VOAL

VOAL

Medina – ëngjëll i përjetshëm në zemrën e Robertit, sot duhej te festoje ditlindjen e 11-te

April 15, 2016

Komentet

Tuj kujtue Kardinal Mikel Koliqin (II) nga Dr. Lazër Radi

***
Mbas pesë vjetësh, në pranverën e vitit 1942 – takohemi në Romë me Dom Mikel Koliqin. Kishte ardhë për t’i vu kunorë vëllaut të vet, Prof. Ernest Koliqit që martohej me Vangjelia Vuçanin, arsimtare nga Tirana.
Para nji elite të zgjedhun dhe në prani të miqve dhe të dashamirëve ata vunë kunorë në nji kishë të vogël të lagjes aristokrate Parioli. Dëshira e Ernestit ishte që i vëllau i tij D. Mikel Koliqi t’ia vinte kunorën.
Dhe ashtu u ba!
Mbas celebrimit të martesës, ashtu siç ishim, me vetura shkruem në rrugën e famshme Vittorio Veneto, ku në sallën e hotelit luksuoz “Ekscelsior” ishte shtrue për ne të ftuemit nji banket shumë elegant. Aty patëm rast të njiheshim dhe të kuvendonim edhe me njerëz tjerë të artit e të kulturës, me miqtë e Ernestit të ardhun nga shumë vende të ndryshme. Në at mjedis luksuoz, në fund të banketit, bashkëshortët Ernesti dhe Vangjelia na servirën me konfektet e bardha të dasmës.
Mbas ceremonisë, në hollin e atij hoteli luksoz u ndalëm në nji bisedë shumë të përzemërt me Dom Mikelin. Unë isha në valën e studimeve. Ishte viti i fundit dhe do të jepja gjashtë provime si dhe tezën e doktoratës. Dom Mikeli u interesue shumë për përmbajtjen e tezit sepse iu duk mjaft interesante:
“Le consuetudini giuridiche come attivita spirituale del popolo albanese” (Doket ligjore si veprimtari shpirtnore të popullit shqiptar).
Zgjedhja e ime iu duk pak e vështirë veçse e bukur dhe interesante. Kur i thashë se tezën do ta zhvilloja me Profesorin e Filozofisë të së Drejtës Cesarini Sforza, më tha se e njihte dhe se ishte profesor i mirë, dhe shumë kërkues. I tregova se kisha disa muej që po punoja me Profesorin dhe se më kishte dhanë nji ndihmë të madhe për të dalë sa ma mirë. Mbasi më dha disa udhëzime dhe më tregoi disa gjana shumë interesante nga eksperienca e tij në Malsitë e Shkodrës, u ndame me porosi që kur të kthehesha në Shqipni të shkoja ta takoja në Shkodër…
* * *
Në qershor të atij viti dhashë gjashtë provimet dhe tezën e doktoratës. U ktheva në Shqipni për të krye stazhin e avokatisë. Mbas tetëmbëdhetë muejsh fitova edhe titullin e avokatit për ta ushtrue profesionin në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës dhe të Durrësit.
Shqipnia përjetonte ditë të vështira. Mbas kapitullimit të Italisë – ushtritë gjermane u instaluen në vendin tonë. Jeta ekonomike, politike, kulturore dhe shoqnore ishte krejtësisht e paralizueme.
Kah fundi i vitit 1944, në Tiranë u instalue qeveria komuniste. Veprimi i parë i kësaj qeverie monstruoze ishte burgosja masive: do të burgoseshin të gjithë ata që në jetë, në aktivitete dhe në shoqni kishin mbajtun qëndrim nacionalist.

PEDAGOGU DHE SPORTISTI I NJOHUR KOSOVAR FAZLI LLUGALIU NË KUJTIMET E MIA- Nga ARIF EJUPI

 

Javën e kaluar në fshatin Surkish të Podujevës, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Fazli  Llugaliu, njëri nga  profesorët e parë të Edukatës Fizike në Llap.

