Voal – Më 16 Janar 1948 pushkatohet Edip Trëshana i lindur në Dibër. Kjo është letra e Edip Tërshanës drejtuar Enver Hoxhës:
Enver!
Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare.
Unë isha në Dibër krijuesi i saj.
Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të Atdheut, se jo vetëm hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht.
Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetërore dhe para-shtetërore. Kjo është tradhëti. Sot politika e jashtme e juaj sllave ka shkaktuar që UNÇ të jetë kundër nesh humbin shumë miq; kjo është Tradhëti.
Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi.
Për 20.000-30.000 që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti.
Ky është pushteti që varfnoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë që ne kishim për 20 vjet vesh-mbathje; kjo është pra tradhtia.
Jam kundra këtij Pushteti, se është spekullator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregtarët po ja shet ma shtrenjt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër f amiljesh të tregtarëve kinse janë spekullatorë. Kurse Pushteti është në spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15 mori duhanin 15-20 fr dhe ja shiti 100-120 fr. Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e të Titua. Kjo është tradhti.
Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion fr shqiptare për të ushqyer Pecot e mashorët e Frontit. Sot thuhet g jithçka për pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?
Jam kundra thirrjeve “Jemi bijtë e Stalinit”, sepse ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa kur përmend Stalinin, të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra se injoranca s’don kulturën; kështu duan sllavët. Kjo besoj është tradhti.
Jam kundra sepse s;ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin? Jam kundra se në Historinë për Shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekërve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe kësaj ëndrre.
Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht.
Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabitë gratë e botës, me grabitë karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.
Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
Enver!
Tue çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranu se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mban. Pret nënë e mjerë, pasi i jati të vrasë të birin e bijtë e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.
Ky pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë.
More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin.
Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme.
A s’është tradhti? Rroftë Ideali Kombëtar Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë! Rroftë Populli shqiptar!
Rroftë flamuri kombëtar i panjollosur!
Komentet