VOAL

VOAL

PROMOVIMI I DY LIBRAVE – Nga Rasim Bebo

March 19, 2016

Komentet

Protestë masive në New York, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Protestat e shqiptarëve prej ditësh kanë kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë, duke u shtrirë në shumë vende të botës ku jeton diaspora shqiptare. Revolta e nisur në Tiranë ka gjetur jehonë edhe jashtë vendit, me tubime dhe protesta të organizuara nga shqiptarët në qytete të ndryshme.

Një protestë e madhe është zhvilluar së fundmi në New York, ku qindra shqiptarë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime lidhur me situatën politike dhe sociale në Shqipëri. Në fjalimet e mbajtura u përmend edhe oligarku i Ramës, Gjergj Luca, pas publikimit të një videoje ku ai shihet se përdor të miturit duke i shfrytëzuar ata për punë të rënda.

Sipas prtoestuesve, qytetarët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve që ndikojnë në të ardhmen e vendit. Ata u bënë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të vazhdojnë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë largimin e Ramës e qeverisë.

 

Nga Protesta në Troy, Michigan, SHBA: RAMA JEPE DOREHEQJEN Nga Valentin Lumaj

Sot në Troy, Michigan më 15 Qershor 2026,  rreth 150 shqiptarë u mblodhën në një protestë qytetare në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj dhe studentë shqiptaro-amerikanë, të cilët jo vetëm morën pjesë, por organizuan, drejtuan dhe menaxhuan të gjithë programin.

Protesta nisi me këndimin e Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar, duke reflektuar lidhjen e fortë që komuniteti shqiptaro-amerikan ka me të dy vendet. Gjatë aktivitetit, shumë studentë dhe pjesëmarrës morën fjalën lirisht, duke ndarë shqetësimet, zhgënjimin dhe revoltën e tyre ndaj korrupsionit, mungesës së transparencës dhe gjendjes politike e ekonomike në Shqipëri. Zëri i tyre ishte i sinqertë, i guximshëm dhe plot shpresë për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për brezin e ri.

Kjo protestë nuk u thirr nga asnjë parti politike. Ajo lindi nga zëri i komunitetit dhe nga zëri i rinisë shqiptare. Ishte një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën në Shqipëri se shqiptarët kërkojnë ndryshim dhe se qytetarët nuk janë të kënaqur as me qeverisjen aktuale dhe as me opozitën aktuale.

Energjia që solli rinia ishte e jashtëzakonshme. Ata sollën idetë e tyre, vizionin e tyre dhe besimin se Shqipëria mund të bëhet më e mirë. Kur të rinjtë ngrihen dhe kërkojnë të ardhmen e tyre, është një thirrje që askush nuk duhet ta injorojë.

Pothuajse çdo pjesëmarrës mbante flamurin kuqezi ose ishte veshur me ngjyrat kombëtare. Sheshi ishte i mbushur me pankarta dhe mesazhe të ndryshme, ku protestuesit shprehën shqetësimet e tyre për realitetin në Shqipëri. Mesazhet kërkonin transparencë, luftë kundër korrupsionit, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe ndalimin e shitjes së tokave shqiptare.

Megjithatë, thelbi i protestës shkonte përtej çështjes së tokave apo mbrojtjes së bregdetit shqiptar. Mesazhi kryesor ishte politik dhe i drejtpërdrejtë: kërkesa për ndryshim në drejtimin e vendit. Gjatë protestës u dëgjuan vazhdimisht thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, “RAMA JEPE DOREHEQJEN”, ndërsa protestuesit kërkuan përgjegjësi, transparencë dhe lidership që i shërben interesit publik. U kërkua gjithashtu më shumë përgjegjësi nga e gjithë klasa politike, si nga socialistët ashtu edhe nga demokratët.

Protestuesit theksuan se protesta nuk ishte kundër Amerikës, investimeve amerikane apo zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Përkundrazi, ajo ishte qartësisht pro-amerikane dhe në mbështetje të investimeve të ndershme që krijojnë vende pune dhe zhvillim për vendin. Shqetësimi kryesor i protestuesve lidhej me mungesën e transparencës, dyshimet për korrupsion dhe mënyrën se si po miratohen dhe menaxhohen disa projekte të mëdha. Mesazhi i tyre ishte se Shqipëria ka nevojë për investime, por investime me transparencë, llogaridhënie dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Të rinjtë duan demokraci, të drejta njerëzore, mundësi të barabarta dhe një vend ku mund të ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet. Ata duan një Shqipëri ku të mos detyrohen të largohen për të realizuar ëndrrat e tyre.

Një falënderim i veçantë për Valon Vuçitërna dhe të gjithë ekipin e tij studentor për përkushtimin dhe punën e palodhur që e bëri këtë protestë realitet.

Rinia është shpresa e kombit. Dhe sot, zëri i saj u dëgjua qartë.

🇦🇱 Shqipëria kërkon ndryshim!�🇦🇱 Shqipëria nuk është në shitje!�🇦🇱 Shqipëria është e shqiptarëve!�🇦🇱 E ardhmja i përket rinisë

Sami Milloshi: Në protestën në Boston: POSHTË NARKODIKTATORI !

SOT MË 14 QERSHOR NË PROTESTËN KUNDËR
NARKO DIKTATORIT NË BOSTON
Për mendimin tim protesta e sotme ishte e shkëlqyer.
.
Dhe ndoshta, me aq sa kam ndjekur edhe të tjerat në botën e emigrantëve shqiptarë kjo ishte më e bukura.
.
Edhe mesazhet që përcolli ishin për dorëheqjen e narkodiktatorit Rama. Rini e bukur plot shpresë për të ardhmen.