Llugaliu krahas kontributit  të tij të jashtëzakonshëm në përgatitjen e të rinjve  llapjanë në disiplina të ndryshme sportive, vite të tëra u dallua edhe si lojtar e trajner i Klubit Futbollistik “Llapi” të Podujevës, të shumtën e kohës anëtar i Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës.
Fazliu  pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë, edhe pse në kushte të rënda ekonomike nga dëshira që të aftësohet profesionalisht regjistrohet në Fakultetin e  Edukatës Fizike në Universitetin e Sarajevës.
Në këtë Fakultet diku në vitet 1967  dhe 1977 studimet i patën përfunduar edhe bashkëvendësit e tij Faik Çitaku e Kamber Ejupi.
Si Çitaku  ashtu edhe Ejupi, janë emra të përveçëm të sportit  në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.
Kuadro të hershëm të kësaj fushe nga Llapi,janë  edhe Qerim Azizi, i diplomuar më 1968 në Fakultetin e Kulturës Fizike në Beograd dhe Rashit Sejdiu, të cilët  u shquan me punën e tyre profesionale në Lidhjen e Kulturës Fizike të Kosovës.
Kurse,Fazli Llugaliu njohës i të gjitha sporteve edhe pse në kushte tepër të rënda si pedagog i Edukatës  Fizike, deri në pensionin e merituar do të punojë në shkollat e qytezës së Podujevës.
Ai me punë sistematike dhe profesionale korr sukses pas suksesi me të rinjtë  e Llapit, në të gjitha disiplinat sportive si në nivel Krahine, Republike dhe Federate.

Në vitet 60-të, Fazli Llugaliu,në cilësinë  e mësimdhënësit të Edukatës  Fizike me diku 10 nxënës të shkollave të Mesme të Podujevës, do të marrë pjesë  në garat Federative të Jugosllavisë, të mbajtura në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këto gara ku merrnin pjesë  atletë nga 6 republika  dhe dy krahina të Federatës jugosllave, llapjanët plasohen në vendin e dytë.
Me sukseset e tyre të arritura dallohen Xhafer Salihu, Bahri Shabani, Bislim Berisha, Isak Bahtir Syla etj.
Xhafer Salihu ish- nxënës i Llugaliut në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës si atleti më i mirë më 1970, shpallet sportist i vitit në Kosovë.
Llugaliu krahas punës si pedagog  i Edukatës  Fizike  nga radhët e shqiptarëve është  nga të parët që veshi fanellën e Klubit Futbollistik Llapi, nga gjiri i  të cilit dolën legjendarët: Fadil Vokrri , Esat Mehmeti, Shukri Paçarada, Bedri Muçolli, Selatin Vokrri, Shukri Shabani,  Islam Ajeti, Sabri Miftari, Islam Visoka, Luan Salihu, Isak Ibrahimi, Rifat Hajdari, Avni Stublla, Rrustem Podvorica, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Fehmi Podvorica, Fidaim Konushevci etj.
Llugaliu në periudhën  kur luajti  në skuadrën  e Llapit, bashkëlojtarë i kishte vëllezërit  Hashim e Bislim Aliu, Rifat Rexhep Blaku, reprezentues i juniorëve të Kosovës, më vonë profesor i dalluar në Universitetin e Kosovës.
Këtij  brezi i takojnë edhe futbollistët  Ejup Bekteshi, Shaban Hajrullahu, Bedri Muçolli  dhe Selim Zeqir Blaku.
Meqë, Bedriu shkëlqente në atë periudhë  pas tij ishin vënë në garë Trepça e Mitrovicës dhe Prishtina, anëtare të Ligës së Dytë Federative  të futbollit në ish-Jugosllavi.
Muçolli si nxënës  i Normales  së Prishtinës, vendos që karrierën ta vazhdojë në ekipin  e kryeqendrës së Kosovës.
Llugaliu edhe pse do ta ndjejë  mjaft mungesën e tij  do t’i mbetet besnik Llapit, deri në periudhën kur lojtarët  juniorë talent  të rrallë të Llapit, Selatin Vokrri, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Ahmet Haxhiu etj, kalojnë në ekipin e parë.
Llugaliu në Llap, njihej  edhe si Garinça, ikonë e dikurshme  e futbollit brazilian dhe atij botëror.
Ai përveç që dispononte shpejtësi prej atleti  ishte edhe driblues i mrekullueshëm.
Pas përfundimit  të karrierës Llugaliu, punoi si trajner me të gjitha grupmoshat e skuadrës së Llapit.
Esat Mehmeti, portier me emër në ish – Jugosllavi, me emocione  të pa përshkruara pohon që më meritori në zbulimin e talentit të tij, ishte Llugaliu.
Fazli Llugaliu ishte babaxhan  dhe demokrat i vërtetë. Ai me nxënës kishte raporte të shkëlqyera. Asnjëherë  nuk i kushtëzonte ata  që në orën e Edukatës Fizike të kenë patjetër veshjet sportive, ngase e njihte gjendjen e tyre të rëndë ekonomike.
Me iniciativën e tij çdo vit organizohej maratona pranverore në vrapim që të shumtën e herëve mbahej në  fushat e fshatit Ballovc të Podujevës, të mbuluara me gjelbërim e ajër të pastër.
Fazliu që i dha shumë sportit llapjan vdiq dhe u varros në vendlindjen e tij në Surkish të Podujevës.
Modestët dhe të pa imponuarit çdoherë  varrosën pa zhurmë  e bujë, ashtu siç u varros Fazli Llugaliu, pedagog i shumë  brezave në shkollat e qytezës  së Podujevës.
Strukturat  e pushtetit lokal  dhe ato të nivelit  qendror duhet t’i vrasë ndërgjegjja.
Mosprania e tyre në ceremoninë  e varrimit të pedagogut dhe sportistit  të shquar Fazli Llugaliu është mosnjohje dhe mohim i punës së tij shumëvjeçare.
Rreshta të shkruar në rrjetet sociale nga ndeja dhe ahengje, që nuk kanë adresë janë kryerje formaliteti dhe lojë e paskrupullt.
ARIF  EJUPI

