VOAL

VOAL

Junckeri: Britanikët të mos largohen nga BE-ja

Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i ka tërhequr vërejtjen Britanisë se votimi për largim nga Bashkimi Evropian, do të jetë “një akt i vetëdëmtimit”, që do t’i rrezikoj përfitimet reciproke në disa dekada.

Këtë thirrje emocionale për votuesit britanikë, zoti Juncker e ka bërë para referendumit të nesërm, në të cilin vendoset se a do të mbetet Mbretëria e Bashkuar në BE apo jo.

“Ta ktheni shpinën ndaj fqinjëve tuaj dhe të tërhiqeni në izolim është kundër çdogjëje që Evropa dhe Britania qëndrojnë”, tha Juncker në një tubim biznesor mbrëmë në Athinë të Greqisë.

“Largimi do të thotë vetëdëmtim”, tha Juncker.

Presidenti francez: Britania duhet të qëndrojë në BE

“Për të ardhmen e BE-së duhet të jepet një përgjigje më e besueshme. Dhe, për këtë Britania duhet të qëndrojë në BE”, deklaroi presidenti Hollande

PARIS – Presidenti francez François Hollande pasi theksoi se Britania e Madhe duhet të qëndrojë në Bashkimin Evropian (BE) paralamëroi se në të kundërtën çdokush është i detyruar të përballet me rezultatet.

Hollande, në një konferencë të përbashkët për media pas takimit në rezidencën Elysee me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko u është përgjitgjur pyetjeve në lidhje me referendumin që do të mbahet në Britani.

“Për të ardhmen e BE-së duhet të jepet një përgjigje më e besueshme. Dhe, për këtë Britania duhet të qëndrojë në BE. Në të kundërtën çdokush është i detyruar të përballet me rezultatet e kësaj”, deklaroi presidenti Hollande.

Stoltenberg – Steinmeierit: Ndaj Rusisë qasje ushtarake dhe politike

Udhëheqësi kryesor civil i NATO-s ka shpërfillur komentët e kryediplomatit gjerman i cili e ka akuzuar aleancën ushtarake për “luftënxitje” duke thënë se blloku i 28 shteteve ka nevojë për përgjigje ushtarake dhe dialog politik kur bëhet fjalë për Rusinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka bërë këtë koment më 20 qershor, një ditë pasi deklarata e ministrit të jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier është publikuar në gazetën gjermane, “Bild am Sonntag”.

NATO po kryen manovra ushtarake të mëdha në Poloni dhe Lituani, ndërsa një samit i aleancës ushtarake është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm në Varshavë. Mirëpo, kritikat e kryediplomatit gjerman kanë rritur frikën se koalicioni qeveritar gjerman mund të jetë duke e ndryshuar qasjen ndaj Moskës.

Steinmeier, nga partia social demokrate gjermane ka thënë se NATO po e “ndez situatën përmes nxitjes së luftës”.

Gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë në portin norvegjez të Trondhajmit, pak para një ushtrimi detar të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se aleanca është e unifikuar në nevojën e saj për qasje të dyanshme ndaj Rusisë.

“Ne kemi nevojë për një mbrojtje të fuqishme për të parandaluar konfliktet, por ne gjithashtu kemi nevojë për dialog politik që të reduktojmë tensionet”, ka thënë ai.

“Të gjitha 28 shtetet qëndrojnë prapa kësaj qasje të dyanshme, ndërsa unë e mirëpres përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë në përpjekjet për dialog, por edhe kontributin gjerman për të rritur praninë ushtarake në lindje”, ka shtuar më tej Stoltenberg.

Qasja e dyanshme është “diçka që përkon shumë edhe me atë që e ka thënë Gjermania brenda NATO-s, për shumë, shumë vjet”, ka thënë më tej ai.

Aleanca gjatë këtij muaji ka kryer manovra ushtarake në Poloni dhe Lituani të cilat ishin ndër më të mëdhat prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ushtrimet përfshinin 31 mijë trupa nga 24 shtete anëtare dhe vende partnere të NATO-s, përfshirë Gjermaninë.

Gjermania ndërkaq planifikohet të udhëheqë një nga katër batalionet që aleanca do ta vendos në Estoni, Letoni, Lituana dhe Poloni, veprim ky që ka për qëllim të zvogëlojë frikën e vendeve anëtare të Lindjes pas aneksimit që Rusia i bëri gadishullit ukrainas të Krimesë.

Vendimi final rreth forcimit të krahut lindor të NATO-s do të diskutohet gjatë samitit të NATO-s në Varshavë që do të mbahet më 8 dhe 9 korrik. Disa zyrtarë dhe ekspertë shqetësohen se kjo do të nxisë ndonjë reagim nga Rusia.

Rusia tashmë është kërcënuar me vendosjen e një sistemi të sofistikuar raketor të quajtur “Iskander” në Kaliningrad, një territor rus që është i shkëputur nga Rusia, me dalje në Detin Baltik, në mes të Polonisë dhe Lituanisë.

Stoltenberg nuk ka pranuar të thotë nëse Iskanderët tashmë janë dërguar në Kaliningrad, por ai megjithatë ka nënvizuar se Moska për vite të tëra është duke e rritur praninë ushtarake nga Deti Barents deri në Mesdheun lindor.

“Unë mund të them se ne e kemi vërejtur një Rusi më kategorike, duke trefishuar shpenzimet në mbrojtje prej vitit 2000, e cila ka siguruar aftësi të reja dhe më moderne dhe e cila ka shprehur gatishmëri që të përdor fuqinë ushtarake kundër vendeve të pavarura si Ukraina. Të gjitha këto janë arsye pse ne duam të fuqizojmë mbrojtjen tonë kolektive”, ka thënë Stoltenberg.

Përgatiti: Artan Haraçia

Shëtitorja e veçantë në Itali mundëson “ecje mbi ujë” të njerëzve

Bëhet fjalë për shëtitoren tre kilometërshe në ishullin e vogël Monte Isola, projekti i artistit ambientalist Christo Vladimirov Javacheff

ROMË – Është hapur në Itali projekti i artistit ambientalist Christo Vladimirov Javacheff në të cilin njerëzit e përshkojnë shëtitoren tre kilometërshe e cila u mundëson atyre të “ecin mbi ujë”.

