VOAL

VOAL

Albin Kurti në Podujevë: Pushkët i kemi plot, Vetëvendosje mbron kufijtë e Kosovës

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti tha në fjalimin e tij elektoral në Podujevë se populli i Kosovës e di se kush e mbron.

Kurti shmangu përmendjen e Richard Grenell në fjalim, i cili ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës.

Ai foli edhe për Serbinë, duke e bërë të qartë se Kosova e ka moralin e lartë, por edhe armët të mbushura.

“Po të ishin ato partitë e tjera, do të kishte qenë problem me këto komunat kufitare. Kur e ke kojshinë e keq, duhet të mbash moralin lart dhe pushkën plot”, tha Kurti. bw

Haga dënon ish-ushtarët e UÇK-së Shala, Januzi dhe Bahtijari për pengim të drejtësisë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari për akuzat që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Gjykata pranoi marrëveshjen e fajësisë që të tre të akuzuarit kishin arritur më parë me Prokurorinë e Specializuar. Sipas vendimit, Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe  Ismet Bahtijari u dënuan me 2 vjet burgim secili.

Gjithashtu, në fillim të seancës, të tre të akuzuarit u pajtuan të paguanin një shumë totale prej 500 euro si kompensim për viktimën në këtë rast, e cila identifikohet si “viktima 01”. Nga kjo shumë, 400 euro do të paguajë Shala, 100 euro Januzi, ndërsa Bahtijari nuk do të paguajë asgjë. Shuma duhet të paguhet deri më 19 shkurt 2025.

Të akuzuarit pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, pasi në fund të dhjetorit 2024 kishin arritur një marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranimin e fajësisë, shkruajnë mediat e Kosovës.

Sipas kësaj marrëveshje, Shala pranoi një dënim deri në 3 vjet burgim, Januzi një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari pranoi që, nëse gjykata e dënonte me 2 vjet burgim ose më pak, ai nuk do të kishte të drejtë apeli ndaj vendimit.

Të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë, duke nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Megjithatë, nuk është bërë publike identiteti i dëshmitarit ose rasti për të cilin ai duhej të dëshmonte. Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Haxhi Shala u arrestua në dhjetor 2023. Koha që kanë kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë do t’u llogaritet në vuajtjen e dënimit të tyre. BW

Gjendet raketahedhës në veri të Kosovës, pranë kufirit me Serbinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar pasditen e sotme një raketahedhës M80 të kalibrit 64mm. Sipas policisë së Kosovës ajo është gjetur në kufi me Serbinë në afërsi të fshatit Kleqkë dhe ishte e mbështjellë me një qese të zezë. Për momentin nuk ka asnjë të dyshuar apo të arrestuar.

“Sot më datën 03.02.2025 rreth orës 16.00 derisa policët ishin në patrullim në zonën kufitare të Zubin Potokut në afërsi të fshatit Kleqkë në lidhje me informacione për rrugë alternative për kontrabandë të mallrave, kanë hasur në një qese najloni ngjyrë e zezë në të cilën mund të kishte diçka të dyshimtë. Pasi ka arritur në vend ngjarje edhe forenzika rajonale, kemi vërejt se kemi të bëjmë me një raketahedhës M80 e kalibrit 64mm. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar, por zona ku është gjetur ky raketahedhës është shumë afër kufirit me Serbinë”, njoftoi Policia e Kosovës. sn

Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar kanë humbur jetën tre fëmijë.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj.

“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit”, ka thënë Elezaj.

Ai ka theksuar se personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e tre fëmijëve dhe se lidhur me rastin është njoftuar prokuroi i shtetit.

Viktimat e këtij rasti tragjik raportohej të jenë të moshës 15 dhe 16 vjeç.

Ndërkaq në faqen e fshatit Shqiponjë, janë bërë të ditur edhe emrat e viktimave që janë nga familja Ramaj, Mehmetaj dhe Morina.

Kryetari i Gjakovë, Ardian Gjini është shprehur i tronditur nga ky rast. Në një postim në Facebook, Gjini u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

“Jam i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë sonte! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet! Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen! Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjëjt!”, ka shkruar Gjini. /Telegrafi.

Kosova ndan gjysmë milioni euro për palestinezët në Gazë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, 31 janar 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro si ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, pas arritjes së armëpushimit më herët gjatë këtij muaji, që ndali luftën 15-mujore në enklavën palestineze.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – mundëson dërgimin e ndihmave në Gazë.

“Qeveria shpreson dhe bën thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme, pra paqe të drejtë dhe të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha Kurti.

Kurti tha se lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme materiale, andaj palestinezëve u duhet ndihma nga shtetet e tjera që të “mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre”.

Më 19 janar hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, por edhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre.

Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë.

Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar këtë muaj, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.

Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Beteja milionëshe për vota

Fushata zgjedhore në Kosovë është një garë milionëshe. Ndonëse partitë politike janë të obliguara t’i raportojnë shpenzimet, vëzhguesit e zgjedhjeve ngrenë shqetësime për transparencën e donacioneve që ato marrin.

Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milionë euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.

Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar.

Rregullorja specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.

Zgjedhjet në Kosovë: Kush voton e kush jo dhe pse ka rëndësi?

Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë 0.50 centë për votues.

Për zgjedhjet e 9 shkurtit, numri i votueseve të regjistruar është 2.075.868.

Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht qysh më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit.

Me fillimin e saj, partitë në garë kanë nisur edhe zyrtarisht shpenzimin e parave.

Shpenzimet përfshijnë para për marketingun politik në televizione, rrjete sociale, shërbime të teknologjisë së informacionit, udhëtime, tubime me kandidatë, karburante, punësim të stafit të nevojshëm për fushatë, logjistikë, ndriçim dhe sistem të zërimit për salla.

Përveç këtyre, para nevojiten edhe për prodhimin e materialeve promovuese, si: kartëvizita, bluza, kapele, broshura, flamuj partiakë, video-xhirime profesionale etj., thotë Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili monitoron fushatën zgjedhore.

Por, publike deri më tash janë vetëm shpenzimet e bëra në rrjetet sociale.

Kompania Meta, e cila ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, publikon të dhëna për reklamat apo mesazhet e sponsorizuara politike.

Duke analizuar një periudhë prej 30 ditësh, del se shpenzimet për fushatë në Facebook, disa garues i kanë nisur para fillimit zyrtar të saj.

Njësoj, edhe disa parti politike – për 30 ditë ato kanë shpenzuar mbi 20.000 euro.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi të katër partitë që kanë kandidatë për kryeministër – Lëvizjen Vetëvendosje me Albin Kurtin, Partinë Demokratike të Kosovës me Bedri Hamzën, Lidhjen Demokratike të Kosovës me Lumir Abdixhikun dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me Ramush Haradinajn – por asnjëra nuk iu përgjigj pyetjeve se sa para kanë shpenzuar për fushatë deri më tani dhe sa planifikojnë të shpenzojnë.

Cakolli pret që fushata aktuale të jetë më e kushtueshme krahasuar me të kaluarat, sepse, siç thotë, është fokusuar në marketing në sferën digjitale.

Si i sigurojnë paratë partitë politike?

Partitë politike financohen nga dy burime – nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët e jashtëm – në formë të parave të gatshme ose përmes kontributeve në mallra dhe shërbime.

Financimi nga buxheti i shtetit bëhet çdo vit përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike.

Ky fond në buxhetin e këtij viti – prej 3.6 miliardë eurosh – ka vlerën e 4.8 milionë eurove.

Mjetet nuk janë shpërndarë ende për këtë vit, sepse rekomandimi i propozuar nga Zyra e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk i ka marrë votat e nevojshme nga anëtarët e KQZ-së.

Përpjekje të reja pritet të ketë në muajt në vazhdim.

Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike e kishte vlerën e njëjtë edhe vitin e kaluar: 4.8 milionë euro.

Ndarja bëhet në bazë të përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Kosovës, që ka gjithsej 120 ulëse.

artitë politike nisin fushatën në Facebook

Sa përfituan partitë vitin e kaluar?

Nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik, përfitoi 2.2 milionë euro.

Partia Demokratike e Kosovës mori mbi 760 mijë euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 640 mijë euro dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 320 mijë euro.

Dhjetë partive të tjera të përfaqësuara në Kuvend iu ndanë nga më pak se 100 mijë euro.

Sa janë donacionet?

Me Rregulloren për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, partitë politike kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë nga persona fizikë dhe juridikë.

Personat fizikë mund të japin deri në 2.000 euro, ndërsa ata juridikë jo më shumë se 10.000 euro.

Këto kontribute mund të jepen nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

KQZ-ja e shpalli 9 shkurtin si datë për zgjedhjet parlamentare në gusht të vitit të kaluar.

 

Shorti, fushata, diaspora: Çfarë duhet të dini për zgjedhjet e 9 shkurtit?

Megjithatë, në raportet e fundit të publikuara në ueb-faqet e partive politike, donacionet dhe kontributet nuk janë në shuma të mëdha financiare.

Në raportin financiar për periudhën korrik-shtator 2024 të Lëvizjes Vetëvendosje, në kategorinë e donacioneve dhe kontributeve thuhet se janë grumbulluar 3.227 euro, kurse nga anëtarësia 88 euro.