Katër porositë që la për ne Charlie Chaplin

Charlie Chaplin vdiq në moshën 88-vjeçare.

Ai i ka lënë trashëgimi njerëzimit një pasuri të patundëshme që është Arti i tij.

Ai punonte çdo ditë në vilën e tij në Vevey ku edhe mbylli sytë.

Po ju sjellim katër porosi të tij që ia vlen t’i marrin para sysh:

1. Asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë, madje as problemet tona.

2. Më pëlqen të ecë në shi, sepse askush nuk mund t’i shohë lotët e mi.

3. Dita më e humbur në jetë është dita kur nuk qeshim.

4. Gjashtë mjekët më të mirë në botë…

4.1. Rrezet e diellit,
4.2. Pushimi,
4.3. Ushtrimet,
4.4. dietë,
4.5. Vetëvlerësimi
4.6. Miqtë

Mbajini këto në të gjitha fazat e jetës tuaj dhe shijoni një jetë të shëndetshme…

Nëse shihni hënën, do të shihni bukurinë e Zotit.

Nëse shihni diellin do të shihni fuqinë e Zotit..

Nëse shiheni në pasqyrë, do të shihni krijimin më të mirë të Zotit.

Besoni atëherë.

Ne jemi të gjithë turistë, Zoti është agjenti ynë i udhëtimit që tashmë ka bërë itineraret, rezervimet dhe destinacionet tona…

Besojini atij dhe shijoni JETËN.

Jeta është vetëm një udhëtim!

Jetoni sot!!!!

(Huazuar nga rrjeti social)

VAJTOJ NËNËN ATJE LARG- Nga ZHULIANA JORGANXHI

Si sot ti e shtrenjta e Ndritura Mama, u ngjite ne qiell dhe une nuk pata mundesi te te jepja puthjen e fundit. Dhembjen dhe Vajin tim e shpreha keshtu ate dite prilli 1997:
Loti- gur u rrukullis…
Zemra humbi brenda tij,
nëpër mjegull u gremis.
.
Ç’paskam bërë në këtë botë,
Mos t’i derdh ATJE ca lotë?!
Nuk shkoj dot t’i qaj mbi kokë,
det e qiej s’i çaj , as tokë!
.
Më s’mendon AJO për mua,
jetimmbeturën, mërguar!
Dhe në shkofsha si dikur,
do të puthem me një gur!
.
Trieste 18 prill 1997

In memoriam Shirine Morina (27 Maj 1951- 14 Prill 2024)

U nda nga jeta një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare dhe la pas një trashëgimi të çmuar.

Aktorja e njohur Shirine Morina lindi më 27 maj të vitit 1951. Ajo e nisi karrierën e saj në teatër në moshën e re, duke filluar të luajë në shfaqje të ndryshme në skenat lokale. Në fillim të karrierës, ajo u përball me kundërshtimin e familjes për të ndjekur ëndrrën e saj për të qenë aktore, por guximi dhe vendosmëria i mundësuan asaj të ndiqte rrugën e saj në jetë.

Një nga veprat më të rëndësishme të Shirine Morina ishte në zhanrin e monodramës, ku aktori shfaqet vetëm në skenë. Në veprën “Mbretëresha Teutë”, shfaqja e saj e fortë dhe e ndjeshme i bëri të qartë talentin dhe aftësinë e saj aktoriale.

Jashtë teatrit, Morina u shqua edhe në ekranin televiziv, duke luajtur në serialet popullore si “Banda e Luta Fukaras”, “Cimerat”, “Kombinati e Pleqt”, dhe “Ça ka Shpija”, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut.

Edhe pse karriera e saj ishte e suksesshme, ajo nuk mbeti pa përballuar sfidat dhe paragjykimet në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale. Megjithatë, ajo vazhdoi të shkëlqejë dhe të kontribuojë në zhvillimin e artit teatral dhe televiziv në Kosovë.

