DURRËS, 7 korrik 2014 – Dr. Beniamin Çetta, mjeku i nderuar durrsak që ndërroi jetë 5 vjet më parë do të kujtohet, më 7 korrik 2014, në një takim të organizuar në këtë përvjetor.
Një grup miqsh dhe intelektualësh bashkëqytetarë do të jenë së bashku, duke provuar edhe një herë respektin e pamasw që gëzon dr. Beni në qytetin e Durrësit, megjithëse nuk jeton më.
Më 7 korrik 2009, mjeku kardiolog që konsiderohet si një nga bijtë më të shquar të Durrësit u përcoll në banesën e fundit nga mijëra bashkëqytetarë.
Dr. Beni vjen në kujtesën e durrsakëve me mirësinë, qetësinë dhe profesionalizmin që e karakterizuan jo vetëm para pacientëve, por edhe në ditët e vështira të burgimit të padrejtë dhe të transferimeve të pamerituara.
Të gjithë ata që e njohën jetën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të shëndetit të durrsakëve kthejnë kokën me respekt nga banesa e vogël në lagjen 11, ku ai jetoi i vetëm vitet e fundit të jetës.
I rrethuar, sidoqoftë, nga dashuria e miqve dhe bashkëqytetarëve, të cilët, falë nismës së bashkëvuajtësit të tij, Hysen Haxhia, do ta përkujtojnë edhe sot në takimin jubilar.
Beniamin Çetta dhe aktiviteti i tij në shërbim të njerëzve
Dr. Beniamin Çetta është një nga njerëzit e thjeshtë, por mjaft të shquar të qytetit të Durrësit.
Figura e tij lidhet jo vetëm me mijëra pacientë që ka vizituar dhe shëruar, por mbi të gjitha për afro 50 vjet është e lidhur me vetë jetën e qytetit tonë.
Në vitin 2008 dr. Beniamin Çetta është shpallur “Qytetar nderi” I Durrësit.
Doktor Beniamin Çetta u lind me 21.03.1937 në Tiranë, ku atë kohë punonte babai tij, Lazër Çetta, me detyrë nëpunës, të cilin qeveria franceze e pat dekoruar me titullin e lartë të Legjionit të Nderit.
Prof. Anton Çetta, vëllai i dr. Benit, është personaliteti i njohur i viteve 1980 si nismëtar i pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
Familja e dr. Benit vendoset në Durrës që kur ai ishte tre vjeç dhe që nga ajo kohë ai nuk ka lëvizur nga qyteti ynë.
Beniamin Çetta ka kryer shkollën fillore e të mesme në Durrës.
Gjatë periudhës 1954-1959 ai ka ndjekur dhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Tiranës.
Në vitin 1960 është specializuar për kardiologji, po në Tiranë.
Dr. Beniamin Çetta punon një vit si mjek në Rrogozhinë.
Gjatë periudhës 1960-1981 ai ka kontribuar si mjek në Durrës, duke mbuluar njëherazi edhe gjithë rrethin.
Si i vetmi mjek kardiolog i asaj kohe ka përballuar një punë të madhe duke vizituar mesatarisht 100 pacientë në ditë në poliklinikë dhe shumë të tjerë në banesë. Përveç punës praktike, ai ka shkruar edhe disa kumtesa gjithnjë për probleme të kardiologjisë.
Në vitin 1981 arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie sipas nenit famëkeq 55 “Per agjitacion e propagandë”.
Dënimin e ka kryer në burgjet e Bulqizës, Qafëbarit dhe Zejmenit.
Pasi lirohet nga burgu në vitin 1986 mbetet nëntë muaj pa punë.
Më pas punon si mjek i përgjithshëm në fshatin Lekaj, ndërsa në vitet 90-92 punon si kardiolog në poliklinikën e qytetit të Durrësit.
Në vitin 1992 del në pension, por megjithatë vazhdon të vizitojë dhe të ndjekë ecurinë e dhjetëra pacientëve që kanë besim në njohuritë dhe përkushtimin e tij.
Përveç punës së përditshme si mjek ai është aktivizuar edhe në shoqatën humanitare Caritas dhe komunitetin e personave me probleme të drogës Emanuel.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Pushofte ne paqe
Doktor profesionist talent i veçantë, bamirës jo vetëm për durrsakët e tij por I gjithë Shqipërisë, mjekë të tillë nuk lind ma Durrësi, ai jeton në memoriet tona brez pas brezi.