë kërkimet dhe shprehen ende të sigurt se vajzat që panë në pamje janë fëmijët e tyre dhe se mund të jenë rrëmbyer.

Familja Filipoupolos ka pajtuar një hetues privat për të kërkuar vajzat. Ai deklaroi se ka shpresë që ato janë gjallë.

Në një dëshmi, një grua ka thënë se ka parë dy vajza binjake në një varkë shpëtimi që ngjasojnë me motrat Filipopoulos.

“Është në fakt një situata tepër e paqartë, por ne nuk duam që të mendojmë skenarin më të keq. Ka një informacion të fundit nga një zonjë, e cila ishte në det bashkë me një grup, ku ishin edhe dy vajza binjake të vogla. Ne duam të shpresojmë, ndaj dua të jem optimist”, tha hetuesi.

Vuçiç dhe Rivlin në Beograd, historia nuk guxon të harrohet

Vuçiç theksoi se është shumë mirënjohës që Izraeli nuk e ka njohur Kosovën, kështu që Serbia gjithmonë do të kultivojë marrëdhënie miqësore me shtetin e Izraelit dhe popullin hebre

BEOGRAD – Historia nuk duhet harruar, as viktimat hebreje dhe ato serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, shprehën sot në Beograd mendimin e përbashkët të dy presidententët, ai izraelit, Reuven Rivlin dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti izraelit në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij serb, tha se të dy vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta, se të dyja janë përballur, por se ende janë duke luftuar për të mbrojtur pavarësinë e tyre.

“Marrëdhëniet midis popullit hebre dhe popullit serb janë duke u përballur me të kaluarën, por historia nuk duhet të harrohet. Ne si pjesëtarë të popullit hebre që vuajtën gjatë Holokaustit, jemi të vetëdishëm për vuajtjet e popullit serb. Shpresojmë se në të ardhmen do të shohim një vend ku do të nderohen viktimat e Luftës së Dytë Botërore, ku gjeneratat e reja do të mësojnë për vuajtjet e popullit hebre dhe atij serb”, tha ai.

Rivlin shprehu shpresë se vizita e tij e sotme do të ndihmojë në intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve.

“Komuniteti hebraik në Serbi është një urë shumë e rëndësishme midis dy kombeve”, tha ai.

Ai falënderoi Vuçiçin se Serbia miratoi Ligjin mbi Kthimin e Pronës së Viktimave të Holokaustit, duke theksuar se kjo duhet të jetë një model për vendet e tjera.

“Jam krenar që jam presidenti i parë i Izraelit që ka vizituar Serbinë dhe me të vërtetë do të jem i nderuar që presidenti i Serbisë Vuçiç të vij në Kuds”, tha ai.

Sipas tij, Izraeli sot është një ekonomi e fortë.

“Ne jemi krenar për numrin e madh të investimeve izraelite në Serbi, është detyra jonë dhe dëshira që të jemi partnerë të atyre që duan të ecin përpara”, tha presidenti izraelit.

Ndërkaq, presidenti serb theksoi se është shumë mirënjohës që Izraeli nuk e ka njohur Kosovën, kështu që Serbia gjithmonë do të kultivojë marrëdhënie miqësore me shtetin e Izraelit dhe popullin hebre.

“Pres përmirësimin e marrëdhënieve nëpërmjet marrëdhënieve ekonomike, nëpërmjet shkëmbimit tregtar”, tha ai, duke shprehur shpresë se më shumë turistë nga Izraeli do të vijnë në Serbi, si dhe një numër më i madh turistësh serb do të shkojnë në Izrael.

Presidenti serb gjithashtu tha se është rënë dakord që të krijohet një Komitet i Përzier Bashkëpunimi, i cili pritet të krijojë një ambient biznesi edhe më të sigurt në të dy anët. aa

Simiq: Presidenti Vuçiç nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje

Foto nga takimi i mëhershëm – Presidenti serb Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesit e Listës Serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar sot në Beograd një takim me përfaqësuesit e Listës Serbe nga Kosova, i cili ka zgjatur rreth katër orë.

Pas takimit, zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se presidenti serb aktualisht nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për serbët e Kosovës.

“Për momentin, nga ajo që kemi mund të dëgjojmë nga presidenti Vuqiç, është se nuk ka ndonjë propozim të prekshëm që do të mund të prezantohej si zgjidhje”, tha Simiq.

Sipas tij, në takim është folur hapur për problemet aktuale me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë si dhe procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohet në Bruksel.

Sidoqoftë, ai ka deklaruar se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova, në çdo rast dhe për gjithçka po konsultohen me Beogradin. Ai tha se Lista Serbe ka besim të plotë te presidenti Vuqiç.