PDK-ja nuk ka të publikuar ndonjë raport për donacione për ndonjë periudhë të vitit 2024, ndërsa në periudhën shtator-dhjetor të vitit 2023, vetëm një person ka dhuruar 100 euro.

Për periudhën korrik-shtator të vitit të kaluar, sipas raportit të LDK-së, kjo parti ka mbledhur 2.995 euro donacione.

AAK-ja, ndërkaq, ka pranuar 5.058 euro donacione në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.

Në të gjitha raportet e publikuara figurojnë edhe emrat e kontribuuesve, që në disa raste janë anëtarë apo edhe vetë kryetarë të partive.

Cakolli: Raportet nuk paraqesin gjendjen reale

Vlera e donacioneve është disa herë më e madhe se ajo që raportohet, thotë Cakolli nga DnV-ja.

Sipas tij, partitë politike nuk i publikojnë donacionet që i japin kompanitë private.

“Një faktor që i shtyn kompanitë të mos i japin zyrtarisht donacionet, është ekzistimi i një dispozite ligjore, sipas së cilës, kur një kompani ofron donacion për një parti politike, ajo nuk mund të marrë kontrata publike për një periudhe së paku trevjeçare pas përfundimit të kontratës, si nga ana e institucioneve qendrore, ashtu edhe atyre lokale”, shpjegon Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Kjo, shton ai, “i dekurajon bizneset që të japin donacione në mënyrë formale”, porse kontributi i tyre në forma të ndryshme, nuk mungon.

“Ka raste që pronarë të restoranteve, sallave apo kompanive që ofrojnë shërbime apo produkte të caktuara, u japin partive politike mjete pa pagesë. Për shembull, salla e restorantit lëshohet pa kompensim, ose ndriçimi, zërimi apo produkte të ngjashme ofrohen pa pagesë”, thotë Cakolli.

Me ligj, subjektet politike garuese në zgjedhje obligohen të dorëzojnë në KQZ raportin financiar të fushatës zgjedhore, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Çfarë ndodhi në Skenderaj?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke marrë pjesë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Fotografi nga arkivi.

 

Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, është pritur me protestë të hënën në Komunën e Skenderajt, në një vizitë në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Disa qytetarë kanë protestuar para vendit ku ishte planifikuar të deklarohej Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, i cili synon edhe një mandat në këtë pozitë – si dhe janë dëgjuar duke bërtitur “Thaçi, Thaçi”, referencë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që tradicionalisht ka qenë në krye të garës në këtë komunë.

Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK-ja pati siguruar 70.9 për qind të votave në këtë komunë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 20 për qind.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë në aksionin e protestuesve, të cilët kanë përdorur edhe mjete piroteknike.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka të arrestuar për këtë incident.

Përmes faqes zyrtare në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ka dështuar “përpjekja për ta pamundësuar tubimin në qytetin e Skenderajt”.

“Vazhdojmë cep më cep vendit”, është thënë në postim.

Vetë Kurti ka thënë në Facebook se bastioni i partisë që udhëheq është “zemra e qytetarit të Republikës”.

“Drenica është zemra e Kosovës. Rroftë familja Jashari! Rroftë Skenderaj! Rroftë kombi shqiptar!”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka dënuar këtë pritje në Skenderaj, ndërsa protestuesit i ka përshkruar si “qyqarë”.

“Harroni që na ndalni. Po thyejmë bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Anëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Çekun për gjuhën e përdorur.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), shprehi shqetësimin e saj të me incidentin e ndodhur në Skënderaj, duke dënuar “çdo formë dhune, provokimi apo ndërhyrje në proceset demokratike, veçanërisht gjatë një periudhe kaq të ndjeshme të fushatës zgjedhore”.

“Të tilla akte janë një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë”.

DnV ka thënë ditë më parë se subjektet politike e kanë rritur përdorimin e gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në javën e dytë të fushatës zgjedhore.

Në një konferencë për media, Violeta Haxholli nga kjo organizatë ka thënë se 20 për qind e fushatës, e cila ka nisur më 11 janar, ka përmbajtur gjuhë të tillë deri tani.

Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes në 25 për qind të aktiviteteve të saj zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës në 20 për qind, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA në 18 për qind, dhe Partia Demokratike e Kosovës në 11 për qind.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Raport mbi problemet e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë dhe komunitetit serb në veriun e Kosovës

VOA Leonat Shehu

Një raport i publikuar të enjten nga Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike me seli në veri të Mitrovicës, thekson se entonacionalizimi në veri të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës, kufizon mundësinë e zhvillimit të vlerave të përbashkëta.

Raporti me titull, “Imazhet në kokat dhe zemrat tona: Shqiptarët dhe serbët – njëri për tjetrin”, thekson sfidat dhe problemet me të cilat përballen komunitetit serb në katër komuna në veri të Kosovës dhe komuniteti shqiptar në tri komuna në jug të Serbisë.

Sipas raportit, rreth 73 për qind e qytetarëve në veri të Kosovës e shohin të ardhmen e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve të përshkuar nga konflikte të ndryshme në veri, ndërsa rreth 34 për qind e të anketuarëve në Luginën e Preshevës e kanë të njëjtin mendim në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve.

Zoran Gavriloviç nga organizata joqeveritare “Birodi” në Serbi tha se të dhënat tregojnë se ekziston një potencial për konflikt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Këtu kemi konstatimin se në veri, 38.1 për qind e të anketuarve besojnë se lufta është e justifikuar nëse do të korrigjohen padrejtësitë ndaj vendit, 37 për qind ndaj kombit që i përkasin dhe 35.9 për qind e të anketuarve mendon se lufta është e justifikuar nëse do të ketë ndryshim kufijsh. Këto përqindje janë dukshëm më të larta në rastin e Luginës së Preshevës dhe kur bëhet fjalë për shtetin 61,25 për qind, kur është fjala për kombin etnik 56 për qind dhe në kuptimin e bashkimit të popullit 58.8 për qind”, tha ai.

Zoti Gavriloviç thotë se 25 vjet pas përfundimit të luftës ka ende njerëz që mund të keqpërdorin situatën aktuale.

“Domethënë ky etnonacionalizëm që është përshkruar dhe këtë potencial që dikush dëshiron të legjitimojë me politika të tilla, ekziston, unë nuk po them se a është kjo e nevojshme, po them se kjo është e mundur”, tha zoti Gavriloviç.

Sipas raportit, për qytetarët serbë në veri të Kosovës, “politika, pushtimi i veriut, marrja e pronës, represioni i policisë dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti”, janë problemet kryesore që përkeqësojnë marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Për qytetarët në Luginën e Preshevës, “problemet sociale, trashëgimia e luftës, gjuha dhe diskriminimi i shqiptarëve” janë pasqyrim i marrëdhënieve jo të mira mes dy etnive.

Drejtori Qendrës Avokuese për Kulturë Demokratike, Dushan Radakoviç, tha se lidhja e serbëve nga veriu i Kosovës me Serbinë luan një rol thelbësor në formësimin e qëndrimeve dhe perceptimeve të tyre për sfidat e përditshme.

“Serbët nga veriu i Kosovës kryesisht i shohin autoritetet e Kosovës si burimin kryesor të problemeve, me pothuajse 82 për qind të të anketuarve që besojnë se masat e marra nga Prishtina, kryesisht qeveria e Kosovës, kërcënojnë komunitetin e tyre. Përveç kësaj, 80.7 për qind besojnë se fuqitë perëndimore, përmes mbështetjes së tyre për institucionet e Kosovës, kanë qenë një faktor i rëndësishëm në destabilizimin e rajonit”, tha zoti Radakoviç.

Agon Islami nga organizata joqeveritare Qendra për Demokraci dhe Arsim në Luginën e Preshevës tha se ka shumë gjera që e bëjnë dallimin midis shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës.

“Ne jemi viktimë për shkak se jemi shqiptarë dhe jetojmë në Serbi. E vetmja pakicë prej 30 viteve që asnjëherë nuk kanë qenë në qeverisjen qendrore janë shqiptarët në Serbi nga viti 1992 kur ka fillu shpërbërja e Jugosllavisë. Të gjitha këto probleme kanë një emërues të përbashkët diskriminimi e shtetit ndaj shqiptarëve”, tha ai.

Sipas raportit, mungesa e raportimit objektiv dhe të baraspeshuar nga ana e mediave kontribuon në forcimin e tensionit dhe mosbesimit ndëretnik. Derisa serbët në Kosovë besojnë se qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar janë faktorët kryesorë të destabilizimit, te shqiptarët në Luginën e Preshevës, Serbia dhe Rusia janë burim i urrejtjes dhe konflikteve.

Ajri i ndotur në Prishtinë, kërkohet përdorimi i maskave mbrojtëse

Këto ditë Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vlerëson se ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes. Prandaj, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët për reduktimin e rrezikut, kur ajri ka vlera të larta të ndotjes.

“Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat; Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave, kjo për sa kohë do të zgjasin vlerat e larta; Personat që e kanë  të pashmangshëm daljen të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall”, këto ishin ndër rekomandimet e IKSHPK-së.