Regjisori i njohur Bujar Alimani nga protesta në New York: Mos kini frike se do humbni nje kocke qe u hedh pushteti! Turpi i historise do jete dhjetefish me i madh e me i rende ! Ndaj flisni ! Flisni !

14 Qershori ishte dite e diele. Ne shume raste protestash ne ftesat qe kam marre shumica e tyre ka qene per dite te shtune , dite te cilat une kam qene ne pune e nuk mund te merrja dot pjese ne to pavaresisht deshires.

Sot kam qene shume i lumtur qe bashke me Teften dhe Erjeten ( Erjeta Cufaj) shkuam ne mes te protestes dhe aty pame ne distance te shkurter edhe Vilmen ( Vilma Hodo) qe me nje pankarte te madhe protestonte afer tribunes.

Gjithnje kam menduar se artistet do duhet qe t’u rrahe zemra njeheresh me tempin e popullit te tyre, me rezistencen karshi padrejtesive, vjedhjeve, korrupsionit, mashtrimeve, abuzimeve… Artistet duhet te flasin ! Duhet te ngrejne zerin ! Artistet e vertete jane perhere ne front dhe ne opozite kunder qeverisjeve cilado qofshin ato sepse ne te shumten e hereve ato jane kunder zhvillimit te vendit , manipulatore dhe bashkepuntore me oligarkine ne kurriz te njerezve dhe ne rastet tragjike ne shitje te interesave kombetare.

Mos kini frike se do humbni nje kocke qe u hedh pushteti! Turpi i historise do jete dhjetefish me i madh e me i rende ! Ndaj flisni ! Flisni !

Prej disa ditësh jam shënjestruar në hapësirën digjitale për publikimin tim më të fundit ndaj Gent Bejkos Nga Florida Doci

Prej disa ditësh jam shënjestruar në hapësirën digjitale për publikimin tim më të fundit ndaj Gent Bejkos. Personalisht, nuk mendoj se individi meriton më shumë vëmendje, por fenomeni që ai përfaqëson është po i njëjti fenomen shqetësues që e ka lënë Shqipërinë në vend numëro prej dekadash, andaj ia vlen një përpjekje për ta analizuar.

Postimi im nuk ishte çështje opinioni. Faktet janë publike: fjalët e përdorura ndaj nismëtarëve të peticionit, pjesëmarrja në event me një figurë problematike dhe komunikimi publik rreth tij. Qëllimi i postimit tim nuk ishte fotografia në vetvete, por një çështje më e gjerë: marrëdhënia e figurave publike me pushtetin dhe përgjegjësia që vjen me ndikimin publik. Sepse në fund të ditës është zgjedhje se çfarë poston, komenton, pëlqen apo shpërndan online. Është zgjedhje se si e përdor platformën që të është besuar nga publiku. Këto nuk janë rastësi, por vendime të vetëdijshme.

Përgjigjja ndaj këtyre fakteve nuk ishte reflektimi, por sulmi personal, i cili ka eskaluar

në sulme te koordinuara nga “luftëtarët e tastierave”, që nxitojnë të përndjekin pa gjykuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse debati nuk është më për një individ, por për kulturën tonë të refuzimit të përgjegjësisë.

Thonë se gjuha është pasqyra e kulturës. Kjo bëhet edhe më e dukshme përmes fjalëve unike që gjenden në gjuhë të ndryshme dhe që përshkruajnë emocione, fenomene apo vlera të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të tjera.

Accountability është një nga ato fjalë dhe vlera që duket se mungon si në fjalor, ashtu edhe në qasjen historike të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të figurave publike në veçanti. Përkufizimi i saj është i thjeshtë: detyrimi për të shpjeguar, justifikuar dhe mbajtur përgjegjësi për veprimet, vendimet dhe pasojat e tyre. Në praktikë, kjo do të thotë të pranosh gabimet si hapin e parë drejt ndryshimit.

Accountability nuk ka për qëllim ndëshkimin, por zhvillimin. Askush nuk është i pagabueshëm. Dallimi qëndron tek aftësia për të pranuar gabimet, për të mësuar prej tyre dhe për të ndryshuar, me ndershmëri, transparencë, dhe guxim.

Kalimi nga “më ftuan” te “pranova ftesën”, apo nga “më nxorën fotot” te “dola në foto”, mund të duket i vogël. Në të vërtetë, ai përfaqëson dallimin thelbësor mes shmangies së përgjegjësisë dhe pranimit të saj.

Kjo vlen edhe për popujt, shoqëritë dhe qeveritë. Për sa kohë kritikën e shohim si akuzë dhe përgjegjësinë si ndëshkim, rrezikojmë të humbasim rolin tonë aktiv në formësimin e fatit tonë. Nuk mund të krijojmë një version më të mirë të vetes, vendit dhe shoqërisë, nëse refuzojmë të marrim përgjegjësi aktive për zgjedhjet e shkuara apo të tashme. Sepse një njeri apo një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e vet me ndershmëri rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime.

Postimet e ditëve të fundit nxjerrin në pah se shumë figura publike nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre. Njëherazi, është përgjegjësia jonë qytetare t’i vëmë personat publikë përballë përgjegjësisë për mënyrën se si e përdorin fuqinë që buron nga vetë publiku.

