Voal -Voal.ch shkruan se tashmë viktima e parë nga sulmet terroriste në Bruksel është identifikuar. Ky konfirmim është bërë nga ministria e punëve të jashtëme të Perusë. Një emër, një datë lindje, një jetë e coptuar. Adelma Marina Tapia Ruiz. Gruaja 37 vjeçare, peruvjane ishte rezidente prej 6 vjetësh në Bruksel, ku jetonte me bashkëshortin dhe dy vajzat binjake. Kur ndodhi sulmi, ajo gjendej në hollin e aeroportit bashkë me bashkëshortin belg Christopher Delcambe dhe natyrisht binjaket e tyre të adhuruara. Njëra prej vajzave ka mbetur e lënduar nga ciflat, ashtu edhe i shoqi.
Vëllai i Ruiz, Fernando Tapia Coral, ka treguar se pak para shpërthimit të dyja vajzat kishin dalë jashtë për të luajtur. Dhe pikërisht ky largim prej disa sekondash ua ka shpëtuar jetën. Edhe i jati që i ka ndjekur për t’i pasur nën kujdes, edhe ky prandaj mbeti i gjallë, dhe pikërisht gjatë këtyre sekondave ndodhi shpërthimi. Ai u turr brënda të gjejë të shoqen e tij, në atë kaos, tym të zi dhe ulërima të pafund. Por nuk mundi dot që ta gjente. Sipas informacioneve, e gjithë familja po nisej në Lima për pushimet e Pashkëve dhe për të marrë pjesë në një martesë të të afërmëve. Ato gjendeshin në aeroportin e Brukselit Zaventem me të shoqin belg, dhe dhe binjaket katër vjeçare, Maureen e Alondra. Në fillim do të shkonin në New York ku Adelma kishte dy motrat e saj.
Sikur t’i kishin ndjekur të dy vajzat, të dy bashkë, do të kishin shpëtuar të katërt, por duket Adelma është kujdesur për bagazhet si ndodh në këto raste, kur njëri bashkëshort kujdeset për fëmijët dhe tjetri për plaçkat.
Ishin një familje e lumtur. Një çift i dashuruar me binjaket e tyre që ishin për ta mrekullia e Zotit.
Por gjithçka u pre në mes, pa asnjë lloj kuptimi, pa asnjë lloj sensi.
Adelma Tapia Ruiz, 37 vjeça është njëra nga 34 viktimat që humbën jetën gjatë sulmeve terroriste në aeroportin e Brukselit Zaventem dhe në metronë Maelbeek, ku janë plagosur gjithashtu edhe 250 persona të tjerë./Përktheu E.B.