Sipas IKSHPK-së efektet shëndetësore afatshkurtra të ndotjes së ajrit në shëndet paraqesin sëmundjet, shtrimet në spital, komplikimet shëndetësore dhe vdekjet.

Efektet shëndetësore afatgjata: sëmundshmëria, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare.

Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë: sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së për ndotjen e ajrit”, thuhet në vlerësimin e IKSHPK-së.

Sipas Institutit, të dhënat e OBSh-së tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Përafërsisht 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa 190.000 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. sn

Vdes një gazetare ukrainase që po strehohej në Kosovë

Gazetarja ukrainase, Olha Priadko, ka vdekur në moshën 51-vjeçare në banesën në Prishtinë, ku prej dy vjetësh jetonte me djalin e saj, njoftoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Shkaku i vdekjes së saj ende nuk dihet.

Priadko po strehohej në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, përmes së cilit gazetarët nga Ukraina, që përballet me pushtimin rus që nga viti 2022, mund të jetojnë dhe punojnë nga Kosova.

“Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata që punuan me të”, shkroi AGK në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për vdekjen e gazetares ukrainase, tha se ajo u strehua në Kosovë për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në shtetin e saj.

“Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë”, tha Kurti.

Pikëllim të thellë për vdekjen e Priadkos shprehu edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Përkushtimi i saj për gazetarinë dhe koha që ajo kaloi me programin ‘Gazetarët në Rezidencë’ do të mbahen mend gjithmonë”, tha BE-ja, duke u shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.

“Gazetarët në Rezidencë”, përmes së cilit ishte strehuar në Kosovë Priadko, është një program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Nëpërmjet këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas.

Atyre u mundësohet një pagë mujore, akomodim në banesë, kushte pune, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Përveç ndihmës përmes këtij programi, shteti i Kosovës ka dënuar pushimin rus të Ukrainës dhe u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës. REL

Sefte në politikë, synojnë të ndryshojnë ecjen e Kosovës

Kandidatët që po garojnë për herë të parë Jehona Lushaku Sadriu, Drin Ejupi, Nezir Kraki, Emine Daci Zejnullahu.

 

Nadije Ahmeti

Nezir Kraki është gati të lërë pas karrierën e tij akademike në Francë, për t’u angazhuar aktivisht në skenën politike të Kosovës.

Profesori i Shkencave Politike, që prej vitesh ligjëron në Universitetin Paris-Est Creteil, ka vendosur të garojë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – për herë të parë në një garë politike.

“Për mua, ligjet brenda të cilave funksionon një shoqëri, duhet të jenë sa më të qarta dhe sa më të përputhshme me nevojat konkrete të qytetarëve”, thotë 43-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.

Nezir Kraki.

Nezir Kraki.

Ai është në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që aktualisht është në pushtet. Thotë se e ka zgjedhur atë për t’i çuar përpara ligjet në dobi të qytetarëve – pa i specifikuar cilat – por edhe politikën e jashtme të Kosovës.

Me një synim krejt tjetër ka vendosur të përfshihet për herë të parë në një garë zgjedhore edhe Drin Ejupi.

Gazetar për 15 vjet në Kosovë, ai thotë se do të angazhohet për një shtyp më të lirë dhe jo vetëm…

“… për një drejtësi më të pavarur, për qytetarë më të lidhur me sportin, sepse aty është edhe shëndeti, për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror dhe ekonomik”, thotë 35-vjeçari.

Për këto synime thotë se e ka gjetur veten te programi i Partisë Demokratike të Kosovës, në listën e së cilës është përfshirë tashmë si kandidat për deputet.

Drin Ejupi.

Drin Ejupi.

Pjesë e Kuvendit për herë të parë synon të bëhet edhe Jehona Lushaku Sadriu.

Prej vitesh profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës dhe drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ajo i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2021, ndërsa këtë vit ka vendosur të garojë për herë të parë për pozitën e deputetes.

Vendimin thotë se e ka marrë duke parë “kushtet e vështira në shkolla” dhe “cilësinë e dobët në arsimin parauniversitar”.

Jehona Lushaku Sadriu.

Jehona Lushaku Sadriu.

“Unë do të shtyj përpara platformën e mësimit gjithëditor në të gjithë Kosovën”, thotë 44-vjeçarja.

Për ta forcuar bindjen e saj, ajo kujton se një projekt i tillë ka nisur vitin e kaluar në pesë shkolla fillore në Prishtinë dhe thotë se rezultatet deri më tash janë pozitive.

Një kandidate tjetër që ka nisur rrugëtim të ngjashëm, është edhe Emine Daci Zejnullahu.

Në të 50-tat e saj, ajo është bërë për herë të parë kandidate e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe qëllimin thotë se e ka të qartë: ngritjen e sektorit të bujqësisë.

Daci Zejnullahu është e shkolluar në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë dhe ligjëron në një kolegj privat në Prishtinë.

Emine Daci Zejnullahu.

Emine Daci Zejnullahu.

Ajo shpreh bindjen se, duke qenë pjesë e vendimmarrjes, do të mund të angazhohet për rritje të prodhimit vendor.

“Pjesa më e madhe e ushqimit në Kosovë është e importuar. Remitencat dhe pagat tona shkojnë jashtë Kosovës dhe kështu ndërtohen shtetet tjera”, thotë Daci Zejnullahu.

Të gjitha fushat ku synojnë t’i përqendrojnë energjitë këta kandidatë, në fakt, kanë nevojë për përmirësime.

Për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka ngecur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.

Gjendja e lirisë së mediave në vend, sipas Indeksit për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij, është përkeqësuar vitin e kaluar. Në listën me 180 vende, Kosova është renditur në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se në vitin 2023.

Cilësia e arsimit është po ashtu e ulët. Në tri teste të PISA-s -program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë – që janë zhvilluar më 2015, 2018 dhe 2022, Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

E, sa i përket ekonomisë, vendi ka debalancë të madhe mes importit dhe eksportit tash e sa vite. Mesatarisht në vit, importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove.

Premtime të ngjashme për ndryshime ka pasur edhe më herët, por mbetet për t’u parë se sa prej këtyre do të jetësohen kësaj radhe.

zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të garojnë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Trumpi dhe Kosova

Valona Tela

Nga sot merr detyrën presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, 2024, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku shërbeu edhe në periudhën 2017-2021.

Gjatë mandatit të parë, Trump dëshmoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020.

Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje që gjetën zbatim të plotë, ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Ndonëse shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë, Trump e cilësoi atë si një “përparim të madh” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Atëkohë, ai tha se është “krenar për dy udhëheqësit” – kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, 2020.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, 2020.

Në sigurimin e kësaj marrëveshjeje, rol të rëndësishëm luajti Richard Grenell, që asokohe shërbente si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë arritje, ai u dekorua edhe me Medaljen e Sigurisë Kombëtare nga Trump, në dhjetor të vitit 2020.

Përveç tij kishte edhe zyrtarë të tjerë të administratës së parë Trump që mbështetën ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëri prej tyre ishte John Bolton, atëkohë këshilltar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk i përjashtoi si mundësi korrigjimet territoriale mes dy vendeve.

“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, tha Bolton në gusht të vitit 2018.

Në administratën e re, Trump zgjodhi republikanin Mike Waltz në pozitën e këshilltarit për siguri kombëtare.

Ndonjë deklaratë e tij për Kosovën nuk është publike, por është i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të ri të Shtetit, Marco Rubio, i cili, përgjatë karrierës, e kishte disa herë në fokus rajonin e Ballkanit.

Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përparim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, tha në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do marrëveshje.

“Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, tha Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, tha Wisner.

Për David Kaninin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

“Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trump. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit”, tha Kanin, por shtoi se Trump, megjithatë, është i paparashikueshëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e uruan Trumpin për fitoren, duke e cilësuar SHBA-në si një aleate, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës.

Dhjetë ditë para se Trump ta merrte detyrën, Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë së shpejti një marrëveshje për dialog strategjik, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. REL

NATO dhe BE përforcojnë kontingjentet në Kosovë para zgjedhjeve të 9 shkurtit

NATO dhe Bashkimi Evropian po dërgojnë burime në Kosovë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.

KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”.

Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.

Ditë më parë, shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë shprehu edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të monitorohen po ashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar për një mision prej 100 vëzhguesish.

Nathalie Loiseau, anëtarja franceze e Parlamentit Evropian, do të udhëheqë misionin e bllokut evropian për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ky mision vë në pah “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të forcuar edhe më tej qeverisjen e saj demokratike”.

Ajo tha se votimet e 9 shkurtit do të tregojnë “pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës”.

Ky do të jetë misioni i shtatë vëzhgues i BE-së për zgjedhjet në Kosovë.

Fushata zgjedhore, e cila nisi më 11 janar, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë që e monitorojnë këtë proces, po karakterizohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.

Katër kandidatët për kryeministër – Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ditët e para të fushatës i kanë përqendruar energjitë te politikat e brendshme dhe te akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Këto zgjedhje shihen nga shumë si test për fuqinë e kryeministrit Albin Kurti dhe të partisë së tij, teksa tensionet janë të larta me minoritetin serb dhe me Serbinë fqinje.