Shirine Morina u nda nga jeta më 14 prill 2024, duke lënë pas një trashëgimi të madhe artistike dhe një ndikim të rëndësishëm në kulturën e vendit. Për tu mbajtur mend gjithmonë për kontributin e saj në botën e artit dhe për frymën dhe pasionin që sollte në secilën shfaqje para publikut.

Për figurën e shquar të skenës artistike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes faqes zyrtare të presidencës, Osmani shprehu ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor.

“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive”, ka thënë Osmani.

“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi mes tjerash presidentja e Kosovës.

 

Në kujtim të aktores së shquar po sjellim për lexuesin një intervistë të saj në formën e profilit

 

Aty ku duhesh të jesh vetvetja, ku emocioni, origjinaliteti nuk duhet të fshihen, por janë vlerë dhe i dallojnë të jashtëzakonshmit nga të tjerët.

Kjo përçohet më së miri nga artisti tek audienca përmes teatrit. Kur flet me një aktor, nuk ka mundësi mos të të lejë mbresa lidhja dhe dashuria që e kanë për dërrasat, ndriçuesit edhe kostumet, që shumë shpejt bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre.

E tillë është edhe aktorja e njohur kosovare Shirine Morina. Edhe pse tashmë në moshë të shtyre, shpirti i saj artistik vazhdon të jetë evident.

“Edhe si e vogël e kam dashtë teatrin kam filluar në moshën 14 vjeçare, atëherë e kemi bo një shfaqje me Agim Zatriqin, me Fatmir Bajramin, Lecin, Cimen patëm luajt në sallën e pionerve . Ka qenë veç për fëmije, aty e përgatitem shfaqjen shumë shpejt për një muaj na veç startuam në skenë, pastaj e vazhduam ne disa vende kështu. Si teatër amator ka qenë, edhe mua gjithë më ka tërheq kjo skena. U hap mandej këtu për teatër. Njëherë ka qenë studio më pas është bërë si akademi. Edhe unë konkurrova 160 kemi qenë atëherë unë u pranova, dhjetë persona u pranuan, e më pas vazhdova me studiu”, u shpreh ajo.

Familja e saj nuk ishte e pajtimit për studim në degën e aktrimit. Mirëpo, ajo e ndjeku ëndrrën e saj deri në fund, duke e demonstruar që në fillim një ndër vetitë më të nevojshme për një aktore – guximin për të qenë ndryshe.

“Edhe pse familja ka qenë kundër, atëherë kanë qenë botëkuptime të ndryshme, jo aktore me u bo, jo ,jo e unë thashë more po edhe vazhdova me studiu”.

E të jesh në qendër të vëmendjes, e përherë në sytë e publikut nuk është aspak e lehtë. Presioni rritet, e me të shtohen edhe fjalët, paragjykimet, komentet here pozitive por shumë shpesh negative. Këto ishin të pranishme te Shirine Morina dhe karriera e saj në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale. Madje ajo nuk ndjehet aspak keq në qoftëse dikush nuk e parapëlqen. I duket më se normale.

E vepra ku e gjeti më së miri i takon zhanrit më sfidues për cilindo aktor, monodramës – ku aktori gjatë tërë kohëzgjatjes së shfaqjes gjendet i vetëm në skenë. Monodrama që ia mundësoi ta pasqyrojë më së miri vetveten e saj ishte “Mbretëresha Teutë”, e shkruar nga Rexhep Qosja.

“Baba im ishte i sëmurë, i thashë babi im jam duke punuar për këtë monodrama, hë a të pranoj, bëja disa prova lexuese te shtëpia, tha po shumë çika jeme ime unë edhe nëse vdes ti gjithqysh me lujt këtë monodramë qenka shumë e mire”.

E nëse teatri është komunikim i lirë dhe shumë i vlefshëm për pasurimin e një shoqërie, pse atëherë artistat japin shumë e marrin pak, pse ndodh kjo? Ku është shkaku?

“Ashtu është teatri. Japim shumë prej vetes, dëgjo gjithkush ik prej punës aktori nuk ik, aktori bile bile kërkon rolin mat madh, rolin kryesor. Se rolin kryesor ti mundesh me nxjerr rolin ki kohe me të japësh të gjithë prej vetes e ashtu pak kemi qenë të paguar gjithmonë”.

Jashtë teatrit Shirinën shumëkush e mban mend në emsionin “Pa pengesa”. Ose në serialin Banda e Luta Fukaras të realizuar në vitet e 70. E në teatër ajo njihet nga Hotel Kashta, Makbethi, Gjenerali i ushtrisë së Vdekur etj. Ajo luajti edhe në filmin Era dhe Lisi të Besim Sahatciut. Por ekranit televiziv nuk i mungoi as në serialet vendore si: Cimerat, Kombinati e Pleqt, si dhe së fundmi në Ça ka Shpija.