“Pista” bashkon fshatin Sulzano në Lombardinë veriore me ishullin e vogël Monte Isola dhe për 16 ditë do të qëndrojë i vendosur instalacioni artistik i hapur këtë fundjavë. aa

Steinmeier ushtrimet e NATO-s i cilëson “luftënxitëse”

Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kritikuar ushtrimet stërvitore të NATO-s në pjesën lindore të Evropës, duke i cilësuar si “luftënxitëse”.

“Ajo që ne duhet ta evitojmë sot është provokimi i situatës me luftënxitje dhe me ecje të fuqishme”, i tha Steinmeier gazetës gjermane, Bild am Sonntag”, në një intervistë.

Sipas tij, është e gabueshme të mendohet se “ju mund ta shtoni sigurinë në aleancë me parada simbolike të tankeve afër kufijve lindorë”.

Më 13 qershor NATO-ja ka shpallur se do të vendos batalione të reja në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, për zbutjen e shqetësimeve të këtyre vendeve për agresionin rus, pasi Moska e ka aneksuar ilegalisht Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha para dy ditësh, se Rusia po synon krijimin e “zonës së influencës me mjete ushtarake” dhe theksoi se Rusia po kryen “militarizim masiv” përgjatë kufijve të vet me vendet e aleancës ushtarake.

Rusia e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s me ish-vendet sovjetike dhe tha se do të reagoj ndaj çfarëdo hapi të NATO-s për t’i shtuar kapacitetet ushtarake afër kufijve rusë.

Zyrtarët e NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në samitin në Varshavë të Polonisë, që for

Renzi: Humbjen më të madhe nga Brexiti do ta ketë Britania e Madhe

Renzi mori pjesë në panelin me temë “Të përfitosh nga vërtetësia e re ekonomike globale” në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar i cili organizohet në St. Petersburg të Rusisë

ST. PETERSBURG – Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka deklaruar se një ndarje e mundshme nga BE-ja do ti shkaktonte më shumë humbje Britanisë së Madhe

Renzi mori pjesë në panelin me temë “Të përfitosh nga vërtetësia e re ekonomike globale” në Forumin Ekonomik Ndërkombëtarë i cili organizohet në St. Petersburg të Rusisë.

Duke theksuar se një ndarje e mundshme e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të shkaktonte probleme për të gjithë BE-në në një plan afatshkurtër, Renzi tha se humbja më e madhe në planin afat mesëm dhe atë afat gjatë do të jetë për Britaninë e Madhe.

Me vendimin për Brexit-in rrezikun më të madh nuk do ta ketë populli i BE-së, por ai britanik, ka thënë Rezni dhe në vazhdim ka shtuar: “Nëse Britania e Madhe merr vendim të dalë nga BE-ja, në të ardhmen do të jetë e pamundur të rifutet më.”

Ndërsa në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, Renzi ka pohuar se këto sanksione nuk janë marrë me ndikimin e SHBA-së por nga liderët e BE-së.

Për tu hequr sanksionet ka një gjë shumë të qartë që duhet bërë, ka pohuar ai. “Nëse zbatohet marrëveshja e Minsk-ut në lidhje me krizën e Ukrainës, BE-ja do ti japë fund sanksioneve kundër Rusisë”, u shpreh kryeministri i Italisë. aa

Zgjatet afati i sanksioneve ndaj Krimesë

Ilustrim

Bashkimi Evropian është pajtuar që të zgjasë ndalesat në investime dhe sanksione të tjera ndaj gadishullit ukrainas të Krimesë, e cila është aneksuar me forcë nga Rusia në vitin 2014.

Pako e sanksioneve të BE-së ndaj Krimesë përfshijnë edhe ndalesat në importimin e mallrave nga Krimea, me përjashtim të atyre që janë të pajisura me certifikatë ukrainase; ndalesa në eksportime drejt Krimesë, ndalesa që kanë të bëjnë me transport, telekomunikim dhe sektorin e energjisë.

Kompanitë e BE-së gjithashtu e kanë të ndaluar të investojnë në Krime apo të financojnë kompani nga ky territor.

Ndalesa fillimisht është vendosur kur Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas para dy vjetësh, dhe më pas sanksionet janë zgjatur nga blloku i 28 shteteve evropiane.

Ambasadorët e BE-së pritet të diskutojnë një list më të zgjeruar të sanksioneve ekonomike që tashmë e ka ndaj Rusisë më 21 qershor.

NATO i kërkon Rusisë largimin e forcave nga Ukraina

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg – ARKIV

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat e saj dhe pajsijet ushtarake nga Ukraina dhe të ndaloj përkrahjen e dhënë separatistëve në Ukrainën lindore.

Stoltenberg i ka bërë këto sit pas takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s, në Bruksel ku mori pjesë edhe ministri i mbrojtjes së Ukrainës, Stepan Poltorak.

Zyrtarët rusë rregullisht e kanë hedhur poshtë akuzën se trupat e saj janë të përfshirë në konfliktin e Ukrainës.

Stoltenberg ka thënë se aleanca do të vazhdoj ta përkrah qeverinë në Ukrainë dhe nuk do ta njoh “aneksimin ilegal dhe të paligjshëm të (gadishullit ukrainas) të Krimesë”.

Ai ka shtuar se në përgjigje të veprimeve ushtarake ruse në Ukrainë, NATO e ka rritur përkrahjen e saj për Ukrainën.

Stoltenberg, ka thënë se Rusia vazhdon të përkrahë separatistët në pjesën juglindore të Ukrainës duke iu ofruar pajisje dhe këshilla.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Minskut është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainën lindore që deri më tash ka marrë jetën e 9300 personave prej vitit 2014.

Liderët e 28 shteteve anëtare të NATO-s do të takohen më 8 dhe më 89 korrik në Varshavë, kur pritet të miratojnë planin për vendosjen e batalioneve ushtarake në tri shtete baltike dhe Poloni.

Vritet një polic francez dhe partnerja e tij – ISIS merr përgjegjësinë

Lagjja Magnanville në periferi të Parisit

Një oficer i lartë i policisë franceze dhe partnerja e tij janë therur për vdekje në lagjen Magnanville, në periferi të Parisit, natën e kaluar.

Sulmuesi është vrarë nga policia, ndërsa një djalë i vogël është shpëtuar në vendin e ngjarjes.