Asnjëri nga ta nuk ka përmendur si zotim kryesor normalizimin e raporteve me Serbinë.

Së fundi janë rritur tensionet për shkak të disa veprimeve të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në komunat ku jetojnë serbët. Më 15 janar, u mbyllën institucione serbe në dhjetë komuna të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ato ishin institucione ilegale.

Megjithatë, mbyllja e disa komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me kundërthënie.

Kjo, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi po më 15 janar se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë zytare.

Mbyllja e institucioneve të tilla nga autoritetet e Kosovës ka nisur që në fillim të vitit 2024.

Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb.

Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët serbë përmes pensioneve apo edhe shtesave të tjera.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, sikurse edhe Bashkimi Evropian, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.

Blloku evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet në kuadër të dialogut të Brukselit, duke thënë se normalizimi është kusht për avancimin e shteteve drejt integrimeve evropiane. REL

Forcat rezervë shtesë arrijnë në mbështetje të KFOR-it

Sot trupat italiane nga rezervat e KFOR-it përfunduan ardhjen e tyre në mbështetje të misionit të udhëhequr nga NATO, duke përforcuar praninë e tyre në Kosovë.

Në një komunikatë për media të KFOR-it thuhet se vendosja e trupave italiane në Kosovë është e përkohshme.

“Në muajt në vijim, më shumë se 200 ushtarë nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane “Sassari” do të kryejnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të dislokohen në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm në situatën e sigurisë, përfshirë edhe periudhën e zgjedhjeve”.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /Kosovapress/

Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë post aktualisht e mban Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.

Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun./ REL.

Kandidatja për deputete krahasoi Kurtin me Hitlerin, LDK gjobitet me 20 mijë euro

Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 20 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi një nga kandidatet për deputete të kësaj force politike e ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me liderin nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler.

“PZAP ka pranuar një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës në të cilën thuhet se një kandidate e LDK-së ka shpërndarë një video përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të publikuar në PZAP, LDK ka 15 ditë afat që ta paguajë gjobën.

Feride Rushiti dhe QKRMT-ja nominohen për Çmimin Nobel për Paqe

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.

“Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, shkroi ai.

Pas publikimit të letrës nga deputeti suedez, Rushiti tha se është e nderuar dhe shprehu mirënjohje për këtë nominim.

“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook.

Nominimi, tha Rushiti, tha se është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”.

Në letrën drejtuar Institutit norvegjez të Nobelit, Jacobsson tha se Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës.

QKRM-ja, sipas tij, ka ofruar ndihmë kritike mjekësore, psikologjike dhe mbështetje ligjore për mijëra të mbijetuar “duke u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe nevojat e tyre të përmbushen”.

“Avokimi novator i Rushitit në njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të pareshtura kanë çuar në krijimin e kornizës ligjore në njohjen e këtyre të mbijetuarve si viktima civile të luftës, duke iu mundësuar atyre qasje në reparacione. Kjo arritje historike, e arritur më 2017, ka sjell dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe është shpresë për drejtësinë e pasluftës në mbarë botën”.

Ai po ashtu tha se Rushiti, përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.

Feride Rushiti ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.

Ndryshe, deputeti suedez Magnus Jacobsson, më 2020 kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Kosovën, Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çmim, më 1996 ishte nominuar edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, më 2013, u nominuan udhëheqësit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kush mund të bëjë nominime për Çmimin Nobel për Paqe?

Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe mund ta bëjnë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.

Po ashtu, nominime mund të bëjnë edhe anëtarët e institutit Ndërkombëtar de Droit, profesorë universitarë, laureatë të Çmimit Nobel për Paqe, anëtarët aktual të Komitetit norvegjez të Nobelit dhe ish-këshilltarët e këtij Komiteti.

Më pas, Komiteti bënë përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikuar dhe zgjedh fituesin.

Ky çmim ndahet çdo vit në muajin dhjetor. REL

SHBA-ja dhe BE-ja kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

“Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.

Në një deklaratë të postuar në ueb-faqen e saj, Ambasada amerikane në Prishtinë i cilësoi veprimet e Kosovës si të pakoordinuara tha se ato “e dobësojnë besimin në marrëdhënie” dhe “e kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”.

Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e shpërndau komunikatën e BE-së në X, duke shtuar se pajtohet plotësisht me reagimin e saj ndaj vendimit të autoriteteve kosovare.

“Dhe, më lejoni të jem i qartë: Ne pajtohemi në parim se strukturat e tilla paralele duhet të shuhen. Por, mënyra për ta bërë këtë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime sikurse këto sot, ju nuk i fitoni zemrat e njerëzve të prekur nga kjo”, tha Rohde.

BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele më 2013 në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

“Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.

Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviq.

Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranj”.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. REL

Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Konferenca e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Prishtinë, 15 janar 2025.

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.

Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por, dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e saj. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk u bë i ditur gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Ndërkohë, në konferencën e mbajtur për këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha rasti ka qenë jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione.

“Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital”, tha Gashi.

Pas konferencës, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, tha se ende nuk e kanë lexuar aktakuzën, por se shpreson që “sa më shpejt drejtësia të vijë në vendin e vet”.

Liridona Ademaj ishte vrarë në moshën 30-vjeçare, më 29 nëntor të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Prokurorja e rastit tha gjatë konferencës së 15 janarit se Naim Murseli ka “planifikuar gjithçka”, ndërsa i quajti Murselin, Kokallën dhe Plavën “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës.

“Sa i përket ekzekutuesit të katërt, mendoj se nuk është etike të përmendet emri i tij, pasi ai nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale. Ai është përfshirë në këtë aktakuzë në një mënyrë të tërthortë dhe jo drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penale”, tha Përlinçeviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e saj, Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës – për herë të fundit më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa, të akuzuarit të katërt në këtë rast, Gjykata Supreme ia kishte ndërprerë masën e paraburgimit, duke ia mundësuar të mbrohet në liri. Ai ishte arrestuar më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia kishte shitur armën dorasit.

Familja e Liridonës kishte kërkuar rivarrosjen e trupit të saj në pranë varrezave të prindërve të saj, ndërsa aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.

Zemërim të madh kishte shkaktur edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varimit.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, nënë e dy fëmijëve, është dënuar rëndë në Kosovë dhe liderët politikë të vendit kanë kërkuar drejtësi për rastin e saj.

Nga viti 2010 deri më tani në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.

Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.

Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112.

Numri i Policisë së Kosovës është 192.

REL

Sveçla: Sot u mbyll përfundimisht kapitulli i institucioneve paralele

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ai i administratës së pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, kanë njoftuar nga fshati Banjë se ditën e sotme janë mbyllur edhe institucionet e fundit paralele të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale”, njoftoi Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Sveçla nënvizon se siç qeveria Kurti është zotuar në vazhdim “nuk do të lejohet asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal i Serbisë që të cenoje Kushtetutën e ligjshmërinë” e Kosovës.

“Qytetarë të nderuar nga sot kapitulli i institucioneve paralele, ilegale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllet në Banjë e gjithandej në pjesët e tjerë të Republikës së Kosovës. Objektet komunale, postat, zyrat tatimore, të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, u shpreh Sveçla në videon e postuar në rrjetet sociale.

Ndërkaq, ministri Krasniqi deklaroi: “Nga sot të 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht. Nga sot këto institucione paralele nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”. sn

Kosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna

Ndërtesa e Postës së Serbisë në Graçanicë, më 15 janar 2025.

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Lisa Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhet në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturite cilësoi aksionin si “sulm” dhe tha se “një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun”.

“Është e qartë përse [kryenegociatori i Kosovës, Besnik] Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Me delegacionin e Beogradit erdha me qëllim që sot të trajtojmë çështjen e personave të zhdukur, ndërsa [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe të veprimeve të njëanshme”, shkroi Petkoviq në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.

Para ndërtesës së Postës së Serbisë u vendos një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Policia e Kosovës tha se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.

“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.

Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.

Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe SHBA-ja, që atëkohë u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” dhe e cilësuan aksionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.

Cilat institucione u mbyllën?

Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. REL

EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

Forcat e EULEX-it në Kosovë

 

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë të martën se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

Sipas njoftimit këta policë do të punojnë “krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.

Ky njoftim vie një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 9 shkurt.

Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si “çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcat shtesë të EULEX-it pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim si dhe sipas njoftimit do të kryejnë patrullime të dukshme.

Ky do të jetë dislokimi i pestë i njësitit rezervë së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.

Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Mbajtja e votimeve po bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në shtator të vitit 2023, në veri të Kosovës një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Ky kanal furnizon me ujë disa komuna të Kosovës dhe uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve.

Për të dy ngjarjet, Kosova e fajësoi Serbinë, e cila mohoi përfshirjen në sulme. REL

Presidenca polake e BE, Kosova kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian ka mbetur në sirtarët e Brukselit. Situata nuk pritet të ndryshojë as të paktën në pjesën e parë të vitit kur Polonia ka presidencën e Këshillit të Europës.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Polonisë pranoi se mundësitë janë të kufizuara për avancimin e statusit të Kosovës duke përmendur si arsye ndër të tjera edhe mungesën e njohjes së pesë vendeve të Bashkimit Europian.