ALI OSEKU – E di si vizatoj unë? – më pyeti… Nga Visar Zhiti

Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…
Një nga piktorët më të fuqishëm
në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.
Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…
Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnim mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…
Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…
PIKTOR DHE NË FERR:
– Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.
– Jo, – i thashë.
– E di si vizatoj unë?- më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! Një si sfilatë mallëngjyese, panair… Ra çanga për punë dhe Ali Oseku e la gazetën poshtë jastëkut në shtratin e tij. Mbas 3 minutash e thirri operativi. Ç’të duhet ty që vizaton femra në burg? – i tha. Je dënuar pak, ç’të duhet që rri me armiq të përbetuar? Lëri vizatimet dhe shiko të riedukohesh, more vesh? Ma tregoi vetë, po më thoshte Astriti, por ai ishte piktor i përbetuar…
U shqetësuam. Të kemi kujdes nga kushdo, pranë e jo pranë, thamë. Në burg përvoja të hyn në punë, por dhe nuk të hyn, thoshte shkrimtari mustaqelli. Digjesh. Por vepro me intuitën e çastit dhe… si të jetë shkruar.
. . .
E di si vizatoj unë? Më ka mbetur në mendje kjo pyetje, që provokon veten dhe sa herë e shihja në Tiranë, më kujtohej. Pyetje-shkak për të vizatuar dhe atje ku ishte tmerrësisht e pamundur, nuk lejohej me rregulloren e mizorëve, kur sundonte Realizmi Socialist
Piktori Ali Oseku u përgjigj po vetë: Me guxim dhe me ndershmëri, duke qenë vetvetja, me art.
Kështu ai vizatoi dhe jetën e tij…

 

Arti pamor në zi: Ndahet nga jeta piktori i mirënjohur Ali Oseku

TIRANË- Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, piktori i mirënjohur, Ali Oseku pas një beteje të gjatë me një sëmundje të pashërueshme.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë me dije nga galeria FAB, duke shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e tij. Oseku ishte një ndër një ndër artistët më emblematik të artit shqiptar në pesëdhjetë vitet e fundit.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai menjëherë u kthye në një figurë tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.

Ali Oseku lindi në Tiranë në vitin 1944, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB. Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979.

Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit.

Pas viteve ’90, u bë një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.

Maestro Gazmend Mullahi: Pjetër Gaci, melodisti më i madh shqiptar

 

Me rastin e 27 marsit ditë lindjes dhe ditë vdekjes së kompozitorit të famshëm Pjetër Gaci (27.03.1931-27.03.1995) kanë reaguar dy kompozitoret e shquar shqiptarë Gazmend Mullahi dhe , Maestro Çoba përmes një shkrimi, ndërsa Maestro Mullahi duke komentuar. Shkrimin e Maestro Çobës e kemi botuar, po sjellim këtu komentin e Maestro Mullahit.

———–

Pjetër Gaci është Melodisti me i madh shqiptar. Njeri po aq i madh me virtytet dhe sjelljet e nje misionari kulturor e fisnik i rrangut te larte njerezor,

Vdiq si nje i “shenjte” ne toke ne modestine dhe thjeshtesine e tij qe shenjteron koha !

Shkrim i ndjere Zef 1) Monumental dhe plot ndjeshmeri e “muzikalitet” si krijimtaria e Pjetrit te paharruar.

Fat qe e kam njohur pothuajse ne gjithe periudhen e tij. I lumturuar tek e shihja personalitet i padiskutueshem dhe i shquar mes kolegesh nepermjet krijimtarise brilante sa profesionale aq edhe masovike .

Nuk mori dhe nuk i dhane aq sa dha dhe meritonte … sepse nuk i shpetoi dot ambjentit “koroziv” dhe si shume artiste te tjere qe benin pjese ne vorbullen mbytese te xhelozise dhe indiferences pushtetare.

U largua shpejt nga jeta , ne kulmin e aftesive krijuese , shkak edhe si rezultat i ketij mjedisi ku si prehje e ngushellim vitet e fundit te jetes gjente prane filxhanit te kafese apo te nje gote me shume ne klubin qe kishte prane .

I paharruar ky Mjeshter monumental i artit muzikor gur themeltar i kultures shqiptare.