Persekutuesit e sistemit komunist kurrë nuk u vendosën përballë përgjegjësisë, qoftë kjo ligjore apo publike. Rezultati i asaj qasjeje është sistemi politik aktual, ku të njëjtat figura kanë akumuluar pasuri dhe pushtet në kurriz të po të njëjtëve njerëz, por me një tjetër teknikë. Mungesa e llogaridhënies nuk është thjesht problem individual, por edhe një problem kulturor dhe institucional, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot. Në fund të fundit, thelbi i protestës së javëve të fundit është pikërisht vënia përpara përgjegjësisë e një sistemi që për dekada ka abuzuar me pushtetin që buron nga populli 🦩

Ka ardhur koha që brezi ynë të jetë ndryshe dhe të krijojë një standard të ri përgjegjësie për figurat publike, qofshin ata politikanë, artistë, influencer etj. Një standard që nuk shpërblen oportunizmin, vetëpromovimin dhe shmangien e llogaridhënies, por ndershmërinë për të pranuar gabimet dhe guximin për të mbajtur përgjegjësi për to. Vetëm atëherë mund të pretendojmë se po ndërtojmë një kulturë demokratike më të shëndetshme se ajo që trashëguam.

Kjo është forca e diasporës Nga Florida Doci

 

Prej thuajse një dekade, një pjesë e madhe e organizatave të diasporës është vënë në shërbim të pushtetit në Shqipëri.

Për disa pjesëmarrës, këto organizata shihen si trampolinë për një post drejtues në atdhe; për të tjerë, si mundësi për të siguruar fonde apo marrëveshje nga ambasada.

Ka edhe nga ata që janë kthyer në gaztorë të oborrit diplomatik, të gatshëm të sakrifikojnë dinjitetin e tyre për një foto a një mikrofon në një aktivitet zyrtar.

Andaj nuk është aspak çudi që përballë protestave të ditëve të fundit organizatat “zyrtare” të diasporës në Kanada, në rastin më të mirë, zgjodhën heshtjen, ndërsa në rastin më të keq u përpoqën në mënyrë qesharake të “distancohen” nga protestat “politike”.

Tashmë është e qartë se KKD-ja dhe organizatat që vazhdimisht vetpromovohen nëpër Samite nuk përfaqësojnë larminë, vlerat dhe zërin e vërtetë të diasporës.

Megjithatë, diaspora ka të rinj energjikë, plot shpresë, idealistë e madje naivë në kuptimin më të bukur dhe frymëzues të fjalës, të cilët nuk zgjedhin heshtjen përballë padrejtësisë.

Protesta në Toronto, që mblodhi qindra anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez, u organizua tërësisht vullnetarisht nga një grup të rinjsh.

Prej ditësh pata mundësinë të ndiqja prapaskenat e koordinimit të këtij aktiviteti, dhe zemra më është mbushur plot!

Plot për qytetarinë që treguan, përkushtimin e palëkundur, frymën gjithëpërfshirëse, kreativitetin, këmbënguljen, vendosmërinë dhe bujarinë për të mbështetur me forma nga më të ndryshmet një kauzë të drejtë e të rëndësishme.

Këta të rinj më kujtuan se shpresa nuk jeton te strukturat formale, por te njerëzit që veprojnë me ndërgjegje, kurajo dhe idealizëm.

Kjo është forca e diasporës

Diaspora shqiptare proteston edhe në SHBA, mblidhen para ambasadës në Uashington dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe Ramës

Valës së protestave të Diasporës i janë bashkuar edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA.

protestat shba

Shumë prej tyre janë mbledhur sot (6 qershor) para godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës.

Me thirrje të forta kundër qeverisë, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan, me pankarta dhe thirrje kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.

Përveç kërkesës për largim, protestuesit kanë artikuluar përpara selisë diplomatike edhe thirrje për arrestimin e kreut të qeverisë, duke e bërë përgjegjës për situatën në vend.

uashington

Ky tubim në Uashington DC vjen si pjesë e një koordinimi të gjerë të diasporës në rang global, pasi protesta të ngjashme janë regjistruar më herët në qytete si Vjena, Berlini, Milano dhe Stokholmi, ndërkohë që brenda Shqipërisë revolta qytetare në rrugët e Tiranës vijon prej një jave. gsh

Prej pesë ditësh mijëra qytetarë në Bulevard, të rinjtë shqiptarë në New York dhe New Jersey i bashkohen protestës: Shqipëria nuk është në shitje

Ndërsa protesta kundër projektit në Zvërnec dhe largimin e qeverisë Rama vijon prej pesë ditësh radhazi në Tiranë, jehona e saj ka kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë. Të rinj shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në New York dhe New Jersey, kanë vendosur t’i bashkohen thirrjeve të protestuesve në vend, duke organizuar një tubim para Konsullatës Shqiptare në New York.


Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për kauzën e mbrojtjes së Zvërnecit dhe kundërshtimin ndaj projektit që ka nxitur debat të gjerë publik. Në pankartat e mbajtura nga protestuesit binte në sy mesazhi: “Shqipëria nuk është në shitje”, slogan që është kthyer në simbol të protestave të ditëve të fundit.

Tubimi i zhvilluar para Konsullatës Shqiptare në New York vjen në një kohë kur në Shqipëri qytetarë të shumtë po mblidhen çdo mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec, më shumë transparencë dhe mbrojtjen e zonave natyrore të vendit. Po ashtu ata kane bere thirrje per revolucion dhe largimin qe qeverise aktuale.

Organizatorët e protestave në diasporë kanë bërë të ditur se lëvizja nuk do të ndalet vetëm në New York. Sipas kalendarit të publikuar në rrjetet sociale, tubime të ngjashme janë planifikuar edhe në qytete të tjera të Evropës dhe Amerikës së Veriut, përfshirë Londrën, Berlinin, Mynihun, Stokholmin, Toronton, Brukselin dhe Bolonjën.