Mungesa e rezultateve në dialogun me Serbinë shihet si arsye për mungesën e progresit.

“Kjo presidencë e Këshillit të BE, Polonia] po më duket më shumë e sinqertë që ia ka bërë me dije Kosovës që në rast se nuk përmbushen kriteret politike, veçanërisht me Serbinë që lidhen praktikisht edhe me kriteret e fqinjësisë së mirë nuk ka progres të mëtejshëm të Kosovës drejt Unionit Europian”, tha Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës nuk pajtohet që dialogu të jetë pengesë madje thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim është dëshmi se kur BE ka vullnet mund të gjejë konsensusin e nevojshëm për avancimin e rrugëtimit të Kosovës drejt unionit.

“Dialogu nuk mund të jetë pengesë apo kriter për ecjen para të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian, përderisa vendi ynë nuk është pala bllokuese e procesit. Për më tepër, edhe stadi i rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, nuk janë në të njëjtin nivel. Prandaj Kosova nuk mund të bllokohet që në krye të herës”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Qeveria thotë se janë gati të pranojnë pyetësorin dhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Gjithashtu theksojnë se në vazhdimësi kanë punuar ngushtë dhe se kanë qenë në kontakt me Presidencat e Këshillit të BE-së të dy viteve të fundit, ndërsa njëjtë po veprohet edhe me presidencën polake.

“Vendimmarrja finale nuk varet nga ne, andaj duhet të ekzistojë edhe vullneti nga ana e Bashkimit Evropian që në një proces i cili shpesh theksohet se është i bazuar në meritokraci, pikërisht meritokracia të mbizotërojë, të vihet në shqyrtim e vlerësim serioz aplikimi ynë dhe të mundet Kosova të tregojë e dëshmojë nivelin e saj të përgatitjes dhe meritës për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Kosova fajëson Serbinë për qasje destruktive në procesin e dialogut dhe për nxitje të vazhdueshme të tensioneve në terren. Mirëpo rezultate konkrete do t’u kërkohen të dyja palëve.

“Nga Kosova dhe Serbia do të kërkojnë rezultate konkrete në dialog dhe përmbushje të hapave të mëtejshëm, jo teori, jo më takime përmes ‘diplomacisë fluturuese’ pa asnjë rezultat konkret vetëm sa për sy e faqe ose për shtrëngim duarsh para kamerave të burrështetasve të Kosovës dhe Serbisë siç ka ndodhur deri më tani”, tha Sadiku.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat. sn

Asociacioni, dialogu… kush çka do të bëjë?

Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës gjatë tubimeve zgjedhore.

 

Bekim Bislimi

Ndërsa Kosova u afrohet zgjedhjeve të saj parlamentare më 9 shkurt, vendi përballet me disa sfida kritike që mund ta formësojnë të ardhmen e tij.

Nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e deri te normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, agjenda duket e ngjeshur.

Me pyetjen se si do t’i adresojnë ato, Radio Evropa e Lirë iu drejtua të katër kandidatëve për kryeministër – Albin Kurtit të Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet; Bedri Hamzës të Partisë Demokratike të Kosovës; Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – por prej asnjërit nuk mori përgjigje.

Në vend të tyre u përgjigjën zyrtarët e partive, e në rastin e Vetëvendosjes as ata.

Si do të adresohet çështja e Asociacionit?

Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje qysh në vitin 2013, por Kosova nuk e zbatoi atë, nga frika se mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.

Në vitin 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën edhe atë që njihet si Marrëveshja Bazë, e cila, përveç një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, kërkon nga palët që ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe t’i njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.

Serbia, në disa raste, është shprehur kundër saj dhe, sipas Kurtit, Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

Duke folur së voni në një intervistë për median kosovare Kosovapress, Kurti tha se Asociacioni nuk duhet të vendoset në qendër të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Marrëveshja Bazë, e cila e adreson edhe çështjen e Asociacionit, duhet të zbatohet tërësisht.

“Unë besoj që duhet të përqendrohemi te Marrëveshja Bazë. Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Le të adresohet aty”, tha Kurti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se formimi i Asociacionit është obligim i Kosovës, edhe për shkak se është pranuar nga ana e Kurtit me anë të Marrëveshjes Bazë.

“Për ne është me rëndësi që të respektohet Kushtetuta”, thotë Ahmetaj, por nuk specifikon se cili është plani i PDK-së për Asociacionin në të ardhmen.

Bashkësia ndërkombëtare ka hartuar një draft-statut për këtë asociacion dhe ka kërkuar nga Kosova që ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese – gjë të cilën Kosova nuk e ka bërë.

Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ky draft-statut është rezultat i Marrëveshjes Bazë, të cilën ai e konsideron si të keqe.

Ai thotë se në rast se LDK-ja i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit dhe merr pushtetin me në krye liderin e saj, Lumir Abdixhiku, do të bëjë përpjekje për rishikimin e draft-statutit të Asociacionit, në mënyrë që ai të mos jetë në kundërshtim me organizimin kushtetues të Kosovës.

“Dokumenti, si i tillë, para se të kalojë në shkallën tjetër [për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese] duhet – me ndërmjetësit ndërkombëtarë, në veçanti me rol të forcuar të amerikanëve në këtë proces – të shihet, që të jetë në përputhje me obligimet, zotimet kushtetuese që i ka Republika e Kosovës”, thotë Haziri.

Lulzim Blaka, zyrtar për informimin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se kandidati për kryeministër i kësaj partie, Ramush Haradinaj, planifikon që draft-statutin për Asociacionin ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Pas përgjigjes së Kushtetueses, duhet të procedohet sipas obligimeve që i ka marrë Kosova si shtet”, thotë Blaka, duke shtuar se kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Si do të adresohet dialogu me Serbinë?

Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.

Shumë prej marrëveshjeve të arritura mbeten pa u zbatuar dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për angazhim jo të duhur.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit 2023. Pak ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova ka fajësuar Serbinë.

Për vazhdimin e dialogut, Kurti në disa raste ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Millan Radoiçiqn, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, si dhe nga Vuçiqi që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë.

Ahmetaj nga PDK-ja thotë se kjo parti planifikon t’i qaset dialogut me synimin “për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.

“…në mënyrë që Kosova të vazhdojë më tutje në procesin e konsolidimit të shtetit”, sipas saj.

Në një paraqitje në TV21 të Kosovës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se në dialogun e mëtejshëm me Serbinë, duhet të rishikohet Marrëveshja Bazë, e cila është “oferta më e varfër” që ka marrë Kosova.

“Kjo nënkupton që disa pjesë, duhet të rishikohen dhe të ndryshohen”, ka thënë Hamza.

Haziri thotë se për LDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, njohja “de jure” e Kosovës nga Serbia do të jetë qëllimi kryesor i dialogut me këtë vend, në të ardhmen.

“Do të krijojmë ambient që Kosova në tavolinë, në raport të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian, me rol të forcuar të SHBA-së si lehtësuese, si dhe në koordinim jashtëzakonisht të mirë edhe me NATO-n si partner i madh, t’i mbyllë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut”, thotë Haziri.

Blaka i AAK-së thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka degraduar.

Nëse Haradinaj merr pushtetin, sipas tij, ai do të synojë që këtë proces ta përmbyllë me njohje të ndërsjellë.

“Dialogu duhet të rikthehet siç ka qenë, të dialogojmë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët, me njohje reciproke. Kjo ka qenë ajo që zoti Haradinaj e ka potencuar gjithmonë dhe kështu mendojmë të vazhdojmë edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thotë Blaka.

Si do të adresohen marrëdhëniet me aleatët perëndimorë?

Gjatë vitit të kaluar, Kosova ishte disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa veprimeve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Aleatët ndërkombëtarë kërkojnë që Kosova ta trajtojë në dialog çdo çështje që lidhet me këtë zonë, por kjo nuk ka ndodhur.

Ndaj, zyrtarët amerikanë, në disa raste, kanë thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës i kanë lëkundur marrëdhëniet me SHBA-në.

Në përgjigje, Kurti ka theksuar se SHBA-ja është partnerja kryesore e Kosovës, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se ato duhet të pajtohen gjithmonë.

Kurti, po ashtu, ka theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Për shkak të tensioneve në veri, Kosova, prej kohësh, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Ahmetaj e PDK-së thotë se nëse kjo parti i fiton zgjedhjet, ajo do të vazhdojë ta bashkërendojë agjendën e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Do të vazhdojmë që në koordinim me miqtë tanë, t’i heqim këto masa [të BE-së]”, thotë Ahmetaj.

“Ne do t’i ndryshojmë raportet e kushtëzuara që Qeveria e Kurtit ia ka sjellë Kosovës”, thotë në anën tjetër Haziri i LDK-së.

Ngjashëm, edhe për AAK-në, rikthimi i miqësisë dhe mirëbesimit me partnerët ndërkombëtarë do të jetë detyrë kryesore, thotë Blaka nga kjo parti.

Në shenjë mirëbesimi, thotë ai, Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet që ka marrë përballë partnerëve ndërkombëtarë.

Kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nisën zyrtarisht fushatën zgjedhore më 11 janar, por premtime e zotime ka kohë që bëjnë.

Në një anketë që publikoi Radio Evropa e Lirë në ueb-faqen e saj më 13 janar, politika e jashtme nuk duket se është vendimtare për pjesëmarrësit në këtë sondazh – para saj renditen politika ekonomike, reforma në shëndetësi dhe arsim.

Radio Evropa e Lirë

‘Për Serbinë e kemi ushtrinë e policinë’, Kurti mesazh Vuçiçit nga Gjakova: Do ju ndjekim cep më cep!

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndryshe nga dy partitë opozitare, PDK e LDK që zgjodhën Prishtinën për tubimet hapëse, e ka çelur në Gjakovë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij u ndal gjatë te raportet me Serbinë, duke u shprehur se për fqinjin verior qeveria e tij i ka tre alternativa.

“Për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për rininë i kemi shtesat, për opozitë e kemi opozitën, për Serbinë e kemi policinë, e ushtrinë, e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë. Pra secili në vend të vetit”, tha Kurti duke dërguar një mesazh të qartë në Beograd.

“Janë dy parti, të cilët kanë qeverisur më së gjati. Herë bashkë e herë ndaras, por të cilat na e kanë bërë dëmin më të madh ën raport me kojshinë tonë të keq. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë por ne mund ta ndryshojmë të ardhmen duke filluar qysh tash. Njëra prej këtyre partive, LDK është e tillë që Presidenti i Serbisë i thotë “Razumen”, dhe partia tjetër PDk është e tillë që Presidenti i Serbisë i thotë: “We are not problematic guys”. Por, koalicioni jonë, Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa i thotë atij ashtu siç është, ministër i Millosheviçit, aparati shtetëror e kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd, cep më cep, në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste të Kosovës”, tha Kurti.  sn

Abdixhiku nga tubimi i hapjes së fushatës: Zotohem para jush që do t’ju prijë deri në fitoren e madhe

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nisi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në fjalimin e tij, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiuku theksoi angazhimin e tij për një Kosovë më të mirë dhe duke shprehur besimin e plotë në fitoren e LDK-së.

Ai ftoi qytetarët që të bashkohen në përpjekjen për të sjellë ndryshimin e madh Kosovë.

“Unë jam Lumir Abdixhiku i jemi Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe zotohem para jush që do t’ju prijë deri në fitoren e madhe.

Le të festojmë së bashku; le të ringritemi si një.

Le ta bëjmë ndryshimin për këtë Republikë!

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!” – tha ai. sn

Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga ora 12:00.

Dje ishte edhe dita e fundit e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës meqë sipas ligjit zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.

Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.

Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.

Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.

Ndërkaq, koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45.

Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30m në Klan Arena.

Më 9 janar ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes. sn

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.

“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimave të dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.

Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind, tha ministri. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.

Me rritjen e re, Murati tha se familja që ka një dëshmor lufte do t’i marrë 537 euro në muaj, familja që ka dy dëshmorë lufte do t’i përfitojë 806 euro, familja që ka tre dëshmorë do të marrë pension mujor prej 1.075 eurosh, ndërsa jo që ka katër dëshmorë lufte 1.344 euro

Skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës sipas kategorive përfshin 12.681 përfitues, sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK).

Kjo është rritja e parë në 10 vjetët e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014, tha ai.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi ministri Murati në një konferencë për media.

Viktimat e dhunës seksuale të luftës deri tani kanë marrë pension në vlerë prej 230 eurosh, dhe me rritjen e re të premten, ato do të gëzojnë pension prej 276 eurosh.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Pensioni i veteranit ka qenë 170 euro deri tani, dhe me rritjen prej 20 për qind, një veteran do t’i marrë 204 euro pension mujor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 persona janë përfitues nga skema për veteranët e luftës. REL

“Një erë fryn, këtu ndalet rryma” – Shumë biznese të dëmtuara nga ndërprerjet e energjisë

Doruntina Baftiu

Me produkte të shkatërruara, pajisje të dëmtuara dhe kosto të shtuara, shumë biznese në Kosovë – nga furrat e bukës e deri te fabrikat e mëdha – janë dëmtuar nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike së voni. Probleme me rrymë, Kosova ka prej vitesh, kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve.

Ende pa lindur dielli, furrtari Vllaznim Likaj kuptoi se në ditën e 30 dhjetorit të vitit të kaluar do ta kishte të pamundur ta mbushte furrën e tij me bukë, kifle, byrekë e pica.

Gjatë fundit të dhjetorit, në fshatin Davidoc të Shtimes – ku Likaj është shpërngulur nga Prizreni që katër vjet për të hapur furrën e tij – kishte ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Ndërprerjet nganjëherë zgjasnin deri në pesë a gjashtë orë. Edhe kur kishte rrymë, Likaj thotë se tensioni jostabil ia dëmtonte pajisjet me të cilat punon.

“Dy siguresa të furrës i dogji krejt. Edhe një tjetër e dogji më vonë për shkak se herë vinte rrymë shumë e fortë, herë ndalej krejt”, tregon Likaj për Radion Evropa e Lirë.

Likaj, bashkëshortja dhe vajza e tij punojnë së bashku që ta bëjnë brumin, ta lënë atë të vijë për një kohë të caktuar, pastaj ta pjekin në temperaturë e kohë të caktuar, për t’iu shitur klientëve prodhime të nxehta në mëngjes, drekë e darkë.

Në zanatin që e ka trashëguar familja e tij që tre breza, çdo gjë duhet të jetë e planifikuar me orar. Por, planet shpeshherë u kanë dështuar.

“E kemi ditur që do të ketë probleme me rrymë, por jo bash kështu. Ka ndikuar shumë në cilësinë e prodhimit. Na mbeste brumi i ardhur, detyroheshim ta gjuanim. Shkurt e shqip, jemi dëmtuar”, thotë Likaj.

Por, nuk është vetëm furra “Te Rrethi” e Likajt që është përballur me këto probleme.

Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon për REL-in se pothuajse të gjitha bizneset janë dëmtuar në një formë apo tjetër nga ndërprerjet e energjisë elektrike në vend.

Nevoja që bizneset të pajisen me gjeneratorë i bën prodhimet e tyre më pak konkurruese në treg, paralajmëron Rafuna.

“Sidomos kur je prodhues jo shumë i madh, kjo e rrit koston e prodhimit dhe menjëherë e bën produktin jonkonkurrent me produkte të tjera ose produkte të importuara”, thotë Rafuna.

Sipas tij, problemet po vazhdojnë ende – edhe tani kur ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të shpeshta si në dhjetor të vitit të kaluar – pasi që, siç thotë, tensioni i rrymës nuk është ende stabil.

“Në momentin që ndalet rryma, i gjithë prodhimi që është në proces, shkon dëm. Në rast se linjat e reja të prodhimit nuk e kanë shumë stabil tensionin, atyre u shkaktohen probleme dhe dëme”, shton Rafuna.

Pikërisht këtë problem e ka ende Milazim Berisha, pronar i fermës dhe qumështores “Eurolona”.

Në kompaninë e tij në Fushë Kosovë nuk kishte rrymë as më 8 janar, kur ai i tregoi REL-it për problemet që i kanë shkaktuar ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.

“Ditëve të fundit kemi pasur ndërprerje deri në 12 apo 13 orë brenda 24 orëve. Ju garantoj që secila pajisje në linjat tona të prodhimit është e dëmtuar”, thotë Berisha për REL-in.

Ai thotë se investimi në pajisje moderne të teknologjisë së fundit i është kthyer si bumerang. Këto pajisje më moderne janë plotësisht elektronike dhe atyre u duhet energji stabile për të funksionuar.

“Problemi është që nuk kemi as ekspertë apo mjeshtër të mjaftueshëm në Kosovë që e bëjnë riparimin e tyre. Shumë më lehtë kemi punuar kur kemi pasur modele të vjetra, që kanë qenë gjysmë-automatike”, thotë Berisha.

Ai thotë se ka investuar edhe në rreth dhjetë gjeneratorë të kapaciteteve të ndryshme, por se pajisjet e reja nuk e durojnë as kalimin e energjisë nga rrjeti energjetik i Kosovës në gjeneratorë.

Investimet thotë se ishte i detyruar t’i bënte para disa vitesh, shkaku i mungesës së punëtorëve.

“Këto pajisje që janë të nevojshme edhe për të qenë konkurrentë me [prodhimet e] Evropës, nuk janë të përshtatshme për këtë infrastrukturë në Kosovë. Vetëm një erë e lehtë nëse fryn, këtu ndalet rryma”, thotë ai.

Berisha ende nuk e di se sa është vlera e dëmeve që ka pësuar, por për një gjë është i sigurt: dëme ka pasur.

Ai tregon se kur ndërpritet furnizimi me energji në linjat e prodhimit, produkti që është në prodhim e sipër, shkon dëm, pasi që pajisjet ndalojnë menjëherë së punuari.

Qumështi që ka qenë në shishe mbetet, ta zëmë, pa kapakë dhe prishet shumë më shpejt se kur është i mbyllur siç duhet.