Pjetër Gaci, artisti i sinqertë që shkroi vetëm muzikë- Nga ZEF ÇOBA

In memoriam: Universi është hologramë, gravitacioni informacion dhe energjia e errët forcë entropike Akad. Artan Boriçi, CERN, Zvicër

 

Sot, në trevjetorin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në nderim të kujtimit dhe të veprës shkencore që la, botojmë këtë artikull të tij – nga më të fundmit – duke falënderuar familjen për dhënien e tij për botim

– Teza “Verlinde”* është një nga risitë shkencore dhe zhvillim shumë i rëndësishëm në fizikën teorike bashkëkohëse dhe të ardhmerisë së saj. Pas përpjekjeve të shumta që shkencëtarët bënë gjatë shekullit XX për të bashkuar gravitetin me mekanikën kuantike, në vitin e fundit të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI vjen teza e teoricienit Erik Verlinde sipas të cilës graviteti nuk është forcë themelore, por rrjedhojë e kontabilizimit të informacionit në ekrane holografike.

Ky përfundim, i parashtruar në një artikull me formula të thjeshta që të kujtojnë artikujt e Ajnshtajnit të vitit 1905 mbi teorinë e relativitetit, si për nga thjeshtësia, ashtu edhe për idetë përmbysëse, është objekt bërë diskutimi i qarqeve shkencore në Europë, përtej oqeanit dhe më gjerë**. Dr. Erik Verlinde e paraqiti tezën e tij edhe së fundi në konferencën e kordave “Geneziss” e organizuar në Shkollën Federale Politeknike të Lozanës (Zvicër), më 26 nëntor 2010. Konferenca u la hapësirë të pakufizuar pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve, të cilët debatuan gjatë me dr. Verlinden.

I. Parimi holografik nuk është i ri (t Hooft 1993) dhe as entropia e vrimave të zeza (Hoking 1971). Por ajo që Verlinde vëren është se duke përdorur parimin holografik (shih shtojcën A: Vrimat e zeza dhe parimi holografik) mund të derivohet forca gravitacionale. Verlinde pohon se risia e teorisë së tij është origjina entropike e gravitetit. Në këtë mënyrë ai shpjegon origjinën e parimit të njëvlefshmërisë së gravitetit me inercinë: dukuri të njëjta që rrjedhin prej së njëjtës forcë entropike, duke këmbëngulur “Për mua graviteti nuk ekziston si forcë themelore”***. Për më tepër, edhe forcat e tjera nuk janë themelore, por të derivueshme prej kryqëzimit të gjendjeve kuantike të makrobotës.

Në rast se kjo teori është e verifikueshme, atëherë, së pari, duhen vrojtuar efektet entropike të daljes prej barazpeshës termike në pjesë të ndryshme të Universit dhe së dyti, teoria duhet të ketë fuqi parashikuese. Në fakt, autorë të tjerë, përpara disa kohësh, parimin holografik e kanë përdorur për të shpjeguar origjinën e energjisë së errët. Me llogaritje elementare mund të nxirret se konstanta kozomlogjike ka vlerën e parashikuar prej vlerësimeve të mbështetura në sfondin kozmik të mikrovalëve. Në këtë mënyrë zgjidhet dilema e energjisë së errët: Universi zgjerohet në mënyrë osmotike duke shtyrë horizontin e vet, përtej të cilit hapësira nuk është formuar ende. Energjia e errët rezulton të jetë një “super vrimë e zezë” e cila “tërheq” dhe zgjeron Universin për një arsye të thejshtë: zmadhimin e entropisë së vet.

Edhe sikur teoria e Verlindes të jetë e vërtetë, ajo mbetet, ashtu si edhe është, një teori makroskopike. Me gjithë dekurajimin e madh që u bëhet teorive mikroskopike të gravitetit, do jetë shumë e vështirë të ndalohen përpjekjet për t’u thelluar në teorinë e kordave që gravitetin e përmban si forcë themelore të unifikuar me forcat e tjera (shih shtojcën B: Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave).

Një ndër eksperimentet më të mëdha të të gjitha kohrave, Goditësi i Madh i Hadroneve (Large Hadron Collider), pritet të ngacmojë shkallë energjitike të panjohura më parë. Një gjë është shumë e qartë: nëse LHC arrin të prodhojë vrima të zeza, atëhere do jetë shumë e vështirë të hedhësh poshtë teorinë e kordave. Në të kundërt, graviteti do vazhdojë të mbetet jashtë teorive mikroskopike dhe origjina e masës së leptoneve (elektronet, myonet, tauonet) do të mbetet një mister i përjetshëm.