Në New York, protesta u zhvillua pranë Konsullatës Shqiptare, ku pjesëmarrësit deklaruan se po ngrejnë zërin për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kundër çdo vendimmarrjeje që, sipas tyre, cenon interesin publik. Ata theksuan se, edhe pse jetojnë larg Shqipërisë, mbeten të lidhur me zhvillimet në vend dhe ndihen pjesë e kësaj kauze qytetare.

Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë tërhequr vëmendje të madhe në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ndërsa organizatorët vijojnë të bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë. Mesazhi kryesor që po përcillet nga protestuesit mbetet i njëjtë: “Shqipëria nuk është në shitje”.

Protesta Ney Jork

Komunikate Zyrtare e te Rinjve Shqiptare ne New York dhe New Jersey;

Komunikata i drejtohet atyre qe jane te interesuar

Mesazhi kryesor i Protestes Paqesore perpara Konsullates Shqiptare ne New York eshte:
“Shqiperia nuk eshte ne shitje.”

Pavaresisht se jemi shqiptare te diaspores, nuk kemi qendruar indiferente ndaj veshtiresive qe kjo qeveri, pas dekadash, i ka shkaktuar vendit tone. Sot ngrihemi per te mbrojtur mjedisin tone, duke perfshire Zvernecin, Narten, Rrjollin dhe cdo cep te trojeve tona.

Ngrihemi per t’u bere krah vellezerve dhe motrave tona ne Shqiperi dhe per t’u thene se nuk jane vetem. Ngrihemi gjithashtu per te terhequr vemendjen nderkombetare ndaj ceshtjeve qe prekin mjedisin, trashegimine natyrore dhe te ardhmen e vendit tone.

Qellimet kryesore te protestes jane:

* Per mbrojtjen e ekosistemit Zvernec–Narte, nje nga zonat natyrore me te rendesishme ne Shqiperi.
* Per mbrojtjen e habitateve te shpendeve, biodiversitetit dhe ekuilibrit natyror te zones.
* Kunder nderhyrjeve qe rrezikojne te demtojne ne menyre te pakthyeshme nje zone te mbrojtur.
* Per me shume transparence mbi projektet qe prekin mjedisin dhe pasurite publike.
* Per informim te plote te qytetareve dhe konsultim real me komunitetin dhe ekspertet.
* Per ruajtjen e trashegimise natyrore qe u perket brezave te sotem dhe te ardhshem.
* Per shqyrtim te kujdesshem te ndryshimeve ligjore te vitit 2024 qe prekin mbrojtjen e zonave te mbrojtura.
* Per zhvillim qe respekton natyren dhe ligjin, jo zhvillim ne kurriz te tyre.
* Per te treguar se qytetaret kane ze kur behet fjale per mbrojtjen e mjedisit.

Kjo proteste eshte nje thirrje qytetare per mbrojtjen e natyres, trashegimise sone kombetare dhe te ardhmes se brezave qe do te vijne. bw

BYTYÇËT MBI 50 VJET NË SHBA – NEW YORK – GJITHMONË ME DERËN HAPUR Nga ORHAN SAKIQI

Sa here vij ne NY takoj mikun tim te hershem Sergio Bitici( Bytyci).

Historia e fisit te tij asht si e shume shqiptareve te tjere , arratisur nga Atdheu ne Jugosllavi Itali dhe mandej ardhun ne token e bekueme si e quejne Sergio dhe John Bitiçi SHBA. ne librin e tyne – Atdheu dhe Toka e Bekueme (jeta dhe aktiviteti i familjes).

Ne parathenie te librit Dr.Hamdi Oruçi shkruan:

Bytyçet jane nga shqiptaret bamires, qe flitet veç mirë per ta”

Në librin Atdheu dhe Toka e bekueme lexoj:

«Pjestaret e familjes sone erdhem ne SHBA mbasi jetuem 15 vjet si ‘emigrante’ ne Kosove e Jugosllavi, ku jetuem ne nji vorfni te thelle, si qytetare te rendit te trete, por edhe shqiptaret vendas trajtoheshin si qytetare te rendit te trete.»

Veprimtaria patriotike e kater vellezerve Bytyçi asht e hereshme dhe kjo veprimtari është paraqitur e plote ne librin e Sergios- “Kosova path to freedom”- si edhe ne librin qe permenda ma nalt.

Ne kete shkrim timin do permend nji veti te shqiptarit që është mikpritja, konak buke e zemer.

Ja si shkruhet në libër: «Na te kater vllaznit i kemi qendrue besnik tradites sone, e cila ka respektuar dhe respekton bujarine dhe mikpritjen tradicionale simbas kanunit te Leke Dukagjinit. Duket si lavdim , por keto fakte i evidentojme per hir te se vertetes dhe historise, qe te mos harrohen. Gjyshërit tanë ne Pac te Bytycit qe kane pas kullen kater kateshe, ma e famshmja shtepi ne krahinen e malesise se Gjakoves. Ne ate kulle ish oda e musafireve, ku shtroheshin per kuvend e te ngrana 100 vete. Simbas Kanunit nji ode e tille ishte e hapun 24 ore ne dite, ku secili mysafir ishte i mirese ardhun. Edhe kali i tij po ashtu rehatohej . Aty paten bujte shume personalitete shqiptare, qe nga Rilindasit deri ne shtator 1944 kur gjermanet e gjuajten me top dhe e dogjen sepse aty strehoheshin forca anti gjermane te beglereve Kryeziu te Gjakoves . Ata ishin nacionaliste.”

