“Qasje për të studiuar një të shkuar kulturore të përbashkët” titullohej fjala e profesor Johannes Koder në tryezën “Vlerësimi i studimeve bizantine dhe trashëgimia kulturore sot në Shqipëri” dje në Muzeun Kombëtar, ku morën pjesë Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka, Lida Miraj, Anid Rembeci, Sokol Çunga, Dritan Egro, Gjerak Karaiskaj, Skënder Muçaj, etj. Koder, është President i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine (AIEB). Profesor Koder, kujtoi dje tri herët që ka qenë në Shqipëri si edhe përmblodhi tezat për shqiptarët duke nënvizuar vazhdimësinë iliro-shqiptare.
Si profesor i Studimeve Bizantine në Universitetin e Vjenës, vendin tuaj e vizitova për herë të parë më 1965, së bashku me Erich Trapp, i ftuar nga Instituti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës”. Ndihma e profesorëve Androkli Kostallari dhe Aleks Buda ishte shumë e rëndësishme. Në qendër të interesit tonë ishin dorëshkrimet në greqisht të Arkivit Qendror Shtetëror; dëshironim të dinim se cilët dorëshkrime u kishin mbijetuar zhvillimeve politike dhe ushtarake, gjysmë shekulli pas Luftërave Ballkanike, dhe më 1968 botuam një inventar të shkurtër të 25 dorëshkrimeve (prej më shumë se 100 syresh që ekzistonin në fillim të shek. XX). Gjatë qëndrimit tonë u ftuam bujarisht të vizitonim vendndodhje historike (mesjetare) në Shqipërinë e jugut, në shoqërinë e ekspertëve Theofan Popa dhe Koço Bozhori.
Vizita e dytë daton më 1980. Erdha së bashku me Peter Soustal (më vonë drejtor i Institutit për Studime Bizantine në Akademinë e Shkencave të Austrisë), me ftesë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kohën kur kryetar ishte prof. Aleks Buda. Dr.Soustal përgatiti, në atë kohë, vëllimin e Epirus Vetus për Tabula Imperii Byzantini, një manual dhe atlas i gjeografisë historike të bizantit, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Austrisë. Vëllimi mbi Epirus Vetus përfshinte provincat e Shqipërisë së jugut dhe provincat greke të Epirit dhe Etolokarnanisë. Më 1980 mbaj mend shoqërimin shumë të dobishëm të Apollon Baçes dhe Hasan Subashit.
Herën e tretë e vizitova Shqipërinë për pak ditë në shtator 1996, së bashku me një grup studentësh pasuniversitarë. Vizituam vendndodhjet monumentale që datojnë në periudhën e lashtë, mesjetare dhe të modernitetit të hershëm, jo vetëm ato bizantine, si, për shembull, qytetin arumun të Voskopojës.
Nga këto vizita mësova se Shqipëria, veçanërisht ajo qendrore dhe e jugut, ka një dendësi të lartë monumentesh që datojnë në periudhën e krishterimit të hershëm, mesjetare dhe para-industriale. Shumë prej këtyre monumenteve u qenë nënshtruar pushtimeve italiane dhe gjermane, gjatë Luftës II Botërore, dhe sistemit politik të gjysmës së dytë të shek. XX, kryesisht kisha dhe manastire, të cilat ishin keqpërdorur për qëllime jo fetare. Më 1996 u gëzova tek pashë se shumë prej tyre kishin mbijetuar. – Kaq për njohuritë e mia rreth trashëgimisë monumentale të vendit tuaj.
Burime për historinë bizantine
Studimet historike dhe si rrjedhojë edhe studimet bizantine, mbështeten, kryesisht, në tri kategori burimesh të rëndësishme: Në trashëgiminë materiale, në burimet e shkruara dhe në provat toponimike. Për sa i përket trashëgimisë materiale, sot kanë nevojë për më shumë mbrojtje se në kohët e mëparshme – mbrojtje jo vetëm prej kërcënimit nga ndonjë ideologji agresive e sipërmarrjes së lirë, por, në disa raste, edhe nga restaurimi i papërshtatshëm – “bukuria” dhe joshja për qëllime turistike nuk duhet të jenë kategoritë e vetme në metodat e restaurimit të trashëgimisë monumentale kombëtare. Kështu që, edhe ato që quhen gjetje të “vogla”, janë tejet të rëndësishme për historinë e jetës së përditshme – jo vetëm qeramikat, monedhat apo vulat, etj, por edhe, për shembull, çdo përmbajtje e gropave të hedhurinave, siç janë copat e tekstileve apo kockat e kafshëve.
Sa i takon burimeve tekstore: Shembulli Shqipëri – Iliri, lejomëni të paraqes, disa raste informacionesh të marra nga burime bizantine që lidhen me terminologjinë etnike dhe janë fakte të marrëdhënies së emërtimeve Shqipëri – Iliri në përmasën e tyre etnike dhe hapësinore, siç përdoren në burimet e shkruara në greqisht. I rëndësishëm nuk është aq shumë kuptimi i thjeshtë gjeografik Illyrikon, pasi ky term dominohet deri në fund të shek. XII nga kuptimi administrativ i tij, praefectura praetorio per Illyricum, një kuptim i cili e ka prejardhjen tek struktura administrative e periudhës së vonë romake dhe bizantine të hershme. Me më shumë interes është kuptimi etnik i termit dhe zhvillimi i tij, duke përfshirë, sigurisht, edhe nënkuptimin territorial.
Interesi i historianëve të bizantit për identifikimin etnik të illyrioi bëhet i dukshëm që prej shek. XIII. Historiani i parë është Georgios Pahimeris († 1310). Pahimeris nuk është fort i saktë, pasi bën dallimin vetëm mes triballoi (serbëve) dhe illyrioi, pa folur qartë për shqiptarët.