II. Shtojca A : Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave

Ngritja e parimit holografik në piedestalin e parimeve themelore nuk do të ishte e mundur pa rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur teoria e kordave. Kjo teori bashkon të gjitha forcat, ato gravitacionale, elektromagnetike, bërthamore dhe ato të rrezatimeve radioaktive. Por e le enigmatike origjinën e kordave si shkallë lirie. Ajo e sheh gravitonin si një korde të mbyllur, që leviz edhe përtej hapësirës së dukshme me tri permasa; ndërsa grimcat e tjera elementare janë produktet e lëkundjes se kordave të hapura.

Një nga rezultatet më spektakolare të teorisë së kordave janë ekranet holografike mbi të cilat mbështeten kordat e hapura. Sidoqoftë, kjo teori, e quajtuar edhe teoria e shekullit XXI, që ka qenë në gjendje të shpjegojë më së miri edhe vrimat e zeza, mund të bëhet e panevojshme në prani të forcës entropike.

Deri me sot vetëm teoria kuantike e fushës ka mundur të bashkojë të gjitha forcat perveç gravitetit. Ajo është një godinë tepër e ndërlikuar brenda së cilës bashkëjetojnë teoria speciale e relativitetit dhe teoria kuantike. Ajnshtajni ka refuzuar gjithnjë teorinë kuantike dhe besonte në gjeometrizimin e fizikës. Si për ironi të fatit, teoria e gravitetit e Ajnshajnit ka qenë e pamundur të kuantizohet për shkak të jolinearitetit thelbësor të saj.

III. Shtojca B: Vrimat e zeza dhe parimi holografik

Fakti se vrima e zezë përpin rrezatimet dhe trupat që i afrohen asaj çon në uljen e entropisë së Universit dhe si rrjedhim bie në kundërshtim me parimin e dytë të termodinamikës. Bekenshtajn arriti të shpjegojë më 1973 këtë paradoks duke përfunduar se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj .

Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin.

Kur një trup gjendet shumë pranë vrimës së zezë në distanca një gjatësi vale të Komptonit, λ=ħ/mc, (ku ħ=h/2π është konstanta e reduktuar e Plankut, m masa që i shtohet vrimës së zezë dhe c shpejtësia e dritës), atëhere ai mund të quhet pjesë e vrimës së zezë. Ky supozim zgjidh paradoksin ngaqë në këtë rast kemi rritje të entropisë së vrimës së zezë sipas formulës:

ΔS = k Δx/λ,

ku k është konstanta e Bolcmanit. Prej termodinamikës dihet se forca entropike, si p.sh. ajo e osmozës etj., jepet me anë të barzimit:

F = TΔS/Δx

Mirëpo sipas Njutonit forca e rëndesës është F=GmM/R2, ku G konstanta gravitacionale e Njutonit, M masa e vrimës së zezë, R rrezja e vrimës së zezë. Duke shfrytëzuar barazimet e mësipërme (detyrë për të gjithë lexuesit që kanë mbaruar shkollën 9-veçare!) del se GM/R2 = kT c/ħ:

Nga termodinamika dimë se energjia e vrimës së zezë për shkallë lirie është:

E/N = kT/2,

ku N është numri i shkallëve të lirisë ose njësive të informacionit që nevojiten për të përshkruar vrimën e zezë;

Nga relativiteti dihet se E=Mc2. Duke zëvendësuar marrim përfundimisht:

4πR2/N = Gh/c3.

Meqë ana e djathtë përbëhet prej madhësish konstante, del se numri i njësive të informacionit për të përshkruar vrimën e zezë është në përpjestim të drejtë me sipërfaqen e vrimës së zezë. Kjo do të thotë se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj. Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin. Ky është përfundimi i njohur i Bekenshtajnit.
_____________________________
* Dr. Erik Petër Verlinde është një nga shkencëtarët, teoricien që i është përkushtuar teorisë së kordave. Ka lindur më 21 janar 1962 në Woudenberg. Prej shumë vitesh punon në Institutin e Fizikës Teorike të Universitetit Amsterdam të Hollandës.
** Verlinde për here të parë e parashtroi tezën tij më 8 dhjetor 2009 në një konferencë shkencore, organizuar nga Instituti holandez Spinoza; më 6 janar 2010 detë e kësaj teze i pasqyroi në media nën titullin “Në origjina të gavitetit dhe ligjet e Njutonit”dhe më pas në një intervistë, dhënë gazetës “De Volskrant”. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, kur i ishte përkushtuar takimeve të organizuara me fizikanë e teoricienë të kësaj fushe, gazeta “New York Times” e 12 korrikut 2010 në rubriken “Lajme shkencore” tërhiqte vëmendjen e qarqeve shkencore me një shkrim me idenë: Dr. Enrik Verlinde thotë: “Për mua graviteti nuk ekziston”, çka u parapriu 261 komenteve.
*** Gazeta “New York Times”, 12 korrik 2010.
Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta- Nga Denata Rroji