Rafuna tregon se Oda Ekonomike ka dërguar plot ankesa në Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe në Ministri të Zhvillimit Ekonomik për dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve, por thotë se kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

Vetë Lika dhe Berisha nuk kanë tentuar të kërkojnë kompensim në KEDS. Ata thotë se në punën e tyre u duhet të bëjnë zgjidhje shpejt për ta kufizuar dëmin. Për këtë arsye, të dy kanë tentuar të gjejnë mjeshtër për t’i rregulluar pajisjet.

“S’kemi pasur as kohë të ankohemi”, thotë Lika.

“Na shkoi jeta duke u ankuar dhe tash po i marrim si normale këto probleme”, shton Berisha.

KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it se sa kërkesa për kompensime kanë pranuar dhe sa është vlera e dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës kur kishte ndërprerje më të shpeshta të rrymës.

Ngjashëm, as Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka treguar nëse ka ndonjë plan për t’i mbështetur bizneset që janë dëmtuar.

Gjatë kohës sa problemet me furnizim me energji elektrike kanë qenë të pranishme kudo nëpër Kosovë, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë atë, për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

Por, pronarët e shumë bizneseve s’funksionojnë dot pa energji elektrike.

“Një gjë mund t’ju them: unë, personalisht, nëse do të mund ta ktheja kohën prapa, as edhe një cent nuk do ta investoja. Dhe, jam prej atyre që kam qenë jashtë Kosovës dhe jam kthyer”, thotë Berisha.

REL: Punonjës të strukturave paralele punojnë edhe nga shtëpia edhe pranë pikave kufitare pas mbylljes së tyre

Punë edhe nga shtëpia, edhe nga një qytet kufitar i Serbisë. Ky është rasti i Milloshit nga veriu i Kosovës tash e disa muaj, pasi autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur institucionin ku ai ka punuar, me arsyetimin se veprimtaria e tij, brenda sistemit të Serbisë, ka qenë e paligjshme.

Identiteti i vërtetë i tij, institucioni ku ai punon dhe vendbanimi i tij në Kosovë janë të njohur për Radion Evropa e Lirë, por ai kërkon që të gjitha të mbeten anonime, nga frika se mund të akuzohet për “falsifikim dokumentesh” – ashtu siç e karakterizon, zakonisht, punën në institucionet serbe Prokuroria e Kosovës.

Në muajin dhjetor, REL-i ka përcjellë shkuarjen në punë të Milloshit dhe të disa qytetarëve tjerë në një qytet kufitar të Serbisë.

Ata nisen rreth orës 7:00 në mëngjes. Nganjëherë vonohen për shkak të tollovisë në trafik, por palët i presin me padurim para zyrave alternative, të vendosura në kontejnerë të zinj, pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë e Merdare.

Disa kërkojnë certifikata ose dokumente të tjera administrative, të lëshuara nga autoritetet serbe, e të tjerë dokumente për kredi në bankë, apo të ngjashme.

Gjatë tri-katër ditëve të tjera të punës në javë, Milloshi punon nga shtëpia në Kosovë.

Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i mbyllë institucionet për Kosovën dhe ka paralajmëruar hapjen e “zyrave moderne” në anën serbe të pikave kufitare.

Ai ka premtuar edhe më shumë të ardhura për ata që udhëtojnë, në mënyrë që t’u mbulohen shpenzimet.

Por ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet e Kosovës.

Petri nga Mitrovica e Veriut është një nga ta. Ai shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën, meqë dinari serb është hequr nga përdorimi në Kosovë qysh në shkurt të vitit të kaluar.

“Unë nuk shkoj në punë, por rroga më del në llogarinë në dinarë. Ndoshta edhe kjo është dashur të zgjidhet, në mënyrë që rroga të na dalë në euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

*Lidhur me këtë REL-i ka biseduar me disa banorë në veri. Derisa serbët lokalë thonë se këto masa ua vështirësuan jetesën, shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre në veri 25 vjet pas luftës, e shohin këtë ndryshe.

Cilat institucione janë mbyllur deri tani?

Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar edhe këtë vit me mbylljen e institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.

Më 8 janar është mbyllur Administrata Tatimore në Mitrovicë të Veriut – njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se autoritetet kosovare i kanë mbyllur hapësirat e saj, por jo edhe Administratën Tatimore të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë.

Pas një takimi me rreth 80 punonjës të kësaj administrate, ajo ka thënë se ata do të vazhdojnë t’i marrin normalisht të gjitha përfitimet nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Takime të ngjashme, kjo parti ka mbajtur edhe me punëtorët e Drejtorisë për Urbanizëm, të Drejtorisë për Hapësira Banesore dhe Afariste dhe të Drejtorisë për Toka Ndërtimore në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë mbyllur në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Atyre u është premtuar se do të vazhdojnë të marrin paga dhe se do t’u ofrohet çdolloj mbështetjeje.

Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë kanë funksionuar në sistemin e Serbisë.

Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë në mes të shtatorit se mbyllja e tyre ka lënë rreth 5.800 persona pa punë, por se ata do të vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilëson mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë si “konfiskim të pronës serbe dhe okupim”.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë zyrë nëse ka ndonjë plan afatgjatë për institucionet që janë duke i mbyllur autoritetet e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

*Radio Evropa e Lirë më 5 gusht regjistroi mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës

Marrja e aseteve dhe ndërprerja e projekteve

Gjatë vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përvetësuar edhe disa objekte në veri, duke thënë se ka juridiksion mbi to.

Disa prej tyre, ajo ua ka dhënë me qira biznesmenëve shqiptarë, të cilët kanë hapur dyqane ushqimore, restorante, pastiçeri apo kafene, por popullata lokale serbe, kryesisht, i bojkoton ato.

Po ashtu, në fund të vitit 2023, Agjencia e Privatizimit ka marrë nën kontroll resortin Rajska Banja në Banjskë, afër Zveçanit, rinovimi dhe ndërtimi i të cilit janë iniciuar nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën, në vitin 2015.

Zyrtarët serbë kanë thënë se Qeveria serbe ka investuar rreth shtatë milionë euro në këtë projekt.

Komuna e Zubin Potokut ka marrë nën kontroll edhe objekte banimi që janë ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë.

Në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë, janë ndërprerë disa projekte të financuara nga Serbia – mes tyre, ndërtimi i një universiteti që do të funksiononte brenda sistemit serb.

Hyn në fuqi ligji në Kosovë, makinat më të vjetra se 10 vjet nuk mund të zhdoganohen

Nga 1 janar 2025, qytetarët e Kosovës nuk mund të zhdoganojnë automjetet më të vjetra se viti i prodhimit 2015. Me Ligjin për Automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.

“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër”, thuhet në nenin 44 të Ligjit për Automjete. Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara.

“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhet t’i ketë mjeti, dimensioni, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si edhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në trafik, kushtet për importim, homologimin e tipit të mjetit, pjesës përbërëse, njësisë së pavarur teknike, kontrollimin teknik të automjeteve, kontrollimi i rregullsisë teknike në rrugë, regjistrimin e automjeteve, automjetet të cilat kanë dalë prej përdorimit, si dhe çështjet tjera lidhur me to”, thuhet në Ligjin për Automjete.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë afro 500 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet. Mbi 144 mijë prej tyre janë nga Gjermania dhe i përkasin markës Wolkswagen. sn

Mbyllet administrata tatimore e Serbisë në veri të Kosovës

VOA

Policia e Kosovës mbylli të mërkurën një zyrë të institucioneve të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, duke nxitur reagimin e përfaqësuesve politik lokalë të mbështetur nga Beogradi, të cilët thanë se kjo është pjesë e fushatës parazgjedhore të kryeministrit Albin Kurti.

Autoritetet thanë se zyra funksiononte si pjesë e administratës tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës”, ndërsa theksoi se Kosova do të vazhdojë të luftojë “çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve” të saj.

Mbyllja e zyrës nxiti reagimin e Listës Serbe, e cila tha se me “nxjerrjen në rrugë të 80 punëtorëve serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve tij”.

Kjo parti e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi do të jetë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë ndërsa certifikimi i saj u shndërrua në temë debatesh pasi që lëvizja Vetëvendosje në pushtet kundërshtoi pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshiu Listën Serbe në fletëvotim, me gjithë reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

Kosova miraton ligjin- Nga 1 janari s’ka zhdoganim të automjeteve të prodhuara para vitit 2015

Nga 1 janar 2025 nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti i prodhimit 2015. Qeveria e Kosovës në vitin 2017 ka miratuar një ligj, i cili thotë se mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet.

Qytetarët e Kosovës janë goditur edhe ketë herë qysh në ditët e para të vitit të ri.

Më fillimin e vitit 2025, në Kosovë nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti 2015.

Kjo i bie që asnjë veturë më e vjetër se 10 vite nuk lejohet të zhdoganohet.

Me Ligjin për Automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.

“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër)”, thuhet në nenin 44 të Ligjit për Automjete.

Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara.