Një agjenci lajmesh e lidhur me të ashtuquajturin Shtet Islamik ka thënë se grupi militant është përgjegjës për sulmin.

Prokurorët francezë kanë nisur hetimet.

Zyra e presidentit të Francës, Francois Hollande, ka njoftuar se do të mbajë një takim mëngjesin e sotëm për të diskutuar incidentin.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme që prej sulmeve të 13 nëntorit në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi militant Shteti Islamik.

Katër batalione të NATO-s do të vendosen në Baltik e Poloni

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake do të pajtohet këtë javë për dërgimin e katër batalioneve shumëkombëshe në Poloni dhe në shtetet e Baltikut, me qëllim forcimin e mbrojtjes së tyre.

Stoltenberg tha se planet e reja do të miratohen zyrtarisht në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, i cili nis të martën në Bruksel.

“NATO ka ndërmarrë veprime të fuqishme për të mbrojtur vendet tona dhe për t’i kontribuar stabilitetit. Por, sfidat vazhdojnë, andaj duhet të përgatitemi për ngarkesa më të gjata”, tha Stoltenberg.

Ai tha se batalionet do të vendosen me rotacion.

Vendet lindore të NATO-s, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë thënë se ndjehen të kërcënuara nga Rusia, pasi kjo e fundit ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe mbështet separatistët në lindje të Ukrainës.

Zyrtarë të NATO-s thanë se rreth 4,000 trupa do të jenë të përfshira në batalionet e reja.

Fituesit e Çmimit Nobel thirrje britanikëve të rrinë në BE

Shkencëtarët në letrën e hapur shprehën shqetësim se ata të cilët flasin për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk kanë përvojë të mjaftueshme në “lidershipin shkencor”

LONDËR – Një grup prej 13 fituesish të Çmimit Nobel i kanë bërë thirrje elektoratit në Britani të Madhe që të votojë për qëndrimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se Britania do të humb burimet e financave, ndikimin global, si dhe mundësinë për shumë hulumtime shkencore nëse del nga Unioni prej 28-anëtarësh.

Shkencëtarët në letrën e hapur të cilën e publikoi gazeta “Daily Telegraph” shprehën shqetësim se ata të cilët flasin për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk kanë përvojë të mjaftueshme në “lidershipin shkencorë”.

Nënshkruesit e letrës, ndër të cilët është edhe Peter Higgs, theksojnë se “Ne mund të jemi ishull, por nuk mund të jemi ishull në shkencë. Ajo që jemi pjesë e BE-së është mirë për shkencën britanike dhe për Britaninë”.

Shulzi: Komentet e Erdoganit “nuk do të kalojnë pa pasoja ndërkombëtare”

Presidenti i Turqisë i ka kritikuar ashpër 11 ligjvënës të Bundestagut me origjinë turke, që kanë votuar në favor të rezolutës javën e kaluar, duke sugjeruar se ata kanë “gjak të infektuar” 

Politikanët evropianë janë përgjigjur me kritika kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për denoncimin që u ka bërë ligjvënësve gjermanë lidhur me votimin e tyre, me të cilin masakra e Perandorisë Osmane kundër armenëve njihet si gjenocid.

Presidenti i Turqisë i ka kritikuar ashpër 11 ligjvënës të Bundestagut me origjinë turke, që kanë votuar në favor të rezolutës javën e kaluar, duke sugjeruar se ata kanë “gjak të infektuar”.

Me rezolutën e Bundestagut gjerman, të miratuar javën e kaluar, vrasja e 1.5 milionë armenëve në Luftën e Parë Botërore cilësohet si gjenocid.

Kryesuesi i Parlamentit të Gjermanisë, Norbert Lammert, tha mbrëmë se “nuk do të kishte menduar se është e mundshme që presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratuke në shekullin e 21” mund të bëjë kritikë të tillë, që përmbanë “kërcënime dhe ofendime urrejtëse”.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, po ashtu, ka shprehur “shqetësim të madh” për deklaratat e liderit të Turqisë, duke thënë se komentet e Erdoganit “nuk do të kalojnë pa pasoja në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Brukseli i del në mbrojtje Vlahutin në përgjigje të sulmeve të Berishës, Bashës, Imamit dhe Topallit

Sulmet e Berishës e Bashës, Brukseli në krah të Vlahutin: Reforma të miratohet me çdo kusht!

lu vlahutinBashkimi Europian rrëzon akuzat e lidershipit të Partisë Demokratike, sipas të cilit ambasadorja Romana Vlahutin është pozicionuar politikisht përkrah mazhorancës, gjatë diskutimeve politike për reformën në drejtësi.

Drejtoresha e re për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, ka deklaruar se aktiviteti i Vlautin ka qenë në përputhje të plotë me politikat e Brukselit zyrtar.

“Më lejoni që në mënyrë të veçantë të përmend punën e Ambasadores tonë Romana Vlahutin, e cila ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar që kjo reform të ecë përpara.

Dua të them se puna e saj dhe stafit të delegacionit të Bashkimit Europian këtu në Tiranë është thelbësore për Shqipërinë që ecë përpara dhe të progresojë drejt integrimit europian”, tha Genoveva Ruiz-Calavera.

Deklarata e drejtoreshës pranë KE-së siç duket i ka mjaftuar ambasadorjes Vlahutin, e cila nuk ka dashur të prononcohet mbi sulmet e opozitës.

Ecuria e reformës në drejtësi, ka qenë temë e diskutimit që zyrtarja e lartë europiane pati mëngjesin e së enjtes me ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit, në zyrat e përfaqësisë diplomatike të KE-së në Tiranë.

“Na vjen keq qe nuk ka pasur nje marrveshje mes palëve, por ne do të vazhdojnë përpjekjet tona, sepse reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme. Kjo reforme është shumë e rëndësishme për të konsoliduar shtetin e së drejtës në Shqipëri për të gjithë qytetarët shqiptarë. Prandaj ne mezi presim arritjen e konsenusit dhe miratimin e reformës në Parlament”, shtoi ajo, raporton Vizion Plus.

Deklaratat, zyrtarja e lartë i ka bërë para mbajtjes së Komitetit të VII-të të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, kur reforma në drejtësi ishte prioritare. Bashkimi Europian e ka bërë të qartë pozicionin ndaj reformës në drejtësi, duke kërkuar miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese brenda këtij sesioni parlamentar.