Me 1989 Federata e Amerikes Pan Shqiptare Vatra kish shpalle organizimin e seminarit shkencor ‘ Pjeter Bogdani’ ku ligjeruesit ishin dr . Ibrahim Rugova dhe prof Engjell Sedaj. Ata u sistemuan ne apartamentin tone te mysafireve. Ne ate apartament kane bujtur Sali Berisha, Gramos Pashko , Ismail Kadare. etj.”

Kater vellezer kater biznese ne fushen e restoranteve. Aspak e lehte kur e fillon nga e para. Kuzhina italiane ishte ajo qe ata u detyruan te praktikojne.Ndihma e patriotit Tahir Kerrnaja ishte e gjithaneshme. Ai e quante vedin- ushtar i thjeshte i Shqipnise Etnike.

Ne vitin 1995 Sergio me shoke u mundua te hape bisnes turizmi edhe ne Shqipni por viti i mrapsht 1997 i dogji shpresat.

Kur kam ardh se pari ne NY ne vitin 1998 kam pa lodhjen por dhe frytin e punes te vellezerve. Ne fillim se bashku mandej sekush ne vete.Ka njerez ne kete bote qe shpirti i tyne mban vetem te miren. Ndaj po të keni fatin që t’i njihni mos i leshoni kurre.

Dhe une nuk e leshoj Sergion. Kur vi shoh akurelet e tij, asht piktor ma shume se diletant dhe pime kafen ketu prane shtepise se tij si ne foton qe po postoj. Ai sot ne pension por nuk len pa ardhe ne Shqipni gati çdo vit.

Mire u takofshim i dashur Sergio.

Ardhja e parë e Ismail Kadaresë në SHBA, New York, 1991 i mikpritur nga Familja Bytyqi

40 VJET “JEHONA E SHQIPES” NË BELGJIKË – Pergatitur nga Bajame Hoxha -Çeliku

 

NJË ZË QË LINDI NGA SAKRIFICA DHE U BË INSTITUCION I SHQIPTARISË

Në sallat prestigjioze të Renaissance Brussels Hotel, në zemër të Brukselit, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë: 40-vjetori i radios “Jehona e Shqipes” (1986–2026) – një jubile që mblodhi bashkë ajkën e inteligjencës shqiptare, intelektualë, artistë, mësues, aktivistë, personalitete të jetës publike dhe një numër të madh gazetarësh të ardhur nga Tirana.

Atmosfera ishte madhështore.

Një mbrëmje e mbushur me emocion, respekt dhe krenari shqiptare.

Në sallë ndiheshe jo vetëm gëzimi i një përvjetori, por edhe pesha e një historie të gjatë përkushtimi, sakrifice dhe atdhedashurie.

U fol shumë atë mbrëmje.

Morën fjalën intelektualë, veprimtarë dhe personalitete të ndryshme të komunitetit shqiptar në Belgjikë. U diskutua për vazhdimësinë e këtij institucioni të rëndësishëm mediatik, për misionin që duhet të vazhdojë edhe në brezat e rinj dhe për rolin e pazëvendësueshëm që “Jehona e Shqipes” ka luajtur në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.

U ndanë fletë mirënjohjeje për gazetarët e ardhur nga Shqipëria, për bashkëpunëtorët e radios, për kontribuuesit ndër vite dhe për ata që kanë mbështetur këtë rrugëtim të gjatë.

Por mbi të gjitha, në qendër të asaj mbrëmjeje qëndronte një figurë që nuk mund të ndahet nga vetë historia e kësaj radioje:

Sakip Skepi – njeriu që nuk e la shqipen të heshtë për dyzetë vjet me radhë.

Ka njerëz që bëjnë profesion.

Ka njerëz që ndërtojnë karrierë.

Por ka edhe njerëz të rrallë që jetojnë për një ideal.

Një prej tyre është pa dyshim Sakip Skepi.

Një burrë me karakter të fortë, me vullnet titaniku, me dinjitet të rrallë dhe me një atdhedashuri të brumosur thellë në shpirt.

Ai nuk është vetëm themeluesi i radios “Jehona e Shqipes”.

Ai është vetë fryma e saj.

Historia e tij është histori sakrifice.

Në vitin 1958, vetëm pesë vjeç, Sakipi u detyrua të largohej nga Shqipëria në një nga arratisjet më dramatike të veriut shqiptar.

Më 11 maj 1958, plot 26 anëtarë të familjeve Skepi dhe të afërmve të tyre, mes tyre pleq, foshnje vetëm gjashtëjavëshe, gra dhe fëmijë të vegjël, kaluan kufirin në një udhëtim dramatik drejt shpëtimit.

Ata nuk u larguan për rehati.

Nuk ikën për luks.

Ata ikën për të shpëtuar jetën.

Për t’iu larguar burgut, internimeve dhe thundrës së egër të diktaturës komuniste që ndiqte familjet nacionaliste dhe antikomuniste shqiptare.

Babai i tij, Lam (Islam) Skepi, patriot, nacionalist dhe kundërshtar i vendosur i regjimit komunist, kishte njohur burgun, përndjekjen dhe poshtërimin politik.

Por ai nuk u përkul.

Dhe kjo forcë karakteri u trashëgua te biri.

Ai fëmijë pesëvjeçar, i shkëputur me dhimbje nga Dibra e zemrës së tij, do të rritej në mërgim për ta kthyer mallin në mision.

Në Belgjikë, Sakip Skepi nuk zgjodhi qetësinë e emigrantit të zakonshëm.

Ai zgjodhi përkushtimin.

Zgjodhi shërbimin.

Zgjodhi shqiptarinë.

Më 20 shkurt 1986, themeloi radion “Jehona e Shqipes”, duke krijuar një zë të fuqishëm për shqiptarët në Belgjikë.