“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhet t’i ketë mjeti, dimensioni, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si edhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në trafik, kushtet për importim, homologimin e tipit të mjetit, pjesës përbërëse, njësisë së pavarur teknike, kontrollimin teknik të automjeteve, kontrollimi i rregullsisë teknike në rrugë, regjistrimin e automjeteve, automjetet të cilat kanë dalë prej përdorimit, si dhe çështjet tjera lidhur me to”, thuhet në Ligjin për Automjete.

Ndryshe, qytetarët çdo herë e kanë kundërshtuar ligjin që është në fuqi për automjete, ndërsa ekspertët vlerësojnë se importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet ka efekte negative.

Tash e disa vite deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka iniciuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Importin e Veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, por që ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Sipas tij, ky ligj në Kosovë është krijuar me një standard të dyfishtë, deri sa potencon se një gjë e tillë i duket e padrejtë, porse nuk po gjen pajtueshmëri të deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim.

“Këto kritere nuk janë as në Zvicër, as në Gjermani, as në vendet e Ballkanit që janë të anëtarësuara, që janë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj mendoj që është e padrejtë dhe si e tillë kam kërkuar plotësim ndryshimin e ligjeve për automjete, por fatkeqësisht nuk e kam gjetur pajtueshmërinë e deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim”.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka deklaruar se “Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore”, duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë. “Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohen si të amortizuara për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”.

Sipas tij, paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet, duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve.

Në Kosovë mbetet në fuqi ligji me të cilin një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2015-2025, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2015 është i pamundur, kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë. Në nenin 44 të Ligjit për Automjete që është miratuar qysh në vitin 2017, thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë afro 500 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Mbi 144 mijë prej tyre janë nga Gjermania dhe i përkasin markës Wolkswagen./ Monitor.al

KQZ sot miraton fletëvotimin, të enjten nis votimi jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet, sot ku do ta miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Këtë e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Ndërkaq, të enjten pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.

“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës. Gjithashtu, miratimi i fletëvotimit mund t’iu shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore”, tha Elezi për RTKlive.

Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt, derisa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt. sn

KFOR-i ka shtuar forcat në jug të Mitrovicës, flasin ekspertët e sigurisë

KFOR-i ka shtuar numrin e forcave të tij në jug të Mitrovicës, ndërsa Asambleja Parlamentare e NATO-s ka alarmuar për rreziqe të shumta në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë  se NATO si mekanizëm politik dhe ushtarak ka detyruar shtimin e trupave të KFOR-it, transmeton Klankosova.tv.

“Komandanti aktual i KFOR-it ka deklaruar se, në varësi të zhvillimeve dhe analizave nga terreni, mund të ketë edhe shtim të numrit të trupave, dhe sipas planifikimeve, deri në vitin 2025 pritet një prani më e madhe e trupave të KFOR-it në territorin e Kosovës, me qëllim minimizimin e rreziqeve të mundshme”.

“KFOR-i nuk do të lejojë asnjë rastësi dhe do të intensifikojë aktivitetet për të ruajtur sigurinë e vendit, por kjo mund të shihet gjithashtu si një dobësim i sovranitetit të Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa Adnan Zujeva, ekspert i sigurisë, e konsideron këtë shtim trupash si një shenjë të dobësimit të sovranitetit të Kosovës dhe të integritetit territorial, duke theksuar se prania e trupave të KFOR-it e dëmton këtë sovranitet.

“Në veri të Kosovës, ka një prani të madhe të trupave të NATO-s, përfshirë ato amerikane, turke dhe polake, ndërkohë që është paralajmëruar që edhe trupa sllovake do të mbërrijnë pas një muaji”.

“Kjo tregon se situata në këtë pjesë të Kosovës mbetet e brishtë”, tha Zujeva në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.

Njëherësh Visar Reça, njohës i sigurisë, shtoi se Asambleja Parlamentare e NATO-s ka informacione më të detajuara për situatën në Kosovë dhe rajon dhe se ky rekomandim për shtimin e trupave ka për qëllim të shmangë befasi për organizatën e NATO-s në rast të ndonjë skenari të mundshëm./Klankosova.tv.

Albin Kurti: Jo Asociacion por njohje, BE të sanksionojë Serbinë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se organet e sigurisë vijojnë të jenë vigjilente pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok dhe heqja e masave shtesë të sigurisë nuk është një opsion tani.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se destruktiviteti i Serbisë ka shkuar duke u rritur dhe realiteti i ri, sipas tij në veri, i ka nervozuar.

“Organet tona të sigurisë, inteligjenca jonë përcjell me shumë vëmendje çfarëdo informacioni i cili mund të na tregojë çkado qoftë lidhur me sulmet e tyre të radhës, por unë e di një gjë që ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës. Ato janë sulme të cilat vijnë gjithmonë nga Serbia dhe organizohen atje.”

Duke u ndalur të dialogu mes dy vendeve, Kurti u shpreh se tani është radha e Bashkimi Europian dhe përfaqësues së re të politikës së jashtme Kaja Kallas për iniciativat për rrugën përpara.

Sipas tij, nuk pritet nga Beogradi të bëhet bashkëpunues pa ndërhyrjen e ndërmjetësit si dhe theksoi se marrëveshja bazë dhe aneksi duhet të zbatohen të plota dhe jo të përqendrohen tek Asociacioni.

“Nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defacto.”

Kurti deklaroi se Perëndimi duhet të sanksionojë Serbinë si e vetmja mënyrë për të parandaluar tensionimin e situatës dhe ekstradimin e Milan Radoiciç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas tij, në të kaluarën, Perëndimi e kishte kërcënuar Vuçiçin me rikthimin e regjimit të vizave dhe largimin e investitorëve gjermanë në janar të vitit 2023 para se të pranonte marrëveshjen e Brukselit.

“Unë besoj që kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin nëse perëndimi demokratik seriozisht e sanksionon destruktivitetin e Serbisë atëherë unë jam optimist që edhe Milan Radioçiqin shpejt do të na e dorëzojnë, mirëpo ne nuk kemi levë kundër Serbisë, siç ka Perëndimi.”

Duke u ndalur te zgjedhjet që pritet të mbahen pas një muaji, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të marr 500 mijë vota dhe të qeverisë e vetme, pasi tek partitë opozitare nuk sheh ndonjë partner të mundshëm koalicioni.

Ai tha se Qeveria nën drejtimin e tij ka shënuar suksese në të gjitha fushat prandaj meriton besimin e qytetarëve për një tjetër mandat.

KQZ: Dy milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

Arianit Elshani, udhëheqës i këshillit për operacione zgjedhore tha se numri i votuesve, të jetë 999 votues nëpër zona rurale, kurse për zona urbane ai vazhdon të jetë 950.

“Secili votues mund të votoj rreth 10 kandidat, prandaj nuk kemi dashtë të tejkalojmë shifrën e 1 mijë votuesve”, ka thënë Elshani.

KQZ sqaron se votimi me kusht është i përcaktuar vetëm në një qendër të votimit në një komunë, nuk mund të votohet në të gjitha qendrat. sn

Ish-pjesëtari i UÇK-së mbërrin në Kosovë pasi u lirua nga burgu në Serbi

Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj, ka mbërritur në Kosovë të premten pasdite, pasi u lirua nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për një vit nën akuza për krime lufte, kanë konfirmuar familjarët e tij.

Dakaj ishte arrestuar më 5 janar 2024 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, që lidh Kosovën dhe Serbinë.

Vëllai i tij, Gzim Dakaj, konfirmoi për televizionin Koha se Hasanin e morën të premten rreth orës 17:00 nga pika kufitare në Merdarë.

Mediat lokale publikuan pamje të Hasan Dakajt duke u përqafuar me të afërmit e vet në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar me Serbinë.

Dakaj akuzohej sipas nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë – që ishte në fuqi më 1999 – për krime lufte, privim nga liria e disa personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje.

Ministria e Jashtme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth lirimit të Dakajt nga burgu në Serbi.

Lirimi i Dakajt vjen rreth dy muaj pasi autoritetet serbe e liruan në tetor një shtetas tjetër kosovar të mbajtur nën dyshimin për krime lufte.

Sadik Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës, u lirua më 15 tetor, rreth pesë muaj pasi ishte arrestuar nën dyshime për krime lufte më 1999.

Edhe dy shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Serbisë e dënoi me gjashtë vjet burgim Nezir Mehmetajn, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.

Por, udhëheqësja e kësaj Ministrie, Albulena Haxhiu, deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve REL

Nga janari deri në nëntor, diaspora dërgoi 1.2 miliardë euro në Kosovë

Remitancat e huaja në Kosovë arritën në 1,224 miliardë euro në periudhën janar-nëntor, nga 1,208 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha banka qendrore, duke cituar të dhënat preliminare.

Vetëm në muajin nëntor, remitancat e huaja në Kosovë u rritën me 2.3% krahasuar me një vit më parë, tha banka qendrore e Kosovës në një publikim të të dhënave.

101.3 milionë euro është shuma e mjeteve të dërguara në muajin nëntor të vitit 2024.

Krahasuar me muajin tetor, remitancat nga jashtë ranë me 9.6% në muajin nëntor.

Në vitin 2023, remitancat e huaja në Kosovë u rritën 10% krahasuar me vitin paraprak. sn


Send this to a friend