Reagon dhe Bashkimi Europian: Ne mbështesim miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi

Voal – Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë shprehin keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje për reformën në drejtësi.

“Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.

Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv.

Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”, thuhet në reagimin e BE.

Nis “Anakonda”! NATO i tregon forcën Rusisë

Ashtu siç ishte paralajmëruar ka nisur stërvitja e vendeve të NATO-s e quajtur “Anakonda”.

Ajo cilësohet so stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s që prej fundit të komunizmit në vendet lindore.

Stërvitja që zhvillohet në Poloni duket vërtet e frikshme, teksa dhjetëra trupa amerikanë, britanikë dhe të vendeve të tjera anëtare, të shoqëruar edhe mjete të rënda ushtarake simulojnë hedhjet me parashuta apo edhe stërvitje të llojeve të tjera në periferi të qytetit të Torunit.

19 vende anëtare të NATO-s dhe 5 kombe partnere janë duke kontribuuar me trupa ushtarakë në këtë stërvitje.

Megjithatë, vetëm 1200 kilometra më në lindje, në qytetin rus Klintzy shumë pranë kufirit me Ukrainën, Presidenti Putin po ngre bazën e tij më të re, e fundit në atë që konsiderohet prej Kremlinit si fronti i luftës përballë NATO-s.

 

 

 

Kreu i Antimafias: Papa Françesku në qendër të sulmeve terroriste

Voal – Papa Françesku është në qendër të sulmeve terroriste. Alarmi është dhënë nga shefi i antimafias italiane, Franco Roberti.

Në një deklaratë të dhënë për televizionet italiane Roberti është shprehur se deri më tani e kemi evituar një sulm të tillë.

“Me një punë konstante të inteligjencës dhe forcave të policisë, kemi arritur që të evitojmë deri më tani sulme të tilla në Itali. Një numër i madh prej tyre janë parandaluar”,- ka thënë Roberti.

“Kanë qenë disa persona nga Maroku që jetonin në Itali, të cilët kishin planifikuar sulme në Itali e në Selinë e Shenjtë në Vatikan”,- ka shtuar kreu i antimafias italiane.

NATO nis stërvitje masive ushtarake në Poloni

Anëtarët dhe partnerët e NATO-s kanë nisur të hënën stërvitjet më të mëdha të përbashkëta në Poloni.

Stërvitjet do të zgjasin deri më 16 qershor dhe vijnë në kohën kur vendet e Evropës qendrore dhe lindore kërkojnë garanci më të mëdha për siguri përballë Rusisë gjithnjë e më agresive.

Stërvitjet përfshijnë rreth 31,000 trupa nga Polonia, nga Shtetet e Bashkuara, nga 17 vende të tjera të NATO-s dhe nga pesë vende partnere të NATO-s.

Rusia ka thënë se çdo prani e trupave të NATO-s pranë kufijve të saj është kërcënim për sigurinë e saj dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë kundërmasa.

Stërvitjet zhvillohen vetëm disa javë para se NATO-ja të mbajë samitin në Varshavë.

Në këtë samit pritet të vendoset nëse NATO-ja do të rrisë praninë e trupave dhe të pajisjeve në bazat në Poloni dhe në shtetet e Baltikut.

Në Gjermani 11 të vdekur nga përmbytjet më të mëdha të 100 viteve e fundit

BERLIN – Gjatë përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë disa ditëve të fundit në krahinat gjermane kanë humbur jetën 11 persona, shtatë në Bavari dhe katër në Baden –Wuerttemberg.

Njëkohësisht, më shumë se 42 persona, prej të cilëve tetë më rëndë janë lënduar gjatë goditjes së rrufesë në një koncert rock-u në Gjermaninë perëndimore.

Gjermania prej disa ditësh ishte e përfshirë nga reshje të mëdha të shiut, që shkaktuan përmbytjet në disa rajone në mbarë vendin.

Ekipet e shpëtimit në Simbach gjetën tre trupa të pajetë të personave të cilët ishin të ngujuar në shtëpi. “Përmbytja ishte aq e shpejtë saqë praktikisht nuk kishin kohë që të ikin”, deklaroi zëdhënësi i policisë Armin Angloher dhe shtoi se edhe disa persona llogariten si të zhdukur. aa

Qytetarët në Dortmund kundër të djathtëve ekstremë

Në qytet në një tjetër protestë kundër nazistëve morën pjesë afërsisht 5 mijë persona, ku pjesëmarrësit kanë protestuar kundër të djathtëve ekstremë

DORTMUND – Afërsisht 900 neonazistë të krahut të djathtë ekstrem në qytetin Dortmund të Gjermanisë mbajtën një marshim për të protestuar kundër politikave qeveritare për refugjatët.

Neonazistët duke marshuar me pankartat me mbishkrime “Ndaloni fluksin e refugjatëve” dhe “Dita e së ardhmes së Gjermanisë” kanë kërkuar që qeveria të ndryshojë politikën për refugjatët.

Gjatë marshimit afërsisht 300 persona të të djathtës ekstreme kanë përdorur objekte me ngjyrat kuq e zi dhe të bardhë të cilat përdoren nga nazistët.

Në të njëjtën kohë në qytet në një tjetër protestë kundër nazistëve morën pjesë afërsisht 5 mijë persona, ku pjesëmarrësit kanë protestuar kundër të djathtëve ekstremë me sloganet “nazistët jashtë”.

Kryetari i bashkisë së Dortmundit, Ullrich Sierau, duke vënë në dukje se në Dortmund jetojnë njerëz të hapur dhe në solidarizim me botën, u shpreh se të djathtët ekstremë i përkasin “koshit të plehrave të historisë.” aa

Polonia rekruton 35 000 paraushtarakë për t’iu kundërvënë Rusisë

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Antoni Macierewicz

Polonia ka bërë të ditur se në shtator do të nisë të rekrutojë një forcë të re paraushtarake të mbrojtjes, prej 35 000 vetash, për shkak të tensioneve me Rusinë.

Ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, ka thënë se pozitat e larta në Forcën e Mbrojtjes Territoriale tashmë janë vendosur.