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta.
I jemi mirënjohës me brezni për gjithë kontributin e tij intelektual përmes botimeve “Shkodra në mote”. Ndërsa vyrtytet e rralla si njeri do ia shprehni ju përmes ngushëllimeve tê thella dhe të ndjera.
Biografi e shkurtër
Nexhmi Bushati, ndër të rrallat histori artistësh, shkenctarësh, në rastin tonë studiuesish, që trashegon “rrjedhën” e të parëve në të punuarit me ndershmëri dhe vërtetësi si dhe në të synuarin shterrues e të thuktë të nji hulumtimi.
Ashtu si baba i tij Hamdi Bushati, studiues, historian, përkthyes dhe i nderuar me titullin “Mësues i popullit”, ashtu dhe Nexhmiu ishte nji bibliograf, studiues, përkthyes dhe i nderuar po si i jati, Hamdiu, me titullin “Mësues i Popullit”.
“Shkodra në Mote” asht referenca e parë ku historianët mund të hulumtojnë për qytetin e Shkodrës për periudhën gjatë shekullit XVII-XVII e më gjanë.
Përveç si vazhdues i veprimatarisë së të jatit, punoi gjatë dhe me përkushtim për sjelljen në kohë të “Ditarit” të nji prej penave ma të talentueme të modernitetit shqiptar, shkrimtarin Qemal Draçini.
Ndërsa në planin njerëzor, Bushati ishte i njohun prej të shumtëve që kanë pasë fatin të jenë nxanës tij, ose gjatë takimeve për të marrë libra nga biblioteka personale e admirueshme duke marrë me vete dije, qytetari, kulturë, mbresa e kujtime të pashlyeshme.
Denata Rroji

Gazmend Mullahi: Te gjithe pa perjashtim do i mbeten borxhlij per jete Gjergj Suliotit, “Mjeshtër i Madh” e “Nderi i Kombit”

Kompozitori i mirënjohur Gazmend Mullahi me rastin e ndarjes nga jeta të këngëtarit lirik e tenorit Gjergj Sulioti shkruan në rrjetin social:

“Artist dhe njeri i mrekullueshem.

Gjithshka e arritur me zotesi, talent, perpjekje e vullnet ne terrenin e veshtire sic eshte arti me njerez artiste te vertete.

“Ka dhënë me shume se sa i jane dhënë” por e kane kompesuar fisnikerisht nga admirimi dhe mirnjohja e publikut .

Te gjithe pa perjashtim kush me shume e kush me pak i jane dhe do i mbeten borxhlij perjete !

Gjergj Sulioti – “Mjeshter i Madh” e “Nder i Kombit” !

I paharruar !”

Zhuliana Jorganxhi për Jorgo Papingjin: Ti je i ndrituri Jorgo Papingji për mua!

 

Poetesha Zhuliana Jorganxhi shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të autorit të mijra teksteve të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare si më poshtë:

“Nuk desha te vinte kjo dite keshtu! Te shkruaja keto fjale , qe pikojne lot dhimbje per nje mik te shtrenjte, siç ishe ti i shtrenjti, I Ndrituri Jorgo Papingji per mua! Na njohu kenga ne vitin 1980! Kur ti erdhe ne Festivalin e kenges ne RTVSH me tekstin “Kur jemi bashke te dy” me muzike te mikut tone te perbashket, Te Ndriturit Aleksander Lalo dhe qe ne fillim te njohjes sone u ndje qe kjo do te kthehej shpejt ne nje miqesi te sinqerte dhe miqesi poetesh! Ti ishe shpirtmadh, ishe njeri i ditur, pasaionant, poet i lindur per kengen, se tekstin e kenges nuk mund ta beje çdo poet, se ka rregullat e veta, te cilat ti i dije dhe i ndjeje qe ne degjimin e pare te kenges! Biseda jone e fundit dhe urimi im per ty, ka qene per 80 vjetorin tend! Dikur shkrova per ty nje poezi, me te cilen dua te te percjell ne Driten e Zotit ne Parajse!

SHKËNDIJA ZEMRE

Poetit të këngës, mikut tim të shtrenjte e të kahershëm Jorgo Papingji
Mirëmëngjes Jorgo, mirëmëngjes!
Hapur portat t’i mban kënga…
Në çdo tingull fjalën ndez
me shkëndijat dalë nga zemra.

Mirëdita Jorgo, mirëdita!
Fjaln’ e mirë gjithmonë ma the.
Mbete ti dhe larg kur ika,
mik i vjetër, zemër e re!
2005


Send this to a friend