Pas votës së Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, Brukseli është i shqetësuar se anëtarë të tjerë si Holanda, mund të largohen nga blloku. Në Holandë, ashtu si në Britani, ka shqetësime të mëdha mbi emigracionin dhe sovranitetin. Por përkrahësit e BE-së përmendin rolin jetik që luan blloku në begatinë e vendit.
Maastricht – thellë në jugun e Holandës – aty ku varkat dhe biçikletat janë mënyra më e mirë për të udhëtuar.
Emri i qytetit është i lidhur me traktatin e vitit 1992 që krijoi Bashkimin Evropian modern.
Traktati, që u nënshkrua në këtë ndërtesë 24 vjet më parë, e vendosi Evropën në rrugën e një bashkimi më të ngushtë politik dhe monetar. Por Maastrichti e gjen tani veten në zemër të rajonit më euroskeptik të Holandës.
Anketat e fundit tregojnë se gjysma e votuesve holandezë kërkojnë një referendum për anëtarësinë e tyre në BE.
“Si shtet, ne duhet të kemi kufijtë tanë, gjykatat tona, të hartojmë ligjet tona dhe jo të na i bëjnë njerëzit e Brukselit apo të Bashkimit Evropian”, thotë Laurence Stassen, ish anëtar i parlamentit evropian.
Stassen ka qënë anëtar i partisë së ektremit të djathtë, Liria, drejtuar nga Geert Wilders – i cili është tani në krye të anketave të opinionit. Wilders ka bërë fushatë kundër asaj që e quan ‘Islamizim’ i Evropës – dhe ka kërkuar që Holanda, ashtu si Britania të votojë nëse do të qëndrojë apo jo në BE.
“Brexit është thjesht kthimi i sovranitetit. Por megjithatë ka shumë shqetësime rreth imigracionit.”
Nëse ndjek varkat në rrjedhën e lumit, arrin në Roterdam, porti më i madh i Evropës. Aty kalojnë çdo vit 465 milion tonë mallra – duke lidhur ekonomitë më të fuqishme të Evropës veriore me pjesën tjetër të botës.
“Një pjesë e mirë e prosperitetit që kemi arritur gjatë dekadave të fundit si në Holandë edhe në Evropë në tërësi, varet nga tregëtia dhe lëvizja e lire e mallrave dhe e njerëzve”, thotë Sjaak Poppe, zëdhënës i portit.
Këtu dalja nga BE-ja shihet si një katastrofë ekonomike.
“Me Evropën, ne jemi 500 milionë njerëz, zona më e madhe tregëtare, tregu më i madh. Vetë Holanda si vend ka vetëm 16 milionë.”
Përkrahësit e BE-së janë të shqetësuar nga votimi i Britanisë për t’u larguar.
“Mbretëria e Bashkuar është një parter tregëtar i rëndësishëm për Holandën. Kemi lidhje të mëdha historike”, thotë profesor Fabian Amtenbrink në universitetin Erasmus të Roterdamit.
Por ka shqetësime të përbashkëta rreth BE-së në mbarë Evropën.
“Ekziston ndjenja se Brukseli po ndërhyn shumë. Në anën tjetër Brukseli, Bashkimi Evropian dhe procesi i vendim-marrjes janë shumë larg qytetarëve.”
Ligji holandez e bën referendumin të vështirë tani për tani. Por me zgjedhjet e marsit të ardhshëm, sëmundja ngjitëse nga e ashtuquajtura ‘Brexit’ mund të ndihet fillimisht në Holandë – një nga anëtaret themeluese të bashkimit.
Komentet