Forca do të ketë vullnetarë civilë, me aftësi ushtarake.

Forca synon t’i kundërvihet Rusisë, nëse ajo tenton të ndërhyjë sikurse në Ukrainë.

NATO po ashtu planifikon të përforcohet në Poloni, por detajet do të bëhen të ditura gjatë samitit të aleancës në Varshavë, më 8 dhe 9 korrik.

Mbytet anija me emigrantë në Mesdhe

Organizata Ndërkombëtare për Emigrim thotë se janë gjetur 4 trupa pa jetë dhe janë shpëtuar 342 emigrantë nga një anije që u përmbys sot në detin Mesdhe.

Rreth 700 emigrantë besohet të kenë qenë në bordin e një anije prej druri që filloi të fundosej herët në mëngjes.

Pesë anije, përfshi një të rojes bregdetare greke dhe një helikopter, po vazhdojnë operacionin e kërkim- shpëtimit.

Kombësitë e emigrantëve nuk janë konfirmuar, dhe fati i tyre pritet të jetë shumë i ndryshëm në varësi të faktit nëse cilësohen refugjatë.

Ata që kanë shpëtuar dhe kualifikohen si emigrantë, ndryshe nga refugjatët, rrezikohen të kthehen në vendet e tyre pasi të jenë identifikuar.

Nigerianët dhe gambianët janë ndër emigrantët më të zakonshëm që kryejnë udhëtimin nga Libia në Greqi, edhe pse mes tyre ka një numër në rritje somalezësh dhe eritreas.

Edhe pse shumica e refugjatëve sirianë hyjnë në Evropë nga toka përmes Turqisë, një anije me 65 sirianë, afganë dhe pakistanezë u kap në brigjet greke javën e kaluar.

Gjermania miraton rezolutën për njohjen e ‘gjenocidit’ armen

Dhoma e ulët e parlamentit gjerman e ka miratuar një rezolutë, e cila vrasjen masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga Perandoria Osmane e njeh si gjenocid. Vendimi i sotëm ka nxitur reagime të ashpra nga shteti që e ka trashëguar këtë Perandori, Turqia.

Rezoluta gjermane prej pesë faqeve bën thirrje për “përkujtimin e gjenocidit të armenëve dhe minoriteteve të tjera të krishtera gjatë viteve 1915 dhe 1916”, periudhë kjo që deri në 1.5 milionë armenë besohet të jenë masakruar.

Turqia e ka kundërshtuar ashpër këtë rezolutë të ‘Bundestagut’, ndërsa ka paralajmëruar se ky veprim do t’i rëndojë marrëdhëniet në mes të dy shteteve.

Pas votimit në Bundestagun gjerman, ku vetëm një deputet ishte kundër rezolutës, ndërsa një tjetër ka abstenuar, televizioni turk ‘24’ ka raportuar se Ankaraja e ka ftuar ambasadorin gjerman për konsultime.

Duke iu referuar Holokaustit nazist të Luftës së Dytë Botërore, kryediplomati turk, Mevlut Cavosoglu, përmes rrjetit social, Twitter, ka sugjeruar se gjermanët me këtë veprim janë duke u munduar që të fshehin fajin e “faqeve të zeza” të historisë së tyre.

“Mënyra për të mbyllur faqet e zeza të historisë tënde nuk është duke përlyer historinë e vendeve të tjera me vendime parlamentare të pa përgjegjshme dhe të pa baza”, ka shkruar ministri turk në “Twitter”.

Ligjvënësit gjermanë kanë thënë se rezoluta e pranon faktin se Perandoria Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore, një aleate e kohës e Perandorisë Osmane, nuk ka bërë asgjë për të ndaluar vrasjen masive të armenëve.

Një ditë më parë, një tjetër zyrtar turk që e ka kundërshtuar këtë rezolutë ishte edhe kryeministri, Binali Yildirim.

“Kjo nuk është rezoluta e parë dhe nuk do të jetë as e fundit. Nganjëherë disa shtete që ne i konsiderojmë mike iu vijnë ide të tilla të mençura për të tërhequr vëmendjen e publikut, derisa vet gjenden në telashe me politikën e brendshme. Kjo rezolutë është një nga këto ide të mençura”, ka thënë kryeministri turk, Yildirim.

Mirëpo ministri i jashtëm armen, Edward Nalbandian e ka përshëndetur votimin, duke thënë se Gjermania është duke dhënë “kontribut të çmuar jo vetëm për njohjen ndërkombëtare dhe dënimin e gjenocidit armen, por edhe për luftën universale për ndalimin e gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit”.

Votimi e shton presionin mbi marrëveshjen për refugjatët në mes të Turqisë dhe BE-së, për të cilën kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë fushatë të madhe.

Merkel raportohet se e kishte rrezikuar të ardhmen politike të saj me këtë marrëveshje me Turqinë, sipas së cilës, Ankaraja do të ndalonte turmat e refugjatëve që duan të shkojnë drejt vendeve të Evropës.

Në këmbim të kësaj, Turqia do të përfitonte para, të drejtat për të udhëtuar pa viza në vendet e Shengenit dhe lehtësim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryediplomati gjerman, Frank Walter Steinmeier, ka thënë se ende nuk e ka të qartë se cili do të jetë reagimi i Turqisë rreth rezolutës gjermane.

“Sa i përket reagimit nga Turqia nga miratimi i mundshëm, momentalisht nuk mund të them çfarë saktë do të jetë ai reagim. Natyrisht se këtë e kam trajtuar me homologun tim turk të hënën e kaluar në Ankara dhe e kam pyetur se çfarë reagimi duhet të presim. Përgjigja e tij ka qenë që do të jetë një ‘reagim i shënuar”, ka thënë Steinmeier.

Deri më tash janë mbi 20 shtete, përfshirë edhe Francën dhe Rusinë, si dhe Papa Françeskun, që vrasjet e vitit 1915 i njohin si gjenocid. Shumica e historianëve nëpër botë, sidomos ata që nuk janë me origjinë turke, vrasjen e armenëve e konsiderojnë gjenocid.

Armenët insistojnë se deri në 1.5 milionë banorë të tyre janë vrarë në masakrën e vitit 1915, ndërkaq autoritetet turke thonë se numri ka qenë shumë më i vogël. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Gjermania voton sot rezolutën për “gjenocidin” në Armeni

Parlamenti i Gjermanisë

Parlamenti i Gjermanisë do të votojë sot për një rezolutë, që i njeh vrasjet masive të armenëve nga turqit otomanë si gjenocid.