I jepet lamtumira udhëheqëses së Nënave të Srebrenicës

Hatixha Mehmedoviq

Qindra njerëz ndoqën funeralin e Hatixha Mehmedoviqit, udhëheqëses së një grupi të grave i njohur si Nënat e Srebrenicës, i cili lufton për drejtësi për viktimat e masakrës së vitit 1995.

Mehmedoviq u varros pranë Srebrenicës, në lindje të Bosnjës, vendit ku ka ndodhur masakra më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Bashkëshorti i Mehmedoviqit, dy djemtë dhe vëllai i saj janë në mesin e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë që janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali i atëhershëm, Ratko Mlladiq.

Vitin e kaluar, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte e ka dënuar Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ato në Srebrenicë.

Nënat e Srebrenicës janë vlerësuar për përpjekjet e tyre për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për masakrën.

Zjarret në Greqi, një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë këtij vendi

ATHINË – Është rritur në 81 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve pyjore në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, të cilat shkaktuan një nga fatkeqësitë më të mëdha të zjarrit në historinë e Greqisë.

  • Maqedonia dhe Shqipëria ndihma Greqisë për dëmet e shkaktuara nga zjarret

Zjarret pyjore të cilat veçanërisht ndodhin shpesh në muajt e verës, shndërrojnë mijëra dynymë toke në hi dhe shkaktojnë vdekjen e shumë personave.

Zjarret që shpërthyen në fushat pyjore në afërsi të rajoneve Rafina dhe Penteli, 20 kilometra në verilindje të Athinës u përhapën edhe në rajonet e banuara, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të mëdha të zjarrit në historinë e Greqisë ndërsa shkaktuan vdekjen e më shumë personave deri tani.

Dhjetra persona humbën jetën pasi mbetën të bllokuar në shtëpitë dhe automjetet e tyre meqë zjarret u përhapën në një rajon të gjerë për shkak të erërave të forta që ndryshuan vatrat e zjarreve. Ndërsa disa prej tyre janë mbytur pasi kanë hyrë në det për t’i shpëtuar flakëve.

Zjarret në Greqi, një nga fatkeqësitë më të mëdha

Zjarret që shpërthyen në fushat pyjore në afërsi të rajoneve Rafina dhe Penteli, 20 kilometra në verilindje të Athinës u përhapën edhe në rajonet e banuara, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të mëdha të zjarrit në historinë e Greqisë ndërsa shkaktuan vdekjen e më shumë personave deri tani.

 

Mbi 100 persona llogariten si të zhdukur në mesin e të cilëve edhe turistë të huaj. Nga zjarret mijëra dynymë zonë pyjore si dhe mbi 1.000 shtëpi dhe qindra automjete janë në gjendje të papërdorshme.

Zjarret më të mëdha në 20 vitet e fundit

Në zjarrin që ndodhi në vitin 2000 në ishullin Samos janë prekur shumë vendbanime. Në atë zjarr u dogjën 145 mijë dynymë tokë, ndërsa ishin dëmtuar 47 shtëpi. Të njëjtin vit në zjarrin përreth qytetit Korinth janë djegur 200 mijë dynymë tokë.

Ndërsa në zjarrin e muajit gusht të vitit 2007 në qytezën Zacharo të Gadishullit Mora humbën jetën 63 persona. Të njëjtin vit në zjarret në rajone të ndryshme qindra mijëra dynymë tokë ishin djegur, ndërsa gjithsej humbën jetën 84 persona.

Në zjarrin në ishullin Rhodos në vitin 2008 janë djegur 110 mijë dynymë tokë. Ndërsa më 21 gusht 2009 në Pandeli ishin djegur 175 mijë dynymë tokë.

Hulumtimet tregojnë se zjarret pyjore që ndodhin shpesh herë në Greqi shkaktohen nga neglizhenca dhe pakujdesia.

Bullgaria paralajmëron Greqinë dhe Turqinë për vërshime të mëdha

Autoritetet në Bullgari kanë paralajmëruar Greqinë dhe Turqinë se mund të përballen me vërshime pas reshjeve të mëdha që priten të përshkallëzojnë lumenjtë Arda dhe Maritsa.

Ky njoftim erdhi pas luftës për shuarjen e zjarrit në Greqi që la të vdekur të paktën 74 persona. Lumi Arda në lindje të Rhodope Mountains mund të dal nga shtrati në ditët e ardhshme për shkak të reshjeve që priten të ndodhin, deklaroi Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Lumi Arda mund t’i bashkohet lumit Maritsa në lindje të Greqisë në kufij me Turqinë. Autoritetet e Bullgarisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Një person ka vdekur të martën si pasojë e rrëmbimit nga vërshimet që kapluan qytetin Teteven.


Send this to a friend