Për 40 vjet rresht, pa u lodhur, me një energji të admirueshme dhe me një disiplinë shembullore, ai mbajti ndezur një vatër shqiptarie në zemër të Evropës.

Çdo e diel, në valët e radios, jehonte shqipja.

Jehonte kënga.

Jehonte historia.

Jehonte malli për atdheun.

“Jehona e Shqipes” nuk ishte thjesht program radiofonik.

Ajo u bë shtëpi shpirtërore e komunitetit shqiptar.

U bë urë lidhjeje mes brezave.

U bë tribunë e kulturës, identitetit dhe patriotizmit shqiptar.

Sakip Skepi nuk i shërbeu vetëm radios.

Ai i shërbeu kombit.

Ai ngriti zërin për çështjen shqiptare, për Kosovën në vitet e vështira, për të drejtat kombëtare, për humanizmin dhe për shqiptarët në nevojë.

Priti artistë, gazetarë, kineastë, intelektualë dhe bashkatdhetarë.

Dera e tij mbeti gjithmonë e hapur – si oda tradicionale shqiptare.

Me bujari, fisnikëri dhe zemër të madhe.

Një radio nuk mbahet vetëm – gazetaret që i dhanë zë “Jehonës së Shqipes”

Një vepër e madhe lind nga një vizion i madh, por u mbajtë gjallë nga njerëz që besojnë në të.

Pranë Sakip Skepit, ndër vitet e para të izolimit të Shqipërisë kontribuan patriotë të shquar me përkushtim dhe profesionalizëm si Kimete Mitrovica, Idriz Basha i Novosejt, Inxhinier Ismen Basha etj. Më vonë pas hapjes dhe fitores së demokracisë në Shqipëri e sidomos kur vërshoi Eksodi u bënë bashkëpunëtorë të radios, si artiste Anila Dervishi, gazetare Elona Zhana,  Ledja Canaj dhe të tjerë, që me kulturën, zërin dhe seriozitetin e tyre ndihmuan në forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm të diasporës shqiptare.

Puna e tyre meriton respekt.

Sepse për dekada, kjo radio nuk ka qenë vetëm transmetim.

Ka qenë mision.

Heronjtë e heshtur të arsimit shqip në Belgjikë

Ndoshta si padashur në atë sallë eventi madhështor mbeti në heshtje një tjetër sakrificë:

arsimi shqip në diasporë.

Mes të ftuarve ndodheshin mësues e veprimtarë që prej dekadash kanë punuar e vazhdojnë të punojnë me përkushtim që fëmijët shqiptarë të mos asimilohen, të njohin gjuhën, historinë dhe origjinën e tyre.

Ka njerëz që kanë dhënë vite të jetës pa asnjë shpërblim, vetëm që shqipja të mos humbasë.

Për 11 vjet rresht, edhe unë kam qenë pjesë e stafit mësimor, duke dhënë mësim pa pagesë, me bindjen se një komb jeton përmes gjuhës së vet.

Krah meje kanë kontribuar me përkushtim nën drejtimin e historianit Muhamet Shabani, pianistja Alisa Aliu, në edukimin muzikor; Ajshe Doçi në koreografi; Silvana Gjebrea në gjuhë, Sali Avdyli, edhe më vonë nën drejtimin e Dr. Agim Sylës, duke mbajtur ndezur dritën e arsimit shqip në Belgjikë.

Edhe ata meritonin një fletë nderi.

Sepse nëse radio mban gjallë zërin e kombit, shkolla mban gjallë shpirtin e tij.

Një jehonë që nuk shuhet

Në fund të asaj mbrëmjeje të paharruar, mbeti një ndjesi e fortë:

Se “Jehona e Shqipes” nuk është vetëm radio.

Ajo është histori sakrifice.

Është kujtesë.

Është mall.

Është identitet.

Dhe në qendër të saj qëndron një njeri që për katër dekada nuk e la shqipen të heshtë:

Sakip Skepi – një atdhetar i rrallë, një burrë me karakter të pathyeshëm, një shqiptar i brumosur me dashuri për atdheun, që e ktheu dhimbjen e mërgimit në mision kombëtar.

Sepse ka njerëz që jetojnë për veten.
Dhe ka njerëz që jetojnë për kombin.
Sakip Skepi i përket të dytëve.

Pas fjalimeve, ndarjes së fletëve të mirënjohjes dhe diskutimeve të pasura mbi rrugëtimin 40-vjeçar të “Jehonës së Shqipes”, mbi sfidat dhe mbarëvajtjen e saj në vazhdim, mbrëmja mori një tjetër ritëm – atë të festës shqiptare.

Në ambientet elegante të hotelit u shtrua një koktej i pasur, ku të ftuarit patën mundësi të ndanin kujtime, libra, biseda dhe emocione, duke forcuar edhe më shumë lidhjet njerëzore e shpirtërore të komunitetit shqiptar në Belgjikë.

Por ajo që i dha shpirt e dritë të veçantë kësaj mbrëmjeje ishte programi artistik.

Salla u mbush me tingujt e këngës shqiptare, me emocionin e recitimeve dhe me hijeshinë e valleve tona kombëtare.

Të rinj e të reja të veshur me kostume kombëtare shqiptare, si një tablo e gjallë e traditës sonë, sollën në skenë bukurinë e trojeve shqiptare përmes valleve plot ritëm, krenari dhe elegancë.

Jehuan këngë shqiptare që zgjuan mall, kujtime dhe dashuri për vendlindjen.

U interpretuan recitime artistike që prekën zemrat e të pranishmëve, duke sjellë në sallë frymën e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Në ato çaste, nuk dukej sikur ndodheshim larg Shqipërisë.

Brukseli dukej si një copëz atdheu.