Ligjvënësit gjermanë pritet të mbështesin rezolutën simbolike mbi masakrimin e 1.5 milion armenëve nga forcat otomane, një shekull më parë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Gjermaninë se miratimi i rezolutës do t’i dëmtojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Turqia refuzon fuqishëm idenë se vrasjet përbëjnë gjenocid.

Megjithatë, vrasjet dhe dëbimi i armenëve nga turqit otomanë konsiderohet gjenocid nga shumë historianë dhe nga së paku 20 shtete.

Turqia thotë se armenët kanë vdekur për shkak të konfliktit civil dhe jo përpjekjeve të planifiuara të Qeverisë otomane për të asgjësuar pakicën e krishterë.

Austria do ta konfiskojë shtëpinë ku u lind Hitleri

Vjenë, 1 qershor – Qeveria austriake ka paralajmëruar miratimin e ligjit i cili do të lejonte konfiskimin zyrtar të shtëpisë ku ka lindur lideri nazist Adolf Hitler, në përpjekje për të parandaluar grumbullimin e mundshëm të neonazistëve në këto hapësira.

Ministria e Brendshme austriake ka propozuar ligjin në fjalë me qëllim që në atë vend të mos mblidhen neonazistët.

“Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë për disa vite ishin përpjekur për të blerë pronën, por këto përpjekje ishin të pasuksesshme. Tani opsioni i vetëm mbetet që pronësinë e shtëpisë ta marrë Republika e Austrisë nëpërmjet shpronësimit”, tha Ministria e Brendshme.

Përndryshe, shtëpia ndodhet në qytetin e vogël Braunau am Inn, ku më 20 prill 1889 kishte lindur Hitleri, dhe aty kishte jetuar me prindërit e tij derisa në moshën tre vjeçare kur ata u zhvendosën në qytetin Passau në Gjermani.

Nga humbja e Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore shtëpia është përdorur si bibliotekë publike dhe bankë, kurse në të gjithashtu orë mësimore kanë mbajtur nxënësit e shkollave të mesme, kurse një kohë të shkurtë ishte selia e një organizate humanitare lokale.

Ja pse një e treta e gjermanëve duan daljen nga BE-ja

Një hulumtim i publikuar sot tregon se një e treta e gjermanëve duan që shteti i tyre të dal nga Bashkimi Evropian, raporton Reuters.

Një nga arsyet kryesore besohet të jetë numri i madh i refugjatëve dhe emigrantëve që nga viti i kaluar kanë hyrë në Gjermani dhe pako ndihmëse për nxjerrjen e Greqisë nga borxhet e shumta.

Sipas sondazhit të ‘YouGov’ që është realizuar për gazetën gjermane, ‘Handelsblatt’ tregon se vetëm 54 % e gjermaneve duan që shteti i tyre të mbetët në BE, derisa 29 % e të tjerëve do të votonin për daljen e Gjermanisë nëse do të mbahej një referundum.

Britanikët ndërkaq pritet të votojnë më 23 qershor për daljen eventuale të këtij shteti nga BE. Sondazhet e fundit tregojnë se është shënuar rritje e përkrahjes për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Ukrainë: Savchenko e dha betimin në parlament

Nadia Savchenko duke e kënduar himnin e Ukrainës në seancën e sotme të parlamentit

Pilotja ushtarake ukrainase, Nadia Savchenko, e cila i ka kaluar gati dy vjet në burg në Rusi, e ka dhënë betimin si anëtare e Parlamentit të Ukrainës.

Në vitin 2014, derisa ishte në burg në Rusi, ajo është zgjedhur anëtare e Parlamentit të Ukrainës.

Pilotja Savchenko është liruar nga burgu në Rusi javën e kaluar.

Gjatë fjalimit të saj sot në parlament, ajo tha se prioritet i saj do të jetë përpjekja për lirimin e ukrainasve të tjerë që mbahen në Rusi, e të cilët nga Ukraina përshkruen si të burgosur politikë.

Nadia Savchenko është kthyer në Ukrainë me ç’rast është pritur si hero. Ajo ishte amnistuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në kuadër të një këmbimi të të burgosurve.

Savchenko ishte zënë në pjesën lindore të Ukrainës nga separatisitët e mbështetur nga Rusia, në qershor të vitit 2014, kur ajo ishte duke shërbyer në një njësi të vullnetarëve të Ukrainës.

Stoltenbergu: NATO-ja e shton praninë në krahun lindor

Jens Stoltenbergu (i dyti nga e majta në rreshtin e parë) duke folur në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare më 20 maj në Bruksel

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbergu, ka thënë se në samitin e ardhshëm të aleancës do të vendoset për shtimin e pranisë së NATO-s në aspektin mbrojtës dhe të zmbrapjes në Poloni dhe në vendet e tjera të krahut lindor.

Këto komente ai i bëri mbrëmë në Varshavë të Polonisë, ku në korrik mbahet samiti.

“Do të ketë më tepër trupa të NATO-s në Poloni pas samitit të Varshavës, për të dërguar sinjal të qartë se një sulm kundër Polonisë do të konsiderohet sulm në gjithë aleancën”, tha Jens Stoltenberg.

Kjo lëvizje pritet që edhe mëtutje do ta armiqësoj Rusinë, e cila thotë se zgjerimi lindor i NATO-s e kërcënon sigurinë e saj kombëtare.

Raportet ndërmjet aleancës veriatlantike dhe Rusisë kanë arritur në pikën më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe mbështetjen e Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Junckeri: Bisedime me Moskën, jo rishqyrtim i sanksioneve

Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, thotë se vizita e planifikuar e tij në Rusi ka për qëllim ta mbajë dialogun, e jo të sinjalizojë rishqyrtim të sanksioneve të imponuara nga ana e Bashkimit Evropian.

Zoti Juncker e ka pranuar ftesën e Rusisë për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg më 16 qershor, që do të jetë udhëtimi i parë në Rusi i një zyrtari të lartë të BE-së, prej se Moska e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, në vitin 2014.