Kjo pasaktësi vlen pjesërisht edhe për Nikefor Gragoras-in († 1360), ndonëse prej listës së kombeve të Evropës juglindore bëhet pothuaj krejt e qartë se ai identifikon illyrioi me kombin shqiptar. Vetëm në një rast Gregoras përmend fiset fqinje në Tesali, duke bërë dallimin mes albanoi dhe illyrioi – të dytët, në këtë rast, duhen kuptuar si banorë të Maqedonisë në përgjithësi.
Historianët e shek. 15, qartazi kanë mendime të ndryshme mbi identifikimin e ilirëve dhe shqiptarëve. Mikael Kritobulos (c. 1470), në historinë e tij për Mehmet Pushtuesin, jep më shumë se dyzet shembuj të illyrioi, në kuptimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, ca herë duke përmendur edhe komandantin e ilirëve, Aleksandrin (= Skënderbeun). Është mbresëlënës një çast, kur Kritobulos flet për shqiptarë që jetojnë në Peloponez: Vetëm në këtë rast i quan albanoi.
Shumë interesant është pozicioni, deri diku i kundërt, në tekstin e Laonikos Halkokondilit († rreth 1470), pasi aty diskuton disa herë dhe në hollësi çështjen se cilët kombe, në Ballkanin e kohës së tij, ndoshta e kanë prejardhjen nga “ilirët, ky fis i vjetër dhe madhështor mes kombeve të gjithësisë”, siç thotë. Veçanërisht në një pasazh ku u referohet ngjarjeve të vitit 1354, kur Sulltan Orhani dërgoi të birin, Sulejmanin, në Evropë, Halkokondili shpreh dyshime, nëse vërtetë shqiptarët janë fis ilir. Ai nuk pranon që “albanoi janë me prejardhje nga illyrioi”, dhe përmend si mundësi ardhjen e tyre nga Iapygia (Apulia) në Epidamnos (Durrës), ose që “të dy fiset, triballoi dhe albanoi”, kanë ardhur nga zonat bregdetare të Jonit, nga të cilët njëri mori drejt lindjes së Evropës, tjetri drejt perëndimit.
Mendoj se kjo ide është më e pranueshme, nëse Halkokondili e ka fjalën për variacionet e gjuhëve të sllavëve të jugut, të cilat fliteshin në Ballkan. Në fund, Halkokondili jep këtë mendim: Do të thosha se albanoi, më shumë se çdo fis tjetër në gjithësi, duhet të klasifikohen si maqedonë. (Vras mendjen, mos vallë autori e jep këtë identifikim i prirur nga homonimia e Aleksandrit të Madh, prijësit të maqedonëve, dhe Skënderbeut, prijësit të shqiptarëve).
Duke përmbledhur: Dua të shpreh qartësisht, se këtu nuk po përkufizoj ndonjë mendim të historianëve bashkëkohorë.
PROVAT TOPONIMIKE
Kategoria e tretë e burimeve janë toponimet dhe ndryshimet e tyre në shekuj: Toponimet janë një burim i rëndësishëm për zhvillimin demografik në Evropën jug-indore, por ndodh që disa herë të neglizhohen. Duhet të them se njohuritë e mia kufizohen vetëm me toponimet në greqisht dhe sllavisht. Për këto kemi në dispozicion, sidomos për toponimet me prejardhje sllave, doracakun themelor Die Slaven in Griechenland, botuar më 1941 nga gjuhëtari Max Vasmer (1886-1962), rus me prejardhje gjermane. Rëndësia e toponimeve qëndron tek qëndrueshmëria dhe lokalizimi i tyre. Para shek. XIX toponimet ndryshonin vetëm nëse një vendbanim braktisej, pasi banorët e mëparshëm të tij kishin vdekur apo ishin larguar. Në kushte normale, vetëm në këtë rast banorët e rinj do t’i jepnin vendbanimit të tyre, ndërtuar në themele të vjetra, emër të ri, ca herë duke pasur lidhje me mbetjet karakteristike të vendbanimit të mëparshëm – shembuj të mirënjohur janë toponimet si, Gardhiq, Gardhiqi, Gradec apo të ngjashëm (që do të thotë “fortesë”, “kështjellë”), por edhe Paleogardhiq. Në këtë rast, bëhet fjalë për toponime sllave, të cilat, shpesh, u jepeshin vendbanimeve të reja të ndërtuara pranë rrënojave të vjetra. Tek studioja toponimet e një zone të Shqipërisë së jugut, luginën e Dropullit me qendër Gjirokastrën, konstatova një vijimësi mbresëlënëse të toponimeve shqiptare, sllave dhe greke. Shpesh, toponime të vjetra ishin përshtatur në shqip, duke përdorur një mbaresë dalluese toponimike. Vëzhgova këtë vijimësi në rastin e toponimeve të mëparshme greke dhe sllave, të përdorura pas shek. VI, p.sh., Bodrishtë, Vanishtë apo Saraqinishtë (Antigone). Këto emra vendesh paraqiten, gjithashtu, në defterët e hershëm osmanë të Shqipërisë, të cilët datojnë nga 1431 dhe 1485 dhe ekzistojnë deri sot, siç arrita ta provoja në një botim të shkurtër më 1982. Toponimet, gjuha e tyre fillestare dhe përshtatjet e tyre gjuhësore në tërësi, janë burim i rëndësishëm për shpërndarjen e gjuhës shqipe në gadishullin Ballkanik – kjo veçanërisht për shkak të pozicionit unik që ka shqipja mes gjuhëve të Evropës juglindore. Prandaj është e krahasueshme, deri diku, me hungarishten, një element i qartë dallues i identitetit shqiptar.
Komentet