Një Shqipëri e vogël, e mbledhur rreth gjuhës, këngës, flamurit dhe kujtesës.

Mes buzëqeshjeve, përqafimeve, fotografive dhe emocioneve të sinqerta, kuptohej qartë se “Jehona e Shqipes”, përtej radios, kishte ndërtuar ndër vite diçka shumë më të madhe:

Një familje të madhe shqiptare.

Një vatër ku nuk është ruajtur vetëm fjala shqip, por edhe zemra shqiptare.

Dhe ndoshta kjo ishte fitorja më e bukur e asaj mbrëmjeje:

Të shihje breza shqiptarësh, larg atdheut, por kaq pranë njëri-tjetrit – të bashkuar nga gjuha, kujtesa, kultura dhe dashuria për Shqipërinë ndiheshe vërtet krenare.

23 Maji 2026.

Arkivi i Voal.ch Më 20 Maj 2005 u nda nga jeta Anthony Athanas, ylli i emigracionit shqiptar

 

Arkivi i Voal.ch 25 Maj 2005

Të premten, më 20 Maj 2005 vdiq në Boston një nga njerëzit më të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës, Anthony Athanas.

Ai ishte një nga biznesmenët më të famshëm të Bostonit, por në komunitetin shqiptar të Amerikës do të mbahet mend më shumë si patriot i shquar, që punoi pa u lodhur për të ndihmuar bashkëkombësit e tij në Shqipëri edhe në Kosovë.

Antoni Athanas ishte një figurë qendrore në organizatën panshqiptare “Vatra” dhe bashkëthemelues i organizatave të tjera shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas vdiq të premten në shtëpinë e tij në Swampscott pas një beteje tre-vjeçare me sëmundjen e alzaimerit.

Antoni Athanas ishte themeluesi i një prej restoranteve më me emër të Amerikës, “Anthony’s Pier Four”. Kryetari i Bashkisë së Bostonit e quajti atë një traditë në vetvete, pasi ky restorant u kthye në një mikpritës të mijëra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin.

Senatori Xhon Kerri u shpreh se Antoni Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar, tha senatori Kerri.

I lindur në Shqipëri më 28 korrik 1911, Athanasi emigroi me familjen e tij në New Bedford në vitin 1915.

Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve.

“Nëna ime, tregonte Antoni, qysh në vogëli më ka mësuar të jem punëtor, nikoqir e t’ua kaloj moshatarëve. Babai ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot. Më jepte një shportë me banane e më thoshte: “Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi”.

Unë vrisja mendjen si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës së Bostonit ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më mbetej pak kohë e lirë të kthehesha në shtëpi e të kryeja detyrat e shkollës”.

Antoni i vogël, duke u rritur e duke punuar shumë, shkallë-shkallë vuri dhe pasurinë. Hapjen e restoranteve e filloi më parë në Lynn me “Anthony’s Hawthorne”.

Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë “Anthony’s Pier Four”. Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.

Më 1 nëntor vdiq gruaja e tij, Ester

Ester Athanas, një grua e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan, vdiq më 1 nëntor 2004 në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e saj, mbas një jete martesore prej 64 vjetësh bashkëjetese me zotin Anton. Në vitin 1940, Esteri, 28 vjeç, u martua me Anton Athanasin.

Shqiptarja e Wall Street, Lorna Hajdini, në betejë ligjore për shpifje

Drejtuesja e JPMorgan Chase, Lorna Hajdini, ka ngritur një padi për shpifje ndaj ish-bankierit të diskredituar Chirayu Rana, duke e akuzuar se ai i kishte sajuar plotësisht pretendimet se ajo e kishte përdorur dhe abuzuar me të si “skllav seksi”, ka mësuar The Post.

Hajdini paraqiti padinë për shpifje ndaj Rana-s në Gjykatën Supreme të Shtetit të Nju Jorkut të martën.

Padia pretendon se financieri 35-vjeçar, i cili kishte gënjyer duke thënë se i kishte vdekur babai për të marrë pushim nga puna, organizoi një fushatë disamujore me akuza të rreme që dëmtoi karrierën e saj, shkatërroi reputacionin dhe e ktheu jetën e saj në një skandal global tabloidesh, i cili shpërtheu fillimisht në rrjetet sociale muajin e kaluar.

Image

“Zonja Hajdini mohon kategorikisht dhe pa asnjë ekuivok çdo akuzë për sjellje të paligjshme,” thuhet në kundërpadi.

“Këto akuza janë tërësisht të rreme, dashakeqe dhe të fabrikuara dhe janë sajuar për qëllime përfitimi personal në kurriz të tëpaditurve dhe të tjerëve,” thuhet më tej.

Avokatët e saj kritikuan gjithashtu Rana-n për “përhapjen e gënjeshtrave se zonja Hajdini ishte raciste dhe grabitqare seksuale”, duke thënë se qëllimi i tij ishte “të shkatërronte reputacionin e saj për të zhvatur miliona dollarë” prej saj dhe JPMorgan.

Image

Por dokumenti pretendon gjithashtu se Rana kishte bërë akuza të ngjashme për ngacmim seksual edhe në një punë të mëparshme, një pretendim që The Post thotë se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

“Paditësi shpiku akuza shumë të ngjashme dhe të fabrikuara për sjellje seksuale të pahijshme ndaj një eprori në një vend pune të mëparshëm,” thuhet në dosjen gjyqësore.

“Zonja Hajdini kërkon të pastrojë emrin e saj, të zbusë dëmin e madh që i është shkaktuar dhe të mbajë paditësin përgjegjës për sjelljen e tij të degjeneruar dhe të paligjshme,” vazhdon padia.