Kjo vizitë po bëhet vetëm disa javë para se 28 vendet anëtare të BE-së duhet të vendosin nëse do t’i zgjasin sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“Ne nuk do të shohim zbutje të pozicioneve evropiane”, u tha mbrëmë Juncker gazetarëve në Luksemburg, dhe ka shtuar se “ne do t’i vazhdojmë sanksionet kundër Rusisë dhe do ta bëjmë të qartë se ne në asnjë mënyrë nuk pajtohemi me aksionet e Rusisë në Ukrainë dhe Krime”.

Stephen Hawking: Suksesi i Trumpit më i pashpjegueshëm se sekretet e Universit

Hawking është edhe kundër Brexit

VOAL – LONDËR, 3O MAJ – Popullariteti i Donald Trumpit është më i pashpjegueshëm se misteret e origjinës së Universit, shkruan voal.ch (Voice Of Albanians). Në një intervistë për ITV, Stephen Hawking, astrofizikani anglez gjithmonë i përfshirë në jetën publike e sociale, edhe para se sëmundja t’ia burgoste trupin, nuk e ka kursyeer sarkazmën kundër magnatit të Nju Jorkut në garë për presidencën e SHBA.
Sipas Hawkingut, Trumpi është “një demagog që duket se iu bën thirrje instikteve të emëruesit më të ulët të përbashkët” të zgjedhësve.
Me të njëjtin përçmin dhe ironi shkencëtari i Kembrixhit në intervistë shprehet edhe për referendumin britanik të 23 qershorit, duke ripërsëritur ‘jo’-në e tij ndaj Brexitit dhe duke i ftuar bashkatdhettarët të votojnë për mbetejn e mbretërisë në BE.

“Kohët kur mund të rrinim të mbyllur në botën tonë armiqësore kanë kaluar – ka thënë në intervistë. Tani kemi nevojë të bëjmë pjesë në një komunitet më të gjetë, për sigurinë tonë dhe për tregtinë tonë.”

 

Franca dhe Gjermania e shënojnë përvjetorin e betejës së Verdunit

Ushtarët francezë gjatë një ofensive në betejen e Verdunit në vitin 1916

Presidenti i Francës, Francois Hollande, dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, sot e shënojnë 100 vjetorin e betejës në Verdun, që ishte beteja më e gjatë në Luftën e Parë Botërore.

Gjatë kësaj ofensive në këtë qytet në verilindje të Francës, në vitin 1916, e cila zgjati 300 ditë, janë vrarë më se 300 mijë vetë.

Të dy zyrtarët e lartë të Francës dhe Gjermanisë pritet ta shfrytëzojnë këtë ditë të përkujtimit për të shprehur nevojën për unitet, në kohën kur Bashkimi Evropian është nën presion për shkak të krizës së emigrimit dhe rrezikut që Britania të largohet nga BE-ja.

Duke folur para ceremonisë së përkujtimit, kancelarja Merkel ka theksuar se “të jesh e ftuar në këto përkujtime tregon se në çfarë shkalle raportet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë janë të mira sot”, dhe ka shtuar se “Evropa ballafaqohet me detyra të vështira dhe për këtë nuk ka dilema”.

Itali: Së paku 45 emigrantë janë gjetur të vdekur

Fotografi e Marinës italiane ku shihen emigrantët në anijen e cila fundoset pak para fillimit të operacionit të shpëtimit para tri ditësh

Së paku 45 emigrantë kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur pasi anija e tyre është fundosur dje në Detin Mesdhe, ka njoftuar roja bregdetare e Italisë.

Anija e Marinës italiane, Vega, i ka shpëtuar afro 135 njerëz nga anija e madhe e gomës “gjysmë e fundosur”, në njërin prej 17 operacioneve të koordinuara nga roja bregdetare gjatë ditës së djeshme.

Ekuipazhi i anijes Vega i ka gjetur 45 trupa të pajetë dhe ende po kërkohet për të zhdukurit.

Raportohet se kjo është dita e tretë e njëpasnjëshme e vdekjeve të migrantëve në det.

Roja bregdetare tha se moti më i nxehtë dhe deti më i qetë ka ndikuar në rritjen e numrit të njerëzve që përpiqen të kalojnë nga Libia, ku trafikantët me njerëz veprojnë të papenguar.

Migrantët, shumica prej të cilëve nuk dijnë të notojnë dhe nuk janë jelekë shpëtimi, kanë paguar qindra ose mijëra dollarë për të kaluar nëpër det në Evropë.

(Video) Axhenda e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mban Sesionin e Pranverës në Tiranë

Voal – Gjashtë javë përpara samititit të korrikut që do të mbledhë krerët e Aleancës Verio-Atlantike, për herë të parë Parlamenti i Shqipërisë bëhet mikpritës i një Samiti të NATO-s.

Asambleja Parlamentare e NATO-s Sesionin e Pranverës e mban në Tiranë.

Samiti i aleancës ushtarake Verio-Atlantike ka filluar sot, të premten dhe do të zgjasë prej 27 deri në 30 maj.

Në të marrin pjesë 260 delegatë nga 28 vendet anëtare të NATO-s, duke filluar nga SHBA, Kanada dhe  Evropë.

Sa u takon temave të diskutimit fokusi do të jetë në sigurinë globale dhe në Ballkan.

Në takim merr pjesë edhe Kosova, ndërsa në muajin tetor NATO do ta organizojë një Samit edhe në Kosovë.

Të shtunën dhe të djelën më 28 dhe 29 maj do të zhvillohen takime të pesë Komiteteve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që janë Komiteti i Politikës, Mbrojtjes dhe Sigurisë, Shkencës dhe Teknologjisë, Dimensioni Civil i Sigurisë dhe Komiteti i Ekonomisë e Sigurisë.

Në Sesionin Plenar që do të mbahet të Hënën në 30 Maj do të mbajë fjalën e tij Kongresmeni Michael Turner, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Ilir Meta, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori Alexander Vershbow, Zv Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, si dhe Milo Gjukanovic, Kryeministri i Malit të Zi.

 

banner

 

Milano: Operacioni antidrogë – 31 urdhërarreste për shqiptarë

Policia e Milanos ka sekuestruar 130 kg kokainë dhe heroinë dhe ka lëshuar 38 urdhërarreste, 31 prej të cilave janë për shtetas shqiptarë.

Shtetasit e tjerë të kërkuar janë nga Maroku (5) dhe nga Tunizia (2).

Operacioni kundër trafikut ndërkombëtar të drogës është zhvilluar në bashkëpunim me policinë shqiptare, gjermane dhe spanjolle.

Obama: Liderët botërorë me të drejtë ‘të tronditur’ nga Trumpi

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se liderët ndërkombëtarë kanë arsye të mirë që “të tronditen” nga kandidati republikan për presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ata nuk janë të sigurt se sa seriozisht duhet t’i marrin disa deklarata të tij, por ata me të drejtë janë të tronditur nga ai dhe me arsye të mira”, tha sot Barack Obama në Japoni, ku po merr pjesë në samitin e grupit G7.

“Shumë propozime që ai i ka bërë tregojnë injorancë të çështjeve botërore ose qasje irituese”, tha Obama.

Aktualisht, zoti Trump është kandidati kryesor për nominim të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor.

Spanja rikonfirmon: Nuk do ta njohim asnjëherë pavarësinë e Kosovës

Spanja nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

Kështu ka deklaruar sot ministri i Jashtëm i Spanjës Jose Manuel García-Margallo, gjatë një takimi me homologun e tij serb Ivica Daçiç.

Ai ka konfirmuar mbështetjen e Spanjës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Margallo ka thënë se Spanja këtë vit feston 100 vjetorin e marrëdhënieve bilaterale me Serbinë që, sipas tij, është një shtyllë kryesore që Spanja ka një qëndrim të tillë ndaj Kosovës.

Sot në Francë nuk del në treg shtypi kombëtar

Sindikata kombëtare e gazetave ditore thotë se shtypi është robëruar për shkak të ligjit të ri të punës

PARIS – Sot në Francë, nuk do të dalë në treg shtypi kombëtar. Kështu të punësuarit në shtypin e vendit do të protestojnë ndaj projekt-ligjit mbi punën.

Në deklaratën e Sindikatës kombëtare të gazetave ditore (SPQN) theksohet se shtypi është robëruar për shkak të ligjit të ri të punës, dhe për këtë arsye shtypi nesër nuk do të dalë.

Shtypi Kombëtar në Francë në kioska nuk ishte e mundur të blihet gjithashtu edhe më 31 dhe 28 prill. aa

Suedia, për shkak të Rusisë, i jep NATO-s qasje më të madhe

Ministri i Mbrojtjes i Suedisë Peter Hultqvist

Parlamenti i Suedisë ka votuar mbrëmë për t’i dhënë më tepër qasje NATO-s për stërvitje dhe për rast të ndonjë lufte.

Për këtë masë në parlamentin e këtij vendi neutral nordik kanë votuar 291 deputetë, ndërsa 21 ishin kundër.

Suedia nuk është anëtare e NATO-s por aktualisht ka lëvizur më afër aleancës për shkak të rritjes së tensioneve me Rusinë.

Stokholmi bashkëpunon me vendet anëtare të NATOs, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda, ndërsa merr pjesë edhe në operacionet në Afganistan.

“Kjo marrëveshje nuk do t’i ndryshoj raportet tona me NATO-n e as politikën tonë të sigurisë, pasi ne do të mbesim të painkuadruar”, tha ministri iMbrojtjes i Suedisë, Peter Hultqvist, dhe ka shtuar se “nuk do të ketë ushtarë të NATO-s në Suedi pa ftesë”.

Aktualisht, afërsia e Suedisë me NATO-n e ka zemëruar Rusinë.

Franca për shkaqe sigurie kthen 18 mijë persona nga kufiri

Janë kryer rreth 32 milionë kontrolle kufitare që nga sulmet e nëntorit në Paris

PARIS – Zyrtari i lartë francez i sigurisë thotë se për shkaqe sigurie nga kufijtë e këtij vendi janë kthyer më shumë se 18 mijë persona, pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor të vitit të kaluar.

Ai shtoi se 18 mijë persona u kthyen nga Franca në bazë të të dhënave të shërbimit të zbulimit, ose për shkak të dokumenteve të dyshimta, ndërsa janë bërë rreth 32 milionë kontrolle kufitare që nga sulmet e nëntorit në Paris. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të flasë para publikut, nuk tregoi se ku janë dërguar këta njerëz apo sa prej tyre u arrestuan.

Franca ka rritur sigurinë në kufijtë e saj pas sulmeve terroriste të vitit të kaluar ku u vranë 130 persona. Që atëherë, në këtë vend në fuqi është gjendja e jashtëzakonshme, e cila kohët e fundit është vazhduar edhe për një periudhë, me rastin e mbajtjes së Euro 2016 dhe Tour de France.

Bernard Cazeneuve, ministri i Brendshëm i Francës kohët e fundit tha se kufijtë do të monitorohen në mënyrë rigoroze gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit nga 10 qershori deri më 10 korrik.

NATO: Grumbullimi në krahun lindor – përgjigje agresionit të Rusisë

Gjenerali Petr Pavel

Kryesuesi i Komitetit ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, i tha Radios Evropa e Lirë se planifikimi i grumbullimit të aleancës në krahun lindor të saj është përgjigje direkte ndaj aksioneve ushtarake ruse në Gjeorgji, Ukrainë dhe Rusi.

Gjenerali Petr Pavel, nga Çekia, tha se “nëse nuk do të kishte rritje të këmbëngulësisë së Rusisë të demonstruar në aksionet në Gjeorgji, Ukrainë, Krime dhe Siri, atëherë nuk do të kishte nevojë për reagim nga ana e NATO-s”.

Mëtutje, ai ja theksuar se NATO-ja, e veçanërisht pjesa më e madhe e anëtarëve lindorë, “ndjehen të kërcënuar nga këmbëngulësia e Rusisë, nga agresioni rus, në disa hapësira”.

Sipas tij, vendet që në mënyrë direkte kufizohen me Rusinë “dëshiruan të jenë më tepër të siguruara për praninë e NATO-s dhe për vullnetin dhe gatishmërinë e NATO-s për të vepruar”.

Komiteti ushtarak i NATO-s është autoritet i lartë ushtarak i aleancës dhe është burim kryesor i këshillave ushtarake për trupat civile vendim-marrëse të NATO-s.


Send this to a friend