Avokatët e saj e quajtën ankesën fillestare të Rana-s “kulmin e një fushate disamujore për të njollosur zonjën Hajdini në vendin e punës, ndaj palëve të treta, mediave dhe tani edhe kësaj gjykate me pretendime të fabrikuara”.

Një zëdhënës i JPMorgan tha: “Ne e mbështesim plotësisht Lornën dhe të drejtën e saj për të mbrojtur veten dhe reputacionin e saj. Siç kemi thënë që në fillim, ne nuk besojmë se akuzat ndaj saj apo ndaj kompanisë kanë bazë.”

Dosja e re gjyqësore vjen pak më shumë se tri javë pasi Ranashkaktoi një nga skandalet më të mëdha të kohëve të fundit në Wall Street kur paditi Hajdinin në gjykatën e Nju Jorkut nën pseudonimin “John Doe”, një emër që përdoret shpesh nga viktimat e sulmeve seksuale.

Ai akuzoi drejtoreshën ekzekutive në divizionin e financave të JPMorgan se e kishte droguar, e kishte detyruar për muaj të tërë në akte seksuale pa pëlqim dhe e kishte fyer me sharje racore.

Burime brenda kompanisë thanë se Rana fillimisht kishte kërkuar një dëmshpërblim “mbi 20 milionë dollarë” para se të largohej nga banka, por në fund kishte refuzuar ofertën e kompanisë prej 1 milion dollarësh para se të niste veprimin ligjor.

Image

Një hetim i brendshëm i JPMorgan nuk gjeti asnjë provë që mbështeste pretendimet e Rana-s. Ndërsa shumë punonjës bashkëpunuan, banka vuri në dukje se vetë Rana refuzoi të merrte pjesë apo të paraqiste prova.

Një nga akuzat kryesore të Rana-s ishte se Hajdini e kishte kërcënuar se do t’i ulte bonusin nëse nuk pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Por drejtuesja 37-vjeçare, e cila respektohet gjerësisht brenda bankës së drejtuar nga Jamie Dimon, nuk kishte asnjë rol në promovimin apo kompensimin e tij, sipas dokumenteve të brendshme të burimeve njerëzore të siguruara dhe shqyrtuara nga The Post. Të dy raportonin te drejtorë të ndryshëm.

Një tjetër pretendim që thuhet se ka habitur Wall Street ishte përshkrimi i Rana-s se si Hajdini gjoja kishte hequr bluzën, kishte prekur gjoksin dhe i kishte thënë: “Vë bast se gruaja jote e vogël aziatike me kokë peshku nuk i ka këto topa.”

Por kjo gazetë thotë se njeh identitetin e gruas që kishte lidhje me ish-basketbollistin universitar gjatë kohës së tij në JPMorgan. Burime pranë çiftit thanë se ata nuk janë martuar kurrë, megjithëse statusi aktual i marrëdhënies së tyre mbetet i paqartë.

Avokatët e Hajdinit i mohuan kategorikisht akuzat, duke theksuar se ajo nuk kishte pasur kurrë sjellje të papërshtatshme me Rana-n dhe nuk kishte vizituar as disa nga vendet ku pretendohej se kishin ndodhur sulmet.

Më pas, The Post zbuloi se ish-studenti i Rutgers University u kishte thënë eprorëve se babai i tij kishte vdekur, në mënyrë që të përfitonte disa periudha pushimi nga vjeshta e vitit 2024 deri në majin e vitit të kaluar.

Por një reporter gjeti Chaitanya Rana-n shëndosh e mirë në shtëpinë e tij në Fairfax, Virginia, me kryefamiljarin që këmbëngulte se djali i tij “ishte djalë i mirë”.

Transkripte të bisedave me chatbot nga viti 2024, që i atribuohen Rana-s, përmendnin një incident në vendin e punës në MorganStanley, katër vite para se ai t’i bashkohej JPMorgan, dhe i referoheshin abuzuesit të pretenduar si “ai”.

Image

Karriera e larmishme e Rana-s në financë duket se është shkatërruar pas padisë së tij “John Doe”, e cila u bë tema kryesore e Wall Street.

Ai u largua nga firma e investimeve Bregal Sagemount, e drejtuar nga Gene Yoon, më 2 prill, ndërsa burime të brendshme thanë se nuk kishte arritur të linte gjurmë te drejtuesit. Kjo ndodhi vetëm 26 ditë para se të ngrinte padinë fillestare ndaj Hajdinit.

Një përfaqësues i kompanisë konfirmoi vetëm se “ai nuk është më punonjës”, por nuk dha shpjegime se pse biografia e Rana-s vazhdonte ende të ishte në faqen e internetit të kompanisë.

Karriera e tij përfshinte gjithashtu periudha të shkurtra pune në Houlihan Lokey, Credit Suisse, Morgan Stanley dhe CarlyleGroup para se t’i bashkohej ekipit të financave të JPMorgan në pranverën e vitit 2024.

Rana pati gjithashtu një periudhë të shkurtër në MidCapFinancial, një degë e Apollo Global Management, ku sipas burimeve të kompanisë ai u largua pas gjashtë muajsh për shkak të shqetësimeve mbi performancën.

Hajdini, e cila ka vazhduar të punojë gjatë gjithë kësaj periudhe, është veterane 15-vjeçare e JPMorgan dhe e diplomuar në NYU Stern School of Business. Në kohën e lirë ajo përgatitet për provimet e somelierisë dhe angazhohet vullnetarisht në një organizatë jofitimprurëse që ndihmon studentët me të ardhura të ulëta të ndjekin universitetin. / New York Post – Syri.net


Send